Skip to main content

““Kosova është shtet”, si u censurua fjalimi i Macron në Beograd” plus 9 more - Gazeta Dita

““Kosova është shtet”, si u censurua fjalimi i Macron në Beograd” plus 9 more - Gazeta Dita


“Kosova është shtet”, si u censurua fjalimi i Macron në Beograd

Posted: 17 Jul 2019 03:08 AM PDT

Vizita dyditore e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron në Serbi bëri shumë bujë, por një detaj shumë i rëndësishëm u kalua në heshtje.

Ishte momenti kur Presidenti Macron e cilësoi Kosovën shtet, që heshti liderët serbë, si dhe u censurua në mediat e vendit.

Gjatë fjalës së tij, Kreu i Shtetit francez deklaroi se Kosova dhe Serbia ishin dy shtete fqinje që e kishin të ardhmen në Evropë, por një gjë e tillë nuk iu ka pëlqyer serbëve, të cilët kanë vendosur ta censurojnë.

Një gjë e tillë është vënë në pah nga deputeti i pavarur serb, Gjorgje Vukadinoviç, i cili u ndal te censura që mediat i bënë fjalimit të Macron, në rastin kur e cilësonte Kosovën vend fqinj të Serbisë.

"Përveç mediave që nuk e kanë transmetuar këtë deklaratë, nuk kanë reaguar as krerët e shtetit serb", është shprehur Vukadinoviç për mediat serbe.

Gjithashtu, politikani serb ka sjellë në vëmendje reagimin aspak të sjellshëm të Ministrisë së Jashtme, të udhëhequr nga Ivica Daçiç, ndaj ambasadorit të Francës në Beograd, Federico Mandoloni, të cilit për të njëjtën deklaratë si ajo e Macron i ishte thënë "Kosova nuk është fqinje e Serbisë".

Nga ana e tij, Presidenti francez publikoi një pjesë të fjalimit të tij në "Twitter", në të cilin fliste specifikisht për zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë.

"Ne duhet të ndërtojmë së bashku paqen ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Mesazhi im nga Beogradi", shkruante Macron.

Gjatë vizitës së tij në Serbi, Presidenti francez premtoi të përfshihet në procesin e rifillimit të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, me qëllim arritjen e marrëveshjes së përhershme gjithëpërfshirëse dhe me këtë në mendje, ai u shpreh se do të organizonte një takim të veçantë Beograd-Prishtinë me pjesëmarrjen e Kancelares gjermane Angela Merkel në Paris, rreth muajit shtator.

j.l./ dita

Kush janë prokurorët e SPAK dhe dosjet e bujshme që ata zgjidhën

Posted: 17 Jul 2019 03:04 AM PDT

Këshilli i Lartë i Prokurorisë përzgjodhi një ditë më parë 15 emrat e prokurorëve, të cilët do të vijojnë garën për t'u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Altin Dumani, Anton Martini, Elisabeta Imeraj, Arben Kraja, Doloreza Musabelliu, Klodian Braho, Enkeleda Millonaj, Manjola Kajana, Edvin Kondili, Ened Nakuçi, Elida Kaçkini, Ndini Tavani, Behar Dibra, Anita Jella dhe Besnik Muçi; janë ata që do të vijojnë më tej garën për në SPAK. Por kush janë disa prej këtryre prokurorëve? Cilat kanë qenë disa nga çështjet më të nxehta që ata kanë pasur nëpër duar? Megjithëse një pjesë e mirë e tyre nuk e kanë kaluar ende procesin e vettingut, ata vlerësohen për mënyrën se si kanë hetuar këto çështje dhe qëndrimet kanë mbajtur.

Altin Dumani, i moshës 45 vjeç, është nga Shupenza e Dibrës dhe mbahet si një nga prokurorët që drejtoi i pari njësinë Task Forcë, ngritur vite më parë për të luftuar krimin e jakave të bardha. Njihet si prokurori i pakompromis dhe përflitet gjithashtu si një nga emrat më të pëlqyer për të marrë drejtimin e Prokurorisë së Posaçme. Ai bëri bujë me qëndrimin e akullt që mbajti gjatë gjykimit të 29 të pandehurve të Gërdecit dhe 3 dënimet e përjetshme që kërkoi për tre nga të pandehurit kryesorë të tragjedisë së 15 marsit 2008. Ai u intervistua i pari nga KLP dhe mbahet si një nga prokurorët që nuk i pëlqen buja dhe as nxjerrja e sekretit hetimor. Për të nuk ka dalë ende një datë nga vetting-u. Dumani u vlerësua me pikët maksimale.

Anton Martini, i moshës 45 vjeç është nga Tropoja. Njihet si prokurori që përmes një dëshmitari të mbrojtur, siç ishte Adriatik Coli zbërtheu një nga bandat kriminale më potente në vend. Ai përfaqësoi akuzën e shtetit në gjykatë kundër bandës së Durrësit, ku edhe kërkoi burgim të përjetshëm për kreun e këtij grupi. I lakuar si prokurori që hetoi bandat, ai u kthye në një histori suksesi atëherë kur goditi Bandën e Cërrikut, hetoi Lazaratin, për disa vite u vu në kërkim të gjurmëve të vogëlushes së zhdukur, Bleona Mata, por pas sukses si edhe kërkoi dënimin kapital të Arben Frrokut. Ai shpesh është përplasur me ish-shefat e tij, çka i ka kushtuar edhe largimin nga kryeqyteti, siç edhe rasti i transferimit të përkohshëm në Shkodër. Rehabilitimi i tij ndodhi vetëm, pasi kolegia që takoi në Shkodër, Arta Marku, kur u votua Prokurore e Përkohshme e riktheu te Krimet e Rënda. Ai nuk ka kaluar ende vettingun dhe mori vendin e dytë në pikëzim.

Elizabeta Imeraj, e moshës 40 vjeç është nga Tropoja. Si vajza e një ushtaraku, prokurorja e Krimeve të Rënda ka trashëguar prej tij disiplinën e fortë dhe staturën e fortë. E diplomuar me medalje në Shkollën e Magjistraturës, poseduese e katër gjuhëve të huaja dhe e etiketuar si "dora e fortë" e prokurorisë, ajo u bë e njohur për publikun në këshillin e mandateve, atëherë kur mes dy burrave prokurorë këmbënguli fort për Saimir Tahirin. Por, më herët ajo hetoi grupin e Emiliano Shullazit, bëri dëshmitar për këtë dosje Ylvi Beqen, hetoi nëntë persona në dosjen imamët, ndërsa aktualisht drejton Prokurorinë e kryeqytetit. Me flokët përherë të mbledhur, përherë e veshur me xhaketë e pantallona, Imeraj e nisi karrierën në Prokurorinë e Shkodrës ku pas hetimit të kontrabandës atje u emërua në kohën e Sollakut si prokuror i thjeshtë te Krimet e Rënda ku kryesisht ka hetuar çështje të trafikantëve. Imeraj është gjithashtu në pritje të vettingut.

Arben Kraja, i moshës 47 vjeç nga Shkodra, njihet për qetësinë dhe temperamentin e qetë. Aktualisht është prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme dhe çështja e tij më e fundit është ajo e akuzimit të ish-gjyqtares së lartë, Majlinda Andrea, e shpallur fajtore për afera korrupsioni. Prozhektorët e medias u kthyen ndaj tij vite më parë atëherë kur hetoi Lulzim Bashën në atë kohë ministër i Jashtëm, por që iu nënshtrua hetimeve në pozicionin e ish-ministrit të Transporteve. Basha së bashku me ish-zyrtarë të rrugëve, u vendos nën përgjegjësi për rrugën Durrës-Kukës, dosjen e Armando Prengës për incidentin e Lagunës së Patokut, por edhe deputetë e ish-deputetë të tjerë të gjykuar në Gjykatën e Lartë gjatë maratonës së dhjetëra çështjeve të gjykuara për akuzën e shpifjes. Arben Kraja është konfirmuar në detyrë dhe flet 3 gjuhë të huaja.

Doloreza Musabelliu, 39 vjeç është nga Poliçani i Skraparit. Është një nga magjistratet e diplomuara shkëlqyer, dhe që për shkak të rezultateve të larta u emërua menjëherë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Për shkak se është një nga prokuroret e pakta që flet frëngjisht, ajo ka qenë shpesh e përzgjedhur nga autoritetet franceze për hetimet dypalëshe, kryesisht në fushën e trafikut. Ajo ka qenë një nga prokurorët e parë që përpara se të ngrihej miti i Emiliano Shullazit, kreu një hetim kundër tij dhe kërkoi dënimin për trafik droge dhe armëmbajtje. Prokurorja kaçurrelse që heton pa e ndarë buzëqeshjen, por edhe stilin në të veshur, ka hetuar për korrupsion ish-gjyqtarin Ibrahim Hoxha, italianin Guido Guidi, piloti që ngeci në Ishëm, ndërsa aktualisht ka në dorë dosjen Toyota Aurus me miliona euro të sekuestruara në Durrës. Ka qenë gjithashtu drejtuese e njësisë Task Forcë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe e ka lënë këtë detyrë në vitin 2017. Është në pritje të vettingut.

Klodian Braho, i moshës 37 vjeç është nga Skrapari. Me qetësinë që e karakterizon Braho, po ashtu magjistrat, e nisi karrierën në njësitë antikorrupsion në Vlorë ku spikati me hetimin ndaj ish-kryebashkiakut Shpëtim Gjika, një gjykim i cili për shkaqe sigurie u zhvendos që të kryhej në kryeqytet. Prokurori udhëtonte një herë në dy javë drejt Tiranës për të përfaqësuar akuzën ndaj të zgjedhurit të pushtetit vendor dhe një sërë zyrtarësh lokalë. Hetoi dhe arrestoi për korrupsion ish-gjyqtarin e Apelit, Shkëlqim Miri, ka vendosur sekuestro ndaj aseteve pasurore të ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, të cilin gjithashtu e ka nën hetim për korrupsion. Nën hetim aktualisht ka edhe një pjesë të zgjedhjeve në Dibër si edhe zyrtarë të tjerë për dyshimet e grabitjes së Rinasit. Klodian Braho njihet për tipin e qetë e po ashtu dëshirën për të qëndruar larg bujës. Është në pritje të vettingut.

Enkeleda Millonai, e moshës 39 vjeç është nga Berati. Ajo ka mbajtur përherë një profil të ulët dhe larg medias. Aq sa është e vështirë të bëje identifikimin e saj. Është magjistrate dhe është beqare dhe njihet si një nga prokuroret që ndërsa drejton përkohësisht akuzën e Elbasanit, ka shfaqur vullnet për të luftuar krimin dhe bandat në këtë qytet. Nuk njihet si prokurore që ka pasur dosje të bujshme për shkak se siç thonë prokurorë që kanë punuar me të, drejtuesit e Prokurorisë së Elbasanit e kanë shmangur nga hetimi i dosjeve të forta për shkak të qëndrimit të saj të prerë dhe të pakompromis. Millonai e ka nisur karrierën e saj si sekretare gjyqësore pranë Gjykatës së kryeqytetit dhe më pas ka konkurruar për magjistraturë ku është diplomuar me pikët maksimale. Kur Krimet e Rënda shpallën moskompetencën për ngjarjen e tregut agro-ushqimor, ajo këmbënguli që kjo ngjarje të hetohej si krim i rëndë, duke treguar se prokurorja nuk negocion aspak kur bëhet fjalë për goditje të autoritetit të shtetit. Është konfirmuar në detyrë dhe flet dy gjuhë të huaja.

Manjola Kajana, 37 vjeç është nga Burreli. Prokurorja brune e nisi karrierën si prokurore në qytetin e Fierit ku spikati me hetimin e grabitëses seriale me nofkën Nikta. Kajana, e cila aktualisht është prokurore te Krimet e Rënda mbulon gjithashtu edhe koordinatoren me mediat. Ajo përfaqësoi në gjykatë dosjen e trafikut të heroinës ndaj trafikantit Arben Prendi, që mbulonte linjën e trafikut me Kosovën, hetoi pasuritë e grabitësit të vrarë, Admir Murataj dhe familjarëve të tij dhe kërkoi sekuestro të këtyre aseteve në gjykatë, hetoi dosjen e Durim Bamit atëherë kur ai u shfaq në një video-regjistrim, duke folur për një atentat të mundshëm ndaj Tom Doshit. Ajo është konfirmuar në detyrë dhe ka rezultuar e pastër nga vettingu.

l.h/ dita

Ndërlikohet pista Barça, Juve, Real e Bayern në garë për Neymar

Posted: 17 Jul 2019 02:51 AM PDT

 

Neymar ka nxjerr veten në shtije, udhëtimi drejtë Azisë me PSG pritet të jetë udhëtimi i tij i fundin me ekipin francez. Braziliani ia ka bërë të qartë drejtuesve të klubit, kërkon të largohet me çdo kusht, fakt të cilin e pranoi dhe trajneri Thomas Tuchel: "Po, e dija që Neymar dëshiron të largohet, kërkonte të largohej përpara Kupës së Amerikës, por kjo është një çështje ndërmjet tij dhe klubit", u shpreh tekniku gjerman. Dëshira e Neymar është të rikthehet te Barcelona por klubi "blaugrana" ka shpenzuar afro 200 milion euro deri në këtë pikë të merkatos, 200 milion të tjera për Neymar do të ishin shumë.

Lajmet që qarkullojnë për të janë nga më të ndryshmet. Sipas të përditshmes franceze "L'Equipe": Barcelona ofron kartonin e Rakitic-Coutinhos plus 40 milion euro kesh, një marrëveshjeve më të vërtetë e keqe, shkruan "L'Equipe" në faqen e parë. Një tjetër version edhe më intrigues për të ardhmen e Neymar ofron e përditshmja spanjolle "Mundo Deportivo":

Duke parë që marrëveshja me Barcelonën nuk është aspak e lehtë, Neymar ka deleguar agjentin e tij për të kuptuar se kush nga klubet e mëdha europiane janë të gatshme të investojnë për të. Gjithnjë sipas "Mundo Deportivo", Juventus qëndron në krye të listës ndërsa më pas vijnë Real Madrid dhe Bayern Munich, me dy të fundit që nuk pëlqehen shumë nga lojtari. Një pistë po aq e ndërlikuar është dhe Man.United, skuadër që mund ta përballoj ekonomikisht por që nuk luan në Champions League sezonin e ardhshëm.

 

l.h/ dita

Rrëfimi i Bashkim Shehut: E vërteta e gruas sime me diplomatin

Posted: 17 Jul 2019 02:49 AM PDT

Në atë vjeshtë ankthi, Mehmet Shehu përpëlitej i pashpresë t'i shpëtonte fundit të parashikuar.

Pas ftohtësisë së Enver Hoxhës në Kongres, nisi të mendonte të vendoste pak "rregull" në shtëpi, diçka që e bënte herë pas here me të bijtë.

Bashkim Shehu, në rrëfimin e tij, të vitit 1994, në librin "Vjeshta e ankthit", tregon të vërtetat e jetuara prej tij, në lidhje me një nga ngjarjet më të bujshme të diktaturës komuniste në Shqipëri: vrasje/vetëvrasjen e kryeministrit të vendit, Mehmet Shehu, më 17 shtator të vitit 1981, plot 34 vjet më parë.

Bashkim Shehu, me dhuntinë prej shkrimtari dhe syrin e dëshmitarit, na tregon gjithë çka ndodhte në shtëpinë e tij, pas prishjes së fejesës kobzezë mes të vëllait, Skënderit dhe Silva Turdiut.

Ai rrëfen një nga ato ditët, kur Mehmet Shehu tentonte të vendoste autoritetin në shtëpi, duke u imponuar ca rregulla të bijve, duke u mbështetur në sinjalizimet e Sigurimit të Shtetit, si daljet natën vonë, ndonjë gotë me miqtë, kafetë në shoqërinë e të huajve, sjellje të "pahijshme" për kohën, siç mund të ishte një qëndrim këmbë përmbi këmbë apo konsumimi i alkoolit nga një femër.

Deri te këshilla që të mos shoqëroheshin më me shkrimtarin Ismail Kadare, me njeriun, që siç do të thoshte bashkëshortja e atëhershme e Bashkim Shehut, ishin njerëzit e vetëm ku ata shkonin me qejf….

Nga Bashkim Shehu

Pak ditë mbasi u prish fejesa e Skënderit me Silvën, babai dërgoi e më thërriti sërishmi nga zbori. Më priste në studion e tij të katit të poshtëm, i vrenjtur, hijerëndë, po prapëseprapë me njëfarë turbullimi që s'po mund ta fshihte. Mesa dukej, i paduruar që t'i thoshte sa më parë çka krejt kishte përbluajtur vetmevete, qe kthyer nga zyra mjaft herët.

Ose ndoshta s'kishte qenë fare në zyrë dhe sapo qe kthyer nga Enver Hoxha, me të cilin po takohej dendur gjatë gjithë asaj jave.

-Tani, janë disa çështje të brendshme të familjes sonë që duhet t'i ndreqim, – filloi babai, ndërsa unë u ula në një kolltuk përkundruall tij, – për këtë të kam thirrur.

Një copë herë ndërmjet nesh u nder një heshtje e sikletshme. Unë po mundohesha të kuptoja çfarë donte të thoshte e ku donte të dilte, po edhe ai e kishte disi të zorshme ta shpështillte fillin e bisedës. Janë disa probleme që kanë të bëjnë, së pari, me mënyrën tënde të jetesës, – e prishi heshtjen më në fund.

-Mënyra ime e jetesës?

Atë çast hyri një shërbyese, me një pjatë të vogël në të cilën kishte një kokërr mollë. Babai heshti sakaq. Mua s'po më pritej gjersa ajo të dilte nga dhoma dhe babai të vazhdonte. As atij vetë nuk i pritej.

-Lëre aty, – i tha shërbyeses duke e ndjekur me sy me njëfarë bezdie, pastaj për diçka u kujtua dhe i tha:

– Më bjer një shkrepëse.

Priti që shërbyesja të mbyllte derën dhe vazhdoi:

-Ti bën jetë lokalesh, Bashkim.

Po më fliste në emër të plotë dhe kjo ishte e pazakontë për të. Kjo donte të thoshte largësi e pamatë, tëhuajtje. Shpërnjohje. Në shqiptimin prej tij të emrit tim të plotë kumbonte jehu i mallkimit. Ti s'je më biri im. Kurse ai ishte gjithnjë babai im dhe kjo më bënte të ulërija i ndërkryer dhe njëkohësisht më ndrydhte e ma mbytte përbrenda ulërimën.

-Unë tërë ditën e kaloj duke shkruar apo duke lexuar, kështu që kam nevojë edhe të çlodhem, të argëtohem…

-Ti kthehesh shumë vonë në shtëpi. Të rrish me orë të tëra nëpër kafenera, duke pirë, kjo s'është e rregullt.

-Se pi ndonjë gotë, s'ka asgjë të keqe. Unë as dehem, as rrihem, as i bie kujt më qafë.

-Mos u rrëmbe, – ma preu babai – s'të thotë njeri se ke bërë gjëra të tilla.

Hyri prapë shërbyesja, e cila solli një kuti shkrepëse.

-Mos u rrëmbe, mos e bëj tragjike, – foli prapë babai, dhe shtyu nga unë pjatën me kokrrën e mollës. Pastaj nxori nga xhepi i brendshëm një tufë letrash, pas gjase ndonjë buletin zyrtar sekret, zu t'i bënte shuk njëra pas tjetrës dhe t'i hidhte ashtu grumbull në vatrën e oxhakut.

-Në fund të fundit, unë s'jam as i vogël, – i thashë.

Ai u përkul për nga oxhaku, ndezi një shkrepëse dhe vuri flakën së përposhtmi letrave të shukura e të hedhura aty.

-Vërtet, tani ti je burrë, – tha mbas pak pa kurrfarë qesëndie në zë, – mund të shkosh dhe në kafene, me gruan tënde. Po një herë në hënë e jo çdo natë! Fundja, mund të pish dhe ndonjë gotë, kurse ajo mund të marrë ndonjë pastë, por jo të pijë, këmba mbi këmbë…

Vështrova për një hop letrat që filluan të digjeshin në oxhak, duke u nxirë e tkurrur me ca spërdredhje si një përpëlitje e dhimbshme prej qeniesh të gjalla.

-Pse, ç'të keqe ka!, – i thashë babait. Fytyra e tij vazhdimisht çehrengrysur, u vrungua edhe më. Dukej në zgrip të një shpërthimi britmash të hakërryera dhe mezi e përmbante veten. Po fjalët e tij më ngjethën edhe më tepër se çdo e bërtitur.

-Unë s'mund të lejoj që ju të merrni nëpër këmbë nderin tim, – tha ai, – nderin e anëtarit të Byrosë Politike.

Letrat e hedhura në oxhak përflakeshin furishëm, a thua se prej shkronjave të tyre çlirohej ashtu një zjarr magjik.

-Do të bëni si them unë, – vazhdoi ai, – s'ka të vonoheni natën sa të doni, do të ktheheni në orar. Që sot e tutje, në ora 9 shtëpisë i vihet çelësi. Kjo shtëpi nuk është han…

-Mos është kazermë? – i thashë.

-Po, – tha ai, – të pëlqen apo s'të pëlqen ty! Kështu si them unë do të bëhet!

Në qoftë se nuk do të bëhej ashtu, unë s'do të isha më biri i tij. Po mirë, atëherë as ai nuk ishte më babai im… Përpara meje qëndronte një idol prej guri, i shurdhët e i pamëshirshëm. Idoli duhej thyer të ndizej sherri dhe flaka do të pushtonte shtëpinë, trarët të shndërruar në ura zjarri do të binin mbi mua dhe duhma dhe tymi do më zinin frymën. Por ndërkaq frika më bëri të stepem, një frikë e errët. Nuk nxora dot asnjë fjalë për ta kundërshtuar.

E megjithatë është një çmenduri, thash me vete, çmenduri kryekëput. Ishte vijimi i një bisede të vjetër, të filluar vite më parë, të ndërprerë, të filluar e të ndërprerë sërishmi, disa herë kështu, e që s'po kishte të mbaruar. Të mos vonohesha natën, sepse, sepse, sepse… tjetër punë po të jesh i martuar e të kesh gruan tënde… me të mund të bredhësh natën e të vonohesh sa të duash…

Më pas, mbasi isha martuar, disa herë më kishte thënë të mos vonohesha, jo për fanatizëm patriarkal, por sepse kemi armiq dhe armiqtë, me ç'ju kemi bërë ne… Pastaj, për një kohë të gjatë, sikur harronte, pastaj prapë kujtohej. Kurse tani, tani s'ishte më punë armiqsh dhe, megjithëse i martuar, prapë s'duhej të vonohesha natën. Kështu thoshte ai dhe kështu do të bëhej, isha i dënuar prej tij, dhe dënimi im nuk është që të kthehem në ora 9 apo në ora 8, kjo s'ka rëndësi, dënimi im është që atij t'i bindem, që të mos kem fuqi të kundërshtoj dhe, tek e mbramja ta vuaj këtë pafuqi.

j.l./ dita

“Në 19 tetor do jetë shumë vonë”, Meta mesazh Ramës dhe Bashës

Posted: 17 Jul 2019 02:10 AM PDT

Presidenti Ilir Meta i qëndron asaj që ka thënë më parë, lidhur me zgjedhjet. Teksa e konsideron 30 qershorin, thjesht si një datë në kalendar, Meta kërkon që koha të mos na ndëshkojë edhe në vjeshtë, duke nënkuptuar me këtë moshapjen e negociatave.

Përmes një statusi në Facebook, të tretin për ditën e sotme, Meta shkruan se data të rëndësishme përveç 13 tetorit janë edhe 17 dhe 18 tetorit, atëherë kur Këshilli i Bashkimit Evropian do të marrë vendimin për çeljen apo jo të negociatave me Shqipërinë.

Postimi i plotë i Metës:

Koha që të mos mbetemi edhe në vjeshtë!

Të dashur qytetarë,

30 qershori iku si një datë e përbashkët vetëm kalendarike. Përpara kemi një datë tepër të rëndësishme, për ne dhe të ardhmen e vendit tonë, 17-18 tetor 2019, kur Këshilli i Bashkimit Europian do të marrë një vendim për çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë.

Ndaj nuk mund të vazhdohet më të ecet në dy rrugë të kundërta, që nuk takohen me njëra-tjetrën: në një anë atë të kapjes së çdo institucioni, çdo zyre dhe çdo vendi pune, dhe atë të delegjitimimit të çdo institucioni nga ana tjetër.

Të dy palët duhet t'u krijojnë mundësinë të gjithë qytetarëve shqiptarë, që në mënyrë të qetë, civile dhe demokratike të shprehin sovranitetin e tyre për të gjitha institucionet, vendore dhe qendrore, përfshi dhe Presidentin nga populli, në 13 tetor.

Koha është tani!

Në 19 tetor do të jetë shumë vonë!

j.l./ dita

Humbasin dëshmitë, Tahiri: Qesharake, kjo nuk ndodh as në dyqan

Posted: 17 Jul 2019 01:43 AM PDT

Shtyhet sërish për herë të tretë seanca gjyqësore ndaj Saimir Tahirit. Arsyeja është se prokuroria nuk ka gjetur 3 fashikuj të gjykimit.

Ndërkohë që Saimir Tahiri pas daljes nga Prokuroria ka deklaruar:

“Ky proces është shtyrë për të tretën herë, herën e parë se letrat e postës ishin të grisura, herën e dytë se nuk ishin bërë njoftimet dhe herën e tretë, që na kanë humbur letrat. Edhe një çerdhe është më e organizuar se kaq.

Nuk e di si mund të ndodhë që mund të humbasin letra në Prokurori kur dihet kush i ka dërguar dhe kush i ka marrë. Nuk e di si mund të vijohet kështu, me këto letra prokuroria kërkoi arrestimin tim dhe sot thotë më kanë humbur.

Kjo është qesharake. Nuk dua ta di nëse është e qëllimshme apo gabim njerëz, nëse është e qëllimshme është e keqja më e vogël, pasi nuk paska gjetur rrugë tjetër se kjo kaq banale. Shpresoj që të jenë mungesë vëmendje. E thashë edhe në seancë, ata janë prova në favorin tim, por unë heq dorë vetëm që gjyqi të mos shtyhet. Po heq dorë nga disa dëshmi në favorin tim. Unë heq dorë vetëm të mos shtyhet.

Një procedim nisi me kërkesën për arrestimin tim dhe letrat janë zhdukur. Kjo është qesharake, kjo  nuk ndodh as në dyqan. Përkthimet janë në prokurori. Di të them që e quaj të tepërt të shtyhet gjyqi për herë të tretë, qesharake, skandaloze, poshtëruese për drejtësinë dhe jo për mua.

Unë kam konstatuar edhe mungesa të tjera, drejtuesja e prokurorisë më kanë thënë se dosja është e saktë, sikur e keni marrë edhe ju. Më intereson që gjyqi të mos zgjatet. Është e shëmtuar si mund të ndodhë kjo në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, dhe bëhet fjalë për shkresa që i keni nxjerrë ju në gjuhën shqipe, kur i ka media nuk i ka prokuroria?! Ata janë dëshmi në favorin tim, por nuk i dua, heq dorë, vetëm gjyqi të mos shtyhet. Nuk mund të bëj edhe postierin, edhe policin edhe të pandehurin. Një seancë postieri solli ca letra të grisura, një seancë nuk bëri njoftimet dhe tani hataja më e madhe është që paskan humbur letrat.

Më gjeni një tjetër institucion që ka humbur letrat në këtë mënyrë, atëherë Republika ka rënë. Nuk spekuloj dot se ka shumë variante, janë njëri më i keq se tjetri, por di që do ia dal herët apo vonë dhe keni për ta parë.”

Tahiri akuzohet për "korrupsion të zyrtarëve të lartë", "trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim" dhe "grup të strukturuar kriminal" në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.

j.l./ dita

“Kemi sfida të njëjta. E mbështes Shqipërinë, plotësisht”

Posted: 17 Jul 2019 01:33 AM PDT

Presidentja e re e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë shqiptarët, menjëherë pas marrjes së detyrës.

Në mesazhin e parë në këtë post, Presidentja e KE është shprehur se mbështet hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

"Unë dëshiroj të riafirmoj perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe shoh një rol të rëndësishëm në procesin e reformave të vazhdueshme në të gjithë rajonin, ku kemi të njëjtin kontinent, të njëjtën histori, të njëjtën kulturë dhe sfida të njëjta.

Unë e mbështes plotësisht  qëndroj prapa propozimit të Komisionit Evropian për të hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ", thekson presidentja e zgjedhur Ursula von der Leyen në udhëzimet politike për Komisionin e ardhshme (2019-2024).

j.l./ dita

Raporti, çfarë thotë Komisioni Europian për nivelin tonë të varfërisë

Posted: 17 Jul 2019 01:09 AM PDT

Matja e varfërisë në Shqipëri është e diskutueshme për shkak të statistikave të mangëta, por Komisioni Europian duke ju referuar Bankës Botërore raportoi se, shkalla e varfërisë në Shqipëri arriti në vitin 2018 në 35.2%.

Niveli më i lartë i varfërisë është vërejtur në verilindje të vendit.

Komisioni Europian vë në dukje se sistemi i mbrojtjes sociale nuk siguron mbrojtje adekuate të atyre në nevojë. Pagesat e papunësisë në Shqipëri mbulojnë vetëm një pjesë të vogël të të papunëve të regjistruar (2.7%).

"Reforma e skemës së ndihmës ekonomike u aplikua në të gjithë vendin në janar 2018 për të përmirësuar efikasitetin dhe për të zvogëluar mashtrimin.

Por të dhënat në dispozicion (nëntor 2018) tregojnë rritje të familjeve të reja përfituese.

Mungojnë të dhënat se është duke u arritur përmirësimi i targetimit të atyre që kanë nevojë.

Pesha financiare e skemës është vetëm 0.025% e PBB (2018).

Efektiviteti i skemës është i dyshimtë, pasi kompensimi mbetet poshtë kufirit të varfërisë së skajshme" – ve në dukje Komisioni.

Një fushë veçanërisht sfiduese janë shërbimet e kujdesit social, të cilat janë të pazhvilluara, të pa investuara dhe mungojnë përgjithësisht.

Mbulimi i sigurimeve shëndetësore është shumë i ulët dhe skema e sigurimeve shoqërore vazhdon të jetë në deficit – thotë raporti.

j.l./ dita

Meta uron Presidenten e KE: Rast fatlum, na mbështesni në rrugën drejt BE-së

Posted: 17 Jul 2019 12:55 AM PDT

Presidenti Ilir Meta ka uruar Presidenten e re të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që është dhe e para grua në këtë post.

Meta shkruan se është rast fatlum që KE të drejtohet në pesë vitet e ardhshme nga një grua, që mishëron përvojën e drejtimit të suksesshëm dhe vlerat më përfaqësuese të Bashkimit Evropian.

Në mesazhin e tij, Kreu i Shtetit Shqiptar i kërkon Presidentes së KE të mbështesë Shqipërinë në procesin e integrimit drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar se do të nxitë bërjen e reformave që ofrojnë vendin tonë me BE-në.

Mesazhi i Metës:

Zgjedhja Juaj në postin e Presidentes së Komisionit Evropian, më jep kënaqësinë e veçantë t'Ju përcjell urimet më të mira e të përzemërta për përmbushjen me sukses të kësaj detyre të lartë.

Është rast fatlum që Komisioni Evropian, për të parën herë, do të drejtohet në pesë vitet e ardhshme nga një grua që mishëron përvojën e drejtimit të suksesshëm dhe vlerat më përfaqësuese të Bashkimit Evropian, në një kohë sfidash të shumta e të shumëllojshme për kontinentin dhe mbarë botën.

Si President i një vendi që synon çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, përfitoj nga rasti t'ju shpreh mirënjohjen për qëndrimin tuaj në mbështetje të këtij procesi, si dhe për vijimin e politikës së zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor.

Njëkohësisht Ju siguroj për vijimësinë e angazhimit tim për nxitjen dhe mbështetjen e plotë të reformave që afrojnë Shqipërinë dhe shqiptarët me Bashkimin Evropian, nën modelin e standardeve të pakompromentueshme evropiane të demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Duke shprehur gjithashtu kënaqësinë e veçantë që Komisioni Evropian do të drejtohet nga përfaqësuesja e një vendi mik dhe partner strategjik, Gjermania, Ju lutem e nderuar zonja Presidente, pranoni, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!

j.l./ dita

PS ndryshon datën e Asamblesë Kombëtare, mund të ketë lëvizje ministrash

Posted: 17 Jul 2019 12:36 AM PDT

Partia Socialiste ka vendosur të ndryshojë datën e mbledhjes së Asamblesë Kombëtare. Dy ditë më parë, në mbledhjen e Kryesisë së PS u vendos që Asambleja të mblidhej më 22 korrik, ditën e hënë.

Por, sot mësohet se Asambleja Kombëtare e PS do të zhvillohet ditën e martë të 23 korrikut.

Nuk dihen arsyet e ndryshimit të datës së Asamblesë, por pritet të ketë zhvillime të rëndësishme.

Sipas burimeve, pas mbledhjes së Kryesisë mund të ketë ndryshime ministrash, ku më të rrezikuarit janë ajo e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, dhe ai i Mjedisit, Blendi Klosi, pasi janë paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama në Asamblenë e kaluar.

j.l./ dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more