Që kur filloi sistemi i provimit me shkrim ose me test filloi degradimi i shkollimit universitar ose fakultetit. Sot nuk ke nevojë më të mësosh për të ditur në të tashmen dhe në të ardhmen por ke nevojë për t'i mbajtur mend renditjen e pyetjeve e saktë a, e saktë b, e saktë c, e saktë d vetëm sa për kohën e provimit.
Ka ardhur koha që edhe nëse ke qenë nxënës i njëshave ose dyshave përsëri mund t'a përfundosh fakultetin. Ka me qindra raste ku derisa kanë qenë në shkollë fillore dhe shkollë të mesme e kanë kaluar klasën pa meritë nuk kanë ditur as të lexojnë e as të shkruajnë ndërsa sot tmerrohesh kur dëgjon që po ata persona sot kanë diplomuar në fakultetet tona shtetërore dhe janë bërë juristë,ekonomistë, edukatorë, gjeografë, historianë, infermierë, fizioterapeut, fizikantë,politikologë, biologë etj. Nuk ka ndryshuar asgjë, akoma këta të mjerë nuk dinë të shkruajnë dhe as të lexojnë pra sot edhe nëse je analfabet, nesër mund të dalësh i diplomuar. Por e keqja më e madhe e kësaj është që po këta njerëz sot mund t'a shkatërrojnë shtetin tonë edhe ashtu mjaft të shkatërruar.
Sot pothuajse në të gjitha fakultetet shtetërore(perveç Fakulteti i Mjekësisë drejtimi - Mjekësi e Përgjithshme ose Stomatologji dhe Fakulteti Teknik që akoma e kanë ruajtur cilësinë e studimeve) provimet po kryhen me test. Testet gjendet në çdo skriptore që gjenden afër çdo fakulteti. I blen testet i mëson përmendësh dhe e kalon provimin, provim të cilin pas 2 ose më shumë ditëve edhe mund t'a harrosh se çka ke mësuar. Pra provimet e fakultetit sot mund të krahasohen me provimin e autoshkollës, ku i ke pyetjet i mëson mekanikisht dhe e jep provimin. Krejt kjo situatë po ndodh para syve dhe veshëve të shtetit tonë dhe shteti nuk bën asgjë. Sot prodhohen 99% sasi dhe 1% cilësi e të diplomuarëve. Pra sot është shumë lehtë të marrësh një diplomë, mjafton t'a kesh dëshirën e parezistueshme të "Autoshkollës".
Shteti jonë po e degradon vazhdimisht sistemin e shkollimit dhe nuk brengoset aspak përkundrazi i jep hov institucional që të skëterrohet edhe më shumë.
Skriptoret e ndryshme që gjenden pranë fakulteteve përkatëse kanë krijuar aq shumë material(po këto skriptore po i shkelin edhe të drejtat autoriale duke printuar dhe kopjuar libra vazhdimisht për të cilat libra nuk kanë leje nga autori për kopjim ose printim) për çdo provim që veç nëse je "budall me letra" se përndryshe fakultetin herët ose vonë e kryen prandaj sot kemi kamarierë me fakultete sepse nuk ka sot cilësi por ka sasi. Sasia nuk e përcakton suksesin e askujt pos të mossuksesit. Sot çdo i dyti ose i treti i diplomuar është jurist ose ekonomist dhe megjithatë ekonominë e kemi zero poashtu edhe shtetin ligjor zero. Dhe do ta kemi zero deri në pafundësi nëse nuk ndryshon sistemi arsimor ku dituria matet me dituri dhe jo me padituri.
Materialin e bollshëm, skriptoret e kanë siguruar nga vetë studentët ose studentet të cilët gjatë provimit i kanë fotografuar testet ose i kanë mbajtur mend pyetjet pas provimit, i kanë shkruar dhe i kanë dërguar në skriptore dhe janë depozituar aty si dosje. Ka edhe prej tyre që iu kanë dërguar pyetjet në email qoftë nga asistentët, profesorët ose dikush i afërt me profesorin dhe ai student i ka dërguar pastaj në skriptore ku janë depozituar dokumentet dhe pastaj janë shpërndarë te studentët tjerë. Po këta studentë i kanë shpërndarë edhe online në faqe të ndryshme, në rrjete sociale të ndryshme. Pra edhe studenti ka rol të rëndësishëm në këtë degradim të arsimit të lartë apo shkollimit universitar.
Sa i përket fakulteteve private ajo tashmë dihet, aty po të regjistrohet edhe gjyshi, gjyshja ose stërgjyshi dhe stërgjyshja dalin të diplomuar, atyre iu intereson vetëm paraja, nuk i intereson ti a mëson a nuk mëson kur të arrijë koha e diplomimit diplomën e merr.
Me kalimin e kohës fakulteti shtetëror po bëhet më i pavlerë se fakulteti privat. Deri kur kështu kjo situatë, duhet të ndryshoj kjo gjendje përndryshe do të vijë koha kur fakulteti do të konsiderohet "jashtëqitje mendore" dhe asgjë më shumë se kaq.
E di që shumë persona do të preken nga ky shkrim, ne nuk kemi për qëllim të ofendojmë askënd por kemi si synim të themi realitetin e tanishëm me shpresën se në të ardhmen do të ndryshoj për të mirë diçka.
loading...
Lexo edhe: