Skip to main content

“Telebingo Shqiptare/ Çmimi i madh prej 1,347,200 lekësh ndalet në Vlorë” plus 9 more - Gazeta Dita

“Telebingo Shqiptare/ Çmimi i madh prej 1,347,200 lekësh ndalet në Vlorë” plus 9 more - Gazeta Dita


Telebingo Shqiptare/ Çmimi i madh prej 1,347,200 lekësh ndalet në Vlorë

Posted: 22 Apr 2019 02:04 AM PDT

 

 Në të gjitha pikat e shitjes së Telebingo Shqiptare, krahas biletës për shorteun e fundjavës, tashmë gjendet edhe bileta speciale e" 1 Majit", shorti i së cilës do të hidhet të dielën e datës 5 maj. Me blerjen e një bilete speciale, e cila kushton vetëm 250 lekë do mund të bëheni fitues i Bingos Milionere mbi 30 milionë lekë (të vjetra), 2 makinave, 2 motorëve, 3 udhëtimeve turistike, teksa çmimet në zarfe do të nisin nga 30,000 lekë, si dhe shumë e shumë surpriza të tjera.

Zgjerohet edhe më shumë lista e fituesve të përzgjedhur në lojën më popullore të fatit në vend, Telebingo Shqiptare. Edhe në shorteun e ditës së djeshme, Telebingo ka shpërblyer me dhurata e çmime të mëdha dhjetëra familje të përzgjedhura si fituese të lojës telefonike, teksa me mijëra të tjera u janë gëzuar shumave të fituara me hedhjen e shortit të goglave për çmimin e madh të javës që lamë pas.

Shpallja e fituesve ka nisur me lojën telefonike të dhuratave dhe çmimeve të fshehura në zarfe. Përzgjedhja rastësore e kontrabiletave ka shpallur si fituese të parë të lojës telefonike Luljeta në kryeqytet. Në betejën me zarfet, ajo është shpallur fituese e shumës prej 95,000 lekësh. Ndërsa më tej, Zamiri po në kryeqytet ka siguruar shumën prej 60,000 lekësh.

Një tjetër fituese i është bashkuar lojës telefonike. Kësaj here bëhet fjalë për Xhulin në qytetin e Cërrikut, e cila u është gëzuar shumave të fshehura në zarfet e saj më të preferuara.  Limoni në Kukës është shpallur si fitues i radhës, i cili me mbajtjen e zarfeve më të preferuara ka siguruar nga loja më popullore e fatit në vend shumën prej 40,000 lekësh, të cilës i janë bashkuar si dhuratë edhe dy orë të ofruara nga mbështetësit financiarë të programit. Një tjetër fitues në kryeqytet  i është bashkuar surprizave të Telebingos. Bardhyli ka tentuar të gjejë se në cilin prej zarfeve fshihej një ndër çmimet më të lakmuara, makina "Hyundai". Por, ndonëse nuk e ka qëlluar në shenjë këtë çmim, ai i është gëzuar shumës prej 50.000 lekësh.

Beteja me çmimet e zarfeve ka vijuar edhe në telefonatën e radhës, ku fitues është shpallur Danieli në qytetin e Vlorës. Me përzgjedhjen e zarfeve për t'i mbajtur në fund të lojës, ai ka siguruar shumën prej 60,000 lekësh.

Shorti i goglave për çmimin e madh të javës që ka mbërritur në vlerën e 1,347,200 lekëve ka zgjeruar edhe më tej listën e fituesve të lojës më popullore të fatit në vend. Seria e numrave të përzgjedhur ka ndalur çmimin e madh në Vlorë, ku dhe rezulton të jetë shitur bileta fituese. Shorti i goglave ka përzgjedhur edhe mijëra fitues të tjerë nëpërmjet serisë së fituesve me një linjë dhe dy linja. Konkretisht, janë shpallur si fitues të 50 lekëve 15733 lojtarë. Fitues të serisë me dy linja janë shpallur 235 persona të tjerë, ku secili prej tyre siguron shumën prej 2165 lekësh. Fitues të një bilete janë shpallur edhe të gjitha ata persona që kanë numrin 7, të përcaktuar si numër fati në biletën e tyre. Argëtimi nëpërmjet tingujve të muzikës ka vijuar me përzgjedhjen e fituesve të tjerë. Kësaj here bëhet fjalë për 10 fituesit e çmimit tradicional të javës prej 20,000 lekësh, dy prej të cilëve do të luajnë për të fituar 100,000 lekë gjatë shortit të fundjavës. Fituesit e shorteut të djeshëm duhet të paraqiten mesditën e së mërkurës në zyrat e Telebingos, për të tërhequr dhuratat dhe çmimet e fituara.

MASR: Provimet e maturës nisin në datë 13 qershor

Posted: 22 Apr 2019 01:59 AM PDT

Provimet e maturës këtë vit, ndryshe nga herët e tjera, pritet të nisin në datë 13 qershor.

Ministria e Arsimit Rinisë dhe Sportit përmes një udhëzimi i ka lënë më  shumë kohë maturantëve për t'u përgatitur duke shtyrë në kohë nisjen e provimeve.

Provimi i parë është ai i gjuhës së huaj, i cili sipas një urdhri të dhjetorit të vitit të kaluar do të zhvillohej në datë 7 qershor tashmë do të zhvillohet një javë më vonë dhe do të pasohet edhe nga tre të tjerë ai i gjuhës shqipe, letërsisë dhe matematikës me një diferencë në kohë me 5 ditë, shkruan scan tv.

Por  veç  kohës  së shtuar maturantët këtë vit kanë pasur edhe disa risi të tjera, ajo e plotësimit të formularit A1 që në janar të këtij viti që i krijoi mundësi për t'u përgatitur sipas orientimit që ata kanë zgjedhur si edhe reduktimi i lëndëve me zgjedhje nga 24 alternativa në 8 të tilla.

Po ashtu, maturantët do të kenë vetëm një lëndë me zgjedhje si edhe do të jenë vetë ata që do të përzgjedhin gjuhën e huaj të cilën dëshirojnë të zhvillojnë në provim.

Për ata të cilët nuk arrijnë të kalojnë në të 4 provimet e maturës  shtetërore, do të kenë mundësi të rijapin provimin në sesionin e dytë për të mos humbur mundësinë për të aplikuar më pas në universitete.

o.j/dita

 

Premtimi që komediani President iu bëri ukrainasve: Nuk do t’ju zhgënjej kurrë

Posted: 22 Apr 2019 01:55 AM PDT

"Nuk do t'ju zhgënjej kurrë", ky është premtimi që komediani tashmë president, Volodimir Zelenski, i bëri mbështetësve të tij pas fitores historike në zgjedhjet presidenciale ukrainase.

Zelenski, me thuajse të gjitha votat e numëruara ka marrë më shumë se 73 për qind të tyre, ndërsa presidenti në detyrë, Petro Poroshenko, qëndron pas, në shifrën 24 për qind. Ky i fundit, e pranoi humbjen pas rezultateve të para dhe tha se nuk do të largohet nga politika.

Rishtari politik, Zelenski, 41 vjeçar, është i njohur për pjesëmarrjen në një seri televizive satirike, shërbyesi i popullit, ku personazhi që ai luan, bëhet papritur president i Ukrainës. E duket sikur ajo që i ka ndodhur në set, është përkthyer në jetë reale. Ai i tha gazetarëve, se do të inkurajojë bisedimet me separatistët e mbështetur nga Rusia në lindje.

"Unë mendoj se do të kemi ndryshime. Sidoqoftë, unë do të vazhdoj në drejtim të bisedimeve të paqes së Minskut dhe drejt finalizimit të armëpushimit", tha ai.

Tani, mbi Zelenskin do të rëndojë presioni për të demonstruar se ai e di se çfarë po bën. Gjatë fushatës ai ka evituar intervistat serioze dhe diskutimet politike, duke preferuar postime prekëse në mediet sociale. Por tani, një muaj para inaugurimit, komediani i shndërruar në president, duhet të përballet me çështje komplekse.

 

Trafik armësh dhe drogë, arrestohet 25-vjeçari

Posted: 22 Apr 2019 01:52 AM PDT

Një i ri, i akuzuar për trafik armësh e municioneve dhe drogë, është arrestuar paraditen e sotme nga Policia e Durrësit dhe ajo e Pogradecit.

Në pranga ka rënë shtetasi i shpallur në kërkim J.P.,25 vjeç, banues në Pogradec.

Pogradecari është arrestuar në kuadër të operacionit të koduar "Vazhdimësia".

Gjykata e Durrësit ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë "Arrest me burg" për veprat penale "Trafikim i armëve dhe municioneve" ,”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe "Kultivimi i bimëve narkotike". Materialet i kaluan Prokurorisë Durrës për veprime të mëtejshme.

o.j/dita

Lindi 258 gram, djali më i vogël në botë

Posted: 22 Apr 2019 01:46 AM PDT

Foshnja që mban rekordin si më i vogli i lindur ndonjëherë është gati të përballet me botën.

Djali, i cili lindi në Japoni me një peshë sa të një molle, doli nga spitali.

Ryusuke Sekiya lindi me prerje cezariane kur ishte vetëm 24 javësh, pasi nëna e tij pësoi hipertension gjatë shtatzënisë.

Foshnja lindi 258 gram dhe theu rekordin e mëparshëm të mbajtur nga një djalë tjetër japonez që peshonte vetëm 268 gram kur lindi vitin e kaluar.

Ryusuke lindi në 1 tetor 2018 vetëm 22 centimetra i gjatë dhe qëndroi nën kujdesin mjekësor intesiv.

Mjekët përdorën tuba për ta ushqyer dhe pambuk për t'i hedhur qumështin e nënës në gojë.

Gati shtatë muaj më vonë, djali është rritur dhe peshon 3 kilogramë.

Ai do dalë nga spitali në Nagana gjatë fundjavës.

“Kur lindi ishte aq i vogël saqë dukej sikur do thyhej nëse e prekje,”-tha nëna e tij Toshiko për gazetarët.

“Tani ai pi qumësht, mund ta lajmë dhe jam e lumtur që e shoh të rritet.”

Vajza më e vogël që ka mbijetuar ka lindur në Gjermani në vitin 2015 me peshë 252 gram.

j.l./dita

Në Notre Dame ndodh mrekullia…

Posted: 22 Apr 2019 01:34 AM PDT

Dhjetëra mijëra bletë të mbajtura në koshere në çatinë e Notre Dame mbijetuan nga zjarri shkatërrues që depërtoi në katedrale. "180.000 bletët që jetonin në tre koshere në kulmin e çatisë së katedrales janë zbuluar gjallë", tha Nicolas Geant, bletari i monumentit.

"Unë ndihem i lehtësuar. Pashë  fotografitë satelitore që treguan se tre kosheret nuk u dogjën, mendova se ato ishin shkrumbuar me katedralen," tha ai.  Z. Geant është kujdesur për bletët që nga viti 2013, kur u instaluan si pjesë e një iniciative të gjerë të qytetit për të rritur numrin e bletëve në rënie.

Geant tha se dyoksidi i karbonit, i shkaktuar nga zjarri, i vuri bletët në një gjendje përgjumje, në vend që t'i vriste ato. "Kur bletët ndjejnë zjarri, ato e futen në mjaltë dhe mbrojnë mbretëreshën e tyre. Bletët evropiane kurrë nuk i braktisin kosheret e tyre", tha ai.

e.t./dita

 

Tufat, Dervishët e debilët

Posted: 22 Apr 2019 01:33 AM PDT

Në këtë pjesë të dytë të intervistës, Ish-drejtori i burgut të Qafë Barit, Edmond Caja flet pas reagimeve të shumta lidhur me letrën e tij botuar në fillim të prillit në Dita. Si i përgjigjet Caja reagimit të Kastriot Dervishit. Pse e ndjen si obligim për t'i kërkuar falje vajzës së Sandër Sokolit. Çfarë thotë për Mira Dinen dhe lidhur me pjesën e letrës që ka ngjallur shumë debate për nënat dhe motrat e të dënuarve që rrezikoheshin t'i zinte nata rrugës. Emrat e atyre që kanë përfituar poste duke sajuar akuza mbi ato që kanë ndodhur në Qafë Bar. Një bisedë me Vasil Katin në burg dhe a do të pranonte të kthehej edhe një herë në atë detyrë që ka pasur…

(Vijon nga numri i kaluar – lexo KETU)

– Studiuesi Kastriot Dervishi, provon të hedhë poshtë rolin tuaj në mbylljen e kampeve në miniera. Po kështu provon të nxjerrë dokumente që juve ju komprometojnë lidhur me keqtrajtime të të burgosurve. Keni ndonjë përgjigje?

– Kastriot Dervishi, pikësëpari duhet të japë shpjegime se si dhe në ç'rrethana ka publikuar dosjen time personale, atë të personelit, fotot dhe kartelat e mia personale në këtë dosje, dokumente, që siç thotë vetë, s'është e ndaluar t'i lexojë. Ato dokumente janë tërësisht të ndaluara të lexohen dhe publikohen, në bazë të Ligjit që ishte në fuqi kur u publikuan, VKM-së dhe Urdhrit të Ministrit për përdorimin e materialeve arkivore. Ato janë dokumente të vjedhura dhe veprimi i tij është i dënueshëm dhe është abuzim me pozitën zyrtare.

Si ka mundësi që MPB lejon këtë delenxhi të publikojë jo vetëm dosjen time personale si kuadër, por edhe të të tjerëve, në një kohë që MPB duhet të ishte garante që mirëbesimi ynë si ish-punonjës të saj të mos shpërdorohej.

Dervishi nxjerr dy letra të burgosurish drejtuar Enver Hoxhës, ku ankoheshin se unë i keqtrajtoja. Në një nga këto letra, janë bërë verifikime dhe shënohet se unë të burgosurit Tufa Ahmeti i paskam bërtitur e fyer. Pastaj jam larguar. Më pas është keqtrajtuar nga policët. Po ashtu letra tjetër bën fjalë për një djalë të ri që ankohet për dhunën e shefit të policisë etj.

Për sqarim këto letra janë bërë në fund të vitit 1982 dhe në fillim të 1983, dmth, kur burgu ishte i porsahapur. Që do të thotë se kushtet ishin të vështira. Ishte dimër Qafë Bari. Punohej në një minierë që në atë kohë kishte vërtetë probleme dhe e bënte punën në të edhe më të vështirë. Në këto kushte kishte jo pak të burgosur që nuk donin të rrinin në Qafë Bari. Por dëshira e tyre si të dënuar me heqje lirie për t'u transferuar diku tjetër, nuk do të thoshte se ishte njëkohësisht vullnet për komandën e repartit, sepse kishte prej të dënuarve që përdornin marifetin e personalizimit të konfliktit me komandën. Duke e personalizuar kishte një shans për transferim. Si mendon ti, o Dervish, nëse unë do të isha në pozitat e dhunuesit dhe të kisha keqtrajtuar një të dënuar, pastaj do të lejoja që letrën e tij, të cilën unë e kontrolloja siç e kërkonte rregulli, ta dërgonte tek instancat më të larta? Por unë nuk isha në atë pozitë dhe nuk kam keqtrajtuar asnjeri në jetën time, isha i pastër me ndërgjegjen dhe sigurisht edhe nuk ia lejoja vetes t'i hiqja kurrkujt të drejtën (edhe pse i burgosur politik), për t'u ankuar tek eproret e mi, e më lartë. Megjithatë, në rastin e Agronit dyshoj se ke manipuluar në data, kur shkruan vitin 1980, (unë kam filluar punë në vitin 1982), gjithashtu aty nuk shikohet se nga ku ishte dërguar letra.

Dervishi bën edhe një lojë me shifra e data, kur atakon rolin tim në mbylljen e reparteve, ku të dënuarit punonin në miniera. Unë fillova punën si Drejtor i Drejtorisë së Zbatimit të Vendimeve Penale, më 18 Gusht 1990 dhe në shtator mbyllëm burgun e parë në miniera, Qafën e Barit. Pra brenda një muaji. Para këtij vendimi, ku sapo kisha marrë detyrën si Drejtor i Burgjeve, ishte një mbledhje në Superfosfatin e Laçit, ku merrnin pjesë Besnik Bekteshi, drejtorët e minierave të veriut, si dhe një zëvendësministër i MPB.

Unë vajta pak me vonesë dhe kur hyra B.B., më tha Drejtor hajde ulu këtu, se kemi aq probleme, se dy mundësi kam me ty, ose do të përqafoj, ose do të të kritikoj. Kuptohet, me të qeshur. Unë direkt i thashë se i përjashtoj të dyja mundësitë, pasi ka ardhur koha që çështjen e kontratave midis jush dhe neve ta shikojmë me zhvillimet politike. Ramiz Alia, sa qe kthyer nga OKB dhe atje kishte deklaruar se Shqipëria do zbatojë rigorozisht gjithë konventat e njohura prej saj. Aty i nxora një kopje të konventës së 1954.

Këtë kopje e kisha siguruar nga Mischel Schroeder, që ishte kryetar i misionit të Rotekruez, me qendër në Gjenevë. Zoti Bekteshi e mori në konsideratë dhe në fund theksoi se çfarë kisha thënë unë ishin kambana alarmi për drejtorët e minierave, të cilët menjëherë duhet të fillonin marrjen e masave, që minierat të mbuloheshin me fuqi punëtore të lirë.

Pas kësaj i mbyllëm shpejt të gjitha. Dhe kjo është pa diskutim edhe meritë e imja. Dhe është meritë që s'ka lidhje me lavdi e dekorata, ka thjesht lidhje me shpëtimin e shumë jetëve të njerëzve të dënuar, e personeli, që do të viheshin në rrezik nëse konflikti që po ziente jashtë e që do plaste pas ca muajsh në gjithë Shqipërinë, do përfshinte burgjet që ishin në miniera. Kjo iniciativë nuk ishte thjesht një shfryrje valvole, por ishte edhe një moment për të shpejtuar sa më parë daljen nga burgu të një sërë të dënuarve politikë, që unë i kisha njohur personalisht dhe që i kam përmendur tek letra ime e parë, por ishte edhe një formë pendese e falje nga ne, që kjo kategori të dënuarish e meritonte t'i jepej. Dhe për këtë jam krenar.

Sa për Dervishin, ai ka vjedhur dosjet. Ka vjedhur historinë, por histori nuk mund të bëjë dot.

– Në letrën tuaj ju përmendni një takim me vajzën e Sandër Sokolit, i cili ka humbur jetën pas rebelimit të Qafë Barit: Si është zhvilluar ky takim dhe kush e ka kërkuar atë?

– Takimi ishte zyrtar, tepër korrekt dhe i kërkuar prej vajzës së Sandrit. Në takim vajza erdhi me gjithë të fejuarin. Ky takim u krye pasi ishte shkëmbyer korrespodencë zyrtare, që do të thotë se vajza kërkonte shpjegime për të atin nga një dëshmitar i kohës dhe unë ia dhashë këto shpjegime, me shkresë zyrtare.

Sinqerisht ndjehem jo mirë që më duhet ta përmend emrin e Sandër Sokolit për të disatën herë. Por gjithmonë kam qenë i detyruar, sepse vemje si Visari e Bedriu, në vite kanë thurur një legjendë vrasjeje. Ka një vendim gjykate, që jo vetëm hedh dritë, por edhe ka dënuar persona konkretë me burgim. Shpresoj që e bija e S.S., ta ketë të qartë që deklarimet e mia si në shkresën zyrtare edhe në takimin zyrtar kanë qenë të sinqerta, kanë qenë të vërteta. Sidoqoftë, unë e ndjej si obligim për t'i kërkuar falje nëse ajo mendon se i kam gërvishtur plagën e humbjes së të atit. Sandër Sokoli hyn tek ata të burgosur intelektualë e dinjitozë, në kontakt me të cilët asnjëherë nuk ndjehesha si shef policie, apo komandant. Thjesht si një qytetar jashtë gardhit.

Është e turpshme që bashkëvuajtës, në padijeni të plotë të ngjarjeve të ndodhura, e marrin nëpër gojë edhe sot e kësaj dite, duke keqpërdorur emrin e tij.

– Zonja Mira Dine, siç e përmendni edhe ju, ju ka bërë akuza të rënda dhe tani ka marrë edhe një fushatë për grumbullim provash, për t'ju hedhur në gjyq, atje ku ju jetoni në Gjermani. Është e vërtetë që keni bërë gjyq atje dhe keni tërhequr edhe padinë, pasi ajo e fitoi gjyqin?

– Më vjen keq për këtë zonjë, se e verbuar nga urrejtja, po shfrytëzohet e përdoret nga tufat, dervishët e debilët. As e kam njohur, e as më ka njohur. As gjyq s'kemi bërë. Gjithë ç'kam thënë në letrën e parë, është e vërteta.

Besoj që ka rënë pre e propagandës së bërë në adresën time. Por besoj që e ka kuptuar që edhe vetë atë, donin ta përdornin. Kur u dha si lajm denoncimi im ndaj zonjës për shpifje, folën për një Fatmira Dine, dhe zonja Mira, si me ndrojtje kërkoi korrigjimin e emrit të saj, që shprehej gabim. E ç'ju hyn atyre në sy dinjiteti apo emri saj?! Ajo tashmë po e provon disa herë, se nuk është çështje përshtypjeje apo opinioni nëse jam unë kriminel apo jo.

Ajo duhet të kuptojë që puna e një administrate, qoftë edhe në burg, do të thotë të shërbesh, të ruash e të ndryshosh në jetën e 500 njerëzve, në një kamp pune, burg, ku mungonin gjërat më elementare, duhej të siguroheshin gjërat jetike, të përditshme, ushqimi, veshja, fjetja, përmirësimi i kushteve, dyshekët nga me kashtë, në me lecka, ose pambuk, të ndaheshin krevatet, të sigurosh që ushqimet të cilat familjet ju sillnin, të mos shpërdoroheshin nga të fortët, të kujdesesh që familjet të respektoheshin e ndihmoheshin pa kushte, të bëhesh mbrojtës i të drejtave të tyre, të rikrijosh lidhje familjare midis të abandonuarit në burg, e familjes së tij, të reagosh me humanizëm në raste sëmundjesh e aksidentesh të të burgosurve, etj. Në zhargonin e kohës mund të thoja thjesht: "Kokën hëngshin armiqtë e diktaturës", por unë duke e parë ndryshe këtë, shpesh vihesha në konflikt me këtë zhargon të kohës dhe beja të pamundurën që të ndihmoja e ndryshoja. Dhe rastet janë të shumta.

Pa një disiplinë rigoroze në burg, veçanërisht në kampet e punës, rreziku ishte i madh që burgu të kthehej në xhungël, jetë njerëzish të rrezikoheshin, të dënuar të dobët e pa përkrahje të shfrytëzoheshin, veset do të lulëzonin. Kampi do bëhej vendi i të fortëve, vendi që jo thjesht do vuajë dënimin tënd, por edhe do të të nxihej jeta prej perversëve, kriminelëve e mashtruesve. Ne vendosëm ligjin e rregullin, barazinë tek të burgosurit. Nga këto masa përfituan shumica dërmuese e të dënuarve dhe dolën të humbur të privilegjuarit, pikërisht këta që sot mbushin gazetat me shpifje e mashtrime.

Në krye të dy viteve kampi i Qafë Barit u kthye në kampin më të kompletuar që ekzistonte në atë kohë, ku Ministria organizoi më pas disa herë seminare për marrje përvoje dhe nga aty edhe në burgjet e tjera filluan ndryshime të dukshme në përmirësimin e jetesës në burg.

Në këtë kohë filluan të na vinin kërkesa në të kundërt të atyre letrave që tregon Dervishi, kërkonin që të vinin e të kryenin dënimin në Qafën e Barit se kishte rregull e disiplinë, njësoj për të gjithë dhe të dënuarit ndjeheshin me të sigurtë.

Unë i them zonjës Mira, fakeneës dhe urrejtja e verbër janë këshilltarët më të këqij.

– Ka pasur një lloj keqdashje dhe keqinterpretimi, kur ju në letrën e parë keni thënë se ndihmonit nënat dhe motrat e të dënuarve që rrezikoheshin t'i zinte nata rrugës dhe i kishit rregulluar vend për të fjetur e kaluar natën. Mund të jepni ndonjë shpjegim?

– Kjo keqdashje vjen nga njerëz të papërgjegjshëm. E deklaroj me përgjegjësi se në asnjë rast nuk ka ndodhur që të cenohet integriteti i familjeve të të burgosurve në të gjithë kohën e ekzistencës të këtij vendi të vuajtjes së dënimit, pra në Qafën e Barit. Dua të them se qëllonte jo rrallë që familjet mbërrinin për takim mbasdite dhe kjo as që kishte të bënte me ndonjë dashje nga ana jonë për t'i pamundësuar takimet. Thjesht Qafa e Barit ishte tepër larg dhe mjetet e transportit e rrugët ishin ato që ishin. Vetëm rruga nga Fushë-Arrëzi deri në kamp kërkonte një orë me automjet, mos llogarisim pastaj edhe largësinë më se paku nga kryeqyteti.

– Në një gazetë tjetër, një nga të afërmit e njërit nga të dënuarit me pushkatim pas revoltës së vitit 1984 në Qafën e Barit, ka ngritur një pyetje për ju në lidhje me keqtrajtime të mëpasme të tij, pasi është pushkatuar. Çfarë mund të na thoni për këtë rast.

– Nuk kam e as kam pasur ndonjë informacion e dijeni në lidhje me ekzekutimin e tyre dhe me veprime të mëpasme. Këto veprime nuk janë kryer në Qafën e Barit.

Është e turpshme që me nxitjen e "korit të korbave", të tallen me vuajtjen e tyre, të manipulohen e keqpërdoren familjarët e ish të dënuarve.

– A ka ndonjë person nga ata që keni përmendur, që do të kishit dashur të reagonte dhe nuk e ka bërë? Nëse po, sipas jush pse?

Të gjithë që kam përmendur do doja të reagonin. Por ka nga ata që kanë reaguar pa dalë në media. Janë ata të cilët kanë provuar ndihmën time direkte, kur ju rrezikohej jeta nga brenda, por edhe nga autoritetet, siç ishte rasti revoltës. Mbi të gjitha, unë e di presionin që po kalojnë, kam mirëkuptim absolut për ta. Ata duhet të jenë krenarë për dinjitetin dhe krenarinë e treguar gjatë viteve të vuajtjes së dënimit me heqje lirie.

– Keni dhënë persona konkretë e me emër, që pasi kanë publikuar akuza për ju, duket sikur janë shpërblyer. A mund ta konkretizoni më tej këtë çështje?

– Unë e përmenda në Letrën time zotin Caushi, që foli mirë diku, pastaj publikoi keq në gazetë e që përfundoi oficer në gardë. Edhe për zotin Hasan Bajo kam folur me lartë, që më quajti Kaubojs skëterre, gjetje e pakuptimtë, por që e çoi në fronin e shefit të policisë. Edhe S.H., nxori kokën e shau dhe fap tek plepat për të qenë sot kryetar gjykate rrethi (nëse nuk e ka kapur Vettingu). Edhe D. M., siç kam dëgjuar është në burg akoma. Është ai gjyqtari i famshëm i 30000 Euro korrupsion, i dalë po nga plepat.

Ka edhe ndonjë gazetar ish-pëdëist, tani pësëist, i cili zbuloi krimet e mia dhe hop përfundoi në prehrin e Presidentit të asaj kohe.

Me Namik Ajazin dhe Shpëtim Roqin bëmë një intervistë në RTSH, ku flisja edhe për rebelimin, por që për çudi, me një urdhër nga lart, se pa dritën e diellit sepse "Nuk përbënte interes për publikun". Por problemi nuk ishte dokumentari, problemi isha unë, që në atë kohë s'duhej kurrsesi të bëhej i njohur për publikun. Më donin thjesht si kryepolic, që pastaj të ngrinin nga radhët e ordinero-politikanëve ata njerëz që shkatërruan shoqatën e të burgosurve politikë, përçanë të burgosurit, për t'i pasur me mirë në zap.

– Nëse do të ktheheshit pas në kohë, do ta kishit kryer prapë atë detyrë që keni kryer në ato vite dhe do kishit bërë të njëjtat veprime?

– U befasova kur mora zyrtarisht urdhrin e ministrit për të studiuar në Shkollën e Lartë të MPB. Kërkoja të studioja në një degë civile. Në Drejtorinë e Tiranës kam reaguar direkt duke thënë se nuk e pranoj të mësoj në polici. Por kur dola të ikja për të mos u kthyer, një xhaxha i imi, më kishte bërë pritë e më vuri një barrë të rëndë mua 19-vjeçarit, duke më thënë se unë s'mund të turpëroja familjen. Dhe kështu unë, siç ma rifreskon Dervish hajduti i dosjeve, fshatari i varfër, tiranas, m'u desh të nënshtrohem që së paku mos përfundoja ushtar në kufi. Dihet tashi si rrodhën ngjarjet, gjashtë vite pune e jete në rrëzë Munellës, drejtor i burgjeve në një kohë të vështirë, që edhe hasmit s'do ja uroja e më pas 26 vite në  emigracion, ku krahas vështirësive të integrimit në një vend të huaj, më duhet edhe të dëgjoj e duroj shpifjet e mashtruesve të tipit Visar, Bedri e Urim.

Më kujtohet në një bisedë me Vasil Katin, që punonte si i dënuar në bibliotekë. Atë mbrëmje mu duk i plakur e për t'i dhënë kurajë i thashë: – Vasil, je mirë në bibliotekë, më së paku ke mundësi që t'i bësh trurit gjimnastikë duke lexuar libra. Ai qeshi dhe tha: -Dëgjo komandant. Ne të burgosurit na mban shpresa për të dalë të lirë dhe për të shkuar tek familjet tona, por po i bëre pesë vite në burg, ke ikur nga trutë. Unë që atëherë isha në vitin e pestë të shërbimit në burg, i thashë me shaka: – Shiko Vasil, se po ma hedh mua më duket? –Joooo, – tha zoti Kati. Dhe qeshëm të dy…

Sigurisht që nuk do të kisha as më të voglën dëshirë dhe do të refuzoja, të rikthehesha dhe të përsërisja jetën e burgut që herë brenda rrethimit, e herë jashtë, ishte njësoj për nga izolimi si e qindra të tjerëve qenie njerëzore, njësoj si unë.

Intervistoi: Erion Habilaj

 

Thellohet bilanci në Sri Lanka: 290 të vdekur, mbi 500 të plagosur

Posted: 22 Apr 2019 01:24 AM PDT

Ka shkuar në 290 numri i të vrarëve në Sri Lanka, pas shpërthimeve që goditën kisha e hotele luksoze nëpër vend të dielën. Rreth 500 është numri i të plagosurve, ndërsa në mesin e të vrarëve, 23 janë të huaj.

Policia tha se 24 persona janë vënë në pranga, por nuk dihet ende se kush qëndron pak këtyre sulmeve, më të rëndat që Sri Lanka ka parë që prej fundit të luftës civile në 2009.

Shpërthimi i parë ndodhi rreth orës 08:45. Ai u pasua nga 5 shpërthime të tjera në një hark fare të shkurtër kohor. Teksa policia ishte vënë në kërkim të autorëve, u raportuan edhe 2 shpërthime të tjera.

Aktualisht vijon të jetë e paqartë kush qëndron pas sulmeve dhe nuk ka asnjë informacion mbi 24 të arrestuarit. Autoritetet besojnë se disa prej shpërthimeve ishin kamikaze.

Pjesa më e madhe e viktimave janë shtetas nga Sri Lanka, shumë prej të cilëve besimtarë që ndodheshin në kisha për shërbimin e Pashkëve.

o.j/dita

Një grindje në Boston. Udhëheqësit shqiptarë që kërkonin njohjen e Amerikës

Posted: 22 Apr 2019 01:10 AM PDT

Gazetari dhe studiuesi Ilir Ikonomi ka ndarë me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, një moment shumë të fortë të përplasjes në Boston, mes Fan Nolit të "Vatrës" dhe Kostë Çekrezi i "Shqipërisë së Lirë", teksa kërkonin njohjen e Amerikës.

Viti 1942. Shqipëria është e pushtuar nga Italia. Dy udhëheqës të shqiptarëve të Amerikës, Fan Noli i "Vatrës" dhe Kostë Çekrezi i "Shqipërisë së Lirë", ulen të bisedojnë në kishën shqiptare të Bostonit, për të ngritur një front të bashkuar me përkrahjen e Amerikës.

Faik Konica nuk merr pjesë. Edhe pse është bërë mik me Nolin, ai nuk e duron dot Çekrezin. Noli dhe Konica duan në krye të frontit të bashkuar Mbretin Zog, që jeton në Londër. Çekrezi nuk e duron Zogun, i cili dikur e ka dënuar me vdekje në mungesë.

Në këtë bisedë që kam rindërtuar në bazë të dokumenteve, dëshira e udhëheqësve për t'i bërë mirë vendit pengohej nga egoja dhe kokëfortësia e secilit prandaj, në fund, nuk u arrit gjë.

Ishte e dielë, 12 korrik. Noli dhe Çekrezi u takuan në kishën e Shën Gjergjit në Emerald Street të Bostonit për të arritur bashkimin e shqiptarëve nën një plan të vetëm.

Në orën 3 pasdite, rreth 15 veta u ulën në tryezën e gjatë të kishës. Nga njerëzit e Çekrezit ishin: Ilo Tromara, John T. Nasse, Kosta Isaak dhe Vangjel Sotir. Ndërsa Vatrën e përfaqësonin Vasil Pani, Peter Tyko, Shefqet Bënça dhe Peter Kolonja.

Palët ishin marrë vesh që Noli të ishte i paanshëm në atë mbledhje. Faik Konica nuk merrte pjesë sepse nuk denjonte të ulej në një tryezë me Çekrezin.

Noli foli i pari:

– Shqipëria nuk ka se si bëhet edhe një herë përveçse me një front të përbashkët, të cilin duhet ta kryesojë Zogu. Sado i keq të ketë qenë Zogu për Shqipërinë, puna e do që ta vemë edhe një herë në krye të lëvizjes kombëtare për formimin e një qeverie në mërgim.

Çekrezi u përgjigj me një fjalim bombastik që zgjati një orë e gjysmë e që herë-herë i largohej temës së mbledhjes.

– Nga bisedat që kam patur deri tani, mund të deklaroj botërisht se Zogu nuk përfillet as nga Amerika dhe as nga ndonjë prej aleatëve të saj. Propozoj që disa prej nesh që janë në këtë mbledhje të vijnë bashkë me mua në Uashington për të dëgjuar me veshët tanë se cili është mendimi i qeverisë amerikane dhe angleze për Zogun.

Fjalët e Çekrezit e ngacmuan Nolin dhe gjakrat u nxehën. Në zemërim e sipër, peshkopi i ra tryezës me grusht.

– Po të ishte për të bërtitur e për të rrahur tryezën, njerëzit e mi dinë ta godasin atë më fort se ju, – tha Çekrezi.

– Goditja e tryezës ishte thjesht një gjest oratorik, – u përgjigj Noli disi i zbutur.

Duke qenë se mbledhja hyri në rrugë pa krye, Çekrezi propozoi që dy grupet t'i kërkonin së bashku qeverisë amerikane njohjen e Shqipërisë si fuqi aleate dhe, në qoftë se amerikanët ose anglezët shprehinin dëshirën që ky bashkim të kishte në krye një përfaqësues të ligjshëm, atëherë ky përfaqësues le të ishte Zogu. Çekrezi propozoi gjithashtu që ai vetë dhe Faik Konica të ishin delegatë fuqiplotë të shqiptarëve të Amerikës në Uashington, me Nolin si këshilltar. Sytë e të gjithëve u drejtuan nga Noli.

– Ky është një plan i çmendur, – tha peshkopi. Nuk pranoj të hyj në bisedime për një plan të tillë.- Janë të çmendur vetëm ata që nuk pranojnë bisedime mbi propozime të bëra me vullnet të mirë për bashkim të vërtetë, sepse e kanë vendosur që më parë që Zogu gjakatar të pranohet në krye të lëvizjes tonë, tha Kostë Çekrezi.

– Në qoftë se nuk merremi dot vesh, ndërhyri një delegat nga Nju Jorku, – të paktën të mos përdorim fjalë jashtë edukatës, si 'i çmendur' e të tjera.

– Më falni zotërinj, por paskam bërë një gabim të madh, – tha Noli. Tani po e kuptoj që e paskemi thirrur këtë mbledhje pa ditur mirë se përse po mblidhemi.

– Me sa shikoj, – tha Çekrezi, – na paskeni thirrur jo për të biseduar se si mund të bëhet bashkimi, por për të na kandisur të pranojmë Zogun që këtë minutë, në kohën kur "Shqipëria e Lirë" gjendet në marrëveshje me qeverinë amerikane për njohjen e të drejtave të Shqipërisë. "Shqipëria e Lirë" do të njihet nga Departamenti i Shtetit brenda tre muajve.

– A mund të na tregosh dokumentet zyrtare që ke për këtë marrëveshje? – u hodh Shefqet Bënça i Nju Jorkut.

– Eja në zyrën tonë dhe do t'i shohësh, – ia ktheu Çekrezi.

Njerëzit e Nolit nuk duruan dhe iu sulën Çekrezit:

– Je i çmendur!

– Je agjent greko-serb!

– Ik ore mbytu!

Ora kishte shkuar 7 e 30 e mbrëmjes. Çekrezi, i bërë ujë në djersë nga të folurit e tepërt, doli nga kisha bashkë me të tijët.

Çekrezi nuk u shkurajua. Dy javë më vonë, i dërgoi një tjetër letër Departamentit të Shtetit me kërkesën për njohje. Letra i drejtohej Sekretarit Cordell Hull dhe tonet e saj ishin më pajtuese për kundërshtarët e tij politikë.

"Mund të argumentohet – shkruante Çekrezi – se shqiptarët jashtë vendit, të vetmit që mund të flasin për popullin e tyre që ka mbetur pa zë, janë të përçarë mes vetes. Nëse kjo është e vërtetë, ata janë të përçarë vetëm në çështjet e brendshme, por janë plotësisht të bashkuar, që nga ish-Mbreti e deri te shqiptari më i fundit, në vendosmërinë për të luftuar deri në fund në krah të Kombeve të Bashkuara".

Për t'u bërë më i besueshëm, Çekrezi shkruante se, po ta donte puna, ishte gati të hiqte dorë nga kërkesa për t'u bërë udhëheqës i një organizimi të shqiptarëve jashtë vendit, në favor të cilitdo njeriu tjetër, duke përfshirë Zogun.

Mozaik metaforash

Posted: 22 Apr 2019 01:02 AM PDT

Moikom Zeqo

Vdekja  e përsosur

 Tërë jetën përpiqem që vdekjen ta bëj sa më të përsosur.

Çdo ngjarje bën një tërthore dhe ikën nga koha ime e shpirtit. E tashmja prej shiu bëhet e kaluara prej qelqi.

Diku pezhishkën e shkrimeve end merimanga hyjnore James Joyce.

Qerthuj kerubinësh me kthetra shqiponjash.

Dhe Homeri këndon për vjeshtën që mblodhi tokës aq shumë gjethe të rëna sa të mbuloheshin tre burra të armatosur.

Ndoshta ky kaktus antik ndërron natyrë dhe bëhet Behemoth biblik.

Kujtesa është udha ku shpesh nuk mund të ecë askush. Dhe pagjumësia është plasaritje e shpirtit.

Kush i di rrugët e fjalëve në ajër?

Zoti mund të rrijë edhe në një tempull në erë, por që ka pullaze vetë detet.

Dhe zjarri mistik tymon hapësira të njëmijëfishta që zmadhohen pa kufi.

1999

SHEKSPIRI

Ti e dashur Ofeli e shpik një katedrale vetëm e vetëm që të futesh aty, duke shpëtuar nga shiu i beftë jashtë, përkulesh mbi altar përballë trupit tim të kryqëzuar.

Përtej kohës unë të shoh.

I pakuptueshëm është vështrimi im ironik.

Shekspiri ka vënë dhjamë në një kolltuk duke parë telenovelat e shekujve!

2006

DASMA E KANËS

Në Dasmën e Kanës Krishti dhe apostujt qenë të ftuar, mbase krushq hyjnor ose endacakë të panjohur.

Historia e rrethuar nga legjionet romake qe si grupi i xhirimit, i fotoreporterëve të lajmeve në TV, që ndjekin bëmat, gjestet, truket e VIP-ave, duke harruar atë që s'duhej harruar kurrsesi: nusen dhe dhëndrin.

Asnjë fjalë për vajzën e virgjër që do të zhvirgjërohej në mesnatë në dhomën martesore. Asnjë fjalë për dhëndrin e ri, pa përvojë, të hutuar, të heshtur, të djersitur nga mendimet përfytyruese, për aktin e orgazmës që do ta bënte burrë të vërtetë.

Askush s'i kushtoi vëmendje nuses me ankthin e së papriturës së madhe.

Apostujt prisnin mrekullinë e kthimit të ujit në verë dhe vetëm kaq.

Ah, Dasma e Kanës me nuse dhe dhëndër të harruar. Shekujt e së ardhmes s'i dinë emrat e tyre!

2008

MIT GLOBAL

Në një trevë ëndrrash bredhin kafshët e mia, toteme pagane.

S'do të jem në kohën që jam e mbas njëmijë shekujsh do të jem sërish në kohën që jam. Sekondat do t'i shpik tani vetëm nga pulsi i duarve të mia.

Dhe shpall një Libër të Ri si Fat-thëna e vjetër fatin mizor, vulgar për çdo qenie që lind fare kot ritualisht.

Dhe thyhet para meje një degë e lulëzuar kumbulle sikur thyhet vetë Zodiaku në një mit global kinez.

2000

FLATRA E GJALLË

Fjala pllenohet nga ëndërra.

Do ta hap librin tim të së ardhmes mbi tryezë si flatrën e gjallë të një zogu prehistorik.

1995

KUSH E DI?

 Kush e di ngulitjen nistore të një A-je, vorbullën tmerrndjellëse të një O-je, pabesinë zjarrndezëse të një Z-je, apo oturakun e një U-je, kompasin e një L-je kënddrejtë 900, dy malet e një M-je, P-në si një monokël teatri për të parë shtazët e Parajsës, S-në si një gjarpër bronzi përpara profetit Moisi dhe C-në si një drapër Perseu?

1989

KUAJTË E VEGIMIT

Një shamani hidian i fisit Ogalala Siu, kur ishte 8 vjeç i sëmurë në koma ju shfaq një vegim tronditës.

Ai pa katër tufa kuajsh të mrekullueshëm që i afroheshin nga të katër horizontet.

Kuajt ishin të bardhë, të kuq, blu dhe jeshilë.

Pastaj pa gjashtë pleq viganë që ishin shpirtrat e stërgjyshërve të tij.

Ata i dhanë (në vegim) gjashtë sende magjike për mjekimin e popullit dhe i treguan një rrugë jetësore të re.

Mbas kësaj kaluan shumë vite, lëvizën shumë yllësi në qiell.

Atij i ndodhte përherë një frikë shtazore nga rrufetë. Sa herë që shkrepte një rrufe "banorët e gjëmimit" qenie të epërme i bënin thirrje "për ta shpëtuar". Kjo i kujtonte atij trokun e kuajve që kishte parë.

Kaq e madhe qe tronditja sa binte përmbys mbi tokë gati i vdekur.

Ja tha këtë gjë një shamani tepër të moshuar mbi njëqind vjeç.

Ai i shpjegoi se frika i lind dhe e kërcënon atë për shkak se e mban vegimin brenda vetes dhe se duhej t'ia tregonte haptas gjithë njerëzve të fisit, pa vegimin të formësonte  në ritual të drejtpërdrejtë. Dhe ashtu u bë.

Shamani i ri grumbullonte kuaj në pllaja dhe ndërsa kuajt vraponin të lirë ai mjekonte dhe shëronte nga vdekja njerëzit e fisit.

Pas valles rituale  edhe kuajt realë që mbartin shpirtrat e kuajve të vegimit dukeshin më të zhdërvjellët dhe më të lumtur.

2007

SHNDRIMI

Një gjahtar i ri e vrau një shqiponjë të jashtëzakonshme.

Shqiponja qe gjigante dhe me pendë të ylberta.

Gjahtari qau.

Kaq shumë u mahnit nga shqiponja, nga bukuria e saj sa e balsamosi dhe filloi ta adhurojë si një totem.

Falej dhe përgjërohej në heshtje në pendim të pafund.

Një ditë para tij u dukën dy njerëz me krahë të mëdhenj shqiponje. Njerëzit qenë gjigantë. Ata i thanë se janë të dërguar për ta shpënë në mbretërinë e shqiponjave.

Kur arritën aty gjahtari dëgjoi zhurma të shurdhëta daullesh, por daullet nuk dukeshin. Para tij erdhi një grua me përmasa të mëdha, e veshur me të zeza, i tha se ishte duke rrahur dhe gjëmuar zemra e shqiponjës së vdekur, që ishte djali i saj.

Zemra s'vdiste dot në amshim.

Që ta shpëtonte shpirtin e tij gjahtari duhej të bënte festën e shqiponjës kur të kthehej në vendin e tij. Kështu ndodhi.

Gjahtari u kthye i rraskapitur. Ai s'i tha askujt ç'kishte ngjarë.

Ai organizoi për popullin e tij festën e adhurimit të shqiponjës.

Kur i erdhi vdekja të gjithë u çuditën se si këtij njeriu në shtratin e ditës së fundit nisën t'i dalin pendë të ylberta dhe dy krahë shqiponje.

Dha frymën ndërsa befas rreth e qark ndiheshin zhurma të shurdhëta daullesh.

Në çastin e kalimit në vdekje brofi, u ngrit dhe me krahët e shqiponjës fluturoi dhe u zhduk për të mos u kthyer kurrë.

Tani qe shndruar në shqiponjën që kishte vrarë në rini.

Biri i ringjallur i gruas mbretërore të shqiponjave me përmasa të mëdha diku në askundin hyjnor.

2008

SËMUNDJA E PËRFYTYRIMIT

Në Mbretërinë Fantastika është Perandoresha Fëmijë. Pa emër. Befas ajo sëmuret në mënyrë enigmatike, zbehet, hollohet, zvogëlohet. Sëmundja e Perandoreshës Fëmijë ka pasoja misterioze. Rajone të tëra, dete, shpella, qytete me banorë të çuditshëm, pemët me gjethe bakri, pasqyrat prej ajri, kuajt me pendë papagajsh, lulet që marrin frymë e flasin dalëngadalë fillojnë të zhduken, humbasin në boshllëk, shndrrohen në hiç. Kështu Mbretëria Fantastika rrezikon dalëngadalë të zhbëhet, të mos jetë më. Por në botën reale të planetit njerëzit, sidomos të rriturit, nuk dinë gjë se kinse ekziston Mbretëria Fantastika.

Një fëmijë 11 vjeçar, Bastiani, jetim (i ka vdekur herët nëna) ka një jetë të vështirë, në shkollë nuk shkon dhe aq mirë, në gjimnastikë është përherë i fundit, është i ngathët. Por Bastiani është ëndërrimtar. Një ëndërrimtar i pabesueshëm.

Tek një shitës librash të vjetra ai vjedh një libër me lidhje misterioze, fshihet diku dhe zhytet në lexim. Ky libër i jashtëzakonshëm i hap portat e padukshme për te Mbretëria Fantastika. Ç'është realiteti? Ç'është iluzioni? Ç'është Perandoresha Fëmijë? Pse po vdes ajo? A duhet të vdesë? Si mund të mos vdesë? Ç'duhet bërë?

Tek Mbretëria Fantastika ka një alter ego të Bastianit, një kipc. Quhet Antreji e fluturon me Dragoin e Fatit, Fuhurin.

Antreji shkon tek Orakulli i Jugut, që i thotë se Perandoresha Fëmijë dhe Fantastika mund të shpëtohen vetëm nga një fëmijë njeriu, pra nga një fëmijë i vërtetë dhe real. Kjo ndodh për shkak se sëmundje shfarosëse e ka zanafillën pikërisht në botën e njerëzve, ata prej kohësh nuk përfytyrojnë më asgjë, sepse e kanë flijuar përfytyrimin e tyre dhe imagjinatën gjoja për hir të arsyes së vrazhdë abstrakte, të parasë dhe të gënjeshtrës së shumëfishtë, që është strukturuar si rregull, harmoni e paradoksit.

Ç'figurë jep një pasqyrë që pasqyrohet në një pasqyrë tjetër? Pse ka njerëz që nuk shkojnë kurrë në Fantastika? Pse ka njerëz që mund të shkojnë dhe mund të mbeten aty përgjithmonë? Ç'do të thotë të hysh dhe të mos dalësh? Po të mos hysh kurrë? Ata që s'e dinë (s'ka se si ta dinë, ose mos ta dinë fare) se është Mbretëria Fantastika pse duhet të interesohen, ose të preken?

Po Bastiani është i Vetmi.

Ai hyn tek Fantastika. Shpëtimtari. Sekreti i profecisë është të takojë Perëndeshën Fëmijë e t'i thotë pikërisht, përfundimisht emrin që i mungon "Bija e Hënës". ajo do t'i japë hajmalinë me mbishkrimin "Bëj ç'të dëshirosh". Po Bastiani e provon efektin e dykuptimtë të pushtetit që i është dhënë. Sepse në Fantastika nuk është e lejuar gjithçka. Duhet të dish të jesh realist. I vërtetë. Njerëzor. Jo magjik. Bastiani kthehet në botën reale. Kërkon ta kthejë librin e vjedhur, por libri s'është më.

Shkon tek shitësi i librave të vjetra dhe i thotë për librin. Ç'libër, i thotë shitësi plak (quhej Koreander) s'e kam parë kurrë një libër të tillë, një libër që s'ka ekzistuar asnjëherë. Ndoshta vërtet libri s'ka ekzistuar kurrë. Ndoshta.

Por njëfarë fëmije tjetër Mikael Ende, i lindur në 12 nëntor 1929 qe biri i piktorit surrealist gjerman Egdar Ende në Mynih. Dhe Mikael Ende qe ëndërrimtar dhe i shkujdesur. Kinse nisi të shkruajë letër si për fëmijë duke thënë: "unë nuk shkruaj për fëmijë, unë interesohem më shumë për disa mundësi të poezisë. Po të isha piktor do të pikturoja pak si Chagall-i". E pra ai e shkroi librin "Historia pa mbarim", brenda tij këtë libër e konceptoi fëmija i harruar Bastian.

Thuhet se Bastiani u zhduk duke mos u rritur dot. Se s'mund të rritej. Mbase shkoi në Mbretërinë Fantastika dhe u bë Perandori Fëmijë për të ndenjur në amëshim me Bijën e Hënës, Perandoreshën Fëmijë. Sëmundja e përfytyrimit e ka një terapi mendore. Të tjetërsohet, rafinohet.

Tek çdo subjekt janë të gjitha subjektet. Me gjeografinë e përtejme tek Fantastika Bastiani (pa një lindje konkrete, por me lindje si personazh) është Hamleti dhe Bija e Hënës Ofelia. Shekspiri s'do ta kundërshtonte me tërbim këtë variant, hulli kaq pllenuese, por edhe kontradiktore. Por edhe Romeo dhe Zhuljeta.

Vetë Shekspiri i pushtuar nga përfytyrimi i papërmbajtshëm i konverton lehtësisht dhe pa kujdes personazhet.

Pra edhe Bastiani ka të drejtë të jetë Romeo dhe Bija e Hënës Zhuljeta. Janë e njëjta gjë.

2009

GJYSMËMUSHKRIA

Shtëpia e Çabejt në Gjirokastër është gjysmëmushkria prej guri me të cilën frymëmerr ende Buzuku i harruar.

1972

BABAI

Babai iku i ri, diku në hapësirën e pas-jetës në një shkallare yjesh dhe resh, po pa shtëpi, në trajtat pa mure, pa çati, pa lundrim në det, pa dhimbje, ankth, pa gazeta, pa nikotinë, pa pagjumësi, pa fjalë. Ah, Babai!

1973

POETI

Poeti udhëton pa harta. Ka disa universe të printuar. Ai është vetë busulla. Fuqitë misterioze e refuzojnë. Lëvizja pa karburant, pa shkëndija elektrike, pa kuantikë. Zhduken formulat. Humbasin numrat. Dhe Ai është Ai që është. Sepse ka qenë dhe do të jetë. Dhe është i vdekshëm për të mos qenë! Dhe s'është i pavdekshëm pikërisht për të qenë!

2004

EGJIPTI I IMAGJINATËS

Pëlhura entuziaste të pikturës mbështillmëni!

I pabalsamosur jam mbi pëllëmbët e mëdha të shtrëngatave, jam s'e s'mundet të mos jem! Dhe hyu Anibus prej fildishi të zi klith përpara portës prej graniti dhe ëndrre, prej bronzi dhe tymi.

Egjipti i imagjinatës time është bërë një tjetër kozmos, që s'binjakëzohet dot.

As s'zhduket dot.

1989

100 VJESHTAT

Po i lëviz këtë vjeshta, më saktë 100 vjeshtat e shekullit XII si një zhvendosje tekstesh mistike nëpër libra të rëndomtë!

1090

SHTRËNGATA QIVUR

Deti i Currilave nga ndjesitë thyhet si qelq venecian.

Sytë m'u pikëzuan tek këta korale okër.

Në përmasat e dritës realiteti ikën e vendoset (zhvendoset) në një tjetër realitet.

Shtrëngata do të vijë si një qivur për mua!

1994

AMNEZIA KANIBALE

Heronjtë tradhtojnë vetë qytetërimin,

Heronjtë janë fjalët tona, tashmë të harruara.

Amnezia kanibale!

1995

MUND TË ISHA, PRO S'JAM

Midis malit dhe lumit mund të isha det, por ja që s'jam!

Midis pemës dhe zenitit mund të isha shqiponjë, por ja që s'jam!

Midis shekullit të Teutës ilire dhe kështjellës së Krujës mund të isha Skënderbe, por ja që s'jam!

1991

AUTOSTRADAT MENDORE

Krishti i tregon Thomait dyshues të trafikut plagët vezulluese të semaforëve.

Por aksidentet në autostradat mendore janë të pashmangshme. Ah!

2003

QYTETI I PËRJETSHËM

Vizatohet nga një teolog urbanist, apo urbanist teolog Qyteti i Përjetshëm, po pa maternitete, pa varreza!

1999

RATS=STAR

Është acar? Keni ftohtë? Po ju ofroj o shekuj për ngrohje qymyr nga trupi i shkrumbosur i Jan Husit. Ah, Jan Husi! Rrugë dhe peizazhe obskure. Kush e ka parë filmin e Fritz Lang-ut "Metropol" për një utopi negative në vitin 2026? Në anglisht emri Rats do të thotë Minjtë, mbrapsht është Star, dmth Yll.

2010

AKSIDENT

Malet për transcendentalët nuk kanë asnjë peshë, ata qeshin me Njutonin e rëndë, të plogët, të frikësuar nga rënia e mollës idiote nga pema pakuptim.

Misteri është kështu shpesh një aksident banal i një realiteti akoma më banal.

2010

KUJTESA E INTERNUAR

Poeti si alibi s'na e thotë kurrë vendin e kujtesës së tij të internuar. Perënditë kibernetike e urrejnë barin e gjelbër, të gjallë, të shkujdesur të Whitman-it. Gratacielat janë sarkofagë me ajër të kondicionuar. In saecula saecularum! Virtual reality!

Mbase dora e Lukianit i ka shkruar disa rreshta në librat e mi të botuar dhe të pabotuar.

Mbase unë i kam huazuar disa subjekte fantazmagorike vetë James Joyce-it!

2010

DRITA VJEN NGA FERRI

Mbretëresha angleze Elisabeta tha dikur në latinisht "Pauper ubique jacet" (« Të varfrit janë kudo ») O Engjëll i Errësirës i Ernesto Sabatos ! Varfëria është Ferri!

George Byron ka shkruar: "Wander stop e piss!" ("Udhëtar ndalu dhe shurro!") Ah, Varfëria! Ah, Ferri!

Drita s'vjen nga Parajsa!

Vjen nga Ferri!

1989

FABURL

"Gruaja ime është engjëll" tha A.

"Qenke me fat", ja ktheu B "e imja është ende gjallë".

2011

NGUSHËLLIMI

 

Pinoku vajton tek varri i Arlekinit, por Princi i Vogël i Ekzyperisë e ngushëllon!

1971

THYJINI PASQYRAT

 

Pasqyra ndonëse është si dera e hapur është po aq e padepërtueshme si një mur i mbyllur.

Mes pasqyrave je brenda një piramide dhe jo jashtë saj.

Iluzioni i hapjes është mbyllja më fatale.

Thyejini pasqyrat! Pra iluzionet e palëndeshme!

1973

AKILI DHE ÇADRA

Ç'klithma korbash janë çadra ku vdiq Akili? Kaluan mijëvjeçarët Akili s'është më, s'ka më Akil, por klithmat i thurin në ajër çadrën, më të pavdekshme se vetë Akili.

1999

VETËM

Jam vetëm.

Vijnë të vdekurit të më ngushëllojnë.

Homeri më sjell një amforë me verë, Ana Komnena pak opium të Bizantit, Majakovski më këshillon të mos bëj vetëvrasje!

2012

 

 

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more