Skip to main content

“VIDEO: Daçiç befason Putinin, i këndon “Kalinkën”” plus 9 more - Gazeta Dita

“VIDEO: Daçiç befason Putinin, i këndon “Kalinkën”” plus 9 more - Gazeta Dita


VIDEO: Daçiç befason Putinin, i këndon “Kalinkën”

Posted: 19 Jan 2019 01:54 AM PST

Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç ka befasuar presidentin Putin, teksa në darkën në pallatin në Beograd ka rrëmbyer mikrofonin dhe i ka kënduar atij këngën e njohur ruse "Kalinka".

Kështu ai ka përsëritur një tjetër performancë, duke shfaqur talentin e tij përtej diplomacisë.

Daçiç i ka kënduar një këngë edhe kryeministrit shqiptar Edi Rama në vitin 2014, por atëherë zgjodhi "O sole mio".

o.j/dita

Antibiotikët e rrezikshëm/ Rastet kur duhet të ndërprisni marrjen e barit të klasës flourkinolon

Posted: 19 Jan 2019 01:34 AM PST

Pas alarmit të lëshuar nga Agjencia Evropiane e Barnave për mos lëshimin e recetave me antibiotikët që i përkasin klasave kinolone dhe fluorkinolone, ka nisur edhe informimi i subjekteve farmaceutike, si dhe pacientëve në lidhje me rrezikshmërinë që paraqet përdorimi i këtyre barnave.

"Agjencia Evropiane  e Barnave (EMA) ka rivlerësuar efektet e padëshiruara lidhur me përdorimin e antibiotikëve të klasës së Kinoloneve dhe Flourkinoloneve të administruara në rrugë orale, intravenoze, ose inhalatore. Efektet e padëshiruara të shfaqura në mënyrë të përsëritur, kanë sjellë pezullimin, ose kufizimin e përdorimit të antibiotikeve të këtyre dy klasave. Komiteti i Barnave për Përdorim të Vlerësimit Human të EMA-s, ka arritur në përfundimin që autorizimi për tregtim i barnave që përmbajnë cinoksacina, flumekina, acid nalidiksik,  e acid pipemidik duhet pezulluar", bëjnë me dije autoritetet e Urdhrit të Farmacistit.

Në vijim të shkrimit gjenden të detajuara efektet e padëshiruara dhe rrezikun që shkakton në shëndet përdorimi i këtyre barnave.

Efektet e dëmshme të këtyre barnave

Përdorimi i antibiotikëve që u përkasin klasës së fluorkinoloneve, shoqërohet me efekte të padëshiruara të parikuperueshme, që mund të zgjasin muaj apo vite,  dëmtime të cilat prekin organet, ose sistemet.

Barnat që i përkasin klasës së flourkinoloneve (ciprofloksacinë, levofloksacinë, moxifloksacinë, norfloksacinë, pefloksacinë, prulifloksacinë dhe rufloksacinë) mund të shkaktojnë efekte të padëshiruara nga përdorimi i përsëritur, ose për një kohë te gjatë, duke prekur tendinat, muskujt, artikulacionet,  si dhe sistemin nervor.

Këto efekte të padëshiruara përfshijnë: tendina të inflamuara, tendina te dobëta, dhimbje ose dëmtime muskulare, fryrje, enjtje të artikulacioneve, vështirësi në ecje, ndjesia e gjilpërave në këmbë (ndjesi shpuese), djegie, lodhje, depresion, probleme të memories, gjumit, shikimit, veshit, ndryshimi i shijes dhe  nuhatjes.

Enjtja e lezioneve të tendinave mund të verifikohet brenda dy ditëve të para të fillimit të trajtimit me një flourkinolon, por mund të verifikohet dhe disa muaj pas ndërprerjes së trajtimit. Pacientët e moshuar me probleme renale ose që kanë pasur një transplant  të organeve  dhe që kanë qenë në trajtim me barna kortizonik, paraqesin risk të lartë të dëmtimeve të tendinave.

Rastet kur duhet të ndërprisni marrjen e barit të klasës flourkinolon:

  • Kur keni shfaqje të lezioneve të tendinave, si dhimbje ose enjtje (duhet të mbani regjim shtrirë).
  • Dhimbje, ndjesi të shpimit si të gjilpërave në këmbë, gudulisje, mpirje, djegie ose dobësim në mënyrë të veçantë të këmbëve dhe krahëve.
  • Enjtje të shpatullës, krahut, këmbëve ose vështirësi në ecje, lodhje, depresion, probleme me memorien, shqetësime të gjumit, shikimit, ndryshimit të shijes dhe nuhatjes. Mjeku,vendos nëse pacienti duhet të vazhdojë trajtimin, ose nëse është e nevojshme të merret një antibiotik tjetër.
  • Shfaqja e dhimbjes së artikulacioneve, enjtja, dëmtimi i tendinave është më i shprehur në pacientët mbi 60 vjeç, me probleme me veshkat ose që kanë pasur një transplant të organeve.
  • Komunikoni me mjekun nëse po trajtoheni me kortizone (barna si: idrokortizon, prednizolon) ose nëse duhet të merrni një trajtim me barna kortizonik. Dëmtimi i tendinave është më i shprehur nëse merrni njëkohësisht një bar të klasës së kortizoneve dhe
  • Nuk duhet përdorur bari i klasës së flourkinoloneve nëse ka shfaqur efekte të padëshiruara nga përdorimi i mëparshëm i barnave flourkinolon ose kinolon dhe këtë duhet t'ja komunikoni mjekut dhe farmacistit tuaj.
  • Nëse keni ndonjë dyshim ose problem nga këto barna, duhet të flisni me mjekun ose farmacistin. Gjithashtu këshillohet që të raportoni efektet e padëshiruara nëpërmjet formularit të raportimit të efekteve të padëshiruara, i cili gjendet lehtësisht në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore www.akbpm.gov.al

DITA

Diplomacia shqiptare, 5 vjet më pas

Posted: 19 Jan 2019 01:21 AM PST

Nga Alqi Koçiko

Ndërsa po kryhej kjo bisedë, Presidenti i Republikës Ilir Meta dekretoi emrin e kryeministrit Edi Rama edhe në krye të ministrisë së jashtme. Duket se vendimi në fjalë ishte vetëm një akt i pritshëm përmbyllës, që vetë Presidenti e kishte nënkuptuar një natë më parë. Prandaj dhe intervista jonë nuk kish si të ndikohej nga një vendim i pritur tashmë.

Me një qetësi që nuk është e huaj për Ditmir Bushatin, por përkundrazi, e shtuar për shkak se qartaz dhe zyrtarisht tashmë, misioni i tij si kryediplomati me më shumë vite në krye të ministrisë së Jashtme këto tre dekada kishte mbaruar, ai bën një bilanc të punës në krye të institucionit. Por edhe më shumë se kaq, jep disa mendime dhe konkluzione, besoj mjaft të rëndësishme, mbi atë se çfarë e pret Shqipërinë dhe rajonin në të ardhmen e afërt. Për më tepër, intervista e mëposhtme:

-Zoti Bushati, një pyetje e pashmangshme: Duke qenë se në krye të Ministrisë së Jashtme (dhe Europës) keni qenë ministri më jetëgjatë i viteve të demokracisë, keni ndërtuar një profil solid dhe aq më tepër, axhenda dhe veprimtaria diplomatike është disi e shkëputur nga zhvillimet e brendshme politike… a e prisnit largimin?

– Detyra e Ministrit të Jashtëm, siç ju e thatë, imponon një lloj largësie "higjienike" nga zhvillimet e politikës së brendshme, për të krijuar një shtrat sa më mirëkuptues e konsensual, në funksion të jetësimit të prioriteteve të politkës së jashtme dhe përmbushjes së objektivave kombëtare.

Ka vende të cilat kanë demonstruar në vijimësi një periudhë më të qëndrueshme sa i takon drejtimit të politikës së jashtme; sikundër ka dhe praktika me lëvizje të shpeshta në krye të shërbimit të jashtëm. Por në politikë, të dyja opsionet janë të njohura.

-Pas takimit me homologun italian Moavero, ju pohuat tekstualisht se "kryeministri ka vendosur të ndryshojë drejtimin politik të ministrisë". Fraza u kuptua edhe si një ndryshim në politikën e deritanishme të diplomacisë sonë; apo perceptim i gabuar?

-I jam referuar pikërisht faktit që kryeministri ka vendosur të jetë vetë përkohësisht, edhe ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, që do të thotë edhe ndryshim i udhëheqjes politike të ministrisë. Siç e ka sqaruar kryeministri, dhe siç është përgjithësisht praktika e vendeve të tjera, kjo nuk do të thotë se do të ketë ndonjë ndryshim të prioriteteve në politikën e jashtme. Është shumë e vështirë për të pasur ndryshime të prioriteteve; mund të ketë nuancime në momente të caktuara, por dihet se një pjesë e prioriteteve që ndiqen në vijimësi nga shërbimi i jashtëm, janë prioritete strategjike për të cilat, të gjitha forcat politike dhe aktorët shoqërorë janë në një mendje.

-Qartë. Meqë folëm për nuancime, kam një parantezë: Qëndrimi juaj i shprehur lidhur me çështjen e dialogut Serbi-Kosovë, e më konkretisht mbi idenë e ndryshimit të kufijve, ka qenë i qartë kundër këtij opsioni, dhe e keni arsyetuar përse. Ndërkohë kryeministri ka qenë më elastik në formulim, duke ua lënë marrëveshjen dy palëve të interesuara, të cilat mjafton të bien 100% dakord dhe Shqipëria do të ishte e kënaqur për ta mbështetur. A mund të presim, pikërisht në kuadër të këtyre "nuancimeve", një modifikim të qëndrimit të Shqipërisë mbi këtë çështje?

-Është një çështje mjaft delikate dhe për pasojë, kërkon një rrahje mendimi sa më shterues dhe gjithëpërfshirës. Në rradhë të parë, nevojitet bërja e një inventari të arritjeve dhe dështimeve të procesit të dialogut Serbi-Kosovë, për t'i krijuar mundësi opinionit publik dhe politikëbërësve të kuptojnë se sa realisht janë normalizuar sot marrëdhëniet mes dy vendeve.

Në gjykimin tim, ka pasur hapa pozitivë përpara, sikundër ka patur raste kur dialogu ka ngecur, apo angazhimet e marra në letër nuk kanë sjellë efektet e pritshme në praktikë.

Së dyti, është e rëndësishme të kuptojmë se thelbi i gjithë procesit ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Kam vënë re, sidomos gjatë vitit të kaluar, një intensifikim të përpjekjeve për ta trajtuar këtë proces vetëm nga prizmi i njohjes së mundshme të Kosovës nga ana e Serbisë; a thua se kemi të bëjmë me një suksedim* të Kosovës nga Serbia. Besoj se nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, shpallja e pavarësisë së Kosovës, vendimmarrja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, – që është gardiani, autoriteti numër Një i intepretimit të së drejtës ndërkombëtare – janë përgjigja më e mirë për këdo që tenton ta shohë këtë çështje thjesht dhe vetëm nga prizmi i njohjes eventuale të Kosovës nga ana e Serbisë.

Po kështu, dua të them që normalizimi është një proces i dyanshëm, i nevojshëm – si nga Serbia ashtu dhe nga Kosova – pavarësisht fuqisë apo dobësisë që mund të kenë për çështje të ndryshme Kosova dhe Serbia. Pse flas për fuqi dhe dobësi? Është fakt që Kosova është e njohur nga një shumicë dërrmuese e vendeve të botës demokratike. Është po fakt i pakundërshtueshëm, se pavarësisht se nuk njihet edhe nga vende që kanë të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, si Rusia apo Kina; apo nga disa vende të G20-ës, apo nga vetë Serbia; është po Serbia ajo që ka një ngërç të madh, qoftë me këto vende të botës demokratike, që janë aktorë kryesorë në skakierën ndërkombëtare, qoftë me ecurinë drejt anëtarësimit të mundshëm në Bashkimin Europian.

Çështja e tretë që gjithashtu duhet analizuar është efekti i prekshëm për qytetarët e dy vendeve. Sot për sot, mungon analiza se sa i ka shërbyer ky proces qytetarëve, qoftë nga pikëpamja e lëvizshmërisë, apo nga zhvillimi i marrëdhënieve shoqërore dhe ekonomike.

Më tej, procesi i normalizimit do të duhej të pasohet edhe me procesin e pajtimit, duke qenë se Serbia dhe Kosova kanë në histori të përgjakshme. Shpresoj që ky do të jetë edhe një proces që do hapë dritën e gjelbër për të dyja vendet, për të qenë pjesë e familjes europiane.

-Të mbetemi edhe pak këtu, duke marrë shkas nga vizita e djeshme e Presidentit rus Putin në Beograd. Nëse deri tani violinë e parë ka qenë BE-ja; a e shihni si të nevojshme, efikase, të udhës, të mundshme, një përfshirje direkte SHBA-Rusi në finalizimin e dialogut Serbi-Kosovë, për çka po shtohen zërat së fundmi?

-Mendoj që parimet udhëzuese të Grupit të Kontaktit, pjesë e të cilit ka qenë edhe Rusia, duhet të mbeten parime orientuese për gjithë procesin e normalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë. Ashtu sikundër transferimi i këtij procesi nga selia e OKB-së në atë të Bashkimit Europian, përveçse simbolik, është edhe një mundësi e mirë për t'i treguar si Serbisë, edhe Kosovës, se përmes këtij procesi dhe kompromiseve të natyrshme në një dialog që shpie drejt njohjes së ndërsjellë, të dyja vendet do të sigurojnë në të ardhmen bashkëjetesën si vende anëtare të BE-së.

Pozicioni i SHBA-së është qartësisht në mbështetje të punës që po bën BE dhe përfaqësuesja e politikës së jashtme, zonja Mogherini, si një lehtësuese e dialogut mes dy vendeve.

-Do doja të flisnim për njëfarë bilanci, për sa është e mundur në një bisedë, mbi veprimtarinë tuaj mbi 5 vjeçare në krye të diplomacisë shqiptare. Ju pohuat së fundi se është ende herët për të piketuar ndonjë gabim (mbase janë dhe më shumë, shtuat) pasi kjo kërkon një refleksion. Unë po e filloj me dy elemente pozitive që modestisht, më kanë rënë në sy: E para, statura juaj gjithnjë e kujdesshme përgjatë ecurisë së procesit të integrimit me BE-në, e harmonizuar me qëndrimet e Brukselit (që ju ka kushtuar edhe ndonjë kritikë, si çështja e votës për Palestinën në OKB). E dyta, puna voluminoze dhe besoj, impenjative, për marrëveshjen paketë me Greqinë, që ende nuk dihet si do konkludohet. A do t'ju vinte keq për rastin e fundit, një mungesë finalizimi?

-Mendoj që qershori i 2019-ës është një stacion shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, dhe nuk do ta ekzagjeroja po të thoja, për shqiptarët në përgjithësi.

Në lidhje me fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE; në qershor 2018, pas rekomandimit të qartë si kristali nga ana e Komisionit Europian, vendet anëtare përcaktuan një kalendar, shoqëruar me procesin "screening" dhe me thirrjen për vijimin e reformave në fushën e sundimit të së drejtës nga ana e Shqipërisë. Nëse shohim trajektoren e rajonit tonë pas shembjes së perandorisë komuniste, vërejmë se shqiptarët kanë qenë promotorë të kyçjes së rajonit në rrjedhat euro-atlantike. Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria dhe Kroacia ishin të parat që u anëtarësuan në NATO. Mirëpo disa herë kemi bërë hapa përpara në raport me fqinjët, duke nisur nga 1996 e këtej, e më pas për fajin tonë kemi humbur mundësi.

Në këtë kontekst mendoj që 2019-ta duhet konsideruar si stacioni në kërkim të kohës së humbur për Shqipërinë dhe shqiptarët, për të qenë në tryezën e bisedimeve për anëtarësim. Edhe nga pikëpamja gjepolitike, do të ishte e padrejtë, që Shqipëria dhe shqiptarët, për shkak të projektimit pozitiv që ka Shqipëria në rajon, të mos ishin pjesë e tryezës së bisedimeve, siç është rasti i Serbisë, Malit të Zi, dhe siç shpresoj se do të ndodhë edhe me fqinjin tonë, Maqedoninë.

Në lidhje me paketën me Greqinë, ne kemi bërë hapa vendimtarë përpara. Nuk ka qenë një proces i lehtë. Ndoshta është dosja më e vështirë që ne duhet të administrojmë në rajon. Kemi pasur mirëkuptim për një tërësi çështjesh, duke nisur nga ato të bartura nga Lufta e Dytë Botërore, deri tek çështje të aktualitetit.

Ju thatë se ka gjasa që siç po shkojnë punët, kjo dosje edhe mund të mos shtyhet përpara; unë do preferoja ta shihja gotën gjysmë plot. Fakti që në të dyja vendet kemi tashmë kryeministrat që mbajnë edhe portofolin e ministrit të jashtëm, duhet konsideruar si një shans për të shfrytëzuar këtë periudhë kohore në funksion të përfundimit të kësaj pakete.

-Ndërkaq, zoti Bushati, në kuadrin e kritikave apo pikave të debatueshme gjatë punës suaj, është i freskët një prononcim i zonjës Arta Dade që ka përmendur ligjin e shërbimit të jashtëm si një pikë për të cilën keni patur mjaft debate, edhe në komisionin e jashtëm parlamentar. Në një retrospektivë, ç'konkluzione do nxirrnit?

-Unë padyshim vlerësoj çdo kritikë, aq më tepër kur vjen nga zonja Dade, e cila përveçse me një përvojë të gjatë politike, ka qenë edhe ministre e jashtme. Kritikat shërbejnë për të përmirësuar punën në mënyrë që Shërbimi i Jashtëm të funksionojë kryesisht në bazën e karrierës dhe meritokracisë. Në këtë drejtim ne kemi ndërmarrë disa masa. Së pari, që prej shtatorit të 2013, ne vendosëm një standard të ri sa i përket nepotizmit dhe abuzimit në emërime, që ishte një shqetësim i përhapur. Së dyti, në përmirësimin e trajtimit financiar të punonjësve të shërbimit të jashtëm dhe familjeve të tyre. Së treti, nëse dikur hynin në masë njerëz nga politika në shërbimin e jashtëm, sot kemi përcaktuar kritere për ata që vijnë nga jashtë dhe që gjithsesi, janë të përkohshëm.

-Zoti Ministër, a mund të themi që Procesi i Berlinit ka qenë i sukseshëm, në raport me Shqipërinë?

-Procesi i Berlinit mendoj që ishte një iniciativë e goditur e kancelares Merkel, në rradhë të parë për të minimizuar "depresionin" në Ballkanin Perëndimor fill pas prezantimit të programit të Presidentit të Komisionit Europian, Juncker, ku thuhej qartë që nuk parashikohej zgjerim i BE-së gjatë mandatit të tij 5 vjeçar.

Në këtë kontekst, iniciativa e Kancelares për të mbledhur bashkë një grup vendesh anëtare të BE-së me peshë të posaçme, dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, ishte një përgjigje për situatën e krijuar.

Përgjatë procesit të Berlinit mund të evidentohet një përmirësim i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, që më pas u simbolizua edhe me vizitat respektive të kryeministrave Rama dhe Vuçiç. Kjo duke marrë parasysh faktin që Shqipëria dhe Serbia kanë një peshë dhe përgjegjësi më specifike, sa i përket stabilitetit demokratik në rajon.

Le mos të harrojmë se ky proces ofroi një strategji për ndërlidhshmërinë brenda nesh dhe vetë rajonit me vendet e BE-së. Tanimë bazat e para janë hedhur. Por nga ana tjetër është i mirëkuptueshëm padurimi që kanë qytetarët për të identifikuar projekte konkrete, të prekshme, kryesisht në infrastrukturë, në raport me këtë proces.

Ka një nismë të bashkëpunimit rinor me seli në Tiranë; ka dhe nisma të tjera të karakterit politik që do të krijojnë mundësi më të mëdha për lëvizshmërinë; por këto në asnjë rrethanë nuk zëvendësojnë dot as procesin e zgjerimit të BE-së si filozofi, as instrumentet që ky proces do duhet të ofronte për vendet e Ballkanit Perëndimor.

-Do ishte i nevojshëm një sqarim nga ju, për temën e mëposhtme: Sa u takon marrëdhënieve me vendet e tjera, dëgjohet jo rrallë se Shqipëria me filan vend ka marrëdhënie strategjike, jemi partnerë strategjikë. Çfarë e përkufizon partnerin strategjik; ku jemi realisht në këtë aspekt?

-E vërteta është që në përdorimin politik dhe publik, ka një inflacion termash që lidhet me partneritetin strategjik, marrëdhëniet e shkëlqyera, lidhje shumë të ngushta etj. Nga ana tjetër, është vështirë të përdorësh një kut matës konkret, çka do t'i takonte botës së shkencave ekzakte, kur vjen puna për të përkufizuar partneritetet strategjike.

Besoj se ka qenë një konstante e gjithë politikës shqiptare, fakti që SHBA dhe BE për ne konsiderohen aleatë dhe partnerë strategjikë. Në vitin 2015 ne e nënshkruam dokumentin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara; por kjo nuk do të thotë se de fakto nuk ishim edhe më herët në këtë marrëdhënie. Thjesht në dokumentin e nënshkruar detajohen fushat e bashkëpunimit dhe mekanizmat e e dialogut vjetor në funksion të përmbushjes së këtyre objektivave. Në rrafshin europian, gjatë viteve të fundit marrëdhëniet me Gjermaninë janë konsoliduar. Vështirë të gjesh në ditët e sotme një partner "kritik të rreptë por të ndershëm" siç është Gjermania.

Në rajon kemi evoluar. Tradicionalisht, Italia dhe Greqia janë konsideruar si partnerë strategjikë; në 2013-ën ne vendosëm të përfshijmë edhe Turqinë, dhe t'i njohim këtij vendi, për sa na takon neve, statusin e partnerit strategjik, duke konsideruar rolin e Turqisë në NATO, Ballkan, Mesdhe, pa përmendur praninë domethënëse ekonomike turke në vendin tonë.

Në programin e politikës së jashtme të 2017-ës, që është miratuar nga Kuvendi, ne për herë të parë në një dokument qeveritar të sanksionuar nga Kuvendi, flasim për konceptin e politikës katërkëndore në rajon, duke përfshirë të dy komponentët: të hapur në Mesdhe dhe të kyçur në Ballkan, dhe duke shtuar në listën e partnerëve, në një kuptim rajonal më të gjerë, edhe Austrinë. Është një vend me të cilin gjatë periudhave të fundit kemi vënë re një fuqizim të marrëdhënieve politike, por edhe ekonomike. Ndërkaq, sa i takon dokumenteve të firmosura të partneritetit strategjik, përveçse me SHBA, Italinë, Francën, Kosovën, Turqinë, po punojmë me Kroacinë me të cilën dëshirojmë të firmosim një dokument të tillë. Në të njëjtën kohë me Greqinë kemi rënë dakord që të rishikojmë Traktatin e Miqësisë dhe kthimin e tij në një dokument partneriteti strategjik.

Thënë kjo, nuk nënkupton që me partnerin strategjik të mos kesh gjëra për të diskutuar apo probleme të hapura për të zgjidhur. Kemi rastin e Greqisë me Turqinë, që e kanë firmosur këtë dokument, takohen çdo vit e diskutojnë, por siç dihet kanë ende mjaft çështje të hapura.

-Zoti Bushati, ju e përmendët më lart, se vitin 2019 është shumë i rëndësishëm për vendin tonë në aspektin e politikës së jashtme. Kjo edhe për shkak të pritshmërive ndaj një ngjarjeje kyçe, sic janë zgjedhjet e Parlamentit Europian. Si një person shumë më i informuar mbi zhvillimet në BE, a mendoni se do të ketë një rritje të euro-skepticizmit pas këtyre zgjedhjeve?

-Kur iu referova më lart muajit Qershor në raport me Shqipërinë, dhe pritshmërisë sonë për të filluar sa më parë bisedimet për anëtarësim në BE, analiza do të ishte e paplotë nëse nuk do të merrnim në konsideratë situatën e brendshme që po kalon BE-ja. Zgjedhjet për në Parlamentin Europian do të jenë vendimtare, sepse ndoshta për herë të parë mund të shohim jo thjesht një fuqizim të komponentit euro-skeptik, apo elementit kundërshtues ndaj projektit europian.

-Ironikisht, duke përdorur për këtë vetë institucionet e BE-së…

….Pikërisht. Por mund të shohim edhe një Parlament Europian që mund të funksionojë pak a shumë si parlamentet kombëtare, me prodhimin e një mazhorance të qartë dhe një opozite. Nga rezultati zgjedhor varet edhe mënyra sesi do të konstituohen institucionet e BE-së, ndërveprimi institucional dhe formulimi i politikave.

Së dyti, është çështja Brexit, që me refuzimin e Dhomës së Komuneve në Britani ndaj projektit të kryeministres May, shton pasigurinë lidhur me periudhën tranzitore të daljes, për çka ishte rënë paraprakisht dakord me BE-në. Edhe kjo çështje ka impakt në zgjedhjet europiane, në politikat buxhetore të Bashkimit Europian, në poliktat ekonomike e tragtare, e rrjedhimisht edhe në qasjen e BE-së në raport me vendet e tjera.

Thënë kjo, mendoj që gjithë situata që po kalon BE-ja duhet të na bëjë më të përgjegjshëm, më këmbëngulës e më të vullnetshëm, për të realizuar angazhimet që kemi marrë përsipër.

-Një pyetje e fundit, zoti Bushati. Mesa duket tani do t'i kushtoheni Shkodrës me kohë të plotë, siç tha edhe kryeministri. Që domethënë, do fokusoheni në punën për një rezultat të mirë në zgjedhjet e ardhshme lokale. Vetë Shkodra si Bashki nuk ka kaluar ndonjëherë majtas, në fakt…

-Qarku i Shkodrës që unë drejtoj që prej zgjedhjeve parlamentare të 2017, ka 5 bashki, dhe padyshim objektivi mbetet që të marrim një rezultat më të mirë sesa në zgjedhjet lokale të 2015. Në këtë drejtim, do t'i kushtohem punës me të gjithë strukturat, e padyshim me komunitetin, në rradhë të parë për të zgjedhur një ekip konkurrues dhe të denjë, qoftë në kandidatët për kryetarë bashkie, qoftë në listën e këshilltarëve bashkiakë.

-Shumë faleminderit zoti Bushati.   

*Suksedimi – në të drejtën ndërkombëtare, momenti i lindjes së një shteti të ri nga prishja e një strukture të vjetër shtetërore, dhe procesi i ndarjes së të drejtave e detyrimeve që i takojnë shtetit të ri

Artikulli i gazetës izraelite rendit Tiranën midis qyteteve ruse dhe gjermane

Posted: 19 Jan 2019 01:13 AM PST

Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, vitet e fundit është bërë jehonë në gazetat e mëdha ndërkombëtare, për ndryshimet e saj dhe zhvillimin në tërësi.

Njëlloj dhe gazeta e madhe izraelite, "Haaretz" – në versionin e saj hebraisht – në një shkrim kushtuar fasadave të qyteteve nëpër botë ka përzgjedhur edhe Tiranën, për kolorotin shumëngjyrësh të fasadave të ndërtesave të ndryshme të saj, duke e ilustruar edhe me dy foto.

"Një nga projektet më të famshme në këtë kontekst është iniciativa e Edi Ramës, tani kryeministër i Shqipërisë dhe njëherësh piktor, i cili gjatë detyrës së tij si kryebashkiak i Tiranës urdhëroi ngjyrimin e të gjitha ndërtesave të qytetit me ngjyra të forta", shkruan gazeta izraelite.

Pas një ndërprerje prej katër vitesh gjatë administratës së mëparshme, Bashkia e Tiranës nën drejtimin e Erion Veliajt ka vendosur riparimin dhe ngjyrosjen e fasadave ekzistuese në të gjitha lagjet e qytetit duke ftuar artistë lokalë për të propozuar ngjyrat dhe modelet që aplikohen mbi sipërfaqen e godinave.

Nisma synon të shkojë nga rrugët kryesore në çdo lagje të Tiranës duke krijuar edhe një unifikim të mënyrës se si funksionojnë sipërmarrjet në katet e para, për të treguar imazhin e një qyteti të rregullt.

o.j/dita

PD mbledh Këshillin Kombëtar, skema e re e Bashës për drejtimin e partisë

Posted: 19 Jan 2019 01:03 AM PST

Sot në orën 11:00,  354 anëtarët e Këshillit Kombëtar, janë thirrur për të votuar për funksionarët që do të drejtojnë Partinë Demokratike në 4 vitet e ardhshme.

Kreu i demokratëve, Lulzim Basha bëri publike dje listën e kandidatëve (Lexo KETU), të cilët u propozuan prej tij, ku bie në sy fakti se të gjithë deputetët dhe funksionarët aktualë, kandidojnë  për 15 vende në Kryesi, të cilët zgjidhen drejtpërdrejtë nga Këshilli.

Lulzim Basha, ka vendosur të mbajë të pandryshuar nënkryetarët Edi Paloka dhe Edmond Spaho, duke kërkuar votëbesim për ta, ndërsa rikthen në Kryesi ish-presidentin Bujar Nishani, duke i besuar postin e kryetarit të Këshillit Kombëtar.

Nga ana tjetër mësohet se kryetari i Partisë Demokratike ka parashikuar një skemë të re të drejtimit të Partisë duke rishikuar ndarjen dhe funksionet e strukturave drejtuese.

Basha po ndjek modelin e partive të djathta europiane si CDU dhe Konservatorët Britanikë, gjë e cila në fakt u bë e njohur që me ndryshimet statutore në prill.

Thelbi i këtij modeli të ri është ndarja e qartë e profileve të forumeve drejtuese. Kështu, sekretariati do të jetë me funksione krejtësisht partiake. Sekretarët do të merren vetëm me çështje të brendshme të partisë, duke kopjuar në një farë mënyrë atë që konservatorët anglezë e quajnë "partia profesionale".

Nga ana tjetër, kryesia e grupit parlamentar dhe drejtuesit e komisioneve parlamentare do të përbëjnë atë që quhet "partia parlamentare" dhe që drejton aksionin politik në pushtetin legjislativ.

Ndërkohë, Kryesia e re e partisë do të kryejë funksionet e asaj që shihet si pjesa ose "partia politike" e përbërë nga figura politike të profilizuar në fusha të ndryshme dhe që do të jenë njëkohësisht aktivë në terren.

Në të do të duhet të përfshihen politikanë që mund të jenë njëkohësisht dhe pjesë e grupit parlamentar dhe që do të drejtojnë komunikimin politik të partisë.

o.j/dita

19 janar 2019

Posted: 19 Jan 2019 12:42 AM PST

Ndahet nga jeta kompozitori Kozma Lara

Posted: 19 Jan 2019 12:40 AM PST

Është ndarë nga jeta mbrëmjen e djeshme, një nga themeluesit e muzikës shqiptare pianisti dhe kompozitori Kozma Lara.

Homazhet në nderim të tij do të mbahen ditën e sotme në hollin e Universitetit të Arteve nga ora 11.00-12.00.

Lara u lind në Durrës, më 10 Korrik 1930. Veprat e tij të para, filluan të dëgjoheshin në vitet '60-të. Në 1965, u duartrokit sinfonia, një vit më vonë, kompozoi muzikën e baletit "Fatosi partizan", që u vu në skenë nga koreografi Panajot Kanaçi.

Mësimet e para në piano e kreu me profesorin Tonin Guraziu. Më pas në vitet 1946-49 mbaron shkollën e mesme të përgjithshme “16 Shtatori” në Durrës. Ndoqi liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë ku dhe diplomohet në degën e pianos në vitin 1954.

Në vitin 1958 studion në Konservatorin P. Iliç. Çajkovski në Moskë (ish BRSS), në degën e Kompozicionit, student i Profesorit Sergey Artem’yevich Balasanian.

Gjatë viteve ka kontribuar në Asamblin e Ushtrisë Popullore, në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë si Koncert Maestër dhe në Shkollën e Mesme të Muzikës Mujo Ulqinaku-Durrës.

o.j/dita

Gara për drejtuesit e rinj të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, të hënën testimi

Posted: 19 Jan 2019 12:30 AM PST

Pas vlerësimit të aplikimeve të paraqitura, janë përzgjedhur edhe kandidatët që do i nënshtrohen fazës finale të konkurimit për zgjedhjen e drejtuesve të rinj të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor në vend.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka shpallur ditën e djeshme se kandidatët që plotësojnë kushtet dhe kërkesat e posaçme për të vazhduar konkurimin për pozicionet drejtor në Drejtoritë Rajonale të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor për katër rajonet në Tiranë, Vlorë, Elbasa, si dhe Shkodër.

Konkretisht për Tiranën janë në garë Bora Salaj, Dritan Ulqinaku, Lindita Backa, Naile Balaj, si dhe Rudina Degjoni. Ndërsa për Rajonin e Shkodrës janë në garë: Amela Bushati dhe Astrit Beci.

Në Elbasan konkurojnë Lindita Backa dhe Xhevahir Budani. Garë e fortë do të zhvillohet edhe në Vlorë ku janë në garë: Eltar Deda, Perin Vogli, Klajdi Myzaferaj, Kreshnik Ternova, si dhe Kujtim Llapi. Vlerësimi i kandidaturave tashmë do të bëhet nëpërmjet testimit me shkrim dhe intervistës së strukturuar.

"Testimi me shkrim dhe intervista e strukturuar me gojë do të jetë ditën e hënë me datë 21 janar, ora 11.00 në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale", bëjnë me dije burimet zyrtare të këtij institucioni.

Krahas plotësimit të testimit me shkrim rreth njohurive të legjislacionit të fushës përkatëse, secili kandidat do t'i nënshtrohet edhe intervistës së strukturuar, ku do të shpalosë idetë e tij në lidhje me organizimin dhe zhvillimin e këtyre drejtorive.

Shpallja e fituesve do të përcaktohet nga totali i pikëve që secili kandidat ka grumbulluar nga aplikimi me dosje, intervista dhe testimi me shkrim.

DITA

 

A ka ndryshuar qëndrimi i diplomacisë shqiptare ndaj paktit Kosovë-Serbi?

Posted: 19 Jan 2019 12:18 AM PST

Presidenti Meta dekretoi të premten Kryeministrin Edi Rama në postin e Ministrit të Jashtëm. Dekretimi vjen 4 ditë pas propozimit të kryeministrit Rama për të qënë ai Ministër i Jashtëm dhe bëhet pa konsumuar afatin prej 7 ditësh që Kushtetuta i jep Presidentit në raste dekretimesh të anëtarëve të qeverisë.

Në një njoftim të Presidencës theksohet se "emërimi i Kryeministrit edhe në postin e Ministrit të Jashtëm është një rast i veҫantë, që nuk parashikohet dhe as ndalohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë".

Jo thellimit të krizës institucionale

Të tjera konsiderata kanë fituar ndaj  "rastit të veçantë dhe të paparashikuar" në Kushtetutë. Në njoftimin për shtyp të Presidencës theksohet se "kreu i shtetit merr në konsideratë që struktura e kabinetit qeverisës është në të drejtën e Kryeministrit për t'u propozuar". Por krahas kësaj të drejte ka edhe një arsye tjetër madhore: evitimi i thellimit të krizës institucionale Presidencë-Kryeministri dhe dalja e diplomacisë nga ngërҫi që "do të dëmtonte pozitën e Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare", vë në dukje njoftimi. Me dekret të Presidentit Meta është shkarkuar edhe Ditmir Bushati, nga detyra e Ministrit  të Jashtëm.

Cili do të jetë qëndrimi zyrtar i Tiranës për marrëveshjen Serbi-Kosovë?

Nuk është sekret se ish-ministri Bushati kishte mbajtur qëndrime të qarta kundër opsionit të ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Nuk është sekret edhe që Presidenti Meta ka shprehur të njëjtin qëndrim. Nuk është sekret që Kryeministri Rama nuk është prononcuar kundër ndaj opsionit të ndryshimit të kufijve, duke lënë hapësirë që të mendohet se mund edhe të mos jetë kundër.

Madje edhe refuzimi i Presidentit Meta për të dekretuar propozimin e Kryeministrit Rama që Ministër i Jashtëm, në vend të Bushatit të ishte i riu 28-vjeçar nga Prishtina, Gent Cakaj, u mbështet në deklaratat e këtij të fundit pro ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, të cituara nga vetë Meta, se "shkëmbimi i kufijve po konceptohet në suaza të korrigjimeve të përgjithshme territoriale që janë duke ndodhur në Ballkanin Perëndimor".

Përballë këtij qëndrimi, Presidenti Meta nxitoi të shprehet se "Integriteti territorial dhe Pavarësia e Kosovës janë të paprekshme". Që të dy, Presidenti Meta dhe ish-Ministri i Jashtëm Bushati, me qëndrimin e tyre kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, janë në të njëjtën linjë me Kancelaren Merkel dhe diplomacinë gjermane. Por nuk përjashtohet që ndikimi personal i Kancelares Merkel kundër korrigjimit të kufijve mund të ulet pas vendimit të saj për t'u larguar gradualisht nga skena politike, gjë që mund të lerë një hapësirë potenciale për rritjen e rolit të SHBA apo aktorëve të tjerë si Rusia.

Rritja e rolit amerikan u duk në ftesën e Presidentit Trump për dy presidentët Thaçi dhe Vuçiç, për të firmosur në Washington "marrëveshjen historike", nëse ajo arrihet mes tyre. Presidenti serb Vuçiç tha gjatë vizitës në Beograd të Presidentit rus Putin të enjten se "Nuk ka zgjidhje për Kosovën pa Rusinë". Pritshmëritë janë se është koha që Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Rama të deklarojë qëndrimin e Shqipërisë, nëse opsioni i ndryshimit të kufijve mbetet dominant për të normalizuar marrëdhënien mes Kosovës dhe Serbisë./Deutsche Welle

o.j/dita

Udhëzimi me datat e provimeve të lirimit

Posted: 19 Jan 2019 12:10 AM PST

Provimet kombëtare të arsimit bazë do të zhvillohen përgjatë javës së dytë dhe të tretë të muajit qershor. Udhëzimi i miratuar së fundmi nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, konfirmon datat e tre provimeve të lirimit, si dhe atij të gjuhës amtare për vitin shkollor 2018-2019.

Provimi i parë që do të zhvillojnë nxënësit e klasave të nënta do të jetë në lëndën e gjuhës së huaj në datën 10 qershor. Më pas në datën 18 qershor është planifikuar që të zhvillohet provimi i dytë në lëndën e gjuhës shqipe. Provimet përfundojnë në datën 21 qershor me testin e matematikës.

Skema e organizimit dhe zhvillimit të provimeve të lirimit do të jetë e njëjtë me atë të maturës. Provimet kombëtare të arsimit bazë do të fillojnë në orën 10:00 dhe do të zgjasin për rreth dy orë e gjysmë.

Testi i gjuhës amtare

Për nxënësit e pakicave kombëtare bëhet e ditur se do të zhvillojnë edhe provimin kombëtar të arsimit bazë në gjuhën amtare. Testimi për këtë lëndë do të zhvillohet në datën 14 qershor.

Për shkollat e pakicës greke, teza e për provimin e gjuhës amtare përgatitet nga institucioni arsimor vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar në Gjirokastër.

Në ditën e provimit, institucionet përgjegjëse për arsimin parauniversitar në Delvinë dhe në Sarandë do të paraqiten në drejtorinë e Gjirokastrës për të marrë testet që do të plotësojnë nxënësit në lëndën e gjuhës amtare.

Ndërsa për shkollat e pakicës kombëtare maqedonase, testet do të tërhiqen në drejtorinë e Korçës. Po ashtu bëhet e ditur se edhe nxënësit me aftësi të kufizuara do të zhvillojnë testimet në përshtatje me veçoritë e tyre shëndetësore.

Provimi i gjuhës së huaj

Testet e gjuhës së huaj që do të jepen si provim i detyruar përfshijnë lëndët: anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Testi i gjuhës së huaj do të hartohet në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm të ulët trajtohet si gjuhë e huaj e detyruar.

Në këto kushte, testi do të jetë i nivelit gjuhësor A2. Edhe nxënësit e klasave të 9-ta, të seksioneve dygjuhëshe italiane, gjermane dhe franceze, japin provimi gjuhën përkatëse të seksionit të tyre, testi i të cilës do të jetë në nivelin gjuhësor A2.

Testi do jetë i strukturuar në tre pjesë, ku nxënësit do të testohen për aftësitë gjuhësore që kanë të bëjnë me të lexuarit dhe të kuptuarit e një teksti të shkruar rreth të cilit do të organizohen rreth 50 për qind e pyetjeve, nga përdorimi i drejtë i gjuhës (gramatika dhe leksiku) që do ketë rreth 30 për qind të pyetjeve, si dhe nga të shkruarit, që do të ketë rreth 20 për qind të pyetjeve.

Provimi për gjuhën shqipe

Për të orientuar nxënësit në lidhje me temat që do të jenë pjesë e testit kombëtar të arsimit bazë, Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka zbardhur tashmë edhe programet orientuese për secilën lëndë.

Sa i takon testit të gjuhës shqipe, ekspertët e arsimit bëjnë me dije se teza e provimit do jetë e strukturuar në tre pjesë.

Pjesa e parë do ketë pyetjet rreth një fragmenti letrar, pjesa e dyte pyetje rreth një fragmenti joletrar, si dhe pjesa e tretë do të ketë pyetjet rreth njohurive të sistemit gjuhësor. Fragmentet, ose tekstet në test janë të panjohura për nxënësit dhe nuk janë pjesë e teksteve.

Provimi i matematikës

Pesë janë tematikat rreth të cilave do të orientohen pyetjet për provimin e matematikës, të cilat janë: numri që do ketë 37 për qind të ndikimit në numrin e pyetjeve të testit, matja me 14 për qind të ndikimit, gjeometria me 16 për qind të ndikimit, algjebra dhe funksioni me 13 për qind të ndikimit, si dhe statistika dhe probabiliteti me 13 për qind të peshës në pyetjet e testit final të matematikës.

Tematikat dhe renditja e tyre nuk presupozojnë që përmbajtja e testit duhet të zhvillohet në këtë renditje. Në përgatitjen për përmbushjen e këtij programi do të përdoren kryesisht tekstet mësimore të lëndës së matematikës klasa VI-IX.

Rishikimi i testeve të korrigjuara

Në rregulloren e miratuar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ku përcaktohen udhëzimet se si do të zhvillohen provimet kombëtare të arsimit bazë për vitin shkollor 2018-2019, ndër të tjera është vendosur që nxënësit të kenë mundësi të shohin edhe testet e vlerësuara të provimit të matematikës, gjuhës së huaj, si dhe gjuhës shqipe.

Tërheqja e testeve të korrigjuara do të bëhet e mundur jo më vonë se pesë ditë nga marrja e vlerësimit, duke dorëzuar kërkesën përkatëse pranë Komisionit të Provimeve Kombëtare të Arsimit Bazë.

Ndonëse nxënësit do mund të marrin kopjet e vlerësuara të secilës lëndë, bëhet e ditur se nuk do të ketë rivlerësim të tyre. Kjo për shkak të skemës së korrigjimit të përcaktuar, ku çdo test kalon në duart e disa vlerësuesve, çka konfirmon saktësinë e vlerësimit të tyre.

Në rastin kur nxënësit vlerësohen mbetës kanë të drejtë që provimet përkatëse ti japin në sezonin ne vjeshtës që do të zhvillohet në mbyllje të muajit gusht, ose në ditët e para të muajit shtator.

Datat e provimeve të lirimit:

  • Provimi i gjuhës së huaj zhvillohet në 10 qershor.
  • Provimi i gjuhës amtare për pakicat kombëtare jepet në 14 qershor.
  • Provimi mi gjuhës shqipe zhvillohet në 18qershor.
  • Provimi i matematikës do të zhvillohet në datën 21 qershor.
  • Provimet kombëtare të arsimit bazë do të fillojnë në orën 10:00 dhe do të zgjasin për dy orë e gjysmë.
  • Për të mos rrezikuar përjashtimin, ditën e testimit nxënësi duhet të paraqitet në qendrën e përcaktuar një orë e 30 minuta para orarit zyrtar, si dhe duhet të kenë dokumentin e identifikimit.

DITA

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more