Skip to main content

“Cakaj nuk votohet pa dekret, a do e marrë Rama postin e ministrit të Jashtëm?” plus 9 more - Gazeta Dita

“Cakaj nuk votohet pa dekret, a do e marrë Rama postin e ministrit të Jashtëm?” plus 9 more - Gazeta Dita


Cakaj nuk votohet pa dekret, a do e marrë Rama postin e ministrit të Jashtëm?

Posted: 14 Jan 2019 02:22 AM PST

Në një kohë kur propozimi i kryeministrit Edi Rama si ministër të Jashtëm të Gent Cakajt, shkaktoi debate mes tij dhe presidentit Ilir Meta, mësohet se cili mund të jetë kandidati i radhës.

Sipas mediave socialistët kanë dy mundësi: Mundësia e parë është që Edi Rama t’i drejtohet Presidentit Meta me një tjetër emër pas refuzimit të Gent Cakajt.

Ndërsa alternativa e dytë është që vetë Rama, të marrë drejtimin e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme përkohësisht, deri në përgjigjen nga Gjykata Kushtetuese.

Skenarët janë akoma në diskutim dhe Kryesia nuk ka marrë një vendim.

Ndërkohë që ende nuk është vendosur nëse votimi për ministrat e dekretuar do të bëhet para 21 janarit, kur është përcaktuar hapja e sesionit të ri parlamentar apo do të pritet që të zgjidhet edhe ngërçi me Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Ndërkohë përjashtohet mundësia e votimit të Gent Cakajt në parlament pa dekret, pasi burime nga PS pohojnë se 'nuk i përgjigjemi shkeljes me shkelje'.

Ndërkohë që po shqyrton të gjithë alternativat e mundshme, PS po përgatit edhe dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese nëse ka të drejtë Presidenti të refuzojë dekretet, por përgjigja parashikohet që të zgjasë disa muaj, pasi ky institucion është jashtë funksionit.

o.j/dita

Trump kërcënon Turqinë me shkatërrim ekonomik

Posted: 14 Jan 2019 02:12 AM PST

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar të "shkatërrojë" ekonominë turke, nëse vendi aleat i amerikanëve në NATO sulmon kurdët në rajon.

Në një postim në rrjetet sociale, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se pavarësisht nisjes së tërheqjes së forcave amerikane nga Siria, SHBA-të do të sulmonin sërish ISIS-in nëse vërejnë përpjekje për reformim në terren.

Ai po ashtu kërcënoi të "shkatërrojë Turqinë ekonomikisht nëse ata sulmojnë kurdët", teksa në krahun tjetër paralajmëroi edhe kurdët "të mos provokojnë Turqinë".

E menjëhershme ka qenë kundërpërgjigja e Ankarasë zyrtare, e cila me anë të zëdhënësit të Presidentit Erdogan, Ibrahim Kalin, paralajmëroi Trumpin të mos vendosë shenjë barazimi mes kurdëve të Sirisë dhe organizatave terroriste.

"Është një gabim fatal të barazosh kurdët e Sirisë me PKK, e cila është në listën e organizatave terroriste të SHBA-ve, dhe krahun e saj në Siri, PYD/YPG."

"Turqia lufton kundër terroristëve, jo kundër kurdëve", tha Kalin duke shtuar "Zoti Donald Trump, terroristët nuk mund të jenë partnerët dhe aleatët tuaj. Turqia pret që SHBA-të të nderojnë partneritetin tonë strategjik dhe nuk dëshirojnë që ajo të lihet në hije nga propaganda terroriste."

Tensioni mes Ankarasë dhe Uashingtonit u rrit javën e kaluar pas një periudhe "paqeje" që pasoi lirimin e një pastori amerikan të arrestuar më shumë se 2 vite më parë nga Turqia.

Erdogan refuzoi të takonte këshilltarin për Sigurinë Kombëtare të Trumpit, John Bolton, pas deklaratave të këtij të fundit nga Izraeli, ku kërkoi që Turqia të zotohej se nuk do të sulmonte luftëtarët kurdë në Siri.

"Bolton bëri një gabim të madh. Nëse mendon kështu, ai po bën gabim. Ne nuk do të bëjmë kompromise", tha Erdogan, duke mos e pritur Bolton në takim, pavarësisht se zyrtari amerikan vizitoi Ankaranë.

o.j/dita

Telebingo-Shqiptare/ Çmimi i madh shkon në Korçë, fituesi merr 2,019,400 lekë

Posted: 14 Jan 2019 02:00 AM PST

Mijëra fitues të shpallur nga përzgjedhja rastësore e kontrabiletave, si dhe shorti i goglave për çmimin e madh të javës që lamë pas, kanë mundur të fitojnë përgjatë shorteut të djeshëm (i pari për vitin 2019), dhuratat dhe çmimet e preferuara të lojës më popullore të fatit në vend, Telebingo Shqiptare. Korça, Tirana, Durrësi, Shkodra, etj, ishin ndër qytetet më fatlume sa i takon shpalljes së fituesve të dalë nga ky shorte.

Ndonëse makina "Hyundai" nuk u fitua ditën e djeshme, ajo do të jetë sërish në lojë gjatë shorteut të radhës që do të hidhet ditën e diele (20 janar). Përzgjedhja rastësore e kontrabiletave ka shpallur si fituese të parë të lojës telefonike Flogertën në Durrës, e cila me mbajtjen e dy zarfeve më të preferuara, ka siguruar nga Telebingo Shqiptare shumën prej 6,000 lekësh.

Loja telefonike është zhvendosur më pas drejt kryeqytetit, duke përzgjedhur Katin si fituese, të cilës fati i ka buzëqeshur më së miri. Kjo pasi në lojën me çmimet dhe dhuratat e fshehura në zarfe, ajo është shpallur fituese e shumës prej 125,000 lekësh. Një tjetër fituese në kryeqytet i është bashkuar lojës. Kësaj here bëhet fjalë për Besën, e cila ka siguruar shumën prej 75,000 lekësh.

Gëzimi ishte fituesi i radhës që ka vijuar të gjurmojë çmimet e fshehura në zarfe, ku dhe ka fituar shumën prej 60,000 lekësh. Loja telefonike është ndalur më tej në qytetin e Korçës, duke shpallur Emilianon si fitues të 60,000 lekëve, shumë të cilës i janë bashkuar si dhuratë edhe dy orë të ofruara nga mbështetësit financiarë të programit.

Një tjetër fitues ka siguruar nga Telebingo shumën prej 60,000 lekësh. Samiu në Durrës ishte fituesi i fundit i lojës telefonike, që ka vijuar të luajë me çmimet e fshehura në zarfe. Me mbajtjen e dy zarfeve të preferuara në fund të lojës, Samiu ka fituar plot 80,000 lekë. Ndërkohë që disa javë më parë po ky fitues i është gëzuar edhe makinës "Hyundai" të fituar në lojën telefonike.

Pas fituesve të lojës telefonike është hedhur edhe shorti i goglave për çmimin e madh të javës, që ka kapur vlerën e 2,019,400 lekëve. Seria e numrave të përzgjedhur ka treguar se çmimi i madh i javës ndalet në qytetin e Korçës, ku dhe rezulton të jetë blerë bileta fituese. Shorti i goglave ka përzgjedhur edhe mijëra fitues të tjerë nëpërmjet serisë me një linjë dhe dy linja. Konkretisht, janë shpallur si fitues të 50 lekëve 25678 lojtarë.

Fitues të serisë me dy linja janë shpallur 417 lojtarë të tjerë, ku secili prej tyre siguron nga Kompania e Telebingos 1,825 lekë. Fitues të një bilete Telebingo, janë shpallur edhe të gjitha ata persona që kanë numrin 5, të përcaktuar si numër fati në biletën e tyre. Argëtimi nëpërmjet tingujve të muzikës, e çmimeve të Telebingos, ka vijuar edhe në 10 telefonatat e bëra rresht njëra pas tjetrës, nga ku janë shpallur fituesit e çmimit tradicional të javës.

Të gjithë lojtarët që i janë përgjigjur në mënyrë korrekte telefonatës surprizë të bërë nga Telebingo, janë bërë fitues të 20,000 lekëve. Emocione të shumta në lojën e ditës së djeshme kanë sjellë edhe fituesit e shorteut special të datës 30 dhjetor 2018, të cilët janë paraqitur për të marrë çmimet e mëdha të fituara, apartamentin në kryeqytet, 2 makinat "Hyundai", si dhe çmimin e madh prej 130 milionë lekësh (të vjetra) që është ndarë ndërmjet dy fituesve, si dhe shumë çmime të tjera.

Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara informacionet e plota mbi fituesit e shpallur në shorteun e djeshëm të Telebingos. Ditën e mërkurë, në orën 12:00, fituesit mund të paraqiten për të tërhequr dhuratat dhe çmimet pranë zyrave të reja të Telebingo Shqiptare në adresën: Nacional sh.a. Rr. "Donika Kastrioti", mbrapa "Kullave Binjake", Vila 9/1.

 

E kujt është qeverisja: personale e Ramës apo e socialistëve?

Posted: 14 Jan 2019 01:51 AM PST

Nga Bedri Islami

Debati, në dukje konstitucional, në fakt shterp, se kujt i takon e drejta e emërimit të kabinetit qeveritar, la në hije faktin tjetër, që është, po ashtu, tejet i diskutueshëm dhe tek i cili është harruar ndalja.

Presidenti Meta dekretoi në grupin e dytë të miratimit të ministrave katër prej tyre, pasi më parë, duke mos pasur asnjë lloj arsyeja për shtyerje, kishte dekretuar katër deputetë, të cilët, për vetë pozicionin e tyre, ishin të patjetërsueshëm.

Tani, Anila Denaj, si ministre e Financave, Besa Shahini , si ministre e Arsimit, Belinda Balluku, si ministre e Energjisë dhe Elva Margeriti, si ministre e Kulturës, presin një akt më se formal, miratimin e tyre nga shumica qeverisëse, njëkohësisht parlamentare, pavarësisht se disa prej tyre kanë qenë e vazhdojnë të jenë krejt të panjohur. Kartonët do të ngrihen duke i dhënë dritën jeshile suportit të tyre qeveritar.

Të gjithë propozimet, së bashku me lëvizjet e tjera, ishin zgjedhje ekskluzive e shefit të qeverisë, Edi Rama, i cili, në parim ka edhe tagrin për të bërë ndryshimet e tij qeveritare. Njëra nga ministrat e ardhshëm, Besa Shahini , vjen nga shqiptarët e përtej Drinit, nga Kosova dhe ka qenë militante e Lëvizjes VV. Nga kjo lëvizje vjen edhe i pamandatuari në postin e ministrit të Jashtëm, dhe "molla e sherrit" qeveri – presidencë, Gent Cakaj.

Belinda Balluku ka qenë një funksionare e Bashkisë së kryeqytetit, kur drejtonte Rama dhe e njohur e vjetër e tij. Anila Denaj nga bota e financës, Elva Margeriti nga një funksion tjetër anësor. Nuk është e rëndësishme pozicioni i saj si këshilltare pranë qeverisë Rama, ashtu si nuk ka asnjë rëndësi për temën e këtij shkrimi rruga që kanë bërë anëtarët e rinj të kabinetit.

Rama, papritmas, i propozoi ata, kur asnjëri nuk e dinte dhe kur, si ndodh në politikën tonë, askush nga ajo sallë e madhe dhe me emër të madh, si Asamble Socialiste, nuk e dinte dhe që, kur kryeministri po lexonte emrat, disa i binin me bërryl njëri-tjetrit dhe pyetnin nëse i njihnin ministrat e rinj.

Askush nuk e mohon të drejtën e shefit të qeverisë për të bërë kabinetin e tij qeverisës. Ai e ka këtë tagër, por përtej këtij tagri dhe ndoshta i vendosur mbi të, është një e drejtë tjetër, e organit politik më të lartë që i ka deleguar të drejtën shefit të partisë për të qeverisur.

Të gjithë të emëruarit e momentit të dytë presidencial nuk kanë asnjë lidhje me strukturat e Partisë Socialiste. Ata kanë qenë, ndoshta edhe do të jenë, jashtë strukturave të saj. Do të jenë ndoshta nga të paktët përfaqësues qeveritarë të një force politike që nuk i takojnë. Nuk e di as nëse e njohin programin e saj politik dhe ekonomik, idenë fillestare të Rilindjes si koncept qeverisës, pengesat që ka pasur dhe gabimet e fajet që janë bërë; nuk e di nëse kanë dijeni se kush është në drejtimin e saj, ashtu si nuk e di nëse të gjitha, pesë vite më parë, kanë votuar për të.

Ideja se kryepushtetari politik dhe kryepushtetari qeverisës, duke qenë i njëjti, mund të bëjnë si të duan jashtë forumeve, për të cilat as nuk pyetin, e asfikson këtë të fundit. E bën të pajehonë, zëmbytur dhe të nënshtruar deri në rrënjë ndaj mendimit të çastit kryeministror, e nxjerr atë në jashtëlojën e pazakonshme dhe e bën apatike për vetë emrat e propozuar dhe për të cilët, pas pak ditësh do të duhet të votojnë.

Zgjedhjet parlamentare, qoftë pesë vite më parë, qoftë para një viti, askush, as edhe vetë Rama, nuk i ka fituar i vetëm. Miti se një njeri mund të bëjë gjithçka, pa ndihmën e strukturave, është kaq shumë i gabuar, sa që, vetëm kur bien nga fiku i pushtetit, e kuptojnë se sa të vetmuar janë.

Tepsinë e pushtetit e kanë fituar sëbashku, që nga votuesit e zakonshëm, deri tek militantët e shumtë dhe të heshtur.

Duke qenë e drejtë ekskluzive e kryeministrit është njëkohësisht edhe e drejta e strukturës politike që drejton dhe që është rropatur e ka bërë gjithçka që ka mundur për të fituar pushtetin.

Dështimi i ekipit qeveritar, nëse ndodh, nuk do të jetë vetëm ndëshkim i një njeriu, por i tërë forcës politike që e ka mbështetur atë dhe i ka besuar drejtimin.

Nëse gjysma e kabinetit është jashtë forcës politike ai mund të jetë lehtësisht një kabinet teknik, por jo i një force politike.

Përse ndodh kështu?

Ka shumë arsye, që nga ajo që përcakton saktësisht Bajroni në poemën e tij të famshme, "Çajld Harold", vetia e trashwgueshme e shqiptarëve për të shkuar nga i çon i pari i tyre, e deri tek ligji i tashëm elektoral, që shefin e partisë e bën brenda forcës së tij politike si njeriun që hedh shi e sjell  borë, që bën diellin dhe hënën dhe që, vetëm përmes tij mund të jesh dikush.

Kryetari i partisë është zoti që e bën partinë si të dojë e kur të dojë. Ai bën listat e deputetëve, vendos për kryetarët e ardhshëm të bashkisë, për ministra e zwvendës të tyre, ai i sjell ligjet dhe i ndryshon. Pra, ai është i plotfuqishmi që vendos. Të tjerat janë formalitete të padobishme për vetë konceptin e tyre politik.

Kështu kanë bërë të gjithë, kështu bën edhe Rama.

A kanë socialistët njerëz të aftë, figura të njohura qeverisëse dhe të pakonsumuara nga mëkatet e shumta?

Sigurisht, po. Kanë më shumë se sa për një qeveri. Kanë financiarë dhe ekonomistë të aftë, njerëz të dinjitetshëm që nuk pranojnë bjerrjen e ndergjegjes për hir të postit, kanë filozofë dhe dijetarë, kanë mjeshtër të politikës së jashtme dhe të kulturës, profesorë të shquar në fushën e arsimit, të cilët kanë hedhur atë rrënjë frymëzuese në radhët e socialistëve të moderuar.

Anashkalimi i tyre si një bjerrje kohe dhe vendosja në masë kaq të madhe të një rrjeti "asnjanës", kur është fjala për të zbatuar një program politik, mendjelehtësia me të cilën tejkalohen strukturat, të cilat, sipas statutit duhet të vendosin, befasia e emërimeve dhe e riciklimit politik e administraiv, të gjitha sëbashku e veç e veç, të çojnë drejt krijimit të një aureole, që mund të shembë statujën.

Asnjëhë lider i opozitës, edhe ata që ndjellin vdekjen e tij, edhe ata që e kërcënojnë se do e hedhin në Lanë, nuk kanë ngritur një ide për anashkalimin e forumit të partisë. Sepse, edhe më shpesh se vetë Rama, ata e bëjnë këtë. Mjafton të kujtosh kandidimet skandaloze të Bashës në zgjedhjet e qershorit të shkuar, ku listat pasi kalonin përmes familjes së tij, në tri a katër herë radhazi , dorëzoheshin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, çka e detyroi Genc Rulin të ulërinte për t'i nxjerrë jashtë me shkelma kunatin e gruan bashkëshortore të liderit opozitar.

Qeverisja, më parë se të jetë e Ramës, është e socialistëve.

Sa herë ai është mbështetur në këtë koncept, aq herë edhe i ka dalë për mbarë.

Sa herë e ka harruar atë ka pasur të papritura jo të dobishme në udhëtimin e tij politik.

Rama nuk e bëri, por e gjeti aradhën e socialistëve në pushtet.

Nuk e risolli i vetëm. Problemi madhor është që, nëse një ditë ai bie, mos të bjerë me të edhe gjithë ajo që është ngritur mundimshëm që nga viti 1991.

Certifikata për 16 të rinj që mbaruan internshipin në Bashkinë e Tiranës

Posted: 14 Jan 2019 01:42 AM PST

Të rinjtë që kanë mbaruar studimet e larta në nivelin Bachelor, Master Profesional ose Master Shkencor të grupmoshës deri në 28 vjeç, patën mundësi që ta nisin karrierën e tyre me një eksperiencë pune tre mujore në Bashkinë e Tiranës.

Projekti "Fillo me një ide – Fito një intership" synon që të rinjtë të zhvillojnë aftësitë e tyre analitike dhe kërkimore përmes konkurrimit me një projekt-ide ose studim në një nga fushat e veprimtarisë të Bashkisë së Tiranës. Në ceremoninë e certifikimit të 16 të rinjve në  përfundim të intership-it, kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi se shumë prej ideve të propozuara nga ata do të zbatohen në terren.

"Jam shumë i lumtur që patëm një grup fantastik djemsh dhe vajzash që bënë praktikën në Bashkinë e Tiranës. Lajmi i mirë është që disa prej tyre do të fillojnë punë në Bashkinë e Tiranës, por lajmi akoma më i mirë është që disa nga idetë që na erdhën nga të rinjtë dhe studentët që bënë praktikën këtu, janë përkthyer në buxhet, dhe do të kemi ndërhyrje direkte në terren, bazuar mbi këto projekte", tha ai.

Aplikantët kishin mundësi të përgatisnin dhe të dorëzonin një propozim të plotë teknik dhe financiar të projektit, si dhe të përfundonin studimin gjatë intership-it, duke bashkëpunuar nga afër me stafin e bashkisë. "Disa janë ndërhyrje në infrastrukturë e urbanistikë, të tjera kanë të bëjnë me softëare dhe zhvillim programesh. Kurse disa të tjera kanë të bëjnë me një ndërthurje të punës së infrastrukturës me aplikacione, ose ndërveprime për qytetarët, që u jep atyre më shumë akses në mënyrën sesi funksionon qyteti. Ajo që më pëlqeu më shumë është se për herë të parë nuk pashë vetëm projekte në infrastrukturë, por edhe në çështjet sociale, kryesisht që kanë të bëjnë me bullizmin, emancipimin, vullnetarizmin, me atë që ne themi shpesh është distanca 10 centimetra, nga njëri vesh tek tjetri, ku është gjithë mentaliteti ynë, dhe gjithë vlerat tona në mënyrën sesi e shohim qytetin", theksoi Veliaj.

Në përfundim të intershipit, 5 prej projekteve dhe studimeve do të zbatohen nga drejtoritë përkatëse, ndërsa disa aplikantë janë në proces konkurrimi për t'u bërë pjesë e stafit të Bashkisë së Tiranës. Thirrja për intership-et e reja në Bashkinë e Tiranës do të hapet sërish pas dy muajsh. "Nëse doni të jeni një prej studentëve të shkëlqyer të Tiranës, jo vetëm në nota, por edhe në aktivitete, në pasionin për të bërë gjëra të bukura në qytet, që do t'i bashkohet skuadrës së Bashkisë së Tiranës në muajin mars, nxitoni të përgatisni rezymenë tuaj, një ide konkrete që Bashkia duhet ta zbatojë, dhe të filloni një rrugëtim bashkë me ne, që ndoshta përfundon si pjesë e stafit tonë, ose si dikush i çmuar në këtë qytet që në bashkëpunim me Bashkinë pas kësaj eksperience zbaton në terren projektin e vet", u shpreh Veliaj.

Programi i intership-it synon të përzgjedhë një numër të caktuar projekt-idesh dhe studimesh që do të përfshihen në planet vjetore të njësive organizative dhe do të zbatohen prej tyre.

o.j/dita

Arsyet e shpeshta pse shtojmë në peshë

Posted: 14 Jan 2019 01:35 AM PST

Shtimi në peshë mbetet ende një problem në rritje i botës së zhvilluar. Kjo vjen si jo vetëm si rezultat i marrjes së kalorive në sasi më të mëdha, sesa ato që shpenzojmë, por edhe nga ulja e aktivitetit fizik, gjë e cila po ashtu ndikon në pakësim të kalorive të shpenzuara. Janë një sërë faktorësh që ndikojnë në shtimin e peshës, veçanërisht faktorët e stilit të jetesës. Mjekja Ilda Xhelili tregon në vijim të shkrimit arsyet më të shpeshta që ndikojnë në shtimin e peshës, ndërlikimet që shfaqen, si dhe këshillat që ndihmojnë në mbajtjen e një peshe të shëndetshme.

Mungesa e gjumit

Një ndër faktorët që ndikon më së shumti në shtimin e peshës është mungesa e gjumit të mjaftueshëm. Duket sikur gjatë gjumit nuk djegim kalori, por në fakt kjo nuk qëndron. Gjatë gjumit trupi ynë ushtron një aktivitet të plotë, edhe pse digjen më pak kalori se sa gjatë aktivitetit të përditshëm, apo gjatë aktivitetit fizik. Gjithashtu, edhe ndryshimet biokimike nga privimi i gjumit favorizojnë urinë, duke bërë që të hamë më shumë se zakonisht.

Stresi

Në ditët e sotme një faktor tjetër mjaft problematik që ndikon në shtimin e peshës është edhe stresi. Madje duhet të theksoj se stresi është një faktor i rëndësishëm i shtimit në peshë. Kjo pasi prania e situata stresuese ndikon në çlirimin e hormonit "kortizol", që njihet edhe si hormoni i stresit. Kortizoli shton urinë dhe për pasojë do të hamë më shumë se normalisht kur nuk përjetojmë situata stresi.

Medikamentet

Medikamentet kundër depresionit kanë si efekt anësor shtimin në peshë. Ndërkohë që pacientë të tillë nuk duhet të ndërpresin në asnjë mënyrë mjekimin vetë, është mirë të bisedojnë me mjekun e tyre për një dietë të shëndetshme dhe aktivitetin e mundshëm fizik. Po ashtu, edhe medikamentet kortizonikë, janë shkaktarë të njohur të shtimit në peshë. Kjo pasi këto medikamente mbajnë lëngjet në organizëm, por mund të shkaktojnë edhe një ndryshim të përditshëm në shpërndarjen e yndyrës trupore, kryesisht duke e shtuar në zonën e fytyrës, qafës ose barkut. Në këto raste, sasia e shtimit në peshë varet si nga doza e mjekimit, ashtu edhe nga kohëzgjatja e tij.

Ndikimi i gjëndrës tiroide

Aktiviteti i ulët i gjëndrës tiroide (hypotireoza) është një arsye tjetër që favorizon shtimin në peshë. Niveli i ulët i hormoneve të tiroides çon në uljen e metabolizmit duke rritur mundësinë e shtimit në peshë. Hypotireoza trajtohet mjaft mirë me medikamente duke zvogëluar kështu edhe mundësinë e shtimit në peshë.

Menopauza

Menopauza për gratë mund të çojë në mbipeshë, kjo sepse procesi i plakjes ul metabolizmin prandaj, në këtë periudhë është mjaft e rëndësishme që gratë të bëjnë kujdes me ushqyerjen, teksa këshillohet që të shtojnë aktivitetin fizik (sigurisht në varësi të gjendjes individuale shëndetësore). Gjatë menopauzës rriten edhe gjasat e grumbullimit të yndyrës në zonën e barkut dhe të belit.

Cistet në vezore

Femrat që vuajnë nga sindromi i ovarit policystik (cyste në vezore) rrezikohen nga shtimi në peshë, i cili tenton të jetë kryesisht në zonën e barkut, duke rritur edhe rrezikun për sëmundjet e zemrës. Gjatë këtij sindromi, kemi çrregullime të tilla hormonale që mund të çojnë në shtimin e qimeve në fytyrë dhe zona të tjera të trupit, por edhe në rritjen rezistencës ndaj insulinës. Rritja e rezistencës insulinike fut më pak glukozë në qeliza duke favorizuar shfaqjen e diabetit, por edhe shtimin në peshë.

Lënia e duhanit

Një shtim të vogël në peshë mund të marrin edhe personat që lënë duhanin. Arsyet janë të ndryshme. Mungesa e nikotinës në gjak mund të stimulojë ndjenjën e urisë, por ky efekt zhduket pas disa javësh. Mungesa e nikotinës mund të favorizojë edhe uljen e metabolizmit, por edhe kjo kalon me kohë. Njerëzit që ndërpresin duhanin kanë tendencë të hanë shpesh karamele ose ëmbëlsira të tjera, si të thuash për të zëvendësuar vesin e pirjes së duhanit. Por tashmë  dihet që konsumimi i tepërt i karbohidrateve luan rol të madh në shtimin në peshë.

Çfarë duhet të keni parasysh nëse shtoni në peshë?

Së pari, nëse mbipesha vjen si rezultat i efekteve anësore të medikamenteve që merrni duhet të konsultoheni me mjekun që trajton sëmundjen. Mos ndërprisni kurrë medikamentet pa këshillën e mjekut, pasi medikamentet mund të jenë thelbësore për shëndetin dhe mirëqenien tuaj, përveçse mund të jenë edhe jetike. Një tjetër këshillë që duhet t'i kushtoni shumë vëmendje është edhe vlerësimi i efekteve anësore të ilaçeve. Në asnjë rast, efektet anësore të medikamenteve nuk duhet t'i krahasoni me persona të tjerë sepse ato janë të ndryshme për persona të ndryshëm. Mos u frikësoni nëse merrni peshë për llogari të mbajtjes së ujit, siç ndodh në rastin e medikamenteve kortizonike. Ky efekt mund të zvogëlohet me kalimin e kohës, si edhe të kalojë plotësisht me ndërprerjen e mjekimit nga ana e mjekut.

Si mund të shmanget ndryshe mbledhja e lëngjeve në trup?

Ndërkohë, mund të shmangni mbajtjen e lëngjeve duke ndjekur një dietë të ulët natriumi (kripe) pasi kripa është ajo që lidh ujin. Përdorimi i pakët i kripës është po ashtu një ndihmesë e madhe për shëndetin, pasi kontribuon në mbajtjen larg të shumë sëmundjeve, e veçanërisht atyre kardiovaskulare.

Sa i takon stilit të jetesës çfarë mund të rekomandojmë?

Nëse shtimi në peshë vjen si rezultat I ngadalësimit së metabolizmit siç ndodh për shembull me kalimin e moshës, mundohuni të nxisni metabolizmin tuaj. Plakja është një proces fiziologjik, i detyrueshëm për të gjithë përderisa jetojmë, ndaj mos u frikësoni, por hani shëndetshëm, qëndroni larg yndyrave dhe sheqernave, si edhe ajo që është më kryesore, shtoni aktivitetin fizik në përputhje me situatën individuale shëndetësore. E rëndësishme është që ato kalori të cilat i marrim nëpërmjet ushqyerjes, t'i djegim për të mos lejuar grumbullimin e shtresave yndyrore që janë të dëmshme për shëndetin, por edhe të pakëndshme nga ana estetike.

Këshilla për ushqyerje të  shëndetshme

  • Konsumo një dietë ushqyese të bazuar në ushqime të ndryshme me origjine kryesisht bimore se sa shtazore.
  • Konsumo bukë , drithë ra, oriz, ose patate disa herë në ditë.
  • Konsumo varietete zarzavatesh e frutash disa herë në ditë (se paku 400 gram në ditë ).
  • Mbaj peshën trupore në limitet e rekomanduara (një IMT te 20-252) duke mbajtur nivele të moderuara të aktivitetit fizik, çdo ditë.
  • Mbaj në n kontroll konsumin e yndyrave (jo më shumë se 30% të energjisë ditore) dhe zëvendëso yndyrat më të saturuara me vajrat vegjetale të pasaturuara ose margarina të lehta.
  • Zëvendëso mishin me dhjamë dhe prodhimet e mishit me bizele, bishtajore, thjerrëza, peshk, pule ose mish pa dhjamë .
  • Përdor qumësht dhe nënproduktet e tij (qumësht të prerë, salce kosi, kos dhe djathë) që kanë sasi të pakta yndyre dhe kripe.
  • Zgjidh ushqime që janë me përmbajtje të paket sheqeri, dhe konsumo sheqer të përpunuar dhe me kursim, duke limituar frekuencën e pijeve me sheqer dhe ëmbëlsirave.
  • Zgjidh një diete me sasi të pakë t kripe. Konsumi total i kripë s nuk duhet të jetë më shumë se një luge çaji (6 gr) në ditë duke përfshirë kripen në buke dhe ushqimet e konservuara, e te përpunuara.
  • Në se konsumoni alkool, konsumi limit duhet të jetë jo më shumë se 2 pije (secila të përmbajë 10 gr alkool) në ditë.
  • Përgatitni ushqimin në mënyre të sigurt dhe higjienikisht pastër.

DITA

Vjedhja te “Pashalimani”, burg për 4 ushtarakët

Posted: 14 Jan 2019 01:20 AM PST

Gjykata e Vlorës ka caktuar masën "arrest me burg" këtë të hënë, për 4 ushtarakët që dyshohet se janë të përfshirë në vjedhjen e materialeve ushtarake në bazën e Pashalimanit, ditën e premte.

Ardit Ramaj, Lesko Ramosaço, Edlir Nelaj dhe Ervis Memsullaj janë ushtarakët që janë lënë në burg si të akuzuar për shpërdorim detyre.

Të premten u vodh depoja e armëve në bazën ushtarake të Pashalimanit në Vlorë.

Atje u vodhën armë të llojeve të ndryshme dhe ushtari që duhej të ruante armët nuk gjendej në vendin e punës në momentin që ndodhi grabitja.

Tre armë automatike, por edhe granata janë vjedhur.

o.j/dita

Prokurorja Alma Muça kalon Vettingun

Posted: 14 Jan 2019 01:02 AM PST

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë prokuroren nw Prokurorinë e Përgjithshme Alma Muça.

KPK ka konstatuar se prokurorja në Prokurorinë e Përgjithshme Alma Muça nuk ka probleme me deklarimin e pasurisë, nuk gjendet në situatë të konfliktit të interesit, si dhe mbart aftësi profesionale.

Prokurorja Alma Muça u pezullua në shkurt të vitit 2017 nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla. Ndaj saj nisi hetimi për shkak të qëndrimit të dyshimtë që ka mbajtur në Gjykatën e Lartë, ku po shqyrtohej rekursi për një ngjarje të rëndë në Vlorë, ndodhur në vitin 2015, ku mbetën të vdekur 3 persona pas një konflikti të armatosur. Bëhet fjalë për masakrën e Coles. Në media gjithashtu qarkulloi një lajm se prokurorja Alma Muça sëbashku me një prokuror ka favorizuar ndryshimin e akuzës dhe për këtë u bë dhe një padi për ta pasi familjarët e të pandehurit i akuzuan për korrupsion.

Në total ka patur tre denoncime për të për afera korruptive, por DSIK ka konstatuar se nuk ka fakte për akte korruptive nga ana e subjektit e kësisoj e deklaron të përshtatshme për të vazhduar detyrën.

o.j/dita

Nuk është vetëm Bode, shikoni Rominën e Mediut

Posted: 14 Jan 2019 12:54 AM PST

 

I nderuar zoti kryeredaktor

Në kohën kur ka shpërthyer debati midis presidentit Meta dhe kryeministrit Rama për një zëvendësministër që propozohet në një pozicion kyç të qeverisë ajo që vihet re është goditja që u bëhet socialistëve dhe ekspertëve të përgatitur të saj duke i nxjerr nga loja e qeverisjes dhe duke promovuar personazhe të panjohur dhe pa lidhje me institucionet ku emërohen.

Pak ditë më parë pamë se si Ridvan Bode nëpërmjet propozimit të Ramës dhe votës së deputetëve të Rilindjes të vendoset në bordin e Bankës së Shqipërisë. Më pas pamë se si ministra anonimë dhe pa asnjë lidhje me të majtën dhe pa eksperiencë marrin pozicione kyçe. Po ju tregoj vetëm një rast se si është nëpërkëmbur dinjiteti i socialistëve dhe kush vihet në drejtim të shtetit. Shikoni zëvendësministren e Brendshme, zonjën Romina Kuko.

Ajo e ka nisur karrierën e saj në vitin 2006 pranë Ministrisë së Mbrojtjes, në Drejtorinë e Integrimit Euro-Atlantik ku ka qenë Desk-Officer për Europën Qendrore dhe Europën Juglindore. Kujtojmë atë kohë që PS sapo kishte humbur zgjedhjet dhe nga administrata po largoheshin të gjithë socialistët.

Zonja Kuko si një investim personal i Fatmir Mediut u afrua në ministri dhe kësaj kohe kishte vëmendjen e posaçme të zotit Mediu. CV zyrtare e zëvendësministres e vërteton këtë ndërsa nga ana tjetër shteti i ndërtuar nga zero nga socialistët po çmontohej dhe në punë po futeshin militantë të PD.

Po ju jap informacion të sigurt se zonja Kuko u katapultua direkt nga Mediu në administratë. Pasi zoti Mediu dha dorëheqjen për shkak të shpërthimit në Gërdec, edhe zonja Kuko nuk qëndroi gjatë dhe u largua për në zyrën e OSBE, dhe atje me ndërhyrjen drejtuesve të PD për shkak të lidhjeve të saj me atë parti.

Më pas ajo propozohet si zëvendësministre e Brendshme, dhe i lihet një sektor që ajo as nuk ia ka haberin, siç është pushteti vendor.

Ky është nj rast tipik se si njerëzit me lidhje të forta me njerëz të opozitës kanë depërtuar në pikat kyçe të qeverisë ndërsa ekspertët socialist janë degdisur si delja e zezë nën qeverisjen e Edi Ramës.

Me respekt për ju dhe Ditën, Aliu

 

Kishte shkuar për të marrë ushqime, gjendet i ngrirë 53-vjeçari

Posted: 14 Jan 2019 12:49 AM PST

Një tjetër viktimë është shënuar nga i ftohti në Pogradec.

Mësohet se një person ka humbur jetën në fshatin Selcë e Sipërme. Viktima është Ajet Zikollari 53-vjeç.

Sipas banorëve të zonës, Zikollari kishte shkuar për të marrë ushqime për familjen me një gomar në Proptisht, por nuk ishte kthyer.

Familjarët dhe të afërmit e tij nisën kërkimet, pasi 53-vjeçari nuk ishte kthyer prej dy ditësh. Pasditen e djeshme ai është gjetur i ngrirë në dëborë.

o.j/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more