Skip to main content

“Spartak Braho: Enveri, Mehmeti… dhe Berisha me Finon” plus 9 more - Gazeta Dita

“Spartak Braho: Enveri, Mehmeti… dhe Berisha me Finon” plus 9 more - Gazeta Dita


Spartak Braho: Enveri, Mehmeti… dhe Berisha me Finon

Posted: 06 Dec 2018 02:29 AM PST

Rikthehet deputeti Spartak Braho në faqet e gazetës DITA për të vazhduar rrëfimin e tij për ngjarjet tragjike të vitit 1997. Cikli i tij i parë i intervistave nga fundi i tetorit deri në mesin e nëntorit, ngjalli interes të veçantë tek lexuesit tanë, prandaj dhe e pamë të arsyeshme ta vazhdojmë këtë rrëfim, duke sjellë fakte, dokumente dhe dëshmi të reja.

Dje, zoti Braho na solli një sasi tjetër dokumentesh tronditëse të  asaj kohe, të cilat nuk kanë nevojë për koment. Po fillojmë sot me disa prej tyre për të vazhduar në ditët në vijim.

Këto dokumente që po botojmë sot janë interesante në kontekstin historik. Duke lexuar një urdhër të Sali Berishës në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe anulimin që ika bërë brenda së njëjtës ditë ish-Kryeministri i qeverisë së Pajtimit Kombëtar, Bashkim Fino, gjithkush ka të drejtë të pyesë: Si është mundur të ndodhë kështu? Por ja që kështu ka ndodhur. Merret lehtësisht me mend se gjithçka, si urdhri i mobilizimit nga shefi i madh i ushtrisë dhe kundër-urdhri për të mos e zbatuar atë, kanë ndodhur brenda pak orësh. Presidencën nga zyrat e qeverisë i ndajnë jo më shumë se 500 metra. Nënteksti lehtësisht i lexueshëm është ky: Presidenti dhe Kryeministri nuk merreshin vesh me njëri-tjetrin. Nuk komunikonin as në telefon. Më se normale për atë kohë.  Sepse kriza e madhe që kishte pllakosur vendin më së pari reflektohej në institucionet më të larta të shtetit, midis Presidencës dhe Kryeministrisë. Pse duhej të urdhëronte Komandanti i Përgjithshëm rrethimin e Tiranës? Nga kush kishte frikë?

Gjatë bisedës së djeshme me Spartak Brahon, jo pa qëllim ai kujtoi një komunikim midis Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut në tetor-nëntor 1944. Si Enveri dhe Mehmeti ishin në një mendje që Tirana të çlirohej me çdo kusht nga pushtuesit nazistë. Pse në vitin 1997 Sali Berisha kërkonte rrethimin e Tiranës? Që të ruante pushtetin apo pushtimin e tij të Tiranës?

Gjithsesi ishin ditët e fundit të pushtetërimit të tij. Dhe Tirana pas pak ditësh u çlirua pa kushte nga pushteti i tij.

 Ja biseda që bëra dje me deputetin Braho:

– Zoti Braho, me sa shoh, edhe këto dokumente kanë të bëjnë me ngjarjet e përgjakshme të vitit 1997. Pse këmbëngulni aq shumë në ngjarjet e asaj kohe?

– Nuk ka këmbëngulje, miku im, ka një qëndrim në raport me një situatë të caktuar e cila kurrsesi nuk duhet toleruar. Nëqoftëse shumë shqiptarë e kanë harruar vitin 97, unë kam një bindje të palëkundur se ai vit ka qenë një ndër vitet më të zinj të Shqipërisë. Ajo tragjedi kombëtare që kemi përjetuar, jo vetëm nuk është zbardhur edhe pas më shumë se 21 vitesh, por nuk kemi asnjë të ndëshkuar nga përgjegjësit e asaj tragjedie. Mua si jurist, si deputet dhe si qytetar më trondit ky fakt. Duke patur në arkivin tim këto dokumente (që në të vërtetë janë dhe në institucionet përkatëse të shtetit), do të më rëndonin përjetësisht në ndërgjegje po të mos i bëja të ditura për opinionin e gjerë. Ja, kjo është arsyeja që po i bëj publike. Më mirë vonë se sa kurrë, thotë një fjalë e urtë.

– E pranoj këtë logjikë. Sot ne do të botojmë në DITA urdhrin e ish-Presidentit Sali Berisha të datës 1 korrik 1997 për bllokimin nga policia, garda dhe ushtria të Tiranës. Ndërkohë kemi dhe urdhrin tjetër në të njëjtën ditë nga Kryeministri Bashkim Fino që bën zero urdhrin e Presidentit. Dukej se diçka nuk shkonte ndërmjet institucioneve kryesore të shtetit në atë kohë, apo jo?

– Kjo është plotësisht e lexueshme dhe nuk ka nevojë ta pohoj unë. Lexoni të dy urdhrat dhe gjithçka është e qartë. Por, mos harroni: ishte data 1 korrik 1997. Saliut i kishte rrëshqitur toka nën këmbëdhembas disa ditës, do të jepte dorëheqjen. Fakti që Bashkim Finua anulon një urdhër të Presidentit është shumë domethënës. Jo vetëm se Finua ishtre socialist dhe Saliu demokrat. Po se në ç'situatë ishte Shqipëria e asaj kohe… Duke riparo këto dokumente, që kanë të bëjnëme Tiranën, më kujtohet letërkëmbimi i Enver Hoxhës me Mehmet Shehun në tetor-nëntor 1944. Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë, pra Enveri, i cili kishte caktuar Mehmetin për të udhëhequr betejën për çlirimin e Tiranës, urdhëronte nga Berati: "Tirana të çlirohet me çdo kusht!". Kam lexuar dokumentet e kohës dhe kam vënë re se Mehmeti, të gjitha urdhrat luftarakë i mbyllte me fjalët: "TIRANA DO TË ÇLIROHET ME ÇDO KUSHT!". Pra kishte një harmoni të mirëkuptueshme midis Enverit dhe Mehmetit. Pavarësisht se të gjitha krahasimet çalojnë, bëni krahasimin midis urdhrave të Enverit dhe reagimit të Mehmetit në vitin 1944, dhe urdhrit të Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Sali Berisha në vitin 1997 dhe Kryeministrit Bashkim Fino. Finua me të drejtë refuzon dhe anulon një urdhër të Komandantit të Ushtrisë. Shumë mirë ka bërë! Por, përfytyroni sikur Mehmeti të kundërshtonte urdhrat e Enverit në vitin 1944? Çfarë katastrofe do të ishte bërë…

– Zoti Braho, a do të kemi surpriza të tjera gjatë këtij cikli të dytë intervistash?

– Po. Patjetër. Do të sjell dokumente që vërtetë janë tronditëse. Janë emra konkretë dhe situata të paimagjinueshme. Se çfarë përbajnë ato, do ta mësoni në ditët në vijim…

– Edhe një pyetje të fundit për sot: Si e përcollët ceremoninë shtetërore për rivarrimin e eshtrave të Mit'hat Frashërit në Tiranë?

– Është pak të them se e përcolla me trishtim. Me indinjatë po, si të gjithë veteranët antifashistë, si gjithë socialistë. Ua kam deklaruar qëndrimin tim kundër para se të bëhej kjo ceremoni. Ishte krejtësisht e panevojshme të provokoheshin ndjenjat e popullit me një gjest të tillë. Me pak fjalë, mund të them se nderimi i një kryekolaboracionisti të pushtuesve fashistë si Mit'hat Frashëri do t'i kushtojë rëndë kësaj qeverie.

Intervistoi dhe përgatiti botimin Xhevdet Shehu

 

Studentët në protestë/ Bidona dhe letra drejt Ministrisë së Arsimit

Posted: 06 Dec 2018 02:24 AM PST

Në ditën e dytë të protestës së tyre, Studentët e Universiteteve Publike  protestojnë  kundër vendosjes së tarifave për provimet e mbartura.

Pas bashkimit të studenteve nga të gjithë fakultetet dhe marshimit të tyre në Bulevardin 'Dëshmorët e Kombit', studentët kanë mbërritur tek godina e Ministrisë së Arsimit. Përveç Tiranës, protestohet edhe në Universitetet e Durrësit, Elbasanit, Korçës. Në Shkodër nuk protestohet sot, por është parashikuar të protestohet nesër në orën 11:00.

Pavarësisht thirrjeve e megafon për të mos hedhur objekte në drejtim të godinës së Ministrisë, disa studentë kanë hedhur vezë dhe letra higjienike.

Me thirrjet "ne nuk jemi bankomat", "S'ka më heshtje, s'ka më pritje" studentët e bashkuar kërkojnë përgjysmim të tarifave dhe heqjen e tarifave shtesë për provimet e mbartura. Studentët thonë se do ta vijojnë protestën e tyre dhe nuk do të dorëzohen deri sa të plotësohen kërkesat e tyre.

Këshillat Studentore të Universiteteve Publike i janë drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ku paraqesin 4 kushtet e tyre. Ata i kanë lënë afat Ministrisë së Arsimit deri në orën 16:00 të ditës së sotme që të kthejë përgjigje për kërkesat e tyre.

"Vendimi për tarifat është i padrejtë dhe diskriminuese. Ne jemi njerëz elitarë dhe presim mirëkuptim. Ne presim që të ulemi në tryezë dhe të diskutojmë. Kemi kërkuar të takohemi me ministren e Arsimit. Protesta jonë nuk do ndalet. Ne do kalojmë në demonstratë. Kjo është një protestë studentore dhe nuk është politikë. Politikën nuk e bëjmë ne"- thotë një nga studentët.

"Kjo protestë do të dalë mjaft mirë sepse jemi të bashkuar dhe kemi të njëjtin qëllim. Qëllimi jonë është të anulohet vendimi i VKM për të paguar edhe taksën edhe kreditet. Nëse Ministrja nuk plotëson kërkesat tona ne nuk do ndalemi"- thotë një tjetër student.

Veliaj e nis ditën me një kafe me banorët te “Astiri”: Konsensus që projekti i Unazës do të bëhet

Posted: 06 Dec 2018 02:12 AM PST

Dita e punës sot ka nisur ndryshe për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Ai zgjodhi që kafen e mëngjesit ta pijë me banorë të zonës së Astirit, të cilët kanë filluar tashmë që të lirojnë vetë ndertesat e tyre pa leje dhe t'i hapin rrugë projektit të zhvillimit të Unazës së Madhe. "Ishte një kënaqësi e veçantë që takoja të gjithë miqtë këtu në "Astir" e ta filloja ditën me një kafe dhe një raki të mirë "Skrapari".

Siç u takuam me miqtë nga Tropoja, sot me miqtë nga Tepelena, Korça, Skrapari, sepse besoj që është shumë e rëndësishme të gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe ajo që kemi një konsensus sot, siç patëm me miqtë nga Tropoja, Kukësi e Dibra, ashtu edhe me tepelenasit, skraparllinjtë  e korçarët është që ky projekt duhet të vijojë dhe ne duhet të ecim përpara me zhvillimin e Tiranës", tha Veliaj.

Teksa falenderoi banorët që janë distancuar nga politika dhe kanë filluar që të zbrazin vullnetarisht objektet që janë në gjurmën e Unazës së Madhe, Veliaj theksoi se ky projekt nuk do të ndalet.

"Dua t'i falenderoj për bashkëpunimin. Shumica prej tyre kanë zbrazur vetë vullnetarisht të gjithë asetet  që kanë, dyqanet apo shtëpitë që do preken nga projekti. Dua të falënderoj masivisht banorët e "Astirit" që janë distancuar nga politika. Secili po shikon hallin e vet, të familjes së vet, që të zgjidhë punët e veta. Politika i ka zgjidhur punët e veta, ndaj jam shumë i kënaqur sot për këtë bashkëpunim. Unë besoj që para Vitit të Ri kjo punë do të ketë marrë fund dhe për të gjithë ata që besojnë që mund ta pengojnë qytetin ose mund t'i përdorin protestat si "mish për top" për interesat e tyre politike e kanë davanë e humbur", u shpreh Veliaj.

o.j/dita

“Mafia më e zgjuar se klanet arabe”

Posted: 06 Dec 2018 02:06 AM PST

Policia ndërmori në Gjermani dhe në një sërë vendesh të tjera një goditje të gjerë kundër 'Ndraghetas. Ekspertja e mafias, Petra Reski deklaron se pse ka qenë kaq e pasuksesshme lufta deri tani.

DW: Zonja Reski, sa i madh është problemi i mafias në Gjermani?

Reski: Problemi është masiv, dhe kjo vlen që prej 40 vjetësh. Unë habitem vetëm që në Gjermani kanë rënë në një gjumë të thellë, prej të cilit herë pas here zgjohen, kur ndërmerret një e ashtuquajtur goditje e madhe kundër mafies, por përndryshe nuk ndryshohet asgjë në boshllëqet ligjore, përmes të cilave rrëshqet mafia.

Pse kërkon mafia pikërisht Gjermaninë?

Mafia preferon të shkojë atje ku funksionon më mirë ekonomia dhe ja që Gjermania është i vetmi vend në Evropë, ku ekonomia vërtet zhvillohet me dinamizëm. Prandaj Gjermania është jashtëzakonisht interesante për mafien. Projekte të mëdha publike ndërtimi, për shembull, në Itali thuajse nuk ka më. Por ato ekzistojnë në Gjermani dhe atje merret pjesë me dëshirë.

Ç'pamje kanë këto biznese të errëta?

Le të marrim mafien e ndërtimit, aty kemi kompanitë guackë, kemi punëtorët ilegalë, përdoren materiale me cilësi të dobët. Por në Gjermani mafia nuk quhet fare mafie në gjyq, por si sipërmarrje që punon me mjete ilegale

Kjo do të thotë se besoni që në Gjermani në shumë gjëra ka depërtuar mafia, gjë që nuk është fare e njohur?

Në mënyrë të qartë. Ky nuk është supozimi im personal, por këtë e sugjerojnë dokumentet e hetimeve.

Policia dha tani goditje në shumë vende. Si janë këtu lidhjet e mafies?

'Ndrangheta ka përparësinë e madhe organizative, që mund të ndërtojë klane lokale. Ajo është e përhapur në të gjithë botën, praktikisht nuk ka asnjë vend ku nuk është e pranishme. Në klane nuk pranohen vetëm anëtarë të familjes, por 'Ndrangheta mbështetet gjerësisht në farefisni me lidhje gjaku. Kjo ka për të përparësinë e madhe që të afërmit me lidhje gjaku nuk e tradhtojnë kaq lehtë njëri-tjetrin,

Çfarë duhet bërë për ta ndaluar punën e mafies në Gjermani?

Duhen bërë ligje për të qenë dhe nuk duhet të mbyllen sytë. Nuk kam dëgjuar ndonjë politikan gjerman që ta ketë përmendur ndonjëherë fjalën mafie, ose e ka përmendur vetëm njëkohësisht me fjalën "zonë tërheqjeje". Pra për të thënë që në Gjermani mafiozët çlodhen nga veprat e tyre, por nuk bëjnë gjë. Kjo nuk ka qenë asnjëherë e vërtetë.

E kam fjalën për ligje si ai i larjes së parave. Ndryshe nga Italia, ku investitori duhet të dëshmojë se paratë e tij vijnë nga burime të pastra, në Gjermani polici duhet të vërtetojë se paratë vijnë nga burime të papastra. Veç kësaj, hetimet pa shkas konkret, pra vetëm në bazë të dyshimit, nuk lejohen. Policia duhet të ketë leje nga prokuroria që të hetojë. Kjo është natyrisht një ftesë. Këtë e thotë çdo prokuror italian i antimafias.

Policia në Gjermani po vepron ndërkohë më fort kundër klaneve arabe. A ka paralele me mafian italiane?

Në rastin e klaneve arabe, ndryshimi konsiston në atë që ata janë të dhunshëm në mënyrë masive dhe të pranishëm optikisht, dhe kjo natyrisht që e shqetëson qytetarin e zakonshëm gjerman. Prandaj edhe politikani është i interesuar që të veprojë kundër tyre, për të krijuar profil si dikush, që ka sukses kundër këtyre klaneve. Kurse mafia italiane, e cila ka përvojë shumë më të gjatë, nuk është kaq budallaqe, që të bjerë në sy me akte dhune si makina të hedhura në erë, por vepron në mënyrë shumë më të zgjuar dhe prandaj kalon më mirë me politikën.

*Gazetarja gjermane dhe shkrimtarja Petra Reski ka shkruar disa libra tematikë dhe romane për mafian. Ajo jeton në Itali./Deutsche Welle

Agjenti i Hysajt “tremb” Napolin: Mbrojtësi mund të largohet në janar

Posted: 06 Dec 2018 01:54 AM PST

Aktivizimi i pakët i Elseid Hysajt dhe paraqitjet e tij mesatare nën drejtimin e trajnerit Karlo Anceloti, po shtyjnë gjithmonë e më shumë futbollistin e kombëtares shqiptare të mendojë transferimin e shpejtë.

Pas 3 javësh hapet merkatoja e janarit, ku skuadrat në mbarë Europën mendojnë për të bërë meremetimet e duhura, për të ndryshuar në gjysmën e mbetur të sezonit, dhe pretendentë për shkodranin nuk mungojnë.

Agjenti i Elseid Hysajt, la të kuptohet se futbollisti i përfaqësuar prej tij mund të largohet shpejt nga skuadra jugore.

"Në Champions Ancelotti ka vendosur që të luajë me Maksimoviç, por këtë zgjedhje duhet ta kuptojmë dhe nuk duhet të krijojmë polemika me trajnerin. Por askush nuk mund të thotë që papritur Hysaj u bë një lojtar mediokër. Po flasim për rinovimin e tij dhe kur koha të jetë e duhur mund të ndodhë. Por nuk është e thënë që të qëndrojë në Napoli, pasi ka një klauzolë që e lejon të largohet që në Janar", tha agjenti i futbollistit shqiptar.

Mario Giuufreddi shtoi në këtë mënyrë presionin te Napoli për të menduar më shumë mbi lojtarin kuqezi. Elseid Hysaj kërkohet nga Chelsea që është gati të ofrojë deri në 50 milionë Euro.

o.j/dita

Kometa e Krishtlindjes i afrohet Tokës

Posted: 06 Dec 2018 01:45 AM PST

Një javë para afrimit me Tokën, kometa e Krishtlindjes ka nisur tashmë spektaklin në qiell.

Pavarësisht se bërthama e saj ka një diametër prej vetëm një kilometër, reja që rrethon është kaq e madhe sa arrin përmasat e Hënës së plotë.

Sipas astronomëve kometa po rrit dita ditës shkëlqimin e saj për dy arsye kryesore. Sepse po i afrohet gjithnjë e më tepër planetit tonë, por njëkohësisht edhe Diellit.

Distanca më e shkurtër me yllin tonë sipas përllogaritjeve pritet të verifikohet në 12 Dhjetor, ndërsa ajo me Tokën do të jetë në 16 Dhjetor, me rreth 12 milionë kilometra dhe do të mund të vrojtohet me sy të lirë.

Në netët kur kometa do të jetë më pranë nesh mund ta kërkojmë në yjësinë e Demit, që pozicionohet në lindje gjatë perëndimit të Diellit, ndërsa në mesnatë do të jetë lart në qiell në kalimin e saj mes yjësive të Balenës, Eridanit dhe Aurigës.

 

o.j/dita

Lubonja, Astiri dhe opozita

Posted: 06 Dec 2018 01:37 AM PST

Bedri Islami

Lajmi i ditës së djeshme, i cili u përhap thuajse në të gjitha mediat, se analisti Fatos Lubonja ka qenë mes protestuesve banorë të Astirit, së bashku me thirrjen e tij për përmbysjen e qeverisë Rama, zgjoi interes për atë pjesë që e mbështet atë sot dhe që e ka urryer disa vite më parë.

Lubonja është një ish i burgosur politik i kohës moniste, pjesë e së cilës ishte dhe kundërshtar i të cilës e bënë.

Ka një dallim esencial mes kundërshtarëve të regjimit nga ajo që mund të quhet klasë e përmbysur e vitit 1945 dhe që kishte vërtet hesape me komunizmin: hesape të pasurisë, të bindjeve, të qëndrimeve, të prejardhjes, të mendimit dhe e cila gjendej natyrshëm në skajin tjetër dhe si e tillë, duke pritur ndëshkimin, bëhej gati për një përballim të ri dhe, të atyre që nuk u bënë me dashje kundërshtarë të regjimit, por që regjimi nuk i deshi më, pasi, duke qenë pjesë e elitës së tij, ata, ose u bënë koka turku, prej të cilëve duheshin trembur të tjerët, ose sapo kishin filluar të rebeloheshin, nga të cilët, etërit si pasojë e thyerjes së idealit që kishin pasur në rininë e tyre, ndërsa bijtë më shumë si modë, snobizëm dhe llastim politik.

Megjithatë ata u ndëshkuan ashpër, padrejtësisht, humbën rininë, të ardhmen e tyre, ua shkatërruan familjet, por asnjëri, ose pak prej tyre, mendonin seriozisht se do të përmbysnin regjimin që i kishte bërë të ishin në elitën komuniste.

Të më ndjejnë, por shumë prej tyre, që sot janë në radhët e disidentëve politikë, që u burgosën, internuan ose u persekutuan,qofshin bij ministrash, gjeneralësh, sekretarësh, etj., kjo u ndodhi jo se deshën, por sepse regjimi nuk i deshi më ose nuk iu përshtatën atij.

Lubonja është njëri prej tyre. Më shumë e bënë armik të regjimit, se sa u bë vetë i tillë.

Por, duhet saktësuar, se kjo nuk e mohon aspak vuajtjen e tyre.

Të më ndjejnë, por shumë prej tyre, që sot janë në radhët e disidentëve politikë, që u burgosën, internuan ose u persekutuan, qofshin bij ministrash, gjeneralësh, sekretarësh, etj., kjo u ndodhi jo se deshën, por sepse regjimi nuk i deshi më ose nuk iu përshtatën atij.

Fatos Lubonja është njëri prej tyre. Vera Bekteshi një tjetër. Ngjela, po ashtu. Për të cituar më të njohurit.

Por kjo nuk dërgon në harresë vuajtjen e tyre.

Kur kam lexuar librin e Lubonjës, “Në vitin e shtatëmbëdhjetë”, kam ndjerë shtrëngimin e darëve të pushtetit mbi jetët njerëzore.

Lubonja, si shumë të tjerë, në fillim me shumicë, u bë pjesë e jetës politike. Shumë prej tyre, në kalimin e viteve, heshtën; pak mbetën dhe dy më të njohurit prej tyre, Ngjela dhe Lubonja, janë të pranishëm, megjithëse shpesh herë në kahe të ndryshme e të kundërta.

Lubonja u njoh sidomos në vitin 1997, kur bashke drejtonte strukturën më të njohur politike kundër qeverisë Berisha; ishte po ashtu më agresivi, edhe më agresiv se Kurt Kola, mos qofsha gabim i biri i Bilal Kolës së Macukullit.

Lubonja , pas pushimit të zjarrit 1997, papritmas, u gjend jashtë pushtetit, por kjo nuk është një gjë e pazakontë. Mik i afërt i Edi Ramës, aq sa ishte armik i Berishës, befas ndërroi lëvizjen e tij politike, duke u bërë armik i të parit dhe i heshtur, në mos dashamirës me të dytin.

“Vetëm i marri dhe i vdekuri nuk ndryshon”, më thoshte dikur Adem Demaçi, por e keqja e Lubonjës ishte se, me gjithë ndryshimin e tij politik, befas, nacionalisti, ose njeriu i një Shqipërie tjetër, u bë befas kozmopoliti ballkanas, mohuesi i çdo vlere të krijuar, sidomos kur ai nuk ishte më pjesë; butas i rrëshqitur në ndërlidhjet shqiptaro – serbe dhe kërcënues në ndërlidhjen e mundshme mes shqiptarëve; njeriu që kishte vuajtur nga dhuna e një kohe bënte fjalë për një dhunë të re; nëse mbi të kishte rënë dhuna revolucionare, ai, befas, bëhet mëtues i po kësaj dhune; njeriu i fjalës thërret në ndihmë lëvizjet përmbysëse, si një maoist i vonuar.

Por le të kthehem tek fillesa e këtij shkrimi: Lubonja ishte tek Astiri!

E pastaj? Cilën forcë politike përfaqëson, meqenëse ajo lëvizje tani po bëhet politike e nuk është më qytetare?

Ai është në të drejtën e tij të jetë i pranishëm kudo dhe të bëjë atë thirrje që i mbushet mendja, por ku do të jetë ai vetë nëse kjo ide e tij bëhet njëmend moto e një lëvizje përmbysëse?

Shpesh herë analistët tanë qëndrojnë në katin e dhjetë të një ngrehine moderne dhe shohin nga lart se si lëvizin gjërat poshtë, duke pirë ngadalë kafenë e tyre dhe duke hamendësuar se si mund të shkojnë gjërat.

Ata e ndjejnë veten fitues në të gjithë planet e mundshme: po fitoi një lëvizje ata shkruajnë për të; po humbi, përsëri shkruajnë, por katin nuk e ndërrojnë vetëm kur shkojnë në studiot televizive.

Lubonja ishte i pari nga analistët që shkoi tek Astiri, pra në një lëvizje. Ndërkohë janë bërë dhjetëra e ndoshta qindra shkrime për këtë pabindje qytetare ndaj një vendimi qytetar, dhe, jo pak herë analistët, nga studiot e tyre, shkojnë edhe më tej se vetë banorët. Nëse këto të fundit kërkojnë dëmshpërblimin e tyre, i drejtë apo jo ky pretendim- këtë e saktësojnë ligjet e miratuara bashkarisht, pozitë e opozitë; analistët kërkojnë përmbysje, me çdo kusht.

E kur kjo nuk ndodh, ose banorët e popullin bashkë me të i bëjnë dele, ose i vërsulen shefit të qeverisë, shumë nga të cilët e kanë pasur mik, ose i drejtohen Veliajt, si shefi i bashkisë që u prishi shumë llogari.

Shkuarja e Lubonjës tek protestuesit është gjëja më e zakonshme në botë dhe njëkohësisht gjëja më e parëndësishme.

Nëse ai i vetëm ka më shumë forcë se e gjithë opozita së bashku, duke futur në të Lul e Vasil, atëherë le të ndërrojnë vendet ose të bëhen njësh, të dalin nga strehëzat në katin e dhjetë të godinave luksoze dhe të dëshmojnë se nuk kanë vetëm fjalët.

Një opozitë që ndjen ngazëllim pasi u doli në krah një armik i vjetër, që ishte ku e ku më shumë radikal se e gjithë e majta së bashku, është për t’u vajtuar.

Nëse Lubonja ka shkuar për këtë të fundit, për t’iu dhënë një dorë vajtimit të saj, atëherë mirë ka bërë.

Ia paska vlejtur!

Tjetër gjë mos pritni prej saj. Është e mundur që, qysh tani, ai e ka harruar se ka qenë aty.

 

 

Unë, viktima e 29 Nëntorit

Posted: 06 Dec 2018 01:31 AM PST

Moikom Zeqo

"Historia është ndalur. Nuk ekziston asgjë përveç së Tashmes të pafund në të cilën Partia ka prorë të drejtë.  Kush kontrollon të Tashmen kontrollon të Kaluarën"/GEORGE ORUWELL -Viti 1984.

Po ribotoj mbas 26 vjetësh Diskutimin e mbajtur nw emër të Grupit Parlamentar të PS-së në Kuvendin e Shqipërisë për të mbrojtur 29 Nëntorin si Datë të Çlirimit të Atdheut nga pushtimi nazi-fashist.

Ky diskutim është bërë në kushtet e një terrori të madh verbal, psikik dhe trysnie të rëndë kuazi- fashiste dhe mankthi mendor kundër njohjes së 29 Nëntorit.

Dihet se Parlamenti që zotërohej në atë kohë nga PD, e ndryshoi datën e Çlirimit dhe vendosi që data 28 Nëntor të ishte edhe Datë e Pavarësisë dhe gjoja edhe e Çlirimit nga nazi-fashizmi.

Lexuesi le ta gjykojë sot substancën e diskutimit tim dhe të arsyetojë.

Në Kushtetutën e Shqipërisë është sanksionuar se data 28 Nëntor është Data e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Data 29 Nëntor është Data e Çlirimit të Shqipërisë nga nazi-fashizmi.

Ky formulim kushtetues nuk është ndryshuar deri më sot.

Në vitin 2005 me ardhjen në pushtet të PD-së mua më shkarkuan brutalisht  si Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar,- me motivacionin e turpshem , se kisha mbrojtur Datën e 29 Nëntorit si Data e Çlirimit të Shqipërisë nga nazi-fashizmi.

Në 2004-ën unë përurova, konceptova dhe sendërtova me një grup specialistësh për herë të parë Pavionin e Antifashizmit shqiptar me rastin e 60-vjetorit tw çlirimit tw atdheut.

Është e habitshme që mua më shkarkuan nga puna pikërisht për Antifashizmin Shqiptar,- duke më bërë kështu një "viktimë" të kampit të kundërt, atij  pushtues dhe të reaksionit më të egër ballistoid.

Për tetë vjet të pushtetit të PD-së mua më lanë pa punë.

Por edhe 3 vjet e ca që ishte në pushtet PS, në mënyrën më mosmirënjohëse dhe të padenjë, –  më lanë gjithashtu pa punë.

Unë nuk kërkoj as merita, as vlerësime dhe në pikëpamje të përgjithshme nuk më intereson asgjë përveç faktit, që mbrojta 29 Nëntorin si Datë e Çlirimit të Shqipërisë nga nazi-fashizmi – dhe kjo është një nga datat më të mëdha në historinë e kombit të të gjitha kohërave.(M.Z)

***

"Në Muzeun Grotesk të Paradokseve Shqiptare është shtuar dhe një paradoks i ri tejet i rëndë: mohimi i vërtetësisë së Datës 29 nëntor 1944 si Data e çlirimit përfundimtar të Shqipërisë nga nazifashistët dhe kolaboracionistët e tyre.

Pse ndodhi një gjë e tillë?

Pse pushtetarët fitoren e 22 marsit e pronësuan, që në fillim si atentat ose "Vdekje të Bardhë" të 29 nëntorit, kur demokracia ta konceptonte si vijimësi?

Pa asnjë vendim të parlamentit, ose argumentim publik paraprak, u zhvarrosën eshtrat e komandantëve e figurave të formacioneve partizane – turp që nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës së qytetëruar.

Po turpi do të kreshpërohej më tej.

Nuk do të harrohet seanca parlamentare, kur në kalendarin e festave zyrtare të tërë datat qenë të festave fetare, që dihet janë internacionale dhe vetëm data e 28 nëntorit ishte ajo e festës kombëtare të flamurit dhe Pavarësisë, duke u mohuar me këmbëngulje vetëvrasëse.

Dita e Çlirimit (le të studiohet procesverbali i kësaj seance, që përbën për mohuesit e zellshëm një dokument fobie të pabesueshme!)

Presidenti nuk  tentoi ta shmangte skandalin, sepse këtë gafë s'do ta pranonin as shqiptarët, po as bota. Duhet mbështetur ky reflektim, po s'duhet kaluar në alibinë e një kompromisi, për të kënaqur dhe njërën anë dhe tjetrën e për këtë të zhduket ajo që është e pa zhdukshme, Data 29 nëntor midis dy datave 28 nëntorit dhe 17 nëntorit, që jo vetëm nuk e komunikojnë, por vetëm e afirmojnë pafundësisht.

Nisma e grupit parlamentar socialist për të vendosur 29 nëntorin në kalendarin e festave zyrtare nuk ka aspak karakter partiak, as propagandistik.

Kështu duhet konsideruar nga të tëra partitë.

Nëse ky parlament do të ishte parlament i mendjes atëherë duhet të kishte vetëm "forcën e tmerrshme të arsyes" siç është shprehur Sokrati i lashtë.

Në të kundërtën kriza dhe tjetërsimi i tij është i pamohueshëm.

Le të flasim me argumente konkrete ad hoc.

Lufta e Dytë Botërore qe lufta më e madhe në historinë e njerëzimit.

Në këtë luftë shqiptarët treguan një dinjitet të veçantë e të paparë.

Populli shqiptar u rreshtua te fitimtarët e boshtit antifashist, së bashku me SHBA-në, BS e Britaninë e Madhe tregoi një nivel të lartë qytetërimi.

Shqiptarët janë i vetmi vend i Europës që u çliruan vetë, madje bënë edhe një precedent, dërguan forca të mëdha edhe për të çliruar popujt fqinj.

Në këtë kuptim Dita e Çlirimit është sinteza e një sage heroike të mrekullueshme, është arritja e fitores që ruajti integritetin territorial të Shqipërisë.

Për gjysmë shekulli shqiptarët e kanë festuar këtë fitore madhështore.

Tani është hedhur artificialisht hija ekuivoke e dyshimtë.

Ç'përfaqëson komisioni i përbërë nga zotërinjtë Kasem Biçoku, Lefter Nasi, Mentar Belegu, Hysni Myzyri, Sitki Bushati, Sadik Bekteshi, Kolë Jakova, Emin Riza, Jusuf Vrioni, Mentor Quku, Uran Butka e Pjetër Pepa?

Çfarë mandati ka ky komision?

Mandat profesional?

Kjo është tepër e dyshimtë.

Mandati parlamentar është detyrimisht pluralist, nëse e pranojmë që parlamenti është i tillë.

Të vetmit deputetë në këtë komision janë të pozitës, tërë komisioni është i një partie.

Por me celula partie nuk mund të vendoset një çështje jashtëpartiake.

Çdo komision parlamentar ka pjesëtarë nga opozita.

A nuk kishte të tillë kur u vendos të ndryshohej apo jo shqiponja e heraldikës së flamurit?

Pse nuk u veprua kështu edhe me këtë rast?

Ky komision është një alambikim.

Nuk ka besueshmëri, qoftë morale, qoftë shkencore. Deklarata e historianit të shquar Kristo Frashëri i nivelit europian e i njohur për akribinë faktuese, (se pjesëtarët e paracaktuar të komisionit luajtën rolin e këshilltarëve të këqij për Presidentin) se Shqipëria është çliruar më 29 nëntor është shprehje e një oponence tepër serioze e jo partiake.

T'i referohemi procedurave parlamentare.

Ç'lidhje ka parlamenti me këtë komision?

Mesazhi i Presidentit nuk është formuluar si projektvendim, nga ana tjetër sipas rregullores së parlamentit grupi parlamentar socialist e ka depozituar prej kohësh dhe e ka publikuar nismën e tij legjislative.

Rregullat janë të barasvlefshme për të gjithë.

1.Studimi me vëmendje i relacionit të komisionit tregon qartë karakterin e tij kontradiktor.

Aty shkruhet fjalë për fjalë "në pasditen e 28 Nëntorit në qytet (Shkodër) u futën grupe të vogla partizanësh".

Kurse një paragraf më poshtë "brigadat partizane hynë të organizuara në Shkodër më 29 nëntor dhe bënë parakalimin festiv të fitores".

Kjo mënyrë naive të shkruari mund të përmbysë tërë historinë; Grupe të pjesshme partizanësh që në fillim hynë në Tiranë, por Tirana u quajt e çliruar vetëm mbas 19 ditësh, kur tërë brigadat parakaluan në të.

Është koncept themelor ushtarak se një territor quhet i fitimtarëve, kur e shkel tërësisht këmba e tyre.

Kështu ka ndodhur më 29 nëntor në Shkodër.

2.Komisioni si "Eminenca Grise" ka censuruar paturpësisht faktet historike sipas formulës "ad usum Delphini"

Pyes: pse nuk përmendet fakti, se në orën 2 e 30 të datës 29 nëntor u hodh në erë ura e Bahçallëkut?

Po përpjekja te Ura e Mesit, në Vaun e Dejës?

Pyes: 6000 partizanët, që janë dëshmitarë okularë të pazëvendësueshëm të Datës së Çlirimit janë më pak të besueshëm se komisioni në fjalë?

Pyes: Organizata e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që mbron me fakte historicitetin e datës 29 nëntor, pse mënjanohet?

Kaq e lehtë është kjo?

Data e Çlirimit është thelbi i ekzistencës legale të kësaj organizate.

3.Kush e tha i pari, kush e bëri publike datën e 29 nëntorit si Datën e Çlirimit të Shqipërisë?

Kronika është e qartë. Atw e tha Naku Spiru në mitingun përpara Institutit të sotëm të Arteve.

Nakoja kishte kontradikta tragjike me Enver Hoxhën, ashtu si edhe me jugosllavët.

Pra, publiciteti i kësaj date nuk ka autorësinë e Enver Hoxhës.

Në fakt ajo qe publicitet kolektiv dhe jo individual.

4.Dokumentet autentike gjermane të pushtetit (fotokopjet e të cilave janë në arkivin e Institutit të historisë) e thonë qartë se Shqipëria u çlirua më 29 nëntor.

Pse nuk përmenden këto dokumente?

5.Është krijuar një teori e kompleksuar, që thotë se 29 nëntorin e caktoi Enver Hoxha për servilizëm dhe për njësimin me datën e 29 nëntorin e jugosllavëve. Pa bërë politizime le të arsyetojmë.

29 nëntori 1944 është çlirimi i Shqipërisë, kurse Jugosllavia u çlirua në 1945.

Askush nuk e ka ditur se kur do të çlirohet Jugosllavia.

Po a kanë patur jugosllavët një festë të tyre më 29 nëntor?

29 nëntori qe festë e jugosllavëve e në asnjë mënyrë festa e çlirimit, po e AVNOJ-it, e Republikës Federative.

Bëhet pyetja: ne shqiptarët kemi imituar për Ditë të Çlirimit datën e festës së tyre që nuk është e çlirimit?

Mos të harrojmë, se shqiptarët e festuan 29 nëntorin pavarësisht nga jugosllavët në 1944, në 1945, në 1946, kishin pra, plot tri vjet që brenda Shqipërisë po edhe përpara tërë botës ndërkombëtare e kishin bërë publike festën e Çlirimit. Jugosllavët 29 nëntorin e tyre të Republikës Federative e kanë caktuar në 1946.

Shqiptarësia e 29 nëntorit tonë është e padiskutueshme.

Ata që bëjnë lidhje të paargumentuara me 29 nëntorin e të tjerëve unë u kujtoj se veç të tjerave kjo festë e të tjerëve nuk ekziston më, se Federata Ish Jugosllave nuk ekziston më, pra është një datë e pafestueshme më, inekzistente.

6.Berisha e quajti Enver Hoxhën një manipulator të madh. Po në bazë të këtij arsyetimi Hoxha nuk pushoi të jetë i tillë edhe mbas vitit 1948, kur u prish me jugosllavët e duke patur pushtetin i kishte tërë mundësitë ta ndryshonte përsëri datën.

Po përpara datave historike janë të pafuqishëm të gjithë pa përjashtim.

  1. A nuk është një argument i parrëzueshëm fakti, se asnjë nga oficerët anglezw dhe amerikanë, që qenë gjatë luftës në Shqipëri nuk kanw mohuar datën 29 nëntor ose ta vinte në dyshim?

Ata nuk ishin servilë të Hoxhës, po kundërshtarë.

Ata kanë respektuar historicitetin e datës.

  1. Historia është shkencë historike dhe jo shkencë ideologjike.

Karakteri formal i kronologjisë nuk duhet politizuar sipas një fantazie apo skenari absurd.

A nuk morën disa një mësim nga dështimi i përpjekjes qesharake për të ndërruar formën e shqiponjës së flamurit, se gjoja kishte ndikime sllavoide etj .etj.

Dihet se shqiponja dykrenare nuk është në gjenezë simbol i mirëfilltë shqiptar, po ajo u bë historikisht simboli ynë kombëtar, duke përjashtuar karakterin anonim e mitologjik universal.

Përkimet e datave kanë karakter formal.

Kjo provohet çdo ditë.

Nëse më 12 dhjetor të këtij viti do të bëhej Kuvendi i PD dhe njëkohësisht edhe zgjedhjet në Rusi, kompleksi sllavoid mund ta manipulojë e groteskëzojë këtë rastësi.

Më 28 nëntor 1943 u mbajt Konferenca e Teheranit, nga më të rëndësishmet e Luftës së Dytë Botërore.

Po vetëm një i çmendur mund të thotë, se të tjerët na e morën datën tonë, ose ne me dashje ua manipuluam datën atyre.

Ose, Qemal Stafa u vra në 5 maj, po jo se pikërisht shumë vjet më parë në 5 maj kishte lindur Marksi.

Galeria humoristike e historisë do të ishte kështu e pafund.

  1. Në histori nuk ka "Kohë Zero", kalendari ynë nuk fillon në 22 mars.

Nuk duhet harruar se ne nuk jemi mbretëri, po Republikë e kjo u shpall në 11 janar 1946 e kjo datë meriton të përkujtohet, se është Datë e Shtetit tonë Shqiptar, pavarësisht nga ndërrimi i sistemeve.

Historia nuk do të shpikë data të tjera të legalizimit zyrtar të pluralizmit veç datës së Plenumit të KQ të PPSH, nuk do të mohojë se zgjedhjet e para pluraliste u bënë më 31 mars, se firmat në dy dokumentet themelore të lidhjes së Shqipërisë me Europën, Paktit të Helsinkit dhe të Kartës të Parisit, i ka firmosur Ramiz Alia dhe bota s'ka ndërmend t'i kthejë mbrapsht për t'i firmosur ndonjë tjetër.

Po kështu, duam apo nuk duam ne, artikulli i parë që qe një lloj manifestimi i demokracisë pluraliste qe ai i prof. Ylli Popës te "Zëri i Popullit" dhe jo te RD, se duheshin shumë muaj, që ajo të dilte.

Mos ta shikojmë historinë bardhë e zi, të mos jemi daltonistë të fakteve.

Kjo kërkon emancipim dhe qetësi.

Po dhe drejtësi të vërtetë.

  1. Ata që mohojnë 29 nëntorin të kujtojnë një admiral turk që e dërgoi sulltani për të gjetur ishullin e Maltës.

Admirali, mbasi u vërtit kot nëpër det u kthye dhe i shkroi Sulltanit "Malta vok" dmth "Nuk ka Maltë"

29 nëntori nuk është një datë apokaliptike, nuk është e shpikur, po realitet i patjetërsueshëm.

Mohimi saj të çon te satanizmi i demokracisë.

Ajo është një datë e madhe uniteti dhe jo shpërbërjeje, e mirëkuptimit dhe jo e shkombëtarizimit.

Bijtë e kolaboracionistëve mund të jenë të drejtë vetëm kur dënojnë krimet e etërve, në të kundërtën do pësojnë fatin fatal që jep historia.

"Fitimtarët e përkohshëm" nuk mund të mundin Fitimtarët e Përjetshëm; partizanët heroikë.

Politikanët efemeridë mund të bëjnë vetëm mohime sizifiane të 29 nëntorit.

Po ajo që ndalohet nuk do të thotë se nuk ekziston.

29 nëntori do të embrionizojë përherë enigma e kureshtje të mëdha.

Vetëm një referendum popullor do të kishte mandat për këtë datë, sepse i takon historisë së përjetshme dhe jo të përkohshme.

Ndalimi i 29 nëntorit do të thotë ta arrestosh këtë ditë, të bësh një të burgosur politik, më të habitshëm e të pashembullt, jo vetëm në Shqipëri po në tërë botën.

Së fundi, 29 nëntorin mund ta ekzilosh me forcë.

Po do të kthehet një ditë.

Identitetin e 29 nëntorit e ka përcaktuar vetë historia që është e tërë gjeneratave dhe jo e mekanizmave parlamentorofagë.

Plaudite amici! La comedia e finita!

(Duartrokisni miq! Komedia mbaroi!)

Kuvendi i Shqiperise ,Tiranë 18 nëntor 1993"

 

Haxhi H. Dalipi, kapedan i muzikës tradicionale shqiptare

Posted: 06 Dec 2018 01:20 AM PST

Prof. Dr. Spiro J. Shetuni*

Ishte data 1 shtator 1973.  Ne, studentët e Fakultetit të Muzikës të ish-Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve), u mblodhëm të gjithë në një klasë të madhe në katin e dytë të godinës kryesore. Atë ditë, do të niseshim me autobus për të shkuar si aksionistë në hekurudhën Elbasan- Pogradec: Sektori Qukës (Librazhd). Nën-drejtori i Institutit, kompozitori i mirënjohur, Feim Ibrahimi, na dha disa këshilla lidhur me punën vullnetare në hekurudhë, veprimtari, e cila, në atë kohë, konsiderohej si element i domosdoshëm i procesit mësimoro- edukativ.

Kur mbledhja ishte duke mbaruar, rastësisht, sytë më vajtën tek një student, të cilin s'e njihja. Ai qëndronte në këmbë, midis studentëve të shumtë e të zhurmshëm, që ishin ulur nëpër banga. Ishte i hollë, trup-gjatë, me ballë të madh, me flokë të gjata e të krehura me kujdes. Duke kundruar studentët, herë-herë, vinte buzën në gaz.

Prof. Dr. Spiro J. Shetuni

Mësova se studenti i ri vinte nga qyteti i Vlorës, bir i një familjeje të vjetër gjirokastrite. Vite më parë, Ai kishte mbaruar për flaut Liceun Artistik "Jordan Misja". Po ashtu, kishte punuar disa vite me radhë si mësues muzike në disa shkolla të rrethit të Vlorës. Tashmë do të studionte për dirigjent kori. Ky student i ri i panjohur do të bëhej për mua një udhëheqës i vërtetë shpirtëror, një edukator i madh, një mik i rrallë, si në ditë me diell, ashtu edhe në ditë me stuhi! Quhej: Haxhi Dalipi.

1.

I arsimuar fillimisht si instrumentist, dhe, më vonë si dirigjent, Artisti i Merituar, Haxhi Dalipi (1941-2006), gjatë jetës së tij artistike e shkencore, u afirmua në një radhë aspektesh, për të merituar plotësisht tituj të ndryshëm profesionalë, si:  dirigjent, kompozitor, pedagog, studiues, arkitekt i festivaleve folklorike, udhëheqës artistik, mik i muzicienëve të rinj, kapedan i muzikës tradicionale labe dhe mbarë muzikës tradicionale shqiptare.

  • Si dirigjent, H. Dalipi intepretoi vazhdimisht, sidomos në rajonin e Vlorës, vepra muzikore të kompozitorëve të mëdhenj shqiptarë, ashtu sikurse edhe të kompozitorëve të mëdhenj ndërkombëtarë: para- klasikë, klasikë, romantikë, modernë.
  • Si kompozitor, H. Dalipi krijoi vepra muzikore të gjinive të ndryshme, si:  këngë, valle simfonike, suita, rapsodi, opereta për fëmijë, etj.
  • Si pedagog, H. Dalipi arsimoi dhe edukoi sa e sa nxënës të Shkollës së Mesme Artistike "Naim Frashëri" (Vlorë) dhe sa e sa studentë të Akademisë së Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve, Tiranë). Disa ndër ish-nxënësit e tij, si: Fatmir Hysi, Thanas Çaçi, Themistokli Dhrami, etj., më vonë, u bënë vetë pedagogë, dirigjentë e instrumentistë të mirënjohur.
  • Si studiues, Ai hulumtoi muzikën tradicionale labe e myzeqare (këngët, vallet, pjesët muzikore instrumentore), të shumë fshatrave e zonave etnografike të Labërisë e Myzeqesë.
  • Si arkitekt i festivaleve folklorike, Dalipi bëri të mundur që grupet popullore të rrethit të Vlorës të nderoheshin vazhdimisht me çmime në festivale, takime e konkurse:  lokale, kombëtare, ndërkombëtare.
  • Si udhëheqës artistik, H. Dalipi luftoi për të ngritur vazhdimisht sa më lart nivelin krijues e interpretues, si të Asamblit Artistik "Labëria" (Vlorë), ashtu edhe të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë (Tiranë).
  • Si mik i muzicienëve të rinj, Dalipi gjente vazhdimisht kohë për t'i këshilluar ata, për t'i drejtuar, për t'i frymëzuar, etj.
  • Si kapedan i muzikës tradicionale labe dhe mbarë muzikës tradicionale shqiptare, teorikisht, Ai ishte njeriu me njohuri dhe dije të thella, kurse, praktikisht – njeriu që synonte dhe arrinte vetëm suksese të shquara.

Megjithëse duket e tepërt, sërish e ndiejmë të nevojshme të vemë në dukje se, tituj të tillë profesionalë, u fituan pa dyshim përmes një jete artistike e shkencore tepër intensive. Po ashtu, ata flasin qartë për natyrën shumë- planëshe të figurës së artistit.

2.

Libri "Duke përjetuar këngën labe" i Haxhi H. Dalipit është shkruar gjatë harkut kohor të shumë viteve. Ai është një dëshmi e qartë e interesave etnomuzikologjike të autorit.  Në rrafsh të përgjithshëm, aspektet më kryesore të Librit ndoshta do të mund të karakterizoheshin si më poshtë:

  • Së pari, Libri ka si objekt të tij muzikën tradicionale labe, pra, një ndër dialektet kryesore të muzikës tradicionale shqiptare, i cili gjallon krahas tre dialekteve të tjera të saj:  dialektit muzikor geg, dialektit muzikor tosk, dialektit muzikor qytetar.
  • Së dyti, brenda dialektit muzikor lab, Libri shqyrton stilet muzikore më përfaqësuese të tij, si: stilin muzikor të Kuçit, stilin muzikor të Bolenës, stilin muzikor të Smokthinës, stilin muzikor të Lumit të Vlorës, të Vranishtit, Tërbaçit, Lapardhasë, Dukatit, Kaninës, Karbunarës, Himarës, Pilurit, Dhërmiut, Myzeqesë, qytetit të Vlorës.
  • Së treti, brenda çdo stili muzikor, Libri shqyrton variantet kryesore melodike të tij, afritë dhe dallimet midis muzikës zanore dhe asaj instrumentore, muzikës së grave dhe asaj të burrave, muzikës një- zërëshe dhe asaj shumë-zërëshe, etj.
  • Së katërti, Libri i jep gjithmonë stilet muzikore brenda një qerthulli historiko-shoqëror, duke përmendur edhe emra këngëtarësh, valltarësh, instrumentistësh, vjershëtorësh të shquar popullorë.
  • Së pesti, Libri s'mungon të japë edhe ide e mendime mbi të ardhmen e muzikës tradicionale labe.

Përsa u takon nocioneve themelore etnomuzikologjike që përdoren në librin "Duke përjetuar këngën labe", për të shmangur çdo lloj keqkutptimi, bëjmë të ditur përmbajtjen e tyre, duke i dhënë ata alfabetikisht, si vijon:

  • nocioni këngë një- zërëshe përdoret në vend të nocionit këngë monofonike (për hir të shqipërimit);
  • nocioni këngë shumë- zërëshe përdoret në vend të nocionit këngë polifonike (për hir të shqipërimit);
  • nocioni këngë tradicionale përdoret në vend të nocionit këngë popullore (për hir të përshtatjes me terminologjinë etnomuzikologjike ndërkombëtare);
  • nocioni muzikë një-zërëshe përdoret në vend të nocionit muzikë monofonike (për hir të shqipërimit); 
  • nocioni muzikë shumë- zërëshe përdoret në vend të nocionit muzikë polifonike (për hir të shqipërimit);
  • nocioni muzikë tradicionale përdoret në vend të nocionit muzikë popullore (për hir të përshtatjes me terminologjinë etnomuzikologjike ndërkombëtare);
  • nocioni stil muzikor fshatar nënkupton stilin muzikor që këndohet brenda një fshati të vetëm;
  • nocioni stil muzikor ndërfshatar nënkupton stilin muzikor që këndohet brenda të gjitha fshatrave të një zone të caktuar etnografike.

4.

Një numër studimesh që përfshihen në librin "Duke përjetuar këngën labe" janë fryt i bashkëpunimit midis Haxhi Dalipit dhe sudiuesish të tjerë. Të ardhur nga fshatra dhe zona të ndryshme etnografike të Labërisë, më shpesh ata janë edhe vetë këngëtarë, valltarë, instrumentistë, vjershëtorë të shquar popullorë, bartës krenarë të një kulture muzikore, sa të lashtë, aq edhe autentike. Emrat e tyre jepen alfabetikisht në Bibliografinë e Librit.

***

Duke qenë, në të njëjtën kohë, energjik e entuziast, i vrullshëm e prodhimtar, krenar e modest, H. Dalipi u përfshi thellë në profesionin e tij si muzicien. I arsimuar fillimisht si instrumentist, dhe, më vonë si dirigjent, Ai shfaqi gjatë tërë jetës së tij interesa artistike e shkencore dramatikisht të gjera. Kështu, siç vërejtëm, arriti të bëhet dirigjent, kompozitor, pedagog, studiues, arkitekt i festivaleve folklorike, udhëheqës artistik, mik i muzicienëve të rinj, kapedan i muzikës tradicionale labe dhe mbarë muzikës tradicionale shqiptare. Me veprimtarinë e tij aq të madhe interpretuese, krijuese e hulumtuese, veprimtari e cila rrezaton në rrafsh kombëtar e ndërkombëtar, H. Dalipi mbetet pa dyshim një figurë e ndritur në historinë e muzikës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX.

Libri "Duke përjetuar këngën labe" përmbledh pjesën më të madhe të trashëgimisë teorike që na ka lënë Haxhi Dalipi në fushën e etnomuzikologjisë. Duke e bërë këtë lloj trashëgimie të njohur ndër masat e lexuesve, shpresojmë se ajo do të luajë rol në ecurinë e mendimit teorik, etnomuzikologjik dhe muzikologjik, shqiptar.

*Universiteti Winthrop – Rock Hill, South Carolina

 

A mund të parandalohen sëmundjet e zemrës?

Posted: 06 Dec 2018 01:11 AM PST

Kufizimi i marrjes së kripës në ushqim përgjatë ditës, konsumi i alkoolit në normat e lejuara, shtimi i konsumit të perimeve dhe frutave, dieta pa yndyra, reduktimi i peshës, si dhe kryerja e aktivitetit të rregullt fizik, luajnë një rol tepër të rëndësishëm në reduktimin e sëmundjeve të zemrës.

Si shkak i ndryshimit të stilit të jetesës, ku më shumë po tentohet drejt ushqimeve të thata dhe të pasura në yndyrë, si dhe mungesa e aktiviteteve fizike, po bëhen shkak për shtimin e ndërlikimeve të sëmundjeve të zemrës.

Mjekja Ilda Xhelili tregon për "Dita", se cilat janë sëmundjet më të shpeshta kardiovaskulare, çfarë i shkakton, si dhe masat që duhet të merren për t'i parandaluar.

Çfarë janë sëmundjet e zemrës (sëmundjet  kardiovaskulare)?

Zemra përfaqëson një organ vital të përbërë nga muskuj. Si çdo organ muskulor në trup, ka nevojë për furnizim adekuat me gjak për të siguruar oksigjen në mënyrë që muskujt të mund të kontraktohen dhe të pompojnë gjakun në drejtim të gjithë trupit. Zemra nuk pompon (hedh gjak) vetëm në drejtim të organizmit, por furnizon edhe veten e saj me gjak nëpërmjet arterieve koronare.

Këto arterie dalin direkt nga baza e aortës (që është ena më e madhe e gjakut që mbart gjakun e oksigjenuar nga zemra) dhe pastaj degëzohen përgjatë sipërfaqes së zemrës. Kur një, ose më shumë arterie koronare ngushtohen, vështirësojnë qarkullimin e gjakut në zemër, veçanërisht gjatë aktivitetit fizik.

Kjo bën që muskujt e zemrës të vuajnë si çdo muskul tjetër kur nuk furnizohet mjaftueshëm me gjak. Nëse arteriet vazhdojnë të ngushtohen mund të nevojitet kufizimi i aktivitetit fizik për të provokuar më pak simptoma. Simptomat klasike të kësaj situate janë dhimbjet e gjoksit në formë presioni, ose gulçimi që përhapen në supe, krahë, mjekër dhe shpinë.

Kjo situatë emërtohet "angina pektoris". Dhe nëse arteria koronare bllokohet plotësisht atëherë në atë pjesë të zemrës humbet qarkullimi i gjakut. Kjo quhet sulm në zemër ose "infarkt miokardi" (vdekje e indit të zemrës).

A shfaqen këto simptoma tek të gjithë pacientët që kanë probleme koronare?

Jo të gjithë pacientët me probleme koronare kanë këto simptoma. Shumë prej tyre kanë çrregullime të aparatit tretës apo djersë të ftohta. Trajtimi për problemet koronare varet nga ashpërsia e tyre.

Çfarë duhet bërë në këto raste?

Shumë herë ndryshimet e mënyrës së jetesës, dieta e shëndetshme, aktiviteti fizik i rregullt, ndalimi i alkoolit dhe duhanit, kontrolli i vazhdueshëm i presionit të gjakut, kolesterolit (yndyrnat në gjak), kontrolli i diabetit, mund të kufizojnë ngushtimin e arterieve. Në jo pak njerëz, kirurgjia, ose procedura të tjera mund të jenë të nevojshme.

Çfarë ndërlikimesh të tjera përfshihen në këtë grup?

Përveç arterieve koronare që janë patologjitë më të shpeshta të sëmundjeve kardiovaskulare, në këtë grup bëjnë pjesë edhe sëmundjet e valvulave të zemrës (funksioni i valvulave rregullon rrjedhjen e gjakut brenda dhe jashtë zemrës). Kardiomiopatitë që ndikojnë në funksionimin e muskujve të zemrës, çrregullimet e ritmit të zemrës (aritmitë), si edhe infeksionet e zemrës.

Cilët persona janë më të rrezikuar për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare?

Ka shumë faktorë rreziku që rrisin ndjeshëm potencialin për të zhvilluar sëmundje të zemrës dhe të enëve të gjakut. Ndër to po përmendim më të shpeshtat që hasim e që janë: pirja e duhanit, tensioni i lartë i gjakut (hipertensioni), niveli i lartë i kolesterolit në gjak (yndyrnat), historia familjare me probleme të zemrës dhe enëve të gjakut, veçanërisht infarkti dhe arterioskleroza, si dhe diabeti.

Cili është qëllimi i trajtimit të sëmundjeve kardiovaskulare?

Qëllimi kryesor i trajtimit është zgjatja e jetës, por edhe përmirësimi i cilësisë së jetës. Parandalimi është çelësi për të shmangur sëmundjet kardiovaskulare, por edhe për të arritur rezultate optimale gjatë trajtimit.

Përveç një stili të shëndetshëm jetese që është gjithmonë i vlefshëm, përdorimi i dozave të vogla të aspirinës në mënyrë të rregullt luan rol të rëndësishëm si antikoagulant (pengon ngjitjen e trombociteve të gjakut dhe formimin e trombeve) duke zvogëluar rrezikun e sulmit në zemër.

Vendimi për të përdorur Aspirinë rutinë varet nëse faktorë të tjerë rreziku për sëmundjet e zemrës janë të pranishëm.

Prandaj ato duhen përdorur vetëm me këshillën e mjekut specialist kardiolog pasi janë të njohura edhe efektet anësore të aspirinës, veçanërisht në aparatin tretës (si rritja e aciditetit të stomakut, ulcerat e deri të çarjet e mukozës që mund të rrezikojnë edhe jetën).

Medikamente specifike përshkruhen nga mjekët specialistë në varësi të rastit të paraqitur. I rëndësishëm është edukimi i hershëm i publikut për qasjen e hershme në shërbimin e urgjencës kur pacienti zhvillon dhimbje në gjoks, gjë që mund të ndihmojë në shpëtimin e jetës.

A mund të merren masa parandaluese?

Që nga fillimi i formimit të pllakave sklerotike në muret e arterieve e deri në ngushtimin, apo bllokimin e tyre mund të duhen 10 ose 15 vjet, që do të thotë se kemi kohë të marrim masa në këtë drejtim. Vëmendje e madhe i kushtohet rolit të reduktimit të peshës, dietës, stërvitjes së rregullt dhe përdorimit të medikamenteve specifike për reduktimin e kolesterolit në gjak.

Parandalimi i sëmundjeve kardiovaskulare nënkupton një angazhim të përjetshëm për të kontrolluar tensionin e lartë, diabetin, yndyrnat në gjak dhe kujdesin me duhanin dhe alkoolin. E rëndësishme është të kryhen kontrolle të rregullta pranë mjekut të familjes edhe pa patur shenja klinike.

Këto kontrolle (check-up) ndihmojnë shpesh në diagnozën fillestare të sëmundjeve të zemrës si edhe për të minimizuar faktorët potencialë të rrezikut për sëmundje të zemrës, në mënyrë që të mos zhvillohen ose nëse tashmë janë të pranishme të minimizohet përparimi i bllokimit të arterieve.

Këshilla që nuk duhen neglizhuar:

  • Rekomandohet ulje e sasisë së kripës në dietë, 5-6 g në ditë, duke përfshirë kripën në bukë dhe ushqimet e konservuara e të përpunuara. Përdorni kripë të jonizuar.
  • Modifikimi i konsumit të alkoolit, në jo më tepër se 20-30 g etanol në ditë te burrat, si dhe jo më tepër sesa 10-20 g etanol në ditë te gratë.
  • Rekomandohet konsumi i përditshëm i shtuar i perimeve, frutave dhe produkteve me përmbajtje të ulët të yndyrave.
  • Rekomandohet reduktimi i peshës në BMI 25 kg/m2 dhe i perimetrit të belit që tek burrat duhet të jetë më i vogël se 102 cm, ndërsa tek gratë jo më shumë se 88 cm.
  • Rekomandohen ushtrime të rregullta fizike, të paktën 30 minuta me ushtrime dinamike të moderuara në 5 deri 7 ditë në javë.
  • Rekomandohet që të gjithë duhanpirësve t'u jepen këshilla për të hequr dorë nga duhani dhe t'u ofrohet asistencë.

DITA

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more