Skip to main content

“S’ka “paqe” në Korçë. Universiteti i mbyllur, studentët protestojnë në Tiranë” plus 9 more Gazeta SHQIP

“S’ka “paqe” në Korçë. Universiteti i mbyllur, studentët protestojnë në Tiranë” plus 9 more Gazeta SHQIP


S’ka “paqe” në Korçë. Universiteti i mbyllur, studentët protestojnë në Tiranë

Posted: 18 Dec 2018 01:45 AM PST

Universiteti "Fan S. Noli" në Korçë vijon edhe sot të jetë i mbyllur, teksa qindra studentë kanë vendosur të bojkotojnë mësimin në vazhdën e protestave kundër tarifave të larta.

Studentët dhe gjimnazistët e Korçës kanë qenë ndër më aktivët në protestat studentore, teksa ditën e djeshme rreth 200 prej tyre udhëtuan me 4 autobusë për t'iu bashkëngjitur protestës kombëtare para Kryeministrisë.

Një pjesë e studentëve që u nisën dje në Tiranë qëndruan në kryeqytet ndërsa pjesa tjetër janë kthyer në Korçë, por dyert e universitetit qëndrojnë të mbyllura.

Në Korçë pak ditë më parë, rektori i universitetit Ali Jashari tentoi të dialogonte me studentët në një tryezë të thirrur prej tyre në praninë e mediave, por këta të fundit u larguan duke u shprehur të zhgënjyer nga drejtuesi pasi thanë se "bëri një monolog si i Ramës".

18 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Maxhoranca rrëzon dekretin e Metës për buxhetin 2019

Posted: 18 Dec 2018 01:43 AM PST

Komisioni i Ekonomisë ka rrëzuar dekretin e presidentit për buxhetin 2019. Ndërkohë kreu i komisionit Erjon Braçe u shpreh: Duhet më shumë  transparencë dhe efektivitet. Nuk duhet të financojmë parazitizmin politik siç ka ndodhur në zemër të Tiranës. I pranishëm në Komision ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj tha se Meta duhet të ndërhyjë për dialogun me studentët.

"Buxheti i vitit 2019 ka të gjitha mundësitë që të furnizojë kërkesat e studentëve. Sot, studentët kanë aleat vetëm qeverinë. Dekreti i Metës, pa asnjë detaj për arsimin. Meta të ndërhyjë për dialog me studentët, kjo është zgjidhja", u shpreh ai.

Kujtojmë se pak ditë më parë, Kreu i Shtetit ka kthyer ligjin për buxhetin e 2019 serish në Kuvend. Kjo lëvizje e Metës vjen si një mundësi për plotësimit të kërkesave të studentëve që lidhen direkt me buxhetin adresuar për ta.

"Presidenti i Republikës, ka besimin e plotë se Kuvendi i Shqipërisë do të reflektojë një bashkëpunim gjithëpërfshirës me qëllim plotësimin e kërkesave të studentëve dhe interesit publik", thuhej në njoftimin e presidentit.

18 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Icardi do të firmosë kontratë të re

Posted: 18 Dec 2018 01:30 AM PST

Interi programon rinovimin sa më të shpejtë të Mauro Icardit, me marrëveshjen e re që me shumë mundësi do të firmoset në fillimin të vitit të ardhshëm, që përkon me pauzën e kampionatit dhe me hyrjen në skenë të administratorit të ri të deleguar, Beppe Marotta.

Kontrata e re do ta mbajë të lidhur argjentinasin me ngjyrat zikaltër deri në vitin 2023. Në këtë mënyrë, kontrata e rë parashikon një zgjatje me dy sezone të aktuales, që skadon në 2021-shin. Vullneti për të përshpejtuar gjithçka është konkret, edhe pse mbeten ende disa detaje për t'u sqaruar.

Në të vërtetë, spekulimet e muajve të fundit kanë bërë që drejtuesit zikaltër të formulojnë një ofertë prej 6 milionë eurosh në sezon, përfshi bonuset. Aktualisht, Maurito përfiton 4.5 milionë euro, që plus bonuset shkon në 5.3 milionë euro. Për këtë ofertë, Ëanda Nara nuk ka thënë po, por ka dalë më pretendimin për një pagë prej 8 milionë eurosh neto në sezon.

Krahas optimizmit, është ndier kohët e fundit edhe një farë distance mes palëve. Por me Marottan në organikë, tashmë perspektiva premton për një mbyllje me sukses të këtij operacioni, ku nuk do të mungojnë edhe diskutimet për klauzolën e largimit.

18 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Pushime në Nju Jork, për një Vit të Ri të paharrueshëm (Foto)

Posted: 18 Dec 2018 01:15 AM PST

Nga Manhattan në Bronx, eventet shpërthyese për ta pritur vitin e ri në metropolin mitik

Doni ta festoni sa më mirë ardhjen e Vitit të Ri? E ku ka më mirë se Nju Jorku. Nëse zemra e festimeve do të jetë edhe këtë vit Times Square me shfaqje sensacionale, dritat dhe numërimin e ikonave të skanuara nga Ball Drop, vizitorët në qytet do të gjejnë në të gjitha rrethet argëtuese të siguruara. Këtu është një përzgjedhje e ngjarjeve më interesante.

Times Square – Festimet në Times Square për vitin e ri do të fillojnë më 13 dhjetor kur dy numrat 1 dhe 9 në formatin gjigant do të shfaqen në sheshin më të famshëm në botë, deri më 22 dhjetor. Shkrepje perfekte për t'i ndarë në "Instagram". Më 28 dhjetor, nga ora 12.00 deri në orën 13.00 në Broadëay Plaza në Times Square, do të mbahet Dita e çlirimit në bashkëpunim me kompaninë Shred-in, për të shkatërruar kujtimet e këqija të vitit 2018 dhe për të filluar më mirë vitin e ri.

Muri i Dëshirave – Nga 1 deri më 29 dhjetor, ëndrrat dhe qëllimet e mira për vitin 2019 mund të mbështeten në Murin e Dëshirave në sheshin Times Square, mbledhur në fletët e letrës me ngjyrë. Në prag të Vitit të Ri, në mesnatë, të gjitha dëshirat do të lansohen si konfeti në turmë si një shenjë e mirë për vitin e ri. Ata që nuk do të jenë në gjendje të vizitojnë Murin e Dëshirave personalisht, do të jenë në gjendje të ndajnë dëshirat e tyre në format elektronike, nëpërmjet faqes së internetit, në Tëitter dhe Instagram me hashtag #ConfettiËish.

Ball Drop – Tradita e vërtetë e Vitit të Ri në NYC është Ball Drop, zbritja e sferës së ndritshme nga rrokaqiell i One Times Square deri në mesnatë të vitit të ri. Duke u bërë një simbol ikonë në të gjithë botën, sfera peshon rreth 6 ton dhe është e mbuluar nga 2,688 kristale Ëaterford, të cilat ndriçojnë natën me mbi 16 milionë ngjyra kaleidoskopike. Lokalet në afërsi do t’u ofrojnë të ftuarve të tyre një dolli me pamje për të festuar ardhjen e vitit të ri.

Manhattan – Prej 21 deri 1 të mëngjesit më 1 janar, vizitorët mund të shijojnë një dalje në det në bordin e 'Circle Line' për të admiruar pamjen e mrekullueshme të horizontit dhe shfaqjen mbresëlënëse të fishekzjarrëve në lumin Hudson. Muzika e gjallë dhe dollitë e mesnatës do të jenë korniza e kësaj mbrëmjeje të mrekullueshme. Ndërtesa e Empire State Building do të festojë fundin e vitit 2018 me një ndriçim të gjallë LED që do të qëndrojë deri më 31 dhjetor. Pesë minuta para mesnatës ndërtesa do të bëhet e bardhë deri në agim deri më 1 janar 2019.

Koncerte në Manhatan – Nga 28 deri më 31 dhjetor, grupi rock Phish do të kthehet në Madison Square Garden për performancën e 60-të. Publiku do të jetë në gjendje të presë vitin e ri, duke kënduar dhe vallëzuar hitet e viteve ’90. Katër herë fituesi i Grammy, Renee Fleming, do të performojë së bashku me filarmoninë dhe dirigjentin e ri Jaap van Zweden për koncertin vjetor të Filarmonisë së Vitit të Ri.

Brooklin – Festimi i fishekzjarreve të Vitit të Ri do të zhvillohet në lagjen e famshme, në pallatin historik të Ushtrisë së Madhe në Prospect Park, Brooklyn. Ngjarja është falas me argëtim të gjallë dhe fishekzjarrë të jashtëzakonshme. Gjithashtu në Coney Island, sipas traditës, notimi i parë në Oqeanin e organizuar nga Polar Bear Club do të zhvillohet më 1 janar. Regjistrimi është i lirë dhe takimi është caktuar në orën 13:00 në ujërat e Stillëell Avenue. Në fund të notit, ju mund të hyni në Neë York Aquarium dhe të ngroheni në Coney Island Breëing Company.

Bronx – Ekspozita e Festave të Trenit në Kopshtin Botëror të Nju Jorkut do të mbetet e hapur deri në orën 18:00 më 1 janar. Kjo ekspozitë vjetore pret shumë modele trenash që lëvizin në një miniaturë të qytetit të Nju Jorkut me mbi 175 rindërtime të ndërtesave, duke përfshirë risitë si Oculus, One Ëorld Trade Center dhe Battery Detention Building.

18 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Tetë vende të BE-së anëtarë të KS të OKB-së, mbështesin ushtrinë e Kosovës

Posted: 18 Dec 2018 01:00 AM PST

Tetë vende të Bashkimit Evropian, anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ish anëtare apo anëtare të ardhshme, i dhanë mbështetje të hënën të drejtës së Kosovës për themelimin e ushtrisë së saj.

Këto komente u bënë në një deklaratë të nënshkruar nga Belgjika, Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Polonia, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar, në të cilën theksohet se “ne vendet e Bashkimit Evropian, pjesë e Këshillit, duam të nënvizojmë se një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme, është thelbësore që Serbia dhe Kosova të përparojnë në rrugën e tyre evropiane.

“Nisja e procesit të tranzicionit Forcës së Sigurisë së Kosovës është e drejtë sovrane e Kosovës. Ne e kemi parasysh përkushtimin e Kosovës për transformimin gradual të forcës së sigurisë, në bashkërendim të plotë me NATO-n dhe partnerët e saj.” “I bëjmë thirrje Kosovës që ta kryejë tranzicionin e FSK-në në 10 vitet e ardhshme në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, për të përfshirë komunitetet dhe bëjmë thirrje që kjo të mos ndikojë në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ne gjithashtu bëjmë thirrje që të ruhet marrëveshja me KFOR-in sa i përket veprimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të vendit”.

Në deklaratë thuhet se, pothuajse dy dekada pas miratimit të rezolutës 1244 dhe dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Beogradi dhe Prishtina ende kanë shumë çështje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e ardhshme që duhet të zgjidhen në kuadër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim.

“Në u bëjë thirrje të dyja palëve të ndërmarrin hapa që të dëshmojnë përmbajtje, të ulin tensionet dhe të krijojnë kushtet për rifillimin e bisedimeve të lehtësuara nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian. Një marrëveshje detyruese që trajton të gjitha çështjet mbetet përparësia kryesore”, thuhet në tekstin e deklaratës që u publikua pak para fillimit të mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me kërkesë të Serbisë për të diskutuar vendimin e parlamentit të Kosovës për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në ushtri të Kosovës.

Vendimi i cili u mbështet nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Gjermania, nxiti reagim kundërshtues të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, që vlerësuan se koha nuk ishte e përshtatshme për një gjë të tillë.

Vendimi u prit me zemërim në Beograd, ku presidenti serb, Aleskandër Vuçiç, tha se votimi i parlamentit të Kosovës është veprim që rrezikon qëndrueshmërinë e gjithë rajonit, ndërsa sulmoi ashpër Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e ushtrisë së Kosovës.

18 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Beteja në OKB, Thaçi “gozhdon” Vuçiç: Boll me teatro! Ne viktima, ju agresori

Posted: 18 Dec 2018 12:45 AM PST

Këshilli i Sigurimit në OKB zhvilloi mbrëmjen e djeshme një mbledhje urgjente për Kosovën.

Përfaqësuesit e SHBA dhe Britanisë shfaqën mbështetje për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të armatosur, por, shtete të tjera kishin mendime të ndara në qëndrimet e tyre.

Ambasadori i Rusisë, Vasilij Nebenzja, ka përsëritur brengën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në lidhje me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe dënoi formimin e ushtrisë së Kosovës duke thënë se paraqet shkelje të Rezolutës 1244.

Edhe përfaqësuesi i Kinës ka thënë se respektojnë sovranitetin territorial dhe integritetin e Serbisë dhe përshëndetin përpjekjet e Beogradit për të gjetur një zgjidhje politike me Prishtinën.

Në të njëjtën mbledhje, ambasadorët e Holandës dhe Francës kanë përsëritur se mbështesin pavarësinë e Kosovës, por ambasadori francez çuditërisht shtoi se formimi i ushtrisë së Kosovës u bë në një moment jo të mirë marrë parasysh dialogun me Beogradin.

Po ashtu, ai bëri thirrje që Prishtina ta heqë taksën ndaj mallrave serbe. Të njëjtin qëndrim e ndau edhe përfaqësuesi i Holandës, i cili theksoi se vendimi për formimin e ushtrisë së Kosovës vjen në një moment të papërshtatshëm ndaj të dyja palët duhet të shfaqen të përmbajtura dhe t'i shmangen incidenteve të mundshme.

Pavarësisht këtyre qëndrimeve, ka qenë fjalimi i Presidentit kosovar Hashim Thaçi në OKB ai që ka lënë mbresa të forta dhe vendosi me shpatulla pas muri Vuçiçin.

Thaçi pas diskutimit për ushtrinë e Kosovës u kujdes që t'ia rikujtonte Vuçiçit dhe shteteve anëtare krimet që Serbia ka bërë në Kosovë.

"Nuk duhet të mohojmë të kaluarën, dihet viktima, dihet dhe agresori. Nuk ka dhe nuk do të ndodhë rishkrim i historisë. Atë duhet ta shikojmë pa drama pa teatro, vetëm siç është realiteti", tha Thaçi.

Në vijim presidenti kosovar përmendi edhe shifra për të gjitha krimet e Serbisë në Kosovë, duke "gozhduar" homologun e tij Vuciç.

"Shteti i Serbisë ka vrarë 13.550 civilë shqiptarë, janë dhunuar 20.000 femra shqiptare, për këto asnjë i akuzuar e lëre më i dënuar, 1 milion shqiptarë të dëbuar me dhunë, 40% shkatërrime, 400 masakra kundër shqiptarëve, asnjë i akuzuar e lëre më të dënuar", nënvizoi Thaçi.

Presidenti nuk kurseu lavded për luftën e bijve të Kosovës për liri, duke thënë se ka qenë e drejtë dhe luftëtarët nuk kanë devijuar nga rruga e tyre.

"Në Serbi asnjë serb nuk është dënuar për spastrimin etnik, për masakrat në Kosovë. Unë besoj në luftën e drejtë sikur që në të njëjtën kohë nuk e kontestoj që ndonjë qytetar ka devijuar nga besnikëria e ushtrisë", tha ai.

18 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Studentët mesazh Bashës dhe Kryemadhit: Mos iu afroni protestës

Posted: 18 Dec 2018 12:36 AM PST

Ka hyrë në ditën e 14 protesta e studentëve. Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më herët, fillimisht atako të grumbullohen përpara fakulteteve dhe më pas do të marshojnë drejt Kryeministrisë për të përsëritur në kor kërkesat e tyre ende të pa plotësuara nga shefi i qeverisë. Studentët vazhdojnë t'i thonë "Jo", dialogut me Edi Ramën, duke thënë se kërkesat e tyre janë të panegociushme.

Ata bëjnë thirrje që ashtu si ditët e tjerë të gjithë studentët të bojkotojnë mësimin por kanë dhe një mesazh për Bashën e Kryemadhin. "Mos guxoni të afroheni në protestë".

18 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

SHQIPËRIA NË KRIZË! KËRKOHET NJË KANDIDAT PËR KRYEMINISTËR

Posted: 18 Dec 2018 12:27 AM PST

Nga Mentor KIKIA

Referuar protestave, refreni që kam dëgjuar më shumë ndër biseda këto ditë ka qenë dilema: Mirë po e heqim Ramën, po kush të vijë?

Të kesh një qeverisje të keqe, është një problem. Por të mos kesh asnjë alternativë për ta zëvendësuar atë, është një mijë herë problem. Shqipëria nuk është thjeshtë e varfër dhe viktimë e korrupsionit, por është një shoqëri në krizë totale, e paaftë të prodhojë alternativa të reja politike. Të gjithë mendojnë se gjithçka rrotullohet mes PS-së e PD-së (akoma më keq, mes Ramës dhe Bashës), të cilat bëjnë thjesht rrotacion. Ndërsa ne bëjmë bilancin se kush vodhi më shumë dhe kush më pak.

Dhe për këtë nuk është aspak faji i kastës politike. Por i shoqërisë, njerëzve që sot struken nëpër kafene dhe presin që studentët konviktorë që lahen me sapllake, t’u ulin edhe çmimin e naftës, të rregullojnë edhe reformën zgjedhore, edhe korrupsionin në drejtësi…. Faji është i atyre që jo vetëm votojnë verbërisht partitë e tyre, por edhe e fotografojnë votën për t’ja treguar shefit se e përmbushën detyrimin.

Sepse jemi një lukuni intrigantësh e thashethemexhinjsh, që çdo kujt që do të guxojë të dalë me një ide, do ia vënë një bisht. Do i gjejnë një "pisllëk" që ka bërë kur ka qenë student, a një foto kur ka qenë në shkollë dhe mësuesja i ka çuar në mitingun e PS-së apo PD-së. Nëse jo, kur ka qenë në kopsht patjetër që e ka bërë shurrën në brekë, s'ka ku shpëton.

Nëse ai (ajo) do të jetë pjesë e klasës politike, do të themi: Hë mos se nuk ka marrë kockën e vet, e tani bën si atdhetar.

Nëse nuk është pjesë e klasës politike, do të themi: Po ky nga doli, e kush e njeh këtë?

Nëse vjen nga jashtë, do të themi: Po ky vjen nga jashtë e bën sikur ju dogj barku për Shqipërinë. Ku e njeh realitetin ky?

Nëse është nga brenda, do të themi: Njësoj është edhe ky, nga i njëjti moçal ka dalë.

Nëse do të ketë shtëpi të mirë, do të themi: I korruptuar edhe ky!

Nëse jeton modestisht, do të themi: Ky nuk është për vete, do jetë për ne.

Nëse ka makinë të mirë, do të themi: Eshtë hajdut.

Nëse ka makinë modeste, do ta përqeshim: Po ky ku shkon me këtë "Benz 190", me këtë do të bëjë karrierë ky?

Nëse ka dalë në televizor, do të themi: Po aman dhe ky, bëri gam-gam nëpër ekrane e tani do të merret me politikë.

Nëse nuk ka dalë askund, do të themi: Po ky nga mbiu, kush e ka futur?

Pastaj do të shpërthejnë konspiracionet: E ka futur Rama, që të duket si opozitar. E ka futur Veliaj kundër Ramës, se Sorosi i vogël është zënë me Ramën dhe e ka mirë me Veliajn. Eshtë njeriu i Bërishës, që të duket si rival i Bashës. Ose e mbështet Basha që të thotë ca gjera kundër Berishës, meqë ai nuk i thotë vetë.

Dhe pastaj në zgjedhje bëjmë sikur zgjedhim të keqen më të vogël sërish.

Kështu që unë them, që atyre studentëve t’u rregullohen ato konvikte se janë gjynah dhe ta lëmë Ramën aty derisa të mërzitet, se do mërzitet një ditë. Pastaj, nëse Berisha do jetë gjallë, e rikthejmë edhe një herë, nëse Basha nuk do të jetë mërzitur duke pritur. Më tej, kismet, do jenë rritur ata freshistët që bërtisnin në protestë: "Mos kaloni nga kryeministria", "Nuk duam politikë".

Jeni të lutur ta shpërndani këtë shkrim si një “fletërrufe” për vete dhe për gjithë popullin e Facebook-ut dhe të kafeneve.

18 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Veriu dhe Juglindja pushtohen nga reshjet e dëborës (FOTO)

Posted: 18 Dec 2018 12:26 AM PST

Reshje të dendura bore kanë nisur në juglindje të Shqipërisë. Trashësia e dëborës në Dardhë dhe në Qafën e Qarrit ka arritur 25 cm ndërsa në Voskopojë mbërrin 10 cm.

Rruga është e kalueshme vetëm me zinxhirë në Dardhë dhe në Qafën e Qarrit, kurse akset e tjera janë të kalueshme pa problem.

Dëborë ka rënë më shumë në Qarkun e Kukësit dhe Dibrës, por dhe në juglindje të vendit.

Në Bulqizë, ulja e temperaturave dhe reshjet e dëborës janë shoqëruar me ngrica dhe në disa rrugë duhen përdorur zinxhirë. Trashësia e dëborës në disa fshatra shkon deri në 30 cm.

Reshje dëbore gjatë natës, të shoqëruara me ngrica, ka pasur edhe në Korçë dhe Ersekë.

Dita e mërkure dhe e enjte sjell ndërprerje të reshjeve për tu ri-kthyer sërish të premten. Ndërkohë, temperaturat ekstremale të ajrit do të luhaten nga -5°C minimumi në zonat malore deri 15°C, vlera më e lartë në rang territori.

18 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Protesta e studentëve, Avokati i Popullit: Të përgjysmohen tarifat për…

Posted: 18 Dec 2018 12:19 AM PST

Studentët do të dalin sot për të 14-ën ditë në shesh, duke vijuar protestën e tyre kundër tarifave të larta të studimit dhe kushteve skandaloze në konvikte e fakultete.

E teksa "revolta" e tyre nuk shfaq premisa për t'u ndalur duke "paralizuar" kështu aktivitetin në auditorë, përkrah studentëve është rreshtuar edhe Avokati i Popullit.

Nëpërmjet një deklarate për mediat AP kërkon që të bëhet përgjysmi i tarifave të studimit për kategoritë e studentëve që vijnë nga shtresa sociale në nevojë, ata me aftësi të kufizuara dhe invalidët.

"Qysh prej nisjes së zbatimit të ligjit të ri të arsimit, institucioni i Avokatit të Popullit ka marrë ankesa të shumta nga studentë e familjarë të cilët kërkojnë lehtësimin e barrës së pagesave që kategori vulnerabël studentësh duhet të përballojnë për arsimimin e tyre. Vlen të theksohet se ligji i ri nuk ka marrë në konsideratë zbatimin e atyre politikave në fuqi, të cilat shërbejnë për lehtësimin e këtyre kategorive nga pagesat e tarifave. Për këtë arsye, rekomandime të njëpasnjëshme u janë dërguar institucioneve përgjegjëse arsimore nga ana e Avokatit të Popullit përgjatë gjithë viteve 2017 dhe 2018", thuhet në deklaratë.

Sipas AP, "Ministria e Arsimit, Universiteti i Tiranës në pothuajse të gjithë fakultetet e tij, e po ashtu edhe Universiteti i Elbasanit kanë marrë në mënyrë të vazhdueshme rekomandime nga ana e Avokatit të Popullit me anë të të cilave është kërkuar zbatimi i politikave sociale që të bëjnë të mundur përjashtimin ose përgjysmimin e tarifave për këto kategori studentësh".

Me tej, AP shton se këto rekomandime kanë marrë përgjigje sipërfaqësore nga ana e Institucioneve të Arsimit të Lartë.

"Pothuajse të gjitha kërkesat dhe rekomandimet që Avokati i Popullit ka dërguar pranë këtyre institucioneve gjatë dy viteve, kanë marrë përgjigje sipërfaqësore, të përgjithshme dhe pa asnjë angazhim konkret. Në disa raste, kërkesat tona janë injoruar plotësisht dhe vetëm në dy raste individuale është marrë në konsideratë ulja e tarifës për studentët ankues. Nuk ka pasur një qëndrim pozitiv nga ana e institucioneve për të miratuar një politikë të qëndrueshme në lidhje me këto grupe vulnerabël të shoqërisë në linjë me të drejtat e tyre të miratuara në ligjet specifike që rregullojnë të drejtat e tyre", thekson AP.

Sipas AP, autoritetet arsimore duhet qe sa më parë të dëshmojnë me veprime konkrete vullnet për plotësimin e atyre rekomandimeve në lidhje me kategoritë e studentëve që vijnë nga shtresat sociale në nevojë.

"Institucioni i Avokatit të Popullit i përkrah kërkesat e studentëve që kërkojnë akses dhe kushte më të mira për arsim, duke bërë thirrje që të rishikohet me përgjegjësi sociale i gjithë kuadri ligjor i sistemit tonë të edukimit, për të garantuar që e drejta për arsim cilësor për të gjithë qytetarët tanë pa asnjë dallim, të jetë përgjithmonë e garantuar", përfundon njoftimi.

18 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more