Skip to main content

“Opozita kthehet në Kuvend, do marrë pjesë në dy seancat e kësaj jave” plus 9 more - Gazeta Dita

“Opozita kthehet në Kuvend, do marrë pjesë në dy seancat e kësaj jave” plus 9 more - Gazeta Dita


Opozita kthehet në Kuvend, do marrë pjesë në dy seancat e kësaj jave

Posted: 18 Dec 2018 02:49 AM PST

Opozita ka vendosur që të kthehet në Kuvend pas një bojkoti të gjatë.

Mësohet se deputetët opozitarë do të marrin pjesë në të dyja seancat e kësaj jave, atë të së enjtes për buxhetin dhe atë të së premtes për vetting-un në politikë.

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi: "Po kthehemi në Kuvend për studentët".

 

o.j/dita

Del në dritë një tjetër bllok banimi në Laprakë, ja transformimi

Posted: 18 Dec 2018 02:40 AM PST

Blloku i banimit në rrugën "Riza Cuka” ka filluar që të dalë në dritë.

Pas pastrimit të terrenit nga ndërtimet pa leje që kishin zaptuar hapësirën brenda këtij blloku, Bashkia e Tiranës po vijon me ritme të shpejta punën për rehabilitimin e tij, ku përfshihet krijimi i një lulishte të re dhe vendosja e stolave dhe e moduleve të ndryshme të lojërave për fëmijët e vegjël.

Sikurse shihni edhe nga këto foto, fillimisht janë shtruar rrugicat dhe ndërtuar trotuarët.

Sipas projektit do të ndërtohet një shesh rekreativ për të gjitha moshat, ku hapësira do t'i dedikohen jo vetëm këndeve për fëmijë, por edhe grupmoshave më të rritura të cilët do të kenë mundësi që të qëndrojnë pranë gjelbërimit.

Ndërhyrja në këtë bllok parashikon dhe sistemimin e parkingjeve mes pallateve, ndriçimin e tyre dhe vendosjen e të gjithë sinjalistikës së nevojshme duke rritur sigurinë.

Një kujdes i veçantë i është kushtuar dhe vendeve për kalimin e këmbësorëve në rrugë, për të mundësuar lëvizjen e lirshme të personave me aftësi të kufizuar, si dhe karrocave me fëmijë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka shprehur vendosmërinë që çdo lagje e kryeqytetit të ketë një kënd lojërash dhe hapësira çlodhëse për më të rriturit.

o.j/dita

Rama – studentëve: Më keni bërë Instagramist

Posted: 18 Dec 2018 02:17 AM PST

Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Universiteti Bujqësor se protesta e studentëve e ka detyruar atë që të merret edhe me Instagramin.

"Më shkruante dje një zonjë: "Ore, ça dialogu kërkon nga ata? Kam dy vite që kërkoj të dialogoj me dy që kam në shtëpi dhe ata nuk përgjigjen. Rrinë tërë ditën në telefon dhe qeshin me vete". Mua të shkretin më keni bërë instagramist duke dialoguar me shenja aty ku rrini ju", tha Rama.

Kryeministri Edi Rama ditët e fundit ka nisur postimet e shpeshta në Instagram Story për të ftuar studentët për dialog.

o.j/dita

Mourinho largohet nga Manchester United

Posted: 18 Dec 2018 02:15 AM PST

Trajneri i  Mançester United, Jose Mourinho ka dhënë dorëheqjen. Largimi i Mourinhos u komunikua nga klubi anglez .

Manchester United njofton se trajneri Jose Mourinho është larguar nga ky klub me efekt të menjëhershëm.  Klubi falënderon Josen për punën e tij të palodhshme gjatë kohës që ishte në Manchester United dhe i uron sukses për të ardhmen.

Nga ana tjetër klubi anglez njofton se një tjetër menaxher do të caktohet deri në fund të sezonit të kaluar, ndërsa shton se do të zhvillohet një proces rekrutimi për një tjetër menaxher me kohë të plotë.

o.j/dita

Mjerimi dhe pafytyrësia e një “rektori dixhital” (më i pasuri prej krejtve)

Posted: 18 Dec 2018 02:11 AM PST

Një vit gjysëm më parë, më 13 qershor 2017, DITA botoi një shkrim të Prof. Fatos Tarifës titulluar "Mjerimi dhe pafytyrësia e një rektori dixhital". Ishte një kritikë therëse për njërin prej rektorëve të universiteteve publikë kryesorë të vendit, por në të nuk përmendej emri i atij rektori.

Në kuadrin e zhvillimeve të dy javëve të fundit, kur studentët e universiteteve publikë të vendit janë ngritur në protesta masive në kërkim të përmirësimit të kushteve të tyre të jetesës e të studimit, shkrimi në fjalë bëhet më aktual.

Ai hedh dritë mbi një aspekt shumë të rëndësishëm të universiteteve tona, siç është veprimtaria e Konferencës së Rektorëve, një organ kolegjial i drejtuesve të të gjitha institucioneve të arsimit të lartë në vend, i konstituuar me ligj, por që, gjatë dy viteve të fundit, qysh nga miratimi i Ligjit për Arsimin e Lartë, nuk është mbledhur asnjëherë.

DITA ka zbuluar tashmë emrin e rektorit "dixhital", për të cilin ka shkruar Tarifa, si dhe makinacionet e tij për të sabotuar Konferencën e Rektorëve të universiteteve shqiptare, duke e thelluar krizën e sistemit universitar në vendin tonë.

Ai është Rektori i Universitetit të Tiranës, z. Mynir Koni, i cili, sipas një raporti të kohëve të fundit të Open Data Albania, rezulton të jetë rektori më i pasur në Shqipëri. 

Prof. Fatos Tarifa

Kurrë nuk e kisha menduar se do të shkruaja për një koleg, rektor i njëritprej universiteteve shtetërore në vendin tonë. Po kështu, kurrë nuk e kisha menduar dhe, aq më pak, dëshiruar, që të shkruaj për një drejtues universiteti në mënyrën siç po nis të shkruaj këto radhë. Nga titulli që zgjodha, lexuesi e kupton se jam i shqetësuar dhe i revoltuar për sa dëshiroj të ndaj me të më poshtë, dhe jo pa arësye.

Shkas për të shkruar këto radhë u bë një status i ish-kryeministrit Sali Berisha ne Facebook, për të cilin më informoi një kolegu im, edhe ai rektor i njërit prej universiteteve tona. Statusi i z. Berisha niste me këto fjalë: "Kjo është autonomia e universiteteve në Narko-republikën e Noriegës". Z. Berisha pohontese ka marrë një mesazh nga një "pedagog dixhital", i cili i ka "dëshmuar" për një situatë skandaloze, që gjoja u krijua të enjten e javës së shkuar, më 8 qershor, në Konferencën e Rektorëve të shkollave të larta, që u mblodh atë ditë. Mbështetur në "informacionin" e paverifikuartë këtij personi "kibernetik", jo të gjallë e jotokësor, dhe në asnjë dëshmi tjetër, z. Berisha i kërkon Ministres në detyrë të Arsimit shkarkimin e menjëhershëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, duke e akuzuar atë për "presion kriminal mbi rektorët e universiteteve".

Ndërgjegjja ime, si një qytetar i këtij vendi, si një intelektual dhe profesor që, në cilësinë e Rektorittë njërit prej universiteteve privatë në vend, isha i pranishëm në konferencën e sipërpërmendur të rektorëve, më detyron të mos hesht, por të flas, të shpjegoj e të denoncoj qëndrimin e kolegut tim "rektor dixhital".

Nuk dëshiroj të merrem me statusin e z. Berisha në Facebook. Atij aq i thanë, aq tha. Ajo që më habit është se, ky njeri, edhe sot, kur nuk është më as president, as kryeministër i këtij vendi, siç ka qenë për 13 vite me radhë, dhe as kryetar i partisë më të madhe opozitare, siç ka qenë për afro njëçerek shekulli, vazhdon të sillet sikur të ishte në pushtet, duke urdhëruar një ministre që të shkarkojë Sekretarin e Përgjithshëm të dikasterit të saj, duke bërë presion mbi Prokurorinë e Përgjithshme dhe mbi institucionin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Por, ajo që më habit edhe më shumë në këtë rast është fakti që, një rektor, pra një njeri,i cili supozohet të jetë intelektual, të ketë integritet moral dhe një mendje të hapur, i "qahet" një ish-kryeministri, madje duke e mashtruar atë në mënyrën më të paskrupullt. Nuk kam se si ta di se cilin universitet përfaqëson ky rektor "dixhital"—ndoshta universitetin e Domosdovës, apo atë të Rrogozhinës (të cilëve, Noli ynë i madh u bëri vend në përkthimin mjeshtëror prej tij të vëllimit të parë të Don Kishotit), ose ndoshta universitetin e Roskovecit, atë të Mësiçkës apo të Maminasit.

Kjo, sidoqoftë, ka pak rëndësi.Mua,e gjitha kjo më duket një gjëndje orwelliane, një realitet i frikshëm dhe ogurzi për një shoqëri që pretendon të jetë e hapur e demokratike. Prandaj, këtu dua të merrem me "rektorin dixhital" dhe do të kisha dashur të debatoja me të hapur e ballë për ballë, madje publikisht. Do të kisha dashur, pra, të debatoja me individin, me profesorin, me rektorin që ai përfaqëson dhe jo me një hije që i ngjan afijeve të dikurshme të Sigurimit të Shtetit, apo një agjenti të Stasit apo të KGB-së. Por, ngaqë kyindivid nuk ma jep këtë mundësi, pasi ai ekziston vetëm në hije e fshehtësi, në cyberspace dhe jo në hapësirën publike në të cilën jetojmë e veprojmë, detyrohem t'i drejtohem atij në vetë të dytë, me "ju", cilido qoftë ai.

Më pare, sidoqoftë, dëshiroj të ndaj me publikun "dëshminë" që ky rektor i paemër dhe i pafytyrëi ka ofruar z. Berisha. Këtë informacion e ka postuar në Facebook, pra e ka bërë një fakt publik, vetë ky i fundit. Unë e riprodhoj këtu pa i korrigjuar gabimet e shumta ortografike të tekstit të "pedagogut dixhital", për të cilat ai do të duhej të kishte mbetur në klasë në shkollë të mesme. Teksti i tij vijon i plotë më poshtë:

"Doktor ju pershendes. Ndaj me ju shqetesimin qe nderkohe qe Ministrja e re e Arsimit po merret me mbikqyrjen e zgjedhjeve dhe parandalimin e perfshirjes se mesuesve, Plarent Ndreca po ben fushate i pari ne ate ministri. Dje dhe sot, ky njeri, me urdher te Edi Rames ka mare dhe kontaktuar cdo rektor te universiteteve publike dhe private qe ne mbledhjen e sotme te Konferences se Rektoreve atate zgjedhin njeriun e tyre, socialistin e thekur Rektor te Mjeksise Tirane Arben Gjata. Universitetet private jane nxehur me kete njerii cili eshte nje kamikaz qe nuk kandidoi dot ne fushate sepse eshte ne ndjekje penalenga prokuroria. Mbledhja e konferences se rektoreve po kalon ne nje tension te madh per shkak te presioneve politike dhe banditeske te Plarent Ndreces ky Arben Gjata eshte ai doktori qe i rregullon vizitat e nates ne QSUT Edi Rames qe te ngjajne si te papritura per te reklamuar pseudoreformat ne shendetesi e shtyne mbledhjen sepse universitetet private nuk pranuan te shqyrtojne kandidaturen e tij dhe propozimin qe vota e universiteteve publike te kete mbivlere nga ato te privatit".

Kjo është e tëra. Jo e tërë e vërteta, por gënjeshtra më e madhe që kam dëgjuar ndonjëherë në në jetën sime për një ndodhi, të cilën e kam përjetuar vetë, nga fillimi në fund, madje duke qenë aktiv në disktutimet që u bënë në atë konferencë. Për këtë arësye edhe i shkruaj këto radhë. Dhe, për sa kohë që ky rektor mbetet një "qytetar dixhital", paemër e pa fytyrë, edhe pse tërë sy e veshë për të spiunuar, ndjej një përgjegjësi morale e profesionale që të ndaj me kolegët e mi rektorë, me pedagogët dhe studentët e universiteteve tona, si dhe me publikune gjërë,atë çfarë unë mendoj për gënjeshtrën e tij dhe për atë vetë, si person, të çveshur nga maska e turpshme me të cilën ka mbuluar fytyrën e tij. Këtij "rektori" i them sa më poshtë:

Ju, zoti "pedagog dixhital", cilido qoftë emri juaj dhe kudoqoftë shkolla e lartë që ju ka zgjedhur në postin e rektorit, jeni një little man, një njeri i përvuajtur e frikacak, i paaftë për asgjë.Ju, me siguri, nuk keni as shokë, as miq, pasi ata i tremben malinjitetit tuaj.Ju nuk dini të qeshni e as të jetoni ndershmërisht, me punën tuaj. Unë e imagjinoj fare mirë se si ju keni mundur të bëheni rektor.

Ju, zoti "rektor dixhital", mund të keni vërtet aftësitë dhe talentin për t'i shërbyer çdo autoriteti represiv, që do të ishte në rolin e Big Brother-it, por ju nuk keni mendimin tuaj dhe as keni aftësinë që të kuptoni kohën në të cilën jetojmë. Ju nuk jeni një njeri i lirë dhe, për këtë arësye, ju tremb liria e tjetrit.Ju jeni një qënie mjerane, e padenjë për detyrën që kryeni.

Ju, zoti "çfarëdo dixhital", jeni një mashtrues i rëndomtë, një servil i përbuzur për këdo që ka mundur t'ju njohë përpara se të transformoheshit në një "qënie dixhitale" dhe për këdo që, me siguri ka vuajtur pasojat e intrigave tuaja.Ju jetoni me gënjeshtra dhe jeni vetë një gënjeshtër e madhe.

Ju, zoti "anonim i dixhitalizuar", nuk dini se ç'është turpi, as nderi, as puna, as merita. Njerëz si ju (sepse kam njohur edhe të tjerë që ju ngjajnë, por jo deri në këtë masë), më krijoni përshtypjen se çdo gjë që mund të keni përfituar në jetë, ose në karrierën tuaj e keni marrë në mënyrë tëpaturpshme, të pandershme, pa punë dhe pa meritë.

Më vjen turp që detyrohem të shkruaj për një njeri si ju, por edhe pse publiku nuk do të mundet dot ta mësojë nga ky shkrim se cili jeni ju në të vërtetë, ç'fytyrë dhe ç'emër keni, e gjykoj të rëndësishme që anonimëve si ju, t'u nxirret boja. Shumë njerëz të ndershëm, punëtorë e të aftë kanë vuajtur e vuajnë në kurrizin e tyre dhe në familjet e tyre maskarallëqet e njerëzve si ju.

Pse ju quaj të tillë, siç ju përshkrova më sipër: një individirrezikshëm për të mirën publike?Sepse dua të zbardh të vërtetën e asaj që ndodhi javën e shkuar në Konferencën e Rektorëve të institucioneve të arsimit të lartë, në të cilën mora pjesë edhe unë (së bashku me rreth 30 kolegë të nderuar, rektorë të shkollave tona të larta, shtetërore e private), edhe ju, rektori i vetëm "dixhital" dhe i pafytyrë mes nesh.

Dhe, ndërsa shumica prej nesh, kolegëve të tu njerëzorë e jo "dixhitalë", diskutonim të preokupuar për të përmirësuar projektin e Statutit të këtij organi kolegjial, që ai t'ju përmbahet kërkesave të Ligjit për Arsimine Lartë, por edhe nevojës për të zgjeruar autonominë e universiteteve, ju, "dixhitali" mes nesh, i shkruanit Sali Berishës duke i komunikuar gjërakrejt të pavërteta. Sepse të vërtetat e asaj mbledhjeje nuk janë ato që ju, me servilizmin tuaj të neveritshëm, i shkruanit z. Berisha (kuptohet pse atij dhe jo një tjetri), duke e dezinformuar atë. Të vërtetat e asaj mbledhjeje, ndryshe nga sa shpifni ju, janë këto:

(1) As Edi Rama dhe askush tjetër, në emër të tij, nuk kanë marrë mundimin të kontaktojnë rektorët e universiteteve publike ose private, për t'u kërkuar atyre që, në krye të Konferencës së Rektorëve të zgjidhej "socialisti i thekur" Arben Gjata, rektori aktual i Universitetit të Mjekësisë.Kjo nuk ka ndodhur as me mua, si një prej rektorëve të universiteteve të këtij vendi, as me ndonjë prej kolegëve të mi rektorë, që i pyeta pasi lexova raportin tuaj të fshehtëpër Sali Berishën, zoti "rektor dixhital",

(2) Për shkak se kryetari i përkohshëm i kësaj konference, rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Mynyr Koni, e mbylli mbledhjen pas miratimit vetëm të pesë neneve të parë të projekt-Statutit të këtij organi kolegjial, i cili përmban 17 nene, nuk u arrit që të vendosej se cilat do të ishin parimet dhe modalitetet e votimit. Për rrjedhojë, asnjë emër nuk u propozua si kandidat për funksionin e kryetarit të Konferencës së Rektorëve, madje kjo çështje as nuk u shtrua për diskutim, për shkak se:

(3) Rendi i ditës së asaj mbledhjeje, siç ishim njoftuar paraprakisht me email, më 6 qershor, nga sekretarja e Rektorit të Universitetit të Tiranës, përmbante vetëm dy çështje: (a) shqyrtimin dhe miratimin e Statutit të Konferencës së Rektorëve dhe, (b) propozime për anëtarë të Bordit të Institutit për Studimin e Krimeve dhe të Pasojave të Komunizmit në Shqiperi nga radhët e akademikëve, sipas kërkesës së Kuvendit te Shqipërisë.

(4) Asnjë prej rektorëve të pranishëm në atë mbledhje, as nga universitetet shtetërorë, as nga ata privatë, nuk "u nxehën" me Rektorin e Universitetit të Mjeksisë, të cilin, ju, zoti "askush dixhital", e quani një "kamikaz që nuk kandidoi dot në fushatë". Së pari, askush nga ne nuk kishte asnjë motiv "të nxeheshim" me një kolegun tonë të nderuar. Së dyti, me pohimin tuaj të mësipërm, ju dëshmoni qartazi një zell të madh politik, si dhe pasionin tuaj të sëmurë për të shpifur, sipas parimit për të cilin na kujton Francis Bacon, "shpif, shpif se diçka do të mbetet" (audacter calumniare, semper aliquid haeret). Më lejoni t'ju them, zoti "rektor dixhital", se duke përgojuar emrin e njërit prej kolegëve tuaj, ju harroni se me këtë mund të zbuloni identitetin tuaj, si një rival për funksionin e kryetarit të Konferencës së Rektorëve.

(5) Mbledhja në fjalënuk njohu asnjë lloj "tensioni të madh" dhe, aq më pak, "për shkak të presioneve politike e banditeske të Plarent Ndrecës", siç i raportoni ju"Doktorit". Në të, thjesht u debatua mes kolegësh të barabartë për të gjetur formulimet më të sakta—dhe në përputhje me ligjin—për hartimin e të gjitha neneve të Statutit të Konferencës së Rektorëve. Natyrisht që pati edhe debat. Debati në të tilla raste është jo vetëm i natyrshëm, por edhe i domosdoshëm. Por ju, zoti "s'di-kush-jeni dixhital", debati ju tremb, sepse përderisa merreni me skuthllëqe të tilla,do të thotë se jeni i paaftë të merrni pjesë në një debat konstruktiv me kolegët tuaj.

(6) Duke i raportuar z. Berisha se, "ky Arben Gjata është ai doktori që i rregullon vizitat e natës në QSUT Edi Ramës që të ngjajnë si të papritura për të reklamuar pseudoreformat në shëndetësi", ju, zoti "rektor-spiun dixhital", na njihni me një tipar esencial të karakterit tuaj. Mua më vjen turp që ju dhe unë bëjmë pjesë në të njëjtin grup njerëzish që drejtojnë universitetet e këtij vendi, sepse ju nuk i përkisni këtij forumi njerëzish të nderuar e të respektuar në shoqërinë tonë.Ju jeni një lajm ogurzi për arsimin e lartë dhe shkencën shqiptare, përderisa merreni me gjëra të tilla.Por mua më vjen edhe më keq për ata kolegë që punojnë me ju, ose nën autoritetin tuaj dhe, sidomos, për ata mijëra studentë që ju kanë juve rektorin e universitetit të tyre.

(7) Ju mashtroni në mënyrën më të shëmtuar kur në sms-në tuaj i "rrëfeheni" zotit Berisha se mbledhja e rektorëve u shty "sepse universitetet privatë nuk pranuan të shqyrtonin kandidaturën e [z. Gjata] dhe propozimin që vota e universiteteve publike të ketë mbivlerëndaj votave tëprivatit".Kjo, si çdo gjë tjetër që ka prodhuar truri juaj i sëmurë dhe sms-ja juaj, është një shpifje kolosale. Askush nga rektorët pjesëmarrës në atë mbledhje nuk kërkoi ndërprerjen apo shtyrjen e saj. Këtë e bëri drejtuesi i asaj mbledhjeje, Prof. Koni, në cilësinë e kryetarit të përkohshëm të Konferencës sonë. Dhe ky i fundit e ndërpreu mbledhjen në mënyrë krejt të papritur dhe arbitrare, pa marrë pëlqimin e askujt.

Këto, zoti "rektor dixhital", janë të vërtetat e asaj mbledhjeje.Unë jam i sigurt se, në mbledhjen e radhës të Konferencës së Rektorëve, ju, nëse do të keni sy e faqe të merrni pjesë në të, të përshëndesni e t'u shtrëngoni duart kolegëve tuaj, do të gaboni patjetër në ndonjë farë mënyrë duke e dekonspiruar identitetin tuaj. Njerëzit si ju e kanë të shkruar në ballë se cilët janë.Sado që të përpiqeni ta fshihni malinjitetin dhe identitetin tuaj, ju jeni lehtësisht të identifikueshëm në grup, njëlloj siç ishin informatorët e dikurshëm të Sigurimit të Shtetit.

 

 

 

Cilat janë vendet ideale për blerjet e fund vitit dhe pse? Ja trendi mbizotërues i momentit

Posted: 18 Dec 2018 02:06 AM PST

Me rastin e festave të fund-vitit, njerëzit janë më të gëzuar, më të mirë, më bamirës dhe zemërgjerë.

Atmosfera festive, dritat shumëngjyrëshe, dhe dekori që zbukuron qytetet dhe shtëpitë e tyre, ua ngroh njerëzve edhe shpirtin.

Për këtë arsye, ata dëshirojnë të bëjnë dhurata, t'i bëjnë të tjerët të ndihen të lumtur, si dhe ta mbyllin mbarë vitin që po lëmë pas, për ta nisur edhe më mirë dhe me energji të reja vitin e ri.

Për këtë arsye blerësit u drejtohen gjithnjë e më shpesh, në ato dyqane ku janë të sigurt se do të gjejnë atë që kërkojnë, konkretisht në Qendrat Tregtare.

Sikurse shihet edhe nga fotot, fluksi në fundjavë në QTU, qe është qendra e parë tregtare e shqiptareve ka qenë i jashtëzakonshëm.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për TEG, që është absolutisht qendra më e vizituar në Shqipëri.

Vërtet në QTU ka qenë festa e inaugurimit, por fundjava ka tërhequr pa masë vizitorë sepse qendra ofron argëtim veç te tjerash për të kaluar sa më ngrohtë këto ditë të ftohta dhjetori.

Vetëm në 4 ditët e fundit, QTU-në e kanë vizituar plot 155.000 njerëz.

Kulmi u arrit ditën e dielë, kur në qendër u dhurua një Volkswagen Polo e 2018, e cila u fitua me lotari nga një qytetare.

Si në aksin ndër-urban Tiranë-Durrës që të çon në QTU, ashtu edhe në segmentin që të çon për te Tirana East Gate (TEG), radha e automjeteve dhe dyndja e qytetarëve ka qenë e lartë.

Përgjatë gjithë pjesës së mbetur të muajit, deri më 31 Dhjetor 2018, qendrat do të ofrojnë gjithçka që është e nevojshme për Krishtlindje dhe për natën e Vitit të Ri, ku çmimet ekonomike, dhuratat dhe aktivitetet e shumta argëtuese në të gjitha dyqanet dhe mjediset e tyre nuk do të mungojnë.

Trendet e konsumatorëve në këtë periudhë të vitit, janë kryesisht produkte ushqimore që do të shërbejnë për përgatitjen e drekave dhe darkavefestive, produktet elektro-shtëpiake, veshjet festive, që nga këpucët, e deri tek aksesorët, fustanet e pellushat.

Njerëzit duan që Viti i Ri t'i gjejë sa më mirë, me bollëk dhe begati, ndaj dhe ata u drejtohen dy qendrave tregtare ku mund të gjejnë gjithçka që i përshtatët më mirë, kërkesave dhe nevojave të tyre.

E ardhur si një dhuratë me rastin e festave, e stolisur dhe e tejmbushur me një larmi zgjedhjesh të ndryshme për konsumatorët, që nga familjarët, çiftet e reja, por edhe më të vegjëlit, pas një programi restaurimi me vlerë 15 milionë euro dhe një pune intensive prej 12 muajsh, si dhe një dizajn të ri interior, markate reja që i janë shtuar QTU janë NewYorker, Alcott, Atrativo, Burger King, Mango Man, Taff, Buzz, Bershka, Stradivarius, Cineplexxetj. QTU vjen tashmë e shtuar me një kat, me plot 47.000 metra katrorë sipërfaqe totale ndërtimi.

QTU ka zbuluar këndin më të madh të lojrave për fëmijë në Ballkan, një eksperiencë e mrekullueshme për të gjithë vogëlushët, e cila do t'ua zbukurojë atyre festat, pasi bëhet fjalë për një kënd me hapësira të brendshme dhe të jashtme, një mbretëri më vete ndodhish, shoqëruar nga personazhi i posaçëm Benni Bones, që do ti shoqërojë gjatë gjithë kohës fëmijët.

Ndërkohë edhe në TEG, destinacioni i preferuar i të gjithë shqiptarëve për të bërë shopping ka pritur me qindra mijëra klientë në një atmosferë të festave që e ka bërë qendrën gjithëpërfshirëse dhe mjaft mikpritëse, për këdo që kërkon të gjejë gjithçka që i duhet për shtëpinë, apo për t'u dhuruar, të afërmve, apo njeriut të zemrës.

TEG dhe QTU janë nën menaxhimin e Acrem, pjesë e Grupit Balfin, që është grupi më i madh dhe inovator i investimeve në Shqipëri dhe një ndër më të mëdhenjtë në rajon, i njohur edhe për investimet e zonave rezidenciale dhe tregtare, në turizëm me projekte si Green Coast Resort dhe Vala Mar Residences, në industrinë e modës dhe atë minerare, si dhe në aktivitetet e shitjeve me pakicë me rrjetet e dyqaneve Neptun, Jumbo, SPAR, etj.

Për më shumë informacione rreth programit të eventeve informohu ne www.qtu.al dhewww.teg.al.

 

Komisioni i Ekonomisë rrëzon dekretin e Metës

Posted: 18 Dec 2018 01:56 AM PST

Komisioni i Ekonomisë ka rrëzuar dekretin e Presidentit Ilir Meta për buxhetin e vitit 2019.

I pranishëm në komision, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj tha se Meta duhet të ndërhyjë për dialogun me studentët.

"Buxheti i vitit 2019 ka të gjitha mundësitë që të furnizojë kërkesat e studentëve. Sot, studentët kanë aleat vetëm qeverinë. Dekreti i Metës nuk ka detaj për arsimin. Meta të ndërhyjë për dialog me studentët, kjo është zgjidhja", u shpreh ai.

Arben Ahmetaj gjatë fjalës së tij sot në Komision gjithashtu deklaroi se, një mijë studentë të ekselencës do të mund të punësohen në administratë.

Kreu i Financave theksoi se "Do të alokohet në administratë një numër i caktuar pozicionesh. Gati 1000 studentë të ekselencës, pas studimeve do të futen në administrate".

Pak ditë më parë, Kreu i Shtetit ktheu ligjin për buxhetin e 2019 serish në Kuvend. Kjo lëvizje e Metës vjen si një mundësi për plotësimin e kërkesave të studentëve që lidhen direkt me buxhetin adresuar për ta.

o.j/dita

Ganimet Shala, shqiptarja që nxit fokusin e Sllovenisë drejt botës shqiptare

Posted: 18 Dec 2018 01:50 AM PST

Dikur cilësohej 'xhevahiri i Jugosllavisë", si një oaz i shkëputur nga komplikimet dhe mentaliteti ballkanas. Sllovenia ishte një përjashtim nga rregulli, pasi afrimiteti historik sidomos me botën austro-hungareze, i dha tjetër frymë dhe tjetër valencë këtij shteti.

Sot Sllovenia renditet në krye të listës evropiane, për standardin e jetesës, lirinë dhe ekuilibrin shoqëror. Është vërtetë një përjashtim nga rregulli ky vend.

E me sa duket, një përjashtim nga rregulli janë dhe shqiptarët që jetojnë prej dekadash aty, mbajnë një profil modest, janë të fokusuar fortë në biznes dhe në respektimin e rregullave të lojës dhe përherë gati për të kontribuar në lidhjet mes botës shqiptare dhe Sllovenisë.

Ganimet Shala spikat në këtë kontekst, ajo është një shtetase sllovene me rrënjë shqiptare, që prej afro një dekade është investuar në forcimin e marrëdhënieve diplomatike dhe të biznesit mes Shqipërisë dhe Sllovenisë.

Shala prej 9 vitesh mbanë titullin si përfaqësuese e Dhomës Shqiptare të Tregtisë në Lubjanë, ajo viziton Shqipërinë si pjesë e një delegacion biznesmenësh të fuqishëm nga Sllovenia, delegacion i udhëhequr nga zv-kryeministri dhe ministri slloven për pune te jashtme Dr. Miro Cerar.

"Mendoj se ekziston një klimë e favorshme që komunitetet e biznesit slloven të shohin seriozisht mundësinë e investimeve në Shqipëri, por pse jo edhe investimeve shqiptareve ne Slloveni, pasi aktualisht kemi disa raste, te cilat mund të realizohen brenda një periudhe të shkurtër. Bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve është relativisht modest, por që duke u bazuar ne interesat dhe gjendjen aktuale rezulton një bashkëpunim i kënaqshëm në fushën ekonomike në të ardhmen, sepse besojmë se ka potencial të madh për bashkëpunimin dypalësh ku ekzistojnë shumë mundësi të pashfrytëzuara ekonomike në shumë fusha të ndryshme. Bizneset sllovene janë teje të interesuara të ushtrojnë aktivitetet e tyre në Shqipëri, çfarë rezulton edhe pjesëmarrja e tyre në aktivitete të ndryshme biznesi dhe panaire në Shqipëri, gjithashtu edhe kjo pjesëmarrje në Forumin e Biznesit Slloveno-Shqiptar në Tiranë. Besoj se ky forum si edhe te tjerët deri tani rrisin interesin reciprok për bashkëpunim, hapin mundësi potenciale për biznese dhe investime të reja dypalëshe. Fushat më të rëndësishme dhe potenciale për forcimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve janë energjia, bujqësia, turizmi, ne veçanti turizmi bujqësor, mbrojtja e mjedisit duke përfshirë menaxhimin e mbetjeve, pastrimin e ujërave etj. Kompanitë sllovene kanë eksperiencë rajonale, disa nga ato edhe eksperiencë globale, zotërojnë teknologji, personel dhe know-how shumë të mirë, duke ofruar produkte dhe shërbime në të gjitha fushat. Shqipëria ka një potencial të madh zhvillimi, këtu ja vlen te përmendet edhe fakti që Shqipëria gëzon statusin e vendit kandidat për në BE dhe është në rrugëtimin e saj drejtë BE-së në ndërkohë që Sllovenia është një mbështetëse e fuqishme e procesit të zgjerimit të BE-së ku vazhdimisht dhe në mënyrë aktive mbështet edhe integrimin e Shqipërisë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen".y

Bashkëbiseduesja thekson se promovimi i Shqipërisë duhet të jetë i pandalshëm si në nivel politik ashtu dhe në biznes. Ajo prej vitesh shfrytëzon rastin duke promovuar Shqipërinë dhe resurset e saj, mundësitë e biznesit duke krijuar korridore komunikuese lobimi që përkrahin integrimin e Shqipërisë në BE dhe zhvillimin e saj ekonomik.

"Mendoj se Shqipëria ka disa pika të forta. Produktet shqiptare, natyrën, turizmin dhe të tjera", – shprehet Shala, ndërsa falë përpjekjeve të saj shumica e turistëve sllovenë kanë nisur të njohin Shqipërinë ku preferojnë sidomos alpinismin, por para te gjithave ushqimin dhe mikpritjen bujare.

"Sllovenët janë popull modest, të cilët e duan shumë natyrën andaj edhe dinë t'i vlerësojnë alpet dhe pikat e tjera malore në Shqipëri, turizmin bujqësor, i cili ka një perspektivë edhe më të mirë nëse investohet siç duhet", – argumenton më tej Shala.

Ganimet Shala ka qenë protagoniste e dorës së parë si përfaqësuese e kompanisë shtetërore sllovene të telekomunikacionit, duke përfunduar me sukses privatizimin e platformës "IPKO" në Kosovë dhe duke synuar në vitin 2012 të realizonte projektin e sistemit të digjitalizimit në Tiranë.3

Ganimet Shala shprehet se nismat e saj kanë në themel njohjen e mentaliteteve dhe gjuhës të dy vendeve, Sllovenisë dhe Shqipërisë.

"Dua të shpreh dashurinë që kam qoftë për Shqipërinë por në masë të njëjtë edhe për Slloveninë, sepse i njoh të dyja kulturat, temperamentet, sjelljet, pritjet, kontributet. Jam specializuar në studimet e mia pasuniversitare në marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomatike, por mendoj se përvoja jetësore në lidhje me zhvillimin e  ekonomisë, diplomacisë dhe në përgjithësi fushën ndërkombëtare është një pasuri që nuk ta jep dot asnjë shkollë", – shprehet Ganimet Shala.

Ajo çfarë bën prej vitesh Ganimet Shala mes Sllovenisë dhe Shqipërisë, është në fakt "diplomacia e padukshme ekonomike", kur rrënjët, njohjet dhe lidhjet në diplomaci dhe biznes, shërbejnë si urë që mund të çelin mundësi që deri pak kohë më parë as mund të mendoheshin.

l.h/ dita

Meta: Përkushtimi në arsimimin e të rinjve frenon largimin e tyre

Posted: 18 Dec 2018 01:43 AM PST

Në Ditën Ndërkombëtare të Emigrantëve, Presidenti Ilir Meta bën thirrje për bashkëpunim në parandalimin e largimit të të rinjve nga Shqipëria.

"Sot në Ditën Ndërkombëtare të Emigrantëve, dua të risjell edhe njëherë në vëmendje porosinë e veçantë të Papa Franceskut, që të gjithë së bashku duhet të bëjmë çmos që Shqipëria të mos pësojë "dimrin demografik" të Europës. Me përkujdesje, përkushtim dhe vëmendje maksimale në edukimin, arsimimin dhe krijimin e mundësive më të mira për të rinjtë, të frenojmë largimin e tyre dhe t'ju mundësojmë ndërtimin e një të ardhmeje të sigurtë e të qëndrueshme në Shqipëri", shkruan Meta në një postim në rrjetet sociale.

Për të 14-n ditë radhazi studentët pritet të protestojnë sot sërish për plotësimin e 8 kushteve të vendosura prej tyre.

o.j/dita

“Gënjeve”, studentja del nga salla, Rama: Ikni edhe ju që e duartrokitët

Posted: 18 Dec 2018 01:33 AM PST

Pasi zhvilloi dje një takim me pedagogë e studentë të fakultetit të Gjeologjisë, kryeministri Edi Rama ka shkuar sot në një Universitetin Bujqësor të Kamzës.

Sapo studentët nisën të flisnin, duke parashtruar kërkesat e tyre para Ramës, njëra prej tyre tha publikisht se i ishte mbajtur e fshehtë fakti se aty do të shkonte kryeministri.

Ajo tha se do të braktiste e para takimin në fjalë.

"Tarifat janë rritur. Unë jam studente e Financë-Kontabilitet dhe paguaj 320 mijë për tarifën. Ndërkohë dy kurset e tjera paguajnë 300-350. Pres përgjigje. Janë rritur apo jo tarifat? Nuk më pëlqeu fakti që Rektori na gënjeu pasi nuk na tha për këtë takim. Madje nuk na tha asgjë që do të vinit këtu. Ndaj unë jam e para që po braktis mbledhjen (studentët duatrokasin)", tha ajo.

Duartrokitjet që mori nga studentët e tjerë nuk i pëlqyen kryeministrit.

"Çfarë ka për të duartrokitur këtu? Përdorni megafona kur unë jam i gatshëm që t'ju dëgjoj. Ku e pret përgjigjen, duke ikur? Edhe ju që duartrokisni s'jeni të detyruar të rrini. Por një gjë ju them, nëse me ndihmon ndonjë prej jush që duartrokisni ta gjeni në historinë e ndonjë vendi këtë që bëni ju, do ju isha shumë mirënjohës.

Megafoni është një mjet që e kam përdorur dhe unë. Megafoni është shumë i nevojshëm kur s'të dëgjon njeri. Por kur atij që ti i bërtet me megafon thotë të dëgjova, ti i thua hajde ulemi dhe thotë nuk ulem, atëherë ka një problem me ty. Refuzimi për të folur nuk është argument.

Studentët e dhjetorit atëherë u ngritën në mënyrë paqësore sepse rregjimi i atëherëshëm edhe mund të nxirrte tanket në rrugë.

Ju po kërkoni të humbni diçka që e kërkuat vetë” – tha Rama.

o.j/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more