Skip to main content

“Hej kalamaja e keni parë varkën lodër te Parku i Liqenit? (Foto)” plus 9 more Gazeta SHQIP

“Hej kalamaja e keni parë varkën lodër te Parku i Liqenit? (Foto)” plus 9 more Gazeta SHQIP


Hej kalamaja e keni parë varkën lodër te Parku i Liqenit? (Foto)

Posted: 09 Dec 2018 01:40 AM PST

Dikur një ferishte e madhe, së shpejti do jetë një hapësirë rekreative moderne ku fëmijët mund të argëtohen dhe të kalojnë kohën e tyre të lirë.

Çdo ditë e më shumë, po merr formë sheshi i ri rekreativ në jug të Parkut të Madh dhe tashmë vogëlushët nuk do kenë më nevojë për të shkuar deri në det për të luajtur me rërë dhe varka.

Kjo pasi sheshi i ri do ti ofrojë të dyja dhe rërën dhe një "varkë" të madhe lodër ku vogëlushët do shndërrohen në kapitenë e marinarë!

Specialistët e APR kanë bërë montimin e varkës shumëngjyrëshe, ku fëmijët do mund të luajnë dhe të zhvillojnë imagjinatën e tyre.

Krahas saj ky shesh do të shërbejë edhe si një hapësirë sportive për më të rriturit, pasi APR me mbështetjen e TIKA-s po monton edhe module lojërash sportive.

9 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Elbasan, arrestohet shoferi i dehur pasi tentoi të korruptojë policin

Posted: 09 Dec 2018 01:22 AM PST

Policia e Elbasanit ka ndaluar një shtetas 35-vjeçar nga lagjja "Beqir Dardha", pasi i ka ofruar ryshfet punonjësit të Rrugores në momentin që u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

Ai është ndaluar nga shërbimet e Rrugores në fshatin Bradashesh duke drejtuar mjetin nën efektin e alkoolit, e pas kontrollit me drager është konstatuar të kishte konsumuar rreth 0.76 mg/l pije alkoolike.

Drejtuesi i mjetit ka ofruar një kartëmonedhë 2.000 lekëshe për t'i shpëtuar arrestimit, por pa mundur dot. AI do të akuzohet tashmë për veprat penale të "korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "drejtim mjeti në mënyrë të parregullt".

9 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Studentët – qeverisë: Afat deri të martën, ose protesta më masive e historisë

Posted: 09 Dec 2018 01:13 AM PST

Ashtu siç paralajmëruan, studentët do të vazhdojnë protestën e tyre nën moton "Dhjetori i Dytë" edhe sot. Në rrjetet sociale, që janë edhe "zemra" e kësaj proteste, studentët publikuan axhendën dhe në bazë të saj janë mbledhur para Korpusit Universitar në orën 9:30 dhe prej aty kanë nisur marshimin drejt Ministrisë së Arsimit.

Studentët i kanë vendosur si afat të fundit Ministrisë së Arsimit, ditën e martë, kur duhet të jenë plotësuar të gjitha kërkesat e tyre.

"Jemi të gjithë të bashkuar. Do i kërkojmë ministrisë dhe qeverisë të njëjtat kërkesa me 8 pika. Deri të martën është ultimatumi. Nëse nuk plotësohen, të martën do jetë protesta më masive që keni parë ndonjëherë", u shpreh një prej studentëve për mediat.

E sotmja, do të jetë dita e 5-të e protestave të studentëve për të drejtat e tyre, teksa ata vazhdojnë të bëjnë thirrje për mos politizim të tubimit. Sipas tyre ka pasur tentativa nga disa grupe për t'i përçarë, ndaj kanë hedhur disa ide. Ata kërkojnë që mos ketë një drejtues, por organizimi të bëhet nëpërmjet rrjeteve sociale dhe e dyta që të bëhen të dallueshëm nga grupe politike propozojnë që të mbajnë në dorë një shami të kuqe.

“Studentë, të gjithë të bashkuar për të kërkuar me ngulm plotësimin e kushteve! Kush nuk ka mundësi të shkojë të mblidhet pranë fakulteteve të vet, të vijë direkt në Ministrinë e Arsimit”, thuhet në faqen e Facebook të Universiteti.info.

Edhe "Lëvizja për Universitetin" bën thirrje që politika të qëndrojë larg studentëve.

“Studentët në protestë para Ministrisë së Arsimit po përballen me një fushatë të koordinuar dezinformimi dhe orvatjesh për t’i përçarë. Lëvizja Për Universitetin u bën thirrje të gjitha partive politike që të ndalin veprimet përçarëse ndaj studentëve. Edhe më fort se nga ne, thirrja për mospërfshirjen e partive vjen nga mijëra studentë njëzëri. Janë ata që e kanë kuptuar se partitë kanë vetëm një interes: përçarjen e studentëve dhe instrumentalizimin e protestës për agjendat e tyre”.

Studentët nuk kanë ndërmend të tërhiqen edhe pas refuzimit që i bën dje ministres Lindita Nikolla, e cila hyri mes turmës për të komunikuar me ta, por u refuzua, pasi studentët nuk kërkojnë negociata por vetëm plotësim të kushteve.

KËRKESA E PLOTË E STUDENTËVE
Drejtuar: Ministrisë së Arsimit dhe Sportit
Ministres së Arsimit dhe Sportit Znj. Lindita Nikolla
Lënda: Kthim përgjigje me shkresë zyrtare
1. Përgjysmim i tarifës së studimi
2. Rritja nga 10% në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan/rekor dhe rritja e përfaqësisë së studentëve në senatin akademik me 20%.                                       3. Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillet Studentore, Ligji i Arsimit të Lartë pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-të dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
4. Mbështetje e studentëve për kërkime shkencore.

5. Mbështetje e studentëve të doktoraturës me fonde për kërkimin shkencor.
6. Përmirësim i kushteve të konvikteve të Universiteteve.
7. Dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë.
8. Pajisja e të gjithë studentëve me kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019.
Presim përgjigje zyrtare me shkrim deri në orën 14:00. Kërkesa drejtohet nga Këshilla studentor.

9 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Shkodra i bashkohet Tiranës, studentët e “Luigj Gurakuqit” protestë para MAS

Posted: 09 Dec 2018 01:06 AM PST

Dje nën reshjet e dendura të shiut protestuan paralelisht me studentët në Tiranë, edhe të rinjtë që studiojnë në Universitetin "Luigj Gurakuqi", duke mos bërë kompromise me ata që i kërkuan të riktheheshin në auditorë.

Ndërsa sot, Shkodra i është përgjigjur thirrjeve të Tiranës, duke zbarkuar në kryeqytet për të protestuar së bashku. Bazuar në kërkesën për bashkim të të gjithë frekuentuesve të Universiteteve publike, studentët e Shkodrës janë përgjigjur pozitivisht duke u nisur që në orët e mëngjesit dhe tashmë gjenden përballë Ministrisë së Arsimit.

Studentët nga Shkodra janë shprehur se nuk do ta ndalin protestën e tyre dhe do të rikthehen për të protestuar para universitetit "Luigj Gurakuqi" ditën e hënë ose të martë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Kujtojmë se dje studentët e Shkodrës paraqitën 3 kërkesa të veçanta për qeverinë, ku e para është ulja e notës mesatare nga 9 në 7 për studimet në master dhe doktoraturë.

Ata gjithashtu kërkojnë që t'u mundësohet liria e zgjedhjes mes provimit dhe temës së diplomës, të ketë rimbursime për ekspeditat, të cilat sipas tyre duhet të jenë pjesë e buxhetit të universitetit dhe të bëhet funksionale godina e re e universitetit "Luigj Gurakuqi" brenda janarit të vitit të ardhshëm.

9 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Piktori gay i siluetave mashkullore

Posted: 09 Dec 2018 01:00 AM PST

Luis Caballero, artisti i njohur kolumbian për tablotë ku dominojnë figurat mashkullore e përdori jetën e tij për të kuptuar më mirë se çfarë ndodh brenda trupit të një burri. Tablotë e mëdha që kanë lënë pas, e tregojnë këtë. Një burrë vetëm, i gjallë, i vdekur, duke vuajtur apo i dashuruar, i mbështjellë nga dëshira e fortë për të pasur dikë pranë, mund të shihet në pikturat e tij.

"Burrat që takova në jetë më ndihmuan të kuptoja më mirë artin tim. Shpesh fytyrat e tyre më shfaqeshin në studio ndërsa përpiqesha të ndërtoja një portret", tregonte ai. Ndjenjat e tij ishin ndjesitë e tyre. Për kritikët ajo çfarë i bën pikturat e Caballeros të jenë të përjetshme janë pikërisht ndjenjat që mbartin.

Gati 20 vjet nga ndarja e tij nga jeta më 1995, veprat e tij ekspozohen në galeri të ndryshme të botës. I lindur në Bogota më 27 gusht 1943, Caballero do të njihej shumë shpejt si artisti i erosit. Studimet e larta për pikturë do ti ndiqte në Universitetin e Los Andes ku do të njihej dhe me punën e artistit Juan Roda dhe kritikun Marta Traba të cilët do të kishin ndikim në artin e tij. Më pas ai zhvendoset për të jetuar e studiuar në Paris ku do të zbulonte artistë si Willem DeKooning dhe Francis Bacon.

Në vitin 1968 ai kthehet në Kolumbi në një Bienale arti ku fiton çmimin e parë. Pothuajse gjithë jetën e kaloi në Paris dhe në Bogota do të kthehej në vitin 1995 për një ekspozitë personale. Duket se Luis Caballero ndjeu fundin pasi në të njëjtin vit ai do të ndahej nga jeta, duke e bërë ekspozitën e fundit në vendin e tij të lindjes.

Figurat mashkullore në veprat e tij janë jashtëzakonisht të forta në ndjesitë që përcjellin. Me një jetë të trazuar seksuale, pasi zbuloi që ishte gay, Luis iu përkushtua njohjes së vetes përmes artit. Ndoshta kjo i bën tablotë e tij të jashtëzakonshme teksa i sheh sot, e përpiqesh të kuptosh se çfarë kanë menduar burrat që ai i deshi apo që e lënduan aq shumë.

9 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

“Parisi i Vogël” shqiptar ‘vesh’ petkun e festave (FOTO)

Posted: 09 Dec 2018 12:52 AM PST

Korça, pas Tiranës, mbetet një nga qytetet me aktivitet më të vyer kulturor e artistik në Shqipëri.

Me rikonstruksionin e "Pazarit të Vjetër", Korçës i është rikthyer gjallëria dhe mijëra turistë e kanë në krye të listës së destinacioneve që vizitojnë kur ndalen në vendin tonë.

E për t'i pritur sa më ngrohtë "miqtë" nga jashtë dhe brenda vendit në këtë periudhë festash, Korça është zbukuruar si një "Paris i vogël".

Mbrëmjen e djeshme në qytet u ndezën edhe dritat me rastin e festave të fundvitit, duke e shndërruar qytetin e serenatave në një perlë, që s'duhet humbur.

“Një super atmosferë festive sot në Korçë. Ndezëm dekorin e festave me Festivalin e Dritave. Mos e humb atmosferën magjike, që vetëm njē qytet si Korça t’a dhuron”, shkruan në Facebook, kryebashkiaku i Korçës Sotiraq Filo.

9 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

“Dy herë mat” turkun Karakus, Ferit Keta kampion bote në kikboks

Posted: 09 Dec 2018 12:43 AM PST

Ferit Keta triumfon me pikë ndaj turkut Fatih Mehmet Karakus, në përballjen për gjerdanin e artë në kikboks, pas revanshit të kërkuar nga kundërshtari i tij (në shtator Keta e mundi edhe në boks), duke ruajtur pathyeshmërinë me 19 fitore dhe asnjë humbje në boks dhe kikboks.

Një duel përgjithësisht i ekuilibruar ky edhe për faktin se Karakus ishte 8 kg më i rëndë se Ferit Keta, duke mos respektuar rregullat sportive, por në fund, falë karakterit dhe përgatitjes së tij, boksieri dibran mori vlerësim më të lartë nga juria.

Keta ishte më i lëvizshëm në ring dhe tentonte t'i jepte goditje fatale në trup dhe kokë, ndërsa Karakus kërkonte të mbante larg rivalin, me idenë për të shfrytëzuar goditjet e fortë me këmbë, ku ndihej edhe më i fortë.

Të pranishëm në mbrëmjen gala që u përmbyll me këtë duel, ishte i pranishëm edhe ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu.

9 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Rrëfehet nëna nga Bulqiza që humbi trinjakët

Posted: 09 Dec 2018 12:39 AM PST

Një ngjarje e rëndë ndodhi dy ditë më parë në Spitalin e Bulqizës, ku një 31-vjeçare humbi trinjakët e saj në muajin e gjashtë të shtatzënisë. Dje, Enkeleda Rexhepi është transportuar në Tiranë pasi ka shfaqur temperature të lartë dhe probleme të tjera shëndetësore pas lindjes së 3 djemve të vdekur.

Mjekët e Bulqizës i kanë qëndruar pranë gjatë gjithë natës Rexhepit, por ato kanë konstatuar se disa parametra nuk ishin normal. Stafi i urgjencës e ka shoqëruar atë deri në Tiranë.

Gruaja lehonë do të trajtohet me kurim më të specializuar, ndërsa ajo ka rrëfyer për mediat se ka pasur një shtatzëni problematike dhe një muaj më parë, mjekët në Tiranë që i ndiqnin ecurinë kishin refuzuar ta shtronin.

31 vjeçarja thotë se i kishte vënë në dijeni mjekët për shqetësimet, por bluzat e bardha i kishin rekomanduar të qëndronte në shtëpi, të paktën deri këtë të shtunë, kur ajo kishte planifikuar vizitën e radhës.

"Sigurisht që jam e mërzitur për humbjen e tre djemve. Kurrë nuk e mendoja se do të abortoja. Çdo dy javë kam kryer vizita te mjekët dhe ata më kanë thënë se barra po zhvillohej normalisht. Një muaj më parë isha në Tiranë dhe u vizitova te mjekët gjinekologë të maternitetit 'Mbretëresha Geraldinë'. Ato më sugjeruan që pas një muaji të shkoja përsëri atje. Por, një ditë pa u plotësuar muaji pata probleme serioze dhe shkova në Spitalin e Bulqizës ku linda trinjakët e vdekur. Mjekët nuk më jepnin shpresë, uronin që të mos lindin deri para muajit të shtatë", ka rrëfyer Enkeleda.

31-vjeçarja ka treguar gjithashtu se dy fëmijët e parë kanë jetuar një orë, ndërkohë fëmija i tretë ka vdekur në barkun e saj.

Ndërkohë familjarët e 31-vjeçare kanë falënderuar mjekët sepse i shpëtuan jetën nënës së re, pasi ajo rrezikonte po aq sa trinjakët që ndërruan jetë.

9 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Ja cili deputet ka flirtuar me Ori Nebijajn…

Posted: 09 Dec 2018 12:24 AM PST

Moderatorja simpatike e "Wake up" Ori Nebiaj, solli shumë pozitivitet dhe humor në këtë mbrëmje të "Shiko Kush Luan" nën moderimin e Luana Vjollcës në ekranin e Top Channel.

E si një vajzë luftarake, Ori luftoi deri në fund për t'i dhënë pikët e nevojshme skuadrës së saj.

Gjatë lojës "Ndaje ose pije" moderatorja dhe ish-zëdhënësja e Partisë Demokratike, u vu përballë një pyetje shumë të sikletshme.

E pyetur se cili është politikani shqiptar që ka flirtuar me të, Ori tha emrin e deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji.

Vlen të thuhet që është një vajzë vërtetë e sinqertë dhe nëse dikush tjetër në vend të saj do të zgjidhte të pinte gotën ajo tha emrin e personit publik qe ka flirtuar me të.

9 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

STUDENTËT E RRËZUAN OPOZITËN, TANI PRITET RAMA!

Posted: 08 Dec 2018 11:30 PM PST

Nga Spartak NGJELA

Protesta e studentëve, pas 26 vjetësh abuzim qeveritar në Shqipëri, krijon impaktin e parë pozitiv, në një kohë të karakterizuar nga banditizmi dhe korrupsioni. Kjo kohë ka sjellë një gënjeshtër qeveritare dhe degradim të Shqipërisë.

I. Te kjo protestë sot është drejtuar vëmendja e të gjithë shqiptarëve që kanë kërkuar t'iu rikthehet atdheu i tyre. Shqiptarëve ua ka grabitur atdheun një aradhë gangsterësh që po i qeveris në 26 vjet. Po studentët? Këta e kapën degradimin e gjendjes me instiktin e rinisë që kërkon të ardhmen, duke shkelmuar tërësisht të tashmen. A do të shkojë deri në fund ky shkelmim? Jam i bindur se po. Cilat janë përparësitë e studentëve?

E para: frika e korrupsionit qeveritar në të dy krahët e politikës shqiptare. E dyta: qartësia që iu ka dhënë koha për kërkesat e tyre të paraqitura çdo ditë në rritje. E treta: kapja e situatës nga i gjithë studentati i universiteteve publike që, shtrëngimi i tyre financiar, është pasojë e korrupsionit të qeverisë aktuale, dhe e të gjitha qeverive që kanë kaluar në 26 vjet.

II. Çfarë janë në thelb kërkesat e studentëve?

Ato kuptohet se kanë qëndrim të hapur Antikorrupsion. Studentët si trupë gjigande e kuptuan që po vidheshin nga politika ministritrore dhe kryeministrore, e bashkuar në vjedhje me rektoratet. E kuptuan që mësimdhënia ishte biznes për fitime dhe jo instrument për të dhënë dije dhe profesion.

Nga i vjen studentatit shqiptar ky kthjellim që duket si i studiuar në kohë? Ua ka dhënë vetë koha. Cila kohë? Çdo brez rinor ka kohën e vet. Nëse brezi i ri nuk di ta sundojë kohën e tij, humbet të ardhmen, sepse këtë të ardhme ia grabit brezi abuziv që e drejton. Studentati i sotëm shqiptar po kërkon të dominojë kohën e vet. Dhe duhet të dini një gjë: kur rinia e kap kohën e vet, dhe e sundon atë, nuk e mposht dot asnjë lloj force.

Po qeveria aktuale? Tani që studentati publik shqiptar me mbi 40 mijë studentë e di dhe është kundër të vërtetës abuzive qeveritare, i vetmi akt që ka në favor kjo qeveri, është dorëheqja e kryeministrit, sepse studentati e ka kapur në vjedhje dhe në abuzim kundër tyre. Studentët e protestës masive kanë forcë të madhe potenciale të cilën po e hedhin në akt me mençuri.

Po gjendja politike? Socialistët kanë vetëm një rrugë: qeveria aktuale është kapur në korrupsion nga masivi studentor i universiteteve publike, prandaj ata duhet të paraqesin në Parlament qeverinë që do të pranojë të gjitha kushtet e studentëve, dhe të bëhet nga anëtarë qeverie dhe një kryeministër që nuk kanë asnjë përfolje për korrupsion.

Po, nisur nga formimi psikik problematik që ka, a mund ta japë Rama dorëheqjen? Do ta kuptojë, sepse deri tani ai mendoi që me komisione të blera të studentëve, me to, do ta shuante protestën masive studentore duke përdorur gënjeshtra nga pozita e forcës. Por studentët e kapën, dhe ia hodhën turinjve. Rama tani është i trembur.

Kurse opozita e korruptuar që u afrua, u izolua me përbuzje. Studentët ndërkohë e kanë rrëzuar opozitën. Tani po pritet rrëzimi i Ramës. Nëse Rama do të vijojë në jerm të mendojë me autosugjestionim se do të gënjejë studentët, thjesht do të përfundojë si përcaktimi që ka bërë shkrimtari Henry Miller: like a ghost moving about in a vacuum – si një fantazëm që lëviz nëpër boshllëk. Të shohim!

9 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more