Skip to main content

“Ermonela Jaho dhe kufijtë e magjisë…” plus 9 more Gazeta SHQIP

“Ermonela Jaho dhe kufijtë e magjisë…” plus 9 more Gazeta SHQIP


Ermonela Jaho dhe kufijtë e magjisë…

Posted: 17 Dec 2018 01:45 AM PST

«Të vdesësh… të vdesësh në skenë! A është e mundur? – e pyeta Ermonelën dy ditë më parë në Paris duke folur për «Madame Batterfly» dhe «Traviatta». – Po, është, ose ndodh sikur të vdesësh në skenë, pasi në atë çast, kur trupi ka humbur të gjitha ndjesitë e duart i ndjen të mpira, akull, është shpirti që pulson!»… Po, është shpirti që rijeton një lloj vdekjeje, ashtu siç mund të rijetojë dhe ndjesi të tjera në skenë.

Dhe unë i fola për aktorin e «Komedisë Franceze» Rexhep Mitrovica kur dikur që luante në të njëjtën skenë në Teatrin e Bastijës «Ditarin e Nizhinskit», atë tekst madhështor midisë çmendurisë dhe gjenisë, në fund, pas duartrokitjeve ai nuk mundi të ngrihej dot nga ajo tavolinë në mes të skenës, pasi ai kishte «ngrirë», në atë shastisje të madhe të artit, nga ajo «goditje» artistike që të merr frymën dhe të lë në një gendje cerebrale të paimagjinueshme.

Të pashë tek «Batterfly» Ermonela… nesër ti do këndosh «Traviatta», për të dyqind e pesëdhjet e katër herë, për të interpretuar një heroinë aq të dashur për ty dhe për operan botërore.

E di që përsëri do të «vdesësh» në skenë (ah, ç'vdekje e bukur), ashtu siç «vdesin» artistët e mëdhenj, pasi ti ke dy dhimbje të mëdha që bashkohen në atë zemër, në atë zë hyjnor: prindërit e tu që s'kthehen më dhe dhimbjen që kërkon vetë arti. E kështu të imagjinoj si ata peshkatarët e perlave të Oqeanisë, që në një gjendje «apné» dinë të zhyten në ujrat e kaltra dhe të harrohen për kohë të tëra, thua se organizmi funksionon ndryshe, ku njeriu harron një çast jetën dhe përjeton mrekullinë e botës tjetër.

Sa herë ti ngjitesh në skenë më ngjan se përjeton pikërisht këtë dyzim të vetvetes me jetën e skenës, rolin, artin në sublimitetin e vet, aq sa para duartrokitjeve të parreshtura të publikut jo rrallë ti nuk i dëgjon ata, ti je ende e mpirë, e rrëmbyer nga hyjnitë e artit, duke qëndruar për një kohë të gjatë nën pushtetin e tyre, për tu kthyer pastaj dalëngadalë në realitetin njerëzor, për të shijuar plotësisht atë admirim të jashtëzakonshëm që të jep publiku në teatrot e botës.

Dhe unë ende pyes veten: ku janë kufijtë e magjisë të këtij arti të madh?! Dhe duke menduar për ty kthej kokën pas për të pikasur nëpër rrugët e trishta shqiptare e pastaj ato të mërgimit, atë udhë sfidash, muresh, zhgënjimesh, deziluzionesh, e megjithatë, ti ecje, pasi ishte pasioni dhe kujtesa tënde, e jetës, e fëmijërisë, që të shtynte për të ardhur deri këtu, për të ngjitur ato mijra shkallë që ne të shijojmë mrekullinë.

Ç'forcë, ç'botë, ç'poetikë dhe ngjyra, drithërime e vibrato mbart ai zëri yt që n'a pështjell, që n'a pushton dhe n'a çon në botra të tjera. Çfarë ndodh vallë në ato çaste që ti këndon, ç'dramë, ç'tragjedi tjetër, personale? Kujtesa dhe dashuritë e gjakut janë pikërisht aty… E kështu ti këndon nga një skenë në tjetër, me gjakun që vërshon ndryshe, me një mistikë gjaku dhe arti. E ndjej, që pas Violetës së «Traviatta»-s ka dhe një nënë, se para Baterflait që vdes para fëmijës së saj, ka gjithnjë një nënë, tëndja.

Vajza e dikurshme timide për zë ka një frymë që do t'i këndojë asaj, pasi në qiellin e syve të tua është gjithnjë ajo nënë që kurrë nuk e pa vajzën e saj në skenë, as në Tiranë e as në Opera Garnier, La Scala, Metropolitan, Covent Garden apo Orange, etj. «E strano!» do të shtoja, si zëri i asaj gruaje që u shua dhe nuk është më… Luan Rama

17 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Ushtria amerikane lançon gjeneratën e re të satelitëve të GPS-it

Posted: 17 Dec 2018 01:30 AM PST

Forcat ajrore amerikane janë duke bërë përgatitje për të lansuar gjeneratën e re të satelitëve të Sistemit për Pozicionim Global (GPS), me qëllim të sigurimit të saktësisë më të madhe duke synuar parandalimin e hapave të kundërshtarëve, përfshirë Rusinë.

Satelitët e rinj të këtij sistemi pritet të nisen në Hapësirë më 18 dhjetor nga Florida, përmes raketës, Falcon 9, të kompanisë SpaceX.

Në herën e parë është planifikuar të nisen 32 satelitë të rinj, me qëllim të zëvendësimit të gjeneratës së vjetër në orbitë.

Satelitët janë prodhuar nga Lockheed Martin, derisa kompania SpaceX ka fituar kontratën për bartjen e disa prej tyre.

Shpenzimet e sistemeve pritet në arrijnë nga 7 deri në 12 miliardë dollarë.

Forcat ajrore të ushtrisë amerikane kontrollojnë 31 satelitë të GPS-it nga një bazë ajrore afër Kolorados.

Ushtria amerikane ka thënë se satelitët GPS III, do të kenë sinjal më të fortë, të cilin do të jetë më e vështirë për ta penguar.

Norvergjia ka akuzuar Rusinë për pengim të sinjaleve të GPS-it gjatë stërvitjeve të fundit ushtarake të NATO-s.

17 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

“Vajzat e çadrave” mahnisin sërish (Foto)

Posted: 17 Dec 2018 01:23 AM PST

Ka përfunduar dje Monza Rqally Show, ku mori pjesë duke garuar me makinë, edhe piloti i njohur italian i Moto GP, Valentino Rossi.

Nën praninë e 58 mijë spektatorëve, ishin pikërisht "vajzat e çadrave", që ashtu si në Moto GP, i dhanë sharm këtij spektakli automobilistik.

17 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Studentët e Ekonomikut bllokojnë rrugën e Elbasanit: Plotësoni kërkesat!

Posted: 17 Dec 2018 01:16 AM PST

Ata ishin ndër të vetmit që kishin paralajmëruar përshkallëzim të protestës duke bllokuar edhe rrugët, pas injorimit që ju bëri dekani Dhori Kule duke i lënë të prisnin disa orë për të diskutuar me të në fakultet.

Dhe studentët e Fakultetit Ekonomik në Tiranë duket se e kanë mbajtur fjalën, pasi fillimisht bllokuan me kyç e dryna derën hyrëse duke mos lejuar hyrjen në këtë institucion dhe tashmë kanë vërshuar në Rrugën e Elbasanit, duke e bllokuar atë.

Studentët kanë bllokuar rreth rrotullimin përballë fakultetit Ekonomik dhe janë shprehur për mediat se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, protesta do të vijojë.

17 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Palestër, restorant, piceri, të gjitha sekretet e Cristiano Ronaldos

Posted: 17 Dec 2018 01:15 AM PST

Cristiano Ronaldo dhe Torino, një "marrëdhënie e lindur menjëherë. Që nga zbarkimi i tij, qyteti është çmendur për fenomenin e ri, i cili jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj ndidhet tashmë si në shtëpinë e tij.

Çfarë bën CR7 në Torino në kohën e lirë? Palestër, restorant, piceri, shëtitje. Lexoni të gjitha sekretet e kampionit 34-vjeçar torinez.

Në shtëpi

Ronaldo dhe Torino, një marrëdhënie e lindur menjëherë. Që nga zbarkimi i tij, qyteti është çmendur për fenomenin, i ndihet si në shtëpi. Për jetën e tij torineze, CR7 ka zgjedhur një vilë ekskluzive mbi një kodër, pas kishës Gran Madre, ku shijon një panoranë mbresëlënëse mbi Mole Antonelliana dhe mbi bukuritë e qytetit.

Palestra

Në vilën e tij superluksoze ka gjithçka: para së gjithash një palestër dhe një pishinë të mbuluar për t'u kujdesur për formën edhe jashtë qendrës sportive të Continassa-s dhe nga oraret normale të stërvitjeve. Pesha, aktiviteti kardiak dhe mjete të tjera sportive për kohën e tij të lirë. Mbi tarracë është ndërtuar një vend i përshtatshëm për të bërë solar. Aktivitet fizik, por edhe pushim, sepse një nga sekretet e CR7 është edhe gjumi, që duhet të jetë të paktën 7-8 orë në mbrëmje.

Restorante

Sapo mundet, Cristiano po shijon edhe Torinon, me masë dhe pa asnjë teprim. Ndonjë shëtitje në sheshin "Vittoriio Veneto" dhe në zonën e qendrës së qytetit, ndonjë dalje për darkë, me familjen dhe me miqtë më të ngushtë. Për mbrëmjen e parë "mondane", në verë, me partneren e tij Georgina ka zgjedhur, "La Credenza" në San Maurizio Canavese, restoranti I drejtuar nga Giovanni Grassi diku jashtë qytetit.

Piceria

Por "alieni", i ka lejuar vetes edhe një etapë në "Sesto Gusto" për të shijuar një picë nga shefi Massimmiliano Prete. Sikur të mos ndodhte asgjë, në mes të klientëve të tjerë, pa asnjë privilegj. Një thjeshtësi e vërtetë për të madhin Ronaldo.

Liqeni i Komos

Në pushimet e kampionatit, CR7, i cili për momentin ka parapëlqyer të mungojë në përkushtimet e Portugalisë, është kthyer në Madrid e Lisbonë, por ka shijuar edhe Liqenin e Komos. Së fundmi, në pushimin e fundit të kombëtareve, ka festuar ditëlindjen e parë të vajzës Alana Martina me një pushim të shkurtër në Londër.

Me makinë në Londër

Të gjithë e dinë që Ronaldo ka një pasion të madh për makinat. Garazhi i tij është i pasur me makina jashtë serie sportive dhe luksoze, nga Ferrari te Lamborghini. Një pjesë e makinave të tij ka mbërritur edhe në Torino, por Cristiano i përdor me radhë. Në javët e tij të para juventine, një shofer e ka shoqëruar në stërvitje, shpesh i ndjekur edhe nga një eskortë. Pastaj, pak nga pak i mësoi rrugët e Torinos dhe tani lëviz në autonomi, shpesh me Jeep-in e klubit ose me Suv-in që ka në pronësi.

17 dhjetor 2018 (gazeta-shqip.com)

KPA shkarkon nga detyra kreun e Gjykatës Kushtetuese

Posted: 17 Dec 2018 01:14 AM PST

Kreu i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja është shkarkuar nga detyra. Vendimi u dha nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Vendimi vjen pas ankesës së ONM-së. Kujtojmë se KPA ankimoi vendimin e KPK, vetëm pak kohë, pasi ky i fundit vendosi që gjyqtari të kalonte testin e Vettingut.

Ashtu siç ishte deklaruar më herët ONM depozitoi kërkesën dhe argumentet përkatëse në lidhje me ankimin kundër vendimit të Komisioni të Pavarur të Kualifikimit për Dedjan.

Tashmë Gjyqtari Bashkim Dedja, i cili nuk e kaloi Vettingun, do t'i duhet që të përballet dhe me Komisionin e Posaçëm të Apelimit.

17 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Nis marshimi studentor, hyrjet e universiteteve bllokohen me shirita (Foto)

Posted: 17 Dec 2018 01:07 AM PST

Auditore bosh, hyrje të bllokuara me shirita, dyer me dryna dhe qindra studentë të bërë bashkë për kauzën e tyre dhe për të marshuar drejt Kryeministrisë në ditën e 13 të protestës së tyre kundër sistemit arsimor në vend.

Kjo është pamja që ofrojnë paraditen e kësaj të hëne të gjitha fakultetet e universiteteve publike në Tiranë, teksa studentët kanë vendosur të përshkallëzojnë protestën, në mungesë të një dakordësie mes tyre dhe kryeministrit Edi Rama për plotësimin e 8 pikave që i kanë drejtuar qeverisë.

Kanë qenë studentët e Shkencave Sociale ata që kanë nisur të parët marshimin, pasi më parë kishin zhvilluar një mbledhje me dyer të mbyllura brenda auditorëve me njëri-tjetrin, duke përcaktuar disa pika për ecurinë e protestës sot.

Njësoj si studentët e Fakultetit Ekonomik ata kanë vendosur që të distancohen nga partitë politike dhe nëse dëgjohen thirrje partiake ose përfshihen përfaqësues politikë, vetë studentët do marrin situatën në dorë duke i zhvendosur nga turma.

Ndërkohë në Universitetin Politeknik dita ka nisur me vendosjen e shiritave bllokues në hyrjen e tij nga studentët. E njëjta panoramë paraqitet edhe në Fakultetin e Drejtësisë, ndërsa studentët e Ekonomikut kanë qenë më të ashpër pas refuzimit që i bëri dekani i tyre Dhori Kule duke mos u shkuar në takim.

Ata i kanë vendosur drynin portës hyrëse të fakultetit dhe kanë kërkuar dorëheqjen e Kules, por kanë planifikuar edhe bllokim rrugësh nëse kërkesat e tyre nuk pranohen.

Ndërkohë nga Korça raportohet se janë nisur në drejtim të Tiranës rreth 200 studentë me 4 autobusë, të cilët do t’i bashkëngjiten protestës para Kryeministrisë.

Raportohet se edhe nga Elbasani do të nisen drejt Tiranës rreth 200 studentë të Universitetit "Aleksandër Xhuvani", ndërsa nga Shkodra janë nisur drejt kryeqytetit rreth 100 studentë.

E teksa marshimet kanë nisur, vlen të thuhet se protesta kombëtare që studentët do të zhvillojnë sot ka një kauzë jo politike, ndaj aty janë thirrur të gjithë shqiptarët, pa dallime.

17 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Prenga fiton me “knock out” në Toronto, dedikim për shqiptarët

Posted: 17 Dec 2018 01:00 AM PST

Boksieri shqiptar Kristian Prenga regjistroi një tjetër fitore mbrëmjen e djeshme, teksa triumfoi përballë kundërshtarit Aldo Colliander.

Në ndeshjen e zhvilluar në Toronto të Kanadasë, boksieri shqiptar fitoi me Knock-Out, duke regjistruar fitoren e tij të 9 në 10 takime në boksin profesionist.

Vlen të theksohet se kundërshtari i Prengës,Collander vinte pas 17 ndeshjesh të zhvilluara, ku numëronte 15 fitore dhe dy humbje.

Kristian Prenga ndjeu edhe mbrëmë mbështetjen e komunitetit shqiptar që jetojnë në Toronto dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilëve u dedikoi edhe fitoren.

17 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Protesta, Universiteti i Mjekësisë heq tarifat e shërbimeve për studentët

Posted: 17 Dec 2018 12:49 AM PST

Në ditën e 13 të protestës, pikërisht kur studentët kanë përshkallëzuar "revoltën" e tyre, madje duke i vendosur drynin e shirita disa prej fakulteteve në Tiranë, senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë ka vendosur të mbështesë kërkesat e tyre.

Në një vendim të fundit të senatit të UM është rënë dakord që të hiqen të gjitha tarifat e shërbimeve për studentët.

Në mbledhjen e përbashkët me Bordin e Administrimit, Administratorin, Rektoratin, Dekanët dhe Drejtorët përkatës të Rektoratit, Senati shqyrtoi me përgjegjësi të lartë kërkesat e paraqitura nga Këshillat Studentore të UMT-së.

Në mbledhje u vendos: 

1-Të mbështesë kërkesën e studentëve për përgjysmimin e tarifave te studimit. Senati Akademik pasi vlerësoi treguesit e buxhetit të vitit akademik 2018-2019 kërkon që efekti financiar që vjen nga ky reduktim të mbulohet nga granti i buxhetit të shtetit, pasi në të kundërt përgjysmimi i tarifave të studimeve, përballuar vetëm nga fondet e Universitetit do të rrezikonte qëndrueshmërinë financiare të institucionit dhe do të ndikonte negativisht në cilësinë akademike.

2-Bazuar në analizën financiare, Senati Akademik vendosi heqjen e gjithë tarifave të shërbimeve për studentët.

3-Senati Akademik dhe Bordi i Administrimit i kërkoi çdo fakulteti të bëjë një analizë të plotë të kostove financiare për çdo program studimi dhe t'i paraqesë ato për vlerësim në Senatin Akademik dhe Bordin e Administrimit.

4-Përsa i përket kërkesave të tjera, krahas mbështetjes për plotësimin e menjëhershëm të shumë prej tyre, i kërkoi Rektoratit, Dekanateve dhe Departamenteve të ngrenë grupe të përbashkëta pune me Këshillat Studentore përkatëse, për të analizuar dhe adresuar problematikat e ngritura në këto ditë proteste dhe në vazhdim, në mënyrë që ato të gjejnë zgjidhje dhe të reflektohen në dokumentet zyrtare të universitetit.

5-Senati Akademik dhe Bordi i Administrimit vendosi të realizojë një audit të gjërë të aktivitetit akademik dhe financiar të Fakulteteve përkatëse për 10 vitet e fundit dhe UMT-së prej ditës të konstituimit të tij me synim evidentimin e problematikave dhe korrigjimin apo përmirësimin e tyre.

6-Senati Akademik, në vlerësim edhe të kërkesave të studentëve vendosi të përmirësoje transparencën duke pasqyruar në faqen zyrtare të tij aktivitetin financiar të universitetit.

7-Senati Akademik duke vlerësuar kontributin e pedagogëve të UMT-së në formimin ndër vite të profesionistëve të shëndetit, i fton ata, në respektim të lirisë së tyre akademike, të marrin pjesë së bashku me studentët në një diskutim të gjërë për përmirësimin e cilësisë akademike dhe shkencore të arsimit mjekësor, pasi studentët dhe pedagogët përbëjnë dy kolonat bazë në të cilat mbështetet formimi universitar.

8-Senati Akademik dhe Bordi i Administrimit përshëndesin çdo lëvizje studentore që i shërben përpjekjeve tona të vazhdueshme për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë mjekësor.

17 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Makina hyn kundravajtje në autostradë, 6 viktima në Itali

Posted: 17 Dec 2018 12:46 AM PST

Një aksident tragjik në autostradë u mori jetën gjashtë personave, ku mes tyre janë pesë të rinj me moshë nga 20 deri në 42 vjeç dhe një burrë 52 vjeç.

Përplasja fatale u shënua në orët e vona të kësaj të diele, në zonën e Valeriana, në provincën e Sondrio në Itali.

52-vjeçari udhëtonte me një makinë "Fiat 500 X", ndërsa të rinjtë udhëtonin me një "Panda".

Njëra prej makinave, ende nuk është saktësuar cila, udhëtonte kundravajtje, çka bëri që të shkaktojë aksidentin fatal.

Si pasojë e përplasjes makina 'Fiat 500 X' përfundoi në flakë , duke bërë që të gjejë vdekjen drejtuesi Andrea Gilardoni, 52 vjeç.

Ndërkohë katër viktimat e tjerë janë, Jessica Capelli, 26 vjeçe, e cila ndodhej nën drejtimin e mjetit, Giada Zerboni, 33 vjeçe, Nicola Porte, 20 vjeçe, Cristian Magaroli, 36 vjeçe dhe Simone Silvagni, 42 vjeç.

17 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more