Skip to main content

“EMRAT/ Zgjidhen anëtarët e KED, i hapet rrugë plotësimit të Gjykatës Kushtetuese” plus 9 more - Gazeta Dita

“EMRAT/ Zgjidhen anëtarët e KED, i hapet rrugë plotësimit të Gjykatës Kushtetuese” plus 9 more - Gazeta Dita


EMRAT/ Zgjidhen anëtarët e KED, i hapet rrugë plotësimit të Gjykatës Kushtetuese

Posted: 07 Dec 2018 02:38 AM PST

Kuvendi ka përfunduar hedhjen e shortit për zgjedhjen e nëntë anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED).

Shorti ka nxjerrë 8 fitues duke lënë një vend vakant nga Gjykata e Apelit, kjo pasi në përbërjen e KED-së duhet të jenë dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga Gjykatat e Apelit, si dhe një gjyqtar nga Administrativja.

Me ngritjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, hapi i radhës është plotësimi i vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, duke i rikthyer asaj funksionimin.

Fituesit për KED janë:

GJYKATA KUSHTETUESE

VITORE TUSHA

BASHKIM DEDJA

anëtar zëvendësues nuk ka

GJYKATA E LARTË

ARDIAN DVORANI

anëtar zëvendësues MEDI BICI

PROKURORIA E PERGJITHSHME

ARTA MARKU

anëtar zëvendesues nuk ka

PROKURORITË E APELIT

FATIONA MEMCAJ

anëtar zëvendesues nuk ka

GJYKATAT E APELIT

Fatri Islamaj

MARGARITA BUHALI

anëtar zëvendesues GURALI BRAIMLLARI

GJYQTARË TË GJYKATAVE ADMINISTRATIVE

ERIOL ROSHI

anëtar zëvendesues Klodiana Veizi Mema

Shorti që u hodh në sallën e Kuvendit ishte i hapur dhe u zhvillua në prani të Avokatit të Popullit; përfaqësuesve nga Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë; përfaqësuesve të grupeve parlamentare; anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Monitorimit; përfaqësuesve të përfaqësive të huaja diplomatike të akredituara në Republikën e Shqipërisë dhe organizatave partnere ndërkombëtare.

l.h/ dita

Protestat/ Franca mbyll Kullën Elifel, muzetë e dyqanet

Posted: 07 Dec 2018 02:23 AM PST

Autoritetet franceze kanë njoftuar për angazhim masiv të forcave të sigurisë, derisa shumë pika turistike është thënë se do të mbyllen më 8 dhjetor për shkak të mundësisë së shpërthimit të dhunës gjatë protestave të planifikuara kundër qeverisë.

Protestuesit e ashtuquajtur "Jelekët e Verdhë", që janë zemëruar fillimisht për taksat e reja të karburanteve, pritet të marshojnë në Paris për javën e tretë me radhë duke vënë në pah edhe pakënaqësi tjera kundër udhëheqjes së presidentit të Francës, Emmanuel Macron. Muzetë, teatrot dhe shumë dyqane në Paris është thënë se do të mbyllen, teksa në mesin e tyre edhe Kulla e famshme Eiffel.

Protestat pritet të vazhdojnë pavarësisht pse më 5 dhjetor Macron ka pezulluar rritjen e taksave për karburante, të cilat kanë nxitur protestat. Macron pati marrë këtë vendim në kuadër të planeve të tij për të luftuar ngrohjen globale. Kryeministri, Edouard Philippe i ka thënë televizionit TF1 se 89,000 zyrtarë policorë do të angazhohen më 8 dhjetor në gjithë Francën, duke rritur numrin nga 65,000 sa kanë qenë javën e kaluar. Ai ka thënë se 8,000 prej tyre do të pozicionohen në Paris, të mbështetur nga "dhjetëra" makina të armatosura.

l.h/ dita

Hidhet shorti për KED, Ruçi replika me Bylykbashin

Posted: 07 Dec 2018 02:21 AM PST

Ashtu siç pritej, Kuvendi do të hedhë shortin për zgjedhjen e 9 anëtarëve në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Procedura e hedhjes së shortit ka nisur që prej orës 10:00 dhe hidhet nga Kuvendi pas refuzimit të Presidentit Ilir Meta për të mos hedhur shortin për shkak të vakumit ligjor.

KED do të përbehet nga dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga Gjykatat e Apelit, si dhe një gjyqtar nga administrativja.

Gjatë fjalës së tij, deputeti i PD, Oerd Bylykbashi tha se hedhja e shortit bëhet në kundërshtim me kushtetutën e ligjin, pasi mungon baza ligjore.

Oerd Bylykbashi: Presidenti thotë se ka vakum ligjor dhe dispozitat tranzitore kane mbyllur efektin e tyre. Kandidatët filtrohen nga 3 organe Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese, KLGJ e KLP, të cilat nuk janë ngritur ende. Qëllimi është kapja e sistemit të drejtësisë nga mazhoranca. Tërhiquni nga ky short sot dhe plotësoni vakumin ligjor për funksionimin e KLGJ e KLP.

Gramoz Ruci: Letrën e presidentit për shortin e kam konsultuar me ekspertet ligjore te kuvendit, EURALIUS, OPDAT. Sot është rendi qe hidhet shorti.

l.h/ dita

CDU zgjedh sot pasuesin e Merkelit dhe një vështrim për kryetaren në detyrë

Posted: 07 Dec 2018 02:16 AM PST

Pas 18 vitesh në krye të CDU-së, Angela Merkel tërhiqet! Politikani i financave, Friedrich Merz; sekretarja e Përgjithshme e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer; si dhe ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, janë në garë për ta zëvendësuar atë në postin e kryetarit të CDU-së.

Favoritja e Merkelit, ndërkohë, është padyshim një femër; Annegret Kramp-Karrenbauer. Ajo konsiderohet si e besuara e Kancelares dhe ka pozicione të ngjashme si ajo. Sidoqoftë, është Kongresi i partisë ai që do të vendosë.

E qartë është se, ai ose ajo që do të jetë në krye të CDU-së, i ka edhe mundësitë më të mira për të qenë kancelari apo kancelarja e ardhshme, sepse Angela Merkel ka deklaruar se nuk do të rikandidojë më në vitin 2021.

Për 18 vjet me radhë Angela Merkeli ishte në krye të CDU-së. Tani ajo largohet si kryetare partie. Si i ka ndryshuar ajo kristjandemokratët? A do të mbetet CDU-ja në kursin e Merkelit apo do ta kthejë timonin?

CDU-ja në fillim të vitit 2000: një parti popullore e dominuar nga meshkujt, pak e mërzitshme, por edhe përfaqësuese e shtetit dhe me parime të qarta. Politika liberale ekonomike ka rëndësi shumë të madhe, përfytyrimi kristjan për njeriun i jep pamjen partisë – kështu e përshkruan politologu Oskar Niedermayer.

CDU-ja me besim në vetvete atëherë ndodhej në krizë. Ajo pati pësuar një disfatë të rëndë në zgjedhje kundër SPD. Helmut Kohli pati marrë në kabinetin e tij Angela Merkelin e re, atë e thërrasin “vajza e Kohl-it”. Por ajo emancipohet shpejt. Më shumë se kaq: në mes të aferës për donacionet partiake të CDU-së Merkeli distancohet nga babai i saj politik në një letër të hapur. Pak muaj më vonë ajo është vetë kryetare e partisë. Si gjermanolindore, protestante, shkencëtare e shkencave të natyrës, e divorcuar ajo duket si një trup i huaj në CDU-në e Kohlit.

Njëri nga ata që e pa që atëherë në mënyrë kritike kandidaturën e saj është Friedrich Merzi – sot një kandidat me mjaft shanse për t’u bërë pasardhës i Merkelit në krye të partisë. Ai bën pjesë në një radhë të tërë rivalësh meshkuj, të cilët e konsiderojnë veten shefa më të mirë për partinë, midis tyre bën pjesë edhe Wolfgang Schäuble. Por Merkeli i spostoi ata të gjithë në anë. Kur në vitin 2005 kandidon për kryetare partie, atë nuk mund ta rrezikojë më njeri. Në çështje pushteti ajo tregon ashpërsi. Së jashtmi ajo shfaqet racionale dhe e dashur.

Kohli e drejtoi CDU-në për 25 vjet, Merkeli për 18 vjet. Niedermayer flet për një “epokë Merkel”, “jo vetëm për shkak të gjatësisë së kryesimit, por edhe sepse ajo e transformoi thellë partinë, e ka zhvendosur nga e majta si në politikën ekonomike, ashtu edhe në atë sociale.”

Një kryetare partie “e kthesës”

Shumë ndryshime nën Merkelin zor se do të ishin të përfytyrueshme nën Kohlin. Kjo në një kohë kur që në krye atë nuk e konsideronin si person me koncepte të mëdha. Shpesh e akuzonin se manovronte gjatë dhe ngurronte në vend që të vendoste. Pastaj u bë e qartë: pikërisht për çështjet e rëndësishme Merkeli vendos shpesh pa bërë zhurmë dhe pa e vënë partinë që të diskutojë. Për disa tema ajo krijoi habi:

-2010: Merkeli shihet si “grua kursimtare, si gratë nga Shvabeni”. Në mes të krizës financiare ajo i përjashton ndihmat financiare për Greqinë e mbytur në borxh. Por pa kaluar kohë ajo bie dakord për paketën e parë të ndihmave për Athinën, dy të tjera pasojnë. Euroja dhe kohezioni i Evropës bëhet një nga temat e mëdha të saj.

-2011: Merkeli konsiderohet mbështetëse e energjisë bërthamore. Por pas aksidentit shkatërrimtar në Fukushima, ajo e kthen pllakën brenda natës; koalicioni qeveritar vendos braktisjen e energjisë bërthamore nga Gjermania.

-2013. Ajo shprehet edhe kundër nënshtetësisë së dyfishtë, të cilën e ka futur qeveria e mëparshme e socialdemokratëve dhe e të Gjelbërve. Por në vitin 2017 ajo e mbron nënshtetësinë e dyfishtë kundër vendimit të partisë së saj.

-2015: Në vitin 2004 Merkeli e konsideron të dështuar shoqërinë “multikulturore”. Por në krizën e refugjatëve të vitit 2015 ajo thotë “Do t’ia dalim mbanë”. Mbajtja e kufijve hapur për refugjatët e ndan deri më sot CDU-në.

-2017: Merkeli ka qenë për një kohë të gjatë kundër martesave midis të njëjtit seks. Por pak para zgjedhjeve për Bundestagun në vitin 2017 ajo hap rrugën që në parlament të votohet, pa u ndjerë deputeti i lidhur me pozicionin e grupit të vet parlamentar. E ashtuquajtura martesë për të gjithë pranohet.

Tema të reja dhe pozicione

Merkeli si kryetare e partisë e shtyu CDU-në në mesin politik, dhe pjesërisht me këtë ajo mblodhi pikë. Për këtë shërbyen një sërë temash, të cilat tradicionalisht kanë qenë tema të socialdemokratëve ose të të Gjelbërve, dhe të cilat Merkeli pa pritur i shpalli si tema të CDU-së. Një shembull: politika ndaj familjes. Nën Merkelin u imponua subvencioni për prindërit dhe e drejta ligjore për një vend në kopsht për fëmijën tënd. Me këtë, CDU-ja arriti të marrë mbi 40 përqind të votave në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, sot kjo është një ëndërr e largët.

Vetëm për politikën e migrimit dhe të azilimit ndodhi një ndarje e ashpër nën kristjandemokratët. Në një kohë kur shumë kërkuan një kufi të sipërm për numrin e azilkërkuesve dhe të refugjatëve të luftës civile, Merkeli ishte kundër. “Këtu ajo përcaktoi një pozicion për veten dhe e mbrojti atë përballë gjithë kundërshtive dhe kritikës shumë të fortë”, thotë Oskar Niedermeyer.

Ky qëndrim i kushtoi shumë vota zgjedhësish CDU-së në zgjedhjet e vitit 2017. Edhe heqja dorë para kohe e Merkelit nga kryesia e partisë në fund të fundit ka të bëjë me politikën polemizuese për migrimin.

“Si emërues i përbashkët mund të thuash se për CDU-në ka qenë një kohë shumë e suksesshme”, shprehet politologu Werner Patzelt, i cili është vetë anëtar i CDU-së. Por ajo “errësohet, nga rrethana se në fund Merkeli ishte shumë pak e zhdërvjellët, shumë refuzuese për të dalluar rrezikun më të madh për CDU-në: ngritjen e një partie në të djathtë të saj”, të AfD-së.

Kulturë partiake e hapur

Në procesin e zgjedhjes të pasardhësit të saj ndoshta lexohet më mirë ndryshimi i CDU-së në kohën nën Merkelin: tri kandidatë kryesorë dalin publikisht kundër njëri-tjetrit. Të tjerë dalin nga pas dhe sulmojnë shefen e deritashme. Për kristjandemokratët kjo është risi. Në një kohë kur Helmut Kohli madje e pati propozuar vetë veten si kandidat për kancelar, për zgjedhjet parlamentare të vitit 1998.

Sot CDU-ja është më e hapur dhe më e larmishme. Ajo pasqyron një shoqëri gjithnjë e më shumë heterogjene. Vërtet që te CDU-ja ka tani një mall të përhapur për të pasur sërish pozicione të qarta, konservatore. Por “koha nuk do të kthehet pas, pavarësisht se kush do të bëhet pasardhës i Merkelit”, mendon Oskar Niedermeyer. Politologu nuk e konsideron “as të mundur” fare këtë dhe me këtë kupton se “këtë nuk e do askush”. Diskutimi bëhet vetëm “nëse do të ketë një vazhdim krejtësisht si tani apo një korrigjim të moderuar të kursit”. Për kohën e patriarkut Helmut Kohl shumica e partisë duket se nuk ka mall.

l.h/ dita

 

Komisioni Europian përzgjedh Tiranën për çmimin “Kryeqyteti i Gjelbër Europian”

Posted: 07 Dec 2018 02:04 AM PST

Mbjellja e mbi 122 mijë pemëve, kthimi i qendrës së qytetit në pedonale, shtimi i lulishteve dhe këndeve të lojërave, si dhe shtimi i korsive të dedikuara për biçikletat si alternativë ekologjike transporti, e kanë renditur Tiranën në listën e qyteteve pretendente për të fituar çmimin "Kryqyteti i Gjelbër Europian" që organizohet çdo vit nga Komisioni Europian. Tirana është përzgjedhur nga Komisioni Europian përkrah 9 qyteteve të tjera nga e gjithë Europa, përfshi edhe vende të Bashkimit Europian, që garojnë për çmimin "Kryeqyteti i Gjelbër Europian për vitin 2021". Krahas Tiranës në këtë garë janë përzgjedhur qytete të njohura të Europës si: Budapesti (Hungari); Cagliari (Itali); Dijon (Francë); Lahti (Finlandë); Lille (Francë); Shkup (Maqedoni); Strasburg (Francë) dhe Västerås (Suedi).

Karmenu Vella, Komisionerja Evropiane për Mjedisin, Çështjet Detare dhe Peshkimin, duke folur për këtë konkurs u shpreh e kënaqur për qytetet konkurrente, ndërsa përshëndeti përpjekjet që kanë bërë këto qytete për të përmirësuar mjedisin lokal dhe cilësinë e jetës së qytetarëve të tyre. "Unë jam shumë e kënaqur të shoh se Kryeqyteti i Gjelbër Europian. Këto qytete po punojnë shumë që të jenë vende më të mira për qytetarët e tyre për të jetuar, punuar dhe për të kaluar jetën. Unë nuk kam asnjë dyshim se të gjithë aplikuesit janë të famshëm dhe ne mund t’i përshëndesim këto përpjekje dhe arritje të jashtëzakonshme", tha Komisionerja Evropiane për Mjedisin, Çështjet Detare dhe Peshkimin, Karmenu Vella pas shpalljes së qyteteve konkurrente për çmimin "Kryeqyteti i Gjelbër Europian për vitin 2021".

Tashmë pas këtij hapi, një panel prej dymbëdhjetë ekspertësh të pavarur dhe të njohur ndërkombëtarisht do të fillojnë një vlerësim teknik të çdo konkurrenti, për të zgjedhur një listë të shkurtër të qyteteve që konkurrojnë për këtë çmim. Ky panel ekspertësh do të vlerësojë aplikacionet e Kryeqytetit të Gjelbër Europian në bazë të 12 treguesve mjedisorë: zbutjen e ndryshimeve klimatike, adaptimin e ndryshimeve klimatike, lëvizjen e qëndrueshme urbane, përdorimin e qëndrueshëm të tokës, natyrën dhe biodiversitetin, kualitetin e ajrit, zhurmën, mbeturinat, rritjen e ekonomive të gjelbëra dhe eko-inovacionit, performancës së energjisë dhe qeverisjes.

Finalistët do të shpallen në prill 2019 dhe më pas do të ftohen të paraqesin rastet e tyre përpara një jurie ndërkombëtare. Juria do të vlerësojë angazhimin e qyteteve për zhvillim të qëndrueshëm urban, aftësinë e tyre për të vepruar si një model për qytetet e tjera dhe strategjinë e tyre për komunikim dhe angazhim me qytetarët e tyre. Fituesi do të shpallet në një ceremoni shpërblimi në qershor, në Oslo, si kryeqyteti i Gjelbër Evropian i vitit 2019.

Paralelisht me çmimin "Kryeqyteti i Gjelbër Europian për vitin 2021", Komisioni Europian organizon edhe konkursin për çmimin "Gjethja e Gjelbër Europiane" që i dedikohet qyteteve të vogla europiane me nga 20 mijë deri në 100 mijë banorë. Çmimi "Kryeqyteti i Gjelbër Europian" dhe çmimi "Gjethja e Gjelbër Europiane", u krijuan nga Komisioni Europian për të njohur dhe për të shpërblyer arritjet e qyteteve pioniere, në përpjekjet e tyre për të përmirësuar mjedisin lokal dhe cilësinë e jetës. Përkundër problemeve të shumta mjedisore me të cilat ballafaqohen sot qytetet më të mëdha, qytetet evropiane janë përcaktuese të standardeve në qëndrueshmërinë urbane dhe shpesh janë pioniere të zgjidhjeve inovative, për të luftuar këto sfida mjedisore.

l.h/ dita

FOTOT: Mesazhet e forta të studentëve në pankarta

Posted: 07 Dec 2018 01:48 AM PST

Mesazhet që studentet përcjellin përmes pankartave janë shumë të forta dhe ironizuese në lidhje me tarifat e studimit apo kushteve në auditore.

Në një prej tyre shkruhet se ndjekja e studimeve kushton sa shitja e një veshke.

Ndërsa një tjetër shkruan se "U munduan të na varrosnin, por nuk e dinin se ne ishim fara".

   

l.h/ dita

Gjiganti amerikan i hotelerisë vjen në Shqipëri, Kastrati Group nënshkruan marrëveshjen me “Hyatt”

Posted: 07 Dec 2018 01:41 AM PST

Dita e 6 dhjetorit solli një ndër eventet më të rëndësishme për sa i përket zhvillimit të turizmit dhe biznesit në Shqipëri. Grupi Kastrati nëpërmjet një ceremonie nënshkrimi njoftoi bashkëpunimin me markën ndërkombëtare të hotelerisë Hyatt për të sjellë "Hyatt Regency and Residences Tirana", duke përmbyllur kështu atë që mund të konsiderohet si ndër vitet më të suksesshme të turizmit në vendin tonë.

Ceremonia nisi me fjalimin përshëndetës të Zëvendës Presidentit të grupit, Zotin Leonard Kastrati i cili u shpreh mëse optimist për këtë bashkëpunim si pjesë e vazhdës së gjatë të shumë të tjerave me partner ndërkombëtar dhe vendas që Grupi Kastrati ka realizuar përgjatë 27 viteve në treg.

Fjalën e mbajtën e edhe Zëvendës Presidenti i Hyatt Hotels Corporation, Zoti Aoyama Takuya, Zoti Blendi Klosi dhe Kryeministri i Shqipërisë, Zoti Edi Rama, i cili e vendosi theksin te zhvillimi i turizmit shqiptar. Ceremonia u përmbyll me nënshkrimin e marrëveshjes midis Presidentit të Grupit Kastrat, Zoti Shefqet Kastrati dhe Zëvendes-Presidentit të Hyatt Hotel Corporation.

Tashmë Shqipëria do jetë pjesë e një prej rrjeteve më të mëdha në botë, duke kombinuar mikpritjen shqiptare me standartet më të mira ndërkombëtare, dhe duke ofruar një oaz të cilësisë dhe shërbimit në zemër të qytetit, si për udhëtarët e biznesit, ashtu dhe për eksploruesit.

Hyatt Regency and Residences Tirana do të jetë një destinacion i përzgjedhur mikëpritje me 5 yje, ideal për vizitorët në kërkim të akomodimit elitar. Me 151 dhoma, bare dhe resotorante, sallën më të madhe të eventeve në vend dhe shërbim të shkëlqyer, Hyatt Regency and Residences Albania do të ofroj një eksperiencë të paharrueshme qëndrimi.

Ky partneritet midis një prej shoqërive më të mëdha shqiptare dhe një firme që konsiderohet botërisht si etalon i cilësisë, sjell jo vetëm një emër kaq të njohur dhe një investim kaq të rëndësishëm, por dhe një model të ri biznesi i cili do ndikojë drejtpërdrejtë në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë në Shqipëri.

Grupi Kastrati është një shoqëri private shqiptare e themeluar në vitin 1991, e cila operon në më shumë se 12 sektorë të ndryshëm ekonomik në Shqipëri dhe rajonin e Ballkanit, duke punësuar më shumë se 3'000 punonjës. Gjerësisht i njohur si lider i tregtimit të hidrokarbureve me shumicë dhe pakicë, Kastrati operon edhe në: industrinë e sigurimeve, ndërtim dhe real-estate, turizëm urban, industrinë e rishitjes së automjeteve, retail, reklamim, etj. Grupi Kastrati njihet si një partner i besuar biznesi i cili përkushtohet të ofroj shërbime dhe produkte të cilësisë më të mirë, risi dhe inovacion, si edhe kontribut të vlefshëm në komunitetet ku vepron.

Hyatt Hotel Corporation është një rrjet ndërkombëtar hotelerie, i cili numëron 14 marka hotelesh, si edhe 750 hotele në 55 vende të ndryshme në 6 kontinente.

l.h/ dita

Albchrome financon laboratorin e Informatikës së gjimnazit “Asllan Keta” në Bulqizë

Posted: 07 Dec 2018 01:24 AM PST

Kompania Albchrome ka kontribuar sërish për Bulqizën, ku kësaj here përfituese ka qenë Shkolla e Mesme "Asllan Keta", konkretisht në Fushë Bulqizë, në kuadër të Përgjegjësisë Sociale të Grupit Balfin.

Kjo ceremoni është zhvilluar në praninë e përfaqësuesve të Bashkisë së qytetit Bulqizë, të autoriteve lokale, mediave, nxënësve, mësuesve, familjarëve etj.

AlbChrome ka mundësuar pajisjen me 10 kompjutera dhe një video projektor për kabinetin e informatikës të kësaj shkolle, për një vlerë totale prej rreth 4,000 Euro.

Ky laborator do t'u shërbejë tashmë 700 nxënësve të kësaj shkolle të cilët do të kenë mundësinë të aplikojnë dijet që marrin në lëndët mësimore në praktikë, si dhe do të mësojnë të bëjnë kodime, programime etj.

Te entuziasmuar nga kjo mbështetje, nxënësit e shkollës "Asllan Keta" kishin përgatitur një program të pasur artistik me këngë dhe valle të krahinës.

Po në qytetin e Bulqizës, AlbChrome pak ditë më parë ka dhënë bursa studimi me një vlerë prej 5.000 Euro, për tre studentët më të mirë nga shkolla e Mesme Profesionale e qytetit, një shkollë e mbështetur nga kjo kompani, të cilët janë regjistruar sivjet në vitin e parë në Universitetin Politeknik të Tiranës, në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave, dega Gjeo-Burime.

Gjithashtu, kompania financon edhe shkollën profesionale "Ali Myftiu", në qytetin e Elbasanit. Të rinjtë e shkollave në të dyja qytetet kanë një perspektivë të madhe punësimi pranë minierës së Bulqizës apo uzinës së ferro-kromit në Elbasan.

Albchrome është pjesë e Grupit Balfin, grupi më i madh dhe inovator i investimeve në Shqipëri dhe një ndër më të mëdhenjtë në rajon.

l.h/ dita

Kuvendi hedh sot shortin për zgjedhjen e anëtarëve të KED

Posted: 07 Dec 2018 01:05 AM PST

Kuvendi do të hedhë ditën e sotme në orën 10:00  shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED).

Shorti që do të hidhet në sallën e Kuvendit është i hapur dhe do të zhvillohet në prani të Avokatit të Popullit; përfaqësuesve nga Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë; përfaqësuesve të grupeve parlamentare; anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Monitorimit; përfaqësuesve të përfaqësive të huaja diplomatike të akredituara në Republikën e Shqipërisë dhe organizatave partnere ndërkombëtare.

Presidenti Ilir Meta kishte afat për të hedhur shortin deri më datë 5 dhjetor por kreu i shtetit ashtu si edhe një vit më parë vendosi që të mos e hedhë shorteun pasi sipas tij ka një vakum ligjor.

Ngritja e KED dhe bërja e këtij institucioni funksionale, pritet të plotësojë shtatë vende vakante në Gjykatën Kushtetuese.

l.h/ dita

Efektet sezonale, euro zbret nën 124 lekë. Si pritet deri në fund të vitit

Posted: 07 Dec 2018 12:54 AM PST

Monedha e përbashkët europiane ka shënuar një tjetër rekord të ulët për dekadën, duke u këmbyer poshtë 124 lekëve. Kjo është dita e dytë radhazi që euro humbet pikë gjatë kësaj jave.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro është këmbyer sot me 123.95 lekë.

Ilirjan Ligacaj, Drejtor i Thesarit në Union Bank, shpjegon për Monitor se rënia e euros po nxitet nga disa faktorë të bërë bashkë. Së pari kemi hyrë në muajin e fundit të vitit dhe raporti i këmbimit euro/lekë fillon të preket nga efektet sezonale. Ai thotë se gjatë këtij muaji pritet që euro të vijojë të jetë në nivele të ulëta. Arsye tjetër është edhe qarkullimi i ulët i lekut në ekonomi, gjë që e ka bërë më të shtrenjtë përkundrejt valutave.

Ndërkohë që edhe Banka e Shqipërisë është tërhequr nga ndërhyrjen në tregun vendas. Monedha e përbashkët ka zbritur sot në nivelin më të ulët që nga shkurti i vitit 2008, duke arritur në këtë mënyrë një rekord të ri të 11 viteve të fundit. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 123.95, me një rënie prej 0.16 lekë në raport me ditën e mëparshme.

Më pas, Banka e Shqipërisë filloi një sërë ndërhyrjesh të jashtëzakonshme, duke tërhequr më shumë se 100 milionë euro nga tregu, duke e stabilizuar kursin për pak muaj në nivelin e 126 lekëve. Por, që nga mesi i shtatorit, kur Banka e uli intensitetin e ndërhyrjeve dhe më pas sinjalizoi tregjet se do e linte kursin të lirë, euro ka shënuar një rënie të vazhdueshme graduale, duke vendosur sot një rekord të ri të dekadës së fundit.

Sipas serive kohore të Bankës së Shqipërisë, niveli minimal historik i euros ka qenë 120.9 lekë dhe është arritur në dhjetor të vitit 2007. Më pas euro u forcua, e ndikuar kryesisht nga transferimi i fitimeve të kompanive celulare jashtë vendit, duke arritur rekordin prej 141.8 lekëve në maj të vitit 2011 dhe u stabilizua për disa vjet në kuotën e 14 0 lekëve. Më pas euro filloi sërish rënien në mesin e 2016-s, duke reflektuar ofertën e shtuar pas kultivimit masiv të kanabisit në vend.

Që nga mesi i 2016-s, euro vetëm po humb pikë, si rrjedhojë e ofertës së lartë të euros në raport me kërkesën për të dhe qarkullimin e ngadaltë të monedhës vendase.

l.h/ dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more