Skip to main content

“Bota që ndërtoi George H. W. Bush” plus 2 more Telegrafi Opinione

“Bota që ndërtoi George H. W. Bush” plus 2 more Telegrafi Opinione


Bota që ndërtoi George H. W. Bush

Posted: 09 Dec 2018 04:20 AM PST

Kam punuar për katër presidentë amerikanë, demokratë dhe republikanë, dhe ndoshta gjëja më e rëndësishme që kam mësuar përgjatë rrugës është se pak nga ajo që ne e quajmë histori është e pashmangshme. Ajo që ndodh në këtë botë është rezultat i asaj që njerëzit zgjedhin të bëjnë dhe të mos bëjnë kur përballen me sfida dhe mundësi.

George H.W. Bush, presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara, iu parashtruan shumë sfida dhe mundësi dhe të dhënat janë të qarta: ai e la vendin dhe botën shumë më mirë sesa e gjeti.

Kam punuar për dhe shpesh me Bushin gjatë katër viteve të presidencës së tij. Kam qenë anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare përgjegjës për mbikëqyrjen e zhvillimit dhe zbatimit të politikave drejt Lindjes së Mesme, Gjirit Persik, Afganistanit, Indisë dhe Pakistanit. Kam qenë edhe në shumë shumë diskutime të tjera politikash.

Bush ishte i sjellshëm, i mirë, i drejtë, mendjehapur, i vëmendshëm, modest, parimor dhe besnike. Ai vlerësonte shërbimin publik dhe e shihte veten thjesht si më të fundit në radhën e gjatë të presidentëve amerikanë, një tjetër banor i përkohshëm i Zyrës Ovale dhe kujdestar i demokracisë amerikane.

Arritjet e tij në politikën e jashtme ishin të shumta dhe të rëndësishme, duke filluar me përfundimin e Luftës së Ftohtë. Për të qenë të sigurt, fakti që ajo përfundoi kur përfundoi kishte shumë të bënte me katër dekada përpjekje të bashkuara Perëndimore në çdo rajon të botës, humbjen e sovjetikëve në Afganistan, të metat e thella brenda sistemit sovjetik dhe fjalët dhe veprat e Mikhail Gorbaçovit. Por asnjë nga këto nuk nënkuptonte se Lufta e Ftohtë ishte e paracaktuar të përfundonte shpejt ose në mënyrë paqësore.

Kjo ndodhi, pjesërisht, sepse Bushi ishte i ndjeshëm ndaj gjendjes së vështirë të Gorbaçovit dhe më vonë të Boris Jelcinit dhe iu shmang bërjes poshtëruese të një situate të vështirë. Ai ishte i kujdesshëm që të mos zhytej apo kënaqej me retorikën e triumfit. Ai u kritikua gjerësisht për këtë kufizim, por ai arriti të mos shkaktonte atë lloj reagimi nacionalist që po shohim tani në Rusi.

Ai gjithashtu mori atë që donte. Askush nuk duhet ta ngatërrojë kujdesin e Bushit me ndrojtje. Ai mposhti ngurrimin dhe ndonjëherë kundërshtimet e shumë prej homologëve të tij europian dhe nxiti bashkimin e Gjermanisë – dhe e solli atë brenda NATO-s. Ky ishte art qeverisjeje në më të mirën e tij.

Arritja e madhe e politikës së jashtme të Bushit ishte Lufta e Gjirit. Ai e shihte pushtimin e Sadam Huseinit dhe të Kuvajtit si një kërcënim jo vetëm për furnizimet kritike të naftës në rajon, por edhe për botën e pas Luftës së Ftohtë. Bush druhej se nëse ky akt lufte do të kalonte pa përgjigje, do të nxiste një kaos të mëtejshëm.

Ditët gjatë krizës, Bush deklaroi se agresioni i Sadamit nuk do të vazhdonte gjatë. Më pas ai vendosi një koalicion ndërkombëtar të paprecedent që mbështeti sanksionet dhe kërcënimin e forcës, dërgoi gjysmë milioni trupa amerikane në anën tjetër të botës për t'u bashkuar me qindra mijëra nga vendet e tjera dhe, kur diplomacia nuk arriti të siguronte një tërheqje të plotë dhe të pakushtëzuar të Irakut , e çliroi Kuvajtin brenda pak javësh me shumë pak viktima amerikane dhe të koalicionit. Ky ishte një rast që tregonte se si mund të funksiononte multilateralizmi.

Dy pika të tjera vlejnë të përmenden këtu. Së pari, Kongresi ishte i gatshëm të vepronte ndaj agresionit të Sadamit. Votimi në Senat që autorizoi aksionin ushtarak gati dështoi. Bush, megjithatë, ishte i përgatitur të urdhëronte atë që u bë Operacioni "Desert Storm" edhe pa miratimin e Kongresit, duke pasur parasysh se ai tashmë kishte të drejtën ndërkombëtare dhe Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në anën e tij. Ai ishte i vendosur dhe parimor.

Së dyti, Bush nuk pranoi të lejonte veten të ngecte në këto ngjarje. Misioni ishte të çlirohej Kuvajti dhe jo Iraku. Të vetëdijshëm për atë që ndodhi rreth katër dekada më parë, kur forcat amerikane dhe ato të OKB-së zgjeruan objektivin e tyre strategjik në Kore dhe u përpoqën ta bashkonin gadishullin me forcë, Bush i rezistoi presioneve për të zgjeruar qëllimet e luftës. Ai u shqetësua për humbjen e besimit të liderëve botërorë që ai kishte sjellë me vete dhe humbjet e jetëve që do të ndodhnin. Ai gjithashtu donte të mbante qeveritë arabe në anën e tij për të përmirësuar perspektivat për përpjekjen e paqes në Lindjen e Mesme që do të fillonte në Madrid më pak se një vit më vonë. Përsëri, ai ishte mjaftueshëm i fortë për t'i bërë ballë momentit.

Asnjë nga këto nuk do të thotë se Bush vepro gjithmonë si duhej. Fundi i Luftës së Gjirit ishte i rrëmujshëm, pasi Sadami arriti ta mbante pushtetin në Irak nëpërmjet një goditjeje brutale mbi kurdët në veri dhe shiitët në jug. Një vit më vonë, administrata e Bushit iu përgjigj me ngadalë dhunës në Ballkan. Ajo mund të ketë bërë më shumë për të ndihmuar Rusinë në ditët e saj të hershme pas sovjetike. Në përgjithësi, megjithatë, të dhënat e politikës së jashtme të administratës janë të favorshme në krahasim me ato të çdo presidenti tjetër modern të SHBA-së ose të ndonjë lideri tjetër botëror.

Një gjë të fundit. Bush mblodhi atë që ishte ndoshta ekipi më i mirë i sigurisë kombëtare që SHBA-ja ka pasur ndonjëherë. Brent Scowcroft ishte standardi i artë në këshilltarët e sigurisë kombëtare. James Baker ishte padyshim sekretari më i suksesshëm i shtetit që nga koha e Henry Kissinger. Dhe me ta ishin Colin Powell, Dick Cheney, Robert Gates, Larry Eagleburger, William Webster dhe të tjerë me rangje dhe eksperiencë.

Të gjitha këto na kthejnë përsëri te George H.W. Bush. Ai zgjodhi njerëzit. Ai vendosi tonin dhe pritshmëritë. Ai dëgjoi. Ai këmbënguli në një proces formal. Dhe ai udhëhoqi.

Siç i thonë asaj fjalës, nëse peshku qelbet nga koka, ai gjithashtu lulëzon për shkak të kokës. SHBA-ja lulëzoi si rezultat i shumë kontributeve të presidentit të saj të 41-të. Shumë njerëz në botë kanë përfituar gjithashtu nga ai. Ne i detyrohemi atij shumë falënderime. U preftë një paqe se e meriton. /Project Syndicate/BIRN/

The post Bota që ndërtoi George H. W. Bush appeared first on Telegrafi.

Ta ringjallim dashurinë transatlantike!

Posted: 09 Dec 2018 02:54 AM PST

Radu Magdin

Politika e pushtetit në të dyja anët e Atlantikut duket sërish të luhatet mes farsës dhe dramës. E kush kujdeset, që të merren parasysh Kina dhe Rusia, kur brenda Perëndimit mosmarrëveshjet janë kaq të dukshme dhe besimi reciprok po humbet? Por qëndrimi agresiv i Rusisë në Detin Azov na kujton, se çfarë është në të vërtetë e rëndësishme. A është i mundur një ekuilibër i ri dhe i frytshëm mes SHBA-së dhe BE-së?

Në asnjë moment tjetër të Luftës së Ftohtë një projekt i madh i ri i Perëndimit nuk ka qenë më i nevojshëm sa sot. Pikat më të rëndësishme të tij nisin me një NATO të fortë dhe me një marrëdhënie transatlantike në lulëzim si dhe me një marrëveshje të rinovuar TTIP. Për të rifituar besimin, shpesh janë të nevojshme edhe projekte të vogla por me domethënie. Evropa Lindore mund të ofrojë zgjidhje. Në qarqet gjeopolitike mbizotëron gjithnjë e më shumë modeli, që Lindja “është e gatshme”. Luftërat e mëdha për pushtet në këtë pjesë të botës po rindizen sërish pas gati 30 vjetësh – dhe Perëndimi duhet të veprojë.

Evropa Perëndimore po e merr letshëm – dhe është si e mpirë në përpjekjet për të gjetur një ekuilibër të ri. Ish-ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, në një intervistë ka theksuar, se Evropa sot nuk mund të jetojë me Trumpin, por ajo as nuk mund të jetojë pa SHBA-në. Megjithatë, arkitektët e një marrëdhënieje të re transatlantike nuk duhet t’i mbyllin sytë, ndaj asaj që po ndodh aktualisht në Adriatik, në Detin Baltik dhe në Detin e Zi. Krizat e fundit kanë treguar, se një ndërhyrje solide në fazën e parë të një krize mund të arrijë një mrekulli, ndërsa qendrimi në pasivitet bën që më pas të të duhet të përballesh me pasojat.

Amerikanët vazhdojnë të jenë aktivë në rajon dhe duket se e kuptojnë, përse bëhet fjalë aty – jo vetëm ekonomikisht, por edhe politikisht e ushtarakisht. Megjithatë, Evropa Lindore pret më shumë nga Brukseli dhe Berlini. Si epiqendra të politikës evropiane ato duhet të jenë mjaft të vëmendshme ndaj luftrave për pushtet përreth Evropës Lindore. Shumë vende të rajonit janë ndërkohë anëtarë të BE-së, dhe fqinjësia direkte luan gjithashtu një rol të rëndësishëm. Formate të ndryshme bashkëpunimi ofrojnë një lloj shije paraprake të aleancave të mundshme të së ardhmes.

Ofensiva kineze e joshjes është në funksionim të plotë dhe formati 16+1 (një platformë e thellimit të bashkëpunimit mes Kinës dhe 16 vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore) është si një lloj shoqate ombrellë për marrëdhëniet bilaterale, që bazohen tek projekte qendrore investimesh. Parë në aspektin politik, këto duken si tërësisht të padëmshme. Nisma e tre detërave jep një përgjigje ndaj “Evropës së dy shpejtësive”, që dëshiron presidenti francez Emmanuel Macron. Shtetet e Vishegradit (Polonia, Hungaria, Çekia, Sllovakia) e kanë kuptuar, që me tërheqjen e Perëndimit nuk mund t’ia dalin vetëm. Edhe për këtë arsye është krijuar projekti i ri i tre detrave. Madje edhe influenca e fuqishme ruse në disa shtete të grupit të Vishegradit, të Ballkanit Perëndimor dhe partneriteti lindor duhet të preokupojnë këdo, që ende e ka në kujtesë epokën sovjetike.

Problemet nuk ndalin para kufijve të BE-së: politika e fqinjësisë mbetet problematike nëse ajo nuk ndiqet me guxim ashtu si duhet. Kryesusesit në Ballkanin Perëndimor dhe partneriteti lindor vazhdojnë të shihen mbi bazën e një ekuilibri të paqendrueshëm, me dallimin kryesor, që vendet e Ballkanit kanë një perspektivë në BE për vitin 2025. Strategjitë në nivel të zgjeruar mungojnë, ngjarjet thjeshtë po precipitojnë. Realistët e shohin Ukrainën si një angari për Perëndimin, mantra e tyre është: “nuk është lufta jonë.” Qytetarët e orientuar nga vlerat mendojnë ndryshe, për ta Ukraina ka një rëndësi qendrore, dhe nuk e konsiderojnë atë vetëm si një territor eksperimental për fuqitë e mëdha.

Incidentet e fundit në Detin Azov e kanë ndryshuar tërësisht situatën. Për Brukselin dhe Uashingtonin çështja nëse po veprojnë drejt ose gabim me Ukrainën, krijon një rast precedent. Prej kësaj dileme partnerët transatlantikë mund ta kuptojnë, se sa e madhe është sfida prej Rusisë. Pas Gjeorgjisë dhe Ukrainës nuk ka garanci, që Rusia nuk do të inkurajohet për të vënë në shënjestër ndonjërin prej shteteve baltike apo ndonjë vend tjetër aleat të NATO-s. Nevojitet një front solid për një “politikë të stopimit 2.0”. Deklaratat e ministrit të Jashtëm të SHBA-së Mike Pompeo në Bruksel mund të shihen si një fillim i projektit të rikonstruktimit. Nevoja është nëna e shpikjes. Për pjesën tjetër të mandatit të Trumpit do të ketë një bashkëpunim të karakterizuar nga konkurrenca mes Brukselit dhe Uashingtonit, por politika e sigurisë duhet të jetë gjithmonë në shenjë të bashkëpunimit të ngushtë.

Në Evropën Qendrore dhe Lindore krahas politikës së energjetikës dhe industrisë në radhë të parë synohet për një siguri dhe mbrojtje të përbashkët. BE-së i duhet një strategji e re për angazhimin e saj në Lindje dhe një diskutim i sinqertë me këto vende lidhur me vijat e kuqe. Këto duhet të garantojnë, që Evropa përparon, pa u prekur prej krizave pranë pronave të saj. Është e paimagjinueshme që një diskutim i tillë të mund të bëhet pa SHBA-në.

Përfaqësues të Gjermanisë si dhe Presidenti i Komisionit të BE-së Jean-Claude Juncker në vjeshtë ishin në samitin e nismës së vendeve të tre detrave në Bukuresht: Kjo është një shenjë e mirë, që duhet të pasohet nga hapa të tjerë. Nëse bashkëpunojnë Amerika dhe Evropa mund ta rigjallërojnë historinë e tyre të dashurisë dhe ta ndalin Rusinë nga aksione të tjera të ngjashme ai ato në Ukrainë. A nuk do të ishte kjo më mirë, të veprosh duke folur dhe koordinuar bashkërisht, në vend që të ankohesh për konkurrencën me Kinën apo kërcënimet nga Rusia? Koha e duhur pra që profesionistët e vërtetë nga të dyja anët e Atlantikut të rinisin punën e tyre të përbashkët.

The post Ta ringjallim dashurinë transatlantike! appeared first on Telegrafi.

Lufta për dijen është luftë për demokracinë

Posted: 09 Dec 2018 01:01 AM PST

Aleko Miho

Prej ditësh studentët kanë dalë në rrugë për të kërkuar të drejtat e tyre të ligjshme! E gjitha kjo është një zemëratë që ka kohë që ndihet mes studentëve, por dhe mes nesh që punojmë me studentët si edukatorë të tyre. Nuk do të doja kurrë që të shkohej në rrugë për të përmirësuar arsimin dhe për të përfituar plotësimin e kërkesave! Por kur shumë shtigje reformimi dhe rrugëzgjidhje mbyllen, nuk mbetet tjetër veçse rruga. Nga kërkesat e studentëve të shkruara me shkrim dore, të shkruara gjithashtu në rrugë, vështirë të shohësh se çfarë dhe ndaj kujt është drejtuar zemërimi tyre! Pa dashur t'i imponohem kauzës së studentëve, dua të ndaj me gjithë studentët protestues se cilat janë disa nga shqetësimet tona në vite që lidhen ndoshta drejtpërdrejt edhe me cilësinë e shkollimit të studentëve, por dhe me peshën në financim që studentët dhe familjet e tyre mbajnë mbi supe. Qysh në fillim dua të theksoj se kjo kauzë nuk është vetëm e studentëve, por dhe e jona si botë akademike dhe e gjithë shoqërisë shqiptare.

Me keqardhje them se ne si shoqëri ende nuk po mbyllim një periudhë tranzicioni sa të vështirë aq dhe absurde. Shoqëria jonë ka pjellë dhe drejtohet nga një klasë politike tejet e dështuar, e kalbur dhe tepër korruptive, që gjithnjë e më shumë po bëhet qesharake me vizionin e saj në drejtimin e vendit, me rregullat që miraton përditë. Ndër të tjera, është një klasë tejet e përçarë dhe tepër konfliktuale. Nga mëngjesi deri në darkë politikanët tanë nuk dinë veçse të zihen me njëri-tjetrin, të shahen e të përbalten, në vend që të ulen bashkë dhe të zgjidhin hallet e mëdha që ka vendi, përfshirë këtu edhe arsimin. Nuk dua të flas për përgatitjen e tyre intelektuale, për arsimimin dhe gjithçka lidhet me të. Gjithë, politika sot është pastruar dukshëm nga fryma e shëndoshë intelektuale, dhe është e rrethuar nga persona 'yes men', të cilët janë të pa aftë të ndikojnë në një reformim pozitiv, veçse të ngrënë dorë ose kartonin përpara shefit.

Janë pikërisht këto boshllëqe në përgatitjen dhe karakterin e tyre që drejtuesit e politikës sa vijnë në krye bëhen arrogantë dhe thumbojnë këdo që kanë poshtë tyre! Bëhen kompetentë në gjithçka, dhe në çdo zgjidhje, premtojnë pa masë, edhe atë që shumëkush kurrë nuk e beson! Ata sa marrin pushtetin humbasin përulësinë të dëgjojnë mendimin ndryshe, atë që një specialist mund ta dijë dhe bëjë më mirë! Ndër të tjera, ndër vite nuk kanë lënë gjë pa thënë ndaj botës akademike dhe injoruar gjithë shqetësimet në këtë sektor sa të brishtë aq dhe jetik për vendin! Nuk mungojnë rastet kur udhëheqësit tanë madje u japin mend edhe të tjerëve në rajon dhe botë për të zgjidhur edhe ata hallet e tyre! Pavarësisht se vetë ishin dhe mbeten ende të zhytur nëpër piramidat e pastrimit të parave, në mbjellje dhe tregti kanabisi, në mafien e ndërtimit, dhe në gjithë korrupsionin dhe kronikën e zezë që e shoqëron. Si përfundim e është pikërisht kjo klasë që e ka mbajtur vendin peng në një pasiguri për të jetuar! Dhe kush më tepër se të rinjtë, përfshirë këtu dhe studentët, mund ta ndiejnë këtë!

Konkretisht, klasa politike është sot sa zhgënjyese po aq dhe e dështuar në politikën e saj të vendimmarrjes dhe qeverisjes, në çështje kyçe të zhvillimit të vendit, siç janë arsimi dhe veçanërisht arsimi i lartë, por dhe në shëndetësi, në mjedis dhe shfrytëzimin e burimeve natyrore, si dhe në vetë zhvillimin urban në vend. Ka shumë dëshmi për secilin nga këta sektorë që dhe vetë ju i njihni dhe provuar dhe mbi kryet tuaja. Por le të mbetemi tek arsimi i lartë. Mjafton të themi se në 30 vite tranzicion ligjin për arsimin e lartë mund ta kemi ndryshuar mbi 3 herë, dhe asnjëherë nuk kemi qenë të aftë të bëjmë një ligj të thjeshtë dhe të zbatueshëm për një vend të vogël si vendi ynë. Më absurdi dhe jo pak i kundërshtuar është edhe ligji aktual. Nuk do merrem me të, por duken pasojat e para, ku vendoset edhe protesta studentore! -Ndoshta nuk kemi parë gjë akoma, -si pohon shpesh Kryeministri ynë!

Nga gjithë kjo frymë, ajo që ka ardhur duke u theksuar në vite në ligjshmërinë tonë për arsimin e larë, është marrëdhënia 'student-klient'. Thënë ndryshe, një student vështirë se shihet sot si një i ri, që duhet të formohet mirë, sipas aftësive të secilit. Sa më mirë të përgatitet në shkollë një i ri sot, aq më mirë është për veten, por dhe për të gjithë shoqërinë në vend, dhe pse jo, edhe për vetë rajonin. Sa më të zotë të jenë të rinjtë në shkollim në zanatet e tyre, aq më mirë mund t'i dilet ballë nevojave që ka vendi, por dhe më gjerë. Këto fjalë nuk është se nuk thuhen nga politika nëpër foltore, madje shprehen dhe më bukur se sa i kam shkruar unë. Por në praktikë e mbetemi vendi me buxhetin më të ulët për arsimin e lartë. As bëhet fjalë që nga buxheti të jepet diçka për kërkimin shkencor, si kërkojnë sot me të drejtë studentët. Për ata që ende nuk e dinë, arsimi i lartë publik punon me 400-450 Euro në vit të ardhura për student, kosto e cila është pjesërisht e mbuluar nga buxheti i shtetit, dhe pjesërisht nga tarifat e studentëve. Praktikisht nga buxheti i shtetit mbulohen sot vetëm pagesa e stafit mësimdhënës, por edhe kjo, jo për të gjithë muajt e vitit. Plotësimi tjetër i nevojave bëhet nga pagesat e tarifës së shkollimit dhe nga pagesat e tjera që bëjnë vetë studentët. Këtu përfshihet edhe neni famëkeq që nxiti këtë protestë për pagesë shtesë për kreditet e mbartura, i cili është menduar të 'shëndoshë' disi të ardhurat në institucionet publike, gjithmonë nga xhepi i studentëve dhe jo nga buxheti.

Kjo frymë marrëdhënieje kienteliste, ligjërisht e mbështetur, ka bërë që universitetet publike të shtojnë kuotat e pranimit në vite, tej kapaciteteve që kërkon një mësimdhënie cilësore. Shumë thjesht – sa më shumë studentë aq më shumë të ardhura në institucion! Punë e madhe se bie cilësia! Qeveria asnjëherë nuk ka parë nga ana e saj detyrimin për të shtuar mbështetjen financiare, mbështetjen në infrastrukturë, ndaj shtimit të numrit të studentëve. Por në heshtje dhe me rregullat e saj e ka ndihmuar më tej këtë frymë rënie në arsimin e lartë. -Ku t'i gjejmë fondet – do thotë Kryeministri? -Ne nuk jemi lopë që mund të milemi pa fund! -me atë ironinë e tij. Por mjafton që Sheshi Skënderbej të mos ribëhet sa herë ndërrojnë pushtetet!!! Shumë fasada të tjera të investuara me shumë kosto mund të kursehen për të plotësuar nevojat në arsim, pse jo dhe në shëndetësi. Rezultatet nuk merren vetëm me fjalë të bukura dhe ca ligje dhe rregulla në letër! Ku janë premtimet e dhëna me shumë bujë!

Kemi mbi 20 vjet që fjala 'Kampus' u lakua nga rektorët e radhës në programet e tyre, u animua në faqen e UT-së në mënyrë marramendëse, por asnjëherë nuk u bë realitet. Ku mund t'i gjejë fondet universiteti për të plotësuar nevojat e veta për infrastrukturë? Asnjëherë qeveria nuk u ndal seriozisht në shtimin e hapësirave dhe kushteve qoftë nëpër fakultete, ashtu edhe nëpër konviktet ku studentët strehohen, vetëm një pjesë e tyre, se të tjerët paguajnë rëndë edhe për këtë. Ministritë përgjegjëse ishin të kënaqura që institucionet publike shtonin kuotat për të tërhequr studentët, por kanë vepruar ndryshe me fondet, duke i ulur ato. Universiteti publik u la në vite nga politik bërja në varfëri, jashtë çdo lloj mbështetje, duke e lënë atë të bjerë në korrupsion, në nepotizëm, në klientelizëm që për fat të keq kanë lulëzuar mes nesh! Nuk ka munguar këtu as ironia, sarkazma dhe përbaltja ndaj botës akademike publike. Kjo është ndihmuar edhe nga zhurmues të tjerë jashtë politikës, kjo edhe me qëllime të errëta, edhe pse shumë prej tyre kanë të veshur konstumin e dijes të qepur në vetë këto institucione publike.

Po ka edhe më keq në këtë pranim studentësh nëpër universitetet tona! Asnjëherë ministria sot, por dhe në të kaluarën, nuk ka bërë parashikime se cilat janë nevojat tona për të arsimuar me shkollë të lartë, në cilat degë, të bëjë si duhet shpërndarjen e kuotave në gjithë sistemin publik dhe privat bashkë, të përcaktojë sa është kostoja në vend për secilin student për një arsim sipas kërkesave, cilat janë standardet që duhet të përmbushen, etj. Ministria nuk ka bërë rolin drejtues në këtë, atë që realisht i takon një ministrie përgjegjëse për arsimin në lidhje me hapjen e institucioneve, sasinë dhe cilësinë e tyre, hapjen e diplomave të reja, sasinë dhe cilësinë e tyre, koston për secilin rast, sasinë dhe kush do të mbështesë për mbajtjen e tyre. Shumëkush nga ministria mund të thotë se i kemi shkruar këto të gjitha në letër! Po, tepër të paqarta dhe kontradiktore, dhe për më tepër nuk janë zbatuar si duhet në vite deri sot! Por gjithmonë është thënë 'hajde të gjithë të shkojmë në universitet, ka vend për të gjithë, për të marrë një diplomë, pa punë e madhe se sa ajo nevojitet'. Sot prodhojmë juristë, ekonomistë, mësues, e të tjerë specialistë të lartë, sa nuk ka nevojë as Europa e madhe, dhe jo Shqipëria! Me këto rregulla dhe këtë vision shoqëria ushqen vetë papunësinë funksionale. Tepria në diploma, sado cilësore që ato të jenë, sjell që shumë të rinj të rrinë pa punë pasi nuk janë të aftë të bëjnë shumë punë të tjera të dobishme në këtë vend, veçse atë të diplomës universitare të përftuar.

Por nuk mjafton sa më sipër, ligji aktual i arsimit të lartë vendos rregulla tepër absurde në drejtimin e universiteteve publike. Kjo lidhet me dyzim pushtetesh në universitet, botë akademike-administrim, shtim veprimesh burokratike në përdorimin e fondeve, në një rregullore zgjedhore 'bardhezi', dhe shumë të tjera paudhësi që burojnë nga ky ligj dhe aktet nënligjore të tij. Për më tepër, shumë akte që kanë dalë për zbatimin e ligjit kanë qenë tepër të vonuara, tepër kontradiktore, dhe aspak në drejtim të përmirësimit të cilësisë. Përkundrazi e kanë ulur atë më tej. Shumë rregulla në arsimin e lartë, përfshirë këtu dhe vetë rregulloren e zgjedhjeve, nuk ndihmojnë aspak zhvillimin e demokracisë në universitet, nuk nxisin aspak punën mes stafit mësimor-shkencor.

Në këtë varfëri financiare dhe rregullash pa kuptim, universitetet publike (po dhe ato private!) më shumë e kanë pasur vëmendjen tek mësimdhënia, ku më shumë pedagogu universitar është sot një mësues, duke anashkaluar dukshëm kërkimin. Edhe pse të dyja në universitet janë të lidhura ngushtë dhe plotësojnë njëra-tjetrën për një cilësi sa më të mirë në diplomim, por edhe për përmbushjen e nevojave të vendit për dije. Por ajo që është më e rëndësishme për protestën studentore sot është pengesa e zhvillimit të autonomisë brenda vetë institucionit, dhe shpërdorimi i tepruar fondeve; edhe pse tepër të pakta ato përsëri përdoren për së shumti, pa mundur të plotësojnë edhe ato pak nevoja që secili prej nesh mund të ketë për një zhvillim të mirë të procesit mësimor. Mjafton t'ju them se kam mbi 30 vjet në universitet dhe nuk kam marrë nga administrate një top letër shkrimi. Megjithatë, kush është i aftë ka mundur të gjejë ndonjë burim tjetër financimi, ndonjë projekt mësimor-kërkimor, apo ndonjë burim tjetër me interes edhe për vetë cilësinë e mësimit. Por edhe në këto raste zbatimi i një projekti nuk është aspak i lehtë nga rregullat tona të brendshme, të shkruara dhe të pashkruara! Të gjitha këto kërkojnë pa diskutim zgjidhje nëse vërtet duam ndryshim cilësor në arsim.

Por gjithë këto nuk janë të vetmet paudhësi në shoqërinë dhe politikën tonë! Jemi vendi më absurd në botë që në gjithë këta vite mbajmë në punë mbi 40 institucione të arsimit të lartë (16 publike dhe 26 private)! Hapja dhe i ashtuquajturi akreditim i tyre është njëlloj si dhe hapja dhe përurimi i një biznesi të rëndomtë në ekonomi, pa menduar fare për cilësinë në mësimdhënie, për mbështetjen e tyre, por edhe për kontrollin për një mësimdhënie cilësore. Universiteti publik me gjithë hallet që ka përsëri mban peshën më të madhe për sa i përket numrit të studentëve, por edhe për sa i përket cilësisë së mësimdhënies. Por sot kush e ka mundësinë mund të paguajë për fëmijën e tij që të ndjekë diplomën e pëlqyer në një nga shumë universitetet private që Agjencia e Akreditimit u ka dhënë të drejtën e veprimtarisë! Për fat të keq, kjo zgjedhje për shumë të rinj bëhet edhe verbërisht, në dëm edhe të cilësisë së diplomës! Të tjerët, duan apo nuk duan shkojnë te universiteti publik, sistem ky që si thashë më sipër është lënë në mëshirë të fatit për vite!

Studentët e sistemit privat nuk ndihen sot për ulje tarifash, për cilësi mësimdhënie, etj. Madje as stafi pedagogjik i tyre nuk bën zë për këtë! Ata e kanë pranuar vetë me zgjedhjen e tyre, gjithçka u merret që në fillim të vitit, jo pak po nga 2000 deri në 5000 Euro në ndonjë nga universitetet private 'elitare'. Në këta institucione nuk ka nevojë për pagesë shtesë për provimet e mbartura! Madje nuk kam dëgjuar nëse ka realisht provime të mbartura! Kuptohet me një shumë të tillë të ardhurash që është 5 deri 10 fish i asaj me të cilën punojnë sot universitetet publike të gjithë janë të kënaqur. All are happy!, si studentët që hyjnë 'të rruar e qethur' mirë, dhe të tillë dalin, por dhe pedagogët që japin aty mësim i shoh të lumturuar përsa i përket pagës dhe kushteve të punës, dhe natyrisht më të kënaqur janë pronarët në këtë biznes fitimprurës të dijes të mbrojtur nga ligji! Kuptohet, me gjithë këtë pagesë që paguhet edhe tek këta institucione as që bëhet fjalë për punë shkencore.

Nga sa më sipër mendoj se kjo klasë politike duhet të reflektojë shumë për këtë gjendje, sidomos sot që është edhe dita e Rinisë! Qeveria Rama, vetë Kryeministri dhe Ministria Nikolla mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë sot për këtë gjendje, për këtë revoltë. Kjo që kulmon sot me daljen e të rinjve në rrugë ka herët që ka nisur! Veza ndaj Kryministrit Rama, bojë në fytyrë ndaj Minsitres Nikolla etj., janë sinjale që miopia e pushtetarëve nuk i ka vlerësuar, nuk i ka analizuar për të mbajtur qëndrim në zgjidhjen e tyre. Jemi një vend i vogël, tepër i vuajtur, por dhe tepër i etur për dije. Le të ulemi dhe ta shohim njëri-tjetrin drejt në sy, pa paragjykime dhe përbaltje, por me shumë këmbë në tokë dhe përulje. Të bëjmë më të mirën për të ndihmuar atë që duhet dhe aq sa duhet. Asnjëherë nuk është vonë për këtë! Arsimi, veçanërisht arsimi i lartë, është faktor kyç për ekonominë dhe mirëqenien e vendit. Lufta për dijen është luftë për demokracinë! Unë i përgëzoj dhe mbështes gjithë studentët në këtë ditë dhe muaj të shënuar për demokracinë shqiptare. I përgëzoj edhe për kulturën e tyre të protestës, qytetari nga e cila duhet të mësojmë të gjithë, veçanërisht politikanët tanë dhe vendimmarrja. Kam shumë besim në rrugëzgjidhjen studentore!

The post Lufta për dijen është luftë për demokracinë appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more