Skip to main content

“Studimi: Gjysma e çifteve aktrojnë në internet se kanë një lidhje të lumtur” plus 9 more - Gazeta Dita

“Studimi: Gjysma e çifteve aktrojnë në internet se kanë një lidhje të lumtur” plus 9 more - Gazeta Dita


Studimi: Gjysma e çifteve aktrojnë në internet se kanë një lidhje të lumtur

Posted: 10 Nov 2018 02:23 AM PST

Nëse jeni mërzitur nga postimet e pafundme të çifteve duke bërë selfie në palestra dhe duke shkuar në darka, atëherë kemi një lajm për ju: të gjithë këtë janë duke e aktruar!

Më shumë se gjysma e mijëvjeçarëve aktrojnë se janë në lidhje më të lumtur sesa ç'janë në të vërtetë. Të paktën kështu thotë një studim i ri, i cili është përkrahur nga “Relate”.

Hulumtimi sugjeron se 42% i përdorin pëlqimet e Facebook-ut dhe Instagram-it për ta krijuar përshtypjen se lidhja e tyre është e përsosur. Sipas ekspertëve, njerëzit duan vëmendje, ndërkaq postimet pozitive mirëpriten nga tjerët, pëlqehen dhe komentohen.

Në disa raste, disa njerëz duan të besojnë se gjërat janë duke shkuar mirë në lidhje, kështu veprojnë duke postuar imazhe pozitive në mënyrë që ta mashtrojnë veten se gjërat janë pozitive. Kështu, herën tjetër që shihni një çift duke praktikuar joga pranë një shkëmbi, vetëm injorojeni – shanset janë të mëdha se pas fotografisë vetëm janë fjalosur.

l.h/ dita

Përshkallëzohet protesta tek Unaza e Re, dhunohen gazetarët dhe bllokohet qarkullimi

Posted: 10 Nov 2018 02:08 AM PST

Banorët e Unazës së Re kanë bllokuar sërish sot aksin rrugor të njohur si "Astiri" në Tiranë.

Banorët nuk kanë lejuar kalimin e automjeteve në të dy akset e Unazës së Madhe, duke bërë thirrje për një dëmshpërblim të plotë të banesave që preken nga projekti unazës.

Gjatë kësaj proteste ka patur dhe konfrontime fizike mes drejtuesve të automjeteve dhe banorët. Madje nga kjo protestë është goditur kameramani i një media private. Ai ka qenë duke filmuar protestën, ndërkohë që është goditur me grusht nga drejtuesi i një automjeti tip "Benz".

Në protestë kanë marrë pjesë dhe deputeti i PD-së, Klevis Balliu dhe disa përfaqësues të Partisë Demokratike."Edi Rama të na kërkojë falje për këtë projekt korruptiv që ka bërë këtu. Të ne do e mbrojmë pronën me çdo kusht", kanë bërë thirrje banorët.

l.h/ dita

Lushnjë, i riu rrëmben ish-bashkëshorten dhe e mban peng në Durrës

Posted: 10 Nov 2018 01:46 AM PST

Një 28 vjeçar nga Karbunarë e Lushnjes ka marrë forcërisht ish bashkëshorten e tij dhe e ka mbajtur peng të fshehur në qytetin e Durrësit.

Ka qenë denoncimi i babait të vajzës 27 vjeçare i cili vuri në lëvizje policinë kur informoi se ish-dhëndri kishte shkuar në banesën e tij në fshatin Zhamë të Lushnjes dhe i kishte marrë me forcë të bijën.

“Në Komisariatin e Policisë Lushnje  ka bërë kallëzim shtetasi F.K,  se 2 persona të paidentifikuar i kanë marrë vajzën” informoi policia e Fierit

Policia arriti ta arrestojë brenda 24 orësh  Marjus Musakën dhe të lirojë shtetasen P.M

“Shtetasi Marjus Musaku, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, në fshatin Zhamë, ka marrë forcërisht ish bashkëshorten e tij, shtetasen P.M, 27 vjeçe dhe e mbante peng të fshehur në qytetin e Durrësit. Policia bëri të mundur gjetjen e shtetases P.M dhe kapjen e autorit të dyshuar. Po punohet për identifikimin e autorit tjetër të dyshuar i cili ka ndihmuar shtetasin Marjus Musaku në kryerjen e kësaj vepre penale” sqaroi sot policia.

28 vjeçari ishte dënuar dhe më parë për veprën penale “Dhunë në familje”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë" e kryer në bashkëpunim dhe "Dhunë në familje", të parashikuara nga Nenet 110, 130/a/4, 25 të Kodit Penal.

l.h/ dita

Amazon dhe Apple “shtrëngojnë” duart, nga rivalë në bashkëpuntorë

Posted: 10 Nov 2018 01:43 AM PST

Gjiganti i tregtisë me pakicë në rrjet, Amazon, ka arritur një marrëveshje me gjigandin tjetër amerikan të teknologjisë, Apple, për të shitur produktet e këtij të fundit.

Dy rivalët e teknologjisë, pasi Amazon prodhon edhe një gamë produktesh në sektor, i kanë lënë kështu pas krahëve ndasitë dhe janë fokusuar tërësisht te biznesi.

Kështu, gjatë javëve në vijim, shitësi më i madh me pakicë në botë, Amazon, do të fillojë të shesë modelet e fundit të iPhone, iPad dhe pajisjeve të tjera të mollës, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Europë, Japoni dhe Indi.

Më parë, Amazon shiste vetëm një numër të kufizuar të produkteve të Apple, kryesisht kompjuterat Mac dhe kufjet Beats. Marrëveshja shënon kështu edhe një pikë kthese për firma si Amazon apo edhe Nike, të cilat deri pak kohë më parë refuzonin me çdo kusht të shisnin produktet e tyre nëpërmjet Amazon, ose tregtarëve të dorës së tretë, duke preferuar t`i shesin ato vetë.

Amazon do të eliminojë kështu të gjitha dyqanet e saj online që shesin produkte Apple dhe që nuk janë të autorizuara nga Cupertino.

Por, gjithsesi, produktet jo origjinale, kryesisht aksesorë të mollës, do të vijojnë të shiten në rrjetin gjigand. I vetmi produkt i Apple që nuk do të shitet nga Amazon do të jetë Apple homepod, që është një konkurrente e Alexas së Amazon.

Rreth 71% e shitjeve të Apple gjatë vitit fiskal 2018 që mbaroi në Shtator vlerësohet se janë kryer nëpërmjet kanaleve jo zyrtare në Amazon.

l.h/ dita

Bashkia e Tiranës nis punën për ndërtimin e një tjetër këndi lojërash te ish-Ekspozita

Posted: 10 Nov 2018 01:30 AM PST

Fëmijët e një tjetër njësie në kryeqytet do të kenë shumë shpejt një kënd lojërash.

Krahas punës për përmirësimin e infrastrukturës në Njësinë Nr.10, Bashkia e Tiranës ka nisur punimet për Minikëndin e Lojërave te Rr. ”Vangjush Furxhi”, pas ish-ekspozitës ”Shqipëria Sot”.

Deri dje e mbuluar nga shkurret dhe e zaptuar me gardhe, kjo hapësirë ka nisur tashmë të lirohet duke u bërë gati që të mikpresë jo vetëm fëmijët, por edhe gjithë komunitetin përreth.

Këndi do të pajiset me module të ndryshme lojërash për fëmijët, stola dhe kosha të rinj si dhe do të bëhet i gjithë gjelbërimi  për t’i dhënë një pamje komplet të ndryshuar kësaj hapësire mes pallateve te Nj. Adm. Nr. 10!

Një nga nismat e para të ndërmarra tre vjet më parë nga administrata e re e Bashkisë ka qenë rikthimi i hapësirave çlodhëse dhe të argëtimit në çdo lagje të Tiranës.

l.h/ dita

Si u shuan 4 perandoritë dhe ndryshoi harta e Evropës. Dita pas Luftës së I Botërore

Posted: 10 Nov 2018 01:14 AM PST

Lufta e I Botërore ishte një makineri vdekjeprurëse. Industrializimi dhe mekanizimi e kishin revolucionuar mënyrën e bërjes së luftës.

Mitralozët dhe artileria shfarosnin ushtri të tëra. 40 vende u përfshinë në këtë luftë të madhe të historisë. Katër vjet me radhë.

11 milionë të vdekur, 20 milionë të plagosur, të gjymtuar, të verbuar. Në çdo ditë lufte vriteshin mesatarisht nga 6000 ushtarë. Europa u shkatërrua. Ngado sundonte depresion, uri, varfëri.

Fundi i luftimeve

Luftimet morën fund si pasojë e armëpushimit në Compiegne pranë Parisit më 11 nëntor 1918. Pas 1500 ditë lufte, Gjermania dhe aleatët e saj kapitulluan. Katër fuqi të mëdha u prishën. Ato u thyen, u shpërbënë në kombe më të vogla ose u zhdukën tërësisht nga harta. Perandoria Gjermane, Austro-Hungaria, Perandoria Osmane dhe Perandoria Ruse.

Fituesit e Luftës së Parë Botërore, Franca, Britania e Madhe dhe SHBA rivizatojnë hartat e Europës dhe Lindjes së Mesme.

Gjermania merr dënimin më të rëndë. Fuqitë fituese e bëjnë atë fajtore për fillimin e Luftës. Gjermanët duhet të paguajnë dëmshpërblime, për të gjitha dëmet e luftës. Si edhe për rindërtimin e qyteteve franceze.

Veç kësaj, Gjermania duhet të dorëzojë disa territore, dhjetë për qind të sipërfaqes së saj. (Gjermanët ndihen të prerë në besë. Ata kishin shpresuar diçka tjetër nga armëpushimi.)

Në tryezë është edhe SHBA-ja. Ajo hynte te fituesit e Luftës. Presidenti amerikan Wilson dëshiron një rend të ri botëror dhe kërkon themelimin e Lidhjes së Kombeve paraardhësja e OKB-së së sotme. Por pastaj, SHBA-ja sërish nis të izolohet. Askush nuk mund të bëhet më garant për paqen në Europë.

Lufta e Parë Botërore – Ajo mbahej si lufta që do t’i jepte fund të gjitha luftërave. Por kjo nuk ndodhi. Shumë shtete e popuj ishin të pakënaqur me pasojat e Luftës. Në Gjermani erdhi në fuqi Adolf Hitler: Ky diktator kishte një synim të qartë: shmangien e pasojave të armëpushimit të vitit 1918 – me një luftë të re.

Shuarja e perandorive

Me Luftën e Parë Botërore shuhen katërfuqi të mëdha njëherazi: Perandoria Gjermane, Austro-Hungaria dhe Perandoria Osmane. Këto të tria ishin aleate gjatë Luftës Botërore. Perandoria Ruse ish rrëzuar që më parë nga Revolucioni i Tetorit. Katër perandori, të cilat do të ndaheshin nga fuqitë fituese perëndimore. Caktohen kufij të rinj, lindin shtete të reja.

Fuqitë fituese kërkojnë pjesën e tyre – Osmanët dhe Lindja e Mesme

Ato u premtojnë shtetin e tyre turqve nacionalistë. Por pastaj bëhet e qartë se pjesë të Turqisë do t’u kalojnë grekëve, italianëve ose francezëve. Metropoli i Stambollit vihet nën kontroll ndërkombëtar.

Turqit janë të indinjuar. Mustafa Kemal, një oficer i ri u bën qëndresë fuqive perëndimore. Ai udhëheq pjesët e mbetura të ushtrisë osmane në fitoren mbi trupat greke dhe italiane.

Heroi i luftës më vonë do ta quajë veten Ataturk, baba i turqve. Ai ndërton një shtet modern kombëtar – i drejtuar prej tij në mënyrë të rreptë dhe autoritare. Ataturku e ndan rreptësisht shtetin nga feja islame. Turqia pretendon të bëhet urë ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit.

Ndryshe është situata në vendet arabe të Lindjes së Mesme. Këto vende sapo kanë shpëtuar nga sundimi osman. Dhe tani do të bëhen top loje për fuqitë fitimtare të Luftës Botërore.

Kur bëhet e qartë se Perandoria Osmane nuk do të ekzistojë më pas lufte, francezët dhe britanikët organizojnë një takim të fshehtë. Pas dyerve të mbyllura ata vendosën të ndajnë territoret në Lindjen e Mesme.

Britanikët duan qytetin e Mosulit për shkak të naftës. Dhe Jeruzalemin për të kontrolluar që andej Palestinën e porsakrijuar.

Franca i lejon britanikët që të hyjnë. Si shpërblim Briania e Madhe duhet të mbështesë pretendimet e Francës kundrejt  Gjermanisë për reparacione.

Pas Revolucionit Rus në vitin 1917 bolshevikët publikuan marrëveshjen e fshehtë. Por kjo nuk ndryshoi asgjë. Franca vazhdon të mbisundojë në Lindjen e Mesme. Në fillim fuqitë koloniale pretendojnë se duan t’i transformojnë protektoratet e tyre në demokraci të pavarura.

Por nuk vjen deri aty. Ato do të vazhdojnë t’i përdorin – burimet dhe besimin e tyre. Çfarë ka mbetur nga Lufta e Parë Botërore në Lindjen e Mesme? Kufij arbitrarë, shtete pa struktura demokratike. Dhe deri më sot një mosbesim i madh ndaj Perëndimit.

Pakicat Kombëtare – Ballkani dhe Europa Qendrore dhe Lindore

11 nëntori i vitit 1918, dita e përfundimit të Luftës së Parë Botërore, nuk ishte shumë e rëndësishme për  Shqipërinë. Shqipëria nuk ishte palë lufte, por ajo do t’u ofrohej fitimtarëve dhe aleatëve të tyre në tabaka: Traktati i fshehtë i Londrës synonte ta ndante atë mes fqinjëve dhe ajo copë që do të vazhdonte të quhej Shqipëri, do të ishte protektorat i italianëve.

Forcat britanike, italiane, franceze dhe greke vazhduan të qëndronin në Shqipëri edhe pas datës 11 nëntor 2018 në pritje të pjesës që do të përfitonin nga rivizatimi i hartës së Europës.

Në përfundim të Luftës katër perandori nuk ekzistonin më: katër fuqi të mëdha zhduken, disa syresh madje edhe nga harta: Austro-Hungaria, Rusia Cariste, Perandoria Gjermane dhe Perandoria Osmane. Në Europën Qendrore dhe Lindore krijohen shtete të reja.

Dhe praktikisht të gjithë fillojnë grindjet me fqinjët e tyre: Për tokën, për njerëzit, për pakicat, për akses në Detin Mesdhe, për qymyr dhe hekur.

Por ka edhe grindje ideologjike, si në rastin e Polonisë. Shtetit të përtërirë i duhet të mbrohet nga sulmi i Ushtrisë së Kuqe të Bashkimit Sovjetik.

Në jug, popuj krenarë duan të krijojnë shtetet e veta. boshnjakët, serbët, kroatët, sllovenët.Por dikur bëhet i njohur Pakti i Fshehtë ndërmjet Italianëve dhe Fitimtarëve: Traktati i Londrës. Si shpërblim për besnikërinë e tyre, Antanta u ka premtuar italianëve Triesten, Istrian dhe tërë bregdetin kroat. Portet më të rëndësishme të rajonit me akses në Detin Mesdhe do t’i takonin Italisë.

Këtë e ndryshojnë planet e sllavëve jugorë. Për t’u mbrojtur nga Italia, ata tani duan të krijojnë një shtet të përbashkët: Mbretërinë e Jugosllavisë. Por popujt e shtetit të ri nuk shkojnë mirë me njëri-tjetrin. Tetë dekada më vonë zhvillohet një luftë e përgjakshme. Sot ata kanë (sërish) secili shtetin e vet.

Pak më në verilindje ukrainasit themelojnë menjëherë disa republika. Njëra syresh në Lviv – një qytet kryesisht polak. Polonia dhe ukrainasit kanë pretendime ndaj tyre, si edhe ndaj rajonit të Galicias Lindore. Plas lufta, të cilën e fiton Polonia.

Grindja për tokë në Europën Lindore është konflikt për identitetet. Fshatra, që janë vetëm pak kilometra larg njëri-tjetrit flasin gjuhë të ndryshme. Njerëzit frekuentojnë shkolla të tjera, e ndihen përkatës të një kombi tjetër.

Se ku kalon cili kufi, kjo është një çështje, që vazhdon ta shqetësojë Europën Lindore deri në ditët e sotme. Identitetet e ndryshme dhe vijat kufitare në harta – ato rrallë përkojnë.

Pas Luftës së Parë Botërore Europa zbulon pakicat kombëtare. Dhe vendos që t’i mbrojë. Që atëherë kjo fjalë nënkupton atë që kuptojmë edhe ne sot. Por askujt nuk i pëlqen të jetë pjesë e një pakice.

Kemi edhe Bullgarinë: Pas Luftës së Parë Botërore vendi ishte në anën e humbësve. Humbi territore, i duhej të paguante haraç te fitimtarët dhe të strehojë një numër të madh refugjatësh nga zonat kufitare. I ngjashëm është edhe fati i Hungarisë, që humbi gjysmën e territorit të shtetit të vet.

Armëpushimi i nëntorit 1918 i dha fund luftës së Madhe. Por për Europën Lindore dhe Qendrore ai nuk është kurrsesi fillimi i një paqeje afatgjatë.

Ndërsa në Shqipëri, forcat franceze dhe greke që mbanin të pushtuar Korçën u larguan në vitin 1919. Po atë vit u larguan edhe britanikët, francezët dhe italianët nga Shkodra. Bilanci për Shqipërinë pas Luftës së Parë Botërore ishte i hidhur: Varfëri e shkatërrim për diçka që kishte të bënte fare me të. Por ndoshta shqiptarët përfituan nga lufta në një drejtim tjetër: Për herë të parë e kuptuan, se nuk mund të mbaheshin më te premtimet e Fuqive të Mëdha, por duhet të vepronin vetë. Çka solli Kongresin e Lushnjes në vitin 1920 që vendosi gurin e themelit të shtetit të ri shqiptar që njohim sot.

Rumunët gjysmë viti pas fundit të luftës nisën sërish luftë: Me sulmin ndaj Hungarisë ata morën Transilvaninë dhe Besarabinë, ku edhe sot jeton një minoritet ukrainas.

Në këtë mënyrë njëkohësisht rumunët penguan edhe komunizmin në Hungari: ato pushtuan Budapestin dhe e detyruan komunistin Bela Kuhn të arratiset në Rusi. Kur rumunët u tërhoqën, pushtetin e mori ushtria hungareze./ Dw

l.h/ dita

NASA: Sot tre asteroidë i afrohen Tokës, njihuni me përmasat dhe oraret

Posted: 10 Nov 2018 01:05 AM PST

NASA njofton se këtë të shtunë, më 10 nëntor, tri asteroidë do të kalojnë fare pranë Tokës brenda pak orësh.

I pari, i quajtur "2018 VS1", do të kalojë të shtunën rreth orës 14:18. Ky asteroid do të ketë përmasa 13 me 28 metra.

I dyti, 2018 VR1, do të kalojë vetëm 16 minuta më pas. Ndërsa i treti do të kalojë pas katër orësh.

Megjithatë, NASA garanton që asteroidët do të jenë në distancë të sigurt nga Toka. Por kishte kohë që asteroidë nuk vinin kaq afër Tokës.

l.h/ dita

Misteret e celularit të koduar të të arrestuarit të Bllokut

Posted: 10 Nov 2018 12:53 AM PST

Tre prokurorët që po hetojnë vrasjen në lokalin "Monopol" në ish Bllok të ndodhur 4 tetor, apelojnë vendimin e gjyqtarit të Tiranës Artan Gjermeni i cili ka caktuar datën 4 dhjetor 2018, si afatin e fundit që Ervis Martinaj duhet të qëndrojë në qelitë e paraburgimit 302 në rast se prokuroria nuk dorëzon prova të reja. Ne kopjen e ankimit në apel, kërkohet masa e "arrestit në burg pa afat" për Martinaj. Treshja e prokurorëve Kreshnik Ajazi, Artan Lulaj dhe Anisa Qilimi kanë dorëzuar kërkesën e apelimit, duke kërkuar ndryshimin e vendimit të dhënë nga gjyqtari Gjermeni, që caktonte masën "arrest me burg" 30 ditor për Martinaj.

Argumenti më i fortë që prokurorët kanë në dorë për këtë apel, është ajo çfarë është gjetur brenda telefonit të Ervis Martinit, një celular “iPhone X” i cili ka qenë i mbyllur me password por që është hapur në kohë rekord nga eskpertët izraelitë pas kërkesës për të vepruar për llogarinë e prokurorisë shqiptare. Prokurorët pikërisht për këtë celular thonë se janë evidentuar të dhëna të plota më rëndësi për faktet objekt hetimi. Sipas prokurorisë në procesverbalin e sekuestrimit pasqyrohet saktësisht fakti që aparati telefonik i sekuestruar të hetuarit Ervis Martinaj në ambientet e spitalit të traumës është pikërisht ai me IMEI qe përfundon me numra "587".

Ky celular është i rëndësishëm sepse sipas prokurorëve të çështjes nga ai aparat telefoni nëpërmjet applikacionit "Telegram" është dërguar një mesazh për të thirrur disa persona “që të vinin menjëherë në lokalin e Redi Pupeskut të armatosur". Por pikërisht ky element (një nga ata të përdorur për të kërkuar arrest në burg të Martinaj) është vënë nën dyshim nga gjyqtari Artan Gjermeni i cili pretendon që prokuroria në fakt e ka paraqitur si celularin e Elvis Martinaj një tjetër aparat celulari , që ka Imei një numër që përfundon me “580".

Për këtë prokurorët sqarojnë se: "Argumenti i dhënë nga gjykata për numrin IMEI me tre numrat e fundit 580 është tërësisht i pabazuar dhe krijon një artificë kontradiktoriteti të paqenë në lidhje me faktet objekt hetimi". Sipas prokurorisë: "Rezulton përtej çdo dyshimi të arsyeshëm që aparati telefonik i sekuestruar personit nën hetim Ervis Martinaj eshte një aparat telefonik marka iPhone, me kasë me ngjyrë të zezë, model X., nr. IMEI tre numrat e fundit 587.

Përmbajtja e këtij aparati telefonik, përfshirë materialet me foto dhe video, konfirmon faktin që ky aparat është aparati që i është sekuestruar të hetuarit Martinaj. Ky fakt nuk është vënë në diskutim dhe as është kundërshtuar në asnjë moment nga mbrojtësit e të hetuarit Martinaj. Nga ana jonë i është dorëzuar gjykatës materiali i plotë i përmbledhjes së ekstraktimit të të dhënave të evidentuara nga ekspertimi teknik-elektronik i aparatit telefonik".

Bëhet fjalë për 239 faqe në të cilat përveç bisedave të ndryshme në aplikacion "Telegram" dhe ne whatsap, janë listuar numra telefonikë memorizuar në aparatin celular , sms, foto dhe video që sipas prokurorisë tregojnë lidhje të forta dhe të shumta me çdo pjesë të shoqërisë shqiptare që Elvis Martinaj kishte ndërtuar ndër vite. Prokurorët në dokumentin e apelimit thonë:

"Nga të dhënat e administruara në hetim dhe të parashtruara në gjykim rezulton qartësisht se i hetuari Ervis Martinaj ka vepruar në pozicionin e organizatorit të rrethit të personave të tij, ku përfshihen edhe shtetasit e identifikuar deri në këtë fazë të hetimit si viktima Fabian Gaxha dhe i hetuari Eljon Hato, në ngjarjen e datës 4 tetor 2018"

Gjykata, theksojnë prokurorët, ka qenë tërësisht e paqartë edhe në lidhje me detyrat e lëna dhe provat që kërkon të administrohen brenda afatit 30 ditorë që skadon më 4 dhjetor. Kjo pasi ata vlerësohen se janë administruar të dhënat e mjaftueshme që krijojnë standartin e dyshimit të arsyeshëm për kryerjen e veprave penale nga i hetuari Martinaj. Sipas prokurorëve gjykata ka kërkuar si kusht për të mos liruar Elvis Martinajn brenda datës 4 dhjetor, dorëzimin e një eskpertimi kontabël mbi pasurinë personale dhe familjare të tij, por akoma deri në këtë moment prokurorët pretendojnë që nuk janë njohur me objektin dhe fushën e mbulimit të këtij akti ekspertimi kontabël, ndërkohë që shumë materiale janë dorëzuar gjykatës prej kohe:

"Si përfaqësues të organit të akuzës, edhe pse në mungesë të një akti ekspertimi kontabël kemi vënë në dispozicion të gjykatës një raport të përgatitur nga inspektorë të hetimit tatimor ku kanë dhënë një panoramë të përgjithshme të gjendjes pasurore të Ervis Martinajt dhe familjarëve të tij, duke paraqitur edhe vlerën e fshehjes së të ardhurave deri në momentin e paraqitjes së kërkesës për masë  sigurimi. Në këto kushte mendojmë se kjo "detyrë" e caktuar nga gjykata është e ezauruar që në momentin e paraqitjes së kërkesës për caktim masë sigurimi dhe aktet bashkëlidhur".

Prokurorët shpjegojnë se gjyqtari Artan Gjermeni nuk ka marrë parasysh rrezikshmërinë shumë të lartë shoqërore të veprës penale te Elvis Martinaj. Pjesë e apelit është edhe mos marrja në konsideratë e rrezikut të i ikjes dhe shmangies nga përgjegjësia penale nga i hetuari për të cilin prokurorët thonë se i kanë sjellë prova të mjaftueshme që ai ka në përdorim një pasaportë të Republikës së Kosovës me të dhëna të dyshuara të falsifikuara të shtetasit me gjeneralitetet Admir Koca. Një pasaportë që në rastin e lirimit mund të ndihmonte Elvis Martinaj për tu larguar jashtë vendit./ report tv

l.h/ dita

Bulevardi “Zogu i parë” do të kthehet në “rrugë shoping-u”

Posted: 10 Nov 2018 12:38 AM PST

Bulevardi 'Zogu i Parë' në kryeqytet pritet që të kthehet në një rrugë ku do të ketë vetëm dyqane.

Projektin e ri e ka bërë me dije kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ditën e djeshme gjatë prezantimit të buxhetit në njësinë numër 9 në kryeqytet.

"Një tjetër lajm fantastik për njësinë është projekti për transformimin e Bulevardit "Zogu I", në një zonë të dedikuar për turistët. Ambicia jonë është që Bulevardi "Zogu I", nga ish-Stacioni i Trenit deri tek Sheshi "Skënderbej" të transformohet në një rrugë shopingu, siç kemi bërë me pjesën e Pazarit të Ri; për këtë do të rregullojmë të gjitha fasadat, do ta zgjerojmë akoma më shumë trotuarin, do të kemi 4 sheshe dhe 4 'piaceta'. Do të jetë një nga rrugët më të bukura në Tiranë, pa dalluar shumë nga Bulevardi i Ri", tha Veliaj

l.h/ dita

Çfarë mund të mësojë bota nga Australia

Posted: 10 Nov 2018 12:31 AM PST

Ndoshta, ajo është ekonomia më e suksesshme në botën e pasur

Cili është problemi më i madh me të cilin po përballet Amerika? Apo Japonia? Britania? Franca? Opinionet në këtë drejtim janë të ndryshme, por ka disa shqetësime që shfaqen herë pas here. Ka nga ata që fajësojnë rritjen e ngadaltë të të ardhurave mesatare, që ka shkaktuar zemërim dhe zhgënjim të madh në mesin e atyre që punojnë.

Ndërkohë borxhi publik është shumë i lartë dhe fatkeqësisht me tendencë për t'u rritur, duke qenë se popullsia po plaket. Dhe pikërisht kjo pjesë e popullsisë grumbullon edhe numrin e faturave me vlerë më të lartë për kujdesin shëndetësor dhe pensionet, shkruan The Economist.

Pastaj vjen emigracioni, i cili ka nxitur reagime të ashpra populiste në Shtetet e Bashkuara dhe në të gjithë Europën. Për këtë arsye, për një numër të madh njerëzish, emigracioni, është një nga shkaqet më shqetësuese dhe mbi të gjitha si pasojë e mungesës së konsensusit politik në lidhje me menaxhimin e këtyre krizave në rritje.

Rritja e të ardhurave, borxhi i ulët publik, një shtet me mirëqenie të përballueshme, mbështetja e madhe ndaj emigracionit masiv dhe konsensusi i gjerë i politikave që mbështesin këto çështje, janë disa prej ëndrrave të largëta në pjesën më të madhe të vendeve të pasura.

Por të shumtë janë edhe politikanët perëndimorë të cilët as që nuk e imagjinojnë kombinimin harmonik të pikave të mësipërme. Fatmirësisht, ata nuk kanë pse ta imagjinojnë fare një vend të tillë, sepse ai ekziston dhe është Australia.

Ndoshta për shkak të pozicionit gjeografik, larg të gjitha shteteve të tjera, apo sepse ajo ka vetëm 25 milionë banorë, vëmendja që ka shkaktuar në pjesën tjetër të botës ka qenë gjithmonë e paktë.

Por ekonomia e saj është padyshim më e suksesshmja në botën e pasur. Australia ka qenë në rritje për 27 vite radhazi, pa përjetuar asnjë recesion. Ky është një rekord për një vend të zhvilluar. Rritja e saj gjatë kësaj periudhe është pothuajse tre herë më shumë se ajo që ka arritur Gjermania.

Të ardhurat mesatare janë rritur katër herë më shumë sesa në Amerikë. Borxhi publik, në 41% të PBB-së, është më pak se gjysma e nivelit të Britanisë. Edhe fati, ka luajtur rolin e tij në këtë drejtim, dhe këtë nuk mund ta lëmë kurrsesi pa përmendur.

Australia është e bekuar me shumë minerale hekuri dhe gaz natyror, relativisht thuajse në të njëjtat nivele me Kinën. Edhe politika e shëndoshë ka luajtur rol të rëndësishëm.

Pas recesionit të fundit, të vitit 1991, qeveria e asaj kohe reformoi sistemet e kujdesit shëndetësor dhe të pensioneve, duke kërkuar që klasa e mesme të paguante më shumë. Rezultati është se qeveria e Australisë shpenzon vetëm gjysmën e mesatares së OECD-së në drejtim të pensioneve, si pjesë e PBB-së dhe ky hendek do të zgjerohet vetëm në vitet e ardhshme. Entuziazmi i Australisë sa i përket emigracionit është edhe më i madh.

Rreth 29% e banorëve të saj kanë si vendin e tyre të origjinës një vend tjetër, jo Australinë, sa dyfishi i përqindjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjysma e australianëve janë ose emigrantë, ose fëmijë të emigrantëve.

Numri më i madh i emigrantëve në Australi është nga Azia. Edhe në këtë drejtim, po ta krahasojmë Australinë me pjesën tjetër të botës, si për shembull me Amerikën, Britaninë apo Italinë ajo pasqyron një tablo të ndryshme, në krahasim me këto shtete ku flukset, edhe pse të pakta të emigrantëve, kanë shkaktuar armiqësi midis një pjese të madhe të elektoratit. Apo me Japoninë, ku lejimi i emigrantëve për të qëndruar në këtë shtet konsiderohet si tabu. Ndërsa në Australi, të dyja partitë kryesore në vend bien dakord se pranimi i një numri të madh emigrantësh në vend është thelbësor për shëndetin e ekonomisë.

Këto arritje kanë padyshim edhe mangësi. Fondi privat i investimeve, për shembull, përmes të cilit australianët janë të detyruar të kursejnë për pensionet e tyre, është akuzuar shpeshherë për tarifa të tepërta, duke i lënë pensionistët në nivele më të varfra, nga sa mund të shmangej.

Duhet përshëndetur, ashtu si në fakt kanë bërë shumë shtete, mënyra sesi Australia i mirëpret emigrantët e ligjshëm. Por duhet dënuar edhe mënyra në të cilën Australia i trajton emigrantët që vijnë në mënyrë të paligjshme, nëpërmjet anijeve, duke i dërguar ata në ishujt më të largët të Paqësorit, aty ku emigrantët e ligjshëm nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje për vite e vite të tëra. Për më tepër, ka reforma që Australia duhet t'i kishte ndërmarrë që kohë më parë.

Australianët aborigjenë vuajnë nga disavantazhe të shumta, me të cilat thuajse asnjë prej qeverive nuk është marrë. Ngrohja globale po shkakton në mënyrë të dukshme dëme të rënda. Por megjithëse thatësirat po bëhen të shpeshta, Australia nuk ka bërë thuajse asgjë për të frenuar emetimet e gazrave serë. Shembulli i Australisë tregon edhe faktin tjetër se reformat që konsiderohen si të pamundura për t'u arritur diku tjetër, këtu mund të realizohen në mënyrën më të përsosur të mundur.

Demokratët në Amerikë sulmojnë shumicën e propozimeve për të kufizuar kostot në rritje të pensioneve publike apo të kujdesit shëndetësor, duke nxitur vetëm konflikte partiake. Në Australi, Partia e krahut të majtë ishte pioniere e politikave të tilla. Partia Laburiste ia shiti pensionet private të detyrueshme sindikatave si një rritje në përfitime, duke qenë se janë punëdhënësit ata të cilët janë të detyruar të bëjnë pagesa të rregullta për punonjësit e tyre në fondet e investimit.

Kjo parti arriti të sigurojë edhe një pension bazë publik, i cili u paguhet vetëm atyre që nuk kanë arritur të krijojnë kursime personale. Në të njëjtën mënyrë, ka shumë mundësi që të sigurohet edhe mbështetja ndaj emigracionit masiv, madje edhe nga vende të ndryshme kulturore. Njëkohësisht, është thelbësore që votuesve australianë t'ju krijohet siguria se kufijtë e tyre janë të mbrojtur sipas rregullave përkatëse.

Përsëri, bipartizanizmi është i rëndësishëm. Ishte pikërisht një qeveri e krahut të djathtë ajo që lejoi fillimisht flukset masive të emigrantëve nga Azia, duke pranuar një numër të madh emigrantësh nga Vietnami në vitet 1970.

Sistemi i votimit preferencial, ku australianët rendisin kandidatët sipas zgjedhjes, në vend që të zgjedhin vetëm një, ka gjithashtu një ndikim moderues.

Të shkatërrosh burimin më të mirë

Ironia e të gjitha atyre që thamë më lart qëndron në faktin se teksa përfitimet e këtij sistemi po bëhen më të dukshme, vetë australianët duket se janë më të zhgënjyer prej saj. Votuesit po shprehin dyshime, në drejtim të efikasitetit të qeverisë. Kjo nuk është reflektuar në ulje të vendeve në Parlament të partive kryesore vetëm falë sistemit zgjedhor, por votimi i tyre ka rënë me rreth 20 pikë përqindje që nga vitet 1980.

Politikanët, të vetëdijshëm për pakënaqësinë në radhët e votuesve, po i ndryshojnë anëtarët e tyre gjithnjë e më shpesh. Ata kanë ndërruar shumë Kryeministra, per shembull, me shpresën se një personalitet i ri, do të ndikojë pozitivisht në qëndrimin e partisë së tyre me elektoratin.

Disa anëtarë të Partisë qeverisëse Liberale, duke mos përfshirë këtu Kryeministrin aktual, kanë filluar të bëjnë thirrje për ulje të numrit të emigrantëve që do të pranohen, duke hedhur poshtë dekada të tëra konsensusi për këtë çështje. Reformat ambicioze janë bërë të rralla. Pjesa tjetër e botës mund të mësonte shumë nga Australia, por edhe vetë australianëve do t'u duhej që t'i përditësonin ato herë pas here./ monitor

l.h/ dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more