Skip to main content

“Gjyqtari i Gjykatës së Lartë sërish para Vettingut” plus 9 more - Gazeta Dita

“Gjyqtari i Gjykatës së Lartë sërish para Vettingut” plus 9 more - Gazeta Dita


Gjyqtari i Gjykatës së Lartë sërish para Vettingut

Posted: 12 Nov 2018 01:43 AM PST

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj ka dalë sot para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit pas ankimimit të Komisionerit Publik për vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Gjyqtari Islamaj kaloi Vettingun, por Komisioneri Publik e ka ankimuar këtë vendim. Sot në orën 10:00, ka nisur seanca në ngarkim të tij. Trupa gjykuese e Kolegjit të Posacëm të Apelimit përbëhet nga Luan Daci, kryesues, Sokol Çomo, relator, dhe Albana Shtylla, Ina Rama, Rezarta Schuetz, anëtarë.

Komisioneri Publik theksonte se verifikimet për gjyqtarin Islamaj nuk ishin të plota.

Në ankimim komisioneri publik përmendte transferta parash brenda e jashtë vendit si dhe dyshimet për një apartament e një dyqan në Vlorë, të cilat nuk janë hetuar plotësisht nëse lidhen apo jo me gjyqtarin Islamaj dhe bashkëjetuesen e tij S.T.

Më 7 qershor në seancën kur u dha dhe vendimi për të, vetë gjyqtari Islamaj tha se pasurinë e kishte trashëguar nga gjyshërit e tij.

l.h/ dita

Presidenti Meta në një foto me homologët e Kroacisë dhe Malit të Zi

Posted: 12 Nov 2018 01:35 AM PST

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta gjatë qëndrimit në Francë ka zhvilluar një takim më Presidenten Kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç dhe me Presidentin e Malit të Zi, Milo Dukanoviç.

Këto takime Meta i ka bërë të ditura më anë të një fotoje në Facebook, ku shkruan se  ka qenë një takim i përzemërt.

POSTIMI I PLOTË

Si gjithmonë një takim i përzemërt: Tre vende shumë mike, marrëdhënie të shkëlqyera, me vizion të përbashkët për të ardhmen, të vendosura në qëllimet e tyre euroatlantike dhe rajonale. Faleminderit Presidente Kolinda Grabar-Kitarovic dhe President Milo Đukanović.

l.h/ dita

Modeli i zhvillimit të Kinës dhe Shqipëria

Posted: 12 Nov 2018 01:30 AM PST

Nuk përbën më ndonjë surprizë fakti që çdo vizitë në Kinë është gjithnjë sa befasuese aq edhe mbresëlënëse, jo vetëm se Kina përfaqëson civilizimin më të vjetër botëror që vazhdon pa ndërprerje, jo vetëm se mikpritja kineze është e prekshme dhe shkon shumë përtej ekselencës protokollare, jo vetëm se kinezët kanë aftësinë e rrallë të sintetizojnë në një frazë një filozofi dhe ideologji që përbën bazën e gjithë qeverisjes, por mbi të gjitha, ngaqë këtë herë krijova bindjen e patundshme se, sot Kina është një realitet i jashtëzakonshëm që duhet njohur, studiuar dhe nga i cili duhet përfituar pa paragjykim.

Dyzet vjet më parë, Kina mori një vendim strategjik që të hapej ndaj botës, të bindur se kështu do konkurronin me sukses, duke projektuar kulturën dhe civilizimin e tyre të lashtë, të armuar me modelin e tyre zhvillimor, ku inovacioni ishte tipar themelor.

Hapja sjell reforma dhe reformat sjellin zhvillim. Ky është thelbi i asaj çka ndodh në Kinë në këto 40 vite. Duke lënë mënjanë modestinë e shquar kineze, një drejtues i rëndësishëm u shpreh se "ne si popull kemi filluar të ndiejmë lumturinë", gjë që do doja ta dëgjoja shumë më shpesh kur bëhet fjalë për popullin tim. Për hapjen kemi nevojë shumë edhe ne shqiptarët, jo vetëm në vlerësimin me realizëm dhe pa paragjykim të asaj çka ndodh në Kinë, por veçanërisht, në kuptimin e asaj që duhet të bëjmë për të zhvilluar më tej vendin dhe përmirësuar jetën e njerëzve, me shpresë që dëshirës së tyre për t'u larguar prej tij, t'ia lërë "përjetimi, sadopak, i lumturisë këtu, në tokën tonë".

"Objektivi është mirëqenia e njerëzve, energjia për të arritur këtë janë reformat". Kjo ishte mantra. Ky ishte metri që maste çdo gjë, kualifikonte dhe skualifikonte: A përfitojnë qytetarët? Tek hidhja këto radhë, dëgjoja këtu në Tiranë një ministër tek fliste për dhënien me koncesion të rrugës Tiranë-Durrës, rruga me trafikun më të dendur në vend, që do të thotë, pra, edhe vendosje e një tarife të re. Ministri mburrej se koncesioni nuk kishte efekt në buxhet. Por "harronte" se qeveria nuk kujdeset vetëm për kostot e buxhetit, por para së gjithash, për kostot e qytetarëve. A thua se qeveria i shërben buxhetit dhe jo njerëzve. A thua se qeveria zgjidhet nga "buxheti" e jo nga "njerëzit". Njerëzit le të paguajnë taksa, mjafton që nuk paguan Buxheti i Shtetit?! Duke parë shifrat e buxhetit, kanë harruar të shohin shqiptarët!

Kjo papërgjegjshmëri qeverisëse ka lënë pasojat e saj edhe në mospërfitimin nga një mundësi e veçantë, siç është iniciativa kineze "Një Brez, një Rrugë" dhe platforma për financimin e projekteve në 16 vendet e Europës Qendrore e Lindore, e quajtur 16+1. Pikëpyetjet janë të shumta: Pse vetëm Shqipëria nuk ka përfituar financime nga kjo iniciativë?

Pse vendet e tjera përfitojnë projekte? A është bërë një analizë e këtij dështimi nga qeveria aktuale?

Në fakt, arsyet e dështimit në përfitimin e këtyre fondeve janë evidente:

  1. E para, ka mungesë serioziteti dhe korrektësie në bashkëpunimin me palën kineze.
  2. Ka hezitim, paqartësi dhe ngathtësi në përzgjedhjen e projekteve dhe ndjekjen e mundësisë reale të financimit të tyre.
  3. Nuk mund të përfitojmë projekte, nëse nuk japim zgjidhje për atë që kemi kërkuar të zgjidhet prej kohësh, e që vazhdon të mbetet domosdoshmëri: përgatitja e projekteve me studimet përkatëse të vizibilitetit, me faturat financiare, me detyrimet dhe përfitimet respektive.

Nëse do të injorojmë këtë domosdoshmëri, qeveria do të vijojë të pranojë oferta të pakërkuara nga investitorë të dyshimtë, që janë sinonim i korrupsionit dhe pastrimit të parave të drogës.

Së dyti, në përqasjen e re me Kinën duhet të treten paragjykimet, ngado që vijnë ato, nga Tirana qeveritare, Brukseli apo ngado tjetër. BE dhe SHBA janë konsumatore të produkteve dhe shërbimeve kineze edhe në sektorë strategjikë dhe e dinë mirë standardin e lartë të cilësisë dhe inovacionit që ato përfaqësojnë. Një kompani lokale Hi-Tech në qytetin industrial Guangzhou jepte shërbime për NASDAQ, për CNN, për Parlamentin gjerman dhe shumë kompani të tjera prestigjioz.

Edhe pretendimet gjoja "brukseliste" për mundësi standardesh në realizimin e veprave të infrastrukturës nuk qëndrojnë, përderisa aktualisht janë me dhjetëra kompani kineze që realizojnë projekte madhore infrastrukture, sipas kërkesave dhe certifikatave të BE-së. Ndërkohë, spikat marrëdhënia Gjermani-Kinë, me një volum të jashtëzakonshëm shkëmbimesh e investimesh respektive. Gjermania ka një volum shkëmbimesh me Kinën në rreth 170 miliardë USD dhe në tregun kinez realizohet 60 % e fitimit të kompanisë gjermane "Volkswagen", që është edhe punëdhënësi më i madh në Europë.

Për më tepër, pala kineze ka shprehur qartë se është e gatshme për çdo lloj bashkëpunimi trepalësh me BE dhe Shqipërinë jo vetëm në fushën e investimeve, por edhe të vetë procesit integrues europian të Shqipërisë. Në fund të fundit, rrugëtimi i integrimit të Shqipërisë në BE është i lidhur në mënyrë thelbësore edhe me zhvillimin tonë ekonomik, me standardin e jetës së qytetarëve. Ndaj çdo vend, që ofron mbështetje për Shqipërinë, duhet të jetë i mirëpritur.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë, BE dhe Kinës nuk kanë pse të jenë kushtëzuese dhe as përjashtuese ndaj njëra tjetrës. Kina është një mbështetëse e madhe e rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE, sepse një Shqipëri Europiane do të thotë një partner më serioz, më i besueshëm dhe me më shumë mundësi bashkëpunimi. Por që të realizosh këtë kemi nevojë për lidera mendjehapur, me vizion dhe që kanë interesat kombëtare mbi çdo prioritet tjetër.

Në fakt, në këtë trekëndësh bashkëpunimi, shikoj zgjidhjen për realizimin dhe financimin e gjithë projekteve të konektivitetit, të përcaktuara nga Samiti i Vjenës, në kuadër të Procesit të Berlinit. Së treti, bashkëpunimi me Kinën mund të shkojë përtej projekteve të infrastrukturës së transportit dhe energjisë. Është një fakt që kompanitë kineze të inovacionit kanë penetruar thellë në shërbimet sociale të arsimit dhe shëndetësisë.

Për Presidentin Xi, i cili pas kongresit të 19-të PKK ka statusin e Liderit të Madh, status që më parë e ka pasur vetëm Mao Ce Duni, konkurrenca e sotme mes kombeve është në thelb konkurrenca e cilësisë së sistemeve të tyre arsimore. Në ndihmë ka ardhur teknologjia e lartë, një fokus për inovacionin dhe cilësinë e mësimdhënies. Rezultatet janë të jashtëzakonshme, në numrat e studentëve shumë cilësorë që arrijnë nivelet universitare e pasuniversitare, një pjesë e madhe në universitetet më të mira të Perëndimit.

Befasuese ishin zgjidhjet teknologjike për shërbimet shëndetësore. Një infrastrukturë inovative për diagnostikimin dhe trajtimin në vazhdimësi të pacientëve, nëpërmjet platformave on-line, sfidonte hapur shpikjet korruptive alla shqiptare të check-up-it, me kosto shumë më të ulëta e cilësi shumë më të lartë.

Se katërti, orientim i rëndësishëm i bashkëpunimit mes dy vendeve duhet të jetë turizmi. Nuk e kam fjalën vetëm për vazhdimin e trendit në rritje të turistëve kinezë që vizitojnë Shqipërinë. Para së gjithash, vlerë të shtuar bashkëpunimi sjell adoptimi i modeleve të rritjes së kapaciteteve dhe ekspertizës turistike, ashtu siç ofrohet në cilësinë më të lartë, Fakulteti i Turizmit në Universitetin e Unionit të Pekinit, që ka arritur të imponohet edhe si hartues i strategjisë kombëtare të zhvillimit të turizmit në Kinë.

Replikimi i modelit të tij në Universitetin e Tiranës, jam e sigurt që do të garantojë mbushjen e vakumit të ekspertizës që ka sot ky sektor prioritar i ekonomisë së vendit dhe do t'i japë këtij sektori qartësi strategjike në zhvillimet e ardhshme. Pse jo, edhe një mundësi aksesi në tregun tepër të madh të turizmit të Kinës.

Së fundmi, por jo nga rëndësia është Bujqësia. Aplikimet inovative në bujqësi po jepnin frytet e tyre në Kinë, ku tregu kinez përfaqëson një mundësi të pafundme shkëmbimesh. Ndërkohë, qeveria shqiptare vazhdon të tregojë ngathtësi, duke mos miratuar dhuratë zemërgjerë për ngritjen e një parku makinerish bujqësore për të ndihmuar fermerët e zonës së Cërrikut. Nuk dua të besoj se përkatësia partiake e drejtuesve të Bashkisë Cërrik është më e rëndësishme se mirëqenia e fshatarëve të të gjithë zonës së Dumresë, ose në të kundërt duhet të jetë arsye burokratike ose korruptive.

Në përfundim, unë dua të shpreh bindjen time se për marrëdhëniet me Kinën duhet të punojnë më shumë e të flasin më pak gjithë forcat politike dhe pse jo, edhe shoqëria civile. Këtë duhet të bëjnë të gjithë, me mendje të hapur dhe realizëm. Mendoj se ky moment është një mundësi e fundit për të mos e humbur përsëri trenin e shpejtë kinez.

l.h/ dita

Putin përçan SHBA dhe BE, mbështet idenë e Macron për ushtri europiane

Posted: 12 Nov 2018 01:16 AM PST

Ideja e Presidentit francez, Emmanuel Macron për një ushtri evropiane, ka sens dhe është pjesë e një procesi pozitiv. Ky është opinioni i liderit rus, Vladimir Putin, i cili ndodhet në Paris në 100-vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Sipas Putinit, kjo ushtri do të mund të forconte natyrën shumëpolare të botës, raporton Reuters.

Më herët ndërkohë, Trump ka shprehur frustrim ndaj idesë së një force evropiane që mund të ketë si qëllim mbrojtjen e Evropës edhe përballë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Trump ka thënë se propozimi i Macronit, që sidoqoftë nuk ka gjetur përkrahje as nga Gjermania aleate, është një fyerje për SHBA-në. Sipas Macron, një ushtri evropiane do të zmbrapste kërcënimet nga SHBA, Kina dhe Rusia. Evropa, sipas Macron, duhet të mbrojë veten, ndërkohë që nuk mund të mbështeten më tek Shtetet e Bashkuara.

Duke folur për mediat franceze, Putin tha edhe se nuk do të kishte një takim me Presidentin amerikan Donald Trump në Paris, por konfirmoi se ata do të takohen në prapaskenat e samitit të G20 në Argjentinë, më vonë këtë muaj.

Sipas mediave, Putin ka thënë se ai dhe Trump kanë vendosur të mos cenojnë axhendën e ceremonive në Paris me një takim të ndarë.

l.h/ dita

ART & SPEKTAKËL / Padyshim një nga meshkujt më të komentuar, kryesisht për jetën luksoze

Posted: 12 Nov 2018 01:10 AM PST

Në fillim, ai ishte taksur për Qatip, por pastaj ja vunë emrin Shansmir, ndërsa së fundi preferon të quhet Uni, Uni Shafranballiu.

 Të gjitha mediat, domethënë ato që janë pronë e të atit dhe ca portale që i bëjnë ventilator babit, lajmet mbi të nisin me fjalinë, "Uni Shafranballiu është padyshim një nga meshkujt shqiptarë më të komentuar në media, që tërheq vëmendjen kryesisht për shkak të jetës luksoze që bën".

Përdorimi taksativ i "padyshim" dhe kryesisht" i jep vulën serioze lajmit dhe krijon pritshmëri për më tej. Në të vërtetë, Uni i shkretë është disi i komentuar dhe kjo kryesisht në mediat e të atit; por absolutisht vetëm për jetën luksoze që bën.

 Uni donte të bëhej futbollist. Firmosi kontrata me shumë klube, por e kapte një valë skepticizmi sapo mësonte se në kontratë parashikohej edhe vrapi për të kapur topin, pasimet e sakta, stërvitja dy herë në ditë etj.

Megjithatë nuk hoqi dorë nga klubet, me kusht që t'i frekuentonte vetëm pasi binte nata.

Ndërsa klubet e ditës e ndiqnin pas vetvetiu, sepse çunat, ata që vraponin vërtet, e shijonin shumë qerasjen e tij.

Intervista e fundit televizive e Unit ishte një retrospektivë në një ngjarje të egër të ca viteve më parë.

"Ene ishim ne çunat e Partizonit, ene i ftova unë se kisha ditëlindjen. Kishim vesh papijon komplet si grup, a m kupto? Ene një gocë që ishte me të dashurin, i mbetën sytë nga ne. Dmth nga unë, Uni. Ene i dashuri i asajt gocës çmenet fare. Po ishte budallik, kupto ti? Se ç'faj kena ne si futbollista me talent, dhe me Meklaren, kur ti s'ma dot gocën tate? Ene hudhi karrigen ai çuni, po i shkoi huq. Ene hudhëm ne karriget, ene erdhi policia. Na pyti me rradh. Më thanë mu, po ti kush je? Un kam kët Meklarenin, i thash una, dhe i tregova një foto t'u hangër buk me Pamela Andersonin", rrëfeu me elokuencë Shansmiri, alias Uni, pa sqaruar se ajo goca po i shikonte me këmbëngulje çunat me papijon, sepse kërkonte kamarierin.

Më tej Uni rrëfeu se do hapte biznes ndërtimi në Hollivud.

"Ajo zonë do zhvilluar, është copë-copë. Do shkojmë t'u japim një dorë," shpjegoi Uni. Ai hapi zemrën dhe tha se i vetmi hall ishte se gjysma e aktorëve dhe këngëtareve në Los Anxheles kërkonin të lidheshin me të.

"Shakira desh me u nda nga burri vet për shkakun tim. Po unë nuk du. Se unë kur ndahem me aktoret e famshme jam qytetar, kupto? Mbetemi vetëm miq të mirë, ene u dërgoj kartolina për Vitin e Ri," shpjegoi Shansmiri, dmth Uni.

Këto momente, burime padyshim kryesisht të mirëinformuara, na bëjnë me dije se ky material ka për thyer rekord si shkrimi më i gjatë me njëfarë kuptimi, që ka për protagonist Unin e Shafranballinjve. Kështu që s'po e zgjasim më.

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë padyshim satirike që kryesisht s'ka lidhje me personat realë.

Pas Merkelit, edhe ministri i Brendshëm i Gjermanisë drejt dorëheqjes nga politika

Posted: 12 Nov 2018 01:05 AM PST

Kryetari i Partisë Kristiansociale, CSU, dhe ministër i Brendshëm federal, Horst Seehofer i është nënshtruar presionit që i bëhet brenda partisë. Ai ka thënë se viti i ardhshëm do të jetë "viti i të rejave", dhe se do t' i dorëzojë të dy postet që mban. Kjo ndodh si reagim ndaj atmosferës së keqe në bazën e partisë.

"Viti 2019 do të jetë viti i risive për CSU," tha Horst Seehofer në këshillimet e zhvilluara në rrethet e ngushta drejtuese të Partisë në Mynih, bënë të ditur pjesëmarrësit. Sipas të dhënave në mbledhjen e partisë të zhvilluar të dielën në mbrëmje, gati të gjithë kryetarët e rretheve kanë marrë fjalën dhe kanë informuar për atmosferën e shkatërruar në bazë.

Një nga pjesëtarët e takimit tregoi se "kjo ishte shumë e qartë". Seehofer me sa duket nuk ka qenë i përgatitur që fjalimet të kenë një forcë të tillë.

Seehofer bëhet nga partia e tij përgjegjës për humbjet masive të partisë CSU, në zgjedhjet e landit të Bavarisë të mbajtura në muajin tetor. Atij po ashtu i është ngarkuar faji për grindjet e ashpra me partinë simotër, CDU, dhe kryetaren e partisë, kancelaren Angela Merkel pranverën e shkuar, si dhe "dorëheqje nga dorëheqja" e fillimit të korrikut.

Dorëheqje me etapa?

Një kryetar i ri partie do të zgjidhet në Kongresin e partisë që pritet të mbahet në fillim të 2019-ës, në janar ose maksimumi në shkurt, bëhet e ditur. Një datë konkrete, kur do të dorëzojë postin si ministër, Seehofer nuk ka dhënë. Por 69 vjeçari bëri të qartë, sipas mediave, se pa kryesinë e partisë ai nuk do të qëndrojë as ministër.

Seehofer vetë nuk ka dhënë deklarata pas takimit të kryesisë së CSU. Por ai bëri të ditur se do të japë shpjegimet gjatë javës në vijim. Si kandidati më i mundshëm për postin e kryesisë së CSU, vlerësohet të jetë kryeministri bavarez, Markus Söder. 51-vjeçari do marrë postet e Seehoferit për herë të dytë, pasi i mori atij postin e kryeministrit të landit, në muajin mars.

Nuk është e qartë kush do të marrë nga Seehofer postin e ministrit të Brendshëm. Duke patur parasysh këtë, kryetarja e fraksionit të Të gjelbërve, Katrin Göring-Eckardt kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të tij. "Çdo ditë që Seehofer qendron në post si ministër i Brendshëm, është ditë e tepërt," tha ajo për gazetën e Berlinit, "Tagesspiegel". "Nëse kemi të bëjmë me sigurinë e brendshme të vendit, nuk duhet të ketë zvarritje të tjera."

l.h/ dita

VIDEO: Rama e nis ditën me Lorik Canën, mesazhi i ish-kapitenit

Posted: 12 Nov 2018 12:53 AM PST

Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën sot me ish-kapitenin e Kombëtares shqiptare Lorik Cana, duke përcjellë një mesazh për librin.

"Mirëmengjes, dhe me këtë mesazh të bukur të Lorikut që i është bashkuar nismës #TakohemiPerNjeLiber, një nga seritë e shumta të aktiviteteve në funksion të Lëvizjes Kombëtare për Lexim, ju uroj një javë të mbarë 📖📚", shkruan kryeministri.

Ndërsa Cana vjen ndryshe nga herët e tjera, jashtë fushës së gjelbër. Ai ka zgjedhur të sjellë disa vargje të Mithat Frashërit nga zyra e tij.

"Takohemi për një libër. Ne mund të gjejmë vendin dhe kohën për t'i lexuar njëri-tjetrit. Unë zgjodha një ditë pune, zyrën time dhe një vepër e Mithat Frashërit. "Cilat janë themelet e moralitetit dhe virtytit, domethënë e sjelljes sonë dhe idealit absolut kundër njerëzisë. Është frika, injoranca, errësira, interesat që na inspirojnë këta mendime të lartë dhe na shtyjmë t'i observojmë duke bërë theori, duke shkelur bërtitjet e kafshërisë, egoizmës dhe kotësisë apo është inteligjenca jonë dhe dija, ajo inteligjencë dhe dije që i japin dritë zemrës", thotë Lorik Cana.

l.h/ dita

Shpërthen bombola e gazit, banesa përfshihet nga flakët, 1 i plagosur

Posted: 12 Nov 2018 12:47 AM PST

Një shtëpi ka marrë zjarr në Elbasan dhe dyshohet se shkak i kësaj ngjarje të jetë shpërthimi i një bombole.

Si pasojë e këtij zjarri një 77-vjeçar, banesa e të cilit u përfshi nga zjarri, mbeti i plagosur në Elbasan.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Katundi i Ri, ndërsa i plagosur ka mbetur shtetasi me iniciale I.L.

Mësohet se 77-vjeçari është lënduar në përpjekje për të shuar flakët në banesë. Ai u dërgua për mjekim në Spitalin e Elbasanit.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e policisë dhe zjarrfikësja, ku kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit.

l.h/ dita

Turizmi/ Banka Botërore parashikon rritje të potencialit të Shqipërisë jugore

Posted: 12 Nov 2018 12:39 AM PST

"Një nga kujtimet e mia të preferuara të verës së kaluar ishte zbulimi i Sarandës, që ndodhej në pjesën jugore të Rivierës Shqiptare. U mahnitëm me vendndodhjen e bukur të qytetit, pikërisht në bregun e detit Jon, me ujërat e thella blu dhe me ishullin e Korfuzit (Greqi) të dukshme në horizont. Isha larg të qenit vizitorja e vetme, sepse Saranda është plot me njerëz gjatë verës. Në fakt, popullsia e zakonshme është rreth 35,000, në korrik dhe gusht, por kjo shifër mund të fryhet me një fluks turistësh. Gjatë vitit 2016, Saranda regjistroi mbi 700,000 vizitorë."- nis editorja e Bankës Botërore, një reportazh për qytetin jugor të Shqipërisë, në një artikull të fundit të botuar në blogun e Bankës Botërore.

Gjatë viteve të fundit në Shqipëri, turizmi është rritur ndjeshëm, thuhet më tej në artikull, veçanërisht në vende si Ksamili, Saranda dhe Durrësi. Nga gushti 2017 deri në gusht 2018, sipas zyrës statistikore kombëtare, Shqipëria priti 8.2 milionë vizitorë – një rritje prej 16.8% krahasuar me një vit më parë. Dhe shumica e këtyre turistëve erdhën për diell dhe plazhe gjatë verës. Këto shifra pritet të vazhdojnë të rriten në vitet e ardhshme. Në Ditën Botërore të Turizmit, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit madje tregoi se Shqipëria synon të tërheqë 10 milionë turistë deri në vitin 2025.

Ndërkohë, si mund të përmirësojnë destinacionet popullore shqiptare si Saranda infrastrukturën e tyre lokale dhe hapësirave publike për të absorbuar në mënyrë më efektive këtë rritje të madhe të vizitorëve?

Saranda, me karakteristikat e tij natyrore dhe pasuritë kulturore, është një vend i mirë për të filluar këtë diskutim. Qyteti përballet me sfidat e lëvizjes së brendshme të qytetit dhe mungesës së hapësirave publike. Sot, vështirë se mund të ecësh në shëtitore duke pasur parasysh se sa e mbipopulluar ajo bëhet. Shëtitja në det, e cila aktualisht është hapësira kryesore publike në qytet, thjesht nuk është në gjendje të akomodojë numrin në rritje të turistëve që vizitojnë qytetin çdo vit. Gjithashtu, shkallët që lidhin pjesët e sipërme të qytetit me shëtitoren e detit nuk janë shumë të sigurta dhe kanë nevojë të madhe për rinovim.

Për të adresuar mungesën e hapësirave publike dhe për të përmirësuar lëvizjen brenda qytetit, Qeveria e Shqipërisë ka nisur një projekt, të mbështetur nga Banka Botërore, që përfshin rinovimin e shkallëve të Sarandës dhe rehabilitimin e shëtitores detare.

Këto dy investime janë vetëm fillimi i një sërë aktivitetesh përmirësuese urbane në qytet. Përveç projektit të bukur bregdetar të Sarandës, Projekti Përmet – një destinacion eko-turizmi – dhe Gjirokastër dhe Berat – dy vende spektakolare të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Përveç përmirësimeve urbane dhe përmirësimeve në infrastrukturë – duke përfshirë rivendosjen e objekteve të trashëgimisë kulturore, projekti gjithashtu fokusohet në përmirësimin e vendeve turistike në jug të Shqipërisë dhe në mbështetjen e sektorit të turizmit, për shembull duke zhvilluar produkte të reja turistike dhe duke i lidhur ato në tregjet potenciale.

Sondazhet në mesin e banorëve, vizitorëve dhe bizneseve lokale gjithashtu theksuan një nevojë të qartë për të rritur sasinë e hapësirave publike – duke përfshirë parqet, zonat e gjelbra dhe terrenet e lojërave – në komunat e përzgjedhura. Cilësia e infrastrukturës komunale është vlerësuar ndryshe nëpër komuna, duke treguar se çdo qytet ka nevojë për një qasje të përshtatur drejt përmirësimit urban.

Sondazhet në mesin e turistëve gjithashtu treguan rezultate interesante. Vizitorët aktualisht shpenzojnë mesatarisht pesë ditë / netë në Sarandë. Rehabilitimi i hapësirave publike mund të kontribuojë në tërheqjen e më shumë vizitorëve dhe t'i inkurajojë ata të qëndrojnë më gjatë në një vend të caktuar.

Këto përmirësime transformuese dhe urbane kanë një efekt dyfish pozitiv: ato i bëjnë qytetet si Saranda më të banueshme për banorët e përhershëm, duke i bërë ato njëkohësisht edhe destinacione më tërheqëse për vizitorët sezonalë. Përmirësimet në lëvizshmëri dhe siguri do t'u mundësojnë turistëve dhe banorëve që të shëtisin nëpër qytet në shkallët e saporinovuara dhe të shijojnë një shëtitje përgjatë shëtitores duke shikuar në det.

Duke parë përpara, rehabilitimi i hapësirave publike do të përforcojë potencialin turistik të vendit dhe do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës në nivel lokal. Nuk mund të pres që të kthehem në Sarandë për të parë zhvillimet e reja me sytë e mi dhe për të lëvizur lirshëm nëpër qytet në shkallët e reja.

l.h/ dita

Sot Tirana pa energji elektrike, ja zonat që do të preken

Posted: 12 Nov 2018 12:31 AM PST

Disa zona të Tiranës gjatë ditës së sotme do të kenë ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të punimeve, të cilat do të kryhen në nënstacionin "Uzina Traktori".

OSHEE njofton se ndërprerja do të zgjasë për 4 orë dhe energjia do të mungojë në Kodrën e Priftit si dhe një pjesë në zonën e Shkozës.

"Për shkak të punimeve të planifikuara në nënstacionin "Uzina Traktori", në datën 12 Nëntor do të stakohet energjia në këtë nstacion nga ora 09:00-13:00.

Pa energji do të mbesin Kodra e Priftit, Shkozë pjesërisht", deklaron OSHEE.

l.h/ dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more