Skip to main content

“Çfarë do të thotë për Europën kjo humbje pushteti?” plus 9 more - Gazeta Dita

“Çfarë do të thotë për Europën kjo humbje pushteti?” plus 9 more - Gazeta Dita


Çfarë do të thotë për Europën kjo humbje pushteti?

Posted: 13 Nov 2018 02:19 AM PST

E aftë për të vepruar- kjo duket se është aktualisht fjala zyrtare aktuale nëse hap veshët të dëgjosh nëpër korridoret ku kalojnë politikanët e BE në Bruksel. Vetëm se nuk duhet vënë në dyshim stabiliteti i qeverisë në Berlin, duket kjo të jetë moto e përfaqësuesve të ndryshëm të institucioneve të BE, kryesisht të Komisionit. Politika e BE, nuk duhet të vuajë prej kësaj, thuhet në Bruksel. Çdo gjë tjetër si më parë, Gjermania duhet të ketë një qeveri stabile dhe një kancelare të aftë për të vepruar. Por, tërheqjen politike të kancelares Merkel, shumë vetë në Europë e shohin si deklarim i humbjes së pushtetit të kryetares më me ndikim të BE-së.

Përtej fjalimit të kancelares gjermane para Parlamentit Europian në Strasburg, gati të gjitha vendet anëtare të BE e lidhin heqjen dorë të Angela Merkelit nga kryesimi i partisë me pyetjen: Çfarë do të thotë për Europën kjo humbje pushteti? Çfarë ndodh me projektet europiane nëse Merkeli humbet pushtetin? Dhe çfarë ndodh nëse Merkeli largohet krejtësisht nga politika europiane?

  1. Kuotat e refugjatëve

Bashkimi Europian është duke u përpjekur të arrijë një kompromis për këtë temë. Deri tani nuk është arritur në ndonjë marrëveshje. Përkundrazi, shumë vende të BE-së kundërshtojnë. Angela Merkel është kritikuar ashpër për politikën e saj ndaj refugjatëve, por minutën e fundit ajo mundi të bënte bashkë BE dhe Turqinë për arritjen e një marrëveshje për refugjatët, duke ulur presionin e krijuar për këtë temë. Por kjo marrëveshje e diskutuar shumë politikisht, duhet të vazhdojë të marrë shumicën. Dhe për këtë deri tani ka punuar Angela Merkel me vendet anëtare.

  1. Reforma e euros dhe shumë të tjera

Franca ka bërë plane që së bashku me Gjermaninë të gjejë një zgjidhje për sigurimin e euros. Zona e euros duhet të armatoset më mirë kundër krizave. Por, Presidentit francez mund t’ i largohet partnerja nga këto plane. Edhe nëse kancelarja nuk e ndjek dëshirën e Emmanuel Macron-it për një buxhet të përbashkët të zonës së euros, atij i duhet ajo që të jetë në gjendje solide politike me mbështetje në fraksionin e kristiandemokratëve në Berlin, për të arritur një Union të përgjithshëm të bankave. Ky pritet të hidhet në letër në takimin e nivelit të lartë të BE-së, që do të mbahet në muajin dhjetor. Komisari francez i BE-së për çështje ekonomike, Pierre Moscovici, ka frikë se grindjet për buxhetin mund të dalin nga binarët nëse nuk është Gjermania që ndërmjetëson.

  1. Populizmi në BE

Nuk është e nevojshme fantazia e madhe, për të kuptuar sa shumë do të binte disiplina brenda Bashkimit Europian, për të arritur në një konsensus në takimin e nivelit të lartë, nëse Gjermania nuk do të bënte ndërmjetësimin. Pa kryetaren e fuqishme të qeverisë gjermane, e cila është marrë deri tani me zbutjen e dëmeve në familjen e partive popullore europiane, Hungaria dhe Polonia do të vazhdonin pa u trembur shpërbërjen e shtetit të së drejtës.

Pasi Merkeli njoftoi se do të dorëzojë kryesimin e Partisë Kristiandemokrate, politikani i CDU, Günther Oettinger i mbajti krahun Angela Merkelit. Brukseli do që Merkeli të vazhdojë të qëndrojë kancelare në Berlin edhe tre vjet të tjera. Ajo kontribuon për stabilitet, në një fazë delikate të politikës së BE. Por duke qenë “kancelare që pritet të largohet”, ndikimi i saj në Europë mund të bjerë.

l.h/ dita

Veliaj: KE të mbështesë direkt bashkitë që janë të afta të zbatojnë projekte

Posted: 13 Nov 2018 02:12 AM PST

Komiteti i Rajoneve të Bashkimit Europian zhvilloi në Tiranë takimin e 23-të me fokus Ballkanin Perëndimor, si një mundësi fantastike për shkëmbimin e ideve dhe përfitimit nga projektet.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj mori sot pjesë në  hapjen e punimeve të Komitetit të Rajoneve të BE, ku merrnin pjesë drejtues vendor, ekspertë dhe përfaqësues të vendeve të Bashkimit Europian.

Veliaj  shprehu nevojën që Bashkimi Europian të mbështesë direkt njësitë vendore që janë  të afta të implementojnë projekte dhe kanë treguar se performojnë më mirë.  "Një nga bisedat që ne kemi bërë me kolegët e BE, ka ardhur koha që edhe Komisioni Europian të mbështesë direkt bashkitë që janë të afta të implementojnë dhe që mund të çojnë këto kauza përpara.  Si unë si Voltana që drejtojmë dy shoqatat e bashkive marrim feedback konstant për nevojën për më shumë shkolla, kopshte, çerdhe, gjelbërim dhe kjo është një nga arsyet dhe kjo është një nga arsyet pse ne kërkojmë që edhe Komisioni Europian t'i shikojë bashkitë si një prioritet dhe partnerë në implementim. Një nga gjërat për të cilën ndjehem shumë mirë është që qytetet gjithmonë e më shumë po bëhen pjesë qendrore e axhendës evropiane. Do të thotë që qytetet kanë rëndësi", tha ai.

Kryetari i Bashkisë theksoi se vende si Shqipëria mund të përfitojnë nga përvoja dhe modelet e suksesshme të aplikuara në perëndim për  t'i zbatuar ato.

" Sot në mëngjes ishim duke diskutuar me kolegët në parlament dhe besoj që do të kemi mbështetje bipartizane për çështje të tilla, për të dhënë disa incentiva për ekonominë e gjelbër, për të hequr taksat ose për t'i minimizuar taksat për autobusët elektrikë, për makinat elektrike. Pra ndonjëherë avantazhi i të qenit i paavantazhuar siç është Shqipëria një vend në zhvillim është që mund t'i kalosh menjëherë etapat dhe shumë etapa që qytetet i kanë kaluar në vitet '90 me trame, me kabllo ne mund të kalojmë menjëherë aty ku është teknologjia më e fundit. Qofshin këto mjetet elektrike, qofshin këto biçikletat që hapen e mbyllen me celular, qofshin shumë prej nismave të gjelbra që nuk kanë nevojë të shpikim rrotën por mund të kapim qytetet evropiane në fazën ku ato janë sot", theksoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë  inkurajoi dhe binjakëzimin e  qyteteve në Shqipëri me ato në Europë, për të bashkëpunuar në projekte konkrete në shërbim të komunitetit. "Një nga gjërat që duam të inkurajojmë në të dy shoqatat dhe anëtarët tonë është që të gjejmë një mundësi ndoshta edhe me anëtarë të komunitetit të bëjmë disa binjakëzime të qyteteve. Kur them binjakëzime nuk flas për fotografitë që bëhen, firmat dhe protokollin flas në fakt për binjakëzime të projekteve konkrete që implementohen dhe që ne mund të mësojmë në mënyrë të jashtëzakonisht me nga njëri-tjetri",  tha ai.

Veliaj theksoi se përtej bindjeve politike, të gjithë janë më të interesuar për të pasur qytete sa më funksionale dhe të jetueshme për qytetarët. "Dua të përshëndes dhe koleget e opozitës që janë këtu më ne, sepse besoj se nga ky debat të gjithë dalim më të fituar. Unë e di që ne mund të kemi ideologji të ndryshme të majta ose të djathta, por besoj se të gjithë jemi praktikë kur vjen puna te menaxhimi i qyteteve, mbledhja e plehrave, autobusët që vijnë në kohë, mbjellja e pemëve, cilësia e ajrit, janë çështje pa parti. Dhe pavarësisht bindjeve tona, në fund të ditë të gjithë duam të kemi qytete funksionale, dhe takime të tilla të cilat na mësojnë sesi qytetet mund të bëhen më funksionale janë gjithmonë të mirëpritura", deklaroi kryebashkiaku Veliaj.

l.h/ dita

Gjyqtarja e Apelit të Vlorës sot në Vetting

Posted: 13 Nov 2018 02:03 AM PST

Alma Liçaj, kryetare e Gjykatës së Apelit të Vlorës do të përballet sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Trupa gjykuese që po kryen procesin e rivlerësimit për Liçajn drejtohet nga Xhensila Pine dhe ka si anëtarë Lulzim Hamitajn dhe Olsi Komicin.

Alma Liçaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000. Përreth një dekade, Liçaj ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë të Vlorës, ndërsa në vitin 2009 u komandua si kryetare e Gjykatës së Apelit të Vlorës, detyrë në të cilën u emërua më pas.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.

l.h/ dita

Skandali me ilaçet, cilat janë farmacitë që përfituan miliona euro

Posted: 13 Nov 2018 02:00 AM PST

Një biznes familjar

Farmacitë e lidhura me drejtuesit e Fondit përfituan miliona euro nga ilaçet

Një grusht farmacish nën pronësinë e familjarëve të zyrtarëve të Fondit të Kujdesit Shëndetësor, të hetuara për mashtrim me subvencionet, përfituan dhjetëra milionë euro në rimbursime barnash nga viti 2010 deri në vitin 2018, pavarësisht dyshimeve për përfitime të paligjshme, konflikt interesi dhe favorizim nga drejtuesit e FSDKSH-së.

Besar Likmeta – BIRN

Në fund të korrikut 2014, duke folur në një konferencë përpara mjekëve të shërbimit parësor në Tiranë, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj denoncoi një numër farmacish dhe mjekësh, që sipas tij manipulonin skemën e rimbursimit të barnave.

"Ky është mjeku B.T në Shkozë, 80% e recetave të tij përfundojnë tek farmacia Geni&Lori. Shkoza ka 10 farmaci, por njëra prej tyre, Geni&Lori merr 4/5 e recetave që rimbursohen," tha Beqaj në prani të ish drejtorit të FSDKSH, Astrit Beci, duke nënvizuar se kjo skemë mashtrimi ishte e shpërndarë në të gjithë Shqipërinë.

Një vit më vonë, në qershor 2015, bazuar në një raport të iniciuar nga Njësia e Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsionit në Kryeministri, Prokuroria e Tiranës procedoi penalisht 9 persona – përfshirë ish drejtorin e Fondit për Tiranën, Pjerin Xhuvani, të akuzuar për favorizimin e 4 farmacive, që nëpërmjet recetave të falsifikuara kishin përfituar në mënyrë të paligjshme 56 milionë lekë.

Skandali çoi në dorëheqjen e kreut të Fondit, Astrit Beci, por farmacia Geni&Lori në pronësi të kunatës së ish- nëndrejtorit të FSDKSH-së në atë periudhë, Sokol Skura, nuk u penalizua.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se farmacia Geni&Lori nuk ishte e vetmja farmaci në pronësi të familjarëve të Skurës dhe Skura nuk ishte i vetmi zyrtar i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, FSDKSH, familjarët e të cilit kanë në pronësi farmaci që përfitojnë shuma marramendëse rimbursimi çdo vit.

Pesë farmaci të tjera, të lidhura me dy kompani në pronësi të ish- kontrollorit të Fondit,  Gazmend Aliaj, njëherazi kunati i drejtorit të Politikave në FSDKSH, Aleksandër Haxhi, kryesojnë listën e përfituesve gjatë dekadës së fundit.

Të dhënat e rimbursimit të barnave të analizuara nga BIRN tregojnë se nga vitit 2010 deri në vitin 2018, vetëm farmacitë në pronësi të familjeve Aliaj dhe Skura kanë siguruar rimbursime që janë disafish më të larta se mesatarja dhe kapin në total një vlerë prej 13.9 milionë eurosh.

Këto farmaci janë denoncuar disa herë në Prokurori për "mashtrim me subvencionet", por hetimet janë mbyllur pa nxjerrë përgjegjësi penale. Në anën tjetër, shkeljet e konstatuara nuk e kanë penguar Fondin që të rilidhë vit pas viti kontrata për rimbursimin e barnave me këto subjekte, megjithë shqetësimet e vazhdueshme të ngritura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Farmacitë në pronësi të familjeve Skura dhe Aliaj nuk janë të vetmet që përfitojnë vlera të larta rimbursimi nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm i Kujdesit Shëndetësor. Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjatë dekadës së fundit, dy duzina farmacish nga një listë prej gati 850 subjektesh në kontratë me Fondin, kanë përfituar vlera rimbursimi disa herë mbi mesataren.

Së bashku, 24 farmacitë kryesuese përfituan 36.6 milionë euro nga viti 2010 deri në prill 2018; ose 9.4 për qind të vlerës totale të rimbursimeve.

Vlera e lartë e rimbursimit nuk do të thotë automatikisht që këto subjekte kanë shkelur ligjin. Por auditet e vazhdueshme të ndërmarra KLSH kanë zbuluar se kontrolli që Fondi ushtron ndaj farmacive me rimbursim më të lartë se 2 milionë lekë në muaj ka qenë i papërshtatshëm dhe në shkelje të rregulloreve të institucionit.

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor nuk iu përgjigj pyetjeve të detajuara të BIRN. Ish kontrollori i Fondit, Gazmend Aliaj gjithashtu nuk i përgjigj një kërkese për intervistë, ndërsa kunati i tij Aleksandër Haxhi nuk ishte i arritshëm për koment. Ndryshe nga Aliaj, ish- nëndrejtori i Fondit, Sokol Skura i tha BIRN se ai ishte hetuar nga disa institucione publike, por në fund kishte dalë i pastër.

"Të ardhurat relativisht te mira të dy farmacive të mia justifikohen nga furnizimi i mirë me barna, për të cilat unë tatohem dhe jap të gjitha të dhënat çdo muaj pranë institucioneve përkatëse," tha Skura. "Jam hetuar nga ILDKPKI, nga hetimi tatimor, nga Fondi kam pasur një kontroll të plotë dhe kam dalë i pastër," shtoi ai.

Skura kundërshtoi gjithashtu akuzat e ish-ministrit Ilir Beqaj, duke e përshkruar këtë të fundit si të keq-informuar.

"Unë kam qenë prezent në sallë gjatë deklaratës së ish- ministrit Ilir Beqaj dhe mendoj se nuk ka pasur dijeni që ka qenë farmacia e vëllait tim," tha Skura duke iu referuar mbledhjes së korrikut 2014.

"Atë ditë jam bërë tym, me pak fjalë jam mërzitur shumë. Të jem realist deri në atë kohë nuk kisha dëgjuar ndonjëherë një ministër të merrej me receta pacientësh, por me politika të larta në zhvillim të sistemit shëndetësor," shtoi ai.

Rrjeti familjar i farmacive  

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor u themelua në vitin 1995 si një institucion që kishte për qëllim financimin e shërbimeve shëndetësore në formën e një skeme publike. Njëzet vjet më vonë, kjo skemë e financuar nga një tarifë e barabartë me 3.4% të pagës të çdo punëmarrësi në vend, financon shërbimet shëndetësore në nivele të ndryshme nga ofrues publike dhe privatë.

Në vitin 2017, Fondi kishte një buxhet prej 39.4 miliardë lekësh, nga të cilat 11.3 miliardë lekë erdhën nga kontributet e sigurimeve shëndetësore dhe 28 miliardë lekë nga buxheti i shtetit. Nga ky buxhet, 20 miliardë lekë u shpenzuan për shërbimin e kujdesit spitalor, 8 miliardë lekë për shërbimin shëndetësor parësor dhe 10 miliardë lekë për rimbursimin e barnave.

Lista e barnave të rimbursueshme është një nga paketat më të rëndësishme që financohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor. Ky rimbursim realizohet në bazë të kontratave që Fondi lidh çdo vit me subjektet farmaceutike në vend.  Gjatë vitit 2017, Fondi kishte kontrata me 848 farmaci, 74 agjenci farmaceutike, 14 spitale dhe 19 burgje. Gjatë këtij viti, Fondi shpenzoi 3.7 miliardë lekë për rimbursimin e farmacive spitalore dhe 6.7 miliardë lekë për rimbursimin e rrjetit të hapur të farmacive private.

Fondi publikon në bazë mujore vlerën e rimbursimit të përfituar nga çdo subjekt farmaceutik privat me të cilin ka kontratë. Këto të dhëna statistikore janë të publikuara në faqen në internet të Fondit për një periudhë që fillon nga viti 2010 deri në prill të vitit 2018 [mungojnë vetëm vlerat e rimbursimit për periudhën janar –mars 2015].

Me qëllim analizimin dhe identifikimin e përfituesve më të mëdhenj të skemës së rimbursimit të barnave, BIRN i hodhi të dhënat e publikuara nga Fondi në një bazë të dhënash. Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se nga viti 2010 deri në prill të vitit 2018, FSDKSH shpenzoi 48.8 miliardë lekë [390.8 milionë euro] për rimbursimin e ilaçeve, fond nga i cili përfituan rreth 850 subjekte farmaceutike.

Nga kjo listë, një grup prej 24 subjektesh, që përbëjnë 2.8 % të farmacive me kontratë në vend kanë përfituar 9.4 % të fondit ose 36.6 milionë euro nga viti 2010 deri në prill 2018.

Lista e subjekteve përfituese udhëhiqet nga një grusht farmacish të lidhura me drejtorin e politikave në Fond, Aleksandër Haxhi dhe kunatin e tij Gazmend Aliaj, si dhe ish- nëndrejtorin e FSDKSH-së, Sokol Skura. Përpara se të bëheshin pronarë farmacish, Skura dhe Aliaj kanë punuar si kontrollorë në drejtorinë e Fondit për Tiranën.

Të dhënat e Fondit listojnë 5 farmaci, të cilat janë ose kanë qenë në pronësi të Gazmend Aliajt dhe bashkëshortes së tij, Iris Aliaj. Gjatë dekadës së fundit, bashkëshortët Aliaj nëpërmjet farmacive Nikol 1, Nikol 2, Nikol 2 –IRA, Bio Plus dhe Medigreen kanë qenë farmacistët me rekordin më të lartë të rimbursimeve, duke arkëtuar 974 milionë lekë [7.75 milionë euro] nga FSDKSH.

Farmacitë e lidhura me ish- nëndrejtorin e fondit, Sokol Skura renditen në vend të dytë.

I rritur në Librazhd, Skura i tha BIRN se ishte diplomuar për Farmaci në vitin 2002, duke ndjekur profesionin e të atit. Ai ka punuar si kontrollor i Fondit për 4 vjet, përpara se të hapte farmacinë e tij të parë Coli's në vitin 2007, në afërsi të ambulancës numër 9, tek lagjia e njohur si ish-Parku i Autobusëve në Tiranë.

Sipas Skurës, biznesi është rritur vit pas viti "duke punuar me përkushtim". Paralelisht me biznesin farmaceutik, Skura ka ndjekur dhe ambiciet e tij politike.

I mbështetur edhe nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, me të cilin kishte miqësi që nga koha e gjimnazit në Librazhd, ai u zgjodh anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS në vitin 2011 dhe në vitin 2013 kandidoi për një vend në Parlament si përfaqësues i zonës së Librazhdit. Skura nuk u zgjodh deputet, por pas zgjedhjeve u emërua zv.drejtor i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Përveç farmacisë Geni&Lori, që është në pronësi të kunatës së tij, Loranda Skura, Sokol Skura ka në pronësi farmacitë Coli's dhe Eurofam2.

Në regjistrin tregtar gjenden dy shoqëri me emër tregtar Coli's me pronar Skurën. Një subjekt i regjistruar në 2007 në formën e personit fizik, i cili është çregjistruar në vitin 2013 dhe një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e quajtur gjithashtu Coli's. Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar 'Coli's' është regjistruar në vitin 2013 me pronare znj. Elga Gogu, bashkëshortja e  Sokol Skurës. Në janar 2014, aksionet e kësaj shoqërie i janë transferuar Elida Gogut, vjehrrës së z.Skura, me vlerë nominale prej 100 mijë lekë. Në vitin 2015, vjehrra e Z. Skuraj ia transferon aksionet z.Erdis Alikajt përsëri për vlerën e tyre nominale prej 100 mijë lekësh.

Në 29 qershor 2017, shoqëria Coli's sh.p.k ka përthithur farmacinë Eurofam2, e regjistruar gjithashtu në emër të Erdis Alikaj. Shoqëria e krijuar nga bashkimi, me emër tregtar 'Coli's, Eurofam2, Pharmalider,' është shitur në vitin 2018 nga Erdis Alikaj tek Sokol Skura për vlerën nominale të aksioneve prej 200 mijë lekësh.

Transaksionet e shumta brenda familjes të aksioneve të farmacisë Coli's ngrenë dyshime se mund të kenë pasur si qëllim maskimin e marrëdhënies së z.Skura me këtë shoqëri gjatë periudhës që ai mbante postin e zv.drejtorit të Fondit. Në total gjatë 8 viteve të fundit, tre farmacitë në pronësi të familjes Skura – Geni&Lori, Eurofam2 dhe Coli's kanë përfituar 765 milionë [6 milionë euro] lekë rimbursime nga FSDKSH.

Në një intervistë me BIRN, Skura mohoi të ketë favorizuar farmacitë në pronësi të tij apo të familjarëve gjatë periudhës që ai ka punuar si zv.drejtor i FSDKSH-së. Ai tha BIRN që gjatë kësaj periudhe, farmacia Coli's "ka qenë dhe është biznes familjar', dhe para se të fillonte detyrën ia ka transferuar në fillim vjehrrës dhe pastaj djalit të hallës, Erdis Alikaj, duke shmangur konfliktin e interesit.

"Sipas ILDKPKI, e cila e ka hetuar pronësinë e farmacive, në qoftëse farmacia ishte në pronësinë e djalit të hallës nuk përbënte konflikt interesi. Edhe kur ishte në emër të vjehrrës, konflikti i interesit gjykohej rast pas rasti," tha Skura.

"Nuk ka pasur konflikt interesi sepse unë në detyrën time kurrë dhe asnjëherë nuk kam ndikuar apo bllokuar kontrolle ndaj subjektit, ose personave në lidhje gjaku me mua, të cilat janë bërë objekt kontrolli nga drejtoritë përkatëse," shtoi ai.

Kontrolle selektive

 

Në 18 mars 2015, kryeministri Edi Rama firmosi një urdhër të brendshëm që autorizonte kontrollin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, lidhur me zbatimin e procedurave ligjore në përzgjedhjen e distributorëve farmaceutikë, lidhjen e kontratave dhe zbatimin e tyre.

Tre muaj më vonë, me 5 qershor 2015, Prokuroria e Tiranës arrestoi nëntë persona, mes të cilëve edhe drejtorin e FSDKSH së Tiranës, Pjerin Xhuvani për abuzime me fondin e ilaçeve të rimbursueshme. Skema për të cilën u procedua Xhuvani përfshinte katër farmaci dhe një vlerë të paligjshme rimbursimi prej 56 milionë lekësh. Skandali çoi në dorëheqjen e ish drejtorit të FSDKSH-së, Astrit Beci.

Raporti i akt-kontrollit të NJKBA-së, një kopje e të cilit u sigurua nga BIRN, përmend një numër më të lartë farmacish dhe një dëm financiar ndaj Fondit tre herë më të lartë se skandali i zbuluar nga Prokuroria. Ky raport evidenton një dëm që e kalon vlerën e 150 milionë lekëve, ndërsa në skemën e dyshuar të 'mashtrimit' përfshinte shtatë farmaci të tjera.

Sipas vendimit të Këshillit Administrativ të Fondit me nr.101, datë 22 nëntor 2014, Drejtoria e Kontrollit Parësor dhe Farmaceutik, DKPF, duhet të kontrollojë në mënyrë periodike subjektet me vlerë rimbursimi më të madhe ose të barabartë me 2 milionë lekë, ose ato subjekte që regjistrojnë luhatje në vlerat mujore të rimbursimit.

Por sipas raportit të NJKBA-së, DKPF nuk e ka zbatuar udhëzimin e Këshillit Administrativ dhe ka ndërmarrë kontrolle subjektive ndaj farmacive të rregullta, ndërkohë që ka anashkaluar kontrollet ndaj farmacive që kanë pasur luhatje të vlerave të rimbursimit, të cilat dyshohej se ishin pjesë e mashtrimit.

Ish ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, e cila zëvendësoi Astrit Becin në korrik 2015  duke u emëruar si drejtore e komanduar në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor i tha BIRN se kontrollet ndaj farmacive shpesh dekonspiroheshin nga punonjës të Fondit.

"Kur nxirrej urdhër kontrolli, që farmacitë të mos njoftoheshin nga punonjësit e Fondit paraprakisht, bëja kujdes që urdhrat e kontrollit t'i autorizoja gjatë të njëjtës ditë pune," kujton Ekonomi, e cila qëndroi në krye të Fondit deri në dhjetor 2015.

"Konflikti i interesit, për aq sa ishin të zhvilluara mekanizmat e kontrollit dhe monitorimit në atë kohë, nuk ishte e mundur të verifikohej në kohe reale," shtoi ajo.

Akuzat për konflikt interesi ndaj Sokol Skurës u zbuluan pas bërjes publike të raportit të Njësisë së Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsionit në Kryeministri. Sipas NJKBA-së, tre farmacitë në atë kohë në emër të familjarëve të tij përfitonin shuma të konsiderueshme rimbursimi. NJKBA nënvizonte gjithashtu se farmacia "Coli's' nuk ishte kontrolluar që prej ditës së regjistrimit në QKR.

Raporti i kontrollit evidenton se këto raste janë të rënduara nga rrethanat e konfliktit të interesit, pasi "zv.drejtori ka për detyrë të bashkërendojë punët mes strukturave të fondit dhe të kontrollojë marrëdhëniet me subjektet e kontraktuara". Njësia e Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsionit shkruan gjithashtu se drejtuesit e Fondit u përpoqën të fshihnin shkeljet ose ta shkarkonin përgjegjësinë vetëm zyrën rajonale të Tiranës.

Ekonomi tha se pas ardhjes në krye të Fondit, i ka kërkuar Skurës të largohet për shkak të konfliktit të interesit.

"Sokol Skurën e thërrita në zyrë disa ditë pasi u komandova në krye të Fondit dhe i thashë që nuk mund të mbash më pozicionin e punës. Ai zgjodhi të japë dorëheqjen," tha Ekonomi për BIRN.

I pyetur nga BIRN, Skura e përshkroi raportin e NJKBA-së si jo-objektiv, ndërkohë që mohoi se farmacitë në emër të familjarëve të tij të jenë favorizuar përsa i përket kontrolleve.

"E kontestoj pretendimin e raportit të NJKBA-së që farmacia Coli's nuk ishte kontrolluar," tha Skura. "Raporti ka qenë tendencioz ndaj meje," shtoi ai.

Suplementi 'NeuroAid" dhe veteranët

Më 14 prill 2016, Prokuroria e Tiranës mori një kallëzim të ri nga Fondi për veprat penale të 'falsifikimit të dokumenteve shëndetësore', 'mashtrimit' dhe 'mashtrimit me subvencionet', i cili rridhte nga një kontroll i ushtruar në drejtorinë e Fondit në Tiranë në nëntor 2015.

Në kallëzimin penal drejtuar Prokurorisë, ish- drejtoresha e përgjithshme e FSDKSH-së, Vjollca Braho kërkoi fillimin e hetimeve dhe procedimin penal të disa farmacive dhe mjekëve për rimbursimin në periudhën qershor-tetor 2015 të një suplementit të quajtur NeuroAid II MLC901, për kategorinë e veteranëve të luftës.

"Nga verifikimi i bërë në regjistrin online të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore rezulton se ky produkt nuk është 'bar', nuk është i regjistruar në Republikën e Shqipërisë dhe si i tillë nuk mund të rimbursohet, gjë që i ka shkaktuar një dëm ekonomik për muajt qershor-tetor 2015 me një vlerë totale prej 14.3 milionë lekësh," shkruante Braho.

Edhe pse depoja farmaceutike "Vinipharma" ka ekskluzivitetin për importin e këtij suplementi, farmacitë që e kanë rimbursuar suplementin kanë dorëzuar në Fond faturat tatimore nga depoja farmaceutike 'Omega Pharma' – e kallëzuar më parë për mashtrim me rimbursimet.

Vijon numri e ardhshëm

Tabela: Nga gjeneralët tek ushtarët, ja sa do të rriten pagat e ushtarakëve

Posted: 13 Nov 2018 01:45 AM PST

Buxheti i Mbrojtës për vitin 2019 është 22 miliardë Lekë, dhe përbën një rritje prej më shumë se 10 %  krahasuar me këtë vit.

Në Projektbuxhetin për vitin 2019 është planifikuar një rritje pagash për ushtarakët, që nga ushtari deri tek gjenerali me gradën më të lartë. Rritja e pagave të tyre do t'i kushtojë shtetit në një vit rreth 250 milionë lekë.

Pagat e ushtarakëve, do të pësojnë rritje që e çojnë rrogën më të lartë për nënoficerët në 67 mijë lekë, për oficerët 94 mijë lekë, ndërsa për ushtarët rroga maksimale do të jetë 46 mijë lekë në muaj. Ndërsa rroga e një gjenerali me tre yje, apo e admiralit në flotën ushtarake do të jetë 178 mijë lekë.

"Më në fund pas shumë vitesh lënie disi në hije për nga vlerësimi financiar do bëjmë një rritje pagash për Forcat e Armatosura, pasi gjatë punës me draftin e buxhetit 2019 kemi mundur së bashku me ministren dhe falë këmbënguljes së saj të fitojmë debatin me ministrinë e Financave. 19 % për FA dhe duke e shkallëzuar atë më tutje sipas niveleve. Kjo është rritja më e madhe e pagave e bërë në historinë e Forcave të Armatosura dhe është një rritje e stërmerituar. E kanë bërë Shqipërinë krenare dhe opinionet e partnerëve tanë për misionet janë shumë të mira për njerëzit që kanë shkuar dhe kanë përfaqësuar Shqipërinë në misionet jashtë vendit.", tha Rama dje./ shqiptarja

l.h/ dita

Firma e Sulltanit i jep fuqi Fermanit!

Posted: 13 Nov 2018 01:39 AM PST

(Firmose dekretin dhe mos bëj estradë!)

Nuk ka më dilema,

as kuriozitet,

Meta do të nxjerri,

për Lleshin Dekret!

 

Nuk po them aspak,

Meta u zu mat,

se e lexon Meta,

edhe merr inat!

 

Dhe përsëri puna,

nis e bëhet dreq,

dhe dihet që Meta,

ka inat të keq!

 

Mua më pëlqen,

kaq shumë Tedi Blushi,

që për herë të dytë,

mendjen na e mbushi!

 

Meta nisi këngën:

“Kthehu dallëndyshe!”,

edhe Kushtetutën,

po e lexon ndryshe!

 

Si kurrë tjetër herë,

kur bën dekretimet,

Presidenti Meta,

nisi konsultimet!

 

I rrethuar keq,

përsëri gabon,

sepse konsultimet,

Ligji s'ja kërkon!

 

Ka kjo situatë,

dhe goxha humor:

“Ruçi do të jetë,

interlekutor!”

 

Boll e talle trapin,

se s'jemi nomadë,

firmose dekretin,

dhe mos bëj estradë!

 

Ju s'u morët vesh,

hiç në mesin tuaj,

por ndërhyri fort,

faktori i huaj!

 

Dihet-me të huajt,

bishtin s'lozni dot,

dhe Tedi mavrinë,

mos e lodh më kot!

 

Dje Meta u hodh,

si kalë pa kapistër,

dhe tha s'është formale,

firma për ministër!

 

Askush nuk po thotë,

se është formale,

por s'është natyrisht,

as dhe substanciale!

 

Firma të vlen shumë,

o-i pari i shtetit,

se i jep fuqi,

veç ajo dekretit!

 

Të shkruar në Ligj,

shumë gjëra s'i gjen,

po firma e Metës,

ka fuqi dhe vlen!

 

Ka fuqi dhe vlen,

vetëm nëse hidhet,

dhe përgjegjësisë,

askush dot s'i vidhet!

 

Gjer tani për Lleshin,

dekret me firmë s'ka,

ndaj ripropozimi,

s'është ndonjë hata!

 

Dhe Meta me firmë,

për Lleshin s'është shprehur,

dhe jo se qëndrim,

ndryshoi papandehur!

 

Dekreti i parë,

ky në fakt do jetë,

do ketë firmë Mete,

ndaj quhet Dekret!

 

Ndaj po i them Metës,

hidhe me rehat,

dhe nuk do të themi,

se u zure mat!

A.DUKA

Gruevski shpallet në kërkim ndërkombëtar nga Interpol

Posted: 13 Nov 2018 01:30 AM PST

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski vijon të jetë i "zhdukur".

Pas urdhrit të arrestit të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, edhe Interpoli ka publikuar në faqen zyrtare foton e tij.

Vendimi për arrestimin e Gruevskit, erdhi pas njoftimit nga Gjykata Penale, e cila nuk ka mundur të gjejë të akuzuarin për t'i dorëzuar vendimin që menjëherë të paraqitet në burg.

Mediat maqedonase raportojnë se ka dyshime që ish-kryeministri mund të ketë shkuar në Hungari.

Ai është dënuar me dy vite burg për abuzime me blerjen e një makine të shtrenjtë kur ishte në krye të qeverisë.

Gjermania, ligj të ashpër ndaj rrjeteve sociale

Posted: 13 Nov 2018 01:14 AM PST

Shtetarët gjermanë kanë hartuar një listë të kërkesave që kanë për qëllim hartimin e një ligji që u kërkon mediave sociale si Facebook dhe Twitter, të heqin fjalimet me gjuhë urrejtjeje nga vendet e tyre, njoftoi të hënën gazeta Handelblatt.

Ministrat e Drejtësisë nga shtetet do të paraqesin rishikimet e tyre të propozuara në ligjin gjerman, të quajtur "NetzDG" në një takim me Ministren e Drejtësisë, Katarina Barley të enjten, tha gazeta, duke thënë se ajo kishte marrë një draft të dokumentit.

Ligji, i cili hyri në fuqi më 1 janar, është një përpjekje shumë ambicioze për të kontrolluar atë që shfaqet në mediat sociale dhe ka tërhequr një varg kritikash.

Ndërsa shtetet gjermane janë të përqendruara në shqetësimet rreth përpunimit të ankesave, zyrtarë të tjerë kanë bërë thirrje për ndryshime pas kritikave se shumë përmbajtje është duke u bllokuar.Ministrat e drejtësisë të shteteve po bëjnë thirrje për ndryshime që do ta bënin më të lehtë për njerëzit që duan të ankohen për përmbajtjen e ndaluar, siç është ideologjia pro-naziste, përcjell topchannel.

Till Steffen, zyrtari i lartë i drejtësisë në Hamburg dhe një anëtar i partisë së të Gjelbërve, i tha gazetës se ligji në disa raste u vërtetua si "një tigër letre".

"Nëse ne duam që në mënyrë efektive të kufizojmë urrejtjen dhe nxitjen në internet, ne duhet t'i japim më shumë fuqi ligjit dhe t'i mbyllim ato", tha ai në letër. "Për shembull, nuk mund të ndodhë që disa platforma të fshehin format e tyre të ankesave në mënyrë që askush nuk mund t'i gjejë ato".

Facebook në korrik tha se kishte fshirë qindra poste sulmuese që nga zbatimi i ligjit, i cili parashikon gjoba deri në 50 milionë euro (56.10 milionë dollarë) për mosplotësimin.

l.h/ dita

Djemtë shqiptarë të karatesë fitojnë katër medalje në Maqedoni

Posted: 13 Nov 2018 01:08 AM PST

Shpeshherë lajmet të tilla kalojnë pa u vënë re, por për sportistët dhe trajnerët të cilët punojnë me muaj për marrjen e një rezultati të kënaqshëm, sigurisht që do të thotë shumë. I tillë ka qenë edhe Kampionati Ndërkombëtar i Karatesë, zhvilluar fundjavën që lamë pas në Shkup të Maqedonisë.

Skuadra "Energjia" trajnuar nga mjeshtri i Karatesë, Erton Latollari ka arritur të rrëmbej katër medalje dhe të kthehet në shtëpi krenare dhe me trofe.

Për Latollarin ky është një lajm i mirë, që i jep motiv për të ecur përpara, për të vazhduar në mënyrë intensive me trajnimin e grupeve, ku si qëllim kryesor janë jo vetëm fitoret në kompeticione të ndryshme ku ata marrin pjesë, nderin që i bëjnë vendit duke e përfaqësuar në mënyrë dinjitoze, por edhe kënaqësia individuale.

Kështu, e diela që lamë pas, datë 11.11.2018  do të mbahet mend për trajnerin Latollari dhe skuadrën e tij. Mësojmë se në këtë kampionat  morën pjesë 450 sportistë nga Maqedonia, Kosova, Bullgaria, Serbia, Shqipëria dhe Mali i zi.

Shqipëria u përfaqësua me 4 sportistë dhe trajnerin Erton Latollari. Në fund të Kampionatit Shqipëria fitoi 4 medalje; 1 Ari, 2 Argjendi  dhe 1 Bronzi./e.k-Dita

Durrës, sekuestrohen armë dhe municione luftarake, në pranga 2 persona

Posted: 13 Nov 2018 01:07 AM PST

 

Dy shtetas kanë rënë në prangat e policisë në Durrës, në kuadër të operacionit të koduar " Guns 18″.

Specialistët kundër Krimit të Organizuar në D.V.P. Durrës në bashkëpunim me Forcat Operacionale, pas një hetimi 2 mujor kanë goditur një rast trafikimi të armëve dhe municioneve luftarake.

Uniformat blu bëjnë të ditur se të arrestuarit janë shtetasit Kevin Mburimi 18 vjeç, banues në Durrës dhe Rei Hodo 22 vjeç, banues në Durrës.

Shtetasit e mësipërm, në lagjen Nr.16 janë kapur në flagrancë në mjetin tip Benz ku gjatë kontrollit iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale:

dy armë zjarri automatik model 56, kalibër 7.62 mm

një pistoletë tip " Blou"Mini;

2 krehera, 25 fishekë;

një përdorues grushti.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale "Trafikimi i armëve dhe municioneve"në bashkëpunim parashikuar në nenin 278/a/2 të Kodit penal.

l.h/ dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more