Skip to main content

“Gjinekologu nobelist dhe hipokritët” plus 2 more Telegrafi Opinione

“Gjinekologu nobelist dhe hipokritët” plus 2 more Telegrafi Opinione


Gjinekologu nobelist dhe hipokritët

Posted: 14 Oct 2018 04:43 AM PDT

Bujar Vitija

Komiteti i Nobelit në Norvegji vendosi ta shpërblejë një mjek gjinekolog me çmimin për Paqe, pasi ai kishte rrezikuar jetën e tij për t'i trajtuar vajzat e gratë e dhunuara gjatë luftës.

Denis Mukwege është i treti nga nëntë fëmijët në familjen e tij në Bukavu të Kongos. Ai dëshironte të studionte Mjekësinë për t'i shëruar njerëzit, veçanërisht gratë që vdisnin nga komplikime pas lindjes në vendin e tij. Mjekësinë e Përgjithshme e studioi në Universitetin e Burundit dhe pasi punoi si pediatër për një kohë, shkoi në Francë për të vazhduar studimet për Obstetrikë dhe Gjinekologji, ndërkaq u doktorua në Universitetin e Brukselit me temën mbi traumat e fistulës në regjionin lindor të Kongos.

Mukwege u kthye në vendin e tij për të hapur spitalin në Lemera i cili u shkatërrua gjatë luftës civile në vitin 1996 dhe gjinekologu u rivendos në Bukavu ku themeloi Spitalin "Panzi". Qëllimi i tij ishte fillimisht që të ndihmonte gratë që të kryenin lindje normale dhe pa komplikime, por shpejt spitali u kthye në një qendër për trajtimin e viktimave të dhunës seksuale, përfshirë edhe vajza të mitura me lëndime dhe gjymtime ekstreme, kryesisht nga rebelët hutu të Ruandës dhe bandat tjera të armatosura.

Të gjithë luftëtarët e rajonit, thotë Mukwege, kishin "shpallur gratë armikun e tyre të përbashkët". Ai kërkoi përfshirje më të madhe nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë një mandat më të gjatë të OKB-së në Kongo, si një mjet për t'i dhënë fund kësaj dhune sistematike. Përveç që i rrezikohej jeta nga kriminelët, ai kritikonte ashpër edhe qeverinë e cila nuk kishte bërë sa duhet.

Më shumë se 10 vjet më vonë ai do të shpërblehet me çmime nga organizatat ndërkombëtare, ndërsa para një jave u nderua edhe me çmimin Nobel për Paqe së bashku me Nadia Muradin, ish-skllave seksi e ISIS-it. Komiteti norvegjez e arsyetoi ndarjen e çmimit duke thënë se të dy rrezikuan jetën e tyre në mbrojtje të viktimave të dhunës seksuale. Mukwege ka ndihmuar më shumë se 20 mijë gra të dhunuara. Gjinekologu ka kryer rreth 10 operacione në 18 orë pune gjatë një dite në spitalin e tij.

Dr. Denis Mukwege është mishërim i Betimit të Hipokratit, prandaj dhe u vlerësua puna e tij. Ndërkaq nëse do të kishte një Nobel për hipokritë, atë do ta meritonin një numër i mjekëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, të cilët nuk e rrezikojnë jetën e tyre por jetën e pacientëve. Ata janë hipokritë sepse vetëm bëjnë sikur kanë dhënë Betimin e Hipokratit, ndërsa karriera e tyre është vënë në shërbim të klientëve e jo pacientëve.

Ata janë hipokritë dhe rrezikojnë seriozisht jetën e pacientëve deri në dyshime për vepra penale, duke iu kërkuar para për t'i futur në operacion, duke neglizhuar rastet e rënda derisa vdekja iu vjen në fyt. Mjekët e QKUK-së, për dallim nga Mukwege, e lënë vendin e punës gjatë kujdestarisë në QKUK për të shkuar në spitalet private ku i zhvatin pacientët tjerë. Kujdestaria supozohet të jetë koha më e çmueshme për një mjek pasi potencialisht mund të jetë shpëtimtar i jetës së njerëzve që vijnë me urgjencë.

Por, këta hipokritë e kanë zhvlerësuar jetën e pacientit e madje edhe profesionin e tyre. Askush më shumë sesa ata vet nuk e ka denigruar dinjitetin e mjekut në Kosovë. Dhjetëra prej tyre akuzohen nga Prokuroria për ryshfet dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare duke i shfrytëzuar pacientët e QKUK-së për të përfituar para nga spitalet private. Një numër syresh dyshohet të kenë neglizhuar apo keqtrajtuar pacientët në klinikat ku punojnë.

Dhe, për fund, shëndetësinë nuk e ka shkatërruar vetëm politika, por edhe vet mjekët që punojnë në të.

The post Gjinekologu nobelist dhe hipokritët appeared first on Telegrafi.

Teknologjitë e reja do t’i ndihmojnë apo dëmtojnë vendet në zhvillim?

Posted: 13 Oct 2018 12:10 PM PDT

Teknologjitë e reja ulin çmimet e mallrave dhe shërbimeve për të cilat ato aplikohen. Ato gjithashtu çojnë në krijimin e produkteve të reja. Konsumatorët përfitojnë nga këto përmirësime, pavarësisht nëse ata jetojnë në vende të pasura apo të varfra.

Telefonat celularë janë një shembull i qartë i ndikimit të thellë të disa teknologjive të reja. Në një rast të qartë të hapave teknologjik, ata u kanë ofruar njerëzve të varfër në vendet në zhvillim qasje në komunikimet në distanca të largëta, pa pasur nevojë për investime të kushtueshme në linjat tokësore dhe infrastruktura të tjera. Po ashtu, shërbimet bankare në internet të ofruara përmes telefonave celularë kanë mundësuar qasje në shërbimet financiare në zonat e largëta pa pasur nevojë për degë bankare.

Këta janë shembuj të teknologjisë që përmirësojnë jetën e njerëzve të varfër. Por, që teknologjia të japë një kontribut të vërtetë dhe të qëndrueshëm në zhvillim, ajo jo vetëm që duhet të ofrojë produkte më të mira dhe më të lira; ajo gjithashtu duhet të çojë gjithashtu në punë të paguara më shumë. Me fjalë të tjera, ajo duhet të ndihmojë njerëzit e varfër në rolin e tyre si prodhues dhe konsumator. Një model i rritjes që ekonomisti Tyler Cowen e ka quajtur "celularë në vend të fabrikave të automobilave" ngre pyetjen e qartë: Si ua mban xhepi njerëzve në botën në zhvillim të blejnë celularë?

Marrim përsëri shembujt e telefonisë celulare dhe të bankave. Për shkak se komunikimet dhe financat janë inpute në prodhim, ato janë në një farë mënyre shërbimet e prodhuesit si dhe shërbimet e konsumatorit.

Për shembull, një studim i famshëm ka dokumentuar se si përhapja e telefonave celularë në shtetin indian të Keralas u mundësoi peshkatarëve të ndryshonin çmimet në tregjet vendore, duke rritur kështu fitimet e tyre mesatarisht me tetë për qind si rezultat i kësaj. Shërbimi bankar M-Pesa i gjendur kudo në Keni duket se i ka mundësuar grave të varfra që të lëvizin nga bujqësia në biznese jofermere, duke siguruar një rritje të ndjeshme të shkallës së të ardhurave.

Teknologjitë e reja digjitale kanë luajtur një rol të rëndësishëm në transformimin e bujqësisë në shkallë të gjerë në Amerikën Latine dhe kudo. Të dhënat e mëdha, GPS, dronet dhe komunikimi me shpejtësi të lartë kanë mundësuar shërbime të zgjeruara; ujitje dhe përdorim optimal i pesticideve dhe plehrave; sisteme të paralajmërimit të hershëm; dhe, ka mundësuar një kontroll më të mirë të cilësisë dhe një logjistikë më efikase dhe menaxhim të zinxhirit të furnizimit. Këto përmirësime rrisin produktivitetin e fermës dhe lehtësojnë diversifikimin në kulturat jo tradicionale me fitime më të larta.

Prezantimi i këtyre teknologjive të reja në prodhim në vendet në zhvillim shpesh ndodh nëpërmjet zinxhirëve të vlerave globale (GVC). Në parim, GVC i sjellin dobi këtyre ekonomive duke lehtësuar hyrjen në tregjet globale.

Megjithatë, pyetje të mëdha rrethojnë mundësitë e krijuara nga këto teknologji të reja. A janë mjaftueshëm të mëdha përfitimet në produktivitet? A mund të shpërndahen ato mjaftueshëm shpejt në pjesën tjetër të ekonomisë?

Çdo optimizëm në lidhje me shkallën e kontributit të GVCs duhet të modulohet nga tre fakte kthjelluese. Së pari, zgjerimi i GVC-ve duket se është ndalur në vitet e fundit. Së dyti, pjesëmarrja e vendeve në zhvillim në GVC – dhe në tregtinë botërore në përgjithësi – ka mbetur mjaft e kufizuar, me përjashtim të dukshëm të disa vendeve aziatike. Së treti, dhe ndoshta më shqetësuese, pasojat e punësimit të brendshëm të tregtisë së fundit dhe tendencat teknologjike kanë qenë zhgënjyese.

Pas inspektimit më të afërt, GVC-të dhe teknologjitë e reja shfaqin tipare që kufizojnë – madje dhe mund ta dëmtojnë – performancën ekonomike të vendeve në zhvillim. Një tipar i tillë është një paragjykim i përgjithshëm në favor të aftësive dhe mundësive të tjera. Ky paragjykim zvogëlon avantazhin krahasues të vendeve në zhvillim në aktivitetet prodhuese (dhe të tjera) dhe ul përfitimet e tyre nga tregtia.

Së dyti, GVC-të e bëjnë më të vështirë për vendet me të ardhura të ulëta që të përdorin avantazhin e kostos së tyre të punës për të kompensuar disavantazhin e tyre teknologjik, duke ulur aftësinë e tyre për të zëvendësuar punën e pakualifikuar me inpute të tjera prodhimi. Këto dy karakteristika përforcojnë dhe përbëjnë njëra-tjetrën. Dëshmitë e deritanishme, në frontet e punësimit dhe tregtisë, janë se disavantazhet mund të kenë më shumë sesa të kompensohen avantazhet.

Përgjigja e zakonshme ndaj këtyre shqetësimeve është të theksohet rëndësia e ndërtimit të aftësive dhe mundësive plotësuese. Vendet në zhvillim duhet të përmirësojnë sistemet e tyre arsimore dhe trajnimet teknike, të përmirësojnë mjedisin e tyre të biznesit dhe të rrisin rrjetet e tyre të logjistikës dhe transportit, në mënyrë që të përdorin më mirë teknologjitë e reja.

Por, të theksosh se vendet në zhvillim duhet të përparojnë në të gjitha këto dimensione nuk është as lajm dhe as një këshillë e dobishme për zhvillim. Është njësoj si të thuash se zhvillimi kërkon zhvillim. Tregtia dhe teknologjia paraqesin një mundësi kur ato janë në gjendje të shfrytëzojnë aftësitë ekzistuese dhe në këtë mënyrë të sigurojnë një rrugë më të drejtpërdrejtë dhe më të besueshme drejt zhvillimit. Kur ato kërkojnë investime plotësuese dhe të kushtueshme, ato nuk janë më një rrugë që i bie për shkurt rreth zhvillimit të udhëhequr nga prodhimi.

Krahasoni teknologjitë e reja me modelin tradicional të industrializimit, i cili ka qenë një motor i fuqishëm i rritjes ekonomike në vendet në zhvillim. Fillimisht, prodhimi është i tregtueshëm, që do të thotë se prodhimi i brendshëm nuk është i kufizuar nga kërkesa (dhe të ardhurat) në vend. Së dyti, njohuria prodhuese ishte relativisht e lehtë për t'u transferuar në vende të ndryshme dhe, në veçanti, nga ekonomitë e pasura në ato të varfra. Së treti, prodhimi nuk kishte kërkesa të mëdha për aftësi.

Këto tre karakteristika kolektive e bënë prodhimin një shkallë lëvizëse fantastike drejt të ardhurave më të larta për vendet në zhvillim. Teknologjitë e reja paraqesin një pamje shumë të ndryshme në aspektin e lehtësisë së transferimit të njohurive dhe kërkesave të aftësive që ato nënkuptojnë. Si rezultat, ndikimi i tyre neto në vendet me të ardhura të ulëta duket shumë më i pasigurt. /Project Syndicate/BIRN/

The post Teknologjitë e reja do t'i ndihmojnë apo dëmtojnë vendet në zhvillim? appeared first on Telegrafi.

Midis dufit patriotik dhe realiteteve gjeopolitike

Posted: 13 Oct 2018 12:03 PM PDT

Kosovës i ka ardhur koha të bëjë hapin e saj të fundit dhe vendimtar të shtetformimit: vulosjen e njohjes së plotë ndërkombëtare. Si për rastësi, por jo për rastësi, çasti përkon me njëqindvjetorin e Konferencës së Paqes së Versajës të 28 qershorit 1919, atë mot kur Shqipëria e mbetur u shpëtua nga Uillsoni – Presidenti vizionar i 27-të i SHBA-ve.

Atë mot Shqipërinë do ta kishim dashur të mbetej aq sa ishte trashëguar natyralisht, si populli dhe kombi më i vjetër në Evropë. Gjë që ishte jashtë fuqisë sonë. Gjithsesi, brenda interesave të pleksura gjeopolitike të aktorëve kryesorë të kohës, sepse në sirtarët e disa prej kancelarive evropiane ishte bërë gati edhe Plani "B" – kurdistanizimi i tokave dhe i popullsisë shqiptare.

Sidoqoftë, realitetit gjeopolitik i duhej më shumë pavarësimi i Shqipërisë sesa copëtimi i saj. Evropa dëshironte të mënjanonte burimin e trazirave në Ballkan. Shqiptarët, të cilët nuk duruan dot zgjedhën e Perandorisë së stërmadhe Osmane, nuk do mund të duronin zgjedhën e fqinjëve të saj, me të cilët ishin thuajse të barabartë për nga numri, por shumë të pabarabartë për nga vjetërsia në rajon. Prandaj, Evropa kërkoi me çdo kusht zgjidhjen: krijimin e një shteti shqiptar, sido që të ishte, në fakt një gjysmëzgjidhje, duke i mbetur borxh kombit shqiptar për gjysmëzgjidhjen tjetër.

Pas 100 vjetësh, Evropa u detyrua t'i rikthehej gjysmëzgjidhjes tjetër shqiptare, duke kryer këtë herë bashkë me Amerikën, atë që Kadareja do ta çmojë si "luftën e parë dhe ndoshta të fundit të saj në kontinent, një luftë e rrallë me shtysë morale".

Për të arritur qëllimet imediate të saj, përkatësisht çlirimin nga pushtimi i gjatë serb dhe rikthimin në mëvetësi, Kosovës iu desh të luante gjeopolitikisht, çka ishte pothuajse mundësia e vetme e saj. Ballkani në atë fundshekulli të trazuar ishte në krye të prioriteteve të politikës së jashtme të SHBA-ve.

Ndërkohë, në fund të shekullit të njëzetë, më i përgjakshmi në histori, një balancë e re kishte lindur midis të Drejtave të Shtetit dhe të Drejtave të Njeriut. Për të parën herë, një aleancë mbrojtëse si NATO, ndërmori një fushatë ushtarake në emër të të Drejtave të Njeriut, për të evituar një tragjedi humanitare jashtë zonës së saj klasike të përgjegjësisë.

Sfidat ishin të shumta, si midis vendeve aleate, ashtu edhe midis faktorëve shqiptarë. Por NATO ia doli. Kosova ia doli gjithashtu, kryesisht sepse ia doli NATO. UÇK-ja, si krahu i armatosur i Kosovës, diti të kuptojë, të përfshihej e të angazhohej në rrjedhën e duhur të interesave dhe zhvillimeve gjeopolitike të kohës.

Sot Kosova është e pavarur, por e panjohur, domethënë në gjysmërrugën e identitetit të saj. Shkurt, me leje kalimi, por pa pasaportë. Dhe i duhet të luajë pikërisht me realitetet e reja gjeopolitike për të përshkuar gjysmërrugën tjetër. Më të vështirën. Sepse edhe realitetet gjeopolitike, natyrshëm që nuk janë ato të dhjetë apo njëzetë vjetëve më parë.

Dilemat strategjike janë e do të jenë të shumta dhe si të tilla, me shumë pasoja.

Do kemi një NATO më të fortë apo më të dobët, një NATO të rindërtuar apo një vetëshuarje të NATO-s? A do mbijetojë BE-ja e sotme apo do shpërbëhet? Çka na mëson historia është se nuk ka organizma apo organizata të përjetshme?

Priten kryqëzime të reja gjeopolitike: SHBA-ja është shtrënguar të zhvendosë prioritetet. Evropa nuk është më midis tyre, çka do të thotë që, ose Evropa do të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj, ose do të rikthehet në gjendjen para luftërave botërore. Kina – sfiduesja potenciale e ekuilibrave gjeopolitikë po shtron superstrada tokësore energjetike, tregtare e financiare drejt Evropës Juglindore e Qendrore. Rusia iu është futur kombinacioneve me Turqinë për të ridimensionuar tërësisht konfiguracionin gjeopolitik të lidhur me Ngushticat e Bosforit e Dardaneleve, çka do të thotë vënie në pikëpyetje e stabilitetit dhe ekuilibrave të botës.

Lajm i madh është që burrështetasit e akademikët e përgjegjshëm të Kosovës i studiojnë këto realitete, i dëgjojnë dhe i vlerësojnë duke u angazhuar të navigojnë me zgjuarsi përmes tyre, në të mirë të interesave imediate e të perspektivës së Kosovës veçanërisht e atyre kombëtare përgjithësisht. Siç ka prej atyre, të cilët i ka zënë frika se mos korrigjimi i kufijve hap të ashtuquajturën "Kuti të Pandorës" – një lëshim djajsh që gjeneron menjëherë probleme të komplikuara zinxhir, e përfundimisht të pamenaxhueshme.

Por Kosova nuk është rasti për të zhvilluar frikëra, disertacione apo fjalime për Kutinë e Pandorës. Përfshirja e Kosovës në këtë diskurs, nëse nuk ka prapavijë keqdashëse, flet më së shumti për mosnjohje e interpretim të gabuar të origjinës së mitit në fjalë. Kosova, ashtu si, për shembull, Sllovakia apo Republika Çeke, historikisht kanë qenë entitete të njohura siç janë sot, pavarësisht se patën qenë përfshirë në "kuti" artificiale si ish-Jugosllavia apo Çekosllovakia. Dikush i futi brenda "kutisë", por historikisht kanë qenë jashtë tyre. Kosova, ashtu si Sllovakia apo Republika Çeke në vetvete, nuk përbëjnë Kuti Pandore. Nuk kanë djaj që të lëshojnë. Prandaj, procesi i konturimit apo korrigjimit të kufijve të tyre nuk mund të krijojë "Kuti Pandore" të re.

Tej frikërave artificiale nga "Kutia e Pandorës", çështja është diku tjetër: a është Kosova mjaftueshmërisht e fortë në tavolinën e negociatave me Serbinë? Cila prej tyre është fuqi e humbur dhe cila është fuqia e fituar? Një jetë të tërë logjika e kufijve është zgjidhur mbi këtë çelës të artë: fituesi i merr të gjitha e humbësi asgjë. Popujt pa kulturë dhe primitivët kanë një zgjedhje tjetër: të dy të dalin të humbur. Siç ka edhe një alternativë tjetër moderne: të dyja palët të dalin të fituara.

Serbia, gardiane e një kombi vital, që pozitën e saj e ka ndërtuar më së shumti me pushtime, me dhunë ushtarake, shtetërore e fetare, nuk është kësisoj, në një gjatësi vale me vlerat liberale evropiane. Është kjo arsyeja që nuk çlirohet dot nga miti i Kosovës. Përkundrazi, Kosova nuk ka nevojë për mite e prandaj, është Serbia ajo që kërkon më shumë sesa Kosova, një ofertë drejt anëtarësimit në BE.

Kështu që, dufi patriotik për Kosovën është, në një farë mënyre, i justifikuar. Ai buron pikërisht nga fakti i gjysmëzgjidhjeve që Evropa u ka borxh shqiptarëve.

Ashtu siç dufi patriotik për Kosovën buron ca më shumë nga fakti që politikanët shqiptarë, ende edhe sot, kërkojnë arbitra të jashtëm edhe për çështje të brendshme e kombëtare. Le të kujtojmë se në Konferencën e Paqes në Paris në fillimshekullin e kaluar, tri delegacione shqiptare pretendonin ekskluzivitetin e përfaqësimit të këtij vendi dhe të këtij populli të vogël – një tagër që nuk arriti dhe nuk e mori dot asnjë prej tyre. Asnjeri nuk qe pjesë e tavolinës së bisedimeve, sepse Shqipëria nuk kishte as fuqinë që të imponohej me ushtri, me flotë apo me ekonomi, as burrështetasit e duhur për t'u imponuar me diplomaci. (Fatkeqësisht, edhe sot Shqipëria përfaqësohet me dy delegacione në Parlamentin Evropian).

Duke iu kërkuar mirëkuptimin lexuesve, le të më lejohet të sjell një dialog me një kolegun tim të viteve më parë, Atasheun Ushtarak të Egjiptit. U interesua të dinte më shumë se çfarë ishte "Shqipëria e Madhe". I them, pak a shumë, se nuk ekziston ndonjë Shqipëri "e Madhe" apo ndonjë tjetër "e Vogël". Ka vetëm një Shqipëri: ajo natyrale. Në fund shtova: "Kjo ndarje artificiale u vendos në Paris, atje ku ju, gjeneral, keni përfunduar Shkollën e Luftës, ku fqinjët tanë u gjendën në Konferencën e bisedimeve, kurse ne shqiptarët ishim fatkeq. Nuk arritëm dot në ato tavolina". Atëherë, kolegu im, me dashamirësi, vërejti: "Ju ishit fatkeq apo fajtorë?"

Kosovës sot i duhet të navigojë me zgjuarsi në realitetet gjeopolitike. Nëse përzgjedh dufet patriotike, sipas të gjitha gjasave, Kosova e më tej rajoni përreth, do vijojnë të mbeten të pasigurt. Prezenca e pafund e NATO-s në Kosovë nuk është zgjidhja. Në Kosovë shërben një personel i NATO-s prej mbi 4000 ushtarakësh e civilësh. Për 440 vetë që angazhon Gjermania në këtë prezencë, prej vitit 1999 e deri në vitin 2012 ka shpenzuar rreth 3.3 miliardë euro! Ndërkohë, qysh nga viti 1999, në këtë mision, 168 ushtarë të NATO-s janë vrarë, kryesisht në aksidente!

Deri kur? Cila do të jetë përzgjedhja e Kosovës?

Nëse navigon përmes realiteteve gjeopolitike, ajo do të detyrohet të vetëzhvillojë kapacitetet e fjetura, të keqpërdoruara apo të shpërdoruara deri më sot. Në qoftë se vijon të nanuriset me dufet patriotike, atëherë do të mbetet thjesht një protektorat euroatlantik. Jo pjesë e ingranazheve të institucioneve dhe kulturës euroatlantike. Do të mbetet në mes të rrugës, jo thjeshtë fatkeqe, por sidomos fajtore.

The post Midis dufit patriotik dhe realiteteve gjeopolitike appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more