Skip to main content

“Bukën tonë të përditshme falna sot” plus 1 more Telegrafi Opinione

“Bukën tonë të përditshme falna sot” plus 1 more Telegrafi Opinione


Bukën tonë të përditshme falna sot

Posted: 11 Oct 2018 07:13 AM PDT

Teuta Skënderi

Buka për shqiptarët nuk është vetëm bukë. Buka është hyjni, një zot femëror së cilës i lutemi, që çdokush ta ketë, askush mos të mbetet pa të, bardhësia e saj kurrë mos të mallkohet. "Pasha bukën!", betohemi në shenjtërinë e saj si në perëndi. Gatimi i bukës është një mrekulli zejesh, e përcjellë brez pas brezi me shekuj. Buka është mbijetesë, buka është punë, buka është jetë, begati dhe mikpritje. Universi ynë. Është gjithmonë me kore të fortë nga jashtë, dhe me një butësi hyjnore të papërshkrueshme nga brenda; si shpirti i bardhë i një personi të mirë, sikur duart e nënës. E butë, si një re e bardhë qiellore. Përherë mbi tryezë, e mbështjellë me një leckë të bardhë të qëndisur në shtëpitë tona; ndërsa nëpër restorante, mensa studentore, pushimore, porositet nga dy herë gjithkund ku ulen shqiptarët për të ngrënë.

Buka është përsosmëri. Sikur globi në të cilin jetojmë, dhe kudo që shqiptarët udhëtojnë rreth tij, buka udhëton me ta. Sikur një lutje, si një gur i rëndë, një hajmali, një lamtumirë e fundit në valixhet e panumërta të mërgimtarëve tanë, e vendosur aty nga nënat dhe gjyshet: një puthje, një fjalë e pathënë, një lutje mbrojtëse, një lot; të gjitha janë të pjekura brenda me dashuri. Sikur një vulë, apo stemë familjare, çdokush e ka mënyrën e veçantë se si e pjekë dhe çfarë forme i jep bukës.

Buka kurrë nuk hidhet, asnjë copëz e saj, dhe ndahet me butësi dhe kujdes, duke iu ofruar fëmijëve së pari. Mbi trohat e bukës nuk shkelet kurrë, dhe ato zakonisht përfundojnë në prag të dritareve të panumërta për t'i ushqyer zogjtë. "A ke hangër bukë?", më duket vetëm në shqip kjo pyetje ka kuptime të shumëfishta: nëse ke ngrënë drekë, darkë, mëngjes, apo thjesht nëse ke uri. Nuk është kjo vetëm diçka që na ka lënë varfëria, jo, është një brumë lashtësie.

Buka është ekzistenca, buka është e përjetshme. E rrumbullakët dhe e përkryer sikur sofra, sikur rruzulli tokësor mbi të cilin jetojnë të shpërndarë si yje, miliona shpirtrash të mërgimtarëve tanë, të uritur për atdheun. Buka ndahet me mikun, me mysafirin. Buka i falet skamnorit.

Buka është nderi. Mark Milani në librin e tij mbi doket dhe zakonet e malësorëve shqiptarë, ka shkruar për një burrë të fisit Shala, të cilin para ekzekutimit e pyet një vezir otoman, nëse ka pasur një dite më të vështirë se kjo. "Po", iu përgjigj ai, "ishte dita kur nuk kisha bukë me i dhanë mysafirit. Kjo ishte më e randë se vdekja".

"I bardhë si buka". Babin tim shpesh e përshkruanin kështu. Një shprehje aq e njohur tek populli ynë, që përshkruan njerëzit e veçantë, me virtyte më të mira njerëzore; të bujarisë, mirësisë, shpirtbardhësisë, sinqeritetit. Nuk ka njerëz më të mirë në botë se këta, të cilët i krahasojmë me perëndinë tonë të përjetshme, të sajuar nga mielli, kripa, uji, dhe atë mundësisht në furrën e një bukëpjekësi mjeshtëror nga Hasi.

Jam e bindur që hasjanëve u është pëshpëritur formula e përsosur për sajimin e bukës nga një dimension jashtëtokësor. Është buka që adhuroj më së shumti në botë, shijen e së cilës e njoh kudo, dhe jo vetëm shijen por edhe aromën e ëmbël që e shoqëron atë. Kjo aromë shumë e njohur për mua, më bëri të ndalem në vend për ta gjetur se nga vjen, në Zagreb, në Rijekë, në Pula, në Novi Sad, në Shkup, në Edinburg. E përcjell shtegun e saj të padukshëm. Është shteg lotësh dhe djerse e atdhetarëve tanë. Bukëpjekësit nga Hasi kanë gatuar bukë për shume vite, në vendet e ndryshme të botës, duke ushqyer kështu gjenerata njerëzish, të cilët kurrë nuk zbuluan, ose nuk iu interesonin, doket dhe zakonet, gjuha e lashtë, apo kostumet e qëndisura magjepse, shumëngjyrshme të hasjanëve, që ta ndalin frymën me bukurinë e tyre; ku secila figurë, është një kod, një përrallë dhe histori në vete.

Ata janë të qetë, të vyeshëm dhe të përpiktë. Flenë herët, sepse duhet të zgjohen në orën tre të mëngjesit për të filluar magjinë e zanatit të tyre, duke ëndërruar gjithmonë një ëndërr të njëjtë para zgjimit: nënën te pragu i shtëpisë, kthimin në Hasin e Thatë, kur njëherë moti, Pjetër Bogdani sodiste yjet, duke shpalosur misteret e universit, një nga një.

Edhe babai im, i bardhë sikur buka, adhuronte po ashtu bukën e Hasit, të gatuar nga mjeshtri bukëpjekës i familjes Çollaku në Prizren. Çdo ditë pas punës, ai shkonte në furrë për të blerë bukën tonë të përditshme, dhe ndonjëherë më merrte me vete. Sa krenare që isha kur ia mbaja dorën duke pritur në rend. Atëbotë, i premtova vetes, se kur do të rritem do të blej bukë për fëmijët e mi vetëm në këtë furrë dhe askund tjetër, sikur babi. Por ja që ëndrra ime ra si peng lufte, dhe kjo dëshirë e paplotësuar, piqet çdo vit në një rruzull të vogël mrekullie, që shndrit si një yll, në valixhen time, kur largohem nga qyteti im, me aromë buke me kore të trashë dhe të fortë nga jashtë, dhe me brendësi të butë hyjnore (pak sikur vetë banorët e tij), zakonisht në orën pesë të mëngjesit.

Djaloshi i cili deshi ta mësojë zejen hyjnore të gatimit të bukës, nga një bukëpjekës hasjan në Novi Sad, larg nga familja dhe shtëpia, u godit rëndë të dielën. U plagos, u lëndua, u gjakos. Ishte ky udhëtimi i parë i tij jashtë vendlindjes. Lamtumira e tij e parë, me lotin e gurtë të fshehur në shpirt. Kur lexova lajmin për herë dhe kur në atë orë ai për ne ishte vetëm një djalë me inicialet Ç.M, unë në trishtimin tim të mesnatës, u pyeta nëse ai quhej Çlirim, apo ishte nga farefisi i bukëpjekësit tonë të dashur Çollaku. Nuk më zinte gjumi. Të nesërmen ia mësuam emrin, ia pamë sytë në fotografinë e publikuar; si dy yje, kureshtare, të sinqerta dhe të ndritshme. Sy që panë tmerrin e urrejtjes dhe shëmtinë e botës. Sy që ende janë në rrezik të shuarjes…

Dhe sonte më duket sikur dëgjoj vajtimin e familjes së tij, duke ushtuar mbi gurët e Hasit: "I bardhe si buka". Ose, siç thoshte Migjeni, "bukën tonë të përditshme falna sot".

The post Bukën tonë të përditshme falna sot appeared first on Telegrafi.

Një e nesërme e pasigurt

Posted: 11 Oct 2018 07:12 AM PDT

Leonidha Mërtiri

Teksa deri dje maqedonasit mbështesnin integrimin e vendit të tyre në Bashkimin Evropian dhe në NATO, referendumi i së dielës së kaluar tregoi ndryshe, përderisa 36 për qind e votuesve apo 580 mijë nga 1.8 milionë që ishte numri i votuesve, morën pjesë në të për ndryshimin e emrit të Maqedonisë në Maqedonia e Veriut. Një zhgënjim për liderët e të dy vendeve, Maqedonisë dhe Greqisë, sidomos për vetë kryeministrin Zoran Zaev, më entuziastin e para referendumit, por edhe për përkrahësit e tij, për ata maqedonas dhe ata shqiptarë, të cilët votuan që vendit të tyre të mos i bllokohej rruga evropiane. Investimi gjithashtu i ndërkombëtarëve, përmes edhe ecejakeve në Shkup të Kancelares Gjermane, Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, kreut të Politikës së Jashtme të BE-së etj., mbante të njëjtin emërues: mbështetjen e Maqedonisë, mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të vendit. Tani, ata, mendojmë se duhet të mbajnë dhe mësimin serioz të dështimit.

Disa media dhe zyrtarë të njohur e parashihnin këtë pjesëmarrje. Kjo lidhej, së pari, me qëndrimet e opozitës, të prirë nga partia kryesore VMRODPMNE e ish-kryetarit Nikolla Gruevski, e cila e etiketonte Marrëveshjen midis Maqedonisë dhe Greqisë, të dëmshme dhe të papranueshme për të. Dhe, së dyti, me ndikimin e Rusisë për bojkot të referendumit, për shkak të interesave ruse. Kjo e fundit, sikurse dihet, nuk është e interesuar për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE dhe përpiqet nga ana e saj t'u bëjë bisht akuzave në këtë drejtim. Ndërkohë, loja e ping-pongut bëhet më aktive. Kryediplomati rus, Sergej Lavrov, gjykon fajtore vendet perëndimore për këmbënguljen në votimin e Marrëveshjes së Prespës, duke e parë si "përzierje në çështjet e brendshme të Maqedonisë". Këtë ai e përsëriti dhe këto ditë në konferencën e shtypit me gazetarët, menjëherë pas fjalimit të mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke kritikuar liderët evropianë dhe amerikanë.

Dhe kur bëhet kjo? Kur madje, edhe vetë Greqia dhe Maqedonia kanë kritikuar përzierjen e Moskës në problemet e tyre. Moskës i vjen për shtat një lojë e tillë. Anëtarësimi i Maqedonisë në strukturat euroatlantike, duket, i ngushton frymëmarrjen Rusisë në rajonin tonë, në sferat e vjetra të influencës- sipas mentalitetit të saj. Në këtë linjë kanë qenë dhe presionet e diversionet e herëpashershme, sikurse ka ndodhur dhe me Malin e Zi, në prag të anëtarësimit të tij në NATO. Meqë po flasim për Maqedoninë, çuditërisht dhe në fushën ekonomike, ku interesat ekonomike mund të ndikonin dhe më tej, bashkëpunimi i saj me fqinjin tonë lindor është i papërfillshëm. Sepse, në të kundërt, kjo do ta obligonte këtë të fundit, përballë marrëdhënieve ekonomike dhe politike me Bashkimin Evropian. Kjo ndërhyrje apo kjo epidemi penetrimi rus, me synime të qarta, nuk është e vetmja. Ajo është vërejtur dhe gjetkë, në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si pjesë e një strategjie globale të saj. Dhe, sikurse kemi parë, e tërë kjo, realisht nuk ka qenë pa rezultate.

Por, si do të shkojë më tej situata te fqinji ynë? A do të jetë tashmë dakord Parlamenti për ndryshimet kushtetuese, për ta votuar Marrëveshjen me Greqinë? Për këtë kërkohen dy të tretat e votave. Aktualisht, është e vështirë të arrihet, përderisa opozita me VMRO-DPMNE-në, dështimin e referendumit e shikon dhe si triumf të saj. Një kokëfortësi e mëtejshme dhe gjatë këtyre ditëve, për t'i vënë strikëmbësh pranimit në BE dhe në NATO, vetëm për t'u kthyer në pushtet, mund t'i bëjë të pashmangshme zgjedhjet e reja. Ato i favorizon dhe qëndrimi i habitshëm i presidentit Gjorge Ivanov. Në vend që të ngrihet mbi interesat partiake të partisë së tij, VMRO-DPMNE, atë e entuziazmon dështimi i referendumit, duke u dhënë dorë kritikave ndaj ndërkombëtarëve, të cilët, sipas tij, "nuk mund të imponojnë zgjidhje në kundërshtim me vullnetin sovran të popullit". Pra, një arsye tjetër kjo, që nacionalizmi dhe ithtarët e tij të marrin krahë dhe Marrëveshja Greqi-Maqedoni të vihet në pikëpyetje. Me sa duket, kur është fjala për t'u pozicionuar për apo kundër Perëndimit, krijohet përshtypja se ky krah anon nga ky i fundit, duke ia gërryer fytyrën Maqedonisë.

Në këtë mënyrë, nëse shumica parlamentare nuk do të ketë edhe votat e një pjese të opozitës, meqë ajo sot numëron 72 deputetë nga 120, vështirë të arrihen objektivat që përmendëm, pavarësisht përpjekjeve të deritanishme të pozitës vendëse dhe të ndërkombëtarëve, që Maqedonia të jetë përkrah vendeve të tjera në NATO dhe në BE. Kalimi në zgjedhje të reja, sikurse nënvizohet dhe në intervistën e ditëve të fundit tek austriakja "Kurir", të Johannes Hahn, komisioneri i BE-së për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, do të jetë stërzgjatje e rrugës drejt fillimit të negociatave për pranimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian, e planifikuar në verën e ardhshme.

Pra, e nesërmja e Maqedonisë vazhdon të jetë e pasigurt, pasiguri që nuk ka si të mos reflektohet dhe në rajonin tonë.

The post Një e nesërme e pasigurt appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more