Skip to main content

“Nis në Bruksel procesi “screening”, Hahn: Jeni në rrugën e duhur drejt BE-së” plus 9 more - Gazeta Dita

“Nis në Bruksel procesi “screening”, Hahn: Jeni në rrugën e duhur drejt BE-së” plus 9 more - Gazeta Dita


Nis në Bruksel procesi “screening”, Hahn: Jeni në rrugën e duhur drejt BE-së

Posted: 28 Sep 2018 03:14 AM PDT

Shqipëria dhe Maqedonia zhvilluan sot takimin e parë shpjegues të legjislacionit të BE-së për kapitullin e 23-të të negociatave të anëtarësimit, që ka në themel gjyqësorin. Takimi i sotëm shënon fillimin e punës teknike të negociatave të anëtarësimit, që pritet të hapen në vitin e ardhshëm, ndërsa Shqipëria po fiton kohë në përgatitje të procesit.

Komisioneri Johannes Hahn vlerësoi përpjekjet që kanë bërë Shqipëria dhe Maqedonia në kuadër të procesit të hapjes së negociatave. 'Shqipëria ka bërë progres në reformën në drejtësi, është në rrugën e duhur drejt BE-së”, tha ai.

Ministrja shqiptare e Drejtësisë, Etilda Gjonaj referuar kapitullit 23, tha se Shqipëria do ta mbyllë në një fazë të hershme, pasi vettingu po vijon pastrimin e gjyqësorit duke rikthyer besimin e qytetarëve të drejtësia.

Delegacioni shqiptar i kryesuar nga ministrja Gjonaj është njohur me aktet ligjore dhe trajtimin e luftës kundër korrupsionit dhe të drejtave themelore të njeriut.

o.j/dita

 

Tirana-Partizani: Statistikat, pasioni, krenaria dhe “derbi nuk o derbi”

Posted: 28 Sep 2018 03:00 AM PDT

 

Tik-tak, tik-tak, ora e derbit po afron… Sekondat, minutat dhe orët duken një përjetësi.

"Ultras Guerrils" dhe "Tirana Fanatics" po mendojnë detajet e koreografive, rrugëtimin që të çon drejt stadiumit dhe ndonjë surprizë për kundërshtarët. Pasioni për ekipet e tyre kalon kufijtë, nuk ka rëndësi as puna, as shkolla, asgjë. Derbi ka depërtuar në çdo qelizë, pasi përditshmëria e tyre lidhet me këtë ndeshje. Tifozët ngacmojnë njëri-tjetrin dhe kërkojnë nga ekipet që të nesërmen e Tirana-Partizanit të dalin me kokën lart dhe gjoksin përpara në rrugë me një fanellë të ekipit të zemrës.

Takimi i së kësaj të premteje është një jubile e bukur, pasi do të luhet sfida e 150. Tirana dhe Partizani kanë deri tani 149 ndeshje mes tyre. Një rrugëtim i bukur që na ka sjellë emocione, drama, ka krijuar heronjë dhe ka thyer idhuj.

"Derbi nuk o derbi", – siç është fjalia klishe dhe monotone që kemi dëgjuar vitet e fundit nga specialistët që kanë frikë të përcaktojnë fituesit. Ky takim është më shumë se një ndeshje e radhës, është krenari, është dominim është "trofe". Nga vitit 1947 e deri më 2018 janë luajtur 149 takime në të gjitha kompeticionet Kupë dhe Kampionat.

Kryeqyteti ka qenë i ndarë me thikë dhe stadiumi ka shqyer qiellin për shkak të tifozerive. Ndër të vetmet raste ku tubimet politike mund të lihen pas, e nëse ke guximin t'i thuash një tifozi që kjo ndeshje është thjesht takimi i radhës, mund të të shohë çuditshëm dhe të të hapë rrugën. Në fytyrë i lexohet thënia e urtë popullore me budallain.

Tifozët e kuq krenohen me derbit e fituara, pasi kryesojnë me 62 takime, ndërsa bardheblutë kanë vetëm 40 fitore kundër Partizanit. 47 ndeshje të tjera kanë përfunduar në barazim. 22 fitore më pak që mundohen t'i justifikojnë me 24 titujt kampionë, ndërsa për të kuqtë kjo llogaritje nuk vlen, pasi u duket klishe.

Partizani dominon dhe në golavarazh, pasi "demat" kanë shënuar gjithsesj 216 gola, ndërsa bardheblutë vetëm 164. Nëse i refrohemi derbit në vitet e fundit, tifozët bardheblu mund ta vuajnë më shumë se njollën e turpit në Kategorinë e Parë, pasi nuk shohin fitore që prej 7 shkurtit të 2014, kur Gilberto shënonte në minutën e 77′. Tirana nuk sheh fitore që prej 4 vitesh, pasi sfidat e tjera kanë përfunduar në barazim ose në fitoren e "demave". 13 ndeshje pa fitore, janë shumë, tmerrësisht shumë, por shpresojnë që të premten të dëgjohet një tjetër melodi. Të kuqtë, ndryshe nga kundërshtarët e tyre, duan të luajnë të njëjtën simfoni. Kampionati ka nisur, derbi është rikthyer, fitoftë futbolli i bukur!

l.h/ dita

Avioni rrëzohet mbi oqean, shpëtojnë mrekullisht pasagjerët dhe ekuipazhi

Posted: 28 Sep 2018 02:47 AM PDT

Një avion ka rënë në oqean pas tejkalimit të pistës në ishullin e vogël të Weno, në veriperëndim të Papua Guinea e Re.

Autoritetet lokale konfirmuan se avioni i cili po shkonte drejt Papua Guinea e Re nga Mikronesia, fluturoi përtej pistës dhe ra në ujë rreth orës 9.30 të së premtes sipas orës lokale.

Nga aksidenti ajror kanë shpëtuar mrekullisht të gjithë 35 pasagjerët dhe 12 anëtarë të ekuipazhit, përveç një pasagjeri të plagosur. Banorët vendas nxituan për në vendin e aksidentit me anije të vogla për të ndihmuar në shpëtimin e pasagjerëve, të cilët dolën nga avioni dhe po qëndronin në pjesët e jashtme të tij.

Drejtori i aeroportit "Chuuk" Jimmy Emilio tha për mediat lokale se aeroplani Air Niugini tejkaloi pistën me rreth 160 metra.

Pasagjerët dhe ekuipazhi janë dërguar në spitalin lokal, ku aktualisht janë nën kontroll. Nuk është raportuar asnjë plagosje serioze.

Aktualisht është e paqartë se çfarë e ka shkaktuar rrëzimin. Në një deklaratë të publikuar në Facebook, Air Niugini tha se moti ishte shume i keq me shira të rrëmbyeshëm dhe mjegull.

Komisioni i Hetimeve të Aksidenteve të Papua Guinea e Re është duke përgatitur një ekip për të hetuar ngjarjen

 

 

Kreu i GF, Toschi: Tirana dhe Shqipëria, më të sigurta se kurrë më parë

Posted: 28 Sep 2018 02:32 AM PDT

Shqipëria është tashmë një vend i sigurt dhe ka pësuar ndryshime rrënjësore në sigurinë publike, sipas  Komandantit të Përgjithshëm të Guardia di Finanza, Giorgio Toschi, i cili ka vlerësuar ministrin e Brendshëm dhe policinë shqiptare.

"Qyteti dhe vendi juaj i bukur është shumë më i sigurt se kurrë më parë", tha ai.

Në një takim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj Komandanti Toschi vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer në këto vite mes policisë shqiptare dhe asaj italiane në fushën e sigurisë, ku tashmë vendi ynë është partner i besueshëm në luftën ndaj kriminalitetit.

Në shenjë miqësie, Veliaj i dorëzoi Komandantit të Përgjithshëm të Guardia di Finanza edhe "Çelësin e Qytetit". "Po jua dorëzoj Çelësin e qytetit të Tiranës sepse ju konsiderojmë pjesë të shtëpisë sonë, dhe me një miqësi të vërtetë dhe vlerësim për "Guardia di Finanza", për vullnetin për të ecur përpara së bashku, jo si inferiorë, por si partnerë. Ju falenderoj vërtet! Tani kemi një qytet që është edhe më i sigurt dhe besoj se kjo është edhe meritë e juaja, sepse ka gjëra që mund t'i bësh i vetëm, por ka edhe gjëra, si krimi ndërkombëtar, që nuk mund t'i bësh ballë i vetëm, nëse nuk ke miq të vërtetë. Ju jeni një mik i vërtetë, ju vlerësoj shumë", tha Veliaj.

Giorgio Toschi e cilësoi domethënës nderimit që i bëhet atij dhe "Guardia di Finanza"-s nga Bashkia e Tiranës. Ai theksoi se të dy vendet janë të impenjuara maksimalisht për të bashkëpunuar, ndërsa theksoi se gjithnjë e më shumë e vlerëson dhe e adhuron Tiranën.

"Jam jo vetëm krenar për marrjen e këtij çelësi, pasi ndër të tjera është edhe bukur, por edhe për domethënien dhe vlerën që përfaqëson ky çelës. E përsëris se kam fatin që të jem Komandant i Përgjithshëm në një moment të tillë, ku gjendemi në maksimumin e impenjimit tonë, edhe sa i takon aspektit të bashkëpunimit, por edhe konstatimeve, pasi qyteti dhe vendi juaj i bukur është shumë më i sigurt se kurrë më parë. Ndihem shumë i lidhur, pasi prej 22 vitesh ndjek këto misione. Ndaj është edhe një kënaqësi e madhe personale sepse me këtë çelës do të hap figurativisht portat e këtij qyteti që vlerësoj dhe adhuroj gjithnjë e më shumë", u shpreh Toschi.

E fejuan dhe e dërguan në Itali për prostitucion, arrestohen dy persona

Posted: 28 Sep 2018 02:23 AM PDT

Policia e Beratit ka arrestuar dy persona, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke e mashtruar nëpërmjet fejesës, kanë rekrutuar dhe trafikuar në Itali me qëllim shfrytëzimin për prostitucion një 29-vjeçare.

Të arrestuarit janë Flamur Dodoveci (62 vjeç) dhe Emanuel Myrtaj (40 vjeç)

Në Itali, 29-vjeçarja shfrytëzohej për prostitucion nga shtetasja me iniciale D.D., e cila ishte shpallur në kërkim nga Policia e Beratit, ku falë bashkëpunimit me Policinë Italiane u bë e mundur arrestimi i saj disa muaj më parë në Itali.

o.j/dita

Qeveria zhvendoset në Korçë, axhenda e mbledhjes dy ditore

Posted: 28 Sep 2018 02:09 AM PDT

Ashtu siç është bërë traditë, qeveria do të zhvendoset kësaj here në juglindje të vendit për mbledhjen e radhës.  Sipas axhendës së bërë publike nga Report Tv, rreth orës 15:30 pritet që kryeministri Edi Rama dhe ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri të inspektojnë punimet në tunelin panoramik në hyrje të Pogradecit, e pastaj të zhvendosen drejt Prespës.

Bashkë me minsitra e deputetë, i pari i qeverisë pritet të marrë pjesë në aktivitet në kuadër të projektit 100 fshatrat pjesë e së cilit është edhe fshati Zaroshkë, buzë liqenit.

Pas këtij aktiviteti, rreth orës 19:00 kryeministri shkon në Korçë aty ku ka parashikuar një tjetër aktivitet më të rinjtë, me temë "Partia Socialiste e hapur për ju", ku pritet që kësaj force t’i shtohen anëtarë të rinj.

Në ditën e dytë të mbledhjes (29 shtator) është parashikuar një vizitë në fshatin Sovjan të Korçës. Kryeministri i shoqëruar nga ministrat Niko Peleshi e Ogerta Manastirliu do të vizitojnë një shtëpi të një familje të varfër që do të rindërtohet.

Pas kthimit në Korçë kryeministri Rama do të marrë pjesë në një tjetër event, ku si në çdo qark dëgjon problemet dhe shqetësimet e komunitetit. Takimi me qytetarët me temë "E gjithë vëmendja tek ju" do të zhvillohet tek Teatri Folës.

Pas aktiviteteve të mëngjesit, rreth orës 12:30 minuta kryeministri do të mbledhë ministrat e deputetët tek Shtëpia e Flamurit, e cila do të pasohet me një deklaratë për shtyp ku do të njoftohen edhe vendimet e reja të qeverisë.

Pas drekës, Rama i shoqëruar edhe nga ministri Gjiknuri do të udhëtojnë drejt Maliqit për të inspektuar landfillin e ngritur aty.

o.j/dita

SINQERITET IMAGJINAR

Posted: 28 Sep 2018 02:01 AM PDT

Viktor Malaj

 

Sinqeriteti e bën edhe njeriun më të vogël të ketë më shumë vlerë se hipokriti më i talentuar “/ Çarlz Spërgen*

Fjalimi i mëposhtëm, i cili as është mbajtur dhe as do të mbahet ndonjëherë prej tij, do të ishte pasqyra e vërtetë e atyre që mendon ose jo z. Lulzim Basha dhe e atyre të vërtetave që i përgjigjen moralit, mentalitetit dhe sjelljes politike të tij dhe partisë së tij:

Të dashur demokratë dhe demokrate !

Siç e dini, kanë kaluar mbi pesë vjet që ne ndodhemi në opozitë, në opozitë politike por jo ekonomike, në opozitë me fjalë por në të njëjtën udhë morale me kundërshtarët tanë. Pozicioni ynë është i dhimbshëm jo për shkak të rënies së statusit tonë social dhe ekonomik por, kryesisht, për shkak të mosdurimit tonë për të jetuar pa pushtet e privilegje, për shkak të mospajtimit tonë me pasjen e të tjerëve mbi ne dhe, çfarë është më e rëndësishme, për shkak të të jetuarit tonë me frikën e kërcënimit që na shkakton vënia e mundshme para përgjegjësisë ligjore për ato që ne kemi bërë në të kaluarën.

Pavarësisht atyre që ne themi pa pushim çdo ditë, pavarësisht fajësimit që ne iu bëjmë kundërshtarëve tanë për blerje votash dhe pavarësisht fajësimit që ne iu bëmë shqiptarëve si mosmirënjohës ndaj veprave tona për ta, e vërteta është se ne jemi në opozitë për shkakun dhe për fajin tonë. Partia Demokratike, të cilën mua ma kanë caktuar ta drejtoj, doli në skenën politike shqiptare në momentin historik kur regjimi i ashtuquajtur komunist ra në të gjithë Evropën dhe as ra prej nesh dhe as për meritën tonë por si një proces politik mbarëbotëror, ashtu siç edhe kishte ardhur në fuqi. Masat e njerëzve i besuan kësaj partie jo për shkak të meritave të drejtuesve të saj por për shkak të fajeve të regjimit të deriatëhershëm dhe të nevojës për ndryshime e zhvillime më të shpejta.

Për shkakun dhe për fajin tonë shumica e shqiptarëve u larguan shpejt prej nesh sepse ndërsa ne iu premtuam lirinë, iu sollëm kaosin dhe konfuzionin; ndërsa iu premtuam ekonominë konkurruese të tregut, iu sollëm biznesin tallës dhe të shëmtuar të kioskave si dhe zhvillimin dhe pasurimin e rremë nëpërmjet firmave piramidale; ndërsa u vetëshpallëm krijues të pluralizmit politik, u sollëm si xhandarë mesjetarë ndaj kundërshtarëve tanë; ndërsa premtuam mbrojtjen e mendimit dhe fjalës së lirë, rrahëm e burgosëm gazetarë dhe dogjëm redaksi gazetash dhe për këtë u shpallëm ” armiq të shtypit të lirë ” nga organizatat botërore të shtypit; ndërsa tallnim dhe damkosnim farsën e votimeve të regjimit të mëparshëm njëpartiak, ne organizuam dhe  realizuam me sukses falsifikimet dhe dhunimet e proceseve zgjedhore me qëllim pasjen e opozitës dekorative dhe garantimin e pushtetit të përjetshëm për veten tonë; ndërsa premtuam mundësitë e barabarta për zhvillim, mundësuam dhe nxitëm pasurimin e një pjese fare të vogël të shoqërisë; ndërsa propaganduam kultin e dijes dhe të zotësisë ne mbollëm mosdijen dhe realizuam suksesin e horrave dhe gangsterëve; ndërsa flisnim për drejtësi për të gjithë, ne realizuam sistemin më të korruptuar të drejtësisë, të korruptuar moralisht dhe të komanduar politikisht; ndërsa anatemonim çdo ditë sistemin e mëparshëm politik për dhunë ndaj kundërshtarëve politikë, ne, jo vetëm rrahëm deputetët kundërshtarë dhe burgosëm udhëheqësin e tyre por, kur populli shqiptar u egërsua dhe u ngrit kundër nesh, ne përdorëm ushtrinë dhe armët kundër tij megjithëse ato ishin të destinuara kundër armiqve të jashtëm, ne organizuam formacione paraushtarake dhe nxitëm luftime veri – jug si dhe vramë protestues të paarmatosur dhe të pafajshëm në mes të kryeqytetit.

Kur u krijua Partia Demokratike unë isha ende adoleshent dhe as kisha ide dhe as ideale por thjesht interesa dhe synime dhe për realizimin e tyre isha i gatshëm t’i ngjitem pas kujtdo ashtu siç edhe bëra për të fituar një bursë studimi jashtë shteti dhe siç veprova më vonë duke u shoqëruar me vajzën e ish – Presidentit z. Berisha në mënyrë që ta përdorja partinë e tij si trampolinë të ngjitjes time në pushtet. Kjo gjë m’u shpërblye duke më bërë ministër pa drejtuar kurrë as edhe një zyrë me dy vetë.

Ne jemi këtu ku jemi sepse kurrë s’kemi njohur gabimet dhe fajet tona dhe kurrë nuk kemi guxuar ta drejtojmë gishtin ndaj fajtorit kryesor, ndaj atij që na afroi, mikloi, privilegjoi dhe keqpërdori për nevojat e veta duke na bërë, në mos si veten e tij, përfaqësues dhe peng të moralit dhe mentalitetit të tij. Prandaj edhe ne morëm përsipër trashëgiminë e tij politike dhe u vetëshpallëm nxënës besnikë të “shkollës së tij politike”. Ne nuk mund t’i binim shkelm atij jo vetëm për shkak të përputhjes tonë morale me të dhe detyrimeve ndaj tij për privilegjet që na siguroi por edhe për shkak se, duke e mohuar atë ne do të rrëzonim alibinë dhe farsën e ngritur me kaq mundime gjatë një çerekshekulli mbi rolin e tij dhe të PD-së në rrëzimin e sistemit të mëparshëm politik, farsë dhe mashtrim që na mban ende gjallë politikisht në mendjet e turbullta të kokëboshëve tanë. Në njëfarë mënyre,ne jemi pengje të palirueshme të historisë së rreme që kemi propaganduar dhe të moralit tonë të kalbur që e kemi shpallur si të shenjtë dhe të virtytshëm.

Po, çfarë duhet të bëjmë që të mbijetojmë dhe madje të rikthehemi në pushtet, edhe pse shumica e popullit shqiptar nuk e miraton ambicien tonë ?

Meqenëse jemi provuar disa herë në pushtet dhe kemi dështuar paq, meqë jemi të njëjtët njerëz fizikisht, moralisht dhe politikisht kjo na bën tërësisht të pabesueshëm. Prandaj ne duhet të bëjmë çmos të ndryshojmë fjalët duke u qëndruar besnikë veprave, të premtojmë ndërtimin e së ardhmes megjithëse jemi dështues dhe rrënues të së kaluarës, të mallkojmë kundërshtarin dhe portretizojmë atë si sjellës i kolapsit dhe greminës kombëtare dhe ta paraqesim veten si shpresa dhe shpëtimtarë të kombit. Meqë njerëzit tanë dhe idetë tona nuk besohen më sepse të parët janë të pavlerë dhe të dytat nuk ekzistojnë, ne duhet të përdorim çdo mjet për nxirjen e kundërshtarit. Meqë nuk ngrihemi dot mbi të duhet të bëjmë çmos ta ulim atë në nivelin tonë.

Kjo duhet të jetë politika jonë. Ajo nuk ka skrupuj por vetëm synime dhe interesa. Në politikë sundon gënjeshtra nën maskën dhe emrin e së vërtetës prandaj, nëse dëshironi të jeni të suksesshëm, qoftë dhe përkohësisht, përqafoni gënjeshtrën, shpifjen dhe mashtrimin. Mos u stepni nga nevoja për të gënjyer. Fillimisht mund të ndiheni keq por pastaj do të mësoheni dhe miqësoheni me të. Këtë ma ka provuar gjithë jeta ime. Kundërshtarët dhe miqtë e mi të LSI-së, jo më kot, kanë thënë se unë gënjej edhe kur më pyesin për orën. Po të ishte për të vërtetën, unë do të isha në burg dhe jo në krye të opozitës. Erdha në PD për të shërbyer si objekt zbukurimi dhe joshjeje për elektoratin dhe përfundova si pronar dhe zot i saj. Unë nuk luftoj të fitoj Çmimin Nobel për Paqen por luftoj për pushtet dhe pasuri, ashtu si shumica prej jush.

Ju duhet të kuptoni se ne nuk kemi kundërshtarë moralë e politikë por kundërshtarë për kolltuqe, nga burojnë edhe përfitimet. Siç e keni vënë re, mbajtësit e kolltukëve ndryshojnë por morali dhe politika mbeten thuajse të njëjtë. Kjo siguron paprekshmërinë dhe vazhdimësinë tonë; në njëfarë mënyre – dinastinë tonë. Ne nuk luftojmë oligarkinë dhe korrupsionin por largimin e oligarkëve prej nesh dhe synojmë që korrupsionin ta menaxhojmë ne dhe jo kundërshtarët tanë. Mirëpo, në politikë duhet të thuash gjithmonë të kundërtën e asaj që synon. Siç e dini, unë e përsëris shpesh se ” jam në anën e njerëzve “. Me këtë sofizëm unë synoj të bëj për vete shumicën e nevojtarëve por ua shkel syrin edhe të pasurve pasi edhe ata janë njerëz. Edhe pse iu vërsulem ndonjëherë disa oligarkëve me emër e mbiemër, mos kujtoni se i urrej ata. Ata vetë e kanë kuptuar demagogjinë time prandaj nuk ndihen. Nuk ndihen sepse janë të sigurt se nuk u vjen asgjë e keqe prej nesh. Ne vetë i kemi krijuar dhe nuk mund të bëjmë pa ata. Vetë sistemi që ndërtojmë iu përket atyre. Prandaj quhet kapitalizëm dhe kapitalin e kanë ata. Ne jemi bij dhe shërbëtorë të tyre, mirëpo duhet të hiqemi si bij dhe shërbëtorë të shumicës nevojtare. Jo nga dashuria dhe dhimbja për nevojtarët por nga fakti se ata përbëjnë shumicën e votave. Ne kemi punuar me këmbëngulje dhe pasion këto tri dekada për të krijuar armatën e madhe të analfabetëve funksionalë, domethënë të njerëzve që dinë të shkruajnë e të lexojnë por e kanë shumë të vështirë të kuptojnë. Dhe, sondazhet e para pak kohëshme tregonin se kjo masë përbën 56% të popullsisë së rritur. Këtu duhet të synojë dhe godasë propaganda jonë pasi, siç e dini votat kanë të njëjtën vlerë. Vota është i vetmi mall cilësia e të cilit nuk ka asnjë vlerë por matet vetëm nga sasia.

Për të arritur synimet tona të rikthimit në pushtet ne duhet të mbajmë parasysh se kundërshtarët tanë fituan shumë pikë me Reformën në Drejtësi e cila, megjithë përpjekjet tona për ta vonuar, sabotuar dhe penguar, ka filluar të veprojë nëpërmjet Vetingut. Në pamundësi për ta penguar atë ne duhet të kundërpërgjigjemi me “Vetingun në Politikë”. Megjithëse kancelaritë perëndimore e kanë thënë qartë se “vetingun” në të gjitha fushat e jetës duhet ta bëjnë institucionet që prodhon Reforma në Drejtësi, ne duhet të shpallim dhe përsërisim çdo ditë se kërkojmë “Veting në Politikë”, “Platformë kundër korrupsionit dhe oligarkisë”, “Ligj Antimafia ” etj. Duke e përsëritur këtë çdo ditë ne do të krijojmë iluzionin se politika shqiptare është ndarë në Mafian, krimin e korrupsionin që i përfaqëson pushteti dhe, nga ana tjetër, Antimafia dhe Antikorrupsioni që i përfaqësojmë ne. Në njëfarë mënyre, unë dhe z. Berisha do të paraqitemi si Paolo Borselino dhe Xhovani Falkone ndërsa Qeveria dhe Kryeministri në pushtet do të portretizohen si Mafia Siçiliane dhe Toto Rina. Pavarësisht kush jemi ne e çfarë kemi bërë në të kaluarën, propaganda jonë e pareshtur do të lërë gjurmë në kujtesën dhe ndërgjegjen e votuesve sepse psikologjia dhe sociologjia e njohin fenomenin e shtresëzimit të kujtesës, domethënë që informacionet dhe dizinformacionet e reja i mbulojnë shumë prej dijeve dhe kujtimeve të së kaluarës. Pra, njerëzit do të harrojnë kush jemi ne dhe çfarë kemi bërë dikur në pushtet dhe me pushtetin dhe do të përqendrohen tek fjalët tona, do të entuziazmohen prej tyre dhe do të na ndjekin.

Përveç paraqitjes së pushtetit aktual si djalli dhe e keqja e vetme kombëtare, ne duhet të krijojmë idenë se ” Shqipëria është në gjendje kolapsi ” dhe rrjedhimisht shpëtimtarët mbetemi ne. Këtu do të na ndihmojë edhe parulla fisnike e aleates tonë të vyer dhe të mençur znj. Kryemadhi e cila përsërit prej s’dihet se kur se “Rama bije deri në qershor “, njësoj siç bënte “Mërgata e Qyqeve” për dyzet vjet në emigrim me regjimin e Hoxhës. Duke e nxirë çdo gjë të sotme, ne e shkurajojmë popullin por duhet të hiqemi sikur na dhimbsen shqiptarët që lënë vendin për një jetë më të mirë. E vërteta është se neve ndiejmë keqardhje kur dyshojmë se shumicën e të larguarve e përbëjnë anëtarët dhe elektorati ynë sepse, po të ishte për elektoratin e majtë do të ishim gati t’i largonim edhe në mënyrë të organizuar si në vitin 1991 sepse kështu do të siguronim pushtetin tonë të përhershëm.

Nëse e shohim se nuk jemi sa duhet bindës në premtimet tona, atëhere duhet të propagandojmë idenë e luftës dhe përplasjes civile e cila na pati dhënë rezultat në vitin 1992. Ah si nuk përsëritet i njëjti vit dy herë në histori ! Këtë detyrë ” fisnike ” e ka marrë përsipër njëra nga figurat më të lavdishme të PD-së, z. Bujar Nishani si dhe nja tre – katër analistë e gazetarë të përsheshit. Detyrën e lavdishme të mashtrimit dhe manipulimit popullor ia kemi besuar z. Berisha i cili po përdor me efikasitet sistemin e ” qytetarit dixhital ” si mjet dhe maskë e madhështisë së marrëzisë së mëkatarit të papenduar. Edhe pse e kanë quajtur Themelues të Perandorisë së Rrenave ne nuk duhet ta mohojmë kurrsesi z. Berisha pasi, jo vetëm kemi mësuar shumë nga “shkolla politike e tij” por edhe sepse me rënien e tij biem edhe ne të tjerët si produkte dhe shëmbëlltyra të tij.

Një mjet tjetër i manipulimit popullor duhet të jetë edhe sajimi dhe përdorimi i regjistrimeve audio-vizive të tipit “Babale”. Këtë detyrë delikate do ta kryejnë një grup pune i kryesuar nga deputeti i përndershëm Salianji i cili ka arritur t’i shpërfaqë aftësitë e tij të jashtëzakonshme ndërsa kryen dy punë njëheresh në sallën e Parlamentit: edhe damkos moralisht pushtetin, edhe dërgon SMS me përmbajtje pornografike tek dashnoret kolege.

Ne duhet të sulmojmë përditë banditët ordinerë dhe t’i shpallim ata si të lidhur me pushtetin. Këtu duhet të bëjmë kujdes të mos cenojmë banditët tanë, ata që kemi përdorur vazhdimisht për dhunimin e zgjedhjeve apo trafikantët e drogës dhe tutorët e prostitutave që na patën mbështetur me vetëmohim gjatë ditëve të stërmundimshme në Çadër. Nga ana tjetër, duhet të sulmojmë parreshtur aksionet e pushtetit për mbledhjen e taksave, të tarifave, pagesën e ujit dhe energjisë elektrike etj. pasi, duke e ditur se shqiptarët historikisht nuk kanë treguar ndonjë respekt për ligjin dhe shtetin, do të kthehen nga ne me shpresë se do t’i kenë të gjitha falas kur të vijmë ne në pushtet. Sigurisht që kjo nuk do të ndodhë por neve, tani për tani, na nevojiten mosdashësit e shtetit e të ligjit dhe pastaj, edhe po na braktisën, ua vjedhim votat si në 1996 apo 2009.

Ndaj të huajve që nuk na mbështesin duhet të sillemi si ndaj pushtetit aktual, domethënë t’i shpallim të korruptuar, të blerë me paratë e drogës dhe krimit. Ju e mbani mend ironinë time të hollë ndaj Mogerinit kur i quajta mendimet e saj dokrra kur ndodheshim në Çadër dhe kjo gjë na i shtoi ndjeshëm votat në zgjedhjet e qershorit. Unë, personalisht, kam vendosur të bëj trimin në fushën e betejës. Jo vetëm që i kërcënova pushtetarët me akte terroriste të vendosjes së minave në shtëpitë e tyre po e prishën Teatrin Kombëtar por do të më shihni kur t’i vërsulem policisë fizikisht sapo të vihet në mbrojtje të prishjes së godinës dhe ndërtimit të së resë. Vërtetë një pakicë e ditur shqiptarësh do të më konsiderojnë njeri ordiner por, të mësuar me kultin e forcës dhe përçmimin e mendjes, shumë më tepër shqiptarë do të më lavdërojnë dhe, madje, këndojnë këngë siç bënë me Monikën kur përdori çizmen në vend të mendjes. Kur s’ke njërën do të përdorësh tjetrën.

Për t’i arritur këto objektiva madhorë unë kam zgjedhur një grup burrash e grash me dinjitet dhe perspektivë, të tillë si Haruni, Murrizi e Idrizi apo intelektualë të shquar si Muli, Balliu i Riu etj. Në perspektivën tonë fitimtare kam zgjedhur si aleatë figurat e vjetra dhe prestigjoze që na patën ndihmuar me dinjitet në humbjet e mëparshme, të tillë si Kryemadhi, Ndoka, Mehdiu, Idrizi, Duka etj.

Allahu na ndihmoftë ! Yxhym !

Lulzim Basha

* Charles Spurgeon – Predikues i shquar baptist anglez i shek. të 19-të.

 

 

91 zjarre në 17 ditë, Xhaçka: Janë të qëllimshme

Posted: 28 Sep 2018 01:46 AM PDT

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka deklaroi se në të gjithë vendin janë regjistruar 91 vatra zjarri në 17 ditë, nga data 10 shtator deri në 27 shtator.

Ministrja tha se zjarret janë të qëllimshme për djegien e kullotave apo konflikteve, ndërsa të gjithë autorët do të dalin para përgjegjësisë.

Xhaçka theksoi se janë djegur 262 ha kullota, pemëtari dhe ullishte, ndërsa janë angazhuar në të gjithë vendin mbi 100 mjete zjarrfikëse.

Kur jemi në stinën e vjeshtës dhe temperaturat kanë rënë ndjeshëm, ne po ndeshemi me një fenomen sa paradoksal, aq edhe kriminal, me zjarret që po përfshijnë kullotat dhe tokat bujqësore. Të dhënat tona, tregojnë për një rritje shqetësuese të zjarreve në këtë periudhë. Vetëm në harkun kohor 10 – 27 Shtator janë verifikuar, gjithsej 91 vatra zjarri, prej të cilave janë djegur një sipërfaqe prej 262 ha kullotë, shkurre, livadh, pyje, pemëtari, tokë bujqësore, bazë ushqimore për bagëtinë etj. Janë djegur 1162 rrënjë ulliri të vjetër dhe të rinj. Informacionet tona flasin për zjarr-vënie të qëllimshme nga persona me tendenca kriminale, zjarrvenie te qellimshme per arsye te konflikteve mbi pronen, apo zjarrvenie me qellim krijimin e hapesirave per toka te reja sipas besetytnise se djegja e tokes sjell pasurimin dhe pjellorine e saj. Pervecse ky është nje vendim i gabuar e i paligjshëm qe do i kushtoje rende kujtdo, qe permes papergjegjshmerise apo qellimit te keq, ve ne rrezik te tjerët dhe demton pronen e perbashket, nga te gjitha pikepamjet, shkencore apo praktike, djegja e tokes sjell me shume deme sesa te mira. Informojmë të gjithë qytetarët Shqiptar, se çdo rast zjarri i konstatuar, do të hetohet thellësisht duke bërë përgjegjës ligjor të gjithë zjarrvënësit e qëllimshëm dhe pronarët e tokës ku do evidentohen vatrat e zjarreve“, tha Xhaçka.

Në ditët e fundit janë regjistruar disa vatra zjarri në Finiq, Lezhë, Kavajë, Pukë dhe shumë zona të tjera të vendit, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar në njerëz, pasi janë djegur vetëm kullota duke shtuar dyshimet se zjarret janë të qëllimshme.

o.j/dita

Gjergj Kastriot Skënderbeu, në rrafshin e një intelektuali vizionar

Posted: 28 Sep 2018 01:32 AM PDT

Moikom Zeqo

Është shkruar për Gjergj Kastriot Skënderbeun si strateg dhe politikan. Në këtë hulli ai është vlerësuar lart. Por vetëm ky aspekt atë e kufizon. Duam apo nuk duam ne aksioma që një njeri i madh si strateg dhe politikan nuk mund të mos jetë dhe intelektual i madh është një gjë e nënkuptuar, reale, plotësuese, gjithëpërfshirëse.

Për mendimin tim, Gjergj Kastriot Skënderbeu është edhe një hero kulturologjik, ai është një nga pjesëmarrësit, protagonist i Rilindjes Europiane në shekullin XV. Figura epokale e Zhan D'Arkës në Francë lidhet me mesianizmin e saj, gjë që shpjegon fitoret ushtarake.

I ndryshëm dhe i veçantë është Gjergj Kastriot Skënderbeu si dhe Huniadi. Skënderbeu duhet të gjykohet, të provohet, të analizohet në aspektin e tij të formimit kulturor, krejt të veçantë dhe të çuditshëm për kohën.

Dikur në një letër të tij Skënderbeu flet për „kronikat tona". Ai e njeh historinë e paraardhësve. Kështu që ai është i vetëdijshëm. Njëkohësisht në simbolet e tij heraldike Skënderbeu reflekton një kulturë të spikatur, të pangatërrueshme me të tjerët.

Në rezidencën e tij në Krujë, Skënderbeu ka pasur kancelarinë, arkivin dhe padyshim bibliotekën e tij. Sipas Marin Barletit dhe Dhimitër Frëngut Skënderbeu ka ditur disa gjuhë përveç shqipes edhe gjuhën turke, greke dhe sllave. Nga kancelaria e tij mësojmë edhe për letrat e tij autografe.

Dy libra të bibliotekës së Skënderbeut

Yjësia e librave të panumërt për Gjergj Kastriot Skënderbeun flet për të si strateg, si burrë shteti, si diplomat, por hesht pamëshirshëm për Skënderbeun si intelektual dhe njeri i librave. Kancelaria e Gjergj Kastriot Skënderbeut zotëron një numër të mjaftueshëm letrash në disa gjuhë europiane ç'ka bën të mundur një optikë të ideve politike dhe diplomatike, gërshetuar me ide kulturologjike të vetë Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Por intelektualiteti i lartë i Skënderbeut duhet gjurmuar ndryshe, ekzistojnë disa motive që janë të vetëmjaftueshme dhe përmbajnë një semantikë interferuese, që lidhen me libra të bibliotekës vetiake të Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Officium beatae marlae virginis

 Bëhet fjalë për dy libra, që kanë qenë me siguri në bibliotekën kastriotase. Libri i parë, që vërtetohet që ka qenë në posedim të Skënderbeut quhet Libri i Uratave, i cili është i shkruar në latinisht. Ky libër iu dhurua Skënderbeut nga familja fisnike Di Capua. Libri është një dorëshkrim në pergamenë, me përmasa 22 x 15 cm, është në gjuhën latine dhe është shkruar, iluminuar nga ndonjë artist napolitan. Iu dha Skënderbeut kur ai qe në Napoli në dimrin e vitit 1466-1467.

Për këtë libër ka shkruar historiani dhe skënderbeologu i shquar i ditëve tona, akademiku Kristo Frashëri. Sipas Frashërit „libri ka 214 fletë (mungon vetëm fleta 133), përmban 21 miniatura, nga të cilat dy të mëdha dhe 19 të vogla. Germat fillestare të pjesëve janë shkruar me ngjyra, disa prej tyre në ar, me simbole të fesë dhe të kishës së krishterë.

Ka të incizuar dhe stemën e familjes Di Capua, kurse në fund të Librit ka katër faqe me njoftime rreth familjeve Di Capua dhe Altavilla. Është botuar disa herë fotokopja e faqes së parë, teksti i së cilës është rrethuar me një kornizë të dekoruar me gravura të vogla, njëra nga të cilat, më e madhja paraqet figurën e Krishtit.

Në fund të faqes së parë është vizatuar medaljoni me stemën e Skënderbeut. Pas vdekjes së Heroit, Librin e Uratave e morën familjarët e tij në Itali. Më vonë ky Libër ra në duart e botuesit anglez C.G.St. John Homby, prej të cilit e bleu Roland Abey (Greyfriar, Angli). Sot ndodhet në fondet e Shtëpisë Botuese „Shelley House", në Çelsi (Chelsea) të Londrës.

Askush deri më sot nuk e ka shfletuar dhe nuk ka vjelë informacionin e duhur për këtë libër të çuditshëm që titullohet në latinisht OFFICIUM BEATAE MARIAE VIRGINIS". Ky libër në pergamenë është një koleksion pikturik dhe shkrimor i shkëlqyer. Germa e parë nistare e këtij libri lidhet me një ikonë në miniaturë të shën Mërisë dhe Krishtit, futur në një katror. Në pjesën e sipërme të faqes së parë është një portret mashkullor, i panjohur, në anën e djathtë të faqes së parë është portreti i një burri me mjekër, që ka shumë gjasa të jetë vetë portreti i Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Kjo mundësi plotësohet nga logjika që poshtë faqes ndodhet shqiponja dykrenare, stema heraldike e Skënderbeut, rreth së cilës janë tetë figura fëmijësh të llojit erosë. Si ka mundësi që kanë kaluar shekuj dhe asnjë bibliograf nuk ka marrë mundimin të shkojë në Londër dhe ta konsultojë dhe hulumtojë këtë libër? Para disa ditësh unë i shkrova një letër Shtëpisë Botuese „Shelley House" në Londër, duke u lutur që t'i dërgonte Muzeut Historik Kombëtar një kopje të fotokopjuar me ngjyra të këtij libri. Ky libër ka rëndësi të shumëfishtë.

Së pari, ai është një dhuratë e rangut mbretëror, pra i kushtueshëm dhe tepër i rrallë. Së dyti, libri përmban uratat në latinisht kushtuar shën Marisë, pra, është një libër tekstual kishtar, ritual dhe ndoshta teologjik.

Së treti, libri është një dokument historik dhe ka shënime biografike për dy familje të Napolit, Di Capua dhe Altavilla, por edhe për vetë Gjergj Kastriot Skënderbeun. Pra mund të zbulohen në të njoftime historike të klasit të parë. Ky libër uratash ka qenë formuluar për ritualin e kishës roman e katolike, ç'ka e bën atë një dëshmi substanciale, që e lidh Skënderbeun më tepër me krishterimin perëndimor, por jo pa lidhje ma të lindor.

Ky libër është një metaforë jo vetëm për Skënderbeun si aleat i Napolit, por edhe si mbrojtës real dhe potencial i vetë Italisë nga pushtimi kobzi osman. Libri duhet ti jetë dhuruar Skënderbeut nëpërmjet një ceremonie, ndoshta dhe me dhurata të tjera.

Ky libër ka qëndruar për dy-tre vjet në bibliotekën rezidenciale të Skënderbeut, ka qenë një dhuratë tepër e çmuar për të ndaj dhe familjarët e tij kur emigruan në Napoli e kanë marrë me vete. Për fatin e mirë ky libër nuk humbi dhe ekziston si një substancë e gjallë kulturore dhe historike, pavarësisht indiferencës kriminale dhe të pashpjegueshme ndaj tij.

Libri i dytë – Kodiku i Skënderbeut në Valmar

Libri i dytë që i ka takuar Bibliotekës së Skënderbeut sot ndodhet në Bibliotekën Kombëtare të Vajmarit (Veimarit). Për këtë libër për herë të parë është shkruar në të përkohshmen arbëreshe "La Nazione Albanese" (Kombi Shqiptar) të 15 shkurtit 1900, që botohej në Catanzaro, nga publicisti arbëresh Anselmo Lorecchio.

Artikulli i quajtur "Libri i Skënderbeut është botuar në italisht, në të thuhet se në Bibliotekën e Dukës së Madh të Vaimarit ruhet një dorëshkrim, in foglio, i mbiquajtur si Libri i Skënderbeut, ose Libri i Çudirave. Libri ka 325 fletë në pergamenë, është zbukuruar në çdo anë me figura me ngjyra dhe me bojë Kine, ky libër në dorëshkrim përbëhet në dy pjesë, pjesa e parë i takon shekullit XV, ndërsa e dyta shekullit XVI. Për ne interes të veçantë ka pjesa e parë e librit.

I ndjeri Prof. Jup Kastrati ka shkruar studimin, „Libri i Skënderbeut, botuar në revistën Ylli, viti 1980, nr. 12. Kastrati citon disa të dhëna tepër interesante për këtë dorëshkrim, të dhëna të nxjerra nga një fjalor i llojit Larousse, botuar në Paris në 1875, si dhe një shkrim të dijetarit Cesare Cantu në vitin 1843. Historiani Cantu ka qenë mik i ngushtë i poetit të madh arbëresh De Rada. Sipas Cantu, ky libër i është dhuruar Gjergj Kastriot Skënderbeut nga Ferdinandi i Aragonës në Napoli.

Në vitin 1910 në një libër të botuar në Romë për Shqipërinë, Arturo Galanti e përmend si një fakt real librin e Skënderbeut. Në 26 qershor 1967 Biblioteka Kombëtare e Tiranës i drejton një letër bibliotekës së Vaimarit në Gjermani, për një informacion më të plotë për Librin e Skënderbeut.

Më 15 gusht 1967 Biblioteka e Vaimarit i kthen përgjigje Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, ku thuhet se dorëshkrimi i mbiquajtur Libri i Skënderbeut ndodhet në fondin e tyre. Ky kodik në pergamenë ka qenë blerë në vitin 1590 nga Christoffel von Wellenrodt në Varshavë dhe në vitin 1621 i shitet përsëri Princit të Vaimarit, Johan Ernst von Sachsen – Veimar.

Qysh nga viti 1641 nuk ka luajtur më nga Vaimari. Ky kodik me vizatime është një variant që ngjan me librin e quajtur "Bellifortis", dhe ka bërë parathënien në një libër të botuar në Gjermaninë Perëndimore në vitin 1965.

Shkrimi i Jup Kastratit ka një informacion, që na bën të mendojmë për Librin e Skënderbeut. Për këtë libër ka shkruar dhe Aleks Buda. Por as Kastrati dhe as Buda nuk arritën ta shohin me sytë e tyre Librin e Skënderbeut. Libri është në Vaimar dhe në ditët e sotme është absolutisht një gjë e lehtë, për ta parë dhe për ta konsultuar.

 

Çfarë përmban libri i Skënderbeut?

Çfarë përmban Libri i Skënderbeut? Pjesa e parë që i takon shekullit XV ka një numër vizatimesh makinash dhe veglash ushtarake, që përdoreshin për rrethime kështjellash, armë të ftohta dhe armë zjarri, topa, bombarda, kulla dhe shkallë ngjitëse në bedena, mjete për minatorë, pajime për ura, mullinj të ndryshëm, madje dhe mullinj dore.

Por aty janë paraqitur dhe kompozime me skena lufte, duele dhe dyluftime me shpatë, ecje me këmbë, luftë kalorësish me heshta mbi kuaj me kas, ecje të formacioneve të ushtrisë, zhvillime të ndryshme strategjike, rregulla luftimi etj. Pra, është një enciklopedi luftarake. Pikërisht këtë ka pasur në duar Skënderbeu. Pjesa e dytë, që i takon shekullit XVI është një plotësim. Natyrisht Skënderbeu s'ka mundur ta shohë me sytë e tij këtë pjesë të dytë.

Kjo pjesë e dytë ka një karakter gjithëpërfshirës, ka skena të jetës publike europiane, por dhe skena private, ka portrete artizanësh, tregtarësh, furrtarësh, rrobaqepësish, peshkatarësh, fshatarësh, piktorësh, muzikantësh, astronomësh, mjekësh, mëndafshbërësish, orendi shtëpiake, enë gjellëtoreje, lojëra sportive me rrathë, burrash dhe grash, kitara, harpa, organone, balerina, pehlivanë, lojtarë kupash, subjekte emblematike dhe simbolike si dhe skena që paraqesin sëmundje siç është shërimi i syve por dhe prova të mundimit me anën e të gjitha mjeteve të ndëshkimit. Një mjedis europian, tipologjik i shekullit XVI në Europë, të shekullit të Barletit dhe të Gjon Buzukut.

 

Libri "Bellifortsis"

Nuk duhet harruar një hollësi tepër interesante, që na e kumton Dr. Robert Elsie. Një variant i tekstit „Bellifortis", ruhet në muzeun Conde „Musee Conde) në Shato dë Shantiji (Chateau de Chantilly) i datuar në 1405 ky tekst ka një shtojcë prej 29 rreshtash mbi dorëshkrim. Libri „Bellifortis" është një traktat i njohur mesjetar, në pjesën më të madhe në latinisht mbi armët dhe fortifikimet ushtarake, shkruar dhe realizuar nga inxhinieri dhe pirotekniku gjerman Konrad Kyezer (1366-1405). Shtojca prej 29 rreshtash, sipas Elsies, është një tekst misterioz, që merret me ritet e pagëzimit, ku bën pjesë me një farë ceremonie të pjekurisë seksuale.

Tetë rreshta sipas Dr. Elsies janë ndoshta në shqipen e hershme të ndërfutura në tekstin latin. Për këto rreshta kam shkruar dhe unë në librin tim „Motive arkeologjike", botuar në vitin 1990. Mister është origjina e tekstit „Bellifortis".

„Si ka përfunduar, shkruan Elsie ky dokument i hershëm i shkruar i shqipes, po ta quajmë kështu, në një dorëshkrim për punime xheniere dhe fortifikuese në ushtri në Shato dë Shantiji? Dihet se Karli Anzhu zbriti në Vlorë në 1269 dhe tre vjet më vonë e shpalli veten Rex Albaniae. Sundimi anzhuin, francez në Shqipëri zgjati deri në mesin e shekullit XIV dhe përfundoi në kthimin e disa viseve të Shqipërisë Veriore në katolicizëm.

Elsie hamendëson, se disa nga këta katolikë, ose të paktën disa klerikë frëngj me një farë njohjeje të shqipes duhet të kenë ikur nga vendi dhe të kenë vajtur në Itali dhe Francë, kur u larguan frankët. Prandaj është fort bindëse që folës të shqipes të gjendeshin në Francën e shekullit XIV dhe XV ku është ruajtur ky tekst prej tetë rreshtash, ndoshta në shqipen më të hershme".

***

Folën për dy libra të bibliotekës së Skënderbeut, për dy subjekte pikante, të pazakonta. Tekstet janë në latinisht, një provë e tërthortë kjo, që tregon, se Skënderbeu duhet të ketë ditur latinisht. Librat në fjalë janë të vetmet relike, të mbetura nga një bibliotekë e tërë.

Që Skënderbeu ka qenë me një kulturë të madhe dhe intelektual i formuar, madje me një modul kulturor të Rilindjes Europiane, duket qartë në përcaktimin nga Skënderbeu vetë i simboleve të tij zyrtare, ai e njeh heraldikën e shqiponjës dykrenare, unaza e tij sekrete ka një skenë mitologjike të Ledës virgjëreshë dhe të Zeusit në formë mjellme, ai në një letër të tij flet për „kronikat tona", ka një koncept kulturologjik shqiptar për Epirin, për origjinën e kombit shqiptar, origjinë vendase që e ndërlidh edhe me Aleksandrin e Madh, edhe me Pirron e Epirit.

Në letrat e tij Skënderbeu citon edhe frazën monumentale „dua të jem mik i virtytit dhe jo i fatit", koncept ky i shkollës filozofike të stoikëve. Këto dy libra sëbashku me reliket origjinale të Skënderbeut, që ndodhen në Vjenë, si dhe tre këmbanat origjinale të kohës së tij, përbëjnë një koleksion prej tetë objektesh që lidhen drejtpërdrejt me Gjergj Kastriot Skënderbeun, ç'ka tregon se kemi një dokumentacion autentik muzeologjik, me vlera të jashtëzakonshme.

Ky koleksion duhet me rastin e 600 vjetorit të lindjes së Heroit të bëhej i mundur të ekspozohej në Muzeun Historik Kombëtar, sepse do të admirohej nga një audiencë shumë e madhe. Amen!

***

Në emër të Muzeut Historik Kombëtar i dërguam dy letra librarisë në lagjen Chelsea në Londër si dhe bibliotekës së Vaimarit. Me korrektësi na u kthyen përgjigjet.

Në rastin e parë përgjigjja qe se fondi i vjetër i librarisë londineze qe transferuar dhe se në fund të muajit shtator do t'i dërgohej Muzeut historik kombëtar një përgjigje me një adresë bibliografike përfundimtare. Në rastin e dytë Biblioteka e Valmarit dërgoi me CD të kopjuar në formë dixhitale tërë librin që në skedarin e tyre mbiquhej Kodiku i Skënderbeut.

Këtë të fundit Muzeu Historik Kombëtar dhe une e   botova  të tërin në një publikim të veçantë. Kjo perbën  një ngjarje kulturore e klasit të parë.

 

 

 

Arkitekti i Bulevardit dhe i Terminalit të Tiranës merr Medaljen e Artë Mbretërore në Britani

Posted: 28 Sep 2018 01:22 AM PDT

Projektet e mëdha të Tiranës kanë marrë vlerësimet më të larta në rrethet arkitekturore të botës. Pas arkitetit të Teatrit të Ri Kombëtar, Bjarke Ingels, vjen një tjetër vlerësim i madh për arkitektin e Bulevardit të Ri dhe të Terminalit të Autobusëve në Tiranë, i cili nderohet së fundmi me çmimin më të lartë të Mbretërisë Britanike.

Arkitekti i dy projekteve që po marrin jetë në Tiranë, Sir Nicholas Grimshaw është vlerësuar me Medaljen e Artë Mbretërore për arkitekturë, e cila miratohet personalisht nga Mbretëresha e Anglisë dhe i jepet një personi ose një grupi njerëzish që kanë pasur ndikim të rëndësishëm “drejtpërdrejt ose tërthorazi, në avancimin e arkitekturës”.

Instituti Mbretëror i Arkitektëve Britanikë (RIBA) vlerësoi “qasjen e jashtëzakonshme inovative të Sir Nicholas Grimshaw për arkitekturën dhe stilin e tij modernist”.

Ai është përgjegjës për një numër të jashtëzakonshëm të ndërtesave dhe projekteve të infrastrukturës me rëndësi ndërkombëtare, si dhe për zhvillimin e vazhdueshëm të një arkitekture që e vendos teknologjinë në zemër të estetikës.

Sir Nicholas Grimshaw, arkitekti i njohur britanik, i famshëm për ndërtesat e tij moderniste dhe projektet e infrastrukturës në gjithë botën vlerësohet edhe si një frymëzim për gjeneratën e ardhshme të arkitektëve.

Përveç Bulevardit të Ri të Tiranës, studio prestigjioze ndërkombëtare "GrimshawArch" ka projektuar edhe Terminalin e Autobusëve në pjesën hyrëse të qytetit, nga ana perëndimore, që parashikon kushte moderne për lëvizjen e autobusëve dhe shpërndarjen e pasagjerëve, nëpërmjet mjeteve të tjera të transportit.

Gjithashtu, ai parashikon mjedise ndihmëse për mirëmbajtje, shërbime e furnizime të mjeteve të transportit; ambiente sociale dhe hoteleri, për akomodimin e udhëtarëve. Stacioni "Tirana Bus Terminal" do të ndërtohet në afërsi të kthesës së Kamzës.

 

o.j/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more