Skip to main content

“Gara për studimet master, kriteret për fituesit në mësuesi” plus 9 more - Gazeta Dita

“Gara për studimet master, kriteret për fituesit në mësuesi” plus 9 more - Gazeta Dita


Gara për studimet master, kriteret për fituesit në mësuesi

Posted: 27 Sep 2018 01:59 AM PDT

Ndryshe nga institucionet e tjera të arsimit të lartë, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, pjesë e Universitetit të Tiranës, ka vendosur që aplikimet për pranimet e reja në ciklin e dytë të studimeve  "Master profesional", si dhe "Master Shkencor", t'i çelë në datën 1 tetor. Sipas afateve të përcaktuara, studentët që disponojnë një diplomë të nivelit të parë, kanë të drejtë të konkurojnë në 16 programet e studimit të këtij fakulteti deri në datën 12 tetor.

Gara edhe në këtë rast do të zhvillohet me anë të dosjes, ku kriter në përzgjedhje do të jetë jo vetëm mesatarja e studimeve të nivelit të parë, por edhe kushtet preferenciale të vendosura nga vetë fakulteti në lidhje me institucionet ku aplikuesit kanë përfunduar studimet e ciklit "bachelor".

Për vitin e ri akademik 2018-2019 në këtë fakultet garohet për 1045 të drejta studimi, prej të cilave 665 janë kuota për programet master të nivelit profesional, si dhe 380 për programet e nivelit shkencor. Ndarjen e plotë të kuotave për secilin cikël, si dhe kriteret e përzgjedhjes së fituesve i gjeni të detajuara në tabelat bashkangjitur shkrimit.

Afatet e aplikimit

"Aplikimet në programet e studimit të ciklit të dytë master me kohë të plotë për të gjitha kategoritë e kandidatëve do të zhvillohen pranë sekretarisë mësimore përkatëse të këtij fakulteti. Pranimi i kërkesave bëhet në datat 1-12 tetor.

Me përfundimin e aplikimeve, bëhet e ditur se në datat 22-29 tetor do të  shpallen dhe afishohen listat e aplikantëve fitues në mjediset e fakultetit, të ndara sipas programeve të studimit, si dhe të renditura sipas rendit zbritës të pikëve të grumbulluara nga aplikantët në përputhje me kuotat e pranimeve, të miratuara", bëjnë me dije drejtuesit e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë.

Kanë të drejtë të aplikojnë:

Sipas kushteve të përcaktuara, kanë të drejtë të aplikojnë për programet e ciklit të dytë, kandidatët që kanë përfunduar me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse të vlefshme në Republikën e Shqipërisë, në një program të ciklit të parë, i cili rezulton i licencuar në momentin e regjistrimit të studentit dhe akredituar në momentin e diplomimit të studentit, si dhe studentët që janë diplomuar jashtë vendit në një program studimi të ciklit të parë, të licencuar dhe akredituar. Në rast pranimi kandidati është i detyruar të kryejë njësimin e diplomës pranë MASR/QSHA, brenda muajit dhjetor 2018.

Dosja e dokumenteve që duhet të dorëzoni:

Sikundër u theksua më lart, konkurimi do zhvillohet me anë të dosjes. Në këto kushte, kandidati paraqitet personalisht,  ose nëpërmjet personit të autorizuar prej tij dhe dorëzon dokumentacionin e duhur. Në dosje duhet që të përfshijë diplomë ose fotokopje të saj të njësuar me origjinalin, të ciklit të parë të studimeve të përfunduar në Republikën e Shqipërisë.

Pjesë e dosjes duhet të jetë edhe Diploma e ciklit të parë të studimeve të përfunduar jashtë vendit e shoqëruar me fotokopje të diplomës të njësuar me origjinalin, ose në mungesë të saj, të një dokumenti tjetër zyrtar mbi bazën e të cilit është kryer njësimi në vendin tonë.

Gjithashtu duhet të dorëzoni edhe diplomën e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave, ose fotokopje të tyre të njësuara me origjinalin, e konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore (DAR/ZA).

Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara hyrjes në fuqi të vendimit nr. 876, datë 3.11.2010, të Këshillit të Ministrave, duhet të paraqesin Dëftesën e Pjekurisë (origjinal ose në rast fotokopjeje të saj, të njësuar me origjinalin, të konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore DAR/ZA).

Nëse kandidatët nuk posedojnë dëftesë pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesin dublikatë të dëftesës së pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme ku ka përfunduar shkollën dhe të konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore (DAR/ZA) ose dokumentin e lëshuar nga Arkivi i Shtetit së bashku me listën e notave.

Dokumente të tjera që duhen janë edhe formulari i aplikimit sipas formatit të përcaktuar, fotokopja e dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë, si dhe dy fotografi personale.

Dokumentet shtesë për shtetasit e huaj dhe kategoritë e veçanta

Dokumentacion shtesë vetëm për shtetasit e huaj përfshinë dëshminë e njohjes së gjuhës shqipe, fituar në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës (për rastet kur regjistrohet në një program studimi që zhvillohet në gjuhën shqipe), si dhe të gjuhëve të tjera të njohura nga kandidati. Shtetasit e huaj që kanë kombësi shqiptare dhe kanë njohuri shumë të mira të gjuhës shqipe mund të sjellin çdo dokument nga vendi i origjinës që provon njohjen e gjuhës shqipe.

Nga ky detyrim përjashtohen shtetasit e huaj që kanë përfunduar një cikël apo program studimi në gjuhën shqipe në institucione të arsimit të lartë në Shqipëri. Shtetasit e huaj që aplikojnë, në bazë të marrëveshjeve dypalëshe, përjashtohen nga tarifat e shkollimit në përputhje me marrëveshjet e lidhura. Duhet të dorëzoni edhe Curriculum Vitae, si dhe deklaratën me shkrim. Ndërsa dokumentacion shtesë vetëm për kandidatët e kategorive të veçanta, duhet të përfshijë:

"Kandidati me statusin e personit me aftësi të kufizuara duhet të dorëzojë dhe fotokopjen e noterizuar të librezës së lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror ose kopje të noterizuar të vendimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), kandidati me statusin e jetimit, duhet të dorëzojë dhe fotokopjen e noterizuar e dokumentit që certifikon statusin e jetimit të lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror, si dhe kandidati nga komuniteti rom dhe ballkano-egjiptian, duhet të dorëzojë dhe vetëdeklarim, ose një dokument që vërteton që është rom apo ballkano-egjiptian".

Ankimimi dhe regjistrimi i fituesve

Sipas udhëzimeve, pas shpalljes së listës paraprake të fituesve, kandidatët kanë të drejtën e ankimit, brenda tri ditëve kalendarike nga dita e shpalljes së rezultateve. Fakulteti shprehet me vendim të argumentuar lidhur me ankimimin brenda dy ditëve pune nga data e paraqitjes së ankesave. Pas kësaj procedure, fituesit do të mund të kryejnë procesin e regjistrimit për të marrë statusin e studentit të masterit. Regjistrimi i kandidatëve në programet e studimit ku janë shpallur fitues do të zhvillohet pranë sekretarisë mësimore në datën 30 tetor-6 nëntor.

Kuotat për programet "Master i shkencave"

Gjuhësi, me profil Gjuhësi e Sotme     25

Gjuhësi, me profil Gjuhësi e Historike 15

Studime Letrare, me profile teori letërsie dhe kritikë letrare, letërsi e përgjithshme dhe letërsi e krahasuar, si dhe studime letrare dhe antropologji kulturore       50

Histori  50

Marrëdhënie Ndërkombëtare   40

Trashëgimi Kulturore   25

Arkeologji        25

Gjeografi         50

Gazetari dhe Komunikim me profile: Marrëdhënie publike, gazetari evropiane dhe ndërkombëtare, komunikimi ndërkulturor, marketing mediatik, drejtim dhe menaxhimi i medieve  100

 

Kuotat për programet "Master profesional"

  • Mësuesi në Histori për arsimin e mesëm 170
  • Mësuesi në Gjeografi për arsimin e mesëm 170
  • Mësuesi në Gjuhë Letërsi për arsimin e mesëm 170
  • Arkivistikë 50
  • Redaktori 50
  • Guidë turistike 30
  • Sistemi i Informacionit Gjeografik të Aplikuar 25

 

Kriteret e përzgjedhjes së fituesve në "Master profesional" në Mësuesi

  • Kanë përparësi studentët të cilët kanë përfunduar studimet "Bachelor", në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë.
  • Studentët që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë në degë njëjta në universitete publike dhe private të akredituara.
  • Studentë të cilët janë diplomuar jashtë vendit në universitete me programe të njëjta, ose të përafërta, të akredituara.
  • Renditja e secilit fitues bëhet sipas kritereve të mësipërme duke respektuar notën mesatare.

 

Kriteret e përzgjedhjes së fituesve në "Master i shkencave"

  • Në përzgjedhje kanë përparësi studentët të cilët kanë përfunduar studimet "Bachelor", në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë.
  • Studentët që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë në degë të njëjta të universiteteve publike të akredituara.
  • Studentët që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë në degë të përafërta të Universitetit të Tiranës.
  • Studentë të cilët janë diplomuar jashtë vendit në Universitet me programe më lëndë të njëjta ose të përafërta.
  • Studentë që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë në degë të njëjta apo të përafërta të Universiteteve private të akredituara.
  • Renditja e secilit fitues bëhet sipas kritereve të mësipërme duke respektuar notën mesatare.
  • Kandidatët duhet të kenë dhënë një prej pesë gjuhëve të huaja të BE-së, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht, në nivelin B!, sipas Vendimit nr.18, datë 13.07.2016, të Senatit Akademik të UT-së.

 

Kriteret e përzgjedhjes së fituesve në "Master profesional" për degët e tjera

  • Kanë përparësi: studentët të cilët kanë përfunduar studimet "bachelor, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, si dhe studentët që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë në degë njëjta në universitete publike dhe private të akredituara.
  • Studentë të cilët janë diplomuar jashtë vendit në universitete me programe të njëjta ose të përafërta, të akredituara.
  • Renditja e secilit fitues bëhet sipas kritereve të mësipërme duke respektuar notën mesatare.

 

 

Vodhi para në një lokal, arrestohet 27-vjeçari nga Gramshi

Posted: 27 Sep 2018 01:48 AM PDT

 

Policia ka arrestuar një 27-vjeçar nga Gramshi, pasi dyshohet se ka vjedhur para në lokalin e shtetasit M.K., 28 vjeç.

I arrestuari i identifikuar si: Adriatik Vlashi, banues në fshatin Gjergjovin të Gramshit dyshohet se ka vjedhur edhe depozitën e ujit të shtetasit Xh.H.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprën penale "Vjedhja", parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.

l.h/ dita

Droga në shkollë, emisioni “Stop”… dhe Policia e Shtetit!

Posted: 27 Sep 2018 01:48 AM PDT

Nga Luan Rama

Emisioni “Stop” risolli këto ditë edhe një herë në vëmendjen e opinionit publik me pamje, pra me zë e me figurë siç është bërë e modës të thuhet, problemin e madh të shpërndarjes, shitjes e përdorimit të drogës nëpër shkollat e kryeqytetit!

E vërteta është alarmante, gjendja është skandaloze, e më alarmante e skandaloze se kjo e vërtetë, është indiferenca kriminale dhe mosveprimi i institucioneve shtetërore përgjegjëse!

Emisioni “Stop” na zbulon vetëm majën e aisbergut të një epidemie që përhapet shkollë më shkollë, ndërkohë që nëse kthehemi vetëm pak ditë më pas në kohë e të kujtojmë ceremonitë e çeljes së vitit mësimor, do të na rishfaqen fjalimet bajate e fytyrat e impostuara deri në ngërdheshje që ngjallin neveri prej grimasava të pështira, të Kryeministrit e të të tjerëve pas tij që e imitojnë shëmtuar, për gjoja “masat e shkëlqyera të marra për fillimin e vitit të ri mësimor”.

E në gjithë këtë butafori të transmetuar prej ERTV-së, nuk munguan as deklaratat e Policisë së Shtetit, sipas të cilës, “…policia ka marrë një sërë masash për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike me nisjen e vitit të ri shkollor.

Midis masave është shtimi i patrullave në orët e lëvizjeve më të mëdha në afërsi të shkollave… mbylljen apo largimin e lokaleve të tregtisë dhe pikave ambulante të shitjes që tregtojnë pije alkoolike, produkte ushqimore të skaduara apo në ndonjë rast dhe lëndë narkotike pranë shkollave” e të tjera e të tjera si këto!
Ballafaquar me të vërtetat që transmetoi emisioni “Stop”, rezulton se masat paskan qenë vetëm në fjalimet e pështira, për sa kohë oborret e korridoret e shkollave janë “pushtuar” prej trafikantëve të drogës!
Dhe si për ironi, ndërsa pas emisionit “Stop” duhej të ngrihej menjëherë në alarm e në këmbë i gjithë shteti, gjithçka u kalua me një përgjigje klishe nga ana e drejtorisë së policisë së Tiranës, a thua se ky problem është çështje që ju përket vetëm strukturave të Policisë së Shtetit!

Asnjë analizë se përse nuk kanë funksionuar masat që u proklamuan në nisje të vitit të ri shkollor, asnjë konkluzion se kush mban përgjegjësi për gjëndjen kriminale në mjediset e shkollave të kryeqytetit dhe se përse shërbimet e policisë pranë shkollave nuk kanë funksionuar, dhe ç’është më kryesorja, asnjë masë konkrete që të na bindë se situata do të përmirësohet!

Pra thënë shkurt, droga do të vazhdojë të shpërndahet e të mbysë nëpër shkolla, emisioni “Stop” do të vazhdojë të denoncojë përsëri me të njejtën ndjenjë përgjegjësie qytetare, e drejtoria e policisë së Tiranës do të bëjë përsëri deklaratën e rradhës!…

Ndërsa institucionet në varësi të ministrisë së arsimit, ato të shëndetësisë, një varg i tërë inspektoriatesh e vetë drejtoritë e shkollave, do të vazhdojnë të na flasin e shkruajnë për masat e shkelqyera që kanë marrë për sigurinë dhe normalitetin nëpër shkollat tona!

Xhaçka: Shqipëria, rol konstruktiv në sigurinë e rajonit

Posted: 27 Sep 2018 01:45 AM PDT

 

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka mori pjesë në takimin Ministror të Mbrojtjes të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Presidencës Austriake të Këshillit të Bashkimit Evropian. Takimi, i mbajtur në Graz të Austrisë ishte një nismë e Ministrit të Mbrojtjes të Austrisë, Mario Kunasek, në kuadër të aktiviteteve të organizuara nga pala austriake për prioritetet në fushën e mbrojtjes.

Ministrja Xhaçka, në fjalën e saj tha se platformat e tilla komunikimi përmirësojnë më tej dialogun e strukturuar midis Bashkimit Evropian dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor në nivel të sigurisë dhe mbrojtjes.

"Trajtimi i sfidave të sigurisë mbetet një nga prioritetet tona kryesore, pasi është një interes i përbashkët për të pasur një kujdes të veçantë për rajonin tonë. Megjithëse kërcënimet e sigurisë po bëhen shumë të ndryshme në zonën euroatlantike, ne kemi bërë një përparim të shkëlqyer në drejtim të sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria vazhdon të luajë një rol konstruktiv duke prodhuar siguri për rajonin ", tha Ministrja Xhaçka në fjalën e saj.

Duke u ndalur në referendumin që pritet të mbahet në Maqedoni ditën e djelë, Ministrja e Mbrojtjes tha se: kemi besimin e plotë se ky referendum do jetë një hap i sigurtë në drejtim të paqes, sigurisë dhe prosperitetit jo vetëm për qytetarët maqedonas por për të gjithë rajonin.

Ministrja Xhaçka i njohu homologët e Austrisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës me strukturat e rëndësishme të sigurisë dhe bashkëpunimit që vendi ynë pritet të drejtojë gjatë vitit të ardhshëm, si: Karta e Adriatikut, Procesi i Ministrit të Mbrojtjes të Evropës Juglindore (SEDM), si dhe Verifikimi Rajonal i Kontrollit të Armëve dhe Qendra e Asistencës për Zbatimin (RACVIAC).

Të gjitha këto, tha Ministrja Xhaçka, janë tregues i pjekurisë dhe aftësisë së Shqipërisë për të drejtuar procese të rëndësishme në fushën e sigurisë.

Ministrat e Mbrojtjes nënshkruan në fund të takimit deklaratën e përbashkët, për thellimin e bashkëpunimit mes vendeve për përballimin e sfidave në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

o.j/dita

VAR-i ndëshkon sërish Barcelonën

Posted: 27 Sep 2018 01:44 AM PDT

Një program sportiv spanjoll zbuloi se goli i parë i Leganesit ishte në pozicion jashtë loje, në humbjen e papritur të Barcelonës me rezultatin 2-1, ditën e mërkurë.

Me anë të pamjeve filmike, "El Chiringuito" zbuloi se Jonathan Silva u nis në pozicion jashtë loje prej 16 centimetrash.

Ky rast vjen vetëm disa ditë pasi Barcelona kritikoi VAR-in pas ndëshkimit me të kuq të Lenglet ndaj Gironës, ndeshje që katalanasit e barazuan 2-2 në Camp Nou. "Lenglet bën një lëvizje natyrale, nuk është agresion. Pati kontakt, por topi ishte në tokë. VAR-i duhet të ketë të njëjtin kriter për të gjithë", theksoi mesfushori i Barcelonës.

Edhe trajneri Ernesto Valverde nuk është dakord me kartonin e kuq: "Nuk jam dakord me VAR-in. Mendova se gjyqtari po shikonte nëse sulmuesi goditi mbrojtësin tim. Nuk kishte fare agression".

l.h/ dita

Laboratori kinez i hapësirës “Tiangong 2” pritet të zhytetnë Tokë në korrik të 2019-s

Posted: 27 Sep 2018 01:32 AM PDT

 

Një laborator i dytë hapësinor kinez pritet të hyjë në atmosferën e Tokës në korrik të vitit 2019.

Sipas asaj që shkruajnë mediet e huaja, laboratori do të shkatërrohet në mënyrë të kontrolluar.

Lajmi vjen 6 muaj pasi laboratori i parë hapësinor i Kinës, "Tiangong 1" pushtoi lajmet ndërkombëtare kur doli nga orbita dhe ra në mënyrë të pakontrolluar. Ai ra në jug të oqeanit Paqësor në prill, duke u djegur kryesisht në atmosferë, përpara se të binte në ujë.

Laboratori hapësinor "Tiangong 2" ka qëndruar në orbitë për dy vite, pasi u lëshua në vitin 2016. Sipas medies shtetërore kineze, ai ka çuar deri në fund 14 projekte dhe mbante një ngarkesë 600 kg.

"Tiangong-2 ka përmbushur misionin gjatë periudhës dyvjeçare dhe të gjithë parametrat janë tashmë në gjendje të mirë", thanë zyrtarët e agjencisë hapësinore kineze.

Sipas tyre, ai do të qëndrojë në orbitë deri në korrik të 2019-s, e më pas do të nxirret prej saj në mënyrë të kontrolluar.

Në vitin 2016, dy astronautë qëndruan një muaj në "Tiangong 2", në kuadër të misionit hapësinor më të gjatë që Kina kishte kryer ndonjëherë, e sipas medies shtetërore kryen eksperimente të lidhura me mjekësinë, fizikën dhe biologjinë.

"Tiangong 2" ka kaluar në orbitë më pak se gjysmën e kohës së paraardhësit të tij, "Tiangong 1", që u lançua në shtator të vitit 2011 dhe qëndroi për 5 vite funksional, përpara se të dilte nga kontrolli në mars të 2016-s.

l.h/ dita

 

“Hilton” hap dyert për turistët në kryeqytet, Veliaj: Tirana një nga qytetet më të sigurtë në Europë

Posted: 27 Sep 2018 01:29 AM PDT

Ditët e pritjes për hapjen e një prej hoteleve më të rinj e modern në kryeqytet mbaruan. Bëhet fjalë për "Hilton Garden Inn", pjesë e markës ndërkombëtare në fushën e hotelerisë Hilton, i cili nga dje i shtohet markave të njohura që ushtrojnë aktivitetin e tyre në kryeqytet.  Punët e mira të bëra në Tiranë kanë rritur ndjeshëm numrin e turistëve, ndërkohë që marka botërore e hotelerisë do të shërbejë edhe si një tërheqje për firma të tjera ndërkombëtare.

I pranishëm në ceremoninë e inaugurimit, Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se tashmë Tirana po bëhet një qendër ku mjaft kompani të njohura ndërkombëtare ushgtrojnë veprimtarinë e tyre, duke gjeneruar  edhe vende të reja pune. "Vetëm 500 metra në vijë ajrore nga bashkia dhe erdhëm në atë që sot duket si jashtështetit, që është ndoshta komplimenti më i mash që mund të japi një shqiptar për diçka që i pëlqen. Me të drejtë sepse krijon vende pune, por mbi të gjitha tregon historinë e qytetit tonë.

Jo vetëm për logon e madhe që lexon "Hilton", por edhe për këtë logon e madhe që lexon Tirana, sepse besoj që bashkë mund ta tregojmë historinë e qytetit tonë. Ne vërtet themi "bukë, e kripë e zemër", por nuk jetohet vetëm me bukë e kripë, na duhen edhe disa standarde që i sjell "Hiltoni". Dhe mbi të gjitha kjo nuk është një shtëpi me llaç e tulla, dhe me krevat, nuk është një konvikt, por është një eksperiencë, është një përvojë. Dhe jam i bindur që me sqimën e një pronari të kujdesshëm dhe me standardet që na sjell "Hiltoni", realisht do të kemi një histori autentike në Tiranë", tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë deklaroi se nëse do të shikojmë kriminalitetin në Tiranë, nivelin e sigurisë, nivelin e aksesit në ambientet publike, është sot një nga kryeqytet më të sigurta në Europë.

"Kur takoj shumë kryetarë të tjerë bashkie, edhe shikojmë statistikat, jam shumë krenar që Tirana në fakt ka statistikat më të ulëta. Ky është një qytet që mund të vish natën nga qendra, sheshi "Skënderbej, tek "Hiltoni" edhe në orën 03:00 i pashqetësuar nga askush. Ajo që ndoshta nuk bëjmë aq mirë sa të tjerët, është që nuk flasim mirë për veten. Mendojmë që të gjitha të zezat janë mbledhur këtu, por nëse shikojmë kriminalitetin në Tiranë, nivelin e sigurisë, nivelin e aksesit që ne kemi në ambientet publike, është sot një nga kryeqytet më të sigurta në Europë, doemos në rajonin tonë. Dhe jam i sigurt që të dy bashkë, me "Hiltonin" dhe me logon e Tiranës, do e tregojmë këtë histori ashtu siç ka lezet", u shpreh Veliaj.

Tiranë, arrestohet 22-vjeçari që shpërndante drogë pranë shkollave 9-vjeçare

Posted: 27 Sep 2018 01:25 AM PDT

Një i ri është arrestuar nga policia e Tiranës pasi akuzohet se shpërndante drogë në afërsi të shkollave 9-vjeçare në kryeqytet.

Së bashku me të është ndaluar edhe një shok i tij i cili po hetohet i lirë.

Policia njofton se ka arrestuar shtetasin Leonard Doka, 22 vjeç, banues në Tiranë.

"Për shtetasin Leonard Doka, disponohej informacion se shpërndante lëndë narkotike pranë shkollave 9-vjeçare të kryeqytetit (Ali Dem", "Kushtrim i Lirisë" dhe "1 Maji")"- njofton policia.

Sipas saj, në momentin që ky shtetas është konstatuar së bashku me shtetasin M. B., nga shërbimet e Policisë iu është ushtruar kontroll fizik, ku shtetasit Leonard Doka i janë gjetur 30 doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit Cannabis Sativa.

Sekuestrohen në total 32 doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit Cannabis Sativa.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me shërbimet "Shigjeta", në kuadër të planit të masave të hartuar nga D.V.P. Tiranë për identifikimin, goditjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që shesin apo tentojnë të shpërndajnë lëndë narkotike përreth ambienteve të shkollave të kryeqytetit, kanë ushtuar kontrolle gjatë të cilave u arrestua në flagrancë të shtetasi :

– Leonard Doka, 22 vjeç, banues në Tiranë.

Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi :

– M. B., 21 vjeç, banues në Tiranë.

Për shtetasin Leonard Doka, disponohej informacion se shpërndante lëndë narkotike pranë shkollave 9-vjeçare të kryeqytetit (Ali Dem", "Kushtrim i Lirisë" dhe "1 Maji"), dhe në momentin që ky shtetas është konstatuar së bashku me shtetasin M. B., nga shërbimet e Policisë iu është ushtruar kontroll fizik, ku shtetasit Leonard Doka i janë gjetur 30 doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit Cannabis Sativa.

Gjithashtu në ambientin përreth shkollës "Qemal Stafa", gjatë kontrollit të ushtruar shtetasit A. B., 24 vjeç iu gjetën dhe skuestruan 2 doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit Cannabis Sativa, ky shtetas u procedua në gjëndje të lirë për veprën penale "Prodhim dhe shitje lëndësh narkotke".

Janë sekuestruar në total në cilësinë e provës materiale :

– 32 doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit Cannabis Sativa.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale "Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike", parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasve L. D., A. B., dhe për veprën penale "Moskallzim krimi", parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasit M.B.

l.h/ dita

Denoncimi i ish-policit/ Deputeti i PS: Vajza xheloze për tim bir

Posted: 27 Sep 2018 01:19 AM PDT

Deputeti i Partisë Socialiste, Rrahman Rrahja, mohon akuzat e ngritura nga ish nënkomisari i policisë në Fushë Krujë.

Në një intervistë për Gazetën Panorama, Deputeti Rrahja shprehet se nuk e ka takuar asnjëherë oficerin e policisë Emiljano Nuhu, ndërsa i cilëson akuzat e bëra ndaj tij si sajesë.

Ai tregon dhe precedentin e djalit të tij që e lidh me stacionin e policisë së Fushë Krujës.

Deputeti socialist tregon se ka patur një denoncim nga një vajzë, me të cilën ka patur një lidhje dhe është ndarë.

E nxitur nga xhelozia, vajza ka bërë në polici një denoncim të cilin më pas e ka tërhequr. Madje, sipas tij, vajza të nesërmen e denoncimit iu përgjigj edhe akuzave për përdhunim të bëra nga ish kryeministri Berisha, duke deklaruar se familja Rrahja është një familje e nderuar në Krujë dhe nuk meritonte ato akuza.

Sipas deputetit kjo marrëdhënie xhelozie mes djalit dhe vajzës është zgjidhur mes tyre dhe nuk ka patur asnjë problematikë tjetër mes Policinë e Krujës dhe Ligjin.

Rrahja mohon gjithashtu akuzat se në stacionin e policisë ai ka qenë bashkë me të vëllanë dhe persona të tjerë siç e akuzon ish nenkomisari i Stacionit të policisë Emiljano Nuhu.

o.j/dita

Disfatë e hidhur për Angela Merkel

Posted: 27 Sep 2018 01:11 AM PDT

 

Angela Merkelit iu desh të pranojë një disfatë të hidhur. Grupi Parlamentar unionist e rrëzoi nga kreu kandidatin e Kancelares. Çfarë do të thotë kjo për qeverinë Merkel?

  1. Edhe më tej njësoj – Merkeli qeveris sikur të mos kish ndodhur gjë

Angela Merkeli mund t'i besonte fjalët që tha kryetari i ri i Grupit Parlamentar unionist, Ralph Brinkhaus. Pas zgjedhjes së tij të papritur Brinkhaus tha: "Midis kancelares dhe meje nuk mund të fusësh as një fije letër". Edhe shumë mbështetës të Brinkhausit thanë se vërtet duan një ndryshim, por nuk i vënë pikëpyetje qeverisë Merkel. Kancelarja pra mund të bëjë sikur nuk ka ndodhur gjë. Që të mërkurën ajo u takua me Brinkhausin, për të diskutuar për bashkëpunimin konstruktiv. Nëse Merkeli i përpunon temat duke iu përmbajtur ngushtë marrëveshjes së koalicionit dhe për çështjet e kontestueshme i jep Grupit Parlamentar ndjesinë se e dëgjon, Brinkhausi, ashtu si më parë Kauderi mund t'i organizojë asaj shumicat e nevojshme.

  1. Votëbesimi – Merkeli lufton për pushtetin e saj

Merkeli mori nga Grupi Parlamentar konservator një "jo" për kandidatin e saj të preferuar. Që të mos kesh shumicë te njerëzit e tu, do të thotë të mos kesh shumicë të sigurtë as në parlament. Për të verifikuar nëse koalicioni i madh i CDU/CSU dhe SPD-së e mbështet ende atë, Angela Merkeli mund të kërkojë votëbesimin në parlament. Po të merrte një mbështetje të qartë ajo mund të tregonte: deputetët i kam pas vetes, disfata në Grupin Parlamentar unionist nuk ishte një revolucion anti-Merkel. Po ta humbiste votimin, Presidenti i Gjermanisë mund ta shpërbëjë parlamentin. Epoka e Merkelit do të merrte fund. Në rastin se e fiton votëbesimin, Merkeli mbetet kancelare.

  1. Grindje në koalicion – Grupi Parlamentar me besim në vetvete

Në të kaluarën deputetët e Grupit Parlamentar janë ndierë shpesh si marioneta të Zyrës Kancelarore. Tani ata duan të tregojnë pavarësinë dhe kompetencën e tyre. Me nisma ligjore vetjake dhe me kundërpropozime ndaj qeverisë ata mund të përpiqen të krijojnë profil. Kjo mund të rrezikonte jo vetëm stabilitetin e Kancelares, por edhe paqen e koalicionit me SPD. Volker Kauderi i ka propozuar në të kaluarën koalicionit shpesh kompromise dhe shpesh mendonte edhe për interesat e socialdemokratëve. Po të kërkojë tani Grupi Parlamentar nën Brinkhausin politikë të kulluar konservatore, kjo mund t'i zemërojë socialdemokratët dhe të çojë në fundin e parakohshëm të koalicionit.

  1. Tërheqje – Merkeli jep edhe më tepër pushtet

Nëse pas zgjedhjeve që priten në Bavari dhe në Hessen, Merkeli do të ndodhet edhe më shumë nën presion, për shkak të rezultateve eventuale jo të mira të konservatorëve, mund të dëgjohen kërkesa për dorëheqje. Merkeli do të kishte atëherë alternativën që në kongresin e CDU-së në dhjetor në Hamburg të mos kandidojë më për kryetare dhe të hapë rrugën për kryetarë të rinj partie. Pas kësaj ajo ose mund të vazhdojë të qeverisë e dobësuar fort, ose t'i japë fund ushtrimit të detyrës si Kancelare. Në të kaluarën Angela Merkeli ka theksuar herë pas here se e konsideron me vend, kur Kancelarja është edhe kryetare partie.

  1. Lame Duck – Hapësira e veprimit të Merkelit në botë rrudhet

Në plan ndërkombëtar Merkelin e kërcënon ai fat, të cilin iu desh ta përjetojnë shumë drejtues shtetesh para saj: statusi i një "lame duck", i një njeriu të pafuqishëm. Një figure pra që është në largim dhe që nuk do të ketë për një kohë të gjatë më pushtet. Me dështimin në votimin e Kauderit është bërë edhe njëherë e qartë se baza e pushtetit të Merkelit lëkundet.  Në plan ndërkombëtar Merkeli vazhdon të respektohet fort dhe të nderohet, por dobësia në Gjermani regjistrohet. Kësaj i shtohet që koalicioni i ri mund të kufizonte edhe hapësirën e saj të veprimit në politikën botërore. Në të kaluarën, Kancelarët gjermanë i zgjidhnin punët shumë herë me para. Politikani i ashpër për buxhetin, Brinkhaus mund t'i vërë Merkelit këtu kufij të ngushtë. Për Emmanuel Macronin, Jean-Claude Junckerin ose Tsiprasin ky mund të ishte një lajm i keq./dw

l.h/ dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more