Skip to main content

“Trump fajëson Kinën për pengim të bisedimeve me Korenë e Veriut” plus 9 more Gazeta SHQIP

“Trump fajëson Kinën për pengim të bisedimeve me Korenë e Veriut” plus 9 more Gazeta SHQIP


Trump fajëson Kinën për pengim të bisedimeve me Korenë e Veriut

Posted: 30 Aug 2018 12:55 AM PDT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha se Kina po e minon punën e saj me Korenë e Veriut për denuklearizimin e vendit komunist. Pekini është aleati i vetëm i rëndësishëm i Phenianit dhe rivali strategjik më i fuqishëm i Uashingtonit në rajon.

Në një seri postimesh në Twitter, Trump po ashtu tha se SHBA nuk duhet të shpenzojë në lojëra të luftës me Korenë e Jugut, por sipas tij nëse ato rinisin, atëherë do të jenë më të mëdha se kurrë.

SHBA i ka pezulluar stërvitjet e tilla ushtarake, të cilat vazhdimisht e zemërojnë Phenianin, pas takimit historik të Trumpit me liderin verikorean, Kim Jong Un në muajin qershor.

Por, ditë më parë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis tha se ushtrimet ushtarake mund të vazhdojnë.

Që nga viti 2016, Koreja e Veriut ka kryer tre teste bërthamore dhe ka hedhur 40 raketa balistike.

Trump dhe Kim janë pajtuar që të punojnë për denuklearizimin e plotë të Gadishullit Korean, por marrëveshja e tyre e arritur gjatë takimit në Singapor është kritikuar për mungesë detajesh.

30 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)

Georgina magjeps Venecian (Foto)

Posted: 30 Aug 2018 12:45 AM PDT

Festivali i filmit në Venecia, ngriti dje siparin e edicionit të tij të 75-të, teksa shumë yje, të veshur me markat më të mira, parakaluan në tapetin e kuq.

Mes të ftuarve ishte edhe gruaja e Cristiano Ronaldos, Georgina Rodriguez, e cila kishte preferuar një fustan transparent, që i rrinte i ngjeshur pas trupit.

Bukuroshja spanjolle tërhoqi vëmendjen me format e saj vërtetë joshëse, ndërsa fotografët nuk e humbën mundësinë të fiksojnë imazhe gjatë parakalimit të saj.

30 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)

Sot pritet vendimi, Tanja Fajon: Kosova e meriton liberalizimin e vizave

Posted: 30 Aug 2018 12:21 AM PDT

Pas diskutimeve një ditë më parë në Komitetin e Parlamentit Europian për Çështjet e Lirive Civile, Drejtësisë e të Brendshme (LIBE) sot në Bruksel merret vendimi për liberalizimin e vizave me qytetarët e Kosovës.

Të enjten (30.08) merret një vendim i rëndësishëm për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. LIBE, Komiteti i Parlamentit Europian për Çështjet e Lirive Civile, Drejtësisë dhe të Brendshme voton sot për këtë çështje pas diskutimeve të një dite më parë.

“Do ta kemi votën në plenum me shumë gjasa në shtator”

“DW” raporton se eurodeputetja e raportuesja për liberalizimin e vizave me Kosovën në Parlamentin Europian, Tanja Fajon e cila e ka dhënë për votim çështjen në Komitetin LIBE, është shprehur më parë  për Deutsche Wellen se Kosova e meriton liberalizimin e vizave. “Ne kemi punuar shumë në këtë drejtim dhe çdo hap është i rëndësishëm. Nëse gjithçka zhvillohet siç është planifikuar, ne do ta kemi votën në plenum me shumë gjasa në shtator. Kjo është ajo që dëshiroj e synoj. Kosova e meriton liberalizimin e vizave, veçanërisht të rinjtë meritojnë perspektiva më të mira.”

Megjithëse ende nuk mund të flitet për një datë të saktë për udhëtimin e lirë të qytetarëve të Kosovës në hapësirën Shengen, eurodeputetja Fajon thekson, se “jemi shumë afër raundit final. Kjo nënkupton të shtojmë forcat të gjithë, por së pari e sidomos me plotësimin e të gjitha kritereve.”

30 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)

Largohen emigrantët, fluks në Portin e Durrësit

Posted: 30 Aug 2018 12:18 AM PDT

Rreth 8 000 pasagjerë dhe 2 000 automjete janë larguar dje deri në mesnatë nga Porti Detar i Durrësit.

Ndërsa vijon fluksi i largimit të emigrantëve në këto ditë të fundit të gushtit, tragetet lundrojnë vajtje-ardhje brenda ditës për t'iu përgjigjur fluksit dhe kërkesave të shumta.

Mes udhëtarëve ka edhe shqiptarë që para kthimit në punë kanë zgjedhur Italinë për të kaluar ditët e fundit të pushimeve.

30 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)

AKU bllokon 1.6 ton mish, përpunohej ilegalisht brenda një lotoje

Posted: 30 Aug 2018 12:09 AM PDT

AKU ka evidentuar një subjekt me aktivitet "Bar-Kafe/Lloto" që  përpunonte ilegalisht mishin dhe nën produktet e tij në kushte skandaloze.

Konkretisht, AKU konstatoi se subjekti MILITA DASIC me aktivitet  "Bar-Kafe/Loto" me Nipt L81308019L  përpunonte, ambalazhonte dhe tregtonte produktet (10 kg mish i grirë, 10kg fileto, 50 kg brumë qofteje dhe 50 kg lëndë e parë mish,) në kushte të rënda higjeno-sanitare dhe të pa shoqëruara me etiketë. Pra, ky subjekt është i regjistruar për "bar-kafe/loto" dhe jo për "prodhim/përpunim mishi".

"Për më tepër, gjatë inspektimit u konstatua se subjekti i sipërcituar, disponon edhe një tjetër ambient (magazinë) të regjistruar në QKL, me aktivitet specifik: Shitje me shumicë e ushqimeve me origjinë shtazore ku u gjendën produkte me afat përdorimi të kaluar (120 kg qofte, 48 kg shishqebap) si dhe 1342.8 kg mish dhe nën produktet e tij të me mungesë të plotë dokumentacioni.

Për sa më sipër ndaj subjektit u mor masë administrative gjobë 2.200.000 lekë, bllokim të produkteve në sasinë 1630.8kg (në ambientin e prodhimit dhe të magazinimit) si dhe ndërprerje e aktivitetit prodhues, tregtues (në ambientin e prodhimit dhe të magazinimit)", njofton AKU.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën thirrje edhe operatorëve të biznesit ushqimor që të jenë të kujdesshëm në blerjen e lëndëve të para, produkte shtazore dhe jo shtazore duke kërkuar e marrë nga furnitorët vetëm produkte me etiketë dhe të shoqëruara dokumentacion të plotë veterinar e fiskal.

30 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)

Salah bezdiset nga fansat egjiptianë, i kërkon Federatës të marrë masat

Posted: 30 Aug 2018 12:05 AM PDT

Pas kampionatit botëror, Muhamed Salah ka marrë ftesë nga kombëtarja e Egjiptit edhe për ndeshjet që do të luajnë në fillim të muajit shtator.

Gjithsesi këtë herë ylli i Liverpoolit ka pasur një kërkesë të qartë për drejtuesit e Federatës Egjiptiane të Futbollit. Ai ka kërkuar që të merren masat, që tifozët e kombëtares të mos afrohen në hotelet ku grumbullohet skuadra, pasi është lodhur nga përballja me ta.

Tifozët egjiptianë shkojnë në orare të ndryshme në hotelet ku grumbullohet kombëtarja dhe brohorasin në kor emrin e Salah, ndërsa shpesh e kanë detyruar sulmuesin të dalë jashtë dhe të japë autografe e të bëjë foto me fansat.

Kërkesa e Salah ndaj zyrtarëve të federatës ka qenë ultimative, pasi ka kërcënuar se nuk do të grumbullohet më me kombëtaren, nëse nuk zgjidhet ky problem ,që shpesh ka prishur regjimin sportiv të sulmuesit.

30 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)

INSTAT: Afërsisht 900 mijë shqiptarë mbi 25 vjeç nuk dinë asnjë gjuhë të huaj

Posted: 29 Aug 2018 11:59 PM PDT

Rreth 900 mijë shqiptarë të moshës mbi 25 vjeç nuk zotërojnë asnjë gjuhë të huaj. Shifra u përpilua nga INSTAT në kuadër të anketës mbi njohuritë për gjuhët e huaja në moshat mbi 25 vjeç për vitin 2017. Rezultat tregojnë rreth 388 mijë shqiptare zotërojnë një gjuhe të huaj, 163 mijë zotërojnë dy gjuhë, teksa 47 mijë shqiptare njohin më shumë se tre gjuhë të huaja.

Anketa tregon se meshkujt kanë më shumë aftësi se femrat. Nga totali i popullsie mbi 25 vjeç që zotërojnë gjuhë të huaj, 57 për qind janë meshkuj dhe 47 për qind janë femra.

Në grupmoshën 25-45 vjeç njohuritë mbi gjuhët e huaja janë më të shpeshta se në grupmoshat e tjera.

Nga totali i të rriturve që zotërojnë një gjuhë të huaj, 19 për qind e tyre janë me arsim të ulet, 35.6% e tyre janë me arsim të mesëm dhe 39 për qind e tyre me arsim të lartë.

Më shumë se gjysma e të rriturve me arsim të lartë zotërojnë më shumë se një gjuhë të huaj.

Shqiptarët kanë një histori të vone më me mësimin e gjuhëve të huaja në shkolla e programe të posaçme. Më herët para çlirimit gjuhet e huaja janë mësuar në mënyrë autodidakte, ndërsa pas luftë në vitet 50 u hap një katedra e parë në vend dedikuar rusishtes.

Shqipëria përjetoi një izolim të gjatë nga regjimi diktatorial ku mësimi i gjuhëve të huaj ishte i kufizuar në disa prej tyre dhe në arsimin e ulët dominonte gjuha rusë dhe shumë rrallë ajo franceze dhe ajo angleze.

Gjatë kohës së monizmit popullsia në qytetet bregdetare mësoi gjuhën italiane nëpërmjet kanaleve televizive italiane.

Më vonë pas viteve 1990 me rënien e diktaturës u panë më shumë mundësi për zotërimin e gjuhëve të huaja. Menjëherë në shkolla filluan të dominojnë kurrikulat me gjuhën angleze, franceze dhe se  fundmi gjermane. Teksa shumë shqiptare të tjerë sidomos ata me arsim të ulët u njohën me gjuhët e huaja kryesisht përmes emigracionit.

30 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com) Monitor

Horoskopi – 30 gusht 2018

Posted: 29 Aug 2018 10:00 PM PDT

Dashi

Ky është një moment shumë i mirë për të pushuar dhe rikuperuar të gjithë ato raporte që gjatë kohëve të fundit kanë kaluar në plan të dytë për shkak të punës së tepërt. Nuk duhet të jeni të ndrojtur, por tregohuni më të hapur ndaj eksperiencave të reja.

Demi

Sa i takon dashurisë dhe ndjenjave ky është momenti për t'u marrë më shumë, sidomos nëse gjatë javëve të fundit këtë sektor e keni lënë pas dore. Në punë, mundohuni të rivendosni harmoninë, pasi një ambient i këndshëm, do ju lejojë që të përqendroheni më shumë.

Binjakët

Para jush hapen mundësi të mëdha, sidomos sa i takon raporteve në çift për të ardhmen. Duhet të jeni të gatshëm për të bërë zgjedhje të rëndësishme. Në vendin e punës mos u dekurajoni, për shkak se janë fare pranë propozime mjaft të rëndësishme.

Gaforrja

Ka ardhur momenti për të treguar se sa dini që të jeni të vendosur dhe të pavarur, sidomos në vendin e punës. Në dashuri, këshillohet që të shmangni polemikat.

Luani

Intuita juaj e mirë do ju lejojë që të kapërceni çdo pengesë që do ju dalë përpara në karrierën tuaj. Në dashuri duhet të jeni më të hapur dhe spontan në raport me partnerin/en. Qetësia dhe besimi do të jenë të pazëvendësueshme.

Virgjëresha

Nëse në familje ka pasur tensione të vogla, mundohuni që të silleni me sa më shumë diplomaci dhe ti hapni rrugë dialogut. Gjetja e zgjidhjeve të mira për ju, nuk do të jetë e vështirë, por gjithsesi duhet të shmangni imponimin.

Peshorja

Zgjidhja e konflikteve në vendin e punës, nuk do të jetë e lehtë, por ju do të dini të veproni në mënyrën e duhur për të kapërcyer pengesat. Ka një afat i cili do ju tensionojë, por më në fund do ia dilni mbanë.

Akrepi

Gjatë kësaj dite duhet të përballni me vendosmërinë e duhur, ndryshimet me të cilat do të përballeni, si në fushën e ndjenjave edhe në atë të profesionit. Do të riktheheni të jeni protagonist dhe do të merrni kënaqësi të shumta.

Shigjetari

Ky është një moment shumë i mirë për tu marrë me pasione dhe projekte të vjetra, të cilët për shkak të mungesës së kohës nuk i keni vlerësuar më parë. Sa i takon një lidhje në çift, do të marrë një shtysë mjaft të rëndësishme.

Bricjapi

Në dashuri këshillohet të mos tregoheni shumë xheloz, pasi tashmë është momenti për të shfaqur hapur ndjenja tuaja në raport me partnerin/en, sidomos nëse gjatë javëve të fundit keni qenë të zënë me punë. Në punë do të rezultoni të suksesshëm për shkak të forcës dhe vendosmërisë tuaj.

Ujori

Parashikohet një ditë e cila do ju gjejë mjaft të tensionuar për shkak të keqkuptimeve të vogla në vendin e punës. Nëse do arrini të tregoni se e keni situatën nën kontroll, do të rezultoni të suksesshëm.

Peshqit

Nëse do të jeni gati të punoni fort dhe të bëni ndonjë sakrificë, kjo ditë parashikon rezultate të mëdha nga pikëpamja profesionale. Intuita nuk do ju zhgënjejë dhe do të keni dëshirë për tu rikthyer në lojë. Ndërsa në dashuri, këshillohet që të jeni më të kujdesshëm.

30 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)

Audio-përgjimi, Strasburgu pohon ‘qasjen e papërshtatshme’ të qeverisë me pronat

Posted: 29 Aug 2018 01:58 PM PDT

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut thotë se kërkesat zyrtare dhe "qasjet e papërshtatshme" të qeverisë shqiptare u përballën me refuzim të plotë dhe se nuk mund të kishte "marrëveshje" mes presidentit të saj dhe Shqipërisë pasi çështjet trajtohen vetëm në rrugë gjyqësore.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut deklaroi se qeveria shqiptare ishte përpjekur përmes "qasjeve të papërshtatshme" dhe takimeve zyrtare në vitin 2014 që të siguronte një shtyrje të shqyrtimit për dhjetra çështje të depozituara në Strasburg për kthimin dhe kompensimin e pronave-fatura e të cilave kërcënonte me falimentim financat e shtetit shqiptar.

Një zëdhënës i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut i tha BIRN se të dyja lëvizjet e qeverisë shqiptare u përballën me "refuzimin e plotë" si nga gjyqtari Ledi Bianku, ashtu edhe nga autoritetet më të larta të Gjykatës së Strasburgut, të cilët u takuan asokohe me një  delegacion zyrtar shqiptar.

"Në vitin 2014, një zyrtar i afërt me qeverinë (zoti Denar Biba) kontaktoi zotin Ledi Bianku, gjyqtar i Shqipërisë, duke i kërkuar që Gjykata të shtyjë shqyrtimin e çështjeve që lidhen me kthimin e pronave. Gjyqtari Bianku i tregoi këtij personi se një qasje e tillë ishte e papërshtatshme dhe informoi menjëherë Presidentin në atë kohë të Gjykatës, Dean Spealmann," tha zëdhënësi i Gjykatës së Strasburgut në një përgjigje me shkrim ndaj pyetjeve të BIRN. Ai shtoi se për rastin në fjalë ishte njoftuar edhe presidenti aktual i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Guido Raimondi, sapo ky i fundit kishte marrë detyrën.

Përmes këtij reagimi, Gjykata e Strasburgut konfirmon takimin mes Denar Bibës, asokohe kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik dhe sot nënkryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe gjyqtarit Ledi Bianku dhe i referohet atij si "qasje e papërshtatshme".

Një audiopërgjim i pjesshëm i bisedës ku dëgjohet vetëm Biba u publikua të martën nga Exit.al, ku ky i fundit dëgjohet t'i përcjellë gjyqtarit Bianku një mesazh nga sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi që "t'u gjendet në këtë histori [shtyrjen e çështjeve]". Në audiopërgjim, Biba dëgjohet gjithashtu të thotë: "A të ndalon më ky tren në stacion? Të ngelesh pa punë dhe ç'të vajti sakrifica! Njeriu bën kompromise në jetë".

Publikimi i audios u pasua nga deklarata të ashpra të partive opozitare, PD dhe LSI, të cilat e akuzuan kryeministrin Edi Rama se kishte ushtruar shantazh ndaj një gjyqtari të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe se kishte tentuar të ndikonte mbi një vendim të kësaj gjykate. Përmes një reagimi të kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, mazhoranca e zhvlerësoi episodin si një "takim mes miqsh" dhe e krahasoi denoncimin me çështjen e "Babales".

Edhe protagonisti i audios, Denar Biba e prezanton ngjarjen si një takim me njërin prej miqve të tij më të mirë, ndërsa refuzon në mënyrë kategorike që të ketë ushtruar shantazh ndaj Biankut apo që t'i jetë bërë e ditur prej këtij të fundit se "ishte një kontakt i papërshtatshëm". Ai këmbëngul se biseda është spërdredhur në mënyrë malinje dhe se qëllimi i tij i vetëm ishte të merrte këshilla nga ish-pedagogu i tij për zgjidhjen më të mirë të çështjes-e cila ishte zyrtare dhe aspak e fshehtë.

"Në Strasburg kam takuar Ledi Biankun, është një nga miqtë e mi më të mirë, e kam pasur si guru në jetë.  I kam treguar qëllimin e vizitës, i kam thënë që jemi këtu për të kërkuar shtyrjen,"tha Biba në një bisedë telefonike për BIRN.

Biba i tha BIRN se në Strasburg kishte shkuar si ekspert i të drejtës kushtetuese së bashku me delegacionin që kryesohej nga zv.kryeministri i atëhershëm, Niko Peleshi. Ai pranoi megjithatë se nuk kishte qenë i pranishëm në takimin zyrtar që delegacioni zhvilloi në të njëjtën ditë me presidentin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, Dean Spealmann.

I pyetur nëse takimin me gjyqtarin Bianku po bëhej me porosi të sekretarit të Përgjithshëm të kryeministrit Rama, Ëngjëll Agaçi, Biba u përgjigj se nuk e kujton kontekstin e përmendjes së Agaçit, ndërsa shton se "sekretari i Përgjithshëm më ka thënë që për shkak të ekspertizës duhet të jesh pjesë e ekipit".  Ai e quan gjithashtu spekulim atë pjesë të bisedës që flet për "trenin" apo "kompromiset në jetë".

"Metafora e trenit është për mua. Shoku im, Ledi Bianku me pyeti, pasi kishte pritshmëri për studentin e tij, më thotë po t'i pse vajte te Komisioni i Prokurimit Publik.  Dhe i tregova historinë. Nuk është qejf të mbetesh pa punë.  I thashë që më tha një miku im një herë të vjen treni në stacion," shtoi Biba.

"Si mund të shantazhohet një gjyqtar i Strasburgut," pyet më tej ai. "Për shkak të rrethanave që i krijon gjykata, ai është i pashantazhueshëm. I bëhet shantazh një njeriu të shantazhueshëm (jo atij).  Është naive fare," shtoi më tej Biba, duke kërkuar publikimin e plotë të bisedës.

Gjyqtari i Shqipërisë në Strasburg, Ledio Bianku refuzoi të bënte komente mbi ngjarjen. Edhe zyra e shtypit e kryeministrit Edi Rama nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN.

Refuzimi i Strasburgut

Takimi mes Denar Bibës dhe Ledio Biankut u zhvillua në kohën kur qeveria e kryesuar nga Rama tentoi të merrte një shtyrje të dytë të shqyrtimit të çështjeve të pronave të aplikantëve shqiptarë në Gjykatën e Strasburgut. Kjo perspektivë ishte hapur me çështjen pilot "Manushaqe Puto v.Albania" në korrik të vitit 2012, ku Gjykata kishte vendosur të shtynte për një periudhë kohore çështjet e ngjashme, duke i lënë si detyrë qeverisë shqiptare përmirësimin e masave për kthimin e pronës në nivel kombëtar.

Ndërkohë që qeveria shqiptare dështoi të prezantonte një plan për zgjidhjen e çështjes së pronës deri në përfundim të afatit 18 mujor, kabineti i kryesuar nga Rama synoi të merrte një shtyrje të dytë jo më në sallën e gjyqit, por përmes takimeve të emisarëve politikë me autoritetet drejtuese të Gjykatës së Strasburgut.

Një kërkesë e tillë, sipas zëdhënësit të Gjykatës u përball me "refuzim të plotë" gjatë takimit zyrtar mes delegacionit të drejtuar nga Peleshi dhe Presidentit Spealmann në qershor 2014-duke u cilësuar në kundërshtim me rregullat proceduriale.

"Veçanërisht, çdo vendim i tillë është kompetencën e Dhomës përpara së cilës çështjet ishin në pritje dhe nuk mund të merret nga presidenti i Gjykatës. Për më tepër, një kërkesë e tillë mundet të shtyrtohet vetëm në përputhje me rregullat normale proceduriale," tha zëdhënësi i Gjykatës së Strasburgut.

"Nuk ka pasur pra, dhe as nuk mund të kishte një "marrëveshje" mes Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Shqipërisë në lidhje me shtyrjen e mundshme të çështjeve në fjalë," shtoi zëdhënësi.

"Marrëveshja me Gjykatën e Strasburgut" u përmend me eufori nga kryeministri Edi Rama në një fjalim në parlament në vitin 2016, kur Dhoma përkatëse e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut vendosi pro shtyrjes së shqyrtimit të çështjeve të pronës-ndërkohë që qeveria shqiptare miratoi një ligj për kompensimin e pronarëve, i cili u kundërshtua nga këta të fundit.

"Megjithatë, kjo shtyrje nuk ka lidhje me ngjarjet e vitit 2014. Gjyqtari Bianku nuk mori pjesë në këtë vendim pasi ai ishte tërhequr nga këto raste," tha zëdhënësi i Gjykatës së Strasburgut, i cili përforcoi mesazhin se të gjitha vendimet e Gjykatës merren nga formacionet gjyqësore dhe në përputhje me procedurat e përcaktuara në Rregulloren e Gjykatës.

29 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com) BIRN

Tayna hyn në klasifikim me këngën e re, tre këngë në “Top 100”

Posted: 29 Aug 2018 01:55 PM PDT

E shndërruar në reperen më të dashur të publikut shqiptar brenda një periudhe të shkurtër kohore, Tayna sa vjen dhe surprizon fansat e saj.

Ndërkohë që bashkëpunimi i saj me Don Phenom, "Columbiana", ka korrur një super sukses duke mbajtur për 7 javë rresht vendin e parë, projekti i dytë i saj "Shqipe" është votuar pafund nga dashamirësit e këngëtares, duke e mbajtur në pozicionet më të rëndësishme të listës, në vendin e dytë dhe në vendin e tretë.

Pavarësisht se është tepër e ngarkuar me koncerte nëpër klube të ndryshme nate, Tayna ka vendosur të kënaqë sërish fansat me një tjetër prurje të re. "Fake" titullohet projekti më i ri i reperes, i cili ka rrëmbyer menjëherë vëmendjen e publikut shqiptar, që në momentet e para të publikimit.

Teksti është punuar nga vetë artistja ndërsa muzika mban vulën e shtëpisë diskografike "Cricket", si edhe projektet e mëparshme të Tayna.

Me mix dhe master të Avaxus, kjo këngë është futur që në javën e parë në "The Top List", duke e bërë artisten me tre këngë në klasifikimin e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.

29 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more