Skip to main content

“Tri tregime për vrasjen e shpresës (Apo: ja ku na sollët!)” plus 2 more Telegrafi Opinione

“Tri tregime për vrasjen e shpresës (Apo: ja ku na sollët!)” plus 2 more Telegrafi Opinione


Tri tregime për vrasjen e shpresës (Apo: ja ku na sollët!)

Posted: 29 Aug 2018 04:11 AM PDT

Tregimi 1:

Ai: Edhe pse maj, ishte ftohtë. Shiu më kishte bërë qull, uji kishte gjetur rrugën nëpër kurriz dhe ma kishte shtangur këmbën. Vajzën bashkë me familjen e saj, vëllain e vetëm, kushërinj, miq, kolegë e plot njerëz të dashur m’i kishin vrarë. Nuk e dija as ku e kam familjen. Isha strukur me një qese plastike në kokë, tek rrënjët e një ahu në bjeshkët e Berishës, kur filluan të binin edhe andej granatat. Ishim dhjetëra mijëra njerëz të uritur, të frikësuar, të lodhur, nën rrethim.

Unë: A kishe shpresë?

Ai: Po, shpresa nuk më pat lënë. Po, kisha shpresën e plotë që krejt kjo do të kalojë dhe do të bëhet mirë. Po, po, kisha plot shpresë.

Unë: Ndërsa tash, në vitin 2018?

Ai: Oh, jo, jo, tash, shpresa më ka lënë. Jo, nuk kam më shpresë. Jo, jo, shpresa tash m’u ka këputur.

Tregimi 2:

Ai: Dikur po na sosej edhe ushqimi. Për cigare as flitej. Kryeqyteti po kthehej në një qytet-fantazmë. Njerëzit arratiseshin të tmerruar e të dëshpëruar. Serbët po i dëbonin të gjithë drejt Shkupit me shpejtësi të skëterrshme. Vendosëm të mos dalim pa na shtyrë me force, me dhunë. Lagjja jonë, në vend që të dëbohej, u mbush me forca militare dhe paramilitare. U izoluam. Filluan të thyejnë lokalet (edhe ashtu të boshatisura), të bastisin, të marrin të rinjtë dhe kënd të donin. Unë, me krejt familjen, aty. Të tmerruar, të frikësuar, duke u dehumanizuar, duke menduar e pyetur veten me mijëra here se a ia vlejti e gjithë kjo. Erdhën me tërsëllimë. Djali shpëtoi – nga tmerri dukej fëmijë – por na e morën dhëndrin, që ishte strehuar tek ne. U ula i shkatërruar në një karrige dhe po e llogarisja tmerrin e shumë gjëra tjera.

Unë: A kishe shpresë, shpresë se kjo do të kalojë, do të bëhet mirë?

Ai: Po, çuditërisht shpresë kisha. Nuk e di se si, por e kisha shpresën e plotë se gjithçka do të harrohet, se Kosova do të bëhej. Po, po, shpresa ishte me mua.

Unë: E sot, dy dekada pas?

Ai (djersa ia qull ballin): Jo, nuk di, jo… nuk e kam më shpresën. Jo! Kërkoj falje, po… jo, më nuk kam shpresë se do të bëhet mirë. Shpresa se Kosova do të bëhet është arratisur nga unë.

Tregimi 3:

Ai: Në Aeroportin e Shkupit ngula këmbë. Jo, unë nuk vi, ju thashë. Letrat kishin ardhur, gjithçka gati për lejeqëndrim (dhe leje për punë) afatgjatë në SHBA për të gjithë familjen, por unë ngula këmbë. Nana, vëllau, motrat më lusnin. Kosova ende digjej flakë. Por, jo, ju thashë se unë do të kthehem në Kosovë, herëdokur. Ata shkuan, unë u ktheva në kamp. Lajmet e zeza vazhdonin të vinin nga Kosova. Shumë lajme të lemerishme, sikur të vinin nga skëterra.

Unë: A kishe shpresë për Kosovën?

Ai: Po, po, shpresoja shumë se kjo do të përfundojë dhe unë do të kthehem në Kosovë. Dhe u ktheva, plot me energji, vullnet e shpresë. U ktheva, sepse besoja dhe shpresoja se Kosova do të bëhet.

Unë: E tash, çka po bën?

Ai: Haj medet haj, tash familja po përpiqet të më marrë në SHBA. Kur jam kthyer, në truallin tim ka pasur veç një grumbull hiri. Kam qenë vetëm, por e kam pasur shpresën për Kosovën. Tash e kam shtëpinë me të gjitha të mirat, jam martuar dhe fëmijët e mi po rriten si molla, por më nuk kam shpresë. Prandaj, më falni, por po largohem, po iki. Po e lë Kosovën e bekuar, Kosovën e dashur, Kosovën time.

P.S. Protagonistët e këtyre rreshtave i kam ‘intervistuar’ personalisht.

The post Tri tregime për vrasjen e shpresës (Apo: ja ku na sollët!) appeared first on Telegrafi.

Erdhi koha që t’i veshim rrobat e ushtrisë?!

Posted: 29 Aug 2018 04:07 AM PDT

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq në një fjalë para medias së vendit të tij ceku me shumë kujdes edhe problemin e shërbimit ushtarak, por edhe faturën financiare që lidhej me të. Po mundohemi ta perifrazojmë: "Jam i habitur nga fushata që ka nisur në pjesën e mediave kundër idesë së rivendosjes së shërbimit ushtarak, duket qartë se është e sinkronizuar, sepse në një moment tjetër u informua se Serbia kishte plane të reja, që avionët që do të marrim do të emërohen sipas pilotëve që vdiqën në vitin 1999 në mbrojtje të agresionit të NATO-s". Dhe, më vonë, vijonte cinizmi: "Është e vështirë për ju të mendoni për një shtrat për tre muaj dhe t'i vendosni pizhame nën jastëk, por nga ana tjetër pretendoni të sulmoni Kaçanikun dhe Gjakovën, po pse gënjeni e mashtroni?"

Nuk është kjo arsyeja e vetme dhe më e vogla për rikthimin e shërbimit ushtarak, por një shqetësim, që njësoj besojmë se e ndajnë shumë njerëz në Ballkan. Të rinjtë janë gjithnjë e më të palexuar (Shqipëria e konfirmoi me të dhënat e fundit të INSTAT: një e treta e shqiptarëve nuk lexojnë), më të pastërvitur, më të paedukuar dhe shumë të pandërgjegjshëm për fatet e vendit të tyre. Kuptohet se numri është relativ pasi mbi një pjesë të madhe të të rinjve ka kapluar varfëria dhe pjekuria ka ardhur para kohe, kurse masa më e madhe e të rinjve (por edhe fëmijëve), qoftë dhe të rriturve të moshës së mesme duan të ikin.

Në argumentin tonë, dukshëm një pjesë jo e vogël e të rinjve duket krejtësisht e pandërgjegjshme për identitetin, fatet e vendit dhe mbi të gjitha e pazonja për gjërat më elementare të jetës. Një pyetje normale që të vjen në këtë moment duket e thjeshtë: Po çfarë do të bëjë mobilizimi ushtarak për të riun shqiptar?! Kuptohet se në kohën tonë politikat e sigurisë kanë ndryshuar dhe Shqipëria është pjesë e një ombrelle të përbashkët të Aleancës së NATO-s. Shqipëria u angazhua në Samitin e fundit dhe madje ka marrë lavdërime nga z. Trump se do të përafrojë deri dy për qind të buxhetit të saj për mbrojtjen.

Anipse Shqipëria e sotme i ngjan një vendi krejt pacifik dhe me sytë nga qielli, me pak fjalë që mbrojtja na vjen nga vendet e NATO. Dhe për këtë shërben edhe sanksionimi i "Artikullit V" të Dokumentit themeltar të NATO-s, që pak a shumë bën me dije se sulmi ndaj një vendi të Aleancës duhet konsideruar si sulm ndaj të gjitha vendeve. Ndërkohë, specialistët harrojnë "Artikullin III", që të kthjellon se përballja e parë ndaj çdo agresioni duhet bërë me infrastrukturën e përveçme, që do të thotë me ato që kemi trashëguar dhe ato që kemi ndërtuar. Kjo të vjen ndërmend kur mendon se për fat të keq, Serbia është duke u armatosur me një ritëm jo normal dhe këtë po bën Kroacia. Vendet e ish-Jugosllavisë jo thjeshtë ndjehen të pasigurta, por po i justifikojnë rritjet e kapaciteteve të tyre me armët konvencionale dhe me blerjet e aeroplanëve dhe tankeve modernë por edhe në rritje të vazhdueshme të buxheteve ushtarake.

Shenjë që të bën të mendosh se indiferenca është e tepërt. Por, t'i lemë fqinjët veriorë. Më në jug, nga ana tjetër, Greqia, asnjëherë nuk e ka ndërprerë shërbimin ushtarak dhe po ashtu edhe Turqia, dy vende që janë vërtetë në një kulm, por që shpesh kanë qenë drejt incidenteve reale.

Në këtë arsyetim kemi lënë Zvicrën, Austrinë dhe vendet nordike, që tashmë kanë kaluar në hapa të tjera të detyrimit ushtarak. Në fakt, qëllimi i artikullit ishte ta ndante shqetësimin në dy dimensione. I pari i mbrojtjes kombëtare dhe i rritjes së vetëdijes për problematikën komplekse të

Sigurisë ku gjendemi, por e dyta është krejtësisht social-edukative. Nëse problemi do të shtjellohej si duhej, atëherë duhet t'i paraprinte një studim për buxhetin që do ta përballonte këtë ndërmarrje dhe sesa shteti vetë do të kontribuonte në rastet e rekrutimit të individëve të familjeve të varfra.

Shërbimi ushtarak nga ana tjetër, do të ndihte pak a shumë për të rinjtë që deri më sot punë të parë kanë anëtarësimin në forumet politike, ku zakonisht u bëhet propagandë deri në lavash truri, të njiheshin me një nga detyrat më të shenjta: mbrojtjen e atdheut, por edhe faktin se para tij të ishin të barabartë. Në një farë mënyre, pa hyrë në hullitë politike, të rinjtë do të gjendeshin në një strukturë që i barazonte në përgjegjësi dhe detyra.

Mund të quhet e tepërt për disa dhe padyshim për pinjollët e pasur dhe familjet e tyre që do të qeshin me cinizëm, sepse u mjaftojnë paratë për t'iu shmangur shërbimit ushtarak, aman kryerja e shërbimit mund të shërbejë si një kredit personal për individin dhe një hap krenarie në çdo Cv: "Unë i shërbeva atdheut tim në vitin… nga… në…". Jemi të ndërgjegjshëm që shkolla për shkak të ndikimit të madh politik, reformave të shpeshta dhe me bazë jo të gjerë mirëkuptimi ka krijuar tollovi. Ajo nuk po kryen dot as detyrën bazike, fakt që shikohet me nivelin gjithnjë e më të ulët të të diplomuarve, kurse një pjesë e të rinjve e kryejnë thjesht për të pasur një diplomë, që shpesh nuk hyn në punë për asgjë.

Ndërkohë që shërbimi ushtarak do t'i përballte me barazinë, para një detyre të përbashkët të shenjtë, që i bën të rinjtë të njohin e të vlerësojnë më mirë identitetin e tyre kombëtar, por edhe të njihen me sfidat e përballjes së kulturave të tjera e më gjerë.

Paçka zhvillimeve moderne dhe cinizmit që shprehet për forcën e mjeteve, fuqia e njeriut do të jetë gjithnjë vendimtare. Tek e fundit, është njeriu që drejton, ai që përdor armët, ai që bën politikat e kështu me radhë. Shqipëria nuk ka kulturë të mirë për thirrjen e referendumeve prej manipulimit të frikshëm, që i bëhet publikut, por ka ardhur koha të përgatitet një referendum i tillë. Është i mirëpritur rezultati pozitiv, sepse shërbimi ushtarak e mëson të riun të njihet me vlerat e vërteta që shikohen në marrëdhëniet reale në terren, përmirëson karakterin kombëtar të individit, rrit edukimin dhe respektin e të rinjve për jetën dhe vështirësitë që kanë kaluar paraardhësit e tyre.

Mbi të gjitha sikur të kujtohesh vetëm për sublimitetin që rrjedh me ngritjen e flamurit kombëtar në mëngjes, përkorjen që të kërkon shërbimi ditor dhe përgatitjen për detyrat kupton sesa shumë vlen detyrimi ndaj Shqipërisë, eliminohen ndarjet provinciale dhe identitare, kaq të shumta sot, dhe mbi të gjithë mësohet sesi të jetohet së bashku. E gjitha, në një farë mënyre, rrit ndërgjegjen publike, sepse realisht në kohën tonë po rritet gati në një humnerë hapësira e jashtëzakonshme mes atyre që detyrohen dhe të drejtave të të cilit.

Pak kohë më parë qeveria nxori një VKM, sipas të cilës, shqiptarët duhet të mobilizoheshin në situata të jashtëzakonshme. Që atëherë me përjashtim të pak rasteve, që e përmendin specialistët, ai është harruar. Përveçse na kujtojnë mirë fqinjët dhe më shumë tollovia kombëtare ku jetojmë se ka ardhur koha që shqiptari duhet të verë kapelën ushtarake. /Gazeta Shqiptare/

The post Erdhi koha që t'i veshim rrobat e ushtrisë?! appeared first on Telegrafi.

Ngritja dhe rënia e fuqisë së butë

Posted: 29 Aug 2018 03:58 AM PDT

Eric X. Li

Gati tri dekada më parë, politologu amerikan dhe ish-zyrtari i administratës së Klintonit, Zhozef Nie paraqiti një ide në faqet e "Foreign Policy". Ai e quajti atë fuqi të butë, një koncept që zuri vend shumë shpejt, dhe vazhdoi të përcaktojë epokën e pas Luftës së Ftohtë. Ai argumentoi se megjithëse Shtetet e Bashkuara, dukeshin relativisht më të dobëta sesa kishin qenë në fund të Luftës së Dytë Botërore, vendi kishte akoma një burim unik të fuqisë. Përtej përdorimit të fuqisë ushtarake "për të bërë gjëra, dhe për të kontrolluar të tjerët", shpjegoi Nie më vonë, "për t'i detyruar tjerët të bëjnë atë që ndryshe nuk do ta bënin", SHBA-të mund të shfrytëzonin fuqinë e saj të butë, për të çimentuar pozitën e saj udhëheqëse në botë.

Në çerekshekullin që pasoi, koncepti i fuqinë e butë në çështjet botërore funksionoi brenda konturave të gjera të parashikimeve të Nie. Pasi Shtetet e Bashkuara fituan Luftën e Ftohtë, liberalizmi amerikan pati një joshje të pashembullt në mbarë botën.

Të gjithë donin të votonin, të vishnin xhinse, dhe të gjithë donin të flisnin lirisht – aq shumë sa që teoricieni politik Frensis Fukujama shpiku frazën "fundi i historisë", për të shprehur idenë se e gjithë bota ishte përqendruar tashmë vetëm te një sistem politik, i zbatuar tashmë në Perëndim.

Në tri dekadat midis viteve 1980-2010, numri i demokracive liberale (siç përcaktohet nga Freedom House), u rrit nga rreth 100 në afërsisht 150. Numri i ekonomive kapitaliste të tregut të lirë, bazuar në renditjen e Fondacionit Heritage u rrit nga 40 në afërsisht 100.

Besimi te fuqia e butë dhe legjitimiteti i saj, ishte aq i madh sa që fuqia e madhe e ashpër u vendos në emër të saj. Lufta në Irak ishte shembulli më i shquar. Dhe ndërhyrja në Libi, me mbështetjen evropiane, ishte më e fundit. Arroganca e fuqisë së butë, çoi në iluzionin se kjo fuqi mund të ekzistonte disi në vetvete. Por Nie nuk e përmendi kurrë këtë. Në realitet, fuqia e butë është dhe do jetë përherë një zgjatim i fuqisë së ashpër.

Projekti evropian, ndoshta edhe më shumë, është ndërtuar mbi një kuptim të rremë të fuqisë së butë. Për shumë dekada, Shtetet e Bashkuara garantuan sigurinë dhe mirëqenien e saj ekonomike, dhe ajo ishte e varur nga rendi ekonomik global i udhëhequr nga SHBA-ja. Me Shtetet e Bashkuara tani më pak të interesuara për fuqinë e butë, dhe më të fokusuara tek fuqia e ashpër – Evropa po përballet me sfida të vërteta.

Tani, fuqia e ashpër është e pranishme kudo. Shtetet e Bashkuara, janë pa dyshim lojtarja më e madhe në këtë lojë: kërcënimet ndaj Koresë së Veriut, luftërat tregtare ndaj të gjithëve, hedhja poshtë e OBT-së dhe përdorimi i ligjeve vendase për të ndëshkuar kompanitë e huaja, dhe për të bërë biznes me një vend të tretë.

Evropa duket në pozita më të vështira. Ndërsa disa, përfshirë kancelaren gjermane Angela Merkel, bëjnë thirrje për rezistencë ndaj Trump, të tjerët, përfshirë edhe presidentin francez Emmanuel Macron, po kërkojnë paqe. S'ka dyshim se epoka e fuqisë së butë, i ka hapur rrugën një epoke fuqisë së ashpër – dhe kjo është e rrezikshme.

Për shekuj me radhë, politika e fuqisë së ashpër solli vuajtje të jashtëzakonshme njerëzore. Vetëm në shekullin XX, ajo çoi në dy luftëra botërore, dhe një luftë të gjatë të ftohtë, që kërcënoi të asgjësonte njerëzimin. Në epokën e pas Luftës së Ftohtë, Perëndimi lidhi pushtetin e butë me liberalizmin, por ky bashkim nuk ishte kurrë i domosdoshëm. Në shekullin e ardhshëm, ajo që mund të sundojë, do të jetë fuqia e butë e çliruar nga ideologjia. /Mapo.al/

The post Ngritja dhe rënia e fuqisë së butë appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more