Skip to main content

“Skandali që nuk u pa në Superkupë, presidenti i Laçit pështyu anësorin” plus 9 more - Gazeta Dita

“Skandali që nuk u pa në Superkupë, presidenti i Laçit pështyu anësorin” plus 9 more - Gazeta Dita


Skandali që nuk u pa në Superkupë, presidenti i Laçit pështyu anësorin

Posted: 13 Aug 2018 02:13 AM PDT

Skënderbeu ka mposhtur Laçin, në finalen e Superkupës së Shqipërisë, me rezultatin 3-2.

Pjesa e parë u mbyll pa gola, dhe me pak raste shënimi, por në të dytën, Skënderbeu fitoi gjithçka.

Golat për skuadrën e Shehit i shënuan: Aliti (54′), Muzaka (68′) dhe Bregu (71′).

Ndërsa për Laçin shënuan: Lushkja (48′) dhe Xixha (84′).

Po në këtë finale të Supërkupës së Shqipërisë dje në stadiumin "Selman Stërmasi" ka pasur edhe një incident.

Në fund të ndeshjes, kur edhe po pritej ceremonia e dhënies së medaljeve dhe trofeut për fituesin, presidenti i Laçit, Pashk Laska, ka pështyrë anësorin Ridiger Çokaj në prani edhe të forcave të sigurisë dhe të skuadrës së Skënderbeut që po priste për marrjen e trofeut.

Siç shkruan Panorama sport, gjest që u pa nga të gjithë të pranishmit nuk është arritur të kapet nga kamerat. Më tej, Laska ka urdhëruar skuadrën kurbinase që t'i drejtohej dhomave të zhveshjes.

o.j/dita

Gratë kanë më shumë tru nga burrat?

Posted: 13 Aug 2018 02:10 AM PDT

Dr.Adem Harxhi

 

Në 1986 kërkuesit zbuluan një ndryshim midis trurit të femrave dhe trurit të meshkujve.

Tufa nervore që lidh hemisferën e djathtë me të majtën (Corpus callosum), është më i trashë dhe më i pasur me lidhje nervore tek femrat, nga sa është tek meshkujt. Femrat duket se janë më bilaterale në mendimet e tyre, përfitojnë më shumë nga "intuita" e hemisferës së djathtë dhe po ashtu nga "analitika" e hemisferës së majtë.

Disa, këtë veçori anatomo-fiziologjike të trurit të grave, i kanë interpretuar dhe kuptuar si tru superior të grave, kur burrat e kanë trurin vetëm të specializuar për detyrat shkencore dhe teknologjike. Nw kwtw kwndvwshtrim, gratë kanë më shumë tru nga burrat.

***

Që nga kohët më të vjetra, njerëzit, vazhdimisht, e kanë kuptuar se trupi i tyre është seksual, mashkull ose femër. Por, duke filluar që nga mesi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, shkencëtarët filluan të dyshojnë se edhe truri i njerëzve, gjithashtu, është seksual. Kjo do të thotë se shumë veçori që ne i konsiderojmë  mashkullore dhe femërore, i kanë rrënjët e tyre biologjike në tru .

Sot, dihet mirë se truri i njeriut (dhe i gjitarëve të tjerë), është në çdo pjesë të tij seksual, ashtu siç është edhe trupi. Nga pikëpamja anatomike, burrat dhe gratë kanë cirkuite trunore të ndryshme. Pra, origjina e mashkullores dhe femërores, pa përjashtuar as homoseksualët, lidhet me ndërtimin e trurit. Të dhënat dhe faktet shkencore kanë ardhur duke u shtuar. Disa prej pyetjeve më të rëndësishme lidhur me këtë problem, shkenca, pjesërisht u ka dhënë përgjigje.

Në këtë shkrim, përmblodha disa nga faktet shkencore biologjike, të grumbulluara në vite, që tregojnë se meshkujt dhe femrat janë të ndryshëm jo vetëm fizikisht, por edhe psiqikisht. Në këtë artikull jam munduar t'i shmangem polemikës së gjatë e të lodhshme midis atyre që janë kundër ose pro pikëpamjeve seksiste. Faktet biologjike tregojnë: Nënë natyra është vetë seksiste, ne kot merremi me fëmijët e saj!

Le t'u japim që në fillim përgjigje tre pyetjeve:

1 – Kur  fillojnë të diferencohen cirkuitet seksuale trunore ? 

Ky diferencim, kryesisht, fillon në stadin fetal të zhvillimit, pra në kohën kur fëmija është në barkun e nënës. Diferencimi vazhdon edhe në vitet e hershme të jetës dhe përfundon rreth moshës gjashtë vjeç. Kjo është periudha kur truri vazhdon të rritet dhe të krijojë lidhjet neurale.

2 – Ku vendosen cirkuitet  seksuale në  tru?

Kryesisht në hypothalamus. Kjo është struktura trunore ku ndodhen qendrat primare të dëshirës për seks dhe të sjelljes kopulatore. Këto qendra vendosen edhe në amygdalia, zona e trurit që lidhet me agresionin dhe violencën. Më pak ato vendosen  në korteksin cerebral, ose "në qendrën e të menduarit" në tru.

Burrat dhe gratë, dukshëm, mendojnë e sillen ndryshe jo vetëm për arsye të kondicionimit të tyre social (siç thonë përkrahësit e lëvizjeve feministe), që është padyshim i rëndësishëm, por edhe për arsye të ndryshimeve në ndërtimin dhe funksionimin e trurit. Këto ndryshime neurale, disa prej të cilave, në një farë shkalle, akoma nuk janë të kuptueshme, qëndrojnë prapa të ashtuquajturave "Mençuri  Konvencionale".

Është e njohur dhe e pranuar gjerësisht metafora e  John Gray-it : "Truri i burrave është nga Marsi, truri i grave është nga Afërdita." Le t'i shtojmë kësaj se, edhe truri i homoseksualëve e ka pikën nga e nis zhvillimin e tij.

3 – Cilët faktorë ndikojnë për seksualizimin e  trurit të fetusit?

Përveç kromozomeve X dhe Y, që fëmija i  trashëgon nga nëna dhe babai, hormonet që influencojnë në seksualizmin e fëmijës, vijnë nga trupi i nënës  dhe nga kimikatet në ambient. Kjo "supë kimike" e përmbyt fetusin dhe e detyron të zhvillohet në këtë banjë hormonale. Kjo i shton fëmijës "erëzat" dhe ndikon në lidhjet e shumta trunore që po formohen.

Teoritë moderne, lidhur me gjininë bazohen në kërkimet shkencore që filluan në Gjermani që në vitin 1849 dhe që vazhdojnë akoma edhe sot. Shumë punime janë bërë me kohë tek kafshët. Kohët e fundit shkencëtarët po studiojnë cirkuitet seksuale të trurit të njeriut.

Në këtë rubrikë në gazetën DITA në mënyrë shumë të përmbledhur, do të sjell momentet më të ndritura të gjetjeve shkencore për seksin dhe gjininë. Do të sjell në mënyrë  kronologjike, pak nga ato fakte shkencore që kam mundur të mbledh dhe që ndihmojnë të kuptohet origjina biologjike e  mashkullores dhe femërores.

*****

Redaktoi b.m. / dita

Vijon nesër me pjesën: “Gjelat e tredhur (kastruar), viti 1849, lidhja e parë midis hormoneve seksuale dhe sjelljes”

 

 

75-vjetori i Brigadës I, “armiku” komandant i saj

Posted: 13 Aug 2018 02:02 AM PDT

Kolonel Dilaver Goxhaj

Në 15 gusht të këtij viti mbushen 75 vite nga krijimi i Brigadës parë Sulmuese Partizane, Heroinë e Popullit. Komandant i kësaj Brigade ka qenë një nga personalitetet më të spikatura të luftës dhe të paqes, Mehmet Shehu, dhe komisar Tuk Jakova. Kujtojmë sot atë Brigadë, e cila i dha asaj lufte çlirimtare 371 dëshmorë. Nga kuadrot dhe dëshmorët e saj 14 prej tyre janë dekoruar me Titullin "Hero i Popullit".

Kujtojmë sot ata dëshmorë  dhe heroizmin e asaj Brigade në një kohë kur Shqipëria është mpirë në një atmosferë shtypëse plot vese. Një etje për përfitime pa madhështi rëndon mbi mendimin e shqiptarëve, i cili pengon çdo lloj veprimi atdhetar shtetëror dhe individual. E përkujtojmë këtë Brigadë Heroinë e Popullit në një kohë ku shoqëria jonë po vdes e helmuar në egoizmin e saj të drojtur dhe të poshtër, ku forcat njerëzore humbasin kot, pa shpresë, pa një rreze gëzimi; shumica e njerëzv që kanë mbetur në Shqipëri janë ndarë njeri nga tjetri, nuk e njohin njeri-tjetrin. Shoqëria jonë po mbytet, prandaj dhe ka hequr dorë nga përkujtimet e ngjarjve të historisë më të lavdishme të saj, nga Lufta Nacional-Çlirimtare.

Le të jetë ky shkrim një dritare, ku të lemë të hyjë era e lirisë për të thithur frymën e heronjve partizanë; le të nxisi sadopak grumbullimin e shpirtrave të mëdhenj që vuajnë për të mirën e shoqërisë sonë. Të tillë jetëshkrime për formacionet partizane dhe për heronjtë e shkëlqyer të asaj lufte nuk i drejtohen kryelartësisë së ambiciozëve; ato i kushtohen fatkqësive. Atyre që vuajnë le t'u japim balsamin e dhimbjes së shenjtë.

Në krye të këtij legjioni heronjsh, le t'i japim vendin e parë komandantit të Brigadës së Parë partizane, Mehmet Shehut. Ai ka qenë pjesëmarrës në radhët e brigadave ndërkombëtare në Luftën e Spanjës, komandant i Brigadës i Sulmuese, komandant i Divizionit I Sulmues gjatë luftës sonë nacional-çlirimtare, Shef i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Popullore, Ministër i Brendshëm, Ministër i Mbrojtjes, 27 vite Kryeministër i Republikës Popullore të Shqipërisë dhe anëtar i Byrosë Politike të PPSH.

 

Inaugurimi

Brigada I Sulmuese u inaugurua një muaj pas krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare, i cili u krijua më 10 korrik 1943 në Labinot. Shtabi i Përgjithshëm, me komandant Spiro Moisiu dhe komisar Enver Hoxha, ishte organi më i lartë ushtarak udhëhqës i Luftës dhe i Ushtrisë. Në Kongrsin  Përmetit Enver Hoxha u zgjodh Komandant i Përgjithshëm.

Me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm lufta e armatosur e popullit shqiptar hyri në një etapë të re zhvillimi, në atë të kryengritjes së përgjithshme të armatosur popullore. Si rrjedhojë, udhëheqja strategjike e forcave të armatosura u ngrit në një shkallë më të lartë, u hodhën thmelet e Ushtrisë së rregullt Popullore Shqiptare. Duke u shndërruar nga ushtri partizane në një ushtri të rregullt popullore, ajo do të kryente detyra të mëdha strategjike: çlirimin e vendit nga pushtuesit fashistë dhe të siguronte ndërtimin e një Shqipërie demokratike.

Brigada I ishte i pari formacion i madh i kësaj ushtrie të rregullt. Br1S nuk ishte një repart krahine e qarku, siç ishin çetat, batalionet dhe grupet partizane. Ajo ishte një njësi luftarake në dorë të Shtabit të Përgjithshëm, e cila lëvizte dhe manovronte në të gjitha krahinat e Shqipërisë, ku të paraqitej nevoja. Udhëzimi për krijimin e Br1S u lëshua nga KQ i PKSH më 20 qershor 1943, ku delte qartë pikësynimi: "Formimi i Brigadës I si dhe formimi i batalioneve ngjall dhe forcon besimin në zhvillimin e luftës sonë drejt kryengritjes së përgjithshme. Në Brigadën I dhe në batalionet e zonave të ndryshme, populli do të shohë bërthamën e shëndoshë e të sigurtë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Partizane Vullnetare Shqiptare…Brigada do të ketë luftëtarë nga të gjitha anët e Shqipërisë dhe karakterin e një ushtyrie të rregullt" (Dok. Krysore te PPSH,vëll.1,bot,2, 1971, f.175-176)

Si vend për grumbullimin e partizanëve dhe për organizimin e Br1S u caktua fusha e Makërzës, në Vithkuq, i cili ndodhet rreth 20 km në jugperëndim të Korçës; dhe inaugurimi i saj u bë në 15 gusht 1944. Të 556 partizanët e saj u ndanë: në 4 batalione pushkatare me rreth 120 veta secili, në një kompani murtajash, në një kompani kundërtankesh dhe në një bateri artilrie; çdo batalion përbëhej prej tri kompani, çdo kompani prej katër skuadrash. (Krijimi i strukturës së togave në çdo kompani ndodh  në muajin stator 1944, me udhëzim të SHP).

Flamurin luftarak Brigadës ia dorëzoi Spiro Moisiu, Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm. Betimin në emër të partizanëve e bëri Komandanti i Brigadës, Mehmet Shehu. Enver Hoxha përshëndeti në emër të PKSH dhe të Këshillit të Përgjithshëm Antifashist NÇl.

Mehmet Shehu  – komandant i Brigadës së Parë

Mehmet Shehu ishte ndër komandantët më të shquar të Luftës Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë edhe më herët si dhe gjatë gjithë asaj lufte, veçanërisht i njohur për Inkursionin e Br1S, një nga sukseset më të rëndësishme të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare. Brigada I i kapërcen nga fama të gjithë formacionet e tjera partizane. Me këtë nuk duam të nënvleftësojmë as edhe një Brigadë tjetër partizane, pasi behari nuk vjen kurrë me një lule. Është tërësia e veprimeve luftarake të të gjithë Brigadave, batalioneve e grupeve partizane që çliruan vendin nga pushtuesit nazi-fashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre dhe i rikthyen Shqipërisë pavarësinë.

Brigada I Sulmuese dhe Mehmet Shehu u shndërruan në një binom. Ka naivë që janë të mendimit, se ishte Brigada I ajo që e ngriti në hero legjendar Mehmet Shehun dhe se nuk ishte Mehmeti që e ngriti në legjendë Brigadën I. Të shprehesh kështu do të thotë se ndërgjegjia nuk i nënshtrohet arsyes. Dhe kjo vjen nga fakti se naivët e kanë të vështirë ta kuptojnë se ishte profesionalizmi dhe aftësitë komanduese të Mehmet Shehut, si dhe  karakteri energjik e dinamik i tij që e bënë atë Brigadë të shndërrohej në Brigadë legjendë, bashkë me heroizmin e pashoq të partizanëve të asaj Brigade, që kanë ditur gjithmonë të vënë gjoksin e tyre kundër topave dhe tankeve të armikut. Napoleon Bonaparti thotë: "Nuk ka regjimente të paaftë, por kolonelë të paaftë." Si të jetë komandanti, ashtu do të jetë dhe reparti a njësia luftarake.

Në çdo ushtri, ushtarët respektojnë dhe ndjekin komandantët (oficerët) që njohin profesionin e tyre. Kjo është më se e vërtetë, sepse ushtarët gjithmonë mendojnë se jeta e tyre dhe suksesi i çështjes për të cilën luftojnë, varet nga aftësitë profesionale të komandantit të tyre. Duke qenë profesionist i shkëlqyer, trim e i guximshëm, i vendosur, energjik dhe këmbëngulës, Mehmet Shehu i frymëzonte partizanët e tij deri në vetëmohim, sikundër e kanë treguar me dhjetëra ish-bashkëluftëtarë të tij. Dihet se asnjë komandant frikacak nuk është pëlqyer ndonjëherë. Mehmet Shehu manifestonte edhe guxim moral, edhe guxim fizik; ai pranonte përgjegjësi të plotë për veprimet dhe urdhërat e tij, ngaqë ishte thellësisht i frymëzuar nga drejtësia e çështjes për të cilën ai luftonte dhe punonte.

Cilësitë drejtuese të Mehmet Shehut nuk ishin dhurata të lindura; në pjesën më të madhe ato i kishte mësuar; ato ai i kishte fituar me anë të një njohjeje të plotë të parimeve psikologjike gjatë shkollimit ushtarak, por dhe me përvojën e luftës frontale disa vjeçare në Spanjë si dhe përmes praktikës së vijueshme gjatë luftës nacional-çlirimtare. Disa nga këto cilësi që M.Shehu manifestoi gjatë asaj lufte, duken lehtë të përvetësueshme, por nuk është ashtu.

Si gjithnjë, fitimtar do të jetë ai formacion ushtarak dhe ajo ushtri që ka drejtuesit më të mirë dhe në sajë të tyre, ajo që ka drejtuesit dhe ushtarët më të guximshëm, më besnikë dhe më të përkushtuar, sikundër i kishte Br1S, të zgjedhur nga gjithë trevat shqiptare.

Nevoja e parë e çdo grupi, qofshin dy njerëz apo edhe një komb i tërë, është drejtimi. Pa drejtim nuk mund të ketë veprim të bashkërenduar. Përvoja e të gjitha luftrave ka treguar se, për të bërë përpara, duhen bashkuar përpjekjet. Ky përqëndrim përpjekjesh është rezultat i drejtimit të mirë. Në kohë lufte, drejtimi i formacioneve ushtarake të çdo niveli, si dhe i gjithë ushtrisë, është i një rëndësie më të madhe se sa drejtimi në sektorë të tjerë të jetës.

Dy fjalë për udhëheqjen politike të luftës

Sikundër dihet, fitorja e luftës sonë nacional-çlirimtare nuk varej vetëm nga situata revolucionare, e krijuar nga kriza e përgjithshme e pushtimit, por nevojiteshin edhe kushtet subjektive: gatishmëria dhe ndërgjegjja e lartë politike e masave, udhëheqja dhe organizimi i shëndoshë i tyre. Këto kushte nuk u përgatitën vetvetiu. Kushtet subjektive të asaj lufte çlirimtare i përgatiti Këshilli i Përgjithshëm Antifashist NÇl dhe PKSH-ja me në krye Enver Hoxhën. Këto dy institucione të larta i dhanë asaj qëndrese antifashiste lidhjen organike (kohezionin), programin e qartë, organizimin e shëndoshë, frymën e thellë revolucionare, karakterin masiv, ndërgjegjen e lartë dhe bindjen e patundur në fitore. Ishte aftësia drejtuese e atij Këshilli Antifashist, e Shtabit të Përgjitshëm dhe e Enver Hoxhës që dijtën të përpunonin qëllimet dhe detyrat strategjike që duhej të zgjidhte ajo luftë, duke bërë të mundur çlirimin e Shqipërisë me forcat e veta, pa ndihmën e Ushtisë së Kuqe, sikundër ndodhi me të gjithë shtetet e tjerë të Evropës Lindore.

Ishin kryesisht aftësitë udhëheqëse të Shtabit të Përgjithshëm dhe veçanërisht të Enver Hoxhës që Ushtria jonë NÇl, edhe pse më inferiore në numër e në pajisje, me gjithë ndikimin e dukshëm të faktorëve të tjerë logjistikë, që u përball me 15 divizione fashiste dhe triumfoi, në sajë të epërsisë në cilësinë e drejtimit, të udhëheqjes në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale. Por edhe për Enverin si Komandant i Përgjithshëm ka "kritikë", të cilët kujtojnë se ia ulin vlerat udhëheqëse, duke thënë se, "ai nuk hodhi asnjë pushkë". Këtë e thonë ata që nuk dinë se ç'është ushtria dhe ç'është lufta. Për t'u mundësuar komandantëve të gjithë formacionve të një ushtrie, që ata të udheheqin trupat që u janë besuar, është e domosdoshme, sikundër thamë më lartë, ekzistenca e një trupe të posaçme, që quhet Shtab i Përgjitshëm. Dhe në krye të këtij shtabi vendoset Komandant i Përgjithshëm. Në rastin tonë ishte Enver Hoxha. "Kryekomandanti nuk mund të marrë pjesë kurrë në aksion, thotë Tolstoi, po vetëm jep udhëzimet e përgjithshme për lëvizjen e masave".

Nga biografia e komandantit të Brigadës

Mehmet Shehu lindi më 10 janar të vitit 1913 në fshatin Çorrush të Mallakastrës, i biri i Sheh Ismailit (vdekur në 1944), i cili ishte sheh i Teqes së Çorrushit, dhe Sulltana Alikaj (vdekur në 1972) nga Shkoza e Sevasterit të Vlorës. Mehmeti ishte i pari ndër katër vëllezërit.

Pasi mbaroi Shkollën Teknike Amerikane, në vitin 1935, ai shkoi në Itali me bursë, për studime në Kolegjin e Napolit. Aty dallohet për ndjenjat e tij revolucionare dhe antizogiste. Duke vazhduar mësimet studionte vijimisht literaturën marksiste-leniniste në shkollë, fshehurazi. Për veprimtarinë e tij revolucionare, Mehmeti spiunohet dhe për këtë arsye i pritet bursa, dëbohet nga shkolla dhe arrestohet. Këto masa e revoltuan akoma më tepër dhe e bëjnë më konsekuent në rrugën që ndiqte. Gjatë qëndrimit në Itali ai njohu më mirë kalbësirën e fashizmit dhe urrjtja ndaj tij u bë akoma më e fortë kundrejt këtij regjimi shtypës.

Kthehet në atdhe dhe për shkaqe kundërshtie ndaj regjimit të Zogut, burgoset 2-3 muaj në Tiranë. Me daljen nga burgu, punon në fermën e Shkollës Teknike si traktorist. Më pas ndjek Shkollën e Plotësimit të Oficerëve, ku titullohet në 1937.

Në dhjetor 1937 ai shkon në Spanjë përmes Francës, ku merr pjesë në Brigadën e 127 Internacionaliste "Garibaldi, e cila ishte e përbërë nga vullnetarë nga shumë vënde të botës.

Mehmet Shehu ka dhënë një kontribut të vlefshëm edhe përsa i përket letërsisë shqiptare, veçanërisht historisë së luftës sonë antifashiste, teorisë së artit Ushtarak Popullor dhe  çështjes së fortifikimit konkret të vendit, duke e renditur veten në teoricienin e vetëm ushtarak, në kuptmin e plotë të kasaj fjale. Qysh në vitin e parë pas çlirimit ai i dha kësaj teorie ushtarake disa vepra, si: "Kujtime nga jeta  Br1S", "Lufta për çlirimin e Tiranës", , është autor i Tezave të Këshillit të Mbrojtjes, autor i tekstit "Arti Ushtarak Popullor", "Një vështrim i shkurtër mbi strategjinë e socialimperialistve sovjetikë", "Mbi luftën popullore", "Mbi eksperiencën e LANÇ-it dhe mbi zhvillimin e ushtrisë sonë kombëtare"etj, duke e treguar veten një përshkronjës të zotin i asaj strategjie dhe taktike të zgjuar që e shpuri ushtrinë tonë nacional-çlirimtare në fitoren e madhe dhe për mbrojtjen e vendit; materiale të vyera këto si për teorinë ushtarake ashtu edhe për letërsinë. Ai nuk ka fjalë të tepërta në veprat e tij. Ka më tepër brumë se fjalë. Kjo është një meritë tjetër e tij. Shkrimet e Mhmet Shehut janë pothuajse të vetmet që të japin një ide më se të qartë prej profesionisti mbi taktikën, strategjinë, luftën, mbrojtjen, fortifikimin dhe ushtrinë. Mehmet Shehu ishte edhe poet. Vlen të theksojmë se ai është edhe autor i poemës për Luftën  Spanjës si dhe i Himnit të Br1S.

Në natyrën e Mehmet Shhut kishte diçka puritane, sikundër shprehen të gjithë ata që kanë luftuar e punuar bashkë me 'të. Bisedat dhe mendimet e shthurura e tmerronin; ai kishte idera të patundura mbi zhvillimin shoqëror të Shqipërisë dhe ndoshta për këto ide e sakrifikuan; ai e kaloi jetën me një pastërti morali prej virgjëreshe, ku nuk është parë kurrë të pinte as edhe një gotë alkool apo të shkonte nëpër restorante, klube apo buzuqe. Përzjerja që duan t'i bëjnë në kohën tonë njërës dhe tjetrës provon injorancën.

Mehmet Shehu ka punuar pa u lodhur pas lufte edhe për modernizimin e Ushtrisë Popullore dhe pajisjen e saj me shkencën ushtarake, të cilën e ka shprehur vetë Enver Hoxha me rastin e 15 vjetorit të çlirimit të Atdheut: "Për forcimin dhe modernizimin e ushtrisë iu desh një punë e madhe Partisë dhe komandës dhe këtë detyrë e kreu me nder gjenerali i lavdishëm i ushtrisë sonë, shoku Mehmet Shehu. Ai organizoi shtabet tona dhe, si Shef i Shtabit të Përgjithshëm, organizoi ushtrinë dhe e modernizoi atë.", (vepra, v.17, f.396). Të tilla vlerësime për M.Shehun Enver Hoxha ka bërë edhe për punën e tij 27 vjeçare si Kryeministër i Shqipëisë, i cili tregoi të gjitha cilësitë që duhet të ketë një burrë shteti i vërtetë.

Për merita të shquara ushtarake dhe politike Mehmet Shehu është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor i R.P.Shqipërisë me urdhërin "Hero i Popullit".

Mehmet Shehu fliste 5 gjuhë të huaja: anglisht, frëngjisht, italisht, spanjisht dhe rusisht. Versioni zyrtar i kohës tregon se kreu vetëvrasje në Tiranë më 18 dhjetor 1981. Nga rrethanat e ngjarjes së vdekjes së Mehmet Shehut ngjallet dyshimi se ai mund të jetë vrarë, sipas një shkrimi mbi Llambi Ziçishtin, anëtar i ekipit të mjekëve që shkoi tek shtëpia e ish-kryeministrit për të konfirmuar shkaqet e vdekjes.

vijon….

Njihni “të tredhurit”, sekreti tjetër i haremeve sulltanore

Posted: 13 Aug 2018 02:01 AM PDT

Asnjë institucion tjetër otoman nuk ka ngacmuar më shumë fantazinë perëndimore se sa haremi i sovranëve: vend i lojërave erotike dhe mërzisë në luks, intrigave me gjakderdhje që thureshin brenda Portës së Lumturisë. Haremi i kishte të gjitha këto. Mbi të gjitha, ishte një qendër për mbrojtjen e pushtetit dinastik.

Dhe kur përmenden haremet, vec femrave me tërheqjen e tyre të përjetshme, personazhi më enigmatic ishte "eunuku".

Nuk ka rrëfim me harem që mos përmenden eunukët.

Po çfarë ishin ata? Eunukët përbënin një fuqi më vete në perandorinë osmane.

Që nga 1591, ruajtja e haremit është detyrë ekskluzive e eunukëve zezakë. E kanë pothuajse gjithmonë prejardhjen nga Sudani apo Etiopia, dhe rekrutohen në mënyrë barbare: djem mes tetë dhe 12 vjec rrëmbehen dhe tridhen nga kristianë apo hebrenj (Islami ndalon besimtarët e tij të tredhin njerëz apo kafshë).

Tredhësi ndan penisin dhe testikujt, ndalon hemorragjinë, sterilizon plagën dhe ndalon bllokimin e kanalit urinar. Një fëmijë në tre i mbijeton procedurës, procesit të shërimit, që zgjat edhe me muaj, si dhe vuajtjeve urinare. Ata që ia dalin janë një pasuri e vërtetë për tregtarët: vetëm familjet më fisnike mund t'i lejojnë vetes shërbyes të tredhur. Për Topkapinë blihen me qindra.

Eunukët e moshuar u mësojnë të rinjve gjuhën kombëtare dhe fenë. Të rinjtë mësojnë të lexojnë, të shkruajnë dhe të bëjnë hesape, dhe i nënshtrohen stërvitjes ushtarake. Më pas, në bazë të talentit dhe aftësive, shërbejnë në rojën e pallatit apo si shoqërues personalë të një anëtari të familjes mbretërore apo një të preferuare.

Më të aftit mund të arrijnë pozicione me ndikim në administratën e haremit; komandanti i tyre është një prej njerëzve më me pushtet, më të informuar dhe më të korruptuar të sulltanatit: është anëtar i këshillit shtetëror, komandon rojat, kontrollon formimin e sulltanëve të mundshëm në burgjet e princërve, kryen detyrën e inspektorit për fondet për qytetet e shenjtë të Mekës dhe Medinës. Nëse u mbijeton intrigave të oborrit, ku eunukët me ngjyrë luajnë shpesh një rol kyc, në fund mund të kërkojë lirimin e tij për t'i kaluar vitet e fundit të jetës si njeri i pasur.

Eunukët nuk bëjnë vetëm rojë në hyrje të haremit dhe në apartamente, kontrolli i tyre ushtrohet edhe brenda. Haremi është si një bërthamë gjigande familjare, ku duhet të mësohen shërbyesit, të bëhet shoqërimi dhe ku duhet të bësh të mundur që të dalin hesapet.

Si dhe të ruash një disiplinë të hekurt. Hierarkia është e fortë, ceremoniali i ngurtë, mosbindja ndëshkohet me të rrahura me shkopinj: skllavet që kryejnë marrëdhënie homoseksuale apo tentojnë të afrohen me eunukët rrezikojnë ndëshkimin fizik ose vdekjen.

Përgjithësisht kanë qenë figura të urryera për turmën.

Kur mes viteve 1908 dhe 1909, revolucionarët turq i dhanë fund monarkisë dhe sulltani i fundit Abdyl Hamidi II u detyrua të heqë dorë nga froni, të parin që turma vari në urën e Gallatës ishte kreu i eunukëve të tij.

b.m. / dita

Në një vend të errët që s’ka drejtësi! (Utopia e lirisë në një sistem kriminal)

Posted: 13 Aug 2018 01:57 AM PDT

Tani në të sosur,
e kuptova mirë,
se nuk mbjell dot grurë,
në një shkretëtiré!.

Duhet ta kuptonim,
shumë kohë më parë,
se në shkretëtirë,
nuk mbin asnjë farë!.

Tani po më duket,
gati utopizém,
té kërkosh të drejtën,
në kapitalizëm!.

Farë e drejtësisë,
me drapër u korr,
se ne po jetojmë,
një rend djallëzor!.

Mbase po kërkojmë,
një gjë të pamundur,
e drejta ka vdekur,
këmbët i ka tundur!.

Ka ikur me kohë,
kohë e fukarasë,
sot i gjithë sistemi,
i shërben parasë!.

Té kërkosh të drejtën,
është një marrëzi,
kur është gjithë pushteti,
një vazhdimësi!.

Është e njëjta gjë,
i djathtë-a i majtë,
kur të njëjtën valle,
këtu hedhin djajtë!.

Të gjithë e gënjejnë,
popullin e shkretë,
veç një herë e duan,
në çdo katër vjet!

Veç një ditë e duan,
sa t’i marrin votën,
pastaj vazhdojnë “punën”,
t’i thellojnë gropën!.

Ne gënjejmë veten,
se jemi të lirë,
se po mbjellim grurë,
në një shkretëtirë!.

S’mund të jesh i lirë,
kur je fukara,
ndaj kjo fjalë më duket,
një palo shaka!.

S’mund të jesh i lirë,
kur je i papunë,
kur e shkon gjithë jetën,
si zog në furtunë!.

S’mund të jesh i lirë,
kur s’ka gjë në dorë,
kur gjithmonë trajtohesh,
thjeshtë si shërbëtor!.

Këtë lloj sistemi,
kam anatemuar,
dhe këtu është krejt,
i shpërfytyruar!.

Diku mund të ketë,
fytyrë njerëzore,
po këtu sundojnë,
epshet kafshërore!.

Epshi i pushtetit,
është më i ndyri,
sa përpara tij,
i bardhë është qymyri!.

Mos gënjeni veten,
që kini liri,
në një vend të errët
që s’ka drejtësi!
A.DUKA

Situata e rënduar me plehrat, gjobitet kryetarja e Bashkisë së Sarandës

Posted: 13 Aug 2018 01:46 AM PDT

Inspektorati i Mjedisit gjobiti me 1 milion Lekë të vjetra kryetaren e Bashkisë së Sarandës, Florjana Koka.

Kjo e fundit u gjobit për mosmenaxhim të mbetjeve në qytet, ndërsa 500 mijë Lekë është masa administrative e vendosur ndaj firmës së pastrimit.

Situata e keqe me plehrat në qytetin bregdetar bëri që Inspektoriati i Mjedisit të marrë masa për përmirësimin e kësaj gjendje.

o.j/dita

Dajti si atraksion turistik, vendoset sistemi i ndriçimit në zonën e Linzës

Posted: 13 Aug 2018 01:37 AM PDT

Krahas rregullimit të qendrave urbane, Bashkia e Tiranës po punon edhe për përmirësimin e infrastrukturës në zonat rurale.

Urbanizimi po prek çdo zonë të kryeqytetit e cila me ndarjen e re administrative-territoriale është bërë pjesë tashmë e Bashkisë së madhe.

Ndërmarrja e Punëtorëve Nr. 2 e kryeqytetit ka filluar këtë javë me vendosjen e shtyllave në zonën e Linzës, një aks rrugor tepër i rëndësishëm jo vetëm për rritjen e turizmit në zonën e Dajtit, por njëkohësisht edhe për mijërave familje që jetojnë në këtë zonë.

Dikur të harruara, tashmë këto zona po pajisen me të gjithë infrastrukturën e nevojshme të ngjashme me ato në qytet, duke sjellë një transformim dhe një impakt pozitiv edhe në përmirësimin e ekonomisë lokale për shitjen e produkteve bujqësore e blegtorale të zonës.

o.j/dita

Masakra në Selenicë, Rama reagon për herë të parë

Posted: 13 Aug 2018 01:34 AM PDT

Për herë të parë, Kryeministri Edi Rama ka reaguar 3 ditë pas masakrës së Vlorës ku u vranë 8 vetë. Duke iu përgjigjur replikave me komentuesit në rrjetin e tij social, Kryeministri thotë se ngjarje të tilla të rënda ndodhin në të gjithë botën.

Komentuesi: "Pasqyrë e bukur me 8 të vrarë? Policia duhet të punojë më shumë, me të vërtetë armët i kemi dhuratë nga xhaxhi Sali, por ju duhet të bëni diçka më shumë".

Replika e Kryeministrit Edi RamaMe fal Albert ti jeton ne kete bote apo jeton ne hene, sepse ne kete bote, ndodhira te tilla ekstreme ndodhin edhe ne vendet me te zhvilluara demokratike, e nuk kane asnje lidhje me qeverine

Tetë persona të fisit Zykaj në fshatin Resulaj në Selenicë të Vlorës, u vranë nga kushëriri i tyre Ritvan Resulaj.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e 10 Gushtit. Autori 24-vjeçar u kap nga policia 12 orë pas masakrës. Ai u tha hetuesve se kushërinjtë e tij të parë e kishin akuzuar për vjedhjen e pulave, prandaj dhe i vrau.

o.j/dita

Aretha Franklin, në gjendje të rëndë shëndetësore

Posted: 13 Aug 2018 01:30 AM PDT

Aretha Franklin raportohet të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore. Mbretëresha e "soul"-it, sot 76 vjeç, rrethohet nga familja e saj në Detroit, të cilët kanë kërkuar për lutje dhe ruajtje privatësie për legjendën e muzikës, e cila është përballur me disa probleme shëndetësore gjatë viteve të fundit.

Aretha ka qenë ende aktive duke performuar më së fundi vitin e kaluar, por verën e 2017-s ajo u detyrua të anulonte një seri koncertesh, për shkak të "urdhrave të doktorëve". Performanca e saj e fundit është regjistruar më 2 nëntor të vitit 2017, për fondacionin "Aids" të Elton Johnit në Nju Jork.

Performanca e fundit përpara publikut, ndërkohë, është mbajtur në "Mann Center" të Philadelphias, në gushtin e vitit të kaluar. Në fillim të atij viti, ajo do të bënte të ditur se 2017-a do të ishte i fundit aktiv i saj.

"Do të vazhdoj të regjistroj muzikë, por ky do të jetë viti im i fundit nëpër koncerte", njoftoi ajo gjatë një interviste radiofonike në shkurt të vitit të kaluar.

Ikona e muzikës "soul" ka vuajtur përgjatë të gjithë jetës së saj nga problemet me peshën, ndërsa është përballur edhe me alkoolizmin, por edhe me duhanpirjen.

Edhe pse vijonte të jepte performanca të magjishme edhe në të 70-at e saj, superylli kishte anuluar në disa raste disa të tilla për shkak të trajtimeve mjekësore të pazbuluara në publik. Megjithatë, ajo ka mohuar të ketë luftuar tumorin në pankreas gjatë vitit 2011, edhe pse të 3 vëllezërit apo motrat e saj kanë qenë prè e tumoreve.

Vëllai i saj Cecil, i cili ishte edhe menaxheri i saj, ndërroi jetë nga tumori në mushkëri në dhjetor të vitit 1989. Motra e saj Carolyn u nda nga jeta një vit më herët, në prill të 1988-s, nga tumori në gji, ndërsa motra më e madhe, Erma, humbi jetën në shtator të vitit 2002 nga turmoi në fyt.

Karriera legjendare e Arethës ka ndihmuar në shkrimin e historisë amerikane. Ajo ka performuar në funeralin e Martin Luther King Jr. në vitin 1968, ndërsa i ati i saj kishte organizuar një nga marshimet më të mëdha për barazi racore në Detroit, aty ku Luther Kingu do të jepte për herë të parë fjalimin e titulluar "Kam një ëndërr". Por, kur iu drejtua kombit dy muaj më vonë nga Uashingtoni, në vitin 1963, turma do t'ia kalonte asaj të regjistruar në Detroit.

Aretha ishte e para femër e përfshirë në Hollin e Famës së "Rock and Roll"-it në vitin 1987, ndërkohë që ka kryesuar edhe listën e "artistëve më të mirë të të gjitha kohërave" të "Rolling Stones". Ajo ka fituar 20 çmime "Grammy" gjatë karrierës së tij, përfshi edhe 3 nderime speciale: çmimin e legjendës (1991), çmimin e arritjeve jetësore (1994) dhe personi i vitit nga "MusiCares" në vitin 2008.

o.j/dita

E vërteta e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe a gënjen Avni Alcani?

Posted: 13 Aug 2018 01:21 AM PDT

Nga Naim Balla*

Ditë më parë Gazeta prestigjioze "Dita" (09.07.2018), gazetë e mirënjohur kombëtare, që shkruan vetëm të vërtetën, botoi një artikull të Avni Alcanit me titull, "Si u rehabilitua Beg Balla në vitin 1983". Në këtë artikull ai mundohet të shpjegojë dhe të na mbushë mendjen se në vitin 1983, ai si punonjës në muzeun e Librazhdit, së bashku me një instruktor partie dhe me miratimin e një sekretari partie, (V.B), arritën që të rehabilitonin figurën e atdhetarit dhe patriotit të madh të Çemenikës, Beqir ose Beg Ballës siç thirrej në popull, duke i vënë një foto në muzeun e rrethit!?

Dy momente politike të vështira kaloi Beg Balla në jetën e tij të gjatë gjithë, si njeriu më i rëndësishëm në Çermenikë e më gjerë në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë. Si përkrahës të Aqif Pashës, në vitin 1922, Halit Lleshi dhe Beg Balla komandonin 400 burra të armatosur nga Dibra dhe Çermenika dhe ishin nisur për në Elbasan, por në Shmil, u ndeshën me forcat e bashkuara vërlaco-zogiste. Pas fitores këto të fundit u futën në Orenjë, plaçkitën dhe i vunë zjarrin shtëpive të Beg Ballës, i cili që në këtë moment arratiset në azil politik në Jugosllavi dhe në Greqi. Ai do të kthehet në Atdhe në vitin 1926, vit në të cilin Zogu bëri amnisti politike. Rehabilitimin e parë politik të atdhetarit Beg Balla, e bëri persekutuesi i tij, Mbreti.

I dyti, pas vendosjes së sistemit socialist dhe fillimit të luftës së klasave në vitin 1951, Beg Ballën me gjithë aktivitetin e madh atdhetar dhe patriotik dhe kontributin e jashtëzakonshëm të tij, fisit të tij, Orenjës dhe Çermenikës në LANÇ, e bënë kulak. Pak ditë pas kësaj ngjarje Enver Hoxha interesohet personalisht, thërret sekretarin e partisë të Elbasanit, Todi Lubonjën dhe kur mëson se Beg Ballën e kishin bërë kulak, urdhëron ti hiqnin menjëherë këtë titull, duke thënë se Beg Balla nuk ishte as i kuq, komunist, as i zi ballist, por kafe, nacionalist, patriot dhe përkrahës i flaktë i LANÇ. Ky ishte persekutimi dhe rehabilitim i dytë politik i Beg Ballës, që u bë nga i Pari i vendit në Qarkun e Elbasanit. Tjetër nuk ka më.

Me dekret të Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë nr.1970 datë 23.02.195,1 Beg Balla është dekoruar me dy medalje, atë të 'Trimërisë' dhe atë të 'Kujtimit'. Më 27 nëntor të vitit 1962, me rastin e 50-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, me Dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor, nr 3608 datë 26.11.1962, Beg Balla është dekoruar me medaljen për "Veprimtari Patriotike". (Shih gazetën 'Zëri i Popullit', datë 27.11.1962. A ka vlerësim më të lartë se ky!? Kurse këto shokët në Librazhd, sipas Avniut, e paskan ditur akoma të persekutuar!? Mosdije apo dashakeqësi. Se ku e gjen autori i shkrimit persekutimin politik të Beg Ballës, as dreqi nuk e di, veçse në mendjen e tij diabolike. Një butafori dhe shtrembërim i pastër historik. Ku e gjetën fuqinë dhe tagrin që këto tre veta, atje në Librazhd të bënin edhe armik, edhe hero, të vinin a hiqnin foton në një muze, që bënin edhe 'diellin' edhe shiun.

Po të ishin kaq të fuqishëm këto burra pse nuk rehabilituan Kadri Hoxhën, mikun e ngushtë të Begut? Ai po, ishte i burgosur, i dënuar, i internuar, i super persekutuar! Këta shtrembërues të historisë, nuk guxonin ti zinin emrin në gojë.

Autori thotë se në librin e tij "Kur lindi Partia",Enver Hoxha e kritikon Beg Ballen kështu e ashtu, por në të gjitha faqet e këtij libri nuk gjen asnjë fjalë për Beg Ballën. Lajthitje apo dashakeqësi. Një maskaradë, trillim amatoresk, i qëllimshëm dhe i dënueshëm.

Edhe thënia e Enver Hoxhës në librin "Rreziku anglo amerikan për Shqipërinë" , ku Enveri e kritikon komandantin e Qarkut të Elbasanit ,Kadri Hoxhën për mefshtësi në punë dhe 'bën lloqe me Beg Ballën në Orenjë', nuk i drejtohet aspak Beg Ballës, por Kadriut dhe defekteve të tij në punë. Është hileqare, e qëllimshme dhe dashakeqe t'ia veshësh këtë kritikë Beg Ballës, siç bën Avniu!

Autori shpif hapur kur thotë se Enver Hoxha, në librin" Rreziku anglo-amerikan pë Shqipërinë" e quan Beg Ballën "bashkëpunëtor të anglezëve, tradhtar dhe reaksionar". Tekstualisht në faqen 64 të librit të mësipërm, Enveri i thotë Kadri Hoxhës: "Mirë, çoje gjeneralin anglez Devis tek miku yt Beg Balla në Orenjë, por kujdes se më kanë thënë se gjenerali është pak i moshuar dhe Begu është plak, mos e lër gjeneralin të nanuriset shumë me Begun. Komandanti I Grupit buzëqeshi. Bëj shaka i thashë, thotë Enveri, për të ngacmuar se e di që e ke mik, se Beg Balla është simpatizant i LANÇ". Kaq dhe vetëm kaq. Ku janë këtu akuzat për bashkëpunëtor, reaksionar e tradhtar. Shpifje dhe vetëm shpifje.

Pse autori nuk thotë që në librin "Mes njerëzve të thjeshtë", faqe 317, Enver Hoxha shkruan se: "Ashtu si Ali Shtëpani dhe Sherif Çekja, Beg Balla nga Orenja thirrej si gjykatës popullor për të ndarë davanë, ishte fshatar i mesëm, dëgjohej në popull dhe gëzonte besimin e tij. Ai u bë njeri i LANÇ, shtëpinë e tij e ktheu në bazë të LANÇ. Beg Balla u lidh me LANÇ me anë të Kadri Hoxhës". A ka këtu fjalë, spiun, reaksionar, tradhtar etj, siç shkruan paturpësisht ky manipulator i historisë.

Me këtë rast krahas qëndrimit kritik për manipulim, shtrembërim dhe shpifje për figurën e Beg Ballës, në respekt të lexuesit të gazetës 'Dita', do të sjellim shkurt figurën e patriotit dhe atdhetari Beg Balla nga Orenja e Çermenikës, (1872-1954). Beg Balla mbaroi shkollën e mesme në Stamboll dhe Selanik. Ishte anëtar i Shoqërisë patriotike "Drita" të Stambollit dhe i shoqërive patriotike" Bashkimi'" dhe "Vllaznia"të Elbasanit. Mori pjesë së bashku me patriotin Shaban Blloshmi në Kongresin e Alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir në vitin 1908. Hapi disa shkolla shqipe në fshat dhe Çermenikë. Mori pjesë në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë nga Ismail Qemali,më 28.11.1912. Në vitin 1913 emërohet nga Prefekti i Elbasanit, Aqif Pasha, Drejtor i Çermenikës deri në vitin 1922. Që nga viti 1927 deri në vitin 1939 zgjidhet disa herë Kryetar i Komunës së Çermenikës. Në vitin 1913 merr pjesë në 'Mbledhjen e Durrësit', ku zgjidhet një Qeveri Kombëtare e kryesuar nga Turhan Pashë Përmeti, ish-Kryeministër i Princ Vidit. Në vitin 1919 merr pjesë në një kuvend në Dukagjin të Matit, i organizuar nga Bajram Curri, Cen Elezi, Halit Lleshi etj, për të ruajtur të paprekur kufijtë e Shqipërisë. Lufton kundër haxhiqamilistëve në krahinë. Organizon çermenikasit dhe çon ndihma për luftën e Vlorës të vitit 1920. Në vitin 1920 merr pjesë në Kongresin e Lushnjes, i organizuar nga miku i tij Aqi Pashë Elbasani. Gjatë viteve të LANÇ, Beg Balla, gjithë fisi e miqtë e tij, fshati Orenjë dhe gjithë Çermenika, u vunë në mbështetje të saj pa asnjë rezerve, morën pjesë me armë në 'të . Ballajt i dhanë lirisë së Atdheut dy dëshmorë. Në Orenjë u krijua njësiti partizan në prill të 1942, çeta partizane e Çermenikës në 15 gusht 1942, batalioni partizan i Çermenikës më 9 Maj 1943. Në lagjen Ballaj qëndroi Sh.P.U.N.Ç, Misioni anglez në Shqipëri i komanduar nga gjenerali Devis. Aty u vendos spitali partizan më i madh në rang vendi, depot e municionit, armatimi partizan, shtypshkronja e Partisë Komuniste etj. Të gjitha këto, me miratimin, mbrojtjen dhe mbështetjen në radhë të parë të Beg Ballës. Në shtator të vitit 1942 Begu zgjidhet kryetar i KANÇ të fshatit, kurse në Konferencën e dytë LANÇ që u mbajt në Labinot, zgjidhet kryetar i KANÇ të Çermenikës dhe anëtar i KPANÇ të Shqipërisë.

Duke parë gjithë këtë aktivitet të dendur politik dhe patriotik të tij dhe pretendimit të autorit të shkrimit se paska rehabilituar Beg Ballën, të vjen për të qarë dhe për të qeshur. Veprimtaria e shumë anshme dhe multikrahinore e Beg Ballës nuk lidhet vetëm me qytezën e Librazhdit. Ishte dhe është hapësirë e vogël historiko-politike ajo e Librazhdit për figurën e Beg Ballës. Autori, duke e paraqitur veten si rehabilitues të figurës së Beg Ballës, kërkon që të rehabilitojë veten në sytë e opinionit publik në Librazhd dhe Çermenikë sepse është vënë në krye të një shoqatëze, e cila ka dalë hapur kundër Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.

Në librin e tij ,"Vite, njerëz dhe ngjarje", në faqen 128 Haxhi Lleshi shkruan: "Atje kisha një mik të vjetër, Beqir Balla nga Orenja, Beg e thërrisnin. Nuk e kisha takuar që kur kish qenë familjarisht tek ne në Dibër të Madhe bashkë me familjen e tij si emigrant politikë i ndjekur nga Zogu. Më vinte shumë mirë që edhe Çermenika si në të kaluarën, madje më shumë tani kishte rrokur armët kundër pushtuesit dhe miku ynë ishte bërë një nga njerëzit më aktivë të luftës në krahinë". Në vitin 1987, Presidenti Haxhi Lleshi bëri një vizitë kortezie në Orenjë dhe vendosi një kurorë me lule tek varri i mikut të vjetër të fisit të tij,Beg Balla.

*Naim Sadik Balla, është nipi i Beqir Ballës.

 

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more