Skip to main content

“Rama publikon video për ekonominë, qytetarët: Merru me krimin” plus 9 more - Gazeta Dita

“Rama publikon video për ekonominë, qytetarët: Merru me krimin” plus 9 more - Gazeta Dita


Rama publikon video për ekonominë, qytetarët: Merru me krimin

Posted: 11 Aug 2018 02:10 AM PDT

 

Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën sot duke publikuar një video për ecurinë ekonomike në vend, punësimin dhe bizneset e reja që janë hapur.

Por kjo video nuk është pritur mirë nga ndjekësit e tij në Facebook.

Ata i kujtojnë se sot duhej shpallur zi për 8 viktimat, ndërkohë që dikush tjetër i kujton vrasjet që po shënohen përditë nga veriu në jug të vendit.

"MIRËMËNGJES 😃dhe me këtë videoinformacion për ecurinë ekonomike, punësimin dhe bizneset e reja në vend, ju uroj një fundjavë të qetë 🌹"– shkruan Rama.

Pas videos kanë vërshuar komentet.

a.s/dita

Modriç, Interi shpreson deri në frymën e fundit. Gazetat spanjolle: Rinovon me Realin

Posted: 11 Aug 2018 01:59 AM PDT

 

Tundimi përballë ofertës së Interit ishte i fortë, por në fund Luka Modriç duket se ka vendosur të qëndrojë te Reali i Madridit, duke pranuar kështu mundësinë e parefuzueshme të rinovimit të ofruar nga Florentino Perez.

Ende nuk ka një zyrtarizim të gjithçkaje, por kjo e shtunë pritet të jetë dita vendimtare për të kuptuar të ardhmen e nënkampionit të botës me Kroacinë, i cili pasi ka vlerësuar të gjitha mundësitë me familjen e tij, duket se ka zgjedhur të qëndrojë në Madrid.

Vendimtar besohet të jetë bërë rritja e pagës në 10 milionë euro neto në sezon, po aq sa merr edhe Sergio Ramos te Reali.

Megjithatë, tentativat nga ana e Interit kanë ekzistuar e ndoshta do të provohet edhe në këto orë të fundit, pavarësisht se optimizmi duket se është si të drejtuesit, ashtu edhe te tifozët.

Këta të fundit mbajnë ende shpresa, pasi Perisiç publikoi një foto në rrjetet sociale ku shfaqeshin 3 lojtarë kroatë të zikaltërve…në pritje të të katërtit.

Por, shumë shpejt do të vinte edhe kundër-reagimi i medieve spanjolle, "AS" dhe "Marca", të cilat theksojnë se Perez ka luajtur kartën e fundit në dispozicion, duke i ofruar rinovimin fantazistit kroat me një pagë të niveleve të një "Topi të Artë" të Botërorit.

a.s/dita

Rrëzohet helikopteri gjatë trajnimit, vdesin 9 anëtarët e ekuipazhit

Posted: 11 Aug 2018 01:58 AM PDT

 

Të nëntë anëtarët e ekuipazhit në bordin e një helikopteri shpëtimi që u rrëzua në një mal afër kufirit prefektural të Gunma/Nagano në Japoni, u konfirmuan të vdekur të shtunën.

Helikopteri, i cili po kontrollonte një gjurmë malore përpara hapjes së saj për alpinistët, u rrëzua pranë kufirit prefektural të premten në mëngjes. Zyrtarët e prefekturës kanë identifikuar viktimat, duke nisur me pilotin Noriyuki Amagai, 57 vjeç dhe mekanikun Susumu Sawaguchi, 60 vjeç, të dy punonjës të Toho Air Service.

Ata ishin gjithashtu pjesë e një njësie të menaxhimit të katastrofave në prefekturë së bashku me dy të tjerë në bord – Satoshi Ozawa, 44 vjeç dhe Akihiro Oka, 38 vjeç. Pesë të tjerët ishin zjarrfikësit Ken Tamura, 47 vjeç, Yosuke Mizuide, 42 vjeç, Hidetoshi Shiobara, 42 vjeç, Hiroshi Kuroiwa, 42 vjeç dhe Masaya Hachisuka, 43 vjeç.

Rreth 160 anëtarë të ekipit të shpëtimit, zyrtarë të policisë dhe personeli i Forcës së Vetë-Mbrojtjes hynë në zonë në këmbë në mëngjes të shtunën. Ndërsa shkaku i rrëzimit ende nuk bëhet i ditur, dëshmitarët okularë thanë se helikopteri, që i përkiste Qeverisë Prefekturale të Gunmas dhe që drejtohej nga një kompani ajrore me bazë në Tokio, po fluturonte në një lartësi shumë të ulët.

Një dëshmitar okular tha se motori po bënte një tingull të pazakontë. Zyrtarët e qeverisë lokale në Prefekturën e Gunma thanë se helikopteri Bell 412EP humbi kontaktin pas largimit nga një heliport në Maebashi rreth orës 9:15 të premten.

Sipas një stacioni vendor të motit, moti në afërsi të vendit të aksidentit ishte i vrenjtur, por era nuk ishte e fortë në atë kohë. Helikopteri hyri në shërbim në maj të vitit 1997 dhe kishte kaluar mbi 7,000 orë fluturimi, ndërsa duhej të hiqej nga shërbimi në vitin 2020.

Nuk kishte asnjë regjistrues fluturimi në avion, sipas qeverisë lokale. Pajisjet e tilla nuk janë të detyrueshme për helikopterët e shpëtimit në këtë vend.

a.s/dita

Shqiptarët po bëhen indiferentë ndaj leximit

Posted: 11 Aug 2018 01:49 AM PDT

 

Shpenzimi i kohës online në rrjetet sociale duket se ka sjellë një indiferentizëm të dukshëm ndaj leximit në Shqipëri.

Arlinda Dudaj, drejtuese e shtëpisë botuese "DUDAJ" pohon se ka një largim të dukshëm ndaj librit.

"Ka shumë pak të interesuar t'iu afrohen librarive", pohon ajo. Tek të rinjtë interesi për të lexuar është i pakët. Dudaj këshillon që të jenë shumë të vëmendshëm prindërit dhe sidomos kurrikula shkollore. Është shkolla ajo që duhet të gjejë një rrugë të mesme mes edukimit të dashurisë, por edhe disiplinës që duhet të shtyjë brezin e ri të lexojë.

Si kanë ecur shitjet e librit gjatë këtij sezoni krahasuar me një vit me parë?

Gjatë këtij viti ka pasur një ulje të dukshme të shitjeve të librave. Dallohet një indiferencë e qartë për sa u përket librave dhe leximit në tërësi. Përkundër asaj çka vërehet gjate Panairit të Librit për shembull, ka shumë pak të interesuar t'iu afrohen librarive. Dhe në fakt edhe këto nëpër gjithësi lënë shumë për të dëshiruar. Ka shumë pak librari të denja për ta trajtuar librin ashtu siç ai e meriton të promovohet dhe shitet në fund të fundit. E shoh me dhimbje këtë largim dhe do të preferoja të mendoja qe gjithsesi është i përkohshëm.

A ka një rikthim te libri te të rinjtë?

Pati një periudhë që m'u krijua ideja se qe kështu. Le të themi që ka një komunitet të mirë lexuesish të rinj që komunikojnë mes tyre, qoftë në klube leximi, rrjete sociale, diskutime të hapura, por edhe këto janë shumë sporadike dhe të pakta. Unë jam e mendimit se dashuria për librin kultivohet që në vegjëli. Për këtë duhet të jenë shumë të vëmendshëm prindërit dhe sidomos kurrikula shkollore. Është shkolla ajo që duhet të gjejë një rrugë të mesme mes edukimit të dashurisë, por edhe disiplinës që duhet të shtyjë brezin e ri të lexojë. Në fund të fundit, edhe pse kohët kanë ndryshuar, unë mbaj shumë mirë mend që në shkolla na detyronte ne lexime që në fund të herës hapnin e zbukuronin mendjet tona. Ndaj kurrikula shkollore duhet të përfshijë lexime në mase të gjere që në hapat e para të jetës shkollore.

Cili zhanër preferohet?

Kryesisht letërsia, por edhe libra me karakter historik, më pak shkencor e shumë pak poezi.

Si e parashikoni ecurinë e librit në pjesën e mbetur të vitit?

Mbetem me shpresën dhe optimizmin që kjo rënie të ndalet. Sigurisht ne kemi sjellë disa libra të rinj për periudhën e verës, shkrimtarë tanët që i botojmë rregullisht dhe do të vijojmë me sjelljen e tyre në shqip. Për shembull Dan Brown me "Origjina", John Grisham me "Bashkëpunëtori", "Shuma e ditëve" nga Isabel Allende, Sveva Casati Modignani me "Vreshti i Anxhelikës", "Zogu ogurzi" nga Camilla Lackberg, "Ajo e errëta" nga Enkelejd Lamaj dhe "Ajlen" nga Esmeralda Petrela. Uroj vërtet që lexuesi ti marrë dhe t'i shijojë me gëzimin që vetëm një libër i mirë di ta shkaktojë./Monitor

a.s/dita

Çfarë mund të ndodhë me kufijtë e Kosovës?

Posted: 11 Aug 2018 01:41 AM PDT

 

Nga Bedri Islami

Kjo është kryetema e të gjithë lajmeve në mediat shqiptare dhe herë pas here, edhe të huaja. Disa janë kategorikë: tërësia territoriale e Kosovës nuk preket. Ato janë përcaktuar një herë e mirë dhe, duke shkuar më tej, janë vendosur me luftë. Njeriu më i prerë në këtë qëndrim është shefi i qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj. Disa janë më elastikë: mund të ketë edhe lëvizje apo ndryshime, duke pasur në mendje ndërrime të pjesshme në veriun e Kosovës; ndonjëherë shkohet edhe më larg, Mitrovicën e Veriut dhe disa komuna thellësisht me banorë serbë, por historikisht shqiptare, pasi serbët në shumicë janë kolonë të viteve të ndryshme, duke e shkëmbyer atë me Luginën e Preshevës. Njeriu më me ndikim që përshfaq këtë ide, duke nënvizuar se status-kuoja e tashme territoriale do të sjellë edhe humbjen e Luginës përmes lënies nën shtetin serb, edhe humbjen faktike të një pjese të veriut, përmes autonomisë de fakto, jo de jure, është profesor Qosja, nëse kam arritur ta kuptoj saktësisht. Megjithëse njëri, Profesor Qosja, është i njohur për qëndrimet e ashpra ndaj presidencës dhe zotit Thaçi dhe, Haxhiu është mbështetës dhe këshilltari në hije dhe në dritë i presidentit të Kosovës, ngjasimi në mendime vjen nga bindje të ndryshme:Qosja sheh perspektivën, Haxhiu ndjek vijën e pushtetit e ndoshta është para tij.

Disa të tjerë janë për korrigjime kufitare, të cilat mund të bëhen përmes një demarkacioni shtetëror, ku, sipas mendimeve, asnjëra palë nuk do të fitojë e asnjëra nuk do të humbë. Duke pasur parasysh lëshimet që janë bërë në të shkuarën me demarkacionet, si në rastin me shtetin maqedon e aq më tepër në rastin e Malit të Zi, vështirë se Kosova nuk do të ketë humbje përmes një demarkacioni të ri. Shtetarët e Kosovës shkojnë në bisedime si në dasma, nganjëherë nxjerrin nga xhepi një fletë të shkarravitur, nuk diskutojnë dhe nuk marrin mendimet e askujt dhe, bëjnë sikur i dinë të gjitha. Në fakt, nuk dinë asgjë, sepse jo vetëm që nuk kanë mësuar, por edhe pak kanë pyetur. Serbët shkojnë në bisedime duke pasur pas vetes një tabor akademikësh.

Ka edhe të tjerë që mendojnë se do të bëhen korrigjime, paqësore kësaj here, sipas të cilave shteti serb do bëjë “mirësinë” t'ia kthejë Kosovës pjesën e mbetur jashtë kufijve të saj, që është shumë e paktë me atë çfarë ka mbetur jashtë saj në fakt. Kjo ide njeh si përfaqësues presidentin e Kosovës, Thaçi, hyrja e të cilit në këtë temë nxiti të gjitha gjërat e tashme, përplasjet, mendimet, qëndrimet etj., u bë temë në median tonë dhe jashtë saj.

Askush, ndoshta as vetë Thaçi, nuk e di se si do të zgjidhet kjo tezë e fundit dhe pse papritur serbët do të lëshojnë në rrugë paqësore, pra si zgjidhje paqësore, një Luginë që e quajnë pjesë të saj, ashtu si quajnë pjesë të saj krejt shtetin e Kosovës.

Të besosh këtë mund të jetë naivitet politik, megjithëse ende nuk dihet se si lindi kjo ide. Di vetëm se, për herë të parë, kjo dje, krejt e papritur, është hedhur nga një institucion ndërkombëtar, por që në fakt prej vitesh duket sikur kërkon ndjesë për qëndrimin e NATO-s në vitin 1999.

Cilat lëshime mund të bëhen kësaj here? Çfarë qëndrimesh do të kenë palët në këtë rast? Kush qëndron pas kësaj ideje të fundit? Është e shqiptarëve, apo e kanë servisur serbët nëpërmes institucioneve lehtësisht të shantazhueshme? Është qëndrim politik, apo hedhja e gurit politik të radhës për të zgjatur një temë që e liron atë nga temat e tjera, po ashtu të mprehta? A është trajtuar Kosova në tryezën e bisedimeve mes dy presidentëve të botës, amerikan dhe rus? Ka shanse që Europa përmes lëshimeve që mund të bëjnë dëshmon se ka tani një qasje tjetër ndaj një problem që duhej ta kishte zgjidhur me kohë?

Së fundi ka edhe një tezë tjetër, të sjellë nga një pjesë e opozitës, që qëndrimet dhe mendimet e Thaçit t'i gjykojë Gjykata Kushtetuese, e cila shpesh herë ka dëshmuar se është pjesë e kabinetit presidencial dhe mund të mblidhet vetëm kur gjërat do të kenë mbaruar.

Kosova sa herë ka shkuar në bisedime, në të shumtën e rasteve ka humbur. Sepse ka shkuar në takime ndërkombëtare, duke menduar hallet e brendshme. Sepse këshilla e Presidentit Amerikan, Klinton, " ne luftën, ju paqen" u kuptua si një retorikë kalimtare.

Sepse shumë herë liderët nuk kanë menduar qëndrimin, por kthimin dhe si mund të shërbejë një dialog për pozitën vetjake. Sepse , ajo që duhej të ishte e para, ka qenë e fundit, dhe se pak herë në këto bisedime dikush është kujtuar se për të vajtur ato në Vjenë, Bruksel, Washington, për t'u quajtur ata liderë, për të qenë kryeministra, ministra, presidentë, është dhënë aq shumë gjak, sa që ende nuk është tharë.

Për mendimin tim vetjak:

Kosova duhet të shkojë në bisedime e përfaqësuar denjësisht, nga të gjitha strukturat dhe kur të jetë gati e jo kur ta thërrasin "pa eja, edhe ti njëherë"!

Ajo duhet të gjejë kohën e saj, kohën e duhur dhe njerëzit e duhur, ku të jenë bashkë liberalë dhe radikalë, akademikë dhe çlirimtarë.

Mendoj se pas luftës, është koha e akademikëve, njerëzve të dëshmuar, të cilët edhe pse nuk janë liderë partiakë, kanë përsëri tagrin e njerëzve që u kanë besuar në dekada.

Kosova nuk duhet të bëjë asnjë lëshim politik, territorial, ligjor, nuk duhet të vërë fare në diskutim ndarjen e Kosovës, t'i thotë "jo" kërkesës për autonominë për pakicat serbe, të cilat kanë shumë herë më tepër të drejta se sa çdo pakicë tjetër.

Kuvendi i Kosovës duhet të marrë përparësinë dhe t'i thërrasë mendjes se sot, më shumë se kurrë, duhet të rritet roli i tij vendimmarrës dhe kontrollues.

Kuvendi, pas çdo takimi të negociatorëve duhet të thërrasë mbledhje të jashtëzakonshme, ku të diskutohen në hollësi bisedimet.

Asgjë nuk duhet të jetë sekret apo tabu për Kuvendin, aq më tepër se nuk janë tabu për zyrtarët serbë. Kuvendi,duke marrë rolin primar, përmes një grupi të posaçëm, duhet të vendosë vetë kontaktet e drejtpërdrejta me SHBA, BE dhe me shtetin shqiptar, pa asnjë pas vijë politike dhe pushtetore.

Në fund, nëse Kuvendi lirohet nga zinxhiri i pushtetit dhe i vendoset tagri i tij aty ku duhet dhe është jo i kënaqur me bisedimet, qëndrimet politike e shtetërore, të kërkojë ndryshimin e grupit negociator dhe të bëjë publik qëndrimin e tij.

Kuvendi duhet të miratojë një ligj të posaçëm, special, përmes të cilit, të bëjë të njohur vendimin e tij se, kushdo që nëpërkëmb të drejtat e popullit të Kosovës, do të ketë jo vetëm përgjegjësi historike,por edhe ligjore.

Kuvendi mund të përcaktojë qartësisht: të gjithë ata personalitete, të cilët mund të jenë pjesë e Gjykatës Speciale, të cilët janë thirrur për hetimin e ngjarjeve të ndryshme, të mos jenë pjesë e delegacionit të Kosovës, sepse mund të jenë lehtësisht të shantazhueshëm, megjithëse kjo strukturë, Gjykata Speciale, nuk do të pyesë për qëndrimet e tyre, edhe sikur ata të bëjnë lëshime të mëdha, të dëmshme ndaj shtetit të Kosovës.

Shtatori mund të fillojë vendosjen e shumë gjërave. Por, nuk është e thënë që çështjet do të zgjidhen domosdo në këtë shtator. Ata që nguten janë serbët, sepse janë në ofensivë dhe kërkojnë përfitimet e të mundurve. Ndodh edhe kjo: të mundurit kërkojnë të përfitojnë nga fitimtarët, kur këto të fundit sillen si të mundur. Nëse përmes bisedimeve mund të arrihet kthimi i Luginës së Preshevës ku është vendi i saj historik, në Kosovë, dhe nëse kjo tezë nuk është një alibi e çastit dhe lojë e rrezikshme politike, kushdo do e mbështeste këtë.

Kosova ka humbur shumë nga ajo që ka fituar në luftë. Që të mos humbë më tej duhet të mblidhet mendja, të qartësohet mendimi, të shikohet perspektiva dhe të ngulmohet deri në fund. Të ngulmohet për ruajtjen e tërësisë territoriale të shtetit të Kosovës dhe, nëse gjendet, e vështirë në mos e pamundur, një rrugë paqësore për lëvizje që e forcojnë atë dhe bëjnë pjesë të tij vise të mbetura padrejtësisht jashtë, atëherë kjo do të ishte e mirëpritur. Rreth 95 për qind e shqiptarëve në Shqipërinë Londineze e përkrahin mendimin që Kosova Lindore të jetë pjesë e Kosovës, aty ku duhet të ishte prej shumë kohësh vendi i saj.

Rumani, mijëra protestues në sheshe, përplasen me policinë (Video)

Posted: 11 Aug 2018 01:33 AM PDT

 

Policia është përplasur me dhjetëra mijëra protestues antiqeveritarë në mbarë Rumaninë.

Një turmë mes 30 mijë e 50 mijë personash, përfshi edhe shumë të riatdhesuar, morën pjesë në protestat mbarëkombëtare, sipas asaj që theksojnë mediet vendase.

Disa prej protestuesve në kryeqytetin rumun, Bukuresht, hodhën shishe dhe pllakat e rrugës kundrejt efektivëve të policisë, ndërsa këta të fundit u kundërpërgjigjën me përdorimin e gazit lotsjellës, sprait djegës e madje edhe hedhëseve të ujit.

Rreth 100 protestues iu nënshtruan kujdesit të nevojshëm shëndetësor, sikurse edhe 10 policë morën ndihmën e parë sipas shërbimeve të emergjencave. Një grup protestuesish u përpoqën të çanin rrethimin dhe të hynin në ndërtesën qeveritare në Bukureshtit, por u zmbrapsën nga kordoni i sigurisë së policisë.

Disa të tjerë mbanin flamuj rumunë e atë të Bashkimit Europian, teksa thërrisnin slogane të ndryshme e u binin daulleve. Protestuesit kërkuan dorëheqjen e qeverisë, pasi kundërshtojnë përpjekjet e perceptuara prej tyre për dobësimin e sistemit të drejtësisë, përpjekje këto nga socialdemokratët (PSD) në pushtet, sikurse edhe për pagat e ulëta dhe korrupsioni i shtrirë gjerësisht në vend.

Protesta kundër partisë në pushtet PSD janë zhvilluar prej muajsh në Rumani. Në korrik, presidenti Klaus Iohannis miratoi shkarkimin e prokurores antikorrupsion, Laura Codruta Kovesi, e cila po udhëhiqte hetimet ndaj politikanëve lokalë e qendrorë për ryshfete. Presidenti Iohannis ishte vënë nën një presion gjithnjë e në rritje nga qeveria e PSD-së për të pranuar shkarkimin e saj.

Rreth 150 mijë shtetas rumunë u mblodhën në Bukuresht vitin e kaluar, pasi qeveria kaloi një dekret që do të mund të lironte të burgosurit e dënuar mbi akuza për korrupsion. Shumë shtetas rumunë të tjerë kanë ardhur nga emigracioni për t'iu bashkëngjitur protestave.

Sipas Bankës Botërore, rreth çereku i popullsisë së Rumanisë – afro 3-5 milionë banorë, – jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, duke kthyer mbrapsht në vendlindje rreth 5 miliardë dollarë, në një nga vendet më pak të zhvilluara të Bashkimit Europian.

a.s/dita

Rrjet i ri kanalizimesh në zonën e autostradës

Posted: 11 Aug 2018 01:28 AM PDT

 

Krahas investimeve brenda qytetit, një fokus të veçantë Bashkia e Tiranës po i kushton edhe shtrirjes së investimeve në zonat rurale, duke sjellë edhe një përmirësim të infrastrukturës për qytetarët dhe bizneset që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këto zona.

Investimi i radhës nga punonjësit e Bashkisë së Tiranës i përket rrjetit të kanalizimeve në zonën Industriale pas QTU, në rrugën "Bylis".

Specialistët e UKT nxorën nga përdorimi tubacionet e vjetruara duke ofruar siguri maksimale të menaxhimit të ujërave të përdorura.

Ky investim sjell një transformim të zonës, ndërkohë që i hap rrugën e dhe investimeve të tjera infrastrukturore.

Gjithashtu, Bashkia ka ndërtuar edhe lidhje të reja me pallatet në rrugën "Bardhok Biba".

Grupet e punës plotësuan kërkesat e konsumatorëve duke garantuar tashmë furnizim normal me ujë të pijshëm për të gjithë banorët e kësaj zone.

a.s/dita

Të tregojmë solidaritet me Kanadanë

Posted: 11 Aug 2018 01:13 AM PDT

 

Marrëdhëniet ndërkombëtare janë ashpërsuar; me presion ekonomik bëhet politikë pushteti. Shembulli më i fundit: grindja midis Arabisë Saudite dhe Kanadasë. Kjo grindje i prek të gjithëve, mendon Rainer Hermann.

Rainer Hermann*

Kriza që nisi Arabia Saudite me Gjermaninë nuk ishte aksident pune. Nëntorin e kaluar ministri i atëhershëm i Jashtëm, Sigmar Gabriel kritikoi politikën saudite. Pas kësaj, Arabia Saudite tërhoqi ambasadorin e saj nga Berlini, firmat gjermane që atëherë e kanë të vështirë të punojnë në Arabinë Saudite. Arabia Saudite reagoi jo vetëm në këtë rast me ndjeshmëri të madhe ndaj kritikës për situatat në Mbretëri dhe përgjigja që kthen është me dorë të rëndë. Sepse konflikti më i fundit midis Arabisë Saudite dhe Kanadasë tregon para së gjithash një gjë: reagime e pazakonta të ashpra të sauditëve kanë sistem. Kanadaja pati kërkuar që Arabia Saudite të shikonte mundësinë e lirimit të dy grave aktiviste. Zemërimi i Arabisë Saudite godet sot më me ashpërsi, se sa pati goditur Gjermaninë.

Arabia Saudite ndëshkon ata, që i konsideron të zëvendësueshëm. Kjo funksionon, për aq kohë sa Mbretëria mund të mbështetet te aleanca me SHBA dhe me Presidentin amerikan Trump. Të gjithë të tjerët, princi i kurorës Mohammed bin Salman i bën ta ndiejnë se i ka kategorizuar nën kategorinë e tij të peshës.

Tek të dyja palët ka nisur përpjekja për të siguruar mbështetje. Arabia Saudite mbledh ato shtete, të cilat varen ekonomikisht prej saj; ato duhet të tregohen solidare me Riadin dhe ta kundërshtojnë kritikën si “përzierje” të patolerueshme “në punët e brendshme” të një vendi.

Kanadaja nga ana tjetër nuk dëshiron të struket dhe dëshiron të luftojë edhe më tej për të drejtat e njeriut; për këtë kryeministri Trudeau kërkon nga shtetet perëndimore solidaritet, të cilin shpresojmë se nuk do t’ia refuzojnë. Absurde është që Arabia Saudite një kërkesë për të liruar veprimtarë të të drejtave të njeriut e refuzon e revoltuar, si një ndërhyrje në punët e brendshme. Mbretëria e praktikon këtë ndërhyrje vetë në shumë vende dhe e bën këtë duke lënë një shije të hidhur – për shembull në luftën në Jemen, me bllokadën e Katarit, më 2011 me dërgimin e trupave për shtypjen e protestave në shtetin fqinj të Bahreinit, në vitet e shkuara në SHBA dhe në Evropë me punën agjitative kundër marrëveshjes atomike me Iranin.

Edhe kjo bën pjesë në bërjen brutale të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në erozionin e rendit të deritashëm në botë: kur konfliktet dhe krizat nuk zbuten më me mjetet e politikës dhe të diplomacisë, por kur me presion ekonomik imponohet pushteti vetjak në kurriz të të tjerëve. Vende si Gjermania dhe Kanadaja duhet që në të tilla raste të mbështesin njëra-tjetrën.

*FAZ

SHBA e thellojnë me sanksionet e reja krizën e monedhës turke

Posted: 11 Aug 2018 01:09 AM PDT

 

Turqia kritikon sanksionet e reja amerikane për çelikun e aluminin turk që importohet në SHBA. Uashingtoni synon që me doganat e larta ta detyrojë Turqinë të lirojë priftin Brunson dhe shtetas të tjerë amerikanë.

Lira turke ndodhet në rënie të lirë, pasi Presidenti i SHBA Donald Trump miratoi dyfishimin e doganave për çelikun dhe aluminin turk. Monedha turke humbi për një periudhë kohe rreth një të pestën e vlerës kundrejt dollarit. Se kur do të hyjnë në fuqi sanksionet e reja amerikane, nuk është bërë e ditur.

Qeveria turke deklaroi se taksat ndëshkimore për çelikun dhe aluminin shkelin rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë. Pritet që të gjithë anëtarët e OBT-së t’u përmbahen marrëveshjeve ndërkombëtare, u bë e ditur.

Ndërkohë Presidenti turk Erdogan u ka bërë thirrje bashkëkombasve të tij që t’i kthejnë valutën dhe arin që kanë në monedhën vendase, për të vepruar kundër rënies së kursit të lirës. Por kjo thirrje e tij mbeti pa efekt. Rënia e lirës ka vazhduar.

Mosmarrëveshje SHBA-Turqi

Marrëdhëniet midis SHBA dhe Turqisë janë të rënduara aktualisht nga një sërë mosmarrëveshjesh, midis tyre nga arrestimi i priftit amerikan Brunson në Turqi. Uashingtoni synon që me doganat më të larta ta detyrojë Turqinë që ta lirojë priftin Brunson dhe shtetas të tjerë amerikanë.

Qeveria amerikane ka disa muaj që kërkon lirimin e klerikut evangjelist. Që prej tetorit 2016 ai ndodhet në paraburgim nën akuzën e spiunazhit dhe të mbështetjes së Partisë Punëtore Kurde (PKK), të kategorizuar si organizatë terroriste në Turqi. Turqia e akuzon Brunsonin edhe që mbështet lëvizjen Gylen. Ajo ka propozuar që prifti amerikan të këmbehet me Gylenin, i cili jeton në SHBA, por kjo është refuzuar prerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zëvendëspresidenti i SHBA, Mike Pence e paralajmëroi ditët e fundit Presidentin Erdogan që të përgatitet për masat që do të vijnë, nëse nuk e liron priftin amerikan. Meqenëse lirimi nuk ndodhi, javën e kaluar Presidenti Trump vendosi sanksione kundër Ministrit turk të Brendshëm dhe atij të Drejtësisë, që shihen si përgjegjësit kryesorë për rastin e priftit Brunson.

a.s/dita

Tlaib, gruaja e parë myslimane drejt Kongresit amerikan

Posted: 11 Aug 2018 12:56 AM PDT

 

Ish-ligjvënësja demokrate në shtetin e Miçiganit, Rashida Tlaib, ka mundur pesë sfidues në distriktin 13 të atij shteti në zgjedhjet paraprake për Kongresin amerikan. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh i cili ka ndjekur nga afër fushatën e saj, zonja Tlaib bëhet gruaja e parë myslimane që do të shërbejë në Kongresin amerikan.

Ahlam Jbara jeton në Çikago të Illinoit, 6 orë larg Detroitit, që do të thotë se nuk mund të votojë në zgjedhjet paraprake shtetërore. Por gara për Kongresin amerikan në distriktin 13 të Miçiganit ishte shumë e rëndësishme dhe personale për të.

Ndaj ajo udhëtoi gjashtë orë me makinë për të dalë vullnetare për fushatën e Rashida Tlaib në ditën e zgjedhjeve.

"Si myslimane amerikane, si arabo-amerikane si palestinezo-amerikane… unë jam ajo, ajo është unë."

Megjithëse janë zgjedhje në Miçigan, fushata e zonjës Tlaib për Kongres ka implikime historike dhe mbarëkombëtare, kryesisht për gratë myslimane amerikane, që shohin fitoren e saj si një mundësi për të ardhmen.

"Thjeshtë mesazhet në telefon nga vajza të reja; sapo mora një nga Nju Jorku, të japin shumë emocione", thotë kandidatja Rashida Tlaib.

"Ajo ka formuar një gjeneratë të re me të rinj që duan të kandidojnë për poste", thotë vullnetarja Ahlam Jbara.

"…ajo po tërheq të rinjtë por edhe të tjerë që janë bërë amerikanë dhe që nuk kanë votuar më parë si dhe vetë amerikanët që nuk kanë votuar ndonjëherë sepse nuk kishin besim në qeverinë e tyre", thotë Ahlam Jbara.

Këto vota sollën ndryshimin për zonjën Tlaib, diçka që ajo dhe mbështetësit e saj vunë re vetëm pas një pritje të gjatë për rezultatet e garës tejet të ngushtë.

Ndonëse e pushtuar nga emocionet kur dëgjoi rezultatin, zonja Tlaib shfrytëzoi rastin për të folur mbi rëndësinë e këtij momenti historik për familjen e saj.

"Dua të falenderoj mamanë time që është nga Bregu Perëndimor, e gjithë familja po pret me padurim para televizorit, dua të falenderoj gjyshen dhe të gjithë familjen time në Palestinë që po ndjekin në televizor mbesen e tyre të fitojë këto zgjedhje".

Meqenëse në zgjedhjet e nëntorit nuk ka sfidues nga republikanët, zgjedhjet paraprake ishin e vetmja sfidë për zonjën Tlaib para se të betohet në Kongresin amerikan, një rol që shumë amerikanë myslimanë po e shikojnë me padurim dhe shpresë.

"Ata ndjehen se Rashida përfaqëson ata. Rashida do të jetë fytyra dhe zëri i tyre në Kongres. Duke qenë Rashida në Kongres, ne jemi amerikanë sikurse edhe ju", thotë vullnetarja nga Çikagoja.

Së shpejti mund të ketë të tjerë si ajo. Ligjvënësja somalezo-amerikane Ilhan Omar konkurron për Kongres në shtetin Minesota më 14 gusht dhe mund të shërbejë së bashku me Rashida Tlaib në Kongresin amerikan./VOA

a.s/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more