Skip to main content

“Legjenda e luftimit të shkaqeve të migrimit” plus 1 more Telegrafi Opinione

“Legjenda e luftimit të shkaqeve të migrimit” plus 1 more Telegrafi Opinione


Legjenda e luftimit të shkaqeve të migrimit

Posted: 09 Aug 2018 01:11 PM PDT

Na ishte njëherë një kohë e varfërisë së madhe dhe e thatësisë. 60 milionë vetë u ngritën dhe u nisën për rrugë, për t’i shpëtuar luftës, urisë dhe dëbimit që kishte pllakosur atdheun e tyre. Në Gjermaninë e largët, ku rridhte qumësht dhe mjaltë, qytetarë dhe politikanë të merakosur ranë në mendime, si mund t’i ndihmonin këta njerëz. Dhe u lindi një ide: të luftonin shkakun e migrimit.

Ka ardhur koha që t’i jepet fund kësaj ore përralle politike. Sepse ajo bazohet jo vetëm në një mbivlerësim të pamasë të vetes. Por nxjerr në pah edhe një vlerësim pa masë të gabuar.

Sa për ta kujtuar: që në 23 maj 1993 u kufizua e drejta për të marrë azil. Që atëherë, fjalia “të përndjekurit politikë gëzojnë të drejtën e azilit” në nenin 16 të Ligjit Themelor nuk vlen më për qytetarë të shteteve të BE dhe të shteteve të treta, në të cilat vlen Konventa e Gjenevës.

Shkas për këtë ndryshim të kushtetutës u bë lufta e Bosnjës. Argumentimi i të ashtuquajturit “kompromis i azilit” përsëritet deri sot si formulë magjike e politikës gjermane ndaj migrimit: në vend që të pranohen gjithnjë e më shumë refugjatë në Gjermani, duhet të luftohen shkaqet e varfërisë në vendet e origjinës.

25 vjet pas “kompromisit të azilit” numri i njerëzve që kanë marrë arratinë në të gjithë botën nga lufta, përndjekja dhe uria ka arritur në rreth 70 milionë. Dhe kjo megjithë rritjen e shpenzimeve për bashkëpunimin ndërkombëtar për zhvillimin. Që prej vitit 1993, vetëm pjesa gjermane në ndihmën zyrtare për zhvillimin sipas të ardhurave kombëtare bruto është rritur nga 0,35 përqind në 0,7 përqind.

Sado i lëvdueshëm dhe i nevojshëm që është ky angazhim – një vështrim në krizat globale tregon se paratë janë vetëm një komponent në luftën kundër arsyeve të migrimit. Diktatorët, kleptokratët dhe nxitësit e luftës për fat të keq nuk impresionohen nga ndihma humanitare dhe nga planet Marshall të zhvillimit. As lufta në Siri, as ajo në Jemen dhe as arratia e Rohingyave nga Myanmari nuk luftohen me politikën e zhvillimit. Për më tepër, shembulli i luftës së Irakut tregon: është e vështirë që të luftosh shkaqet e migrimit, kur këto shkaqe i krijon një “koalicion i të vullnetshmëve” vetë, i drejtuar nga SHBA.

Po pa merak: kjo nuk është thirrje për apati politike ose fare për të eleminuar ndihmën për zhvillimin. Është kërkesë për më shumë sinqeritet dhe për modesti. Dhe për më shumë koherencë (veprime të bashkëlidhura logjike) politike. Sepse përtej diplomacisë së luftës dhe dialogut të diktatorëve ekzistojnë shumë mundësi për t’i pakësuar të paktën arsyet e migrimit.

Lista e fushave ku nuk jepet ndihmë është e gjatë. Kështu peshkatarët në Senegal mund të jetonin nga ajo që peshkojnë, po të mos ishin flotat e BE që i plaçkisin tabanet e detit para brigjeve afrikanoveriore. Dhe fshatarët e vegjël afrikanë nuk do ta humbisnin bazën e jetesës së tyre, po të hiqte dorë BE nga hedhja në tregjet afrikane të prodhimeve të tij të subvencionuara. Veç kësaj Gjermania mund të kontribuonte që të zbuten pasojat e ndryshimit të klimës, po ta ulte edhe më shumë nxjerrjen e dioksidit të karbonit. Sepse avancimi i krijimit të shkretëtirave si pasojë e moteve ekstreme dhe e rritjes së nivelit të detit godet më të varfrit e më të varfërve. Dhe po të mos dërgonte armë më në Arabinë Saudite, në Algjeri, në Turqi ose në rajone të tjera krize qeveria gjermane, besueshmëria e saj do të rritej.

Berlini mund të prijë pra me shembull të mirë, po të kujdesej për më shumë koherencë në kabinetin e tij. Edhe për sa kohë do të ketë përparësi argumenti, se asgjësohen vendet e punës, po të mos eksportojë më Gjermania armë në zonat e krizës? Ose se mbrojtja e klimës rëndon industrinë?

Edhe ne si qytetarë dhe zgjedhës duhet t’u japim përgjigje këtyre çështjeve. A jemi të gatshëm që t’i riorientojmë standardet tona të deritashme për mirëqenie dhe cilësi jetese? Kjo pyetje delikate politike deri tani nuk ka marrë përgjigje. Në vend të kësaj tregohet herë pas here përralla e luftimit të shkaqeve të varfërisë. Si 25 vjet të shkuara. Një dëshmi varfërie për një vend të pasur.

The post Legjenda e luftimit të shkaqeve të migrimit appeared first on Telegrafi.

Mitrovica vs. Presheva

Posted: 09 Aug 2018 02:25 AM PDT

Redi Shehu

Jo larg, por dhjetë vjet më parë, në një ditë të ftohtë dimri, mijëra vetë mbushnin sheshet e Prishtinës dhe të gjitha qyteteve kosovare, duke festuar të ekzaltuar për shpalljen e pavarësisë së një cope Shqipërie të persekutuar për gati një shekull nën një aparteid serb krejt tipik në llojit e vet. Avulli që dilte nga gojët e shqyera prej gëzimi të atyre turmave njerëzore, jepte përshtypjen e një makinerie gjigante njerëzore prej avulli e vënë në lëvizje nga një shkak i jashtëzakonshëm. Asokohe, sheshet ishin mbushur me ngjyrën kuqezi të flamurit kombëtar shqiptar dhe as që mendohej e as që imagjinohej që pak vite më vonë, një copëz blu, me një hartë të verdhë administrative të Kosovës, do të përbënte atë flamurin anemik politik të saj, i cili do të shërbente si alibia e korrektesës dhe ndershmërisë së politikanëve kosovarë në raport me atë që ata fort pëlqejnë ta përmendin: dhuruesit e pavarësisë së Kosovës!

Prej asaj dite të ftohtë, shumë gjëra kanë ndodhur dhe pranvera kosovare, në kuptimin politik, po ngelet gjithmonë e më shumë një stinë me pak lule të çelura. E përmbledhur në pak fjalë, ajo që ka ndodhur me bisedimet apo negociatat që politika kosovare ka bërë në Bruksel me serbët, apo edhe me vetë Bashkimin Evropian, ka qenë të pranuarit me plot gojë të të negociuarit të persekutimit, vuajtjes dhe aparteidit me shkaktarin e saj. Në përgjithësi, zakonisht, bisedimet janë një proces që angazhon dy palë, të cilat negociojnë asetet e veta për të arritur në një marrëveshje dypalëshe. Kosova ka qenë prezente në këto bisedime, duke vënë në tryezë asetin e vetëm që kishte, atë të të qenurit viktimë e padrejtësisë dhe vrasjeve historike ndaj saj. Ky aset, për shkak se gëzon atribute morale të njohura ndërkombëtarisht, është i panegociueshëm. Nuk mundet askush të negociojë mbi gjakun, pronën, territorin apo edhe moralin e një kombi. Këto janë vlera të pacenueshme dhe të panegociueshme nga askush.

Gabimi me politikën kosovare ishte pikërisht ky, që lejoi dhe pranoi të vinte në tryezën e pazareve politike ndërkombëtare asetin e panegociueshëm të saj. Që me pranimin e fusnotës e deri te marrëveshjet diskriminuese ndaj saj, politika kosovare i ka hequr statusin moral të pacenueshmërisë dhe paprekshmërisë së vlerave të veta morale kombëtare.

Nëse Kosova nuk do të pranonte të ulej në negociata, të cilat preknin sadopak këtë aset, ajo sot do të ishte më e avancuar në bisedime, të cilat do të mbronin më shumë interesin e saj si shtet i ri dhe modern.

Tani, aq bajate janë bërë të luajturit me gjërat e panegociueshme dhe të pacenueshme, sa ajo harta e verdhë e territorit të Kosovës në një sfond blu të flamurit politik kosovar, duket se nuk do ta ketë jetën e gjatë.

"E ku është problemi?", mund të thotë dikush.

Ne jemi akoma në botën e eksperimentit dhe epruvetës politike, ndaj çdo gjë është e lejuar. Pas dhjetë vitesh ekzaltime popullore dhe lëpirje të pështira të elitave politike kosovare, rezultatet të çojnë drejt një pesimizmi, i cili sa vjen e bëhet më progresiv lidhur me atë se çfarë do të ndodhë me Kosovën. Sot, pas dhjetë vitesh, në një hipnozë pavarësie, diskutohet nëse do të ndahet Kosova apo jo. Dikush me një entuziazëm adoleshentësh bërtet se mund të marrim Luginën e Preshevës në këmbim të Mitrovicës së Veriut ! Uaaa…! Po paprekshmëria dhe pacenueshmëria? Po statusi moral i të qënurit meritor për të gëzuar atë që të është privuar? Ku vajtën? Kush i harroi?

Vjen një pikë dhe gjërat pas shumë absurditetesh kalojnë në statusin e tyre qesharak. Kishte jo pak, por më shumë se dhjetë vite që na thuhej se për të bërë gjënë e natyrshme, bashkimin me Shqipërinë, ishte jo vetëm e parealizueshme, por edhe e pamendueshme. Kjo se na zemërohen aleatët. Sot, pas gjithë kësaj periudhe, përballesh me një mundësi, e cila për çudi duket krejt e lehtë: lëshimi i Mitrovicës së Veriut dhe këmbimi me Luginën e Preshevës. Pra, nëse harta anon nga bashkimi dhe zgjerimi i faktorit gjithëshqiptar, kjo është e pamendueshme, por ama nëse anon nga tkurrja dhe deformimi, kjo na qenka diçka krejt e lehtë.

Në situatën në të cilën ndodhet sot Kosova, është më e lehtë qërimi nga harta i Mitrovicës së Veriut, sesa shtimi me Luginën e Preshevës. Ky është një hesap i lehtë për t'u bërë. Deklaratat e presidentit te Kosovës, z. Thaçi, nuk duket se janë origjinale të vetat, sepse është pak e çuditshme që nga një sjellje politike tërësisht vasaliteti, të kalohet në një deklaratë të tillë pa mendimin dhe aprovimin e partnerëve. Gjithashtu, z. Thaçi duhet të na sqarojë se çfarë do të thotë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, por do të këtë shtim të territorit të saj me Luginën e Preshevës. Nëse me këtë i referohet një dëshire të paparë serbe për integrim në BE, saqë të jenë në gjendje të na e falin Preshevën, kjo as që nuk futet në kategorinë "arsyetim normal". Nëse me këtë do të na tregojë se do bashkohet me Shqipërinë dhe me Preshevën në të njëjtën kohë, kjo do të ishte një aventurë që Evropa dhe historia moderne e saj na ka mësuar se është në limitet e fantazisë.

Atëherë, çfarë do të thotë "nuk do humbim territore, po do marrim Preshevën" dhe këtë me referendum popullor? Çështja e Mitrovicës së Veriut, së pari nuk është "çështje"; së dyti, nuk ka asnjë lidhje paralelizuese me Luginën e Preshevës. Këto janë çështje të ndara. E vetmja gjë që i bashkon është se futen brenda kategorisë "çështje shqiptare". Nëse duam që të zgjidhim çështjen shqiptare duke sakrifikuar një çështje shqiptare, kjo nuk ka të bëjë me ndonjë zgjidhje, por me pazare tipike historike ndërkombëtare në kurriz tonin.

Gjëja tjetër që të lë me gojëhapur është përshkrimi në tërë këtë histori të Serbisë, e cila me tabaka në dorë është e gatshme të na japë Luginën e Preshevës. Serbia, edhe kur e pati humbur luftën në kulmin e disfatës pati bërë me dije se kurrë nuk do të heqë dorë nga Kosova; imagjinoni tani se çfarë do të bënte me Luginën e Preshevës. Por, edhe nëse do të ndodhte një shkëmbim i tillë, kjo do të legjitimonte çdo përpjekje shqiptare pastaj për të bashkuar kufirin artificial shtetëror me atë natyral kombëtar dhe kështu, Ballkani do të duhej të kthehej në një qendër gjigante tregtare, ku aktiviteti kryesor i saj do të ishte "real estate" me këmbim pronash.

A do të ishte e gatshme BE-ja për një gjë të tillë?

The post Mitrovica vs. Presheva appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more