Skip to main content

“Kush janë dy shqiptarët që humbën jetën në tragjedinë e Xhenovas” plus 9 more - Gazeta Dita

“Kush janë dy shqiptarët që humbën jetën në tragjedinë e Xhenovas” plus 9 more - Gazeta Dita


Kush janë dy shqiptarët që humbën jetën në tragjedinë e Xhenovas

Posted: 15 Aug 2018 02:17 AM PDT

Marjus Djerri, 22-vjeçari nga Shijaku është i pari viktimë shqiptare e konfirmuar nga tragjedia e urës Morandi, dhe pas tij edhe shoku me të cilin udhëtonin bashkë, Edi Bokrina.

Marjusi ishte me origjinë nga Shijaku dhe jetonte prej vitesh me familjen në Genova. Mediat italiane thonë se dy të rinjtë ishin punëtorë të shërbimit komunal të ambientit.

Edi Bokrina është shoku i tij, të cilit udhëtonin bashkë në të njëjtën makinë dhe mediat italiane shkruajnë se trupi i tij u gjet në sy të prindërve dhe bashkëshortes.

Edi ishte nga Shkodra, dhe prej disa vitesh jetonte në Itali gjithashtu. Lajmi për ndarjen e tij nga jeta u dha më parë nga vetë daja i Edit, e më pas konfirmimi nga ambasada shqiptare në Itali.

o.j/dita

Kontrollet e AKU, 9 subjekte tregtonin mish e bulmet jashtë standardeve

Posted: 15 Aug 2018 02:14 AM PDT

Nëntë subjekte janë identifikuar në qarqet Tiranë, Shkodër, Fier, Korçë dhe Lezhë, të cilët kryenin aktivitetin e tyre në kundërshtim të plotë me ligjin për sigurinë ushqimore.

Sipas AKU, këto subjekte ushtronin aktivitet, produkte me origjinë shtazore dhe jo shtazore, prodhim përpunim mishi, minimarket, ëmbëltore, tregtim të produktit peshk.

Ndaj tyre janë marrë masa administrative me gjobë për shkak se nuk plotësonin kushtet higjeno-sanitare si dhe u mungonte dokumentacioni shoqërues.

Ndërsa dy prej subjekteve me aktivitet përpunim mishi dhe tregtim të produktit peshk u mor masë e menjëhershme, konfiskim të mallit dhe bllokim aktiviteti.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën thirrje edhe operatorëve të biznesit ushqimor që të jenë të kujdesshëm në blerjen e lëndëve të para – produkte shtazore dhe jo shtazore duke kërkuar e marrë nga furnitorët vetëm produkte me etiketë dhe të shoqëruara dokumentacion të plotë veterinar e fiskal.

o.j/dita

Tomori, kulti i tabusë mbrojtëse

Posted: 15 Aug 2018 02:02 AM PDT

Moikom Zeqo

Nuk dihet se kur ka nisur të praktikohet ngjitja e Malit të Shenjtë si një Festë për të gjithë njerëzit, me ngjyrë, besime dhe  madje me gjuhë të ndryshme.

Dikur para Erës së Re besohet se ka nisur gjithçka.

Për vetë vetitë që besohet të ketë ende Mali i Tomorit, paganët e dikurshëm vendosën që çdo verë të caktoheshin pesë ditë nderimi për të dhe misticizmin e tij.

Më vonë, pas daljes së Kalendarit Romak, rastisi se Festa e Ngjitjes së Malit dhe therjes së bagëtive si kurban të fillonte më 20 gusht dhe të përfundonte të paktën zyrtarisht më 25 të këtij muaji.

E ngjizur si Festë e sektit të Bektashinjve, në fakt, këto ditë duket se Festa është për të gjithë.

Nga të gjitha viset e Ballkanit, historikisht kanë pelegrinuar me mijra njerëz , vetëm e vetëm, që të jenë të pranishëm në vendin aq të shenjtëruar dhe mistik.

Dhjetra janë edhe emrat e njerëzve të njohur të letrave të artit dhe të shkencës shqiptare që kanë konfirmuar  pjesëmarrjen e tyre në Ditët e Tomorit.

Festa nisi me një ekspozitë pikture të hapur në qytetin e Çorovodës dhe me një sërë veprimtarish të tjera artistike dhe përkujtimore, të planifikuara dhe të programuara që më parë deri në detajet më të vogla.

Ditët e Festës së Tomorit – ato organizohen çdo vit – mbledhin në majën e malit të lartë dhe të shenjtë jo vetëm pelegrinët shqiptarë të brenda kufijve territorialë, por edhe ata të Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë, SHBA- se.

Por edhe nga Italia, Spanja ,Greqia, Gjermania, Kroacia dhe Izraeli etj.

Të gjithë paskëtaj, pa ndonjë dallim të madh me njëri-tjetrin i hipin kurrizit të Malit Plak, bëjnë kurbanet dhe kthehen sërish në shtëpitë e tyre, çuditërisht me një ndjenjë lehtësie në shpirt.

***

Periudha Parabizantine,- tepër e gjatë dhe e lakueshme me të dhëna mitologjike dhe historike, nis të paktën që nga epet e Homerit, ku përmendet emri i malit të Tomorit.

Më pas të dhënat e Strabonit dhe të autorëve të tjerë antikë, por edhe të ndonjë poeti të veçantë, si Theopompi, flasin për karakterin kultik të malit Tomor, që studiuesit e lidhin me emrin e malit Tomor.

***

Dy janë vërejtjet thelbësore që lidhen me këtë konstelacion informatash.

E para: Homeri flet për kultin e Zeusit pelazgjik dhe të Dodonës "dimërkeqe".

Ky epitet ka rëndësi kolosale sepse në pozicionin gjeografik të Dodonës afër Janinës nuk mund të flitet për një klimë të ashpër malore dhe "dimërkeqe".

Kjo vërejtje ka të bëjë me një lartësi malore të veçantë, ku dimri është i ashpër dhe jo me një klimë mesdhetare të Jugut.

Kjo do të thotë se Homeri ka parasysh një lëvizje të vendit të kultit të Dodonës nga Veriu në Jug dhe jo e kundërta.

Straboni flet se dikur ka pasur dy Dodona, deri sa ka mbetur Dodona e ilirëve mollosë, si orakulli në Jug më i vjetri.

E dyta: Kulti i Zeusit quhet pelazgjik, pra jo një kult i mirëfilltë grek, por një kult paragrek.

Kurse shërbyesit e orakullit janë të lidhur me një tabu të çuditshme.

Sipas Homerit, ata flenë përtokë dhe nuk i luajnë kurrë këmbët.

Kjo tabu e ujit është e habitshme dhe shpjegimi i saj ka mbetur i pakuptuar deri më sot.

Por e rëndësishme është ekzistenca shumë e vjetër e institucionit të tabusë në vetvete.

***

Në Periudhën Bizantine kemi të dhënë konkrete për malin Tomor.

Këto të dhëna na tregojnë se mali Tomor ka një rëndësi të veçantë në gjeografine shqiptare, të lidhur ngushtë me qytetin e Beratit, këtë kryeqytet të Shqipërisë së Mesme, sipas kujtimeve të shkruara nga princi Muzaka.

Kështu dokumentet përmendin malin Tomor herë si pjesë të maleve Akrokeraune, dmth të Karaburunit dhe herë siç ndodh në një gjeografi venedikase me emrin e malet e Diabolit, dmth të Djallit, që ka derivuar në toponimin e sotëm të Devollit.

Madje vazhdon të quhet si pjesë e maleve Akrokeraune.

Kjo ndodh deri në shekullin e 17-të.

Nga ana tjetër, përmendet edhe toponimi Tomorishtë, por edhe Tomorishta për krejt zonën e Myzeqesë së Principatës së Gjon Muzikës.

Emri i malit Tomor kapërcen kufijtë e malit dhe bëhet një emër shumë më i gjerë administrativ dhe gjeografik.

***

Në dokumentet bizantine përmendet edhe kështjella e Tomorit.

Kështu, Jani VI Kantakuzeni, duke shkruar për kryengritjet shqiptare kundër bizantinëve në vitet 1335-1336, flet konkretisht për kështjellën strategjike të Tomorit.

***

Tre shekuj më parë murgu Gjergj Kedreni përshkruan luftën e perandorit Bizantin Vasili II kundër Bullgarisë dhe Carit Jan Ivaci.

Kedreni thotë, se Perandori i Bizantit – Vasili i 2-të, i masakroi ashpërsisht bullgarët dhe në qytetin e Devollit u bë një ceremoni triumfi , ku pjesëtarët e familjes mbretërore bullgare ,si gruaja e Jan Vladisllavit me tre djem e gjashtë vajza, djali legal i Samuelit, si dhe dy vajza e pesë djem të Radomirit të Samuelit, i ranë në këmbë dhe i kërkuan mëshirë Perandorit të Bizantit pikërisht në këtë qytet që lidhet me emrin e Devollit, emër, që në kronika të tjera bizantine është quajtur edhe vetë mali Tomor.

Meqenëse në fushën e Devollit sot nuk ka një qytet të tillë,(  ose nuk eshte gjetur nga arkeologet) , siç flitet në kronikat e shekullit të 9-të, ne mund të supozojmë , se toponimi i Devollit është një mbetje e mëpasshme e një qendre të dikurshme, që nuk mund të identifikohet veçse nëse supozojmë që ka qenë një herë midis Beratit dhe Ohrit ,ose mbase edhe vetë në Tomor.

Një kronist i shekullit XIII dhe XIV, Efremi flet, se si Strategu bizantin, Kantakuzeni , u ngjit në Tomor , ku qëndroi shtatë ditë dhe pastaj sulmoi Boemundin e Normanëve, duke zënë rob kushëririn e Boemundit.

Kjo tregon që zona e Tomorit ka pasur një karakter të veçantë mbrojtës.

Tabu  Mbrojtëse!

***

Madje Gjergj Kedreni shton në të dhënat e tij , se tre djem të familjes mbretërore bullgare ikën dhe u fshehën për t'u mbrojtur në malin Tomor, që ishte më i sigurt nga vrasjet dhe ndjekjet.

Këto tregojnë se në malin Tomor ka ekzistuar një Tabu Mbrojtëse e Malit, një Zonë e Shenjtë, që nuk mund ta shkelje dhe një traditë e vazhduar në shekuj.

***

Efremi në kronikën e tij në vargje tregon edhe një episod që ka ndodhur më 1216 për vëllain e Teodor Engjëll Komnenit, të quajtur Mihal, i cili u therr,  nga një i quajtur Romeo , natën ndërsa Mihali ishte duke fjetur në Tomor, pra duke e shkelur Tabunë e malit Tomor.

***

Teza e Zonës Tabu vërtetohet nga shënimet e udhëpërshkruesit Evliha Çelebiu, i cili flet se në malin e Tomorit është e ndaluar të priten dru, kurse kriminelët që arratisen në këtë mal i shpëtojnë grushtit të ligjit, por nuk janë më të mbrojtur, kur dalin nga Zona e Shenjtë e malit.

***

Tani të bëjmë një sintezë të të dhënave.

Vërtetohet një mbijetesë e institucionit të Tabusë në Tomor, por i ndryshëm nga ai i traditës homerike që ka të bëjë me tabunë e ujit.

Por vijon megjithatë tradita e Zonës së Shenjtë të quajtur Temenos (Vendi i Hyjnisë).

Toponimi Mali i Djalit – Diavolos- Devoll, që duhet shpjeguar drejt.

Vetëm eufemizmi është një institucion mitik dhe kult. Shpjegimin e saktë e jep përcaktimi, që mali Tomor është quajtur edhe si maja e maleve Akrokeraune.

Dihet se malet Akrokeraune ose Malet e Vetëtimave kanë qenë vendi paraolimpik i Zeusit, kryeperëndisë pagane.

Pikërisht Zeusi pelazgjik nga Akrokeraune është vendosur sipas mitologjisë greke në Olimp të Greqisë.

Në periudhën bizantine të krishterë teologët e kanë anatemuar paganizmin dhe traditat pagane të kultit të Tomorit dhe si mal i Zeusit të Akrokerauneve është quajtur nga dogmatizmi bizantin si Mali i Djallit,- Diavolos.

Por tradita e nderimit të malit dhe e Tabusë së tij mbijetoi.

Mitologët thonë se Kulti i Zeusit fillimisht ka qenë një Kult Solar, pra i kultit të Diellit.

Por Zeusi si kryeperëndia e rrufeve ka krijuar idenë e shpagimit dhe të epitetit homerik të Dodonës "dimërkeqe".

Kështu Faza Pas-homerike , ose Faza Bizantine e të dhënave për Tomorin tregon një mbijetesë të kultit pagan, të korruptuar nga një epokë e mëtejshme, por gjithsesi të pazhdukur dot.

***

Kulti i malit Tomor vazhdoi deri në vitin 1600, kur u ndërtua në Kulmak varri kenpotaf simbolik i Abaz Aliut dhe Tomori u bë Kryemali i Bektashizmit Shqiptar,mbas kësaj, për gjithë kohërat.

Kështu, duke i parë, me një sy të ri dhe ndryshe , burimet e të dhënave, më duket se kemi zbuluar enigmën dhe sekretin e Kultit të malit Tomor.

 

                                                                                                   ***

 Kjo teoria ime ( shpjegimi shkencor ) është një mundësi logjike, por që në të ardhmen e ka të domosdoshme plotësimin me të dhëna dhe studime të reja. (1998)

 

A vlejnë miliona euro të harxhuara për kasat fiskale?

Posted: 15 Aug 2018 01:53 AM PDT

Gjergj Erebara

Në fund të muajit korrik strukturat e Kontrollit Tatimor vërshuan drejt plazheve dhe zonave turistike të vendit dhe pasi morën në sitë mijëra biznese, bllokuan aktivitetin për 30 ditë kalendarike për dhjetra lokale, restorante dhe hotele të cilët nuk lëshonin kuponin tatimor. Kuponi tatimor lëshohet nëpërmjet kasave fiskale, një sistem super i kushtueshëm i raportimit financiar i cili i transmeton të dhënat në kohë reale nga bizneset te tatimet.

Megjithatë, edhe pse shqiptarët kanë paguar disa dhjetëra milionë euro si sipërmarrës apo taksapagues gjatë tetë viteve të fundit për këtë sistem fiskal, të dhënat e zbuluara nga BIRN tregojnë se ai nuk funksionon. Ndërkohë, qeveria e cila vazhdon t'i ndëshkojë bizneset për mospërdorimin e sistemit, mendon se një investim i ri me vlerë rreth 1.9 miliardë lekë (rreth 15 milionë euro) do të mund ta ndryshojë gjendjen.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, një institucion pranë Këshillit të Ministrave, njoftoi së fundmi hapjen e një tenderi që synon të rregullojë atë që nuk ka funksionuar deri tani në sistemin e shumëdebatuar të kasave fiskale, një sistem i instaluar fillimisht në vitin 2010, i cili solli fitime marramendëse për një grup kompanish të licencuara nga qeveria për shitjen dhe mirëmbajtjen e kasave por që nuk solli ndonjë përmirësim të dukshëm në të ardhurat buxhetore apo në cilësinë e menaxhimit fiskal.

Dokumenti i tenderit rendit 13 probleme të rënda me sistemin aktual, përfshirë ato që i quan "gabime" në raportim dhe "vështirësi në nxjerrjen e të dhënave për sa i përket xhiros sipas datave, muajve, vitit…"

Ky është një nga investimet më të mëdha në sistemin e menaxhimit fiskal të vendit ndërsa leverdisshmëria ekonomike e këtij investimi mbetet e dyshimtë, për shkak se nuk dihet nëse sistemi i ri do të sjellë apo jo rritje të të ardhurave.

BIRN iu drejtua me një kërkese për koment Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve duke kërkuar informacion mbi problemet e sistemit aktual të kasave fiskale dhe detaje për studimin e kostove dhe efikasitetit te sistemit të ri që po blihet, por nuk mori përgjigje.

Kasat nuk shmangën evazionin

Në vitin 2007, qeveria e kohës vendosi të krijojë sistemin e kasave elektronike me transmetim në kohë reale në tatime, një sistem që shumë vende e kanë zbatuar dekada më parë dhe më pas kanë hequr dorë për shkak të mungesës së leverdishmërisë ekonomike. Teorikisht kasat printojnë një faturë për mallin apo shërbimin e paguar nga klienti në një biznes çfarëdo dhe në kohë reale krijojnë një faturë elektronike, e cila i transferohet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në mbyllje të ditës së punës. Në teori, shumatorja e këtyre faturave të lëshuara nga një biznes i caktuar i ndihmon tatimet për të llogaritur xhiron e subjektit si dhe detyrimet fiskale. Kur kasat u instaluan për herë të parë në vitin 2010, qeveria e kohës pretendoi se vendosja e këtij sistemi do të shmangte automatikisht evazionin fiskal dhe do të rriste të ardhurat buxhetore.

Por që në fillim, instalimi i kasave duket se nuk u bë në mënyrë të integruar. Nga kompanitë e licencuara për shitjen e kasave, disa filluan të shesin makina të thjeshta llogaritëse dhe u mbrojtën me argumentin se ligji i qeverisë nuk e kishte specifikuar se çfarë kapacitetesh duhet të kishin kasat e shitura.

Në total, në Shqipëri u shitën mbi 160 mijë kasa me një çmim mesatar prej 300 eurosh për kasë dhe një total prej dhjetëra milionë eurosh. Por pasi kasat u instaluan u vu re një problem. Tatimet nuk kishin kapacitetet teknike për të grumbulluar të dhënat e raportuara nga kasat.

Një donacion privat i kompanive celulare, të cilat përfitojnë nga sistemi përmes instalimit të kartave sim për transmetimin e të dhënave, krijoi një sistem të quajtur Nexus. Tatimet pretendojnë se këto kasa janë të fiskalizuara, d.m.th, që shërbejnë për të matur xhiron e bizneseve dhe për të llogaritur detyrimet fiskale. Por fakti është se dhjetëra milionë eurot e paguara për kasa fiskale nuk kanë sjellë ndonjë përmirësim të dukshëm në të ardhurat tatimore nga TVSH e brendshme apo nga Tatimi i Fitimit. Edhe sot, njësoj si në kohën para kasave fiskale, mbi 76% e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar arkëtohet në dogana nga mallrat e importit dhe vetëm 24% nga TVSH e brendshme, në një kohë kur supozohet se vlera e shtuar është shumë më e lartë nga importi i mallrave deri te shitja finale.

Dokumenti i tenderit ankohet se kasat që shiten aktualisht në Shqipëri për të cilat bizneset paguajnë rreth 300 euro janë të cilësisë së keqe, nuk kryejnë mbyllje automatike të ditës së punës.

"Në shumë raste janë hasur probleme me modemin e transmetimit jo cilësor," shkruhet në përshkrimin e punës për fituesin potencial të tenderit.

"Kur pajisjet fiskale standarde transmetojnë më shumë se një datë brenda një skedari, dhe skedari ka brenda disa rreshta me nr. 10, ngarkohet në sistem vetëm rreshti i parë (rreshti 10 i datës së parë). Rreshtat e tjerë që përmbajnë xhiron ditore të datave te tjera nuk ngarkohen. Kjo ndikon të gjithë raportet që dalin mbi xhiron e pajisjes fiskale duke vështirësuar nxjerrjen e xhiros për një kasë fiskale. (ditore, mujore, vjetore)," shkruhet më tej në raport.

Investimi më i shtrenjtë në të gjitha kohërat

Administrata tatimore ka kryer edhe më parë investime të mëdha në teknologjinë e informacionit, të cilat, kur janë përzgjedhur për t'u përdorur, janë prezantuar si mrekulli që do të luftojnë evazionin fiskal. Rasti i fundit i një investimi të tillë të shtrenjtë ishte viti 2015, kur rreth 16 milionë euro u hodhën për të krijuar një sistem elektronik të quajtur Cots, i cili supozohej se do të menaxhonte nga njëra anë komunikimin elektronik dhe vetë deklarimin e bizneseve pranë tatimeve dhe nga ana tjetër, do t'i mundësonte tatimeve kapacitete analizuese të të dhënave, përfshirë menaxhimin e riskut.

Të dhënat e mbledhura në mënyrë elektronike krijojnë mundësinë e analizimit të shpejtë, i cili, përmes përdorimit të formulave matematike, është në gjendje të ngrejë "flamuj të kuq" për transaksione apo biznese të caktuara që mund të jenë në kushtet e shmangies fiskale apo evazionit fiskal. Inspektorët janë në gjendje të përqendrojnë kapacitetet e tyre kontrolluese në terren duke inspektuar ato biznese që shfaqin më shumë "flamuj të kuq". Për shembull, kur një biznes raporton norma fitimi në mënyrë konstante të ulëta për disa vjet me radhë, atëherë kjo gjë ngre një flamur të kuq për bilance të falsifikuara për shkak se supozohet se në një situatë normale norma e fitimit të bizneseve do të variojë një vit e lartë e një vit më e ulët.

Të 16 milionë eurot për sistemin Cots duket se nuk mjaftojnë dhe për këtë qëllim, tatimet kanë në plan të shpenzojnë edhe 15 milionë euro të tjera për përmirësimin e sistemit Nexus me tenderin aktual.

Në fakt, propozimi për koncesionin e TVSH-së i prezantuar nga Ministria e Financave në janar të vitit 2016 kishte për synim ekzaktësisht zëvendësimin e sistemit Nexus të transferimit të të dhënave nga kasat fiskale te administrata tatimore. Koncesioni nuk u materializua pasi qeveria u tërhoq.

Administrata tatimore dhe doganore shqiptare mund të konsiderohen si një nga administratat më të kushtueshme në botë sa i përket kostos së shpenzuar për mbledhjen e të ardhurave. Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, OECD, kryen herë pas here analiza mbi efikasitetin e punës së administratave fiskale nëpër vendet anëtare të saj për të parë se cili nga shtetet është më i aftë që të mbledhë të ardhurat tatimore duke shpenzuar më pak.

Sipas OECD, administrata fiskale i kushton vendeve normale rreth 1% të të ardhurave tatimore. Aktualisht në Shqipëri kostoja e tatimorëve dhe doganierëve dhe sistemeve shoqëruese është sa 2.1% e të gjitha të ardhurave, por kjo kosto përfshin vetëm shpenzimet buxhetore dhe jo shpenzimet private, të tilla si shpenzimet e bizneseve për kasa fiskale që duket se nuk kanë funksionuar që prej tetë vitesh tashmë dhe që kërkojnë edhe 15 milionë euro të tjera investim me supozimin se një ditë do të mund të funksionojnë.

Sistemi i ri i kërkuar nga tatimet është Oracle. Kompania fituese do të duhet të dorëzojë produktin brenda dy vjetësh nga data e fitimit të tenderit si dhe të ofrojë mirëmbajtje për dy vjet të tjera. Ofertat e tenderit hapen më 17 shtator 2018. /BIRN

Vritet me plumb në kokë emigranti shqiptar në Athinë

Posted: 15 Aug 2018 01:46 AM PDT

Një shtetas shqiptar është gjetur i vrarë me plumb në kokë në Athinë. Sipas mediave vendase, viktima është 36 vjeç, ndërsa identiteti i tij nuk është bërë me dije.

Trupi i tij i pajetë u gjet në kryqëzimin e rrugëve Makris dhe Parnithos në lagjen Kypseli. Shkaqet e kësaj ngjarjeje nuk dihen, ndërsa policia ka nisur hetimet për të zbardhur krimin e rëndë.

o.j/dita

Publikohet dokumenti për shkëmbimin e territoreve Kosovë – Serbi

Posted: 15 Aug 2018 01:25 AM PDT

Gazeta "Zëri" ka arritur të sigurojë një raport të hartuar nga gjashtë ekspertë serbë dhe të përkrahur nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Beograd, në të cilin paraqiten skenarët për shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky raport në mënyrë të detajuar flet për efektet ekonomike, demografike e sociale dhe për ide të ndryshme për normalizimin e raporteve në mes të dyja vendeve. Në dokument propozohet që Kosova të marrë vetëm Preshevën, ndërsa Serbia katër komunat veriore të vendit, ndër të tjera përmenden përfitimet nga ky skenar prej 2.7 miliardë eurosh për shtetin fqinj.

Serbia dhe Kosova mund të arrijnë marrëveshje për shkëmbimin e territoreve, ku Kosova mund të marrë vetëm komunën e Preshevës, pa Bujanocin dhe pa Medvegjën, ndërsa katër komunat veriore (Leposaviçi, Zveçani, Zubin Potoku dhe Mitrovica Veriore) do t'i bashkëngjiteshin shtetit fqinj.

Kështu rekomandojnë gjashtë ekspertë serbë nëpërmjet një raporti me titull: "Efektet ekonomike, demografike e sociale dhe skenarët e ndryshëm për normalizimin e raporteve midis Beogradit dhe Prishtinës", i botuar në prill të vitit 2018 dhe i përkrahur nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Beograd.

Raporti prej 90 faqesh i përgatitur nga autorët: Miladin Kovaçeviç, Dushan Gavrlioviç, Dragan Popoviç, Milena B. Stevoviç, Liljana Sekuliç dhe Katarina Stançiç, i shtjellon në mënyrë të detajuar dy skenarë për normalizimin e marrëdhënieve: normalizimi i raporteve midis Beogradit dhe Prishtinës, ku përfshihen edhe skenari për shkëmbimin e territoreve, edhe skenari pa shkëmbim të territoreve, por me zbatim të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 dhe skenari i Status Quo-s, i cili nënkupton mosnormalizimin e raporteve në mes të dyja vendeve.

“Lufta” vazhdon: Turqia rrit tarifat e importeve me SHBA

Posted: 15 Aug 2018 01:13 AM PDT

Turqia ka rritur ndjeshëm tarifat për importet e SHBA, duke përfshirë makinat, alkoolin dhe duhanin. Një dekret i nënshkruar nga Presidenti Rexhep Tajip Erdogan ngriti tarifat mbi makinat në 120%, me pije alkoolike në 140% dhe me duhanin në 60%.Tarifat u rritën gjithashtu në kozmetikë, oriz dhe thëngjill. Turqia më parë kishte thënë edhe se do të bojkotonte produktet elektronike të SHBA.

Kjo vjen pasi Uashingtoni  imponoi sanksione ndëshkuese ndaj Ankarasë. Shtetet e Bashkuara dyfishuan tarifat javën e kaluar lidhur me refuzimin e Turqisë për të ekstraduar një pastor amerikan, i cili është i burgosur atje, shkruan scan tv. Presidenti Erdogan ka akuzuar SHBA se po përpiqet të "sjellë Turqinë në gjunjët e saj përmes kërcënimeve ndaj një pastori".

A po shkon Turqia drejt një krize ekonomike?

Që nga janari, lira turke ka humbur më shumë se 34% të vlerës së saj kundrejt dollarit, duke rritur çmimin e sendeve të përditshme. Monedha e dobësuar e Turqisë, u zhyt në më shumë se 20% në përgjigje të sanksioneve amerikane.

Presidenti Erdogan tha se Turqia po merrte masa për të stabilizuar ekonominë e saj dhe nuk duhet ti "dorëzohet armikut" duke investuar në monedha të huaja.

o.j/dita

Argjentina, Messi “kërkon pushim”

Posted: 15 Aug 2018 01:06 AM PDT

Lionel Messi i ka thënë një "Jo" kombëtares argjentinase, të paktën për momentin. Njoftimi vjen nga Argjentina, aty ku e përditshmja "Clarin" citon burime nga Federata, për të shpjeguar vendimin e "pleshtit" për të mos iu përgjigjur thirrjeve të ardhshme për miqësoret, në program të zhvillohen në Shtetet e Bashkuara kundër Guatemalës dhe Kolumbisë (7 dhe 11 shtator).

Numri 10 i "Selección"-it, fitues i freskët i Superkupës spanjolle që e ka çuar në plot 33 tituj rekordin me katalanasit "blaugrana", duket se ia ka bërë të ditur vendimin trajnerit të përkohshëm Lionel Scalonit, në pritje që Federata argjentinase të zgjedhë pasardhësin e Jorge Sampaolit.

Me sa duket, bëhet fjalë për një moment të dytë "pushimi dhe reflektimi", pas asaj që "pleshti" vendosi të bëjë pas zhgënjimit për humbjen në finalen e Kupës së Amerikës. Edhe asokohe tifozët iu frikësuan një vendimmarrjeje të mundshme të Messit për t'u tërhequr përfundimisht nga formacioni "albiceleste", por këtë herë gjasat janë me më shumë baza.

Kjo, sepse në Botërorin e Rusisë, eliminimi përballë Francës i dha një tjetër goditje të fortë shpresave të një prej futbollistëve më të talentuar argjentinas, e mbi të gjitha sepse në Federatën argjentinase dominon një periudhë pasigurie e humbje besimi ndaj kujtdo, përfshi edhe Messin.

Heshtja e gjatë e "pleshtit", i cili faktikisht nuk ka folur kurrë pas eliminimit nga Botërori, nuk lë vend për të supozuar diçka pozitive. Shtypi argjentinas ka lëshuar tashmë alarmin, duke lënë të kuptohet se, si kurrë më parë, në këtë moment Messi ndihet jashtë "Seleccion"-it.

Katër herë fitues i "Topit të Artë", Messi nuk ka ndërmend të kthehet pa u sqaruar situata më parë, duke nisur nga emërimi i trajnerit, që gjithsesi vështirë se mund të bëhet përpara fundit të vitit. Vetëm atëherë do të vendosë nëse do t'i thotë përfundimisht lamtumirë Argjentinës, apo do të përpiqet të fitojë diçka me fanellën e kombëtares, me mundësitë e fundit që janë Kupa e Amerikës 2019 dhe Botërori 2022.

o.j/dita

Armë, municione e drogë. Arrestohet 25-vjeçari në Vlorë

Posted: 15 Aug 2018 12:58 AM PDT

Një 25-vjeçar është arrestuar nga Policia e Vlorës, pasi iu gjetën drogë, armë e municione luftarake. Denis Muhametaj nga Llakatundi i Vlorës u arrestua në flagrancë gjatë operacionit të koduar "Mercury".

Atij iu gjetën dhe sekuestruan 1 automatik, 4 krehëra pistolete dhe kallashnikovi, 1260 fishekë pistolete dhe kallashnikovi, 3 motora për mjete ujore, një furgon, një kamionçinë dhe një autoveturë, si dhe 15.7 kg kanabis e 340 kubikë kanabis.

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprat penale "Kontrabanda me mallra të tjera", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", "Prodhimi, shitja e narkotikëve", dhe "Kultivimi narkotikëve".

o.j/dita

Tragjedia në Xhenova, Veliaj: Lutjet e mia për viktimat dhe familjet e tyre

Posted: 15 Aug 2018 12:41 AM PDT

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka shprehur ngushëllimet për tragjedinë që ndodhi në Xhenova, ku u shemb ura e autostradës dhe ku pati edhe viktima dhe shumë të plagosur.

Në një mesazh në twitter, kryebashkiaku Veliaj thotë se mendimet dhe lutjet shkojnë për viktimat dhe familjet e tyre, ndërsa falenderon dhe ekipin e kërkim-shpëtimit që po punon pa ndërprerje në vendin e tragjedisë.

"Jam i pikëlluar nga tragjedia e tmerrshme që goditi Xhenovën. Mendimet dhe lutjet e mia për viktimat dhe familjet e tyre. Uroj një shërim të shpejtë të të plagosurve. Një falënderim për heronjtë që punojnë pa ndërprerje në vendin e tragjedisë", shkruan Veliaj.

o.j/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more