Skip to main content

“Kapet i riu që ishte kthyer në tmerrin e banesave të Maqellarës” plus 9 more - Gazeta Dita

“Kapet i riu që ishte kthyer në tmerrin e banesave të Maqellarës” plus 9 more - Gazeta Dita


Kapet i riu që ishte kthyer në tmerrin e banesave të Maqellarës

Posted: 10 Aug 2018 02:00 AM PDT

Arrestohet nga policia autori i disa vjedhjeve në Maqellarë të Dibrës.

24 vjeçari Viktor Rudi nga Shupenza e Bulqizës u prangos nga forcat e rendit pasi besohet se ka kryer disa grabitje ne Maqellare, duke shkaktuar frikë tek banorët.

Fillimisht më 23 korrik kishin rënë në pranga dy bashkëpunëtoret e tij, shtetasit E.J dhe R.J ndërsa tani efektivët e Dibrës kanë bërë të mundur edhe kapjen e Viktor Rudit, për të cilin gjykata kishte dhënë në mungese masën "Arrest me Burg".

o.j/dita

Rikthehet Maratona e Tiranës, bashkon më shumë se 2500 vrapues nga 40 vende të botës

Posted: 10 Aug 2018 01:50 AM PDT

Maratona e Tiranës 2018 vjen këtë vit me edicionin e saj të 3-të si eventi më i madh sportiv në vend.

Këtë e dëshmon edhe pjesëmarrja e më shumë se 2500 vrapuesve nga 40 vende të ndryshme të botës.

Rritja e numrit të pjesëmarrësve ndër vite është një tregues i mire, se kjo garë është bërë e dashur për qytetarët e Tiranës dhe më gjerë.

Edicioni i 3-të i këtij aktiviteti i cili tashmë po kthehet në traditë organizohet me aprovimin e dy itinerarëve të rinj nga Federata Botërore e Atletikës duke i dhënë seriozitetin e një aktiviteti ndërkombëtar dhe me mbështetjen e Federatës Shqiptare të Atletikës .

Gara do të mbahet me datë 7 tetor dhe do të ketë 3 kategori; Half Marathon (21, 0975 km), Tirana 10K dhe "We too" kjo një kategori që ka për qëllim të jetë më shumë motivuese se sa kompetitive.

Nuk do të mungojë as gara Fun Run e cila do të zhvillohet një ditë para garës së madhe me datë  6 tetor 2018 me të rinjtë e Shkollave te Mesme të Tiranës.

Me projektin "Fun Run" Bashkia e Tiranës synon të edukojmë brezat përmes sportit, për të qenë të vendosur dhe me vetëbesim, në rrugën e tyre për të arritur qëllimet e tyre. Gjithashtu, kjo të jetë një mënyrë e mirë për t'i nxitur të angazhohen me sport dhe të fillojnë të përgatiten për të konkurruar pas disa vitesh në Maratonën e Tiranës.

Itineraret e rinj të certifikuar nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës – IAAF, do të përshkruajnë pikat më atraktive të qytetit duke e kthyer këtë garë jo vetëm në sfidë por edhe në argëtim.

Përveç se një ngjarje sportive për garuesit, do të mund të konsiderohet edhe një ditë festive për qytetin, në të cilin do të organizohen shumë aktivitete artistiko-kulturore në kuadër të këtij eventi.

Çmimet për fituesit do të jenë të shumta, duke e kthyer garën në një sfidë.

o.j/dita

Viti i Skënderbeut, restaurohet Muzeu i Kastriotëve në Sinë të Dibrës

Posted: 10 Aug 2018 01:43 AM PDT

Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut është restauruar muzeu i Kastriotëve në Sinë të Dibrës.

Ka qenë vetë kryeministri Rama që ka postuar në urimin e mëngjesit pamje nga muzeu i restauruar. "MIRËMËNGJES, dhe me këto pamje nga muzeu i Kastriotëve në Sinë të Dibrës, i rilindur tërësisht për herë të parë pas 27 vjetësh harrese, ju uroj një ditë të mbarë ", shkruan Rama.

Sipas ATSH-së, projekti i hartuar nga specialistët e IMK-së realizoi restaurimin e plotë të objektit, riorganizimin e sistemit të ndriçimit dhe instalimeve elektrike, si dhe sistemimin e territorit përreth godinës.

Gjithashtu, pjesë e rëndësishme e projektit ishte edhe muzealizimi. Janë restauruar dhe ambientet e ekspozimit, si dhe janë riorganizuar tabelat e ekspozimit, në cilësi, dimensione dhe formë.

Restaurimi i muzeut konsistoi dhe në hidroizolimin e tarracës, prishjen e degradimeve, pastrime, lyerje dhe riorganizim e ndriçimit.

Muzeu ka filluar të ndërtohet në vitin 1982 dhe për herë të parë është hapur për publikun në vitin 1985.

o.j/dita

Raporti i ISP: Kush janë komisionerët e ‘ashpër’ dhe ‘liberalë’ të Vettingut

Posted: 10 Aug 2018 01:31 AM PDT

Instituti i Studimeve Politike publikoi raportin mbi bilancin mbi ecurinë e procesit të vetingut, problematikat dhe pritshmëritë.

Të dhënat fokusohen kryesisht në gjetjet e vetingut gjatë periudhës mars – gusht 2018. Raporti merret me detajet e procesit, bën bilancin e punës së komisionerëve, cilët janë komisionerët më të "ashpër" dhe më "liberalë", si dhe të dhëna të tjera specifike dhe me interes publik.

Vendimmarrja e komisionerëve (KPK) dhe në strukturat e tjera të vetingut bazohet në tri kritere ligjore, – aftësia profesionale, të dhënat e pasurisë dhe integriteti, – cilësi të cilat përbëjnë edhe thelbin e procesit të rivlerësimit.

Trupa e KPK është trajnuar për përmbushjen e kësaj përgjegjësie. Ajo vepron me asistencën dhe monitorimin intensiv të ONM (Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit). Vendimmarrjet e KPK dhe të strukturave të tjera të rivlerësimit janë të pavarura, por megjithatë në disa raste ka pasur debate dhe kritika publike nëse vendimmarrjet bazoheshin në standard të njëtrajtshme për subjekte të ndryshme të rivlerësimit dhe nëse ka pasur ndërhyrje nga jashtë në vendimmarrje.

"Fakti që në të paktën katër raste ONM dhe Komisioneri Publik kanë apeluar vendimet e KPK është tregues i vlerësimit kritik dhe interpretimit të dhënave të konsideruara nga Komisionerët"  thuhet në raportin e publikuar me 8 gusht nga ISP.

Në fund të fazës së parë të vetingut mund të bëhet një vlerësim paraprak për produktin e KPK dhe ecurinë e procesit të vendimmarrjes së tij.

Konkretisht, të dhënat krahasuese të vendimeve të marra nga Komisionerët, anëtarë të KPK, ndihmuan ISP të krijojë një database me përqindjet e rasteve të angazhimit të komisionerëve në vendimmarrje, përqindje të rasteve të vlerësimit konfirmues ose të vendimmarrjes për shkarkim të subjekteve të rivlerësimit.

(Siç rezulton nga tabela poshte), komisionerët më me shumë çështje gjykimi janë Pine dhe Sanxhaktari me nga 17 çështje ose 12% të rasteve totale, ndjekur nga Çiftja dhe Ilia me nga 14 çështje ose 10% të rasteve të gjykimit. Më pak raste gjykimi kanë pasur Faskaj me 5 çështje ose 3% të rasteve, si dhe Zhegu me 9 çështje ose 6% të rasteve totale.

Tabela (poshtë) ilustron edhe komisionerët më të "frikshëm" dhe më "liberalë", që kanë përqindjet më të larta / më të ultë të vendimmarrjeve për shkarkimin e subjekteve të rivlerësimit.

Rezulton se komisionerët Bekteshi dhe Faskaj kanë përqindjen më të lartë të shkarkimeve, me nga 60% të rasteve të gjykuara, ndjekur nga Çiftja me 57%, Pine dhe Sanxhaktari me nga 53%. Këta janë komisionerët që kanë më shumë se 50% shkarkime në vendimet e tyre sesa konfirmime në detyrë. Pjesa tjetër e komisionerëve kanë më shumë konfirmime sesa shkarkime nga detyra. Nga tabela rezulton se komisionerët më "liberalë" janë Shuli me 18% shkarkime, Ilia me 21% shkarkime, Zhegu me 33% shkarkime, për të vijuar më pas me kryetaren e KPK Tafa (Bundo) me 42% shkarkime.

Bilanci i vetingut 2018

Nga lista prioritare e shpallur nga KPK në dhjetor 2017, deri në mesin e gushti 2018 kanë kaluar në testin e vetingut 48 subjekte rivlerësimi.

Tabela e mëposhtme paraqet ecurinë e deritanishme: në total prioritet i vetingut në fazën e tij të parë ishin 57 subjekte rivlerësimi. Prej tyre, 3 subjekte (Llalla, Imeraj, Kasmi) dhanë dorëheqje, 21 subjekte janë shkarkuar, 27 subjekte janë konfirmuar, dhe 6 subjekte janë në pritje të seancave dëgjimore. Për shkak të periudhës së pushimeve vjetore, pritet që subjektet e mbetura të trajtohen në muajin shtator. Sipas praktikës së paralajmëruar në vendimmarrjen e KPK në dhjetor 2017 dhe janar 2018, do të vijohet më pas me listën e dytë prioritare, ku bëjnë pjesë 36 drejtues gjykatash dhe të prokurorisë, midis të cilëve edhe katër kandidatë për KED (E.Dhimiri, F.Qato, A.Jangulli dhe S.Lubonja)

o.j/dita

Aksion në Shkodër, 51 të arrestuar për vjedhje energjie

Posted: 10 Aug 2018 01:11 AM PDT

Nuk ka qenë aksion i thjeshtë policor, por një aksion i OSHEE-së për të arrestuar 51 abonentë për vjedhje të energjisë elektrike.

Kontrollet e OSHEE-së janë fokusuar tek ato fidra ku humbjet në rrjet janë më të larta.  Te dhënat e fundit nga Drejtoria Rajonale e OSHEE-së në Shkodër tregojnë për një punë të vazhdueshme kundër abuzimit me energjinë elektrike.

"Në dy javët e fundit, përfshi edhe të dhënat e datës 8 gusht, janë proceduar penalisht 51 abonentë, me akuzën e vjedhjes së energjisë elektrike në kundërshtim të plotë me ligjin.

Mbi 65% e vjedhjes së energjisë është konstatuar në zonat e Koplikut dhe të Bushatit dhe forma më e përdorur është furnizimi me linja të dyta jashtë matjes, si edhe përmes manipulimit të matësit", thotë OSHEE.

Sipas Rezart Isufaj, drejtor i Drejtorisë Rajonale OSHEE Shkodër, mesatarisht çdo ditë kryhen 70 kontrolle, kryesisht në fidrat me humbje më të lartë; në orët e pasdites dhe darkës.

OSHEE është e detyruar të përsërisë faktin se askush nuk kallëzohet në polici se është debitor ndaj faturave, por në zbatim të nenit 137 të Kodit Penal ndëshkohen ata persona që:

Vjedhin energjinë elektrike

Dëmtojnë matësin

Gjithashtu, "Çdo ndërhyrje tjetër e paligjshme dhe e paautorizuar në sistemin e matjes apo në rrjetin elektrik me qëllim përfitimi të paligjshëm, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në tre vjet", thuhet ne nenin 137.

Kur kjo vepër penale kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë, ose nga përdoruesit jofamiljarë të energjisë elektrike ose të rrjetit të shërbimit telefonik, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

o.j/dita

 

Trump nuk po e sulmon NATO-n, po e forcon atë

Posted: 10 Aug 2018 01:01 AM PDT

Marc A. Thiessen

Duke parë se Presidenti Trump ka vënë në bankën e të akuzuarve Gjermaninë dhe aleatët e tjerë, për shkak të ngurrimit të tyre për ta financuar NATO-n, demokratët në Uashington kanë nxituar të vihen në krah të Gjermanisë. Siç kanë deklaruar në një komunikatë të përbashkët Nancy Pelosi dhe Charles Schumer, respektivisht dy liderët e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, "fyerjet shpifarake dhe të pafytyra që Presidenti Trump ka lëshuar në adresë të Gjermanisë, një prej aleatëve më besnikë të Shteteve të Bashkuara, janë vërtet të turpshme".

Më vjen keq që t'ju kundërshtoj, por Trump ka të drejtë.

Motivi i vërtetë i turpit është se Gjermania, një prej vendeve më të pasura europiane, shpenzon thuajse 1.24% të PBB-së së saj për mbrojtjen, duke u renditur në mesin e më kurnaceve midis të gjitha vendeve të NATO-s (Shtetet e Bashkuara shpenzojnë 3.5% të PBB-së në sektorin ushtarak).

Një kërkim i realizuar nga McKinsey vëren se rreth 60% e avionëve Eurofighter e Tornado, si edhe 80% e helikopterëve Sea Lynx në përdorim të aviacionit gjerman, faktikisht janë të papërdorshme. Sipas "Deutsche Ëelle", një investigim i Parlamentit të Berlinit ka zbuluar se "në fund të 2017, asnjë nëndetëse dhe asnjë prej 14 avionëve transportues të aeronautikës ushtarake gjermane nuk janë në gjendje të fluturojnë, duke u gjendur të bllokuar për riparime" dhe se, sipas një raporti të Ministrisë së Mbrojtjes, "trupat gjermane nuk kanë një numër të mjaftuar tutash mbrojtëse, uniformash dimërore dhe çadrash fushimi që të mund të marrin pjesë në mënyrën e duhur në një mision të rëndësishëm të NATO-s".

Mungojnë çadrat??? Është e pabesueshme.

Për t'ju përmbajtur detyrimeve të veta në gjirin e Aleancës Atlantike, Gjermania do të duhet t'i shtojë 28 miliardë dollarë buxhetit ushtarak vjetor të saj. Në pamje të parë, Gjermania nuk duket në gjendje ta përballojë një shpenzim të tillë të mëtejshëm, por me sa duket është jashtëzakonisht e aftë që t'i dërgojë miliarda dollarë Rusisë për blerjen e gazit natyror dhe të kontribuojë në ndërtimin e një gazsjellësi që do ta bënte Gjermaninë dhe vendet e Europës Lindore akoma edhe më të dobëta ndaj Moskës.

Fatkeqësisht, Gjermania nuk është një rast i izoluar. Belgjika, që mirëpret selinë qendrore të NATO-s, shpenzon thuajse 0.9% të PBB-së së saj për mbrojtjen dhe, brenda kësaj shifre modeste, 1/3 e parave është e destinuar për pagimin e pensioneve. Të gjithë së bashku, aleatët europianë të NATO-s kanë rreth 1.8 milionë ushtarë, por më pak se 1/3 e tyre është e përdorshme në operacione në terren dhe afër 6% e tyre është në gjendje të përballojë operacione për një periudhë të zgajtur.

Kur Donald Trump thotë se NATO është "demode", pa kurrfarë dyshimi që ka të drejtë.

Por ky problem nuk ka lindur dje. Isha në Pentagon më 11 shtator të 2001 dhe e kujtoj shumë mirë se kur erdhi momenti për të vepruar kundër Afganistanit, vetëm një grup i vogël vendesh aleate kishte mjetet e kërkuara ushtarake për të përballuar fazat e para të vështira të Operacionit "Enduring Freedom". Në samitin e NATO-s të mbajtur në vitin 2002 në Pragë, aleatët europianë premtuan se do t'i zgjidhnin këto mangësi duke u impenjuar që të investonin të paktën 2% të PBB-së së tyre në sektorin ushtarak, me gatishmërinë për të alokuar fonde sidomos për teknologji dhe pajisje vërtet performuese. Në të vërtetë, fondet europiane në mbrojtje kanë zbritur nga 1.9% e PBB-së në periudhën 2000 – 2004, në 1.7% 5 vite më pas, me një ulje të mëtejshme në 1.4% në vitin 2015.

Asnjë surprizë për faktin që kur NATO ndërhyri në Libi 10 vite pas 11 shtatorit, "The Ëashington Post" shkroi kështu: "Thuajse 1 muaj nga fillimi i operacioneve në Libi, NATO rezulton e privuar nga bombat e saktësisë, duke evidentuar vështirësitë e Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe të aleatëve të tjerë europianë në përballimin e një ndërhyrjeje relativisht të vogël në një hark kohor relativisht të gjatë". Një aleancë qëllimi kryesor i së cilës është të parandalojë një agresionin ushtarak rus, po demonstrohej e paaftë të kryente një seri të kufizuar bombardimesh kundër një kundërshtari jashtëzakonisht më të dobët.

Presidenti Obama i quajti aleatët e NATO-s "free riders", ndërsa Presidenti George Ë. Bush i ftoi europianët që t'i rrisnin shpenzimet e tyre ushtarake. Asnjë prej të dy presidentëve arriti kushedi se çfarë. Por sapo Presidenti Trump refuzoi vitin e kaluar që të konfirmojë se Shtetet e Bashkuara do ta respektonin Nenin 5 të NATO-s – me anë të të cilit çdo vend duhet të ndihmojë çdo aleat që sulmohet – europianët pranuan menjëherë që t'i rrisin shpenzimet e tyre ushtarake me një total prej 12 miliardë dollarësh. Por kjo nuk është përveçse një pikë në det: McKinsey ka llogaritur se aleatët europianë duhet të shpenzojnë 107 miliardë dollarë më shumë çdo vit, në mënyrë që t'u përmbahen impenjimeve që duhet të përmbushin të gjithë. Duke parë se nxitjet e bëra nga paraardhësit e tij nuk kanë funksionuar, Trump ka reaguar me ashpërsi: në samitin e NATO-s ka kërkuar që çdo vend i Aleancës të dyfishojë investimet e tij ushtarake, për të arritur në 4% të PBB-së.

Në ndryshim nga sa kanë thënë disa kritikë, kjo nuk është aspak një dhuratë për Rusinë. Gjëja e fundit që Putini dëshiron është që Trump të arrijë të sigurojë një impenjim më të madh financiar të NATO-s. dhe nëse aleatët e Shteteve të Bashkuara janë të frikësuara nga ngurtësimi ndaj Rusisë, ka një rrugëdalje të thjeshtë: të investojnë më shumë resurse për ta rritur fuqinë parandaluese të Aleancës dhe kapacitetin e saj për të përballuar një agresion eventual nga ana e Rusisë.

Pozicionimet drastike nga ana e Presidentit Trump nuk do të thonë se ai e konsideron NATO-n si të tejkaluar. Nëse Trump do të mendonte vërtet se nuk hyn më në punë, nuk do të humbiste kohë me një muhabet të tillë. Por është e qartë se nëse aleatët europianë nuk kërkojnë që të ngrenë një sistem ushtarak më robust, atëherë NATO do të bëhet vërtet e kotë. Një aleancë që nuk është në gjendje të luftojë atëherë kur një prej anëtarëve të saj përfundon nën sulm apo që i mbarohen municionet mu në mes të një ndërhyrjeje operative, me definicion bëhet një strukturë e kotë.

NATO ka nevojë vetëm për vëmendjet e duhura dhe Presidenti Trump po ua kushton.

Në fund, falë tij Aleanca Atlantike do të dalë e forcuar. The Washington Post – bota.al

o.j/dita

Mukja dhe dokumentet sekrete britanike

Posted: 10 Aug 2018 12:39 AM PDT

Nga Auron Tare

75 vjet më parë, në fillimin e një gushti përvëlues të 1943-shit, në lëndinat e fshatit Mukje, diku në kufirin midis Tiranës dhe Krujës, u firmos një marrëveshje midis dy grupimeve më të rëndësishme shqiptare të cilat deri atëherë kishin tentuar ta neutralizonin njëra-tjetrën vetëm politikisht.  Kjo marrëveshje e cila pati një jetë shumë të shkurtër u hodh poshtë menjëherë nga Nacional Çlirimtarja e dominuar nga komunistet dhe për pasojë mbledhja, që historia e njohu si Konferenca e Mukjes, i rreshtoi palët politike hapur kundër njëra-tjetrës deri në një konflikt të armatosur. Konflikt ky i cili përfundoi me ardhjen në pushtet të komunistëve dhe dëbimin nga Shqipëria të të gjithë elementëve nacionalistë që në Konferencën e Mukjes kishin qenë në anën e kundërt të tavolinës.

Vitet e fundit janë bërë thirrje në shtypin e përditshëm nga një sërë historianësh për një rishikimin të kësaj Konference dhe si "një sfidë për historianët", të cilët njëzëri e kanë konsideruar Konferencën e Mukjes një ngjarje të madhe historike dhe dështimin e saj me pasoja të rënda për historinë e mëvonshme shqiptare…

Por, a është me të vërtetë i drejtë ky konkluzion?

Sipas disa historianëve që kanë shkruar mbi të, Mukja është cilësuar si "Parlamenti i parë pluralist".  Apo një rast i humbur në historinë shqiptare. Por a  e meriton këtë emër me të vërtetë kjo Konferencë? Organizimi i Mukjes dhe rezultatet e saj, tashmë janë të njohura nga historia dhe të gjithë ata që janë të interesuar mbi këtë çështje. Gjithsesi, çfarë mungon, mendoj unë, është informacioni që studiuesit e kësaj ngjarjeje kanë mbi prapaskenat që sollën këtë takim midis palëve të Frontit Nacional Çlirimtar dhe Ballit Kombëtar. Deri më sot, studiuesit që janë marrë me këtë temë kanë dhënë versione të ndryshme për iniciatorët e këtij takimi. Gjithsesi ende nuk është shumë e qartë se kush e inicioi këtë takim dhe çfarë konkretisht kërkohej në të vërtetë nga ky takim. A ishte me të vërtetë një përpjekje e sinqertë e dy forcave kryesore ideologjike për t'u bashkuar në të mirë të fateve të Shqipërisë? Apo, pas këtij takimi qëndronin forca të tjera, të cilat kërkonin ndikime politike në Shqipërinë e pas Luftës?

Nga dokumente, të dala nga arkivi i Shërbimit Sekret Britanik të Luftës SOE, mund të sjellim disa detaje të reja mbi  Konferencën e Mukjes  nga ku mund të kuptojmë se ky takim nuk është ishte një  përpjekje e sinqertë e palëve kundërshtare për fatet e Shqipërisë së pasluftës.

Dokumenti, i cili mban firmën e Misionit Britanik, më 1 Nëntor 1944, i nënvizuar si "Tepër sekret" me titull "MEMORANDUM MBI PROPOZIMIN PËR EVAKUIMIN E MAJORIT ABAZ KUPI", ndër të tjera shkruan qartë se kjo Konferencë është iniciuar dhe përgatitur nga Shërbimet Sekrete Britanike me ndihmën e disa prej bashkëpunëtorëve të tyre të rekrutuar që në Beograd, në verën e 1940-s. Duhet theksuar se këta bashkëpunëtorë në këtë periudhë kishin mundur të ishin në udhëheqjen e lëvizjes Nacional-Çlirimtare po ashtu edhe të rreshtuar në radhët e Ballit Kombëtar dhe të Lëvizjes së Legalitetit.

Nga kujtimet e disa oficerevë britanikë që shërbyen në Shqipëri në kohën e luftës të cilët e kanë prekur pak takimin e Mukjes, përmendet shkarazi se me këtë  takim janë marrë Abaz Kupi, Ifsan Toptani në bashkëpunim edhe me  Mustafa Gjinishin.  Deri me sot, siç u përmend më lart nga studiuesit e kësaj teme, nuk ka emra konkretë për inicimin e këtij takimi dhe dokumenti që sjellim në këtë shkrim mund të na japë një ide pak më të qartë se kush ishte iniciues i kësaj marrëveshjeje.

Në një numër shkrimesh të botuara si pjesë e një studimi të arkivave britanike të luftës, është hedhur drite mbi ngjarjet që i paraprinë shpërthimit të lëvizjes anti-italiane në Shqipëri. Mund të themi me siguri se pjesë e kësaj lëvizje ka qenë edhe mbështetja e Shërbimit Sekret Britanik si pjesë e një plani strategjik për Ballkanin, të ideuar nga qendra e Shërbimeve Sekrete në Londër Seksioni D dhe e vënë në zbatim nga Zyrat e MI (R)) (shërbimi i fshehtë ushtarak)  në Beograd.

Me gjithë shkrimet dhe studimet  e deri tanishme historiografia shqiptare e pas vitit 1992 nuk ka mundur të shpjegojë se përse në vitin 1941, papritmas në Shqipëri, filloi dukshëm lëvizja anti-italiane. Historiografia komuniste, e ideologjizuar në maksimum, pretendonte se lëvizja anti-italiane në Shqipëri ishte zhvilluar si rezultat i urrejtjes popullore ndaj fashizmit dhe kulmoi me krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare. Është e pamohueshme se në Shqipërinë e kohës kishte një lëvizje komuniste e cila e shpërndarë e përçarë dhe shumë e pa organizuar nuk ishte e aftë të krijonte një opozite serioze anti-fashiste. Megjithatë edhe pse kishte dy vite që Shqipëria ishte e pushtuar, deri në 1941 nuk kishte një lëvizje të mirëfillte komuniste anti-fashiste. Çuditërisht organizimi anti-italian filloi papritmas në momentin kur Italia po bëhej gati për ofensivën e saj në Greqi. Nga dokumentet britanike tashmë të deklasifikuara mund të kuptojmë më qartë se lëvizja anti-italiane në Shqipëri në këtë periudhe ishte pjesë e një plani për të destabilizuar prapavijën italiane gjatë ofensivës së saj në Greqi. Për këtë arsye britaniket  ideuan, përgatitën dhe financuan lëvizjen anti-italiane në Shqipëri, me dijeninë e plotë të Shërbimit Jugosllav, i cili sugjeronte edhe emrat për këtë lëvizje. Në këtë kohe disa oficerë të MI6 vizituan Greqinë për të mbledhur të dhëna rreth emigrantëve shqiptare atje dhe personat që mund të përdoreshin në infiltrime për të krijuar depo me material shpërthyese si dhe mbledhjen e informatave ushtarake përgjatë kufirit në momentin që Italia do të sulmonte Greqinë.  Janina u bë një qendër e këtyre veprimtarive të oficerëve britanikë, ndërkohë që një plan veprimi ju dërgua Kryekomandantit të Armatës së Lindjes së Mesme i cili u miratua. Personalitete të rëndësishme të Foreign Office dhe Shërbimit të Fshehtë të sapo krijuar SOE, miratuan operacionet e fshehta në Shqipëri por me shënimin në dokumentin përkatës se "duhej shume kujdes për të mos krijuar dyshime tek italianet të cilët mund ta përdornin si pretekst për sulm ndaj Greqisë.  (shënim nga Hugh Dalton i SOE).

***

Ndërkohë ajo që pritej ndodhi dhe në 28 tetor 1940 Italia sulmoi Greqinë. Prioriteti i britanikëve ishte ndihma ndaj Greqisë por Seksioni D në Beograd i përshkallëzoi përgatitjet e infiltrimeve të njerëzve të saj në Shqipëri. Ministria e jashtme kërkoi mendimin e Qeverisë Greke e cila nëpërmjet Gjeneralit Metaksa u përgjigj se "nuk ishin të interesuar për një Kryengritje nga Shqipëria dhe forcimin e aspiratave të shqiptarëve". Duket se situata në terren me Luftën në Greqi shtyu Shërbimin Britanik të tentonte një ndërhyrje në Shqipëri nga veriu, me ndihmën e Gani Kryeziut, Kupi dhe Gjinishit, por marrja e Beogradit nga Gjermanët i la grupet shqiptare pa një prapavije nga ku mund të merrnin ndihma dhe për këtë arsye Gjinishi, Kupi, Peza dhe pasuesit e tyre u shpërndanë në Shqipëri duke krijuar bërthama rezistence të cilat në mënyrë sporadike filluan të merrnin udhëzime dhe para nga Seksioni D britanike në Stamboll.

Ishin këto bërthama të cilat krijuan Çetat e para të rezistencës anti-italiane të cilat më vonë u përdorën nga komunistët për të shtrirë influencën e tyre.

Këto prapaskena ishin ngushtësisht të lidhura më vonë me ngjarje të rëndësishme qe sollen si finalizim edhe takimin e Mukjes.

Prandaj edhe dokumenti i 1 Nëntor 1944, "MEMORANDUM MBI PROPOZIMIN PËR EVAKUIMIN E MAJORIT ABAZ KUPI" i cili thekson se një ndër shërbimet e Kupit ishte edhe organizimi i konferencës së Mukjes, mund të merret si një dëshmi e rëndësishme për të kuptuar më shumë mbi influencën e aktorëve të huaj në këtë takim të rëndësishëm.

Konferenca u administrua dhe u mbajt në ambientet e Ifsan Toptanit, një bashkëpunëtor i Shërbimeve Britanike, si gjatë luftës, ashtu edhe pas saj. Ifsan Toptani, sigurisht ka raportuar mbi të gjitha bisedimet që janë bërë gjatë kësaj Konference, duke vënë në dijeni britanikët mbi ecurinë e punimeve. Ifsan Toptani, një pinjoll i familjes së famshme krutane, i njohur për lidhjet e shumta që kishte në Shqipërinë e asaj kohe mbante marrëdhënie shumë të mira, si me Nacionalistët, ashtu edhe me anëtarët e Frontit Nacional Çlirimtar. Megjithatë, ai ka qenë shumë afër misioneve britanike dhe fakti që më vonë punonte në Zyrën e S.I.S në Athinë tregon qartë afërsinë e tij me Shërbimet Britanike dhe përfshirjen e tij në rrëzimin e qeverisë komuniste të pasluftës në Shqipëri.

Nga burimet arkivore të Shërbimit Britanik, por edhe të disa dokumenteve të kapura gjermanëve pas Luftës, të cilat flasin mbi Shqipërinë, del qartë se në vitin 1943, britanikët dhe gjermanët kishin një ide të saktë se ekzistonin dy grupime të rëndësishme në Shqipëri. Një grupim; i cili luftonte ushtrinë italo–gjermane dhe një grupim; i cili kishte zgjedhur neutralitetin deri në bashkëpunim të hapur me gjermanët në fundin e 1944-ës.

Duke parë faktin se pranë forcave partizane kishte një numër të madh misionesh britanike dhe më vonë amerikane, kuptohet qartë se britanikët i kishin zgjedhur aleatët e tyre. Sigurisht që prania e ideologjisë komuniste në radhët partizane shqetësonte disa prej ideologëve të Shërbimit Britanik, shqetësim ky, i cili ishte i njëjtë si për Greqinë ashtu edhe për Jugosllavinë.

***

Britanikët në vitin 1943 tentuan që t'i afronin këto grupime si ne Greqi ELAS dhe EDES  si ne Jugosllavi, Tito dhe Mihailloviçit. Duke parashikuar se ardhja në pushtet e komunistëve do ta bënte ndikimin e tyre në Ballkan mjaft të papërfillshëm, prapa organizimit të këtyre Konferencave janë direktivat e Shërbimit Anglez, i cili kërkonte të krijohej një komitet drejtues i përbashkët, i cili në të ardhmen do të merrte fatet e vendit në dorë…

Pra, Konferenca e Mukjes duhet parë në kontekstin e saj historik dhe jo si një ngjarje e shkëputur shqiptare. Sigurisht që, në këtë Konferencë u hodhën edhe teza dhe ide nacionaliste, të cilat, fatkeqësisht, nuk kishin koherencë dhe dilnin jashtë realitetit të asaj periudhe. Kërkesat për Kosovën ishin teza, të cilat në kancelaritë europiane nuk do t'i merrnin seriozisht e aq më tepër kur fatet e vendeve të pasluftës do të vendoseshin nga Të Mëdhenjtë e dalë nga kjo Luftë. Duhet të jemi të qartë se, Konferenca e Mukjes nuk do të kishte asnjë rol në zhvillimet e pasluftës si në Kosovë, si në Çamëri, një konkluzion që u vërtetua me vendimet e dala nga Marrëveshja e Jaltës apo edhe ajo midis Çurçillit dhe Stalinit në Moskë, në dimrin e 1944-ës.

***

Pra, nëse do të kemi parasysh prapaskenat e zhvillimit të kësaj konference, mendoj se Enver Hoxha i hodhi poshtë vendimet e dala prej saj për faktin e thjeshtë se ai kuptoi që një Komitet Drejtues i Luftës, me elementë jashtë lëvizjes Nacional Çlirimtare, nën ndikimin anglez, do ta nxirrte atë nga kontrolli i tij dhe kësisoj do t'i mbyllte dyert e pushtetit, të cilin ai tashmë kishte filluar ta shikonte në horizont. Gjithashtu, ka shumë mundësi që Enver Hoxha nëpërmjet jugosllavëve të dinte se disa prej pjesëmarrësve në këtë Konferencë ishin bashkëpunëtorë të Shërbimeve angleze dhe, kësisoj, reagimi i tij ishte shumë i fortë për të shfuqizuar të gjitha ato vendime që u morën pa miratimin e tij. Reagimi i ashpër ndaj shokëve të armëve ishte si për t'iu hequr atyre çdo iluzion mbi rolin e tij drejtues në lëvizjen Nacional-Çlirimtare, ashtu edhe për të rivendosur kontrollin e humbur nga kjo mbledhje, e cila më së shumti kërcënonte personalisht atë, por edhe lëvizjen komuniste për të ardhur në pushtet.

Historia e hakmarrjes dhe lidhjet e Fatbardh Licit me ‘të fortët’ e Shkodrës

Posted: 10 Aug 2018 12:25 AM PDT

Detaje të reja mësohen në lidhje me ngjarjen e ndodhur pak minuta më parë në Shkodër, ku u ekzekutua me breshëri plumbash Fatbardh Lici 53-vjec.

Sipas mediave ai është kunati i Lulzim Kullës, i njohur si një nga të fortët e Shkodrës dhe i arrestuar pak kohë më parë pasi tentoi të arratisej nga Shqipëria. Po ashtu Lici mësohet të jetë xhaxhai i Muhamed Licit të arrestuar gati një vit më parë si pjesë e një bande gjobëvënësish në tregun e qytetit të Shkodrës.

Por pavarësisht lidhjeve të tij familjare me të sipërpërmendurit pista kryesore ku po heton policia është ajo e hakmarrjes.

Fatbardh Lici, dyshohet se në vitin 2014 ka qenë i përfshirë në vrasjen e Astrit Kurmemajt, i dënuar me 25 vite burg për disa vrasje. Ai u vra në hyrje të Rrogozhinës, gjatë periudhës që mori 3 ditë leje nga burgu i Shën Kollit ku vuante dënimin, dhe teksa kthehej për në institucionin e vuajtjes së dënimit. Kurmemaj, i njohur edhe me mbiemrin Gjipali, ishte i njohur për shpëtimin nga operacionet për arrestimin e tij pasi maskohej në perfeksion dhe arrinte të kalonte gardhin e policisë edhe kur këto ishin njësitë speciale.

Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që vrasja e Licit të ketë lidhje edhe me ngjarjet e fundit kriminale të ndodhura kohët e fundit në qytetin e Shkodrës.

o.j/dita

Një rus kundërshtari i radhës i Florian Markut

Posted: 10 Aug 2018 12:17 AM PDT

Drejtuesit e "Mixed Martial Arts", (MMA) kanë përcaktuar kundërshtarin e ardhshëm për kampionin shqiptar në këtë sport Florian Marku.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij të "Instagramit", "luftëtari" Marku ka bërë të ditur se kundërshtari i tij i radhës do të jetë rusi Sergey Klyuev, kundërshtari i 14 për të.

Vlen të theksoi se kjo ndeshje do të zhvillohet më 14 shtator në sallën e sportit "Bill Clinton" në Ferizaj.

Sergey Klyuev është një sportist i ri, ku deri tani ka zhvilluar vetëm 7 ndeshje, nga të cilat ka arritur të fitojë 6.

o.j/dita

Ekzekutohet me breshëri plumbash 53-vjeçari në Shkodër

Posted: 10 Aug 2018 12:04 AM PDT

Një 53-vjeçar ka mbetur i vrarë me armë zjarri mëngjesin e sotëm në lagjen Guerile të Shkodrës.

Policia bën të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:15 minuta, ku viktima është identifikuar si shtetasi Fatbardh Lici, 53 vjeç.

Menjëherë kanë shkuar forca të shumta të policisë dhe janë ngritur pika kontrolli ku po behet dhe krehja e zonës për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Më pas, policia ka gjetur në fshatin Dobraç një mjet tip Benz, i cili dyshohet se ka lidhje me ngjarjen.

o.j/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more