Skip to main content

“Jemi shoqëri frikacake – qyqarë që e fshehim frikën me rrena!” plus 4 more Telegrafi Opinione

“Jemi shoqëri frikacake – qyqarë që e fshehim frikën me rrena!” plus 4 more Telegrafi Opinione


Jemi shoqëri frikacake – qyqarë që e fshehim frikën me rrena!

Posted: 15 Aug 2018 08:41 AM PDT

Mbaj mend se pas lufte, kur po fillohej të degradohej çdo gjë – nga historia deri te arkitektura e atyre pak qyteteve që kishim – ka pasur pak përpjekje që ky degradim të stopohej.

Në një patrullë policie vinte edhe një inspektor që kishte për detyrë të ndërhynte menjëherë, kur vërenim se dikush po ndërtonte diçka pa leje (gjithkush ndërtonte gjithçka – u mor vesh – pa leje). Atë ditë, inspektori ynë qëlloi të ishte një mesoburrë i prerë, hijerëndë, i sertë e arrogant. Shikuam njëri-tjetrin dhe – duke e ditur se çfarë sillte tetorëshi i punës në Prishtinën e vitit 2001 – kjo na pëlqeu.

Filluam të patrullonim nëpër Prishtinën, e cila dukej si viktimë e pafuqishme së cilës iu kishin gjuajtur në shpinë qindra ujq të uritur dhe po ia nduknin copat e mishit. Papritmas, pamë dy-tre persona që po mihnin pranë trotuarit. Kur u ndalëm, vërejtëm se kishin vënë disa dërrasa të kalbura dhe të këqija dhe se po përpiqeshin ta nivelonin dheun aty, për ta vendosur një kabinë të keqe në ballë të së cilës shkruhej "Hamburger". Inspektori ynë nuk na priti, kërceu nga vetura dhe me arrogancë ua shkelmoi dërrasat. I kërcënoi ata persona se nuk bën ta vendosnin kioskun pa leje dhe kudo ku atyre u pëlqente.

Nuk na pëlqeu shumë mënyra e tij, por, me kolegun shikuam prapë njëri-tjetrin. Me sy e "thamë" fjalinë: "E gjetëm njeriun për ta ndalur punën e atij t'fortit që po e shkatërronte një park të tërë".

Hop në veturë dhe e dërguam drejt tek një kantier pa leje, që po ndërtonte një diçka si mish të egër në atë mjedis. U befasuam kur inspektori ynë nuk luajti vendit. U kërrusë pak. E shikuam! Nuk lëvizi. E hapëm derën e veturës dhe i thamë se ishte rasti i njëjtë sikur ai ku ky kishte shqelmuar dërrasat. Dallonte vetëm nga përmasat, sidomos nga ato të së keqes, të së ligës e të shëmtuarës.

Megjithatë, inspektori nuk po luante vendit. Me tension të ngritur iu afruam dhe i thamë të dilte jashtë e ta bënte punën e tij. Refuzoi! Të frustruar dhe duke kujtuar dërrasat e shkelmuara të atij mjeranit të mëparshëm, ngritëm tonin dhe po i flisnim ndryshe. Nuk ndryshoi asgjë: inspektori nuk luajti vendit. Vetëm shtoi: "Këtu nuk dal". Të revoltuar – dhe tanimë jashtë kodit tonë të punës – filluam ta kërcënonim se ai duhej ta kryente detyrën e tij zyrtare. Asgjë! Inspektori arrogant nuk luante nga sedilja e veturës sonë zyrtare. Dikur shtoi me gjysmë zëri: "Këtu nuk dal, dua të jetoj"!

Inspektori ynë, një mendjemadh hijerëndë, një fodull me kravatë, një zyrtar i yndyrosur e i lyer, kishte qenë frikacak. Frikacak si shumë nga ne. Sikur të gjithë ne.

Sepse:

Krejt kohën flasim për trima e heronj;

Krejt folklori – për trima e heronj;

Krejt këngët – për trima e heronj;

Krejt vjershat që i mësojnë fëmijët tanë në çerdhe e në shkollat fillore – për trima e heronj;

Krejt historia – për trima e heronj;

Krejt diskursi politik e ideologjik – për trima e heronj;

Krejt, gjithçka e tërë kohën… veç për trima e heronj…

.. e në anën tjetër….

.. nuk gjen për ilaç, asnjë, asnjë, asnjë dhe asnjë Prokuror për farë që, sipas detyrës – zyrtare, profesionale, morale, kombëtare e njerëzore – të dalë dhe të punojë e të luftojë të keqen.

Një Prokuror (me rrogë 2700 euro, me revole me leje, me policë të mbrojtjes së afërt që ia monitorojnë banesën dhe me kushte tjera që shteti i varfër i Kosovës ia ofron me zemërgjerësi)!

Asnjë Prokuror për be!

Asnjë!

Prandaj:

A ndalemi pak dhe ia vëmë gishtin kokës:

A ndodhë që po e rrejmë vetveten?!

A ndodhë që po vazhdojmë me i eduku fëmijët tanë me rrena?!

Me rrena që e mbulojnë realitetin e squlljes së kësaj shoqërie!

Me rrena që mbulojnë të vërtetën e madhe:

Ne jemi frikacakë!

Ne jemi shoqëri frikacake!

Ne jemi qyqarë që fshehin frikën e tyre më mendjemadhësi, arrogancë e rrena!

Sidomos me rrena

The post Jemi shoqëri frikacake – qyqarë që e fshehim frikën me rrena! appeared first on Telegrafi.

Rënia e lirë e lirës turke

Posted: 15 Aug 2018 07:16 AM PDT

Mischa Ehrhardt

Rënia e monedhës turke vazhdon – dhe nuk i lë të qeta as bursat. Që javën e kaluar nisi rënia drastike e vlerës së monedhës, të dielën vlera e monedhës turke në krahasim me dollarin ra në një kuotë rekord prej 7,23 Lira. Të hënën kjo vazhdoi dhe që prej fillimit të vitit monedha turke ka humbur gati gjysmën e vlerës së saj. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan përpiqet të qetësojë: ekonomia e vendit të tij është shumë e fortë dhe stabile, për krizë as që mund të bëhet fjalë, thotë ai. Këtë vëzhguesit jashtë Turqisë e shohin pak ndryshe.

"Ky është mohim i realitetit", thotë kryeekonomisti i Commerzbank-ës, Jörg Krämer. "Natyrisht që Turqia ndodhet në një krizë të thellë. Dhe ka shumë mundësi që e gjitha të përfundojë në një recesion". Një recesion Erdogani synon ta mënjanojë me çdo kusht. Edhe për këtë shkak ai e shtoi muajt e fundit presionin ndaj Bankës Qendrore të vendit. Sepse për shkak të rënies së kursit dhe inflacionit që po kalon kufijtë, ajo në fakt duhet t'i rriste interesat bankarë në mënyrë drastike. Por kjo potencialisht mund ta frenonte ekonominë, sepse i bën paratë më të shtrenjta.

Në mbledhjen e fundit në qershor, Banka Qendrore turke e rriti normën referuese të interesit nga 16,5 në 17,5 për qind. Por rritja e interesave bankare është halë në sy për Erdoganin. Sepse interesat e ulët bankarë e kanë mbajtur në lëvizje muajt e fundit ekonominë e tij që kishte nisur të dobësohej. Prandaj, Erdogani nënshkroi si të thuash si veprim të parë si President një dekret: me të ai i jep vetes kompetencën që të emërojë në të ardhmen presidentin dhe zëvendëspresidentin e Bankës Qendrore.

"Kjo sjell trishtim në bursa – dhe sjell edhe ashpërsim të krizës", mendon Oliver Roth, tregtar aksionesh në shtëpinë tregtare të letrave me vlerë Oddo Seydler. Me rënien e re të kursit të Lirës, vlerat kanë rënë edhe në tregun turk të aksioneve. Sepse shumë sipërmarrje ndodhen para një problemi: Lira e dobët ua vështirëson jetën firmave që i kanë borxhet pjesërisht ose krejtësisht në monedha të huaja. Veç kësaj, monedha e dobësuar vështirëson edhe importet në Turqi, gjë që bën të rriten çmimet.

Edhe populli vuan, në Turqi inflacioni ecën me përmasa galopante. Për të bërë pazar njerëzve u duhet të shpenzojnë shumë më tepër para. A kanë sukses masat e Bankës Qendrore? Për ta frenuar krizën, qeveria dhe Banka Qendrore kanë marrë tani një sërë masash. Nga njëra anë Banka Qendrore bëri të ditur se do t'u vërë në dispozicion të gjitha shumat e parave, për të cilat ato kanë nevojë. Veç kësaj, ministri i Financave dhe kunati i Erdoganit, Berat Albayrak tha që qeveria ka përgatitur "një plan veprimesh", për t'i qetësuar tregjet. Efekte të mëdha këto masa deri tani me sa duket nuk kanë treguar.

Shumica e ekonomistëve jashtë vendit besojnë se para së gjithash rritja e interesave do ta stabilizonte monedhën. "Opsioni i mirë do të ishte që Erdogani ta pranojë që ka bërë gabim. Një Bankë e pavarur Qendrore do të rivendoste atëherë me shpejtësi besimin, duke i ngritur interesat bankarë", thotë Jörg Krämer. Por shenjat nuk janë të tilla. Përkundrazi: Presidenti turk e sheh Turqinë si viktimë të një komploti. Dhe ai beson se Lira që ndodhet nën presion do të ngjitet sërish në një nivel të arsyeshëm – si ose pse do të ndodhë kjo, megjithatë mbetet e paqartë.

The post Rënia e lirë e lirës turke appeared first on Telegrafi.

Hasan Prishtina, mendja dhe pushka e kombit

Posted: 15 Aug 2018 07:00 AM PDT

Kur Shqipëria lëngonte nga vuajtjet, kur xhonturqit donin ta shtypnin frymën shqiptare, kur fqinjët iu hodhën Shqipërisë për ta bërë copë-copë, e kur fati i Shqipërisë prehej nga gërshërët e Fuqive të Mëdha, dolën në skenë burrat të cilët përjetësisht do t'i njohë historia për shpëtimin e Shqipërisë.

Hasan Prishtina, ky burrë që ngriti zërin në Parlamentin osman, tha se t'i mbrosh shqiptarët është detyrë që i takon civilizimit, sepse secili i civilizuar do ta ngre zërin kundër tragjedisë pesëshekullore. Ai thoshte se shqiptarët trajtohen si skllevër që mbi shpinën e tyre bartnin peshën barbarisë; se të lodhur e të dërmuar në sytë e botës, nuk ishin më njerëz, por krijesa pa fat të destinuara për zhdukje.

Hasan Prishtina e cilësonte Shkupin si kryeqytet të të gjithë shqiptarëve, ndaj kapi pushkën dhe nisi kryengritjen për çlirimin e tij. U bë zëri më i fuqishëm ndër shqiptarë. Misioni i tij ishte çlirimi nga zgjedha osmano- sllave, të cilit synim nuk iu nda deri në çastin kur mbylli sytë nga dora e tradhtisë.

Atdhetari i madh Hasan Prishtina u lind më 27 prill të vitit 1873, në qytetin e Vushtrrisë. Rrjedh nga një familje e shquar dhe fisnike nga Polaci i Drenicës. Filloi mësimet në vendin e lindjes, për të vazhduar më pas në gjimnazin frëng në Selanik. Më vonë merr rrugën për në Stamboll për të studiuar Drejtësi në Universitetin e Stambollit. Por, dashuria për Shqipërinë e shtyu që pas përfundimit të studimeve të kthehet në Shkup, për të nisur misionin e tij patriotik dhe frymëzues për popullin e shtypur. Veproi me klubin "Bashkimi" dhe hodhi idenë e tij se gjuha shqipe duhej të shkruhej me alfabetin latin.

Si politikan i shquar, u zgjodh dy herë deputet në Parlamentin osman – si përfaqësues i Prishtinës për Vilajetin e Kosovës. Si deputet u bë zë i fuqishëm për çështjen shqiptare. Për vuajtjet e popullit shqiptar dhe luftën e tij për liri, ishin zëri kryesor në Stamboll.

Pasi humbi pozitën e deputetit më 1912, ishte lagjja Taksim e Stambollit ku fillon veprimtarinë e ilegale, me patriotë dhe intelektualë të asaj kohe, për të vendosur për fatin e Shqipërisë. Aty merret vendimi që të organizohet një kryengritje e përgjithshme e armatosur. Nisma e tij mori dhenë, pasi populli ishte lodhur nga sundimi xhonturk. Me 5 maj e deri 18 gusht, kryengritësit shqiptarë në krye me Hasan Prishtinën e çliruan Vilajetin e Kosovës me kryeqendrën e tij, Shkupin. Kjo kryengritje bëri që autoritetet osmane të dorëzohen para revoltës shqiptare, duke pranuar 12 nga 14 pikat e parashtruara nga paria e kryengritjes. Ky ishte hapi i parë për njohjen e autonomisë së vilajeteve shqiptare.

Në Luftën e Parë Ballkanike, Hasan Prishtina arrestohet nga forcat serbe dhe përfundon në burgun e Kalemagdanit në Beograd. Me urdhrin e Austro- Hungarisë, Anglisë dhe Italisë, do të lirohet.

Pas Konferencës së Londrës më 1913, ngarkohet me postin e ministrit të Bujqësisë dhe të Punëve të Brendshme në Qeverinë e Ismail Qemalit. Në nëntor të po atij viti iu bashkua Esad pashë Toptanit. Emërohet edhe ministër në kabinetin e Turhan pashë Përmetit, në kohën e Princ Vidit.

Lufta e Parë Botërore e gjen Kosovën në flakë. Hasan Prishtina nuk rri duarkryq dhe niset për në Kosovë, ku organizon një grup vullnetarësh përkrah trupave austro-hungareze. Largpamësia e tij çmohet për çka merr Urdhrin e Franc-Jozefit.

Për Hasan Prishtinën, veç Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e atdheut, i rëndësishëm ishte edhe edukimi i brezave të rinj. Ai e shihte edukimin si rrugëtim drejtë lirisë, sepse vetëm një komb i edukuar do të arrinte të çlirohej përgjithmonë nga pushtuesit. Për këtë kishte shkolluar qindra vetë me parat e tij.

Ai prapë do të burgoset nga forcat bullgare me 1917, e më 1918 – kur Kosova ripushtohet nga forcat serbe – largohet për në Vjenë. Qëllimi i tij ishte që ta ngrinte zërin e çështjes shqiptare në qarqet më të larta diplomatike evropiane. Zëri i tij shkoi deri në Amerikën e largët, ku i shkroi telegram presidentit amerikan Wilson për padrejtësitë dhe gjenocidin në të cilin po kalonin shqiptarët. U emërua në krye të dërgatës së Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, në Konferencën e Paqes në Paris, e do të kërkonte bashkimin e viseve shqiptare.

Në prill të vitit 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në Parlamentin shqiptar. Në dhjetor të po atij viti, pas një grusht shteti me Mustafa Krujën, nxiti dorëheqjen e qeverisë Evangjeli. Pas qeverisë gjashtorëshe të Koculit, emërohet kryetar i një qeverie që zgjati pesë ditë, e pas dështimit të revolucionit të viti 1924, u largua jashtë atdheut. Pretendohet se kundrejt Prishtinës janë bërë katër përpjekje për atentat. Vritet pabesisht me 13 gushtit të vitit 1933, në Selanik, nga Ibrahim Çelo.

Vrasja e Hasan Prishtinës trondit opinionin e asaj kohe. Një burrë që shkriu jetën e pasurinë për çështjen shqiptare, që u bë frymëzim për brezat e ardhshëm, meritonte respektin e çdo shqiptari.

Në vitet e '90, kur Kosova lëngonte, Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve, me intelektualë dhe profesorë të Universitetit të Prishtinës, themeloi lëvizjen nën emrin "Hasan Prishtina". Pas më shumë se 700 tubimeve nëpër të gjitha fshatrat e Kosovës, u arrit që të pengohet shpërngulja e ideuar nga Akademia Serbe. Edhe pse nën masa të rrepta nga regjimi serb, kur u mbyllën të gjitha institucionet në Kosovë, çmimi "Hasan Prishtina" iu nda nënës shqiptare e cila kishte lindur 16 fëmijë, e të cilët të gjithë qëndruan në Kosovë pavarësisht rrethanave të vështira për jetesë. Më pas ky çmim iu nda shumicës së figurave kyçe të politikës dhe diplomacisë botërore që ndikuan në çlirimin e Kosovës më 1999.

Veç çmimit "Hasan Prishtina", lindi edhe iniciativa për ngritjen e shtatores së Hasan Prishtinës tek rrethi i flamurit në Prishtinë, nga ku ishte nisur ai për çlirimin e Shkupit. Por, kjo iniciativë u pengua me mosdhënien e lejes nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, me arsyetimin se një shtatore e tij ekziston në oborrin e Rektoratit të Universitetit "Hasan Prishtina". Mirëpo, kjo shtatore nuk mund të vizitohet nga qytetarët pasi është brenda rrethojave të rektoratit.

Sidoqoftë, figura e Hasan Prishtinës mbetet e përjetshme në historinë shqiptare; vepra e tij jetësohet me pavarësinë e Kosovës dhe do merr kuptim të plotë kur të realizohen të drejtat e gjithë shqiptarëve në Ballkan.

The post Hasan Prishtina, mendja dhe pushka e kombit appeared first on Telegrafi.

Është bamirësia për të varfrit e kotë?

Posted: 14 Aug 2018 12:12 PM PDT

Në një ese të publikuar muajin e shkuar te The Guardian, 15 ekonomistët kryesorë – përfshirë laureatët e Nobelit, Angus Deaton, James Heckman, dhe Joseph Stiglitz – kritikuan atë që ata e quajtën "çmenduri të efektivitetit të ndihmës" me argumentin se ajo na bën të shpërfillim shkaqet kryesore të varfërisë.

Unë mbroj vlerësimin e efektivitetit të ndihmës dhe ofrimin e burimeve për ndërhyrje që tregojnë se ia vlejnë koston e investuar. Në këtë aspekt, themelova "Jeta që Mund ta Shpëtosh", një organizatë që mbledh prova për organizatat bamirëse që u japin donatorëve ndryshimin më të madh për paratë e tyre dhe për t'i nxitur njerëzit të dhurojnë për to. "Jeta që Mund ta Shpëtosh" rekomandon ndërhyrjet e testuara, sepse ne mendojmë se donatorët kanë më shumë gjasa të bëjnë mirë duke ndihmuar individët me nevoja të paplotësuara sesa duke pasur në mendje eliminimin e rrënjëve të varfërisë pa një strategji realiste që çon në arritjen e synimit.

Deaton, Heckman, Stiglitz, dhe kolegët e tyre ia nisin duke na treguar se varfëria globale "mbetet e pazgjidhur". Kjo deklaratë reflekton dhe rithekson pikëpamjen e zymtë se nuk po bëjmë progres në pakësimin e varfërisë.

Por, nuk është kështu. Banka Botërore i klasifikon njerëzit si në "varfëri ekstreme" nëse atyre u mungon e ardhura e nevojshme për të pasur mjaftueshëm ushqim, strehë dhe nevoja të tjera bazë. Vlerësimi më i fundit i BB është se ka 768.5 milionë njerëz, ose 10.7 për qind e popullatës së botës, që e kalon jetën në varfëri ekstreme. Në një botë që prodhon më shumë seç duhet për t'i përmbushur nevojat e të gjithëve, kjo shifër nuk lë vend për vetëkënaqësi. Por në 1990, më shumë se 35 për qind e popullatës globale po jetonte në varfëri ekstreme dhe në vitin 2012 shifra ishte 12.4 për qind. Trendi afatgjatë është qartazi pozitiv.

Tregues të tjerë të mirëqenies njerëzore e hedhin poshtë pikëpamjen e zymtë. Për shembull, norma e vdekshmërisë së fëmijëve ka rënë nga 93 për 1000 lindje në afërsisht 40 që nga viti 1990.

Eseja e ekonomistëve më pas na thotë se dështimi i supozuar për të bërë progres në pakësimin e varfërisë globale vjen pavarësisht "qindra miliardë dollarëve të shpenzuar për ndihmë". Nuk specifikohet periudhë kohore, por shumë lexues do të supozojnë se bota jep "qindra miliardë dollarë" ndihmë çdo vit. Në 2017, ndihma zyrtare e zhvillimit (ODA) nga të gjitha ekonomitë botërore të përparuara ishte 146.6 miliardë dollarë ose më pak se 1 dollarë për çdo 300 dollarë të fituar në këto vende.

Nëse të gjitha këto para do të shkonin te 765.5 milionë njerëzit që jetojnë në varfëri ekstreme, do të llogaritej 191 dollarë për secilin. Në fakt, vetëm 45 për qind e ODA shkon te vendet më pak të zhvilluara. Shumica e saj shkon për programe që kanë pak prova për efektivitet. Nuk është çudi që kjo sasi modeste e ndihmës shpesh të keqdrejtuar nuk i ka dhënë fund varfërisë ekstreme!

Objektivi tjetër i 15 ekonomistëve është përdorimi rastësor i provave të kontrolluara për të provuar nëse ndërhyrjet janë efektive. Këto prova, theksojnë ata, janë të shtrenjta. Ndoshta, por ato janë më pak të shtrenjta se vazhdimi i mbështetjes së projekteve që nuk bëjnë mirë. Kontrollet rastësore nuk aplikohen gjithnjë dhe nuk janë e vetmja mënyrë për të shfaqur efektivitet. Por kur janë të disponueshme, japin prova të forta që, për shembull, shpërndarja e rrjetave të krevatit për të mbrojtur fëmijët nga mushkonjat e malaries shpëton jetë – dhe me një kosto modeste.

Siç theksohet, megjithatë, kundërshtimi madhor i ekonomistëve ndaj kësaj prove është se ajo na bën të fokusohemi tek "mikro-ndërhyrjet", të cilat nuk zgjidhin shkaqet e varfërisë. Fuqia e këtij kundërshtimi varet nga aftësia për tre alternativa më të mira.

Çfarë sugjerojnë ata? Ata thonë se të varfrit kanë nevojë për "akses në arsim publik dhe shëndetësi" dhe se duhet të ketë politika publike të koordinuara për të parandaluar ndryshimin klimatik. Për të bërë progres real në bujqësi, duhet t'i japim fund subvencionet shtesë të paguara nga vendet e pasura.

Rekomandime të tjera përfshijnë ndalimin e evazionit fiskal nga kompanitë shumëkombëshe, duke rregulluar parajsat fiskale dhe zhvillimi i rregullave të punës për të ndaluar mosrregullimin e mjedisit të biznesit në globalizim. Për të kuptuar se cilat politika funksionojnë më mirë, na thonë se duhet të mbështetemi te të dhënat e disponueshme por që përdoren pak dhe te imazhet satelitore. Synimi kryesor është të ndryshohen rregullat e sistemit ekonomik ndërkombëtar për ta bërë atë "më ekologjik dhe më të drejtë për shumicën e botës".

Këto janë synime për t'u lavdëruar. Por kujt po i drejtohen ekonomistët? Individëve që dhurojnë te bamirësitë? Zyrtarëve të lartë në departamente qeveritare përgjegjëse për zhvendosjen e ndihmës? Qeverive? Vetëm këto të fundit kanë pushtetin për të bërë ndryshimet e rekomanduara.

Nëse argumentimet i drejtohen qeverive, megjithatë, do të sillnin të dhënat më të mira rezultate më të mira? Te subvencionet bujqësore të SHBA, për shembull, kushdo që ka hedhur një vështrim të paanshëm e di se ato dëmtojnë të varfrit në botë dhe janë një humbje e madhe e fondeve publike. Megjithatë, përpjekjet për t'i eliminuar ato kanë dështuar vazhdimisht, jo prej mungesës së analizës politike, por prej fuqisë politike të shteteve rurale.

Jeta Që Mund të Shpëtosh, si GiveWell dhe organizata të tjera, kërkojnë të ndikojnë te dhunuesit individualë, duke i inkurajuar ata të mendojnë ku mund t'i drejtojnë dhurimet për të bërë shumicën e ndryshimit pozitiv. Shpresoj që ata të jenë edhe qytetarë aktivë duke e nxitur qeverinë të përpiqet për një botë më të drejtë dhe më të qëndrueshme. Por ndërsa presim që politikanët tanë të zgjidhin shkaqet kryesore të varfërisë globale – dhe do të jetë një pritje e gjatë – le t'i përqendrojmë burimet tona shtesë në ndihmë efektive që ndihmon njerëzit në varfëri ekstreme të bëjnë jetën më të mirë të mundshme për rrethanat e tyre. /Project Syndicate/reporter.al/

The post Është bamirësia për të varfrit e kotë? appeared first on Telegrafi.

Ballkani nuk guxon të ribëhet arenë lufte ruso-amerikane

Posted: 14 Aug 2018 12:03 PM PDT

I.

1. Hapja 'Kutisë së Pandorës' e debatit publik për gjoja 'korrigjimin e kufijve', aspak nuk e përjashton një konflikt më të gjerë midis forcave proruse në Serbi, atyre proamerikane Maqedoni dhe Kosovë e padyshim edhe në Shqipëri, ku pastrimi etnik, ndjekjet dhe persekutimet e popullates civile (shqiptare, maqedonase dhe serbe) mund të shërbejnë sërish si pretekste serioze për të rrezikuar institucionet e brishta demokratike dhe për të ndryshuar konfigurimin demografik e gjeografik të Ballkanit Perëndimor.

2. Evropa ka telashet e BREXIT-it, të krizës së migrantēve, e sidomos zgjedhjet në horizont, ku djathtistët kanë shans tē mëdha ta 'varrosin' idenë e kupolës integruese të Bashkimit Evropian. Nëse qarqet e ndryshme kontinentale po e përgatitin 'skenarin sirian' për këtë pjesë të botës, atëherë as Departamenti i Shtetit, e as Kongresi amerikan, e as estabilishmenti i angazhuar në nivele (sidomos) ambasadorësh, nuk do të duhej që me prononcimet e tyre (për shembull Delawie) ambiguitive, t'i lënë hapësirë keqkuptimi e as keqinterpretimi, askujt.

3. Arsyet janë të shumta sidomos në arealin shqipfolës, ngase kështu u jepet sinjal e hapësirë mediatike mercenarëve të të gjitha ngjyrave (radikale, ekstremiste, e ekstranacionaliste proserbe e proruse) për një ofensivë të re eventuale, antiamerikane, e antiperëndimore. E Kjo assesi nuk guxon të ndodhë!

II.

1. Departamenti amerikan i Shtetit është shumë i paqartë në rastin e testimit të 'balonës për korrigjimin e kufijve' midis Serbisë dhe Kosovës! Ky ambiguitet i shprehur amerikan në fakt e dobëson shumë rolin dhe ushtrimin e ndikimit të Brukselit në ndërmjetësim! Sepse, logjika mbizotëruese në publikun e gjerë na flet: nëse amerikanët nuk munden ta zgjedhin cilëndo çështje, atëherë evropianët nuk do munden edhe më hiç!

2. Është hera e parë që Departamenti i Shtetit të japë një deklaratë aq të padekoduar dhe hutuese ndaj kosovarëve, që njihen edhe si populli më proamerikan në botë!? Dhe kjo është shqetësuese, e dosido edhe e dëmshme, si për sigurinë dhe interesat amerikane në Ballkan, Evropën Juglindore dhe për gjithë kombin shqiptarë që vegjeton në gjithë këtë hemisferë sociale, ekonomike, politike, e sidomos ushtarake.

3. Por, ky ambiguitet i Departamentit të Shtetit, për mendimin tim dhe shumë ekspertëve tjerë kontinental e botëror, është edhe në kundërshti jo vetëm me parimet, e sidomos interesat e saja (që në pesë dekadat e fundit është e palëkundur… pa marr parasysh se a janë demokratët apo republikanët në pushtet) të jashtme civilizuese, por edhe kundër vlerave promovuese demokratike që ajo i simbolizon në mbarë rruzullin tokësor.

III.

1. Shpresëdhënëse në gjithë këtë shqetësim dhe çudi publike e jopublike, për popujt e Ballkanit, mbetet vetëm adresa e Kongresit Amerikan. Ata akoma nuk kanë dhënë asnjë sinjal qoftë në mënyrë direkte, qoftë me eufemizëm (siç bëri herë pas here Departamenti i Shtetit) për këtë çështje, sa të ndjeshme aq edhe problematike.

2. Tani, tregimi për 'gogolin' e korrigjimit, midis tjerash ka disa dimensione: njëri që ka 'mandat' afatshkurtër dhe ka për imperativ – frikësimin e Uashingtonit dhe Brukselit, për destabilizimin e gjithë rajonit, nëse nuk bëhen disa korrigjime të 'imëta kozmetike' (shih ti të imëta u duken hapësirat prej 25 deri 30 për qind të territorrit) me Kosovën, në mënyrë që Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia të mbetën të paprekura… Një kalkulim absolut i gabuar dhe i dëmshëm për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit. Dimensioni i dytë, që (ndërlidhet me faza afatgjata) ka të bëjë po ashtu me një kalkulim sa të marrë aq edhe morbid: si mund të hapet ideja e 'korrigjimit të kufijve', e në ndërkohë t'u thuash serbëve të Republika Srpska dhe shqiptarëve të Maqedonisë, Malit të Zi, e atyre të Kosovës Lindore, se ky 'parim' nuk vlen edhe për juve!

3. Asnjë 'pretekst' i ndërtuar mbi këto kontura nuk do pi ujë. E, nëse preteksti i 'korrigjimit' që flamurin e kanë marr Thaçi-Rama dhe Vuçiq, e që mentorët po fshihen akoma… ka marr instruksione të sakta për një luftë të re Ballkanike (midis tjerash të ridëshmohet edhe një herë paaftësia e Brukselit për të menaxhuar; ekstremizmat e gjitha ngjyrave), atëherë duhet 'kënduar një këngë' tjetër shkatërrimtare…! Kjo periudhë, mjaft ma përkujton kohën e krizës që pasoj me tërheqjen e Perandorisë Otomane…

The post Ballkani nuk guxon të ribëhet arenë lufte ruso-amerikane appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more