Skip to main content

“Europiani i Atletikës, Gega synon zonën e medaljeve në Berlin” plus 9 more Gazeta SHQIP

“Europiani i Atletikës, Gega synon zonën e medaljeve në Berlin” plus 9 more Gazeta SHQIP


Europiani i Atletikës, Gega synon zonën e medaljeve në Berlin

Posted: 12 Aug 2018 02:06 AM PDT

Shpresat e Shqipërisë për medalje në kampionatin Europian të Atletikës janë sot te Luiza Gega. Sportistja kuqezi do të garojë sot në mbrëmje në finalen e garës së 3000 metrave me pengesa në turneun, që po zhvillohet në Berlin të Gjermanisë.

Gega bëri një paraqitje të shkëlqyer në baterinë eliminatore, duke zënë vendin e dytë. 9 minuta 33sekonda e 11 të qindtat ishte koha e atletes, e dyta në total në këtë disiplinë.

Norvegjezja Karoline Bjerkeli shihet si kërcënimi më i madh i sportistes shqiptare për medaljen e artë, por gjithçka do të shihet në garë sot në mbrëmje në orën 20:55.

Kujtojmë që Shqipëria u përfaqësua në këtë kompeticion edhe me atletin shkodran të kërcimit së gjati, Izmir Smajlaj. Ky i fundit u rendit vetëm në vendin e gjashtë, mes shumë polemikash për matjen e kërcimit në provën e tretë.

12 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)

Zyrtare, Hasan Lika trajner i Vllaznisë, Ergin Firat drejtor sportiv

Posted: 12 Aug 2018 02:04 AM PDT

Vllaznia më në fund ka një trajner dhe një drejtor sportiv. Klubi shkodran ka vendosur që trajner i kuqebluve të jetë Hasan Lika, ndërsa drejtor sportiv Ergin Firat.

Vendimi u mor pasi u vlerësuan me shumë kujdes të gjitha kandidaturat për këto poste, duke u bazuar në CV-në dhe platformat e kandidatëve.

Në fakt, për postin e trajnerit, ku përveç Hasan Likës, konkurronin edhe Baldo Ranieri, Dervish Haxhiosmanovic, Edi Martini dhe Ergin Firat, përzgjedhja ishte e pritshme. Lika mori më shumë kredenciale nga konkurrentët e tjerë, bazuar në kriteret e mëposhtme: Formimi i përgjithshëm dhe profesional, përvoja në punë, arritjet profesionale, pastërtia e figurës dhe besueshmëria e serioziteti.

Për postin e drejtorit sportiv, për të cilin u shpall fitues Ergin Firat, konkurronin edhe Alban Neziri dhe Agim Canaj.

Me zyrtarizimin e drejtuesve të ri, Vllaznia duhet të nisë menjëherë punën për krijimin e një grupi konkurrues, që do të ketë si objektiv ngjitjen e menjëhershme në Kategorinë Superiore.

12 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)

V.S Naipaul, historia e një jete jo të zakonshme

Posted: 12 Aug 2018 02:01 AM PDT

Vidiad-har Suraxhprasad Naipoli (Vidiadhar Surajprasad Naipaul), një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të anglishtes së sotme, lindi në Trinidad, nga prindër indianë, më 17 gusht 1932. Gjyshi i tij ishte një induist nga veriu i Indisë, që emigroi në ishujt Karaibe, si një punëtor me kontratë. I ati ishte gazetar dhe ai e frymëzoi Naipolin e ri për atë që do të ndiqte më vonë. "Në të vërtetë, që prej një moshe fare të hershme, e mendoja veten si shkrimtar… për shkak të idesë së parezistueshme të këtij profesioni fisnik", – kujton ai.

Në vitin 1938, familja u vendos në qytetin e Portit të Spanjës, ku Naipoli ndoqi shkollën fillore dhe të mesme. Në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, emigroi në Angli, me një bursë për në kolegjin universitar të Oksfordit. Pasi arriti të merrte diplomën për letërsinë angleze, në vitin 1953, ai shkoi në Londër për të punuar si redaktor për Caribbean Voices-in, një program radioje i BBC-së, që transmetohej në Indinë Perëndimore. Karriera e tij si shkrimtar pati një fillim të mbarë me botimin e romanit Masazheri misterioz, në vitin 1957.

Një roman pikaresk, rreth një njeriu kontradiktor, i cili u bë burrë shteti në Trinidad. U nderua me çmimin John Llewellyn Rhys Memorial. Urata e Elvirës (1958) dhe Rruga "Migel" (1959), një përmbledhje me tregime që fitoi çmimin Somerset Maugham, pasqyrojnë gjithashtu idiotësitë e shoqërisë në Indinë Perëndimore.

Botimi i Një shtëpi për Z. Bisuas (1961), një roman tragjikomik që të kujton Dikensin, ishte një kthesë e madhe në veprën e Naipolit. E respektuar gjerësisht si kryevepra e tij, ky roman është një raport imagjinar i jetës së të atit, i cili bën një jetë të dyfishtë dhe me këtë simbolizon vuajtjet në periudhën koloniale. Z. Ston dhe shoqëria e kalorësve (1963), romani i tij i parë, ngjarjet e të cilit vendosen në Angli, e bëri të fitonte çmimin Hawthornden.

Naipuli e filloi serinë e veprave të tij rreth kombeve afrikane që kishin ardhur në ekzistencë nëpërmjet pavarësive të tyre politike, duke e përshkruar botën e pas periudhës koloniale me Kalimin e mesit (1962). E hartuar në formën e kujtimeve të udhëtimeve, kjo vepër shpreh pikëpamjet e shoqërisë britanike, franceze dhe holandeze të Indisë Perëndimore dhe të Amerikës së Jugut. Pas një udhëtimi njëvjeçar nëpër Indi, ai shkroi Një rajon i errësirës (1964), një portretizim kontradiktor i atdheut të të parëve të tij. Më vonë, Naipoli bëri një gërshetim mes përshkrimit artistik dhe atij joartistik, në lidhje me identitetin kulturor. Në vitin 1967, ai botoi romanin shumë të rëndësishëm, Imituesit, një vepër rreth pasojave të imperializmit britanik, i cili bëri që të fitonte çmimin W. H. Smith, dhe Një flamur në ishull, një përmbledhje e dytë me tregime.

Në vijim ai përshkoi origjinën e Trinidadit të sotëm, me elementë të shumtë personalë, te Humbja e El Dorados (1969). Në një shtet të lirë, një vepër novatore që u referohej emigrantëve britanikë në një vend afrikan me konflikte të shumta, u nderua me çmimin prestigjioz të Anglisë, Booker, në vitin 1971. Barrakuni i mbipopulluar dhe artikuj të tjerë është një kompilim i gazetarisë personale dhe politike, i cili doli në qarkullim vitin e ardhshëm. Botimi i Guerilja (1975), një roman gjuetie njerëzore, vrasjesh e revolucioni në një ishull të Karaibeve, të çliruar së fundi nga sundimi kolonial, e përforcoi ndjeshëm reputacionin e Naipulit në Shtetet e Bashkuara.

Pasi e rivizitoi Indinë, gjatë kohës së emergjencës (1975), ai solli një tjetër vështrim të kontinentit të vogël me veprënIndia: Një qytetërim i plagosur (1977). Në vitin 1979, ai botoi Qyteti te kthesa e lumit, një përshkrim i thellë që rrëmon po aq thellë, çështjen e shpërnguljeve në një epokë neokoloniale. Gjatë viteve '80, Naipoli u përqendrua kryesisht tek letërsia joartistike. Ai shkroi një sërë trajtesash të shkurtra: Kthimi i Eva Peronit dhe vrasjet në Trinidad (1980), Mes besimtarëve: Një udhëtim islamik (1981), një studim rreth rilindjes islamike në Iran, Pakistan, Malajzi dhe Indonezi; dhe Duke gjetur qendrën – dy rrëfime (1984), një trajtesë autobiografike dhe një trajtesë rreth Bregut të Fildishtë.

Enigma e mbërritjes (1987), romani i tij i vetëm i asaj dekade, është ndoshta më autobiografiku i tij. Veç kësaj, ai shkroi Një kthim në Jug (1989), shënime rreth udhëtimeve të tij nëpër Amerikën e Jugut. Në vitin 1990, ai u shpall kalorës prej mbretëreshës Elizabetë II. Në të njëjtin vit, ai botoi India: Një milion kryengritje tani, një vizion më optimist i këtij kombi për ditët e sotme. Në vitin 1993, ai u nderua me çmimin britanik për letërsinë David Cohen.

Romani më i fundit i Naipolit, Një rrugë në botë (1994), është një gërshetim i elementëve autobiografikë dhe përsiatjes, një rrëfenjë madhështore e rikthimit në identitet. "Për begatinë e tij origjinale, vështirë se ka ndonjë shkrimtar të gjallë që ia tejkalon V. S. Naipolit, – shkroi The New York Times Book Review-ja. – Ai është shkrimtari i botës, një mjeshtër i gjuhës dhe i perceptimit".

12 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)

BE kërkon nga Arabia Saudite informacion për aktivistet e arrestuara

Posted: 12 Aug 2018 01:15 AM PDT

BE i ka bërë thirrje Arabisë Saudite që të japë informacion mbi arrestimet e grave aktiviste për të drejtat e njeriut. "BE është angazhuar në mënyrë konstruktive me autoritetet saudite duke kërkuar sqarim mbi rrethanat që lidhen me arrestimet e grave aktiviste në Arabinë Saudite", tha një zëdhënëse e shefes për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

"Ne kemi theksuar rëndësinë e rolit të mbrojtësve për të drejtat e njeriut dhe grupeve të shoqërisë civile, në procesin e reformave, ku Mbretëria po synon që të kalojë dhe gjithashtu edhe rëndësinë e respektimit të rregullave të arrestimit të këtyre personave", shtoi ajo.

Komisioni Europian gjithashtu ka thënë se ka kontaktuar Arabinë Saudite për këtë çështje.

Këto komente vijnë pasi Kanadaja ka përkeqësuar marrëdhëniet diplomatike me sauditët, pasi më 3 gusht shprehu shqetësimet lidhur me arrestimet e fundit të aktivistëve për të drejtat e njeriut dhe i bëri thirrje Riadit që t'i lirojë menjëherë të arrestuarit.

Arabia Saudite u kundërpërgjigj duke i thënë Kanadasë që të mos përzihet në punët e brendshme të saj dhe dëboi ambasadorin kanadez.

12 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)

Nudot e një gruaje që vlejnë miliarda

Posted: 12 Aug 2018 01:00 AM PDT

Marie-Thérèse Walter nuk ishte thjesht e dashura e Pikasos, por dhe mikja e tij më e ngushtë. Historianët e artit vijojnë të gjejnë ndikimin që ajo ka lënë në veprat e artistit duke u shfaqur si një nga femrat që e shndërroi dashurinë për të në kërkimin e artit.

Ajo ishte modelja dhe më vonë do të bëhej nëna e vajzës së tij Maya Widmaier Picasso. Ata u njohën kur ajo ishte 17 vjeçe ndërsa piktori 45 dhe ende jetonte me Olga Khokholva. Më 8 janar 1927 Marie u takua me Pikason në një galeri në Paris. Sipas Herbert Schwartz biograf ata u takuan në janar të vitit 1925 .

Ndër pikturat që I realizoi Maries veçohen nudot e pafundme që ia bëri kudo në shtëpi. Një nudo e realizuar më 1932 do të shënonte rekord shitjeje. Në 1999 ajo është blerë për plot $45.1 million. Kjo nudo në kolltukun e zi shfaq shumë gjallëri dhe përfaqëson pjellorinë. Aty dallohet portreti I dashur I Marie-Thérèse Walter.

Një tjetër nudo e saj është shitur një vit më parë në ankand 106.5 milionë dollarë. Nudo, gjethe e gjelbër dhe busti, realizuar vetëm në një ditë, po në vitin 1932 . Kjo është një tjetër sekuencë e punimeve që tregojnë dashurinë e artistit për muzën e tij, Marie-Therese Walter.

12 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)

Të shtëna në Mançester, 10 të plagosur

Posted: 12 Aug 2018 12:47 AM PDT

Të paktën 10 persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave në Mançester. Sipas mediave angleze, ngjarja u regjistrua në zonën Moss Side, rreth orës 02:30 të mëngjesit gjatë një festivali në "Caibbean Carnival".

"Aktualisht në spital janë disa të lënduar që po trajtohen për plagë të ndryshme, por fatmirësisht asnjë nuk duket të jetë në rrezik për jetën", njoftuan autoritetet.

Autoritetet bënë me dije se po përpiqen të përcaktojnë se çfarë ndodhi në incident dhe kush ishte përgjegjësi për një sulm të tillë të rrezikshëm. Forca të shtuara policie do të patrullojnë zonën gjatë ditëve të ardhshme.

12 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)

Mbi 11 mijë njerëz pritet të zbarkojnë në Durrës, ankesa për kushtet e trageteve

Posted: 12 Aug 2018 12:39 AM PDT

Vijon fluksi i personave që po hyjnë në Shqipëri në këto ditë të nxehta vere, nga deti, ajri dhe toka.

Krahas turistëve të huaj, që vijnë për të vizituar vendin tonë, në këtë periudhë kthehen edhe një numër i lartë shqiptarësh, që jetojnë në emigrim.

Porti i Durrësit është një nga portat kryesore të kthimit të emigrantëve, ndërsa çdo ditë përballet me një fluks të madh shtetasish që hyjnë në Shqipëri.

Edhe sot njoftohet se nga Bari dhe Ankona pritet të mbërrijnë 7 tragete udhëtarësh me rreth 11 mijë persona e qindra makina në bord. Gjithsesi, si gjithmonë në raste të tilla, edhe këtë herë janë paraqitur probleme me zbatimin e orareve të nisjes së trageteve nga Italia.

Gjithashtu, në linjë telefonike, shumë pasagjerë shprehen të pakënaqur me kushtet në tragete, ku mungon ventilimi apo ajri i kondicionuar aq shumë i domosdoshëm në rastet kur mjetet janë të tejmbushura me udhëtarë.

12 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)

Shuhet nobelisti VS Naipaul, shkrimtari i melankolisë së gjatë

Posted: 12 Aug 2018 12:33 AM PDT

V S Naipaul një nga emrat e njohur të letërsisë botërore librat e së cilit erdhën në gjuhën shqipe nga "Shtëpia Botuese Saras" është shuar në moshën 85 vjecare. "Qyteti bri lumit" përkthyer nga Lavdimir Marku dhe "Shkrimtari dhe bota" përkthyer nga Blendi Lami janë dy libra që e sollën për herë të parë këtë shkrimtar kalibri në gjuhën shqipe. I lindur në Trinidat nga prindër prej Indise, V S Naipaul, adaptoi Anglinë si atdheun e tij të dytë dhe e bëri Anglishten gjuhën e tij të parë. Romanet dhe librat e tij me mbresa udhëtimesh hyjnë ndër gjërat më magjepse të letërsisë moderne.

Temperament magmatik, i njohur për shpërthimet e papritura kundër vulgaritetit te kulturës sipërfaqsore, shpesh kishte periudha të gjata melankolie, kohë kur e brente dyshimi për kotësinë e shkrimit të librave. V.S. Naipaul, konsiderohet një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të shekullit XXI, fitues i çmimit "Nobel" në letërsi në vitin 2001.

Qyteti bri lumit, është një lloj autobiografie e një shkrimtari që la vendin e tij Indinë, për t'u shkolluar e më pas për t'u bërë një nga autoritetet e mendimit në Britaninë e Madhe. Është një përplasje e kulturave, mentaliteteve, botëve të vjetra që kanë dominuar fatet e njerëzimit. Ky libër është një manual për ndryshimin, për atë ndryshim që shpesh dhemb, por që është i domosdoshëm në shumë shoqëri. Libri shoqërohet në shqip me një parathënie nga kritikja dhe shkrimtarja e njohur angleze Elizabeth Hardwick."Qyteti bri lumit" është historia e një trazire historike dhe e një kolapsi social. Përplasja e kulturave në Indi, vendet islamike, Afrikë, Amerikë e Jugut dhe ishujt Karaibe janë burimet që Naipaul përdor për imagjinatën e tij krijuese, në letërsinë artistike dhe në librat e tij të udhëtimeve nëpër botë, udhëtime këto aq të ngadalta në kohë, e aq personale, saqë nuk mund të klasifikohen dot si libra udhëtimi.

Ngjarjet zhvillohen në periudhën postkoloniale, në kohën e pavarësisë. Europianët janë shpërngulur nga aty, ose janë detyruar të shpërngulen, dhe skena është kaotike, gjithë dhunë, me luftime mes fiseve, injorancë e plotë, izolim, varfëri dhe një mungesë përgatitjeje për botën e re, në të cilën ata kanë hyrë, ose pjesërisht e supozuar si një lloj dekorimi. Siguria e verbër e administratës koloniale, me rregullat e saj, komercializimin e resurseve të disponueshme, me bulevardet e saj dhe me shtëpitë e bukura, e klubet për argëtimin e të ardhurve të huaj, çoi në bumin e shumë shteteve, që sapo e kishin fituar pavarësinë.

Këtu aktualisht pushteti është në duart e presidentit, një luftëtar fisnor i kërcënuar nga ambiciet e luftëtarëve të fiseve të tjera.Libri është një akuzë për pushtet e dhunshme, përmes një personazhi që nuk nguron të përshkruajë dhe presidentin e vendit të tij. "Te 'Qyteti bri lumit' zvarritja, korrupsioni mbytës dhe shkatërrimi që e shoqëron ardhjen në pushtet të forcave fisnore, ose dhe komplotimin e tyre për të marrë pushtetin, pasiguria e zbatimit të marrëveshjeve, pakënaqësia e turmave të vendasve që vuanin për një kohë të gjatë, e që e përhapnin edhe në qytet këtë pakënaqësi: e gjitha kjo është panorama në të cilën zhvillohet romani.

Pjesë e tij janë tregtarë indianë dhe pronarë të një biznesi apo të një tjetri, një çift europianësh të bardhë, një prift plak, belg, që ka shumë vite që jeton aty dhe afrikanë të shumtë, në kërkim të mundësive të reja. Romani është një ndërmarrje me disa rreziqe dhe pa rreziqe, të cilit Naipauli, i ka dhënë formën e një vepre të kryer, me një forcë imagjinuese, fort të gjallë", thotë Elizabeth Hardëick. Përtej letërsisë së tij, e cila vijon të botohet çdo vit në çdo vend të botës, Naipaul është një shkrimtar që tërheq vëmendjen dhe me karakterin e tij. I quajtur "shkrimtari i errësirës", mediat shohin një anë të errët dhe në raportin që ai ka pasur me të shoqen, me të cilën jetoi 41 vjet, anglezen Patricia Ann Hale, me të cilën u njoh gjatë një vizite në Spanjë në vitin 1952. Ata studiuan bashkë në Oksford dhe u martuan në Londër më 1955.

Martesa e tyre zgjati 41 vjet, deri në vdekjen e Pat, ashtu si e thërrisnin miqtë e saj. Bashkëjetesa e tyre nuk ka qenë e lehtë dhe shpesh çifti ka qenë në qendër të medias, pas deklaratave të Naipaul se nuk mund "t'i shmangte dot prostitutat", apo pas marrëdhënies së gjatë që ai ka pasur në të njëjtën kohë me Margaret Gooding.

Ka pasur akuza në media mbi rolin që Naipaul ka pasur mbi vdekjen e Pat, pavarësisht se ajo vuante prej kohësh, pas gjetjes së shënimeve të saj mbi faktin që Naipaul ishte shpesh dhe i dhunshëm. Te "Qyteti bri lumit", ne kemi pasazhe dhune, në një apartament në Londër, nga një çift dashnorësh, të ndarë mes pasionit dhe së vërtetës… Ndoshta ajo çfarë ka shkruar, forca për të dhënë dhimbjen deri në skajin e saj, e bën këtë autor nga më të rëndësishmit e shekullit XXI, të jetë shpesh dhe në qendër të këtyre akuzave, që mbeten thjesht të tilla.

12 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)

Zjarret në Greqi, shkon në 94 numri i viktimave

Posted: 12 Aug 2018 12:23 AM PDT

Rritet bilanci i viktimave si pasojë e zjarreve që përfshinë Greqinë. Raportohet se një grua 57-vjeçare ka ndërruar jetë në kujdesin intensiv nga plagët e marra, duke e çuar numrin e viktimave në 94.

Ministria e Shëndetësisë së Greqisë njoftoi se gruaja, e cila ndërroi jetë të shtunën në mëngjes është personi i 11-të që vdiq në spital si pasojë e zjarrit të 23 korrikut.

Ata shtuan se edhe 31 persona janë në trajtim spitalor. Tetë pacientë ndodhen në kujdes intensiv.

12 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)

Trofeu “Bernabeu”, shënon Higuain, por triumfon 3-1 Reali

Posted: 12 Aug 2018 12:14 AM PDT

Në edicioni i 39-të i trofeut "Santoago Bernabeu" Realit i Madridit pati përballë Milanin, që kishte zgjedhur pikërisht këtë sfidë për debutimin e Gonzalo Higuainit, një ish i "Los Blancos". Sulmuesi argjentinas nuk i zhgënjeu pritshmëritë e tifozëve kuqezi, duke shënuar golin e barazimit të përkohshëm 1-1, teksa më parë kishte zhbllokuar takimin Karim Benzema që në minutën e dytë. Një goditje e befasishme e "El Pipitas" nga jashtë zonës e gjeti të papërgatitur portierin Navas.

Gjithsesi, në fund të pjesës së parë, Gareth Bale, i cili duket se ka marrë rolin e liderit në sulm pas largimit të Ronalos realizoi golin e 2-1 për skuadrën "merengues", ndërsa Mayoral në minutat shtesë gjeti golin e tretë për Realin dhe të fundit të sfidës. Në pjesën e dytë Lopetegui e ndërroi të gjithë skuadrën, duke kryer plot 11 ndërrime.

Momente emocionuese në minutën e 77-të, kur Luka Modric mori vendin e Iscos dhe një "standing ovation" nga tifozët e Bernabeut, si për ta falënderuar apo bindur se nuk duhet të largohet nga Reali.

12 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more