Skip to main content

“E humbëm Kosovën shumë kohë para se ta shpallte pavarësinë” plus 2 more Telegrafi Opinione

“E humbëm Kosovën shumë kohë para se ta shpallte pavarësinë” plus 2 more Telegrafi Opinione


E humbëm Kosovën shumë kohë para se ta shpallte pavarësinë

Posted: 11 Aug 2018 03:11 AM PDT

Milosh Çiriq

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq mbajti edhe një konferencë për shtyp për Kosovën. Ashtu si shumë herë më parë, u njoftua si "konferenca për shtyp" pas së cilës asgjë nuk do të ishte kurrë më njësoj.

Deklaratat e shpeshta të presidentit janë bërë pothuajse komike. Pavarësisht notave dramatike, në të vërtetë nuk ndodh kurrë asgjë.

Me përjashtim të tabloidëve pro-Vuçiq dhe mediave të zakonshme, të cilat me padurim presin shfaqjet teatrale të Vuçiqit, interesi për atë që mund të ketë për të thënë presidenti është në fakt në rënie të vazhdueshme.

Të lodhshëm dhe torturues për ata që janë të përfshirë, monologët e Vuçiqit janë gjithsesi ushqim për kontrolluesit e fakteve.

Vuçiqi është shpesh vetë burimi i tij dhe ata që e sfidojnë atë përballen me agresion dhe fyerje.

Gazetarët e lodhur duket se po heqin dorë. Ata e lënë atë të flasë që të mbarojë sa më shpejt është e mundur. Mendimet e Vuçiqit dje bëhen lajmet e sotme, të cilave ai do t'u kthehet nëse si fakt të pakundërshtueshëm.

Por, shumë pak prej saj përputhet me realitetin – më shumë se 90 për qind e deklaratave të Vuçiqit në vitin e parë të këtij mandati ishin të rreme, sipas një studimi.

Kjo është tipike për botën e pas të vërtetës në të cilën ndodhemi. "Faktet alternative", ose "gënjeshtrat" e modës së vjetër, sundojnë sferën publike serbe pasi që njeriu që mban të gjitha shtyllat e pushtetit në shoqëri i shpërndan ato çdo ditë.

Kjo është tipike edhe për sistemet politike në zhvillim, ose për autokracitë e paligjshme të maskuara si demokraci, Serbia mes tyre prej shumë kohësh tashmë.

Ajo që nuk është shumë tipike është numri i madh i mediave në vendin tonë që thjesht ndihmojnë Vuçiqin në sulmet e tij ndaj mendjes së shëndoshë të publikut.

Mediat pro-qeveritare dhe tabloidët më të lexuar nuk "po bëjnë thjesht punën e tyre" duke riprintuar fjalët e presidentit. Ata me qëllim i nxisin gënjeshtrat e tij dhe, duke vepruar kështu, i mbrojnë dhe i forcojnë ato në mënyrë aktive në psikikën publike.

Madje edhe ata njerëz që punojnë në media të margjinalizuara, zëri i çmuar i të cilëve nuk do të bëhet kurrë relevant për publikun e gjerë, e gjejnë të pakuptimtë të diskutojnë me dikë që gënjen 90 për qind e kohës – sidomos kur ai person është presidenti, i cili nuk e ka problem t'i bërtasë gazetarëve dhe t'i kanosë ato.

Është bërë e pamundur të korrigjosh gjithçka që thotë ai dhe që mediat e tij e publikojnë në mënyrë robotike. Presidenti Vuçiq, personi kryesor i lajmeve të rreme të Serbisë, nuk na lë mundësi tjetër veçse të vuajmë nën rrjedhën e pandërprerë të deklaratave të tij mashtruese, alarmante dhe të pasakta.

Kjo nuk është vetëm për shkak të shumë buratinove të qeverisë mes punëtorëve të medias, por sepse për të refuzuar një gënjeshtër, dikush duhet të pranojë, qoftë edhe vetëm për një çast, mundësinë që gënjeshtra në të vërtetë mund të jetë e vërtetë.

Psikologu Daniel Gilbert ka kaluar dy dekada duke e studiuar këtë dhe gjetjet e tij janë dëshpëruese.

Truri ynë duhet fillimisht të pranojë një gënjeshtër si të vërtetë, madje edhe për një fraksion të sekondës, sepse ne duhet ta pranojmë atë që thuhet për ta kuptuar dhe kualifikuar atë. Vetëm në fazën e dytë ne zgjedhim në mënyrë aktive nëse do ta pranojmë ose jo informacionin.

Pra, imagjinoni barrën nën të cilën ndodhen trutë tanë me shpeshtinë e konferencave për shtyp dhe daljeve televizive të Vuçiqit, gjatë së cilës ai na bombardon me gjysmë të vërteta, gënjeshtra dhe histori pa një fillim, mes ose fund, pa përmendur pa kuptim.

Ai flet shumë, por thotë shumë pak. Dhe kjo ndikon edhe në trurin tonë, i cili shumë shpejt bëhet i mbingarkuar me përpjekjet për të dekonstruktuar çdo deklaratë të pavërtetë ose mashtruese që dëgjojmë, kështu që ne thjesht heqim dorë.

Siç ka gjetur Gilbert, nëse i nënshtrohemi një fluksi të vazhdueshëm gënjeshtrash, aftësia jonë kognitive për t'u marrë me sasinë dhe shpeshtinë e tyre dëmtohet. Kjo është ajo që na servir vazhdimisht presidenti Vuçiq – valë pas vale gënjeshtra dhe zhgënjime që na fundosin dalëngadalë.

Vuçiq është i njohur për monologët e tij maratonë. Ai mbajti mijëra që nga mandati i parë si një deputet dhe pastaj si ministër i informacionit për Sllobodan Millosheviç. Roli i tij si sekretar i përgjithshëm në Partinë Radikale të Sheshelit i dha atij mjaft mundësi të praktikonte aftësitë e veta toksike.

Nëse ndokush guxon të pyesë diçka që bie në kontradiktë me të, Vuçiq do të kalonte në një histeri se si çdokush është kundër tij. Kjo praktikë e vetëviktimizimit është diçka që ai e mësoi gjatë kohës si dishepulli i dashur i Sheshelit.

Këto kohë, kur flet për Kosovën, Vuçiq e prezanton veten si simbol të Serbisë, një viktimë të "rrethanës historike". Është një taktikë që e ka perfeksionuar nga paditë e Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, mbrojtja e vetes duke e barazuar atë me të gjithë kombin.

Fjalimi më i fundit disinformues dhe jo i saktë i Vuçiq mban më shumë peshë se më parë.

Jo për t'i ulur vlerën dëmit të shkaktuar nga fjalët e tij të mëparshme – Vuçiq ishte një nga shkelësit kryesorë të viteve 1990, fjalimi i tij shovinist i urrejtjes kundër kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve frymëzoi shumë të tjerë të dilnin vullnetarë në luftëra ku qindra mijëra të pafajshëm vdiqën.

Sot, si president i Serbisë, Vuçiq përdor të njëjtën gjuhë si propaganda që ka përdorur më parë, pa asnjë sanksion.

Kjo sepse Serbia është praktikisht një thuajse-republikë më pak kushtetuese, ku ata në pushtet caktojnë sipas dëshirës se çfarë përmban puna e tyre.

Nëse gjërat do të ishin ndryshe, do të kishim dëgjuar tashmë nga kryeministrja, e cila është në letra, personi më i fuqishëm në vend.

Por, Vuçiqc dhe paraardhësit e tij si president e kanë bërë këtë sjellje jokushtetuese normale. Serbia është shou i një personi dhe të gjithë zyrtarët e tjerë janë aty për t'i bërë jehonë mesazhit kryesor dhe për të mbështetur "shefin". Në fund të fundit, kjo i mban ata në punë dhe të mbrojtur nga llogaridhënia.

E gjitha kjo është tipike për autokracitë joliberale që po fuqizohen në Europë, habitat perfekt për Vuçiq.

Prania e tij e vazhdueshme në media shkon dorë për dore me sundimin e tij autokratik. Sikur Vuçiq të dojë të lodhë audiencën e tij, në mënyrë që kur të vijë konferenca e shtypit për Kosovën, askush të mos ketë fuqinë mendore e fizike për ta dëgjuar. Nëse strategjia e presidentit është "rraskapit dhe sundo" po funksionon.

Duhet pritur, megjithatë se kur Vuçiq të ofrojë propozimin e tij final për Kosovën, ai do t'i drejtohet udhëzimit të lodhur dhe të testuar të Millosheviç – zgjedhje të parakohshme dhe/ose referendum.

Në një sferë të kontrolluar mediatike, pa opozitë progresive për ta kundërshtuar, nuk do të jetë e vështirë për Vuçiq të fitojë "mandatin nga njerëzit" për të çuar përpara propozimin e tij.

Për tani, e dimë që Vuçiq ka "zgjidhjen për Kosovën", por nuk po na e thotë ende.

"Kosova është pjesë e Serbisë", por "ne nuk kemi asgjë"; "Serbia nuk ka asnjë juridiksion në Kosovë", por "nuk do t'i lejojmë shqiptarët të kryejnë një tjetër Operacion Stuhia në veri të Kosovës"; Ai do të "provojë gjithçka për të propozuar një zgjidhje që kënaq të gjitha palët", por "populli serb do të ketë fjalën e fundit" e kështu me radhë.

Këto deklarata kontradiktore janë më shumë aty për të trazuar ujërat dhe për të shkuar me gënjeshtrat e shpërndara nga zyra e presidentit çdo ditë.

Si rezultat, ne po jetojmë në diçka që ekspertët e medias si Maria Konnikova e quajnë "realitet iluzionar", bazuar te "e vërteta iluzionare" ku presidenti serb mbështetet shpesh.

Duke përsëritur vazhdimisht gënjeshtrat e tij, pretendimet kontradiktore dhe të dhënat e shpikura, Vuçiq krijon një iluzion të vërtete, që për shkak të natyrës së trurit tonë bëhet e pranuar si "realitet", veçanërisht kur përsëritet vazhdimisht edhe kur ritregohet si pjesë e një përpjekje për ta zgjidhur atë.

Meqë Vuçiq nuk mund të jetojë në realitetin e tij të preferuar – ku Kosova, pjesë të Kroacisë dhe Republika Srpska janë pjesë e një Serbie më të Madhe – ai ka vendosur të krijojë realitetin e tij, ku luftërat që Serbia ka udhëhequr dhe që ai i ka mbrojtur me zell nuk ndodhën kurrë dhe Serbia nuk humbi kurrë. Por në të vërtetë, ne humbëm.

Demagogjia populiste e Vuçiq ndodhet në një atmosferë urrejtjeje të krijuar me kujdes nga media pro-Vuçiq që vazhdoi të përhapë frikë për një luftë me Kosovën, pa asnjë fakt për ta mbështetur.

E vërteta, nga ana tjetër, është e thjeshtë.

Ne "e humbëm Kosovën" shumë kohë përpara se të shpallte pavarësinë në 2008; ne "e humbëm" Kosovën kur, pas dhjetë viteve torturë të shqiptarëve të Kosovës, Millosheviçi dhe Vuçiq në fund u përballën me ndërhyrjen e NATO-s; ne "e humbëm" Kosovën kur masat e para shtypëse u ndërmorën zyrtarisht kundër shqiptarëve të Kosovës; ne "e humbëm" Kosovën kur dëbuam më shumë se 800,000 shqiptarë të Kosovës nga shtëpitë e tyre dhe vramë më shumë se 10.000 të tjerë, disa prej të cilëve ndodhen ende në varre masive të pazbuluara; ne "e humbëm" Kosovën kur racistët e njohur serbë dhe shovinistë filluan të zaptojnë sferën publike serbe, arsimin, median dhe politikën në fillim të viteve '80; ne "e humbëm" Kosovën, që nuk ishte vërtet kurrë 'e jona' për t'u humbur.

Me kaq shumë kriminelë lufte të pa ndjekur penalisht nga institucionet serbe që u përpoqën të shkatërrojnë Kosovën dhe të shfarrosin një komb, Serbia nuk ka si të propozojë "ndonjë kompromis" te shqiptarët e Kosovës të cilët u përpoq t'i shfaroste. Duhet vetëm të pranojë dhe të rrëfejë.

Kosova është një shtet unitar dhe duhet të mbetet i tillë. Ndarja e Kosovës "mes linjave etnike", "korrigjimet e kufirit", "shkëmbimet e territorit" dhe ëndrra të tilla të ngjashme të serbëve nacionalistë duhet të mbetet të papërmbushura.

Zgjidhje të tilla, që po fitojnë mbështetje në disa qarqe perëndimore që duan vetëm të "arrijnë marrëveshjen" janë një padrejtësi për viktimat dhe të mbijetuarit e luftës së Kosovës dhe vetëm sa krijojnë makthe të reja për brezat e ardhshëm.

Çdokush që dyshon për këtë le të shohë Republikën Srpska, burimin kryesor të destabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe një kërcënim madhor për ekzistencën e Bosnjës.

Kemi nevojë për një tjetër Republikë Srpska, këtë herë në Kosovë? Mundet rajoni të përballojë një tjetër thuajse-shtet dhe "lidhjet e tij speciale" me Serbinë?

Nëse Serbia është serioze "për të ardhmen e fëmijëve të saj" duhet të pranojë të vërtetat e krijuara nga politikat e saj vicioze.

Ne drejtuam luftë kundër popullit të Kosovës dhe e humbëm. Rezoluta 1244 e OKB, që Vuçiq e citon me gëzim, është provë e kapitulimit të Serbisë.

Për shkak të krimeve të patregueshme kundër popullatës civile të Kosovës, Serbia nuk ka as moral dhe as të drejtë politike të pretendojë asgjë, jo më të hedhë idenë e ndarjes së Kosovës. Duhet të kërkojë për garanci për të drejtat e njeriut të serbëve të Kosovës dhe integrimin e tyre të plotë në shoqërinë kosovare, në vend që t'i hedhë zjarr bisedimeve duke ndarë më tej në vend ku, përpara Vuçiqit dhe të ngjashmëve të tij, serbët dhe shqiptarët jetonin në paqe. /BIRN/

The post E humbëm Kosovën shumë kohë para se ta shpallte pavarësinë appeared first on Telegrafi.

Shqiptarët janë trima ndaj prindërve, dashnoreve dhe kushërinjve. Pse nuk vrisni politikanët e korruptuar?

Posted: 11 Aug 2018 02:45 AM PDT

Kreshnik Spahiu

Vrasjet në Shqipëri kanë jo vetëm motiv banal por shpesh edhe asnjë motiv fare.

Një shoqëri e cila po lëngon nga depresioni masiv ka mbushur çdo ditë faqet e kronikave të zeza.

Vrasje për parking, vrasje për gardhin e oborrit, vrasje tek lavazhi makinave, vrasje për karikus celulari, vrasje për antenë televizori, vrasje për Facebook, vrasje se i pa dashnoren etj.

Me pak fjalë, psikopatia ka zbarkuar në bulevard.

Me mijëra vrasje në 28 vite, por të gjitha banale dhe për motive të dobëta, a thua se Shqipëria është në luftë si Siria. Dhe në asnjë rast vrasje për motive politike.

As në vendet e botës së tretë nuk vriten kaq shumë brenda familjes sa në Shqipëri. As në Afganistanin e talebanve nuk vriten kaq shumë dashnoret dhe gratë sa në Tiranë.

Sipas një sondazhi, dhuna në familjet shqiptare është prezente në 68 për qind.

Një popull që doli nga diktatura dhe e kishin frike ne palcë shtetin dhe tabu divorcin, tashmë frika ndaj shtetit nuk iu ka dalë por janë trimëruar ndaj prindërve, motrave, grave, dashnoreve, kushërinjve, pra trima brenda gardhit.

Varfëria, izolimi, tranzicioni, papunësia janë shkaqet e një sëmundje jo virale po masive që është depresioni, e shqiptarët e kanë për turp ta pranojnë dhe kryesisht nuk e kurojnë. Të gjitha shkaqet e varfërisë, mjerimit, skamjes, imoralitetit, papunësisë dhe mungesës lumturisë nuk shkaktohen nga familjarët, por nga qeveritarët, e viktimat janë qëniet e dobëta dhe jo pushteti.

Një popull tashmë kryesisht pa ideal i cili s'ka njohur kurrë në histori revolucionin vazhdon çdo ditë të vrasë vëllain, motrën, gruan, prindërit për motive banale duke u dergjur burgjeve si njerëz ordinerë dhe duke mos guxuar kurrë në jetë që qoftë dhe me krimin e tyre të bënin një herë në jetë një dobi shoqërore, duke vrarë një pushtet të inkriminuar.

Historia vazhdon… popullin "trim" qe dhunon çdo ditë familjen dhe nuk ka këllqe të kaloj pragun e shtëpisë drejt zyrave të krimit…

The post Shqiptarët janë trima ndaj prindërve, dashnoreve dhe kushërinjve. Pse nuk vrisni politikanët e korruptuar? appeared first on Telegrafi.

Pse shqetësohet politika shqiptare për Serbinë?

Posted: 11 Aug 2018 12:58 AM PDT

Spartak Ngjela

Politika serbe duket e trembur dhe ka ulur kokën për të përcaktuar kufijtë definitivë mes saj dhe Kosovës. Domethënë ka pranuar më në fund njohjen e Kosovës. Atëherë?

I.

Pse është kaq e shqetësuar politika shqiptare për Serbinë? Historia e Shqipërisë ka qenë njëherësh: hidhërim shoqëror, sakrificë e patriotëve dhe ligësi e maskarallëk i të shiturve të saj.

Po kjo zhurmë ç'është? Të gjithë janë të shqetësuar, por të acaruar duken të shiturit. Janë të mërzitur antishqiptarët e korruptuar që flasin shqip, se kishin shpresë të ndalonin rindërtimin e shtetit real të të gjithë shqiptarëve. Është demokracia dhe vendosja e drejtësisë në Shqipëri që i tremb, por që edhe i ka bashkuar kundër interesit shqiptar. Por, a flitet realisht për shkëmbim territoresh? Jo, Kosova nuk ka territore serbe dhe është marrë me luftë si entitet kushtetues .

Por, politika e lartë serbe, me vuajtje nga humbja, është më e aftë se politikanët tanë në Tiranë, tani sundues të përkohshëm, që nuk kanë lidhje fare me Shqipërinë, me Kosovën dhe me shqiptarët. Kurse Vuçiqi dhe stafi i tij politik është shumë më i aftë. Dallimi midis tij dhe Saliut e Ramës qëndron te fakti që Vuçiq po mbron interesin e vendit të tij, duke sakrifikuar ose duke vënë në rrezik karrierën e tij, kurse të dy birboret tanë shesin interesin kombëtar në Moskë dhe në Stamboll për të garantuar karrierën e tyre korruptive.

Turp historik, sigurisht, por që do të jetë më e pakta për të dy. Ka një Kusht amerikan për pavarësinë e Kosovës; por edhe një kusht të Bashkimit Evropian. Më qartë: Vuçiq e ka politikën amerikane kundër, se ajo është me shqiptarët dhe vetë Vuçiqi është pasardhës i pushtuesve të territoreve shqiptare. Por Vuçiqi ka pranuar nënshtrimin. Kurse të dy sunduesit e përkohshëm të Shqipërisë, të bashkuar tani, Rama-Berisha, janë kundër politikës amerikane. Vuçiqi e bën pranimin e kushtit amerikan nga shqetësimi për të ardhmen e vendit dhe popullit të tij, kurse të dy të ikurit tanë e kanë antiamerikanizmin e tyre nevojën për të mbajtur më çdo kusht pushtetin e tyre korruptiv.

II.

Duke e arsyetuar edhe një herë sot qëndrimin e vet rreth caktimit të kufijve me Kosovën, Vuçiqi ka theksuar se "Kosova është territori që nuk dihet kush dhe si e trajton, dhe si e tillë gjithmonë mbetet burim i konflikteve të mundshme". Domethënë Vuçiqi është i qartë, sepse e di historinë dhe, e di gjithashtu se, nëse nuk e pranon kushtin amerikan tani, politika amerikane mund fillojë të "gërmojë" realisht më tej në histori. Por nëse fillon ky proces me forcën amerikane, Serbia, e cila është ngritur si shtet krejt e krejt me territore të pushtuar, shkon drejt shpërbërjes. Pikërisht këtu fillon precizioni i faktit të territorit shqiptar të Kosovës.

Domethënë këtu fillon çështja e territorit shqiptar të Preshevës, e të tjerave vende që banohen nga shqiptarët në Serbi. Vuçiqi kuptohet se është i qartë për kushtin amerikan, sepse ai e thotë hapur që, "po nuk i lanë të gjitha territoret shqiptare, rrezikojmë Serbinë". Dhe sigurisht që është kështu, se aty ka edhe Vojvodinë hungareze, edhe etni të tjera të pushtuara. Prandaj, ku flitet më këtu për mosdorëzimin e të gjitha territoreve shqiptare? Kjo më në fund është arsyeja e nënshtrimit të politikës serbe, se ajo u gjend midis dy alternativash: ose shpërblejë, ose njohjeve Kosovës dhe dorëzim i të gjitha territoreve shqiptare.

III.

Nuk e shihni që nga kushti amerikan për Shqipërinë territoriale në Ballkanin Perëndimor është shqetësuar deri në marrëzi dhe vetë Erdogani. Po ky çfarë ka që flet me serbët kundër Shqipërisë territoriale? Madje ky profan historik na përmend si një të keqe botërore dhe Shqipërinë e Madhe – dhe është gjithë frikë. Po kush pyet për të! Kurse Rama me brekushe e ka mendjen tek Erdogani për të mposhtur Amerikën në Ballkan. E kuptoni kush është kryeministri me brekushe i Shqipërisë? Një njeri trembur që mendon se mund të mundë Amerikën me Perandorinë Osmane të imagjinuar në jerm nga Erdogani. (!) Gjithsesi, gjithçka sigurisht që po ecën me revan drejt identitetit gjithëshqiptar në Ballkanin Perëndimor. Të paktën Vuçiqi e ka kuptuar dhe kërkon të shpëtojë nga një rrezik i madh për vendin e tij. Kurse këta shqiptarë të korruptuar nuk po lënë gur pa luajtur kundër politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor dhe kundër interesit shqiptar.

Por, janë duke punuar në vakum, dhe në një të ardhme të afërt do ta kenë shumë keq. Kushti amerikan për Kosovën nuk ndërron, përkundrazi mund edhe të thellohet nëse Presidenti serb nuk do ta ketë aftësinë bindëse ndaj hordhive të politikës pushtuese serbe. Gjithsesi bashkimi i të gjithë shqiptarëve të Ballkanit Perëndimor në një entitet federativ, tani po kuptohet se është në rrugën e vet të historisë.

The post Pse shqetësohet politika shqiptare për Serbinë? appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more