Skip to main content

“Aksidenti me 2 të vdekur në Kamëz, Gjykata lë në burg Rozina Kolecin” plus 9 more - Gazeta Dita

“Aksidenti me 2 të vdekur në Kamëz, Gjykata lë në burg Rozina Kolecin” plus 9 more - Gazeta Dita


Aksidenti me 2 të vdekur në Kamëz, Gjykata lë në burg Rozina Kolecin

Posted: 12 Aug 2018 02:20 AM PDT

Gjykata e Tiranës lë në burg shoferen Rezina Koleci e cila aksidentoi për vdekje 8-vjeçaren Esmeralda Ndreu dhe të riun Ramazan Isha. Gjyqtari Ardian Kaliaj pranoi kërkesën e prokurorit Bajram Breçani këtë të diel.

Sipas burimeve, e akuzuara ka qenë e tronditur dhe ka shfaqur pendesë për ngjarjen e rëndë.

Sipas saj, e gjitha ndodhi si pasojë e futjes në mënyrë të papritur të biçikletës në rrugë që i doli para makinës së saj.

"Nuk isha me shpejtësi, në një moment më doli para biçikleta dhe bëra manovër për ta shmangur dhe aty humba kontrollin".

Ndërsa prokuroria e akuzon gruan për aksident me pasojë plagosjen dhe vdekjen e më shumë se dy persona. Po ashtu sipas akuzës Koleci dyshohet se ka qenë duke përdorur telefonin celular, por vetë drejtuesja e mjetit e mohon këtë pretendim.

o.j/dita

Kujdesi ndaj historisë, Bashkia e Tiranës riparon Monumentin e Pavarësisë

Posted: 12 Aug 2018 02:04 AM PDT

Një ndër prioritetet e Bashkisë së Tiranës këto tre vite ka qenë dhe ruajtja dhe përkujdesja për monumentet e kulturës së qytetit si simbole të rëndësishme që tregojnë vlerat materiale, shpirtërore dhe zhvillimin në shekuj.

Specialistët e Bashkisë së Tiranës kanë bërë të mundur riparimin e Monumentit të Pavarësisë që ndodhet në Parkun Rinia përgjatë Bulevardit kryesor.

Krahas përforcimit të bazamentit, kjo vepër është pastruar nga mbishkrimet e qytetarëve si dhe janë bërë riparimet e dëmeve të shkaktuara nga qytetarë të papërgjegjshëm.

Monumenti është 6.5 metra i lartë dhe 5.5 metra i gjerë, dhe peshon 15 tonë dhe është simbol i rezistencës shqiptare në kohë dhe luftëra të vështira.

Ka formën e një kulle të hapur dhe simbolizon hapjen e rrugës së Shqipërisë drejt pavarësisë.

o.j/dita

Punësimi dhe “loja” e pasaktë e shifrave

Posted: 12 Aug 2018 01:57 AM PDT

Nga Koço Broka

Disa javë më parë objekt pikant i lajmeve në të gjithë mediat u bë shqetësimi i ngritur në Komisionin e Ekonomisë dhe Financës mbi saktësinë e shifrave të punësimit. Një lajm i tillë nuk mund të mos më ngjallte interes. Kjo për faktin e thjeshtë se jo vetëm ky është një problem i madh  në vendin tonë, shumë i debatuar…dhe a është funksional ky lloj debati?! Aq më tepër që disa kohë më parë kisha lexuar me germa të mëdha në një gazetë "Shqipëria hapi vetëm 28 mijë vende pune në 7 vite, më dobët se gjithë rajoni, kurse Maqedonia 103 mijë"?!

Duke trajtuar këtë çështje disa vite më parë se sa ishte numri i të siguruarve në sektorin privat para disa vitesh e konkretisht në fund të vitit 2013 dhe sa raportohen tani nga ISSH, nuk mund të mos çuditem për këto ngjarje, raportime e lajme të tilla, nga gazetaret e rubrikave ekonomike apo sociale. Pa frikë mund të thuhet se ai përbën një case study  për  t'u trajtuar në Fakultetin e gazetarisë, sidomos në temën se çfarë përfaqëson lajmi, verifikimin e tij përpara se të përdoret dhe saktësia e tij.  Kur më rastisi të takohem me një gazetare lajmesh ekonomike nuk mungova të pyesja :"A jeni të specializuara ju gazetaret e rubrikës ekonomike në këtë fushë, kur  jo rrallë ndodh të përcillen lajme të tilla pa i verifikuar, siç kërkon abc-ja e gazetarisë?!

Përgjigja ishte e sinqertë Jo, nuk jemi të specializuar sidomos për problemet ekonomike, ndonëse  i kemi të përcaktuara rubrika që ndjekim. Ndërkohë më rezultoi se shumë syresh nuk kanë arsimin e sidomos trajnimin e kualifikimin e nevojshëm ekonomik(në degën e gazetarisë nuk zhvillohen economiks apo hyrje në ekonomi, mjaft gazetarë dhe gazetare të reja kufizohen me njohuritë ekonomike të marrë në shkollën e mesme). Në këto kushte jo vetëm kujton me nostalgji, por pse jo edhe me respekt, gazetarë të tillë të rubrikave ekonomike si Vangjush Gambeta, Mitro Cela, Shyqyri Meka, por deri me të rinj si Gjergji Erebara…etj. Ata jo vetëm pasqyronin ndodhitë dhe ngjarjet ekonomike, por kishin dhe kanë qëndrimin e tyre ndaj tyre për ndryshimin e përmirësimin e të sotmes, bazuar në analizat e trajtesat përkatëse.

Sa më sipër më shtoi kureshtjen për të lexuar me kujdes lajmin dhe si është trajtuar për shqetësimin e ngritur. Në hyrje të shkrimit  lexoj: "Numri i të punësuarve nuk është i vërtetë në një kohë që të ardhurat nga tatim-fitimi dhe sigurimet shoqërore nuk janë rritur. Ky ka qenë argumenti i bërë nga nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë Jorida Tabaku për ministrinë e Financave", fillon  njoftimin gazetarja. Më pas nuk mungon të japë drejtpërdrejt debatin e zhvilluar në Komisionin  e Ekonomisë dhe Financave. "Tabaku: Nëse  do të kishim atë numër të punësuarish duhet të ishin rritur dhe tatimi mbi të ardhurat personale po me të njëjtin rritëm, ndërkohë që edhe tatimi mbi të ardhurat personale është rritur vetëm 1 miliard. E njëjta gjë edhe me sigurimet shëndetësore Ku i keni gjetur 60 mijë të punësuarit?!…"

Përpiqem ta ndjek këtë debat, pavarësisht nga dhimbja e kokës që të kushton lufta politike në vendin tonë e mundësisht jashtë dhe pavarësisht nga emrave  që më është imponuar të përmend për të qenë sa më konkret . Duke u ndalur për dukurinë që nuk është e izoluar  personalisht nuk merrem dhe nuk dua të prek aspak personat në fjalë  por vetëm dukurinë.

Shifrat, në dukje të sakta

Shqetësimi i ngritur  për saktësinë e shifrave të punësimit apo treguesve të tjerë  si borxhi publik etj., kanë qenë dhe janë edhe i  imi. Aq më tepër kur pushtetarët në vendin tonë nuk kufizohen vetëm në shikimin e shishes përgjysmë, gjysmë plot, apo zbukuroj por nuk gënjej. Duke ndjekur  në shumë raste praktika të njëjta me ato që kanë kritikuar kur kanë qenë në opozitë, në vend të angazhimit të gjithë baterive për përmirësimin e gjendjes dhe zgjidhjen e problemeve që kanë adresuar, nuk mund të mos shohësh sa kohe dhe vëmendje e posaçme i kushtohet  perfeksionimit gati të  kthyer në art, i paraqitjes, dukjes,…imazhit.

Por kjo dhe për faktin e mëposhtëm. Duke lexuar publikimin e fundit të  INSTAT "Punësimi sipas burimeve administrative dhe sektori bujqësor, Tr.1.2015-Tr.1.2018," ku jepen të dhëna tremujore, lexon  se  numri i të punësuarve në sektorin privat jo-bujqësor për tremujorin e katër 2017, ishte   501,341, ndërsa për tremujorin e parë 2018, 501,759, pra gjatë tremujorit t parë ka pasur vetëm me një shtesë vetëm prej 418 vetë.

Ndërsa  në fjalën "Punësimi nga Zyrat e Punës, rezultate tejet inkurajuese për muajin mars, Kryeministri do të deklaronte "Dua ta filloj nga rezultati i muajit mars: 1396 persona që kanë filluar punë! Është një rezultat shumë inkurajues po të kemi parasysh rolin që kanë luajtur zyrat e punës, sepse bëhet fjalë për 1396 persona, të cilët kanë filluar punë falë zyrave të punës."

Pra nga 418 vetë që ka prezantuar INSTAT për tre muaj, Kryeministri flet për 1396 të punësuar vetëm nga zyrat e punës  në një muaj. Në këto rrethana  shqetësimi i ngritur në Komisionin e Ekonomisë dhe Financës  për  saktësinë e raportimeve të administratës lidhur me të dhënat e punësimit nuk duket i stisur por  mëse normal. Saktësimi i raportimit është premisa e parë për adresimin e zgjidhjen më të mirë si për punësimin e të papunëve, sigurimin për pension të të punësuarve dhe mbarëvajtjen  e ekonomisë, në tërësi. Ndërkohë kujto nuk mund të mos i bëjë përshtypje angazhimi i posaçëm dhe i vazhdueshëm i kryeministrit lidhur me punësimin, duke marrë pjesë gati çdo jave në një panair punësimi të zhvilluar në  qytetet…Numri i tyre është shumë i madh. Interesimi për rezultatet e këtij angazhimi është më se i natyrshëm. Personalisht pres 12 shtatorin se çfarë do  të raportojë INSTAT, për shtesën e të punësuarve gjatë gjashtëmujorit të parë, apo ISSH, duke vazhduar praktikat e botimeve statistikore gjashtëmujore.

Kur evidentova më lart  se ky është dhe shqetësim i imi, nuk e kam fjalën për disa mospërputhje të vogla, që rezultojnë pashmangshëm për shkak  të aspektit metodologjik dhe ndryshimet që ekzistojnë  në vetvete midis treguesit  të punësimit të realizuar nga zyrat e punës, me punësimin të realizuar de fakto gjithsej, raportimin e  tyre në një datë të caktuar  në fund të një periudhe të caktuar, apo në  nivelin mesatar të tyre gjatë periudhës tremujore, vjetore, etj. si këto. Këto ndryshime kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë.

Për këtë mjafton t'i hidhet një sy dy evidencave kryesore në këtë fushë,  nga njëra anë të punësuarit  në sektorin privat jo-bujqësor,  sipas  INSTAT, Punësimi sipas burimeve administrative dhe nga ana tjetër ecurisë të e numrit të  kontribuuesve të sigurimeve shoqërore në sektorin privat urban sipas  ISSH, psh për 2013 dhe 2017. Mund të jesh i punësuar por jo i siguruar.

Mund të sigurohesh duke u shndërruar nga një i punësuar informal që nuk ke paguar sigurimet shoqërore në një punonjës formal. Por është shumë e vështirë për të saktësuar në se të gjithë punonjësit e formalizuar në sigurimet shoqërore janë të punësuar rishtazi apo të vjetër. Ndërkohë pushtetarët janë të interesuar të pretendojnë se të gjithë shtesat e punonjësve të siguruar janë punonjës të rinj. Ndërkohë  të dhënat në rastin e parë nga INSTAT janë si numër mesatar në nivel tremujor,  ndërsa  në rastin e dytë të dhënat e ISSH janë në nivel mesatar vjetor. Për rrjedhojë mund të flitet për prirje të njëjta, përmasa pothuaj të njëjta, por jo për tregues identikë.

Duke iu drejtuar këtyre evidencave zyrtare rezulton se numri mesatar vjetor i kontribuuesve të sigurimeve shoqërore   nga firmat private dhe të vetëpunësuarve në zonën urbane për vitin 2013 ishte sipas ISSH  281320 vetë , ndërsa për vitin  2017 mesatarisht 468102vetë , me një shtesë prej 186782 vetë. Ndërsa sipas INSTAT të punësuari në sektorin privat jo-bujqësor  në tremujorin e IV 2013 ishin  311,668 vetë, ndërsa në tremujorin e IV 2017,  501,341 ose një shtesë prej 189673 vetë. Pra megjithëse shifrat nuk janë, identike  ato janë shumë të përafërta duke shprehur të njëjtën prirje. Dallimi i vogël është më se i natyrshëm po të mbahet parasysh atë që evidentova është e lart se njëri tregues flet për numrin mesatar vjetor ndërsa tjetri për numrin mesatar tremujor.

A hedhin poshtë sa më sipër çdo dyshim për treguesin e punësimit,  sa më sipër?!  Duke iu referuar një treguesi tjetër,  rezulton se në vitin 2017 të ardhurat e sigurimeve shoqërore në tërësi sipas Ministrisë se Ekonomisë dhe Financave arritën 73miliard e 999 milion lekë  nga 51 miliard  e 64 milion lekë në vitin 2013 dhe 44,344 në vitin 2009.

Kjo do të thotë se shtesa e të ardhurave të sigurimeve shoqërore për periudhën 2013-2017 ka qenë 22 miliard e 935 milion lekë që konfirmon rritjen e punësimit, nga 6 miliard 720, në periudhën 2009-2013. Ndërsa shtesa e shpenzimeve të sigurimeve shoqërore rezulton e përmbysur më e lartë në periudhat e mësipërme. Këto dëshmojnë se në këtë rast kemi dy politika e për rrjedhojë dhe rezultate  të ndryshme lidhur me punësimin dhe luftën kundër evazionin në fushë e punësimit.

Punësimi sipas INSTAT

Ndërkohë ka publikime të tjera që flasin për mospërputhje midis të dhënave të INSTAT dhe ISSH-së për punësim. Sipas evidencës së mësipërme të INSTAT, Punësimi sipas burimeve administrativ, në tremujorin e katërt të vitit 2017 të punësuarit  në sektorin bujqësor, ishin  456,829, nga  462,253 vetë që ishin në të njëjtën periudhë për vitin 2013. Kjo ndodh në kushtet e zhvendosjes mekanike e popullsisë nga fshati në qytet dhe të emigracionit?!

Ndërsa sipas ISSH, numri i kontribuuesve të sigurimeve shoqërore të vetëpunësuar në  bujqësi për vitin 2017, ishte mesatarisht 58,526 vetë, ose vetëm 12.8 % e punonjësve fermerëve të punësuar në sektorin bujqësor . Çfarë do të bëhet me ata fermerë që nuk derdhin kontributet e sigurimeve shoqërore kur tu vijë mosha e pensionit?!

Prej kohësh është dëgjuar se midis dy institucioneve ISSH-së dhe INSTAT ka mospërputhje të dukshme për çështjen e numrit të të punësuarve në bujqësi dhe se sa prej tyre paguajnë dhe mund të paguajnë kontribute të sigurimeve shoqërore. A nuk ka ardhur koha që të zgjidhjet kjo çështje? Mendoj se po. Prandaj çështja e saktësimit të numrit të punonjësve në bujqësi nuk është thjesht një debat e lagu se lagu… Dhe  ku mund të zgjidhen më mirë se sa duke u angazhuar drejtpërdrejt deputetet e Komisionit te Ekonomisë dhe Financave ?!Kjo është një arsye më tepër për tu ndalur në shqetësimi i ngritur nga Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë dhe Financës

Mirë bëhet që përfaqësues të mazhorancës flasin për uljen e nivelit te papunësisë sidomos   tremujorët fundit, të raportuar nga INSTAT deri në 12.5%. Duke e ndjekur këtë tregues të rëndësishëm ekonomik e social për mua personalisht ky raportim i INSTAT është i besueshëm. Kjo dhe për faktin se sipas INSTAT, treguesi Punëkërkues të papunë të regjistruar ka patur një ulje të dukshme nga  152,050 vetë në tremujorin e tretë të vitit 2015, në  85,544 në të njëjtin tremujor të vitit 2017. Për rrjedhojë dhe norma e papunësisë, matur me punëkërkuesit e papunë të regjistruar është ulur dukshëm. Por gjithsesi nuk ka vend për shumë eufori.

Kjo si për faktin se në tremujorët në vijim ka patur një stanjacion ose rënie mjaft të lehtë gati të papërfillshme të këtij treguesi, por sidomos edhe për faktin se vitet e ardhshme, fasha e popullsisë që hyn në moshën e punës dhe asaj që dalin në pension barazohet në dobi të kësaj të fundit, duke patur ndikime të drejtpërdrejta si në buxhetin e sigurimeve shoqërore ashtu dhe në vështirësitë për gjetjen e punonjësve të rinj, për të mundësuar rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Ndërkohë që aktualisht është problem jo i vogël niveli i ulët i pagave  dhe për rrjedhojë i kontributit të sigurimeve shoqërore, për shtesën e atyre që kanë filluar ti paguajnë ato në sektorin privat. Ky është një problem shumë i madh për ekonominë shqiptare dhe sidomos për të rinjtë e të rejat që nuk është lehtë për tu zgjidhur as me dakordësimin e konsensusin e pozitës me opozitën, për ta adresuar, si një rrugë reale për frenimin e largimit të tyre jashtë vendit. Ja përse saktësimi dhe krijimi i besimit se të dhënat mbi punësimin si parakusht për adresimin dhe përqendrimin e vëmendjes në zgjidhjen e problemeve reale, ka marrë vëmendjen në këtë shkrim. 

Por le t'i drejtohem drejtpërdrejt  argumenteve të ngritura për shqetësimin në fjalë në lajmin e javës së kaluar .Gjatë përcjelljes së shqetësimit për saktësinë  numrit të të punësuarve, flitet për tatim fitimi (?!) tatim mbi të ardhurat personale, të ardhura nga sigurimet shëndetësore, të ardhurat nga sigurimet shoqërore se ato nuk janë rritur. Ndër këta tregues lidhje korelative të fortë  midis shtesës të të punësuarve nga njëra anë dhe këtyre llojeve të mësipërme të tatim- taksa –kontributeve kanë të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale  dhe ato nga kontributet e sigurimeve shoqërore.

Por çfarë rezulton sipas publikimit të Ministrisë së Financave  për buxhetin e konsoliduar të muajit Qershor 2018 ? Të dhënat e publikuara edhe në media dëshmojnë se shtesa e të ardhurave nga  Tatimi mbi të ardhurat personale gjatë gjashtëmujorit të parë krahasuar me të njëjtën periudhë ka qenë prej  1 miliard 810 milion lekë më shumë,(megjithëse krahasuar me planin ka patur 1 miliard e 35 milion lekë më pak).

Ndërsa të ardhurat nga kontributi i sigurimeve shoqërore gjithsej kanë pësuar një shtesë prej 3 miliard e 452 milion leke. Pra në tërësi shtesa e të ardhurave buxhetore të këtyre dy lloj tatim kontributesh që lidhet dhe shpreh ecurinë e punësimit ka pësuar një shtese jo të vogël. Për ketë flet edhe fakti se shtesa e tyre së bashku prej 5 miliard e 262 milion lekë me një rritje prej rreth 10 % është më e madhe se shtesa e te ardhurave buxhetore gjithsej prej 4 miliard 664 milion lekë.

Këta tregues konfirmon vazhdimin e trendit të rritjes së nivelit të punësimit në vitet e fundit..Për saktësimin e plotë  numrit të punonjësve të punësuar  duhen pritur publikimet e ISSH dhe INSTAT.(Sipas aktit normativ të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore  shtohen krahasuar me buxhetin fillestar për shumën e 3880 milion lekë, ndërsa të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale pakësohet me 500 milion.)

Mosrealizimi i të ardhurave personale krahasuar me planin apo ulja e planit të të ardhurave personale nuk e zhbën këtë tendencë. Në kushtet e tejkalimit prej mbi 10% krahasuar me faktin ajo dëshmon se mund të ketë dhe ka vërtet probleme  në një aspekt tjetër  me parashikimin e  të ardhurave nga kontributi i sigurimeve shoqërore, produktit të brendshëm bruto nominal si rezultat i efekteve të  deflatorit, e për rrjedhojë të borxhit publik. Akti normativ është shprehje dhe produkt i qartë i mosplanifikimit të saktë të të ardhurave buxhetore në buxhetin fillestar.

Opozitarët që flenë para roli të tyre

Këtu nuk mund të mos të vijë ndërmend artikulimi i dikujt që midis të tjerash ka evidentuar: "Politika, unë vetë vij nga politika, jam njeri politik, politika përdor trike të tilla që për të mbuluar diçka tenton të përbaltë të gjitha…ju keni formimin dhe bëni lëndë të caktuara ekonomike…. për të kuptuar çfarë është bërë mirë dhe çfarë nuk është bërë mirë…unë nuk po flas për këtë po flas për disa mëndje të zgjuara dyshuese, në kuptimin pozitiv të fjalës të cilët marrin lexojnë shikojnë shifrat dhe dalin jo mo jo nuk është tamam kështu, ka ca gjera të mira këtu por ka dhe ca gjera…për këtë jam duke folur." Në kushtet kur kemi një tejkalim mjaft të mirë të kontributit të sigurimeve shoqërore dhe tatimit të të ardhurave personale, në ngjarjen dhe debatin në Komisionin e Ekonomisë dhe Financës, a nuk jemi para rastit ku debati politik ka bërë të vetëm përbaltjen?!

Përgjigjen le ta japë vetë lexuesi duke mos u kufizuar me të dhënat e publikuara deri më sot e të  sjella dhe  më sipër, por duke iu referuar, krahas të dhënave të Ministrisë se Financave për realizimin e buxhetit gjatë gjashtëmujorit të parë, botim e pritshëm të ISSH, Statistika të Sigurimeve Shoqërore Janar-Qershor 2018, për ecurinë e të ardhurave nga kontributet dhe numrin e kontribuuesve dhe shtesën e tyre gjatë kësaj periudhe krahasuar me periudhat paraardhëse, publikimin e INSTAT "Punësimi sipas burimeve administrative"edhe për tremujorin e dytë apo çdo të dhëne dhe fakti tjetër. Madje nuk do të ishte humbje kohe që ato të diskutoheshin në Shtator dhe në Komisionin e Ekonomisë dhe Financës dhe të merrte një përgjigje pse jo shteruese  shqetësimi i ngritur për saktësinë e shifrave të punësimit, të paktën për këtë rast. E them këtë se për fat të keq në debatin parlamentar në këtë aspekt ka një trashëgimi jo të admirueshme.

Duke përshkruar tiparet e debatit parlamentar dhe opozitarizmit në Parlamentin e viteve 1923-1924, një vëzhgues do të evidentonte midis të tjerash "Opozita ra nën sundimin e plotë të manisë politike. Ajo mundohet të bëjë potere në parlament,… s'ka një program… Opozita do të vijonte një sistem lufte që merr më qafë popullin shqiptar. Rëndësinë e kanë vetëm protestat e kritikat që shpresohet se kanë me prekë zemrën e popullit e kanë me diftue se ky kabinet është ai që shkakton mjerimin e Shqipnisë…Liria e Ligja janë të mira kur s'ke sundimin në dorë. Vetëm atëherë. Mos prano kurrë se kundërshtarët janë të zotë të zbatojnë ligjin. Çdo qeveri që s'ka mbrojtjen tanë, asht tirane, aziatike, feudale. Kundërshtarit mos i çmo meritat, shaje sa të jetë e mundur. Të bardhën bëje të zezë, të zezën bëje të bardhë. Mbi interesat e shtetit është interesi i partisë".

Sëmundja foshnjore e pluralizmit

A ka shumë ndryshime  nga ajo kohë kur është shfaqur fillimisht sëmundja foshnjore e pluralizmit?! Ja pse mendova të ndalem në një rast  që nuk është as i vetëm por tipik në llojin e vet. Është koha për reflektim dhe jo thjesht në saktësim të shifrave të punësimin por për t'u përqendruar në zgjidhjen e problemeve reale. Ato nuk janë të pakta. Por rëndësi jo të vogël me sa duket paska edhe se si i trajton e si merresh me to, për zgjidhjen e tyre. E bukura qëndron se askush nuk ka monopolin e së vërtetës, por zgjidhja e problemeve zor se mund të arrihet pa matjen e saktë të gjendjes aktuale dhe adresimin e problemeve reale. Shifrat e punësimit mund të saktësohen fare kollaj.

Në Pasqyrën e Qeverisjes këtë javë, krahas punësimit gjatë javës së punësimit le të jepet dhe shtesa e të punësuarve që kanë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore për gjashtëmujorin e parë të këtij viti sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Por ERTV-së i duhet të zgjedhë midis propagandës dhe informimit e lajmit të saktë.

Në kushtet kur ritmi faktik i rritjes e te ardhurave buxhetore këtë gjashtëmujor ka rënë në 2.2% , nga 7.9 % që duhet të jetë ritmi i tyre për t'u realizuar objektivat e buxhetit te vitit 2018 apo dhe të Aktit Normativ publiku do të dijë sa ka qenë punësimi gjatë kësaj periudhe. Por në vend të informimit se sa ka qenë numri i të punësuarve gjatë gjashtëmujorit të parë të 2018 informohet publiku se sa u punësuan këtë ose atë javë në Korçë, Kukës apo gjetkë se sa janë punësuar  gjatë periudhës Qershor 2018-Qershor 2018. Loja e Tomit me Xherrin vazhdon.

Nëse nuk e bën këtë Qeveria dhe ERTV NEËS, le ta bëjnë këtë mediat e tjera të pavarura të interesuara për lajmin dhe informimin e saktë të publikut dhe jo për zamallahinë e informacionit. Ndërkohë 12 shtatori po afron. INSTAT ka për të publikuar numrin e të punësuarve sipas të dhënave administrative. Mjafton të jesh i angazhuar për shmangien e lajmit të rremë, dhe sëmundjes foshnjore të  pluralizmit?!

Europiani i Atletikës, Gega synon zonën e medaljeve në Berlin

Posted: 12 Aug 2018 01:50 AM PDT

Shpresat e Shqipërisë për medalje në kampionatin Europian të Atletikës janë sot te Luiza Gega. Sportistja kuqezi do të garojë sot në mbrëmje në finalen e garës së 3000 metrave me pengesa në turneun, që po zhvillohet në Berlin të Gjermanisë.

Gega bëri një paraqitje të shkëlqyer në baterinë eliminatore, duke zënë vendin e dytë. 9 minuta 33sekonda e 11 të qindtat ishte koha e atletes, e dyta në total në këtë disiplinë.

Norvegjezja Karoline Bjerkeli shihet si kërcënimi më i madh i sportistes shqiptare për medaljen e artë, por gjithçka do të shihet në garë sot në mbrëmje në orën 20:55.

Kujtojmë që Shqipëria u përfaqësua në këtë kompeticion edhe me atletin shkodran të kërcimit së gjati, Izmir Smajlaj. Ky i fundit u rendit vetëm në vendin e gjashtë, mes shumë polemikash për matjen e kërcimit në provën e tretë.

o.j/dita

Ndërron jetë fituesi i Çmimit Nobel për Letërsinë, novelisti V.S Naipaul

Posted: 12 Aug 2018 01:36 AM PDT

Novelisti Sir VS Naipaul, i cili fitoi çmimin Nobel në letërsi, ka vdekur në moshën 85 vjeçare.

Sir Vidia, i lindur në zonën rurale të Trinidadit në vitin 1932, shkroi më shumë se 30 libra, duke përfshirë ‘A Bend in the River’ dhe kryeveprën e tij, ‘A House for Mr Biswas’.

Lajmi për vdekjen e tij u konfirmua nga familja ndërsa bashkëshortja e tij e quajti atë “gjigant në gjithçka që arriti”. Lady Naipaul tha se vdiq në shtëpinë e tij në Londër i rrethuar nga njerëzit që donte dhe jetoi një jetë që ishte plot me krijimtari të mrekullueshme.

Geordie Greig, redaktore e Mail Sunday, dhe një mik i ngushtë, tha se vdekja e tij lë një vrimë të hapur në trashëgiminë letrare të Britanisë, por nuk ka dyshim se librat e tij do jetojnë.

o.j/dita

Dyndja e automjeteve për në bregdet, trafik i rënduar në Tiranë-Durrës

Posted: 12 Aug 2018 01:30 AM PDT

Kjo e diel e nxehtë gushti, i ka shtyrë të gjithë qytetarët t'i drejtohen bregdetit për të përballuar temperaturat e larta.

Si pasojë dyndja e automjeteve ka shkaktuar trafik të rënduar në autostradën Tiranë-Durrës.

Sipas mediave radha e automjeteve nga Vora në Maminas arrin në 5 km.

o.j/dita

NASA nis misionin “për të prekur diellin”

Posted: 12 Aug 2018 01:25 AM PDT

Agjencia Hapësinore e Shteteve të bashkuara të Amerikës, NASA ka nisur misionin e saj për të dërguar një satelit pranë diellit.

Raketa "Parker Solar Probe" u ngrit në qiell sot nga Cape Canareval, në Florida dhe synon të shkojë më pranë diellit, se çdo satelit që është lëshuar deri tani në hapësirë.

Lëshimi i "Parker Solar Probe" dështoi dje, pas një alarmi të momenteve të fundit, por gjithçka shkoi me sukses gjatë ditës së sotme.

Sateliti i nisur ka për qëllim të futet në koronën diellore dhe premton të hedhë dritë mbi misteret e mëdha të sjelljes së Diellit.

"Parker Solar Probe" pritet të mbërrijë rreth 6.12 milionë kilometra pranë diellit, ndërsa sateliti më i afërt ka shkuar rreth 43 milionë kilometra pranë dhe është lëshuar në 1976-ën.

Raketa është ndërtuar për të duruar një temperaturë deri në 1300 gradë celcius dhe do të udhëtojë me një shpejtësi prej 190 kilometrash në sekondë.

o.j/dita

Elektronika në zgjedhje, këshilltari i OSBE: Nuk zgjidh shitblerjen e votave

Posted: 12 Aug 2018 01:08 AM PDT

Shitblerja e votave është një nga akuzat dhe pretendimet e partive politike, të cilat humbin zgjedhjet. Shitblerja e votave është reflektuar si shqetësim edhe në raportet e OSBE/ODIHR-it. Por, eksperti i OSBE/ODIHR-it dhe këshilltar i Lartë për Teknologjinë Steven Martin ka pohuar se teknologjia nuk e zgjidh problemin e shitblerjes së votave.

"Vetë teknologjia nuk e zgjidh problemin e shitblerjes së votës. Mund të kesh votim në internet dhe prapë të kesh probleme me shitblerjen e votës apo me votimin elektronik. Disa vende përdorin skanera dhe disa njerëz i kap ankthi, bëhen më nervozë, sepse në disa raste vota e tyre mund të shihet, pra e humb fshehtësinë, sepse po e vendosën gabim te skaneri mund të shihet për kë kanë votuar. Pra, kthehem tek ajo që po thosha më parë dhe, për sa i përket shitblerjes, nuk e zgjidh presioni ndaj votuesve në këtë kuptim. Në qendrat e votimit prapë duhet të futen brenda, duhet të votojnë dhe prapë, në disa raste do të ketë presion ndaj tyre. Cilado qoftë mënyra për të adresuar këtë problem duhet të shkojë përtej aspekteve të teknologjisë dhe duhet të ndiqet në mënyra të tjera, si përmes gjykatave, proceseve të tjera ose përmes forcimit të administratës zgjedhore. Pra, futja e teknologjisë nuk e zgjidh problemin e presioneve ndaj votuesit", ka pohuar ai në mbledhjen e fundit të komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore.

Megjithatë, Steven Martin u shpreh se teknologjia mund të testohet në disa zona në 2021. "Do të fillojmë me prezantimin e 2021-shit. Nuk është shumë vite larg, por për hapat dhe fazat e zbatimit, pavarësisht se kur ndodhin zgjedhjet e ardhshme, duhet të keni mundësinë të kryeni një pilotim, një testim, për sa i përket zbatimit të teknologjisë. Kjo është thelbësore. Kjo do të jetë në shkallë të vogël, detyruese ose jo, dhe do ta keni mundësi për të testuar dhe vlerësuar këtë proces. Pra, pilotimi, blerja e pajisjeve, rregullimi i ligjeve, pilotimi dhe përdorimi i këtij pilotimi. Kjo duhet të kryhet para se të merret një vendim përfundimtar se si duhet të vazhdojmë me një hapje në të gjithë territorin. Pavarësisht viteve dhe zgjedhjeve, ka të bëjë me fazat që mund të bëni dhe faza e pilotimit duhet të jetë të paktën për një vit, për ta bërë siç duhet dhe të ketë mundësi të shikohet faza tjetër e procesit, që, patjetër, do të kërkojë një kohë edhe më të gjatë. Këtu i referohem skanuesve të fletëvotimit", tha ai.

o.j/dita

Mbi 11 mijë udhëtarë pritet të zbarkojnë Durrës, ankesa për kushtet e trageteve

Posted: 12 Aug 2018 01:02 AM PDT

Vijon fluksi i personave që po hyjnë në Shqipëri në këto ditë të nxehta vere, nga deti, ajri dhe toka.

Krahas turistëve të huaj, që vijnë për të vizituar vendin tonë, në këtë periudhë kthehen edhe një numër i lartë shqiptarësh, që jetojnë në emigrim.

Porti i Durrësit është një nga portat kryesore të kthimit të emigrantëve, ndërsa çdo ditë përballet me një fluks të madh shtetasish që hyjnë në Shqipëri.

Edhe sot njoftohet se nga Bari dhe Ankona pritet të mbërrijnë 7 tragete udhëtarësh me rreth 11 mijë persona e qindra makina në bord. Gjithsesi, si gjithmonë në raste të tilla, edhe këtë herë janë paraqitur probleme me zbatimin e orareve të nisjes së trageteve nga Italia.

Gjithashtu, në linjë telefonike, shumë pasagjerë shprehen të pakënaqur me kushtet në tragete, ku mungon ventilimi apo ajri i kondicionuar, aq shumë i domosdoshëm në rastet kur mjetet janë të tejmbushura me udhëtarë.

o.j/dita

Të shtëna me armë zjarri gjatë një festivali në Manchester, 10 të plagosur

Posted: 12 Aug 2018 12:44 AM PDT

10 persona janë shtruar në spital pas disa të shtënave në zonën Moss Side në qytetin e Machester në Angli.

Policia e qytetit tha se të plagosurit morën plagë të shumta gjatë të shtënave, shkruan BBC.

Ngjarja ndodhi rreth orës 02:30 të mëngjesit gjatë një festivali në Caibbean Carnival, që kishte përfunduar disa orë më përpara.

"Aktualisht në spital janë disa të lënduar që po trajtohen për plagë të ndryshme, por fatmirësisht asnjë nuk duket të jetë në rrezik për jetën", tha një oficer policie.

Autoritetet po përpiqen të përcaktojnë ekzaktësisht se çfarë ndodhi në incident dhe kush ishte përgjegjësi për një sulm të tillë të rrezikshëm.

o.j/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more