Skip to main content

“Vrasja në Shkodër/ 27-vjeçarja ishte e divorcuar, jetonte me policin” plus 9 more - Gazeta Dita

“Vrasja në Shkodër/ 27-vjeçarja ishte e divorcuar, jetonte me policin” plus 9 more - Gazeta Dita


Vrasja në Shkodër/ 27-vjeçarja ishte e divorcuar, jetonte me policin

Posted: 15 Jul 2018 02:08 AM PDT

 

Janë të paqarta motivet se përse u ekzekutuan çifti Boran Berçama dhe Silva Ndoci në makinën e tyre në Shkodër.

Një nga pistat e hetimit është detyra që ka mbajtur Berçama në policinë e Pukës, nga ku ishte larguar pas fillimit të vetingut në polici.

Po ashtu mësohet se Silvi Ndoci, 27 vjeçe, bashkëjetuesja e ish-policit ka qenë e martuar më parë dhe ka patur edhe një fëmijë tjetër.

Të afërm tregojnë se gruaja pas divorcit, jetonte me ish-policin.

Të dy jetonin në apartamentin në hyrje të të cilit u gjetën të ekzekutuar mëngjesin e sotëm.

Në makinë ishte edhe foshnja, e cila është marrë nga mjekët dhe po mbahet nën kontrollin e tyre.

Sipas informacioneve paraprake, afër makinës me targa AA 006 HA ku u vra çifti, u gjetën 23 gëzhoja.

Viktima Berçama vetëm pak kohë më parë mësohet se është larguar nga radhët e policisë për shkak të Vettingut në radhët e forcave blu.

a.s/dita

“Ronaldo Day”, portugezi do të pritet nesër në Torino si kryetar shteti

Posted: 15 Jul 2018 02:00 AM PDT

 

Torino i jep fund pritjes "së shekullit" për atë që konsiderohet prej ditësh nga mediet sportive si "goditja e shekullit".

Me përjashtim të ndonjë ndryshimi programacioni të minutës së fundit, gjë që duhet pasur parasysh për shkak të madhështisë së personazhit, Cristiano Ronaldo do të zbarkojë mëngjesin e së hënës në tokën torineze, me destinacion Juventusin.

"Ronaldo Day" pritet të jetë njësoj si të ishte një ditë zbarkimi në Hënë.

Mes tifozëve ka një ankth të pazakontë dhe ngazëllim në të njëjtën kohë, për atë që do të mbetet e shkruar në librat e historisë.

Gjithsesi do të jetë e vështirë të shohësh nga shumë pranë se nga ç'lëndë përbëhet "marsiani" në fjalë, i cili si gjithmonë do të jetë i blinduar nga minuta e parë e deri tek e fundit e ceremonive.

I vetmi rast kur do të mund të vihej përballë adhuruesve të tij, ishte festa e programuar në "Allianz Stadium", nga e cila Juventusi hoqi dorë.

Dita në vijim do të jetë normale, si çdo ditë tjetër që i rezervohet një të sapoardhuri në klub.

Duke nisur nga vizitat mjekësore, te konferenca për shtyp, e prezantimi pa shumë ekzagjerime.

Megjithatë, në realitet, pritja për Cristianon do të ngjajë me pritjen e një kryetari shteti, duke parë planin e përpiktë të policisë, që kanë bërë përgatitjet prej disa ditësh.

Dhjetëra agjentë do të vendosen nga aeroporti deri në ambientet e klubit.

a.s/dita

Vijojnë kontrollet në bregdet, Tatimet: 6.9 mln lekë gjoba në veri

Posted: 15 Jul 2018 01:47 AM PDT

 

Hetimi Tatimor po vijon me kontrollet dhe verifikimin e subjekteve, që ushtrojnë veprimtari ekonomike në sektorin e turizmit, në të gjithë vendin.

Më konkretisht, strukturat e specializuara të Drejtorisë së Hetimit Tatimor Rajoni Verior po i përqëndrojnë veprimet e tyre në zonat turistike të qarkut Shkodër e Lezhë, nga Velipoja në Tale e Patok, si dhe në zonat malore të Valbonës, Razmës, Thethit, etj..

Që nga data 22 qershor e në vazhdim, nga kjo drejtori, u verifikuan në total 397 subjekte, nga të cilat, për 186 subjekte u morën masa, me një vlerë prej rreth 6.9 milionë lekësh.

Më konkretisht: "Për moslëshim kuponi hera parë" janë konstatuar 34 shkelje; për "punonjës të padeklaruar" janë konstatuar 28 shkelje; për "mall pa faturë tatimore" (rivlerësim dhe ndryshim përgjegjësie) janë konstatuar 25 shkelje, për "mos mbajtje të paisjes fiskale në gjendje pune" janë penalizuar 14 subjekte, për "shitje pa faturë" janë penalizuar 12 subjekte, ndërsa 19 subjekte kanë rezultuar të paregjistruara në organet tatimore.

Gjithashtu, edhe nga Drejtoria e Hetimit Tatimor Rajoni Jugor po ushtrohen kontrolle të vazhdueshme.

Referuar të dhënave, si rezultat i tyre kontrolleve të ushtruara në datë 13 korrik, u morën masat si më poshtë vijojnë:

– Për subjektin Spiro Dhima, me vendndodhje në Potam, i paregjistruar në organet tatimore. Bllokimi do të hiqet pas regjistrimit si tatimpagues i i TVSH-së.

– Për subjektin Aurora Muka, me vendndodhje në Ksamil, i paregjistruar në organet tatimore. Bllokimi do të hiqet pas regjistrimit si tatimpagues i i TVSH-së.

-Për subjektin Aleksandra Basha, me vendndodhje në Ksamil, i paregjistruar në organet tatimore. Bllokimi do të hiqet pas regjistrimit si tatimpagues i TVSH-së.

– Për subjektin Riviera Karo, me vendndodhje në Himarë, i paregjistruar në organet tatimore. Bllokimi do të hiqet pas regjistrimit si tatimpagues i TVSH-së.

– Për subjektin Themistokli Angjeli, me vendndodhje në Sarandë, i paregjistruar në organet tatimore. Bllokimi do të hiqet pas regjistrimit si tatimpagues i TVSH-së.

– Për subjektin Velaudin Aliaj me vendndodhje në Ksamil, i paregjistruar në organet tatimore. Bllokimi do të hiqet pas regjistrimit si tatimpagues i TVSH-së.

– Për subjektin Jorgo Prifti me vendndodhje në Borsh, i paregjistruar në organet tatimore. Bllokimi do të hiqet pas regjistrimit si tatimpagues i TVSH-së.

Drejtoria e Hetimit Tatimor në DPT, ka në fokus të punës së saj zbatimin e masave për të reduktuar evazionin fiskal, si dhe për të rritur të ardhurat.

a.s/dita

Pogradec, 40-vjeçarja humb jetën në dush. Dyshohet kontakt me rrymën

Posted: 15 Jul 2018 01:40 AM PDT

 

Një shtetase 40-vjeçare ka gjetur vdekjen mbrëmjen e së shtunës, teksa kishte hyrë për t'u larë në banesën e saj, ku jetonte e vetme.

Trupi i shkrumbuar i 40-vjeçares B.B. është gjetur të shtunën në orën 22:10.

Nga hetimet paraprake rezulton se dera e banesës ka qenë e mbyllur me çelës nga brenda, ndërsa automati i apartamentit u gjet i stakuar.

Nga ekspertiza paraprake mjekoligjore dyshohet se vdekja e saj mund të jetë shkaktuar si pasojë e kontaktit të viktimës me rrymën elektrike, gjatë bërjes së dushit.

Gjithsesi, grupi hetimor po punon për të zbuluar rrethanat e ngjarjes.

a.s/dita

Vend i vogël, por gjigant në sport. Çfarë ka pas “metodës së Kroacisë”?

Posted: 15 Jul 2018 01:34 AM PDT

 

Francesca Milano*

Dikush mendon se është meritë e rruzares që trajneri Zlatko Dalic e shtrëngon në dorë, në xhepin e djathtë të pantallonave.

Në fakt, kualifikimi i Kroacisë në finalen e Botërorit nuk është një mrekulli, por fryt i një strategjie të mirëpërcaktuar, që shumë tashmë e quajnë "metoda kroate", një metodë thuajse shkencore.

Më shumë se sa një formulë magjike, ajo kroate është një formulë matematikore. E kanë aplikuar në futboll, por edhe në vaterpolo dhe në basketboll dhe ekuacioni është treguar i saktë. Por cilat janë parametrat e këtij operacioni?

Përpara së gjithash, duhet ta nisim nga të dhënat në dispozicion, 4 milionë banorët.

Pak, shumë pak, për një vend. Pikërisht për këtë numër banorësh, të befason përqindja e lartë e sportistëve të nivelit të lartë. Si është e mundur që ka kaq shumë sportistë me emër brenda një Vendi kaq të vogël?

"Çfarë hanë në Kroaci?" – pyesin njerëzit në internet.

Edhe pse regjimi ushqimor është i rëndësishëm për sportistët, sekreti nuk qëndron te kuzhina, por te kopshti. Kopshti nuk ka të bëjë, në fakt, më tepër, është serioziteti me të cilin ndiqen fëmijët, që të vegjël, në sport.

Goditja e topit nis që në moshë të vogël, e njëjta gjë vlen edhe kur flitet për basketbollin, tenisin apo vaterpolon. Në moshën 16-17 vjeç, shumë djem kanë një përvojë në ekipin e parë dhe sporti shndërrohet shpejt "në një punë".

Një shembull i mirë përfaqësohet nga sektori i të rinjve në Dinamon e Zagrebit, objektivi i së cilës është që të ketë në ekipin e parë të paktën dy futbollistë për secilën prej 11 kategorive në të cilat është strukturuar. Sot, sipas faqes "Ultimo uomo", akademia numëron rreth 250 djem dhe ka një shpenzim vjetor rreth 1 milionë e gjysmë euro, 7-8% e buxhetit të klubit.

Fuqia e saj qëndron në organizimin dhe metodat e stërvitjes: nga Under 12 e më tej, fëmijët nisin të stërviten edhe individualisht me trajnerë të ndryshëm, që koordinojnë punën edhe në bazë të të dhënave të mbledhura dhe të përpunuara nga analistët. Nga 14 vjeç e deri në ditën kur do të bëhet pjesë e ekipit të parë, një djalë i ekipit të Dinamos do të stërvitet 5-6 ditë në javë, për rreth 8 orë.

Problemi është se të rinjtë kroatë bëhen kaq të aftë dhe në një kohë kaq të shkurtër sa më pas kërkojnë të luajnë në klube të huaja. Futbollistët e Kombëtares së Kroacisë, e cila të dielën do të zbresë në fushë në finalen përballë Francës, luajnë në 11 kampionate të ndryshme.

Megjithatë, për ta, veshja e fanellës së Kombëtares së Kroacisë ka një vlerë të veçantë, me shumë gjasa e lidhur me historinë e këtij vendi të ri. Janë 11 burra të cilët kanë lindur para vetë Shtetit të tyre, burra të cilët kanë parë etërit e tyre të luftojnë. Edhe pse luajnë në kampionate të ndryshme, kroatët luajnë së bashku si një skuadër. E njëjta gjë vlen edhe për sportistët e basketbollit, disa prej të cilëve luajnë në NBA.

Metoda kroate ka dhënë rezultatet më të mira në vaterpolo. Vitin e kaluar, Kroacia fitoi "Medaljen e artë" në botëror dhe në gjashtë edicionet e fundit ka qenë gjithnjë në podium. Po përse vaterpolo është kaq popullor në Ballkan.

Sipas Ivan Djordjević, antropolog në Universitetin e Beogradit, i intervistuar nga "Balkan Insight", gjithçka nisi nga fakti që "sportet e ekipit në Jugosllavi shërbenin për të treguar që ishte e mundur të krijohej një shoqëri e suksesshme shumetnike dhe shumëkulturore, e mbështetur në idealet e socializmit dhe se koncepti i vëllazërisë dhe bashkimit funksiononte". Sporti ishte një instrument i integrimit social dhe sukseset në fushë tregonin se modeli funksiononte.

Më pas ndodhi ajo që ndodh në këto raste, njëri tërheq tjetrin.

"Kur Jugosllavia nisi të fitojë tituj e medalje, njerëzit në rajon donin që të fitonin më shumë. Të jesh ndër më të mirët në botë është e nevojshme për krenarinë kombëtare", shpjegonte Branko Krivokapić në një artikull të publikuar nga Observatori për Ballkanin dhe Kaukazin.

Të dielën "Luzhniki Stadium" në Moskë do të jetë i mbushur me mijëra tifozë në bardhekuq.

*Il Sole 24 Ore

Takimi me Putin, Trump do të tradhtojë Perëndimin?

Posted: 15 Jul 2018 01:18 AM PDT

 

Çfarë duan të arrijnë Donald Trump dhe Vladimir Putin? Që para takimit të tyre në Helsinki është e qartë: Trump mund ta sakrifikojë të gjithë aleancën perëndimore para altarit të vanitetit dhe mungesës së skrupujve.

Nga Christian Trippe*

Donald Trump do të flasë me Vladimir Putin kokë më kokë. Vetëm ata të dy, secili me nga një përkthyes. Këshilltarët politikë dhe protokolluesit në këtë bisedë duhet të mbeten jashtë.

Shtëpia e Bardhë e dëshiron këtë, dhe shkel kështu një rregull bazë të samiteve të tilla, që është më shumë se një zakon. Trump ndez me këtë mosbesimin, nxit frikën e atyre që ndjehen të kërcënuar nga Rusia dhe dyshojnë në garancinë e solidaritetit të aleancës perëndimore.

Trump dhe Putin kanë afri: Të dy e kuptojnë veten si "burra të fortë” në një botë të sunduar nga kaosi; të dy e perceptojnë shtetin që drejtojnë në radhë të parë si demonstrim force. Putin e stilizon veten si lider të atyre forcave politike që janë iliberale. Trump e pëlqen ta shohë veten si shkatërruesin e institucioneve liberale, që i dhanë tonin botës pas ndryshimeve epokale të vitit 1945 dhe 1990.

Trump kërkon efektin mediatik – Putini me axhendë të zgjeruar

Të dy kanë lënë të kuptohet, se e admirojnë njëri-tjetrin, megjithë kontradiktat në interesa. Për takimin në Helsinki kjo nuk parathotë ndonjë gjë të mirë, sepse pritshmëritë janë të ndryshme. Trump kërkon efektin mediatik, një takim në skenë të madhe, rrahje shpatullash, ai kërkon të habisë botën. Qëllimet politike, nëse i ka këto, Trumpi i mban të fshehura.

Ndërsa Putini ka një axhendë të zgjeruar: Ai kërkon dorë të lirë në luftën civile në Siri, në Ukrainë, të cilën Putin e kupton si zonë influence ruse, prandaj i lejon vetëm sovranitet të kufizuar. E në fund ai kërkon që Perëndimi të pranojë që okupimi i shpejtë i gadishullit të Krimesë të mos shihet si aneksion, por një”ribashkim” me Rusinë. BE dhe SHBA i kanë vendosur Moskës sanksione për shkak të Krimesë. Putini dëshiron që ato të marrin fund.

Kush fillon e pyet, se si do t’i arrijë Putini këto qëllime tek pala tjetër, i hedh sytë në një greminë politiko-morale. Në një kohë që Trumpi shëtit nëpër Europë, një hetues i posaçëm ka ngritur padi kundër 12 agjentëve rusë; ata kanë ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA para dy vjetësh. Rusia dyshohet prej kohësh, që ka ndihmuar fushatën zgjedhore të Trumpit –përmes sulmeve të hakerëve, vjedhjes së informacionit, fushatave në mediat sociale për ndikimin e votuesve.

Ndoshta Putini i thotë faleminderit Trumpit për sulmet ndaj NATO-s…

Nuk ka dyshim – Donald Trump ka qenë kandidati i dëshiruar i Kremlinit. Por a është ai automatikisht edhe presidenti "tyre"? Përgjigja nuk varet vetëm nga ajo, nëse Kremlini ka diçka në dorë kundër Trumpit, material kompromentues, që mund të përdoret për presion politik. Për këtë spekulohet gjithmonë, herë për historitë e Trumpit me femra në Rusi, herë për kontaktet e biznesit në Nju Jork.

Këto histori intriguese nga jeta parapresidenciale e Trumpit bien sigurisht era sensacion, por deri më tani kanë mbetur vetëm si spekulime. Ato nuk duhet të turbullojnë shikimin për politikën reale, për Donald Trumpin e vertetë.

Kush i godet në mënyrë të tillë anëtarët e NATO-s, siç vepron Donald Trump, është dhuratë për çdo president rus. Do t’i thotë Putini faleminderit për këtë Trumpit? Nuk do ta dimë.

Trump e di shumë mirë vetë, se pse nuk do asnjë regjistrim të bisedës së tij me Putinin.

*DW

a.s/dita

Vetmia si sëmundje genetike. Mjekët studiojnë paaftësinë e njeriut për t’u socializuar

Posted: 15 Jul 2018 01:06 AM PDT

 

Të jesh vetmitar apo social varet nga genet. Kështu sugjeron një studim i Universitetit të Cambridge pas një analize që ka marrë në shqyrtim 500 mijë vullnetarë në Britaninë e Madhe. Rezultatet janë publikuar në revistën Nature Communications.

Sipas studiuesve, është edhe faktori biologjik në bazë të vetmisë patologjike që disa persona i bllokon për të hyrë në kontakt me të tjerët edhe kur e dëshirojnë në gjë të tillë. Janë identifikuar 15 variante gjenetike që lidhen ngushtë më izolimin shoqëror, ndërsa të tjera që gjenden në ata njerëz që janë më të hapur dhe frekuentues të ambienteve të ndryshme sociale.

Sipas kërkuesve, kjo është ndoshta edhe një ndër arsyet përse disa medikamente antidepresive nuk janë efikasë njësoj në të gjithë pacientët.

Në këtë studim është vënë re gjithashtu edhe një lidhje mes vetmisë, simptomave depresive dhe mbipeshës. Rezultatet do të ndihmojnë në rrugën e një psikiatrie më precision me të lartë dhe të shoqëruar me terapi të individualizuara.

a.s/dita

Fëmijët duhet të qëndrojnë zbathur

Posted: 15 Jul 2018 12:54 AM PDT

Fëmijët duhet të qëndrojnë zbathur më shpesh.

Qoftë në natyrë, ashtu edhe në shtëpi, qëndrimi zbathur ndihmon shumë edhe në zhvillimin motorik të trupit.

Veçanërisht përmirëson ndjeshëm ekuilibrin por edhe startin atletik, apo edhe hedhjet. Përtej benefiteve në aspektin postural dhe zhvillimin e lëvizjeve, të qëndrosh zbathur në bar ndihmon shumë forcimin e imunitetit, por edhe në mikroqarkullim më të mirë të gjakut.

Mjekët vijojnë të theksojnë se njeriu ka lindur në natyrë dhe duhet të rikthehet të gëzojë pak më tepër të mirat e saj, pasi kjo është gjëja më natyrale dhe e shëndetshme.

Konkluzioni është arritur falë studimeve të universitetit gjerman Jena dhe është publikuar në revistën 'Kufijtë e Pediatrisë'.

Kërkuesit kanë marrë në studim rreth një mijë fëmijë gjermanë, dhe një mijë të tjerë nga Afrika e Jugut.

Grupi i dytë ka shfaqur aftësi shumë më të larta në atletikë, kryesisht në ekuilibër, kërcim së larti dhe në sprint.

Fëmijët afrikanë pjesën më të madhe të kohës qëndronin zbathur, ndryshe nga fëmijët gjermanë që kanë adoptuar natyrisht kulturën perëndimore duke evituar në maksimum këtë praktikë.

Ndoshta kjo është edhe një ndër arsyet përse afrikanët janë gjithnjë shumë të zotë në garat atletike.

a.s/dita

Statistikat e Francë-Kroaci: Historia e finaleve favorizon debutuesit

Posted: 15 Jul 2018 12:45 AM PDT

 

Pas një festivali njëmujor të futbollit, Kupa e Botës 2018 do të ulë siparin pasditen e sotme në Moskë, teksa kampionët e botës të 1998-ës do të përballen me një Kroaci që do të bëjë paraqitjen e saj të parë në një finale të Botërorit.

Përballjet direkte

Franca ka marrë tri fitore dhe dy barazime në pesë ndeshjet e mëparshme të luajtura kundër Kroacisë, me sfidën e vetme mes këtyre dy kombëtareve në një Botëror që është fituar 2-1 nga Franca në gjysmëfinalen e 1998-ës.

Trajneri aktual i "Gjelave", Didier Deschamos, ka luajtur 90 minuta në atë takim dhe Franca ka ngritur kupën atë vit.

Statistika

– Tri finalet e fundit të Kupës së Botës kanë shkuar me kohë shtesë. Gjithsesi, vetëm dy finale janë vendosur me penallti në historinë e Botërorit (1994, 2006).

– Kjo do të jetë finalja e tretë për Francën në Kupën e Botës, duke fituar njërën (1998) dhe duke humbur tjetrën me penallti (2006). Gjithashtu, ata janë skuadra me më shumë pjesëmarrje (3) në finalen e Kupës së Botës që nga 1998-a, duke lënë mbrapa Gjermaninë dhe Brazilin (2).

– Kjo do të jetë finalja e parë e Kroacisë në një Botëror, kombëtarja e 13-të e ndryshme dhe e 10-a europiane që merr pjesë në aktin final të Kupës së Botës. Dy debutuesit e fundit të finales kanë fituar (Franca në 1998 dhe Spanja në 2010), ndërsa debutuesit e fundit që kanë humbur kanë qenë holandezët në 1974-ën.

– Franca ka qenë në disavantazh vetëm për 9 minuta dhe 12 sekonda në këtë Botëror, ndërsa Kroacia ka qenë në disavantazh në të tri ndeshjet me eliminim direkt.

– Me përjashtim të penalltive, Franca ka fituar 11 nga 14 ndeshjet e fundit që ka luajtur në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës (2 barazim, 1 humbje).

– Kroacia është kualifikuar në tri takimet me eliminim direkt pas penalltive ose kohës shtesë, por asnjë skuadër nuk ka luajtur në kohën shtesë në katër ndeshje të ndryshme të një Botërori; ekipet e tjera që kanë luajtur në kohën shtesë në tri takime të ndryshme kanë qenë Belgjika (1986), Anglia (1990) dhe Argjentina (2014).

– Antoine Griezmman është përgjegjës (gol/asist) për 11 gola të realizuar në nëntë ndeshje me eliminim direkt në kampionatet e mëdha (Botëror + Europian), më shumë se çdo lojtar tjetër i Francës në 50 vitet e fundit, më shumë se Zinedine Zidane (8) dhe Michel Platini (6).

– Kylian Mbappe do të kërkojë të bëhet adoleshenti i dytë që shënon në një finale të Kupës së Botës pas Pele, në 1958-ën. Mbappe (3 gola) është që tani adoleshenti me më shumë gola të shënuar në një Botëror që nga Pele (6 në 1958-ën).

– Olivier Giroud nuk ka realizuar asnjë gjuajtje në portë në këtë Botëror, pavarësisht se ka luajtur 465 minuta për Francën. Që nga 1966-a, asnjë lojtar nuk ka bërë më shumë tentativa (13) në një Botëror pa goditur asnjëherë portën.

– Didier Deschamps mund të bëhet personi i tretë që fiton Kupën e Botës si lojtar dhe si trajner pas Mario Zagallo dhe Franz Beckenbauer.

Ai ka fituar 73% të ndeshjeve të Botërorit (8 nga 11), mesatarja më e mirë për një trajner që ka drejtuar më shumë se 10 ndeshje në një Kupë të Botës.

– Vetëm Antoine Griezmann (2 gola dhe 2 asiste) ka qenë i përfshirë në realizimin e më shumë golave se Mario Mandzukic (2 gola, 1 asist), në fazën me eliminim të këtij Botërori.

– Ivan Perisic ka qenë i përfshirë në realizimin e 10 golave në kompeticionet e mëdha për Kroacinë (6 gola, 4 asiste), më shumë se çdo lojtar tjetër bashkë me Davor Suker (9 gola, 1 asist).

– Nëse Raphael Varane luan, ai do të bëhet francezi i pestë që ka luajtur në finalen e Champions League dhe atë të Kupës së Botës në të njëjtin vit pas Thierry Henry (2006), Zinedine Zidane, Didier Deschamps dhe Christian Karembeu (1998). Varane ka fituar në Champions League, ndërsa vetëm Karembeu ka arritur t'i fitojë të dy kompeticionet nga katër të tjerët.

a.s/dita

Izraeli godet fuqishëm Hamasin, Egjipti imponon armëpushim?

Posted: 15 Jul 2018 12:34 AM PDT

 

Izraeli ka ndërmarrë sulmet më të rënda ndaj objektivave të militantëve të Hamasit në Gaza, që prej luftës së vitit 2014.

"Sulmet ishin kundërpërgjigje e raketave të lëshuara drejt Izraelit", tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Hamasi, nga ana e tij njoftoi se një armëpushim ishte arritur, pavarësisht se ka pasur raporte për shkëmbime zjarri të vazhdueshme. Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë informojnë se dy persona kanë vdekur dhe 12 të tjerë janë plagosur, si pasojë e sulmit ajror në qytetin e Gazës, të shtunën.

Mes izraelitëve janë plagosur 3 të tillë, nga njëra prej 90 raketave të hedhura mbi Izrael.

Forcat izraelite të Mbrojtjes (IDF) kanë bërë të ditur se kanë shënjestruar godina e ambiente të shfrytëzuara nga Hamasi, një lëvizje ekstremistësh që dominon në Gaza, përfshi edhe një seli batalioni në Beit Lahia, një kamp stërvitor të ndodhur në një ndërtesë disakatëshe në kampin e refugjatëve al-Shati në veri të Gazës, por edhe depo armësh dhe raketahedhës.

"Në konsultim me ministrin e Mbrojtjes, shefin e Shtabit të Përgjithshëm dhe komandën më të lartë të sigurisë së shtetit izraelit, kemi vendosur të ndërmarrim veprimet më të fuqishme kundër terroristëve të Hamasit", tha Netanyahu në një deklaratë video.

"IDF-të kanë goditur Hamasin me dorën më të hekurt që prej Operacionit për Mbrojtjen e Kufirit, e do të shtojmë edhe më tej forcën e sulmeve tona nëse do të jetë e nevojshme", shtoi ai, duke iu referuar konfliktit të vitit 2014.

Gjithsesi, zyrtarë palestinezë thanë se, falë "përpjekjeve egjiptiane dhe ndërkombëtare" është arritur një armëpushim.

Izraeli nuk ka komentuar mbi këtë raport.

a.s/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more