Skip to main content

“Të kontrollosh burimin: Studimet më interesante në median digjitale gjatë vitit 2018” plus 2 more Telegrafi Opinione

“Të kontrollosh burimin: Studimet më interesante në median digjitale gjatë vitit 2018” plus 2 more Telegrafi Opinione


Të kontrollosh burimin: Studimet më interesante në median digjitale gjatë vitit 2018

Posted: 16 Jul 2018 11:49 PM PDT

Shumë hulumtime interesante akademike janë duke u kryer në mediat digjitale, por a ka njerëz vullnetmirë për t'i lexuar gjithë këto revista shkencore?

Journalist's Resource, quhet qendra e cila mban rrotull vetes një grup profesionistësh ku së bashku vendosën të krijonin një faqe interneti me qëllimin për të informuar gazetarët mbi studimet më të fundit akademike. Ky është një projekt i Qendrës Shorenstein mbi mediat, politikën dhe të mirat publike në Shkollën e Qeverisjes John F. Kennedy të Universitetit të Harvardit. Në këtë faqe përmblidhen çështjet më të rëndësishme të trajtuara nga studiues të ndryshëm, shkruar në një stil gazetaresk, dhe fokusuar kryesisht te historia e subjektit.

Ky projekt nisi në vitin 2010, fillimisht për ta bërë më të lehtë për profesorët e gazetarisë që të japin mësim rreth raportimit të studimeve akademike. Duke hulumtuar në këtë faqe do të shohim më poshtë se cilat janë ato çështje studimore, të evidentuara si më të mprehtat e kohës së sotme, epokës digjitale dhe gazetarinë.

Artikujt janë shkruar së fundmi dhe publikohet online prej tre muajsh. Qëllimi ynë është të evidentojmë me hapat e kohës cilat janë pikat kryesore në të cilat ndërtohet sot një gazetari moderne dhe një media, e cila po rrëshqet prej standardeve të saj profesionale. Zhvillimi teknologjik ka rrezikuar parimet kryesore të gazetarisë dhe punës së gazetarit. I sjellim sot të pasqyruara konkretisht e shkurtimisht disa nga top-diskutimet më të nxehta në rrethet e botës akademike në fushën e komunikimit dhe gazetarisë. Studimi i parë titullohet:

"Kur qytetarët dhe gazetarët ndërveprojnë në 'Twitter' (Pritshmëritë e performancës së gazetarëve në mediat sociale dhe perceptimet e paragjykuara të medias)". Mjaft raporte përgjatë viteve kanë theksuar vazhdimisht problemet që hasen në mediat, të cilat prodhojnë lajme, sa i takon sidomos besueshmërisë së publikut. Studiuesit janë kureshtarë se si kjo marrëdhënie mund të ndryshojë ndërsa gazetarët gjithnjë e më shumë mbështeten në platformat e mediave sociale për të mbledhur informacionin, për të ndërvepruar me publikun dhe për të promovuar punën e tyre. Në shumë mënyra, këto platforma ofrojnë një dritare të hapur në procesin e raportimit. Ata, gjithashtu, e lejojnë publikun të dëshmojë biseda mes gazetarëve dhe njerëzve, të cilët ata i intervistojnë, pra dialogun mes tyre, dialog që interpretohet në mënyra të ndryshme.

Ky material ka për qëllim të vlerësojë se si mediat sociale ndikojnë në perceptimet publike të gazetarëve. Studiuesit kanë analizuar të dhënat e sondazhit të kryer në SHBA me qëllimin për të zbuluar se çfarë njerëzit presin prej përdorimit të medias sociale nga gazetarët dhe cili ka më shumë mundësi të angazhohet me gazetarët në 'Twitter'. Ata, gjithashtu, konsideruan faktin se si këta dy faktorë mund të influencojnë në sensibilitetet e dikujt rreth anshmërisë së medias. Po çfarë gjetën autorët e gjatë kërkimeve?

Njerëzit, të cilët presin që gazetarët të përdorin mediat sociale pozitivisht; që d.m.th., ata nxisin biseda që ndihmojnë në kontekstualizimin e historive, pikërisht këta kanë më shumë gjasa të bashkëveprojnë në 'Twitter'. Ndër të tjera studimi ka sugjeruar se përvojat në mediat sociale përcaktojnë dhe standardet për një lloj reciprociteti midis gazetarëve dhe audiencës së tyre. Në përgjithësi, një marrëdhënie më e afërt me gazetarët në 'Twitter' shoqërohet me nivele më të ulëta të paragjykimeve të perceptuara prej mediave.

Studimi tjetër me titullin "Investigimi i burimit politik në 'Twitter': Kur korrigjimet kanë një efekt?, është një studim që ka ngjallur shumë diskutime. Deri më sot, hulumtimet mbi përhapjen e lajmeve të rreme dhe jo korrekte tregon se ato janë të vështira për t'u ndalur dhe se në rrethana të caktuara, njerëzit që kanë frikë nga e vërteta do të mbahen akoma dhe më fort tek lajmet e rreme. Ky kërkim i ri studimor, hedh dritë mbi atë se si raportet me rrjetet sociale mund të ndihmojnë në frenimin e rrjedhjes së informacionit të gabuar. Këta hulumtues kanë kryer dy studime, nëpërmjet të cilëve është parë se si përdoruesit e 'Twitter'-it kanë korrigjuar njëri-tjetrin.

Gjatë studimit të parë, ekipi ka analizuar postimet në 'Twitter' vendosur që nga mesi i janarit në vitin 2012 deri në prill të vitit 2014. Postimet u dërguan në përgjigje të një përdoruesi, i cili kishte bërë një deklaratë të gabuar në lidhje me politikën e SHBA-së. Kërkuesit u përqendruan në mënyrën se si njerëzit reaguan ndaj përgjigjeve që morën në 'Twitter', e që më së shumti theksonin gabimin duke iu referuar një prej tri faqeve të internetit që merrej me investigimin e fakteve. Në studimin e dytë, studiuesit kërkimin e përqendruan sërish në këtë platformë, pra në 'Twitter'. Periudha e përcaktuar ishte 31 tetor 2015 dhe 3 shkurt 2016. Referencat shkonin për Snopes.com, një website që punon për kontrollin e burimit të vërtetë. Përsëri, ata shqyrtuan ndërveprimet mes përdoruesve të 'Twitter' që bënë deklarata të pasakta dhe ata që vinin në dukje gabimet. Këtë herë, kërkuesit i krahasuan përgjigjet e përdoruesve bazuar mbi faktin nëse deklarata e pasaktë, lidhej me politikën e SHBA-ve apo me ndonjë subjekt tjetër. Rezultatet, treguan se përdoruesit e 'Twitter' kanë më shumë gjasa të pranojnë korrigjime nga miqtë dhe individët që i ndjekin ata. Ndërsa më pak të ngjarë, kanë të pranojnë korrigjime ndaj një gabimi që lidhet me politikën sesa një tjetër temë.

I treti studim mban titullin "Shkenca e lajmit të rremë". Në të, një grup akademikësh me profil të lartë nga një sërë fushash ofruan një strategji për të kuptuar më mirë lajmin e rremë, për të parandaluar shpërndarjen dhe ndikimin e tij. Grupi përshkruante shkurtimisht, atë që deri tani njihej si pjesë e sfidave të ndalimit të lajmit të rremë dhe kufizimeve të kontrollit të fakteve. Ata u fokusuan kryesisht në dy lloje të ndërhyrjes: së pari, duke i ndihmuar njerëzit të njohin më mirë lajmin e rremë kur e shohin atë. Mandej të bëjnë ndryshime strukturore, të cilat zvogëlojnë ekspozimin e publikut ndaj përmbajtjeve jo të vërteta. Artikulli mbetet në thelb një thirrje për veprim, duke i bërë thirrje platformave të internetit dhe mediave sociale të punojnë me studiuesit për të vlerësuar problemin, për të programuar apo testuar ndërhyrjet. "Ka pak hulumtime të fokusuara tek lajmet e rreme dhe ende nuk ka një sistem gjithëpërfshirës për grumbullimin e të dhënave për të përftuar një marrëveshje dinamike mbi saktësinë e tyre. Ndërsa teknologjia avancon në evoluimin e saj, sisteme të tëra të ofrimit të lajmeve të rreme janë duke u zhvilluar", shkruajnë autorët.

I treti studim quhet "Ekspozimi selektiv ndaj dezinformimit: Raste prej konsumimit të lajmeve të rreme gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 në SHBA". Duke folur për lajmet e rreme, ne ende nuk jemi në gjendje të njohim ata, të cilët i duan këto lajme apo kategoritë që ata zgjedhin t'i publikojnë, pra ata individë, të cilët ndërtojnë shpesh faqe interneti kryesisht me lajme të rreme. Ky lloj studimi, ofron informacione të reja për të dyja frontet. Janë tre akademikë, Andrew Guess, Brendan Nyhan dhe Jason Reifler, ata të cilët shqyrtuan dy burime të dhënash: i pari, i cili është bazuar në rezultatet e një studimi online të marrë nga një kampion kombëtar, përbërë nga 2,525 amerikanë dhe i dyti, i cili u bazua në të dhënat që u mblodhën prej trafikut të internetit të grumbulluara nga kompjuterët e tyre, në javët para dhe menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2016.

Studimi i tyre solli një grup detajesh mjaft interesante. P.sh., një në katër persona të rriturish, e vizitonin një faqe interneti me lajme të rreme, shumica ishin mbështetës të Donald Trump dhe kërkonin përmbajtje lajmesh pro-Trump. Rreth 15% e mbështetësve të Hillari Klintonit, lexonin të paktën një artikull nga një faqe interneti me lajme pro-Klinton. Interesante ishte se gjetjet sugjeronin që "konsumi i lajmeve të rreme duket të jetë një plotësim më shumë se një zëvendësim i një lajmi të besueshëm apo jo. Pra, leximi i këtyre lajmeve prej faqeve që përhapin fake news, nuk ndikon për të dhënë më shumë shpjegime për lajmet më të rëndësishme të ditës. Vizita, sipas studimit, në faqet e lajmeve të rreme janë më të lartat në mesin e njerëzve që konsumojnë lajme të rëndësishme të ditës dhe nuk zvogëlohen në mënyrë të matshme në mesin e individëve më të informuar politikisht. Po ndërkohë çfarë bëhet në lidhje me përpjekjet për kontrollimin e fakteve? A kanë arritur të shkojnë deri tek konsumatorët e lajmeve të rreme? Mbështetur në këtë studim, pohohet se kjo gjë nuk është mundur të arrihet ende.

Studimi i katërt: "Populizmi, gazetaria dhe kufijtë e refleksivitetit: rasti i Donald J. Trump". Akademikët dhe gazetarët kanë vlerësime të ndryshme për rolin që luajti media në mbërritjen e Donald Trumpit në presidencën amerikane. Ky punim ofron njohuri të rëndësishme dhe interesante në atë se si gazetarët vlerësojnë punën dhe gabimet e tyre për këtë çështje. Autorët shkruajnë se është e rrezikshme të pranosh se si gazetarët kanë kontributin e tyre parësor në suksesin e Trump. Michael McDevitt dhe Patrick Ferrucci janë profesorët, të cilët udhëhoqën një analizë tekstuale duke krahasuar diskursin e studiuesve dhe profesionistëve të lajmeve në ditët postzgjedhore të vitit 2016. Ata analizuan komentet e 86 akademikëve të cilët kontribuuan në një vëllim të titulluar: "Analiza zgjedhore në SHBA viti 2016: Media, votuesit dhe fushata elektorale", realizuar nga Universiteti Bournemouth në Mbretërinë e Bashkuar. Ata, gjithashtu, shqyrtuan 212 artikuj të botuar në gazetat kryesore të vendit, të cilat kishin diskutuar rolin e shtypit në zgjedhje.

Gazetarët dhe kolumnistët argumentuan se një mori faktorësh kontribuuan në suksesin e Trump, ndërkohë që akademikët në masë të madhe këtë sukses ia kredituan plotësisht mediave. Gjatë diskursit gazetaresk është pohuar se fitorja e Trump ndodhi për shkak të analfabetizmit mediatik të publikut; shumimit të mediave sociale, të cilat përhapnin lajmin e rremë dhe lejimin e flluskave të pafiltruara; dhe në fund dështimi i shtypit për të kuptuar thellësinë e zemërimit të votuesve. Studiuesit e shikonin ngritjen e Trump si të parashikueshëm, duke njohur anësitë politiko -historike të shtypit; keqkuptimet e gazetarëve mbi termin "publik" dhe "populizëm" si dhe kushte e skajshme ekonomike në të cilat bëhet sot gazetaria.

Studimi i pestë: Audienca e kuantifikuar në prodhimin e lajmeve: Një sintezë dhe axhendë kërkimore. Ky studim shqyrton se si fokusi në rritje i redaksive në thithjen e audiencës ka ndikuar në prodhimin e lajmeve. Rodrigo Zamith shqyrton ndikimet në pesë fusha kryesore duke përfshirë përmbajtjen e lajmeve, etikën në media dhe sjelljen e mirë në redaksi. Ai sugjeron se po hyjmë në një valë të tretë të racionalizimit të asaj çfarë publiku do, si një vazhdim i shtysave që kanë nisur që në vitet 1930 dhe 1970; përdorimi i metodave shkencore dhe inovacionet teknologjike janë ato që do mund të përcaktojnë më mirë preferencat dhe sjelljet e audiencës. Prof. Zamith, gjithashtu, ka ngritur ndër të tjera edhe shumë pyetje, të cilat studiuesit ende nuk i përgjigjen p.sh., gazetarët që mbështeten më shumë në analiza, a e shohin audiencën e tyre më pak apo më shumë inteligjente, pjesëmarrëse, racionale, të arsyeshme apo të zhytur në mendime? Të gjitha këto detaje analitike dhe shumë pikëpyetje sa i përket gazetarisë së sotme dhe se çfarë mund të mësojmë më shumë duke iu referuar bazave të saj në vitet '30-'70 janë pikërisht këto hulumtime anketore shkencore që do të mund të na elaborojnë më tepër njohuritë mbi këtë fushë. /GSH/

The post Të kontrollosh burimin: Studimet më interesante në median digjitale gjatë vitit 2018 appeared first on Telegrafi.

Samiti zhgënjyes Trump-Putin

Posted: 16 Jul 2018 11:39 PM PDT

Ministria e Jashtme ruse e ripostoi një tweet të Trumpit duke i vënë atij kësisoj vulën zyrtare të Kremlinit. Presidenti amerikan në postimin e tij akuzon SHBA-në e si rrjedhojë edhe vetveten, si përgjegjës për raportet e këqia me Rusinë, madje shkruan, kjo sepse SHBA ka vepruar “me budallallëk”. A është SHBA vet fajtore, që shërbimi sekret rus ka ndërhyrë me haker në autoritetet elektorale partiake dhe që presidenti rus ka pushtuar Krimenë? Kjo është thjesht qesharake, por edhe një veprim i paparë ndonjëherë në historinë e re amerikane. Me tezat e tij ai e ka diskualifikuar veten sërish.

Kështu nuk është sjellë asnjëherë ndonjë president. E një president nuk duhet të veprojë kështu. Pyetja është, se edhe sa kohë republikanët dhe mbështetësit e presidentit do të duan të vazhdojnë ta përballojnë këtë president të paaftë dhe të ҁoroditur në Shtëpinë e Bardhë? Trump belbëzon vazhdimisht fjali të përgjysmuara kundërthënëse. Disa prej tyre nga ditët e fundit: Herë NATO-ja i merr shpirtin SHBA-së, e herë tjetër ajo është si një festë e dashurisë. Herë BE-ja është armik, e herë Kina është armike, ose të dyja bashkë. Herë Britania e Madhe duhet të padisë BE-në për Brexit, herë kryeministrja May është mikja më e mirë. Pastaj Gjermania është si rob në duart e Putinit, por njëkohësisht Putini është një konkurrent korrekt.

Belbëzimi i tregtarit të imobiljeve të shndërruar nga yll televizioni në kryepopulist është e vështirë të durohet. Krahasuar me presidentin rus, Trump dukej i dobët, i pasigurtë, i papërgatitur. Gjithmonë kur Trump shkakton dëme në kampin e politikës së jashtme, ministrave të tij u duhet t’i rivendosin gjërat në vend dhe t’i përkthejnë sërish në politikë fjalët e marra të një presidenti që i lë pasdore faktet. Edhe sa kohë do të vazhdojnë ata ta ndjekin atë?

Putinit duket se i është vënë re një nënqeshje djallëzore gjatë paraqitjeve të tij me Trump në Helsinki. Atij i mjaftonte të rrinte i qetë, të shihte e të dëgjonte se si Trump e shpërbën rendin global botëror. Javët e fundit ai e e shpalli BE-në armik. Akuzat ndaj Putinit dhe Rusisë në SHBA mbeten në të kundërt pa asnjë efekt. A është përpjekur Putini, t’i influencojë zgjedhjet në SHBA më 2016, donte ai ta ngrinte Trumpin në post, a ka ai në dorë material dëshmie kundër klanit Trump? Nëse i mbledh të gjitha, mund të mendosh, se këtu diҁka mund të ketë, që e detyron Trumpin të sillet kështu pikërisht përballë autokratit rus.

Në Helsinki mund të thuash se më shumë ishte presidenti që takoi oficerin komandues. Egomani amator takon profesionistin e shkolluar të shërbimeve sekrete. E vetmja, që i bashkon të dy burrat, është se ata nuk e marrin aq seriozisht të vërtetën. Putin e ka bërë fare të qartë, që ai nuk synon të fitojë besimin, por do të realizojë interesat e veta. Natyrisht është mirë, që të dy burrat e pushtetshëm flasin me njeri-tjetrin. Por spektakli, që me sa duket dëshiron Trump nuk mjafton. Bota pret më shumë, këtë Trumpi e ka kuptuar në ato pak ҁaste të kthjellimit të tij. Pritshmëritë u zhgënjyen. E gjora Amerikë, që ka zgjedhur president këtë ekscentrik, të pakalkulueshëm dhe të rrezikshëm. Të shpresojmë që ai të mos shkaktojë edhe më shumë dëme. /DW/

The post Samiti zhgënjyes Trump-Putin appeared first on Telegrafi.

Subversioni rus në Greqi, alarm për Ballkanin

Posted: 16 Jul 2018 11:05 PM PDT

Njoftimi i autoriteteve zyrtare greke në 11 korrik se Greqia ka dëbuar dy diplomatë rusë dhe u ka ndaluar hyrjen në vend dy të tjerëve, përbën një ngjarje të rëndësishme jo vetëm për marrëdhëniet greko-ruse, por për krejt Ballkanin. Nga Greqia vjen një pamje dhe një dëshmi e re e veprimtarisë tradicionale ruse të ndërhyrjes në punët e brendshme të një shteti tjetër dhe e subversionit të vazhdueshëm për të vendosur influencën dhe kontrollin e jetës së vendit. Në 12 korrik zëvëndësministri i jashtëm grek, Georgos Katrougalos, e specifikoi se "Ne kemi reaguar ndaj asaj, që e konsiderojmë shkelje të detyrimeve ndaj ligjit ndërkombëtar, në mbrojtje të sovranitetit tonë".

Denoncimi zyrtar i veprimtarisë së shërbimit diplomatiko-sekret rus në Greqi duhet të rizgjojë disa alarme në institucionet e specializuara shtetërore të të gjitha vendeve ballkanike, përshirë edhe Shqipërinë. Sepse kur kjo veprimtari ndodh në Greqi, një shtet shumë i afërt me Rusinë, është lehtë të imagjinohet se çfarë po bëjnë shërbimet diplomatiko-sekrete ruse në shtetet tjera të Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë.

Përse duhet ngritur një alarm ballkanik nga ngjarja e re diplomatike greko-ruse?

Së pari, duhet thënë që Rusia zhvillon një veprimtari ndërhyrje dhe cënimi të sigurisë kombëtare në një shtet shumë mik, me një qeveri shumë mike të Rusisë. Greqia është antarja e NATO-s dhe e BE, që nuk u bashkua me afro 30 shtete të BE dhe të NATO-s, të cilët në muajin mars të këtij viti dëbuan diplomatë rusë. Greqia është shteti që nuk u bashkua me sanksionet e vendosura nga BE kundër Rusisë. Greqia nuk e ka dënuar asnjëherë aneksimin e Krimesë. Greqia i dha Rusisë hapësirën ajrore për kalimin e avionëve ushtarakë në ndërhyrjen ushtarake ruse në Siri. Kaq flagrante duhet të ketë qenë veprimtaria e shërbimit diplomatiko-sekret rus kundër interesave kombëtare greke, sa që Athina u detyrua t'i dëbojë diplomatët ruse.

Madje qeveria greke e kishte paralajmëruar Moskën për këtë veprimtari të paligjshme të diplomatëve rusë, por Moska, e cila përçmon miqësitë e shteteve të vogla, nuk e mori në konsideratë paralajmërimin. Iu duk habi kur iu dëbuan diplomatët spiunë dhe në datën 13 korrik MPJ ruse thirri ambasadorin e Greqisë në Moskë për t'i shprehur protestën dhe për të lëshuar akuzën absurde se "Uashingtoni qendron prapa këtij vendimi antirus të qeverisë greke". Në datën 12 korrik, siç njoftonte portali i njohur rus "lenta.ru", MPJ ruse bëri të ditur anullimin e vizitës së ministrit të jashtëm rus në Athinë.

Së dyti, Rusia zhvillon një veprimtari të ndërhyrjes në një shtet të vjetër anëtar të NATO-s dhe të BE. Kjo do të thotë që anëtarësimi në NATO dhe në BE nuk sjell ndërprerje automatike të ndërhyrjes ruse. Kjo do të thotë që të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit, anëtarë të rij të NATO-s dhe të BE, janë objekt i veprimtarisë së gjithanëshme ruse për influencë. Me metodën e karambolit diplomatiko-subversiv në Greqi, Moska synonte të sabotonte hyrjen e Maqedonisë në NATO, por këtë metodë pritet ta bëjë me çdo shtet tjetër të rajonit, që aspiron për në NATO.

Së treti, Rusia ka ndërhyrë hapur në procese të jetës së brendshme politike greke. Ajo ka ndërhyrë në përplasjen aktuale të skenës politike greke midis qeverisë dhe opozitës lidhur me marrëveshjen me Maqedoninë për emrin. Interesi strategjik i Rusisë është që Maqedonia të mos hyjë në NATO dhe kjo arrihet duke mbajtur gjallë pengesën e deritanishme greke të emrit. Në funksion të këtij qëllimi Moska mobilizoi në një fushatë urgjente shërbimet e saj diplomatiko-sekrete për të sabotuar marrëveshjen e Athinës me Shkupin për emrin.

Moska financoi, organizoi, përkrahu dhe sponsorizoi të gjitha forcat politike proruse dhe manifestimet e protestës në Greqi kundër marrëveshjes me Maqedoninë. Shërbimi diplomatiko-sekret rus ndërhyri direkt tek deputetët e parlamentit grek, duke i shantazhuar dhe duke u përpjekur t'i korruptojë me para, që të votonin kundër marrëveshjes për emrin. Kemi metodën ruse të ndërhyrjes tek deputetët edhe në shtetet e tjera të Ballkanit për të ndikuar në miratimin apo refuzimin e ligjeve sipas interesave ruse. Portali "intelnews.org" shkruante në 12 korrik se "disa raporte thonë që rusët janë kapur ndërsa përpiqeshin të shantazhonin deputetët grekë kundër zgjerimit të NATO-s. Diplomatët rusë janë përpjekur të bindnin deputetët grekë përmes kërcënimit dhe ryshfeteve, ose të të dyjave bashkë, që të votonin kundër marrëveshjes me Maqedoninë".

Së katërti, tërheq vëmendjen veprimtaria e shërbimit dplomatiko-sekret rus për të kontrolluar dhe për të përdorur kishën ortodokse greke për qëllimet ruse. Burime zyrtare greke kanë deklaruar me këtë rast se diplomatët rusë jo vetëm mobilizuan rrjetin e tyre në strukturat kishtare në gjithë qytetet dhe komunat, por ata qenë dhe organizatorë të manifestimeve të protestës, të thirrura nga kisha ortodokse greke kundër marrëveshjes për emrin. "Kathimerini" theksonte në 11 korrik se "Shoqata Imperiale Ortodokse Palestineze", e krijuar dhe drejtuar nga Rusia në Greqi, është një nga grupet fetare, që përpiqet të nxisë influencën ruse në Greqi, përfshirë edhe komunitetin ortodoks grek të Malit Atos.

Gazeta "Njujork Tajms" shkruante se kjo shoqatë ruse "dyshohet se është kanali i influencës ruse në Greqi, sidomos në Malin Atos". Sipas mediave greke, edhe qendrimi zyrtar i manastireve të Malit Afon, që u shpall në fund të qershorit kundër marrëveshjes për emrin dhe kundër qeverise greke, lidhet me nxitjen ruse. Strategjia e veprimtarisë subversive ruse për përdorimin e kishës ortodokse për qëllimet e politikës së jashtme ruse, që u zbatua brutalisht në Greqi, haset në të gjitha shtetet e tjera të rajonit, ku kisha ruse po mobilizon lidhjet me kishat ortodokse për t'i aktivizuar ato në shërbim të interesave të Rusisë në Ballkan.

Së pesti, shërbimet diplomatiko-sekrete ruse u investuan dhe financuan shumë në fushën mediatike dhe në rrjetet sociale greke për të mobilizuar opinionin kundër marrëveshjes për emrin me Maqedoninë. Fryrja e emocioneve nacionaliste dhe megallomane në mediat dhe rrjetet sociale greke ishte një megaoperacion i organizuar nga shërbimet ruse për të ngritur opinionin kundër marrëveshjes për emrin.

Flagranca dhe metodat aktuale të ndërhyrjes së shërbimit diplomatiko-sekret rus në Greqi përbëjnë një alarm të ri për intensifikimin dhe shtrirjen e veprimtarisë së Rusisë në rajon. Është një alarm, që duhet t'u hapë sytë të gjitha shteteve të rajonit se rrymat e nëndheshme ruse po shkojnë drejt baticës së tyre dhe po e bëjnë më të brishtë situatën gjeopolitike të rajonit. Shqipëria, jo vetëm nuk është jashtë rrezes së kësaj veprimtarie, por është ndër objektivat preferenciale të strategjisë së Moskës për ndikim në dinamikën politike dhe për përhapjen e qendrimeve antishqiptare dhe antiatlantike, të cilat jo rastësisht po inondojnë forcat politike, mediat, rrjetet sociale, akademike dhe të quajturën shoqëri civile shqiptare. Idiotët e dobishëm të Rusisë në Tiranë, nga politika e deri tek mediat, jo vetëm po shtohen, por po guxojnë të dalin çdo ditë e më hapur. /BW/

The post Subversioni rus në Greqi, alarm për Ballkanin appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more