Skip to main content

“Samiti i Londrës, një takim grotesk” plus 4 more Telegrafi Opinione

“Samiti i Londrës, një takim grotesk” plus 4 more Telegrafi Opinione


Samiti i Londrës, një takim grotesk

Posted: 11 Jul 2018 09:39 AM PDT

Adelheid Feilcke

I zhvilluar në mes të krizës qeveritare britanike, takimi i nivelit të lartë të Ballkanit Perëndimor në Londër dha pak impulse për procesin e bashkëpunimit rajonal dhe perspektivën për t’u pranuar në Bashkimin Evropian.

Takimi ishte grotesk. Në hapjen e samitit për Ballkanin Perëndimor në lindje të Londrës mungonte ai që priste miqtë. Boris Johnson nuk arriti të vinte. Ministri i Jashtëm britanik ishte disa kilometra më tutje i zënë me shkrimin e dorëheqjes së tij. Dorëheqja e Johnsonit e vendosi në hije takimin aq të rëndësishëm për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe nxorri në plan të parë Brexitin. Në vend të freskisë së pranimeve të reja në BE, takimi u sundua nga ajri i prishur i daljes nga BE. Si mund t'i prezantojë në mënyrë të besueshme një vend virtytet e Klubit evropian, prej të cilit ai vetë është duke u larguar?

Britania e Madhe po largohet nga BE, por nuk do të shkëputet nga përgjegjësia që ka për Ballkanin, u mundua të thoshte kryeministrja britanike Theresa May. Ky pohim u shoqërua me premtime financiare: Mbas Brexitit Londra do të rrisë ndihmat financiare për vitet 2020 /2021 me 95 përqind duke dhënë 80 milionë pfund".

Me këto do të përkrahen projektet në rajon. Ka shumë punë për të bërë- administrata publike dhe drejtësia duhen reformuar, projektet ekonomike duhen vënë në vijë. Theresa May: “Në afat të gjatë mirëqënia është garancia më e mirë për sigurinë ". Me këtë fjali ajo kaloi në temën që i intereson më shumë.

Mbasi foli në takimet e mëparshme kryesisht për bashkëpunimin rajonal, këmbimin mes të rinjve dhe konektivitetin, Britania e Madhe e vendosi çështjen e sigurisë në qendër të bashkëpunimit: Në të ardhmen Bashkimi Evropian do të punojë ngushtë në këtë fushë me gjashtë vendet e perëndimit të Ballkanit. Synimi është pengimi i migracionit ilegal, radikalizimit dhe tregëtisë së armëve.

Ison e mori kancelarja gjermane, Angela Merkel duke thënë se "Siguria e Ballkanit Perëndimor është në interes të Gjermanisë dhe BE-së". Tema e sigurisë është me sa duket emëruesi i vetëm i përbashkët, për gjithë pjesëmarrësit në të ashtuquajturin Procesi i Berlinit. Ballkani perëndimor duhet të ndihmojë në sigurimin e kufijve të BE-së në kuadër të Frontex-it, po ashtu si në luftën kundër terrorizmit dhe kriminalitetit të organizuar me ndihmën e Europolit.

Në kohërat kur diskutimet në BE sundohen prej frikërave për migracionin dhe humbjen e kontrollit, afrimi i Ballkanit me BE mund të prezantohet tek populli votues, i lodhur prej zgjerimit, më së miri nëpërmjet kësaj teme.

Por jo vetëm brenda për brenda. Edhe tek vetë vendet që duan të pranohen, BE mbetet në akt balancimi. Shtetet e Ballkanit Perëndimor duhen mbajtur në vazhdë megjithëse është e qartë për të gjithë, se pranimi konkret në BE kërkon shumë sforcime. BE duhet ta forcojë ndikimin e vet në rajon me projekte të dukshme dhe konkrete. Sepse lojtarë të tjerë globalë ndodhen tek dera: Rusia, Kina, madje Turqia e kanë rritur prezencën e tyre në mënyrë të ndjeshme.

Prandaj kohët e fundit BE rriti presionin për zgjidhjen e konflikteve të vjetra: Marrëveshja midis Maqedonisë dhe Greqisë me të cilën u zgjidh grindja dhjetravjeçare për emrin, u arrit me ndërmjetësimin e BE dhe duhet të shërbejë si model për gjithë konfliktet bilaterale.

"Ne nxorrëm mësime nga shembulli i Kroacisë. Në të ardhmen asnjë vend nuk do të hyjë në BE, pa zgjidhur më parë problemet bilaterale", tha Komisari për Zgjerimin Johannes Hahn, një një intervistë për DW. Që në mes të 2019 do të fillojnë bisedimet me Maqedoninë dhe Shqipërinë. Serbia dhe Mali i Zi janë duke i bërë bisedimet me zell dhe janë vendet më premtuese për pranim në BE, megjithë konfliktin e pazgjidhur me Kosovën.

Por lajmet e mira në procesin e pranimit shuhen rrugës për tek publiku i BE-së për shkak të frikërave për rreziqet e mundshme që vijnë nga vendet e Ballkanit. Një aspekt i rëndësishëm këtu është largimi i vazhdueshëm nga vendi, sidomos të rinjve. Perspektiva të këqija ekonomike, pak besim tek politika janë shkaqet më të rëndësishme pse rinia largohet nga vendi i vet. “Rinia nuk është e bindur ende se ka të ardhme në vendin e vet, prandaj ne duhet të bëjmë të pamundurën në mënyrë që ata që kanë ikur të kthehen atje dhe të gjejnë vendin e tyre, dhe të qëndrojnë aty, sepse kanë të ardhme”, tha kancelarja Merkel në konferencën e shtypit të mbajtur në fundit të samitit.

Një postulat i bukur! Por çfarë u diskutua në këtë takim për këtë gjë dhe çfarë vendimesh u morrën, mbetet ende të shihet. Sepse komunikimi me shtypin, që kishte ardhur në numër të konsiderueshëm nga vendet e Ballkanit Perëndimor, arriti nivelin më të ulët të mundshëm në samitin e Londrës: Në konferencën e shtypit me Merkelin May-in dhe kryeministri polak Morawiecki, i cili do e zhvillojë këtë takim vitin tjetër në vendin e vet, nuk u lejua të bëhej asnjë pyetje për Ballkanin Perëndimor. Dhe asnjë pyetje nga një gazetar prej Ballkanit Perëndimor. Komunikimi i barabartë sy më sy nuk duket kështu! Turp, thanë edhe gazetarët britanikë. Ndërsa për Brexitin mund të bëheshin pyetje!

The post Samiti i Londrës, një takim grotesk appeared first on Telegrafi.

Imitimi i zbehtë i kërkesave politike

Posted: 11 Jul 2018 07:46 AM PDT

Në Luginë të Preshevës, këtyre ditëve, skena politike shqiptare ka intensifikuar veprimet në kërkim të gjetjes së një deriçke të vogël për ta çuar çështjen "Lugina", në bisedimet shqiptaro-serbe të Brukseli.
Ndonëse qëndrimet Prishtinë-Beograd janë të qarta e të prera se Lugina nuk është në agjendë, slogani "Lugina do zgjidhje" po troket në çdo segment të jetës shoqëroro-politike, duke nxitur liderët politikë dhe institucionalë të mbledhin këshilltarët komunalë, të paktën për të nxjerr një deklaratë politike në prag të këtij dialogu historik.

Një nga kërkesat e kësaj deklarate politike të këshilltarëve shqiptarë do të ishte bashkimi i Luginës së Preshevës-Kosovës, nëse veriu i saj i bashkohet Serbisë. Po, pse jo edhe kërkesa tjetër e kësaj natyre, që grupi negociator kosovar të ketë mandatin e plotë për të biseduar edhe për çështjen Lugina edhe pa praninë e përfaqësuesve legjitimë të kësaj ane.

Kjo nuk është diçka e re për skenën politike shqiptare të Luginës së Preshevës. Si duket ajo është mësuar me përsëritjen e këtyre kërkesave, duke filluar nga Referendumi i 1 dhe 2 marsit 1992, me deklarimin politik "Autonomi politiko-territoriale, me të drejtë bashkimi Kosovës" nëse prishen kufijtë e ish-Jugosllavisë.

Po, ngjashëm përsëritet kërkesa edhe në Platformën politike të këshilltarëve shqiptarë të 14 janarit 2006, dy vjet para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, me dispozitën e përgjithshme: "Duke rikonfirmuar vullnetin e popullatës të shprehur në Referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, për definimin e Luginës së Preshevës si rajon të posaçëm politik, territorial dhe kushtetues, këshilltarët, në përkrahje të parimeve të Grupit të Kontaktit lidhur me statusin e Kosovës, obligohen që, në rast të mosrespektimit të këtyre parimeve dhe ndryshimit eventual të kufijve të saj, do të angazhohen për bashkëngjitje të Luginës së Preshevës me Kosovën".

Jo më larg se para tre vjetësh, pikërisht më 12 shtator të vitit 2015, liderët shqiptarë të Luginës së Preshevës, në një mbledhje të përbashkët të këshilltarëve shqiptarë të tri komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, themeluan Asociacionin e Komunave me shumicë shqiptare, i cili do të jetë identik me Asociacionin e Komunave me shumicë serb në Kosovë. Që atëherë liderët e Luginës thanë se Asociacioni po formohet në shenjë reciprociteti me Asociacionin e Komunave serbe në Kosovë.

Edhe nga seanca e përbashkët e këshilltarëve komunalë shqiptarë, do të përsëritet kërkesa e reciprocitetit, se çka do të fitojnë serbët e Kosovës, duhet të fitojnë edhe ata të Luginës së Preshevës. Duke ndjekur hapat e serbëve të veriut të Kosovës, në kërkim të reciprocitet, Lugina ka mbetur e vogël e varfër dhe pa dinjitet.

Me "çka" dhe "nëse", vazhdojnë konsultimet partiake në Luginë të Preshevës, prej vitesh, duke mos përjashtuar edhe kontaktet këshilldhënëse me lidershipin shqiptar nga Tirana dhe Prishtina, të cilët si duket i kanë pasivizuar me udhëzimet: "Rrini urtë!"; "Nuk jeni në rend!"…

Marrëveshja paqësore e Konçulit (2001) dhe lufta çlirimtare e saj, ndonëse nxorën në sipërfaqe problemin e Luginës së Preshevës, po nuk arritën t'i zgjidhin problemet jetike të këtij rajoni. Lëre që nuk u arrit një zgjidhje për Luginën, por edhe më shumë u shtuan problemet se edhe ua tejkaluan atyre të periudhës së miloshevqit.

Pse, mos u pyetën shqiptarët e Luginës së Preshevës, kur u ndanë padrejtësisht nga Kosova, në vitin 1945; apo gjatë vitit 1974 të përfshihet në Kushtetutën e Kosovës? Pastaj nuk u gjet as në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, më 7 shtator 1990, si dhe nuk u përfshi në Referendumin 26 e 30 shtatorit 1991 për Republikën e pavarur të Kosovës! Kuptohet, të gjitha këto mos përfshirje të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në këto proceseve vendimtare të Kosovës u bënë për motive politike për të ruajtur paqen në Ballkan dhe Evropë, prandaj nuk është e çuditshme që edhe në këto bisedime të Brukselit çështja e Luginës, të ngelet në periferi.

Rajoni i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës paraqet tërësinë tokësore gjeografike dhe gjeopolitike me Kosovën, buron nga e dhëna arkivore se ky rajon ka qenë gjithmonë pjesë e pandarë e Vilajetit të Kosovës. Pas Kongresit të Berlinit, më 1878, kufiri midis Vilajetit të Kosovës dhe Serbisë kalonte nëpër Ristoc, përgjatë Bujanocit dhe Vrajës. Para dhe gjatë 1878, rajoni i Preshevës dhe Bujanocit me rrethinë njiheshin si qendër e administratës otomane. Pas vitit 1918 këto dy komuna ngelin si qendra rrethi në Zhupën e Shkupit. Më 1945, kur mbaroi Lufta e dytë Botërore, popullata shqiptare e këtyre komunave e përjetoi edhe një ndarje tragjike. Këto komuna arbitrarisht u shkëputën nga Kosova për të mbetur si qendra rrethi ose komunash në kuadër të Serbisë .

Krejt në fund, të kujtojmë se pavarësisht nga kufijtë politikë administrativë, popullata shqiptare, fal gjeturisë dhe patriotizmit, arriti ta ruajë së pari bërthamën njerëzore, traditën, zakonet e mbi të gjitha dinjitetin kombëtar. Këta kufij politikë nuk arritën ta ndërprenë lidhjen fizike dhe shpirtërore të kësaj pjese të cunguar të Atdheut me zonat e Karadakut dhe Gollokut që shtrihen në Kosovë dhe Maqedoni. Lidhjet jetësore midis shqiptarëve të kësaj ane me vëllezërit e tyre në Kosovë edhe sot ruhen dhe begatohen me devotshmëri, pavarësisht nga ndarjet me kufij politikë.

The post Imitimi i zbehtë i kërkesave politike appeared first on Telegrafi.

Institucioni i fetvasë dhe muftiu (III)

Posted: 10 Jul 2018 10:34 AM PDT

Rreth institucionit të myftiut e sidomos ixhtihadit që është "shah-damari" i frymës së fesë islame dhe për nevojën e madhe për themelimin e Departamentit të Fetvasë pranë Bashkësisë Islame.

Institucioni i fetvasë dhe muftiu (I) Institucioni i fetvasë dhe muftiu (I)
Institucioni i fetvasë dhe muftiu (II) Institucioni i fetvasë dhe muftiu (II)

"Mustafti" është personi që pyet për një fetva, "mufti" është personi që përgjigjet me fetva, ndërsa procesi i nxjerrjes së një fetvaje quhet "el-ifta". Muftiu, pra, është personi i cili shpjegon dhe interpreton ligjin islam (sheriati dhe fikhu). Ai është juristi islam i kualifikuar për të dhënë mendime ligjore autoritare. Sipas përgjegjësive që ka, muftiu është trashëgimtar i pejgamberit a.s. Është personi që nënshkruan në emër të Allahut, edhe pse, siç dihet, është njeri sikur gjithë njerëzit dhe mund të gabojë.

Muftiu duhet të zotërojë Fikhun dhe Usuli Fikhun. Duhet të jetë i sinqertë, i sjellshëm dhe dinjitoz. Muftiu duhet të njeh edhe gjuhën arabe, duhet të njeh tefsirin e Kur'anit, sunnetin e pejgamberit, të njeh rregullat e Ixhmait dhe mënyrën e nxjerrjes së ligjeve të sheriatit. Për muftiun është e preferueshme t'i dijë mospajtimet e medh'hebeve në çështjet kyçe të së drejtës islame.

Dijetarët islamë mendojnë se myftiu, përveç që duhet të jetë i devotshëm, duhet të jetë edhe qëllimmirë dhe i çiltër. Thënë shkurt, fjala "mufti" është ekuivalenti i fjalëve "muxhtehid" dhe "fakih".

Sipas Imam Malik ibn Enesit, një person nuk mund të jetë mufti përderisa dijetarët e atij vendi nuk e njohin për dijetar në lëmin e Fikhut dhe Usuli Fikhut. Për më tepër, mufti nuk mund të jetë njeriu që ndikohet nga njerëzit, që ngazëllehet nga postet e as ai i cili thyen rregulloret e punës ku punon.

Ixhtihadi është veprimtari edhe e myftiut. Dhe, teksa po flasim për qëndrimin e muftiut në dhënien e fetvasë, ka raste kur ai obligohet ta bëjë ixhtihad, por ka raste tjera kur atij i ndalohet të bëjë ixhtihad. I pari pasqyron momentin kur myftiu pyetet për një çështje të cilën nuk e shpjegon në mënyrë direkte ndonjë ajet apo hadith, ndërsa rasti i dytë ka të bëjë me momentin kur në pyetje përfshihet ndonjë ajet apo hadith që ka të bëjë direkt me çështjen. Gjithashtu, muftiu e ka për obligim të bëjë ixhtihad atëherë kur pyetja ndërlidhet me dinamikat dhe nevojat e kohës. Në këto momente është mase e rëndësishme të kuptohet pyetje në detaje, të dihet mirë qëllimi i musteftisë dhe të jetë përgjigja sa më e thukët. Assesi nuk lejohet të jepen fetva paushalle.
Megjithatë, muftiu jo gjithmonë është i obligueshëm t'i përgjigjet musteftiut. Fukahatë (juristët islamë) këtë e arsyetojnë me nevojën e ruajtjes së autoritetit të muftiut dhe me idenë për parandalimin e shpërdorimit të mundshëm të fetvasë. Kështu, muftiu nuk obligohet t'i përgjigjet pyetjeve që nuk kanë të bëjnë me çështje fetare, por kanë të bëjnë, ta zëmë, me çështje politike që janë jashtë domenit të tij autoritativ. Ai ka të drejtë të abstenoj në përgjigje edhe ndaj pyetjeve për çështje dytësore, apo, kur pyetët vetëm sa për tu pyetur. Sipas kësaj që thamë më lartë, dhënia e fetvasë është ose e detyrueshme, ose e ndaluar, ose e rekomanduar, ose e privuar, e ose e lejuar.

1. Dhënia e fetvasë është obligim individual (farz ajn) i dijetarëve myslimanë atëherë kur në një vend ku nuk ka mufti. E, nëse ka një apo më shumë se një, dhënia e fetvasë është obligim kolektiv (farz kifaje). Pra, nëse njëri prej muftive e jep fetvanë, të tjerët lirohen nga obligimi.

2. Dhënia e fetvasë është e ndaluar (haram) atëherë kur personi që jep fetva është i pa ditur, jokompetent, i paautorizuar, apo nëse nuk e njeh problemin. Gjithashtu është haram është t'i përgjigjemi njeriut i cili me qëllim keqpërdorë fetvanë e jo që dëshiron t'i mësojë dispozitat e fesë islame.

3. Dhënia e fetvasë është traditë e mirë (mendub) atëherë kur pyetet për një çështje që nuk ka ndodhur por që mund të ndodh. Në lidhje me këtë, dijetarët myslimanë bëjnë dallimin mes fetvasë hipotetike për një çështje që s'ka shans të ndodhë, dhe fetvasë hipotetike për diçka që ka shans të ndodhë.

4. Është e urryer (mekruh) fetvaja e cila i shtrembëron gjërat. Nuk lejohet dhënia e fetvasë as në rast presioni nga jashtë, në rast joshjeje me pozitë apo me vlera materiale, nën presionin e urisë, etjes, apo çka do qoftë tjetër që mund të ndikojë në objektivitetin e atij që jep fetvanë.

5. Në të gjitha rastet tjera, dhënia e fetvasë është e lejuar (halal-mubah).

Sipas shkencës së Usuli Fikhut, e lejueshmja është baza e sheriatit islam. Domethënë, në parim, të gjitha veprat bien në kategorinë e të lejuarave. Lejueshmëria e tyre pushon atëherë kur bien ndesh me dispozitat islame që i përcaktojnë parametrat e lejueshmërisë.

Personat kompetentë për lëshimin dhe verifikimin e fetvave janë muftiu dhe muxhtehidi. Kompetenca këtu është përdorur në kuptim të autoritetit, autorizimit dhe diturisë. Thamë, muftiu është personi profesional që merret me argumentimet sheriatike dhe është ekspert i ligjeve të shpallura nga Allahu i Madhërishëm. Për dallim nga muftiu, muxhtehidi është ekspert i çështjeve të fikhut që bazohet në burimet e sheriatit dhe i shtjellon ato. Muftiu dhe muxhtehidi mund të jenë edhe i njëjti person. Ata dallojnë në kompetenca. Kështu, përderisa muftiu ka të drejtë ligjore dhe është i thirrur të merret sidomos me dhënien e fetvasë, rrjedhimisht, përderisa muftiu obligohet të respektojë hierarkinë ligjore në lëshimin e fetvasë, muxhtehidi jo detyrimisht duhet të pasojë ixhtihadin e një muxhtehidi tjetër.

Më qartë; muxhtehidi është dijetari i cili ka aftësinë dhe përgatitjen profesionale në hulumtimin dhe interpretimin e burimeve të sheriatit, ndërsa muftiu është personi autoritar kompetent që sjellë apo derogon një fetva. Muxhtehidi as nuk autorizohet e as ka nevojë për kompetenca. Përderisa muftiu ka të drejtë ta hedh poshtë fetvanë e muxhtehidit, muxhtehidi nuk ka të drejtë ta refuzojë apo derogojë fetvanë e myftiut. Përderisa muftiu krahason ixhtihadet e muxhtehidëve tjerë dhe ka të drejtë të përzgjedh më të përshtatshmen për kohën, muxhtehidi vetë hulumton rrugët e argumentimeve që qojnë deri tek një përfundim. Edhe më shkurt; puna e muftiut është fetvaja, ndërsa puna e muxhtehidit është ixhtihadi. Armiku i fetvasë së muftiut është fetvaja e paautorizuar, ndërsa armiku i ixhtihadit është "taklidi" (imitimi qorrazi).

Ixhtihadi si përpjekje e një dijetari apo grupi dijetarësh për të nxjerrë përfundimin më të përshtatshëm rreth një dispozite islame, ai, në Islam është ekuivalent me ligjin e progresit dhe evolucionit në shkencë. Nga perspektiva e synimit të tyre, që të dyja kanë një pikë e përbashkët; perfeksionimin. Edhe pse megjithatë ekziston një dallim i vogël mes tyre, pra, që teoria e evolucionit (sipas Darvinit dhe të tjerëve, përveç Rusoit), perfeksionimin e sheh në largimin prej burimit, pra, prej formave të më hershme, ixhtihadi perfeksionimin e gjen sa më afër burimit. Pra, përqendrim në burim dhe reflektim i atij përqendrimi gjithandej në jetë.

A priori, sipas ixhtihadit islam, çdo gjë në natyrë është në proces dhe vazhdimisht ndryshon. Përgjatë procesit të ndryshimit të gjërave, në mënyrë konsekuente ndryshojnë në raportet mes tyre. Me ndryshimin e raporteve, ndryshojnë edhe normat që i rregullojnë ato raporte. Dhe, meqë ndryshimeve shumë herë u paraprijnë edhe kushtet ekonomike, hapësirat gjeografike, mënyra e jetesës, mbase edhe kushtet klimatike, atëherë, është e natyrshme të ndryshojnë edhe ligjet që i rregullojnë normat dhe raportet mes tyre.

Imam Maliku diku e përmend "të rejën" dhe "të vjetrën" në kuptim të nevojës së qasjeve të reja ndaj ndryshime sidomos në rrjedhat sociale. Kështu, dijetari i cili është formësuar në një ambient apo në një shtrirje gjeografike të caktuar, dallon nga një tjetër që jeton diku tjetër. Qëndrimet e një dijetari që jeton në jugun e nxehtë, s'do mend se dallojnë nga tjetri që jeton, ta zëmë, në veriun e ftohet. Një dijetar i cili jeton në një ambient relativisht injorant dhe të pashkolluar, flet ndryshe nga ai tjetri i cili vepron në rreth më të ngritur intelektual. Kushtet në të cilat ka vepruar një jurist-muxhtehid në Irak, nuk ishin të njëjta me ato që ishin në Egjipt. Është krejtësisht normale që ambienti ku u zhvillua Ebu Hanife të ketë ndikuar në vizionin e tij edhe racionalist ndaj çështjeve të jetës, përkundër imamëve tjerë që jetuan nëpër vende tjera të botës islame.

Në Irakun e Ebu Hanifes mësimet e Aristotelit dhe të Platonit ishin përkthyer dhe po shpjegoheshin gjithandej. Ato mësime që po gjenin shtrirje ditë e më shumë, në fakt, po lëkundnin në themel, mbase, edhe traditën shekullore. Fuqia e ndikimit të "urtësisë", siç e quanin myslimanët filozofinë greke, kishte depërtuar thuajse në të gjitha segmentet e jetës intelektuale të myslimanëve. Këtë fat apo pafatësi nuk e patën as imam Maliku e as imam Ibn Hambeli të cilët ende nuk ishin ballafaquar me "shigjetat" e racionalizmit të filozofisë greke?

Mos të harrojmë. Principet e Islamit janë në harmoni të plotë me ligjet e natyrës dhe të shoqërisë. Ato ligje Kur'ani i quan "sunnetullah". Prandaj, është e pamundur që Islami ta mohojë peshën dhe rolin e faktorëve kohë dhe hapësirë që ndikojnë posaçërisht në rrjedhat sociale. Këta faktorë ndikojnë shumë në formimin e personalitetit të njeriut. Së këndejmi, mund të themi, këta faktorë janë kryesorët që shtrijnë dhe vizatojnë dallueshmëritë mes njerëzve, popujve dhe hapësirave të ndryshme gjeografike. As dijetarët më të mëdhenj nuk kanë mundur t'i shpëtojnë ndikimeve të rretheve ku janë zhvilluar.

Këtu edhe qëndron arsyeja pse unë vazhdimisht kam shkruar se duhen qasje dhe interpretime të reja që përkojnë me kohën, me dinamikat e saj, pra, edhe me gjeografinë ku jetojnë shqiptarët. Këtu edhe qëndron arseja e domosdoshme që ta kuptojmë drejtë dhe seriozisht hadithin e Muhamedit a.s. "Allahu dërgon në fillim të çdo shekulli njerëz të cilët ripërtërijnë Islamin". E, ripërtërija e Islamit, sipas këtij hadithi është pastrimi i Islamit nga besëtytnitë, nga keqpërdorimet, nga keqinterpretimet, nga shndërrimi i tij në profesion, e sidomos nga pluhuri i kohëve që e mbulon për shkak të largimit të myslimanëve nga burimet e tij.

Se sa peshë ka ixhtihadi në Islam, sa të kujdesshëm duhet të jemi në prononcimet tona rreth një çështje të caktuar, e sidomos çfarë lidhje ka ia me institucionin e fetvasë, dua të përmendi këtu fjalën e Imam Malik Ibn Enes i cili ka thënë: "Unë nuk kam lëshuar fetva e as kam transmetuar hadithe derisa nuk i kam konsultuar 70 dijetarët më të njohur të kohës sime". Edhe Ebu Hanife konsultohej me studentët më të aftë, me dijetarë të ndryshëm të kohës dhe vetëm pas kësaj lëshonte fetvatë. Ky dijetar-mufti par-exelence është i pari që legjitimoi "darul ifta", departamenti e fetvasë. Ebu Hanifja është muftiu i cili vuri në praktikë metodën më të sofistikuar në nxjerrjen e fetvave, e ajo është sintetizimi i qëndrimeve akademike të shtrimit të problemeve dhe bërjes ixhtihad rreth tyre. Vetëm pasi ndjente se janë shtjerrë mundësitë dhe burimet, Ebu Hanife vinte në përfundime dhe kumtonte fetvanë.

Nëse shikojmë me kujdes në përmbajtjen dhe ndërlidhjen e ajeteve të Kur'anit, do të vërejmë se, me gjithë që Kur'ani në një vend thotë se "s'ka asgjë të njomë e as të thatë që nuk është e përmendur në Kur'an", ai, më tepër është libër formulash jete, se sa lëshohet në detaje të panumërta. Formulat e tij prekin të gjitha segmentet e jetës së njeriut. Pra, Kur'ani jo gjithherë i specifikon gjërat. Nuk i specifikon sidomos ato që kanë të bëjnë me jetën sociale të njeriut. Këto çështje Kur'ani i ka lënë në dorën e njerëzve që ata të vendosin sipas nevojave dhe dinamikave të kohës kur jetojnë.

As ngjarjet historike në Kur'an nuk janë të specifikuara me data e me emra siç bëjnë librat tjerë të historisë. Historia në Kur'an është mësim si t'i përballojmë dhe si t'i tejkalojmë situatat e ndryshme që na paraqiten në jetën tonë. Ato janë mesazhe nga ngjarje të vërteta por që përdorin stilin alegorik dhe të simbolikës shkencore. Islami në fakt, nuk ka specifikuar as sasinë e dhënies së zekatit e as vetëm kujt ti jepet. Ka edhe shumë çështje të tjera të cilat Islami i ka lënë në dorën e njerëzve që ata lirshëm të vendosin sipas nevojave të tyre. Kështu, edhe sasinë e zekatit dhe të sadakatu'l-fitrit e ka lënë në dorën tonë që ne të vendosim. Krejt çka ka bërë Kur'ani është caktimi i tetë kategori të cilëve u takon zekati. E, se cilës nga këto kategori duhet t'ua japim me prioritet, është lënë në dorën e vetë njeriut.

Duke ditur se kështu ka vepruar Kur'ani, kështu i ka lënë njerëzit e lirë të vendosin për fatet e tyre, natyrisht, brenda suazave të Shpalljes, ne, marrim guximin ta konsiderojmë Ebu Hanifen njërën prej kokave më gjeniale që e pati historia islame. Inovacioni i Ebu Hanifes në leximin përmbajtjesor të ajeteve të Kur'anit dhe të mes-rreshtave të haditheve të pejgamberit a.s., qesin në pah gjenialitetin e tij të vërtetë. Ai është njeriu që vuri në praktikë metodologjinë islame të punës në grupe. Ai është dijetari islam që u koncentrua sidomos në fetvatë me interes të përgjithshëm dhe afatgjatë. Ai, sikur Omeri r.a. para tij, dinte të bënte dallimin mes një qëndrimi të ngurtë pas së cilit fshiheshin dijetarët përtacë, dhe qëndrimit të një ideologu, strategu që sheh edhe matanë kodrave të jetës. Fetvatë me karaktere të thella sociale, që ndikojnë në përmirësimin e jetës së njerëzve dhe të shoqërive, në raportet mes tyre dhe në mirëqenien e gjithanshme, janë fetvatë që frymojnë gjenialitetin e Omerit dhe të Ebu Hanifes. Ato burojnë nga logjika e shëndoshë e të bërit ixhtihad dhe e sintetizimit të tij me interesin e përgjithshëm.

Pra, kur po flasim për këtë lloj të fetvasë, për fetvanë me refleksione sociale që ndihmon rregullimin e jetës së njerëzve dhe të institucioneve të tyre, s'do mend se duhet përmendur atë që ishte vënë në praktikë kohë më parë në Kosovë. Fjala është për caktimin e destinacionit të dhënies së zekatit dhe sadakatul fitirit.

Në vitin 1962 në Kosovë për herë të parë fillon tubimi i zekatit dhe sadakatul fitrit për medrese. Deri në këtë kohë, besimtarët ishin të lirë ta japin zekatin ku të dëshironin. Jetish ef. Bajrami është ideatori i parë i tubimit të zekatit dhe sadakatul fitit për institucionet arsimore fetare. Ai, duke përdorur të drejtën e ixhtihadit në vlerësimin e tetë kategorive që u takon zekati, dhe, në koordinim të plotë me dijetarë si, Husein Xhozo, Sylejman Kemura, e të tjerë, propozon që zekati dhe sadakatul fitri të jepen për medrese. Shumat e para të mjeteve të mbledhura nga zektati dhe sadakatul fitri që i shkojnë medresesë, janë ato që ishin tubuar në Gjilan.

Në këtë kohë, tubimi i zekatit dhe sadakatul fitrit për medrese kishte hasur në rezistencë nga hoxhallarë të atëhershëm. Ata kishin kundërshtuar ndoshta për shkak se nuk mund ta kapërthenin domethënien dhe rëndësinë e një fetvaje të tillë, apo, ndoshta për shkak se nuk ishin në gjendje të kuptonin se fjala "fi sebilllah" e ajetin mbi zekatin e kishte kuptimin edhe të mësimit dhe studimit si një segment kyç i prosperitetit të një shoqërie. Gjithsesi, nëpërmes kësaj fetvaje dhe duke iu falënderuar vendimit që merret në lidhje me te, institucionet arsimore fetare siguruan burimin financiar pa të cilin zor se do të mbijetonin. Që nga ajo kohë e deri më sot, Bashkësia Islame e Kosovës dhe disa të tjera në rajon vazhdojnë praktikën e vënë në jetë në vitin 1962.

Thamë edhe pak më lartë. Islami është feja që u flet brezave të tërë të njerëzve. Ai se pa marrë parasysh konditat dhe kushtet e jetës, besimtarët duhet të vendosin brenda suazave të Shpalljes dhe sipas nevojave dhe dinamikave të jetës së tyre. Institucioni i ixhtihadit na mëson si ta lexojmë Islamin nëpër kohë dhe si ta "përkthejmë" në "gjuhën" e kohës. Është garancia e ripërtëritjes së mendimit islam. Qëllimi i ixhtihadit është jetesa në koordinim me ligjet e Zotit në natyrë (sunnetullah). Është aq i vlefshëm sa konsideruan farz sikur të gjitha farzet.

Megjithatë, në anën tjetër, ixhtihadi e ka një armik të rrezikshëm që i rri në ballë dhe e pengon në jetësimin e Islamit nëpër kohë. Është ky "taklidi" (imitimi) i cili bazohet në dy premisa të përçudtshme; në mohimin e argumentit, dhe në pranimin i diçkafit si e vërtetë absolute. Premisa e parë refuzon ligjet e shkencave sociale, e dyta bie ndesh me principet bazë të fesë islame.

Imitimi (taklidi) donë të thotë mosveprim, përqendrim në një pikë, vendnumërim dhe shikim i përhershëm prapa. Është i kundërt me ligjin e jetës. Sipas sociologut shqiptar, Avni Rudaku, shoqëritë ndryshojnë vazhdimisht e sidomos në këtë gjysmëshekullin e fundit ku ndryshimet janë aq të mëdha, aq të paparashikuara, sa orë e çast na prezantojnë shumë të panjohura. Nisur nga ky konstatim i Avni Rudakut, ne pranojmë faktin se nuk janë vetëm individët që ndryshojnë, por janë edhe llojet që ndryshojnë e vdesin. Është proces i jetës ky. Me vdekjen e një lloji, lajmërohen lloje tjera të cilat mbijetojnë vetëm për aq sa i përballojnë kushteve që pamundësuan jetesën e llojeve të kaluara. Sipas kësaj, bazimi në "taklid" nënkupton pranimin e sistemit të jetesës së kaluar dhe mohimi i bashkëkohores së principeve të Islamit. "Bi tegajjuri-z-zemani, tetegajjjeru-l-ahkamu" (Me ndërrimin e kohëve ndryshojnë edhe ligjet), është aksioma e shkencave sociale të cilave u jep rëndësi të madhe Islami.

Me rënien e halifatit islam, bie edhe institucioni juridik i "shejhul islamit". Institucioni i shejhul islamit ishte zyra nga ku dilnin fetvatë për gjithë territorin e shtetit islam. Pas ndarjes së botës islame në shumë shtete, e drejta, detyrat dhe ingerencat e shejhul islamit bien mbi udhëheqësit fetarë të shoqërive myslimane. Që nga ajo kohë, udhëheqësit fetarë kompetentë të shteteve kanë legjitimitetin e lëshimit të fetvave. Nëse për shkak të ndonjë arsye të pranueshme këta udhëheqës nuk lëshojnë fetva, ata janë të obliguar të autorizojnë dikë tjetër nga dijetarët islam, apo legjitimojnë zyrën përkatëse për fetva. Fetarisht është e ndaluar që një shtet i cili ka muslimanë të mos ketë mufti enkas për dhënien e fetvave.

Sipas mendimit shumicë të dijetarëve islamë, fetvatë e pranuara janë ato që i lëshon ose udhëheqësi fetarë i një shteti, ose i autorizuari nga ai e ose zyra e fetvave. Kështu, ulematë dhe dijetarët e shteteve të ndryshme kanë të drejtë të vetorganizohen dhe të bien vendime të prera në përputhshmëri me nevojat e tyre. Fetvatë e një shteti jo domosdoshmërisht vlejnë për besimtarët e një shteti tjetër, sikur që, një shtet nuk mund të derogojë një fetva të një shteti tjetër. Mënyra më e mirë dhe më e qëndrueshme është që fetvatë të shkruhen në letër dhe tu shpërndahen imamëve dhe punonjësve të tjerë të bashkësive islame.

Gjithashtu, duke marrë parasysh dinamikat e kohës së tanishme ku shkenca dhe dijet fetare janë ndarë në specializime të shumta, sot është vështirë të gjinden njerëz me kapacitete të nivelit të dijetarëve të mëhershëm që ishin të gjithanshëm. Andaj, mendoj unë, është mase nevojshme që pranë Bashkësisë Islame të vendit të themelohet departamenti i fetvave, i cili departament, në bashkëpunim me të ngjashëm nëpër bashkësitë islame shqiptare të rajonit të vijnë në përfundime të përbashkëta. Mbase, nëpër ato departamente do duhej të angazhoheshin dijetarë të profileve të ndryshme, jo vetëm të fikhut apo të shkencave islame. Dijetari i fikhut si i vetëm, sot nuk mund të jetë mufti i suksesshëm. Duhet të ndihmohet edhe nga profile tjera relevante të shkencave islame dhe të tjera.

Së këndejmi, nëse edhe më tutje vazhdohet që titulli i myftiut të jetë i rezervuar vetëm për udhëheqësin administrativ dhe organizativ të Bashkësisë Islame, pra, për prijetarin e saj, atëherë, keqinterpretimet e Islamit dhe gabimet që i bëjnë besimtarët për shkak të atyre keqinterpretimeve, do të shtohen edhe më shumë. Një bashkësi islame që nuk ka departamentin për çështje juridike islame, është bashkësi e paaftë të përballet me sfidat e kohës. Ajo, edhe nëse pa dëshirën e saj, do të jetë pjesëmarrëse në mëkatet eventuale që i bëjnë besimtarët myslimanë në mungesë të asaj zyre.

Roli i Bashkësive Islame ka qenë dhe vazhdon të jetë i pakontestueshëm. Ato duhet të jenë në gjendje ti përgjigjen kërkesave dhe nevojave të besimtarëve nëpër kohë të ndryshme. Ato për këtë arsye edhe ekzistojnë. Dhënia e fetvave është detyrë me rëndësi të madhe që implikon përgjegjësi të mëdha. Fetvaja institucionale i shërben realizimit të së drejtës mes besimtarëve dhe i parandalon deformimet e herëpashershme që i përshkruhen Islamit.

The post Institucioni i fetvasë dhe muftiu (III) appeared first on Telegrafi.

Evropa Liberale nuk ka vdekur akoma

Posted: 10 Jul 2018 10:31 AM PDT

Një nga librat që të mbeten në kujtesë, në gjuhën angleze, është "Vdekja e Çuditshme e Anglisë Liberale". A po e dëshmojmë tani vdekjen e çuditshme të një Evrope liberale? Tashmë që populizmi antiliberal ka pushtuar zemrën e Evropës, duke kërcënuar edhe postin e kancelares gjermane, Angela Merkel, rreziku është më i dukshëm se kurrë. Në Evropë është krijuar një përçarje e re politike, që është po aq e rëndësishme sa ndasia e vjetër midis së majtës e së djathtës. Ka krijuar fraksione mes partive ekzistuese dhe ka sjellë krijimin e të rejave. Po hap fronte të reja midis kombeve si dhe midis partive.

Në njërën anë është kampi "Merkron" (Merkel-Makron), dhe në anën tjetër është "Orbvini" (Orban-Salvini). Si Merkel, ashtu edhe Makroni, për çështje të rëndësishme si Eurozona, mbështesin zgjidhje liberale dhe evropiane, të bazuara mbi bashkëpunimin ndërkombëtar brenda BE-së dhe në shkallë botërore. Prandaj e quajmë Merkron. Ndërsa udhëheqësi hungarez, Orban, dhe zv/kryeministri populist italian, Salvini, mbështesin zgjidhje antiliberale, nacionaliste, duke ia hedhur fajin të tjerëve, duke përjashtuar "të tjerët" e etnive dhe kulturave të ndryshme. Ndaj dhe quhen Orbvini.

Kryeministri socialist i Spanjës, Pedro Sançez, si dhe presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, e kanë bërë të qartë që i përkasin kampit Merkron. Bavarezët e CSU; Partia e Lirisë në Austri; Partia "Ligj dhe Drejtësi" e drejtuar nga Jaroslav Kaçinski, në Poloni; si dhe disa mbështetës të Brexit, i përkasin standardit të Orbvinit. Beteja midis Merkronizmit dhe Orbvinizmit do të formojë politikën evropiane në vitet e ardhshme. Ndërkohë që politikanët përgatiten për zgjedhjet evropiane të verës 2019, grupimi më i madh në Parlamentin Evropian, "Partitë Popullore Evropiane", janë kapur me dëshpërim pas partisë "Fidesz" të Orbanit, dhe kanë bërë një afrim të fshehtë ndaj "Ligj dhe Drejtësi" të Polonisë, nga frika se mos kampi Orbvini krijon një aleancë të re që ta konkurrojë. Salvini luan me emrin e partisë së tij, Lega (Lidhja), dhe kërcënon se do të ketë një Lidhje të Lidhjeve në Evropë. Zgjedhjet evropiane nuk kanë qenë kaq të paparashikueshme prej vitesh. Pothuajse të gjitha fraksionet brenda BE-së mund të pozicionohen pranë aksit Merkron-Orbvini.

Mosmarrëveshjet për Eurozonën dhe buxhetin e radhës të BE-së, për shembull, janë më shumë pranë linjave nacionale se politike. Brexit është 27 vende kundër 1. Por për sa i përket mënyrës se si po luhet politika e demokracisë nacionaliste në Evropë, kjo është loja më e re në vend. Ekipi i Orbvinit është në përparësi, për momentin. Ekipi i Merkronit duket i lodhur, njësoj si ekipet e kombëtareve gjermane e spanjolle në Botëror. Ato luajnë me forcë, por nuk arrijnë të shënojnë. E ardhmja e Merkelit është e paparashikueshme, ndërkohë që kancelari austriak, Sebastian Kurz, i cili është kthyer në një lojtar kyç që mund të ndryshojë ekuilibrat, tashmë po anohet nga Orbvini. Çështja e emigrimit, që mbledh mbështetës në fushën e Orbvinit, është sa reale po aq dhe simbolike. Në vitin 2015, pas asaj që u quajt "gabimi i mrekullueshëm i Merkelit" nga disidenti i Gjermanisë Lindore, Ëolf Biermann, në Gjermani hynë shumë refugjatë për një kohë shumë të shkurtër.

Më shumë se 2 milionë evropianë lindorë hynë në Britani pas zgjerimit të BE-së në vitin 2004, duke krijuar shqetësime reale për strehimin, punësimin, kujdesin shëndetësor dhe arsimor, të cilat kontribuuan për votën në favor të Brexit. Italia, Spanja dhe Greqia kanë hasur probleme vërtet të mëdha me pritjen e emigrantëve, dhe pa marrë ndihmë nga partnerët e Evropës së Veriut. Atyre u është dashur të strehojnë një numër të madh refugjatësh dhe emigrantësh, të cilët rrezikonin vdekjen nëpër ujërat e Mesdheut. Emigrimi është edhe çështje simbolike, pasi ngre shqetësime për kulturën dhe identitetin e vendit. Niveli i emigrimit të paligjshëm në BE ka rënë shumë që nga viti 2015, por kjo nuk i qetëson ndjenjat e njerëzve për mënyrën se si kanë ndryshuar vendet e tyre. Në një sondazh të drejtuar nga Fondacioni Bertelsmann në vitin 2017, 50% e personave të intervistuar ishin dakord me fjalinë "ka kaq shumë të huaj në vendin tonë, sa ndonjëherë ndihem si i huaj". Në Itali, kjo shifër ishte 71%.

George Dangerfield, autori i "Vdekjes së Çuditshme të Anglisë Liberale", argumenton se liberalët ranë në Anglinë e shekullit të 20-të ngaqë refuzuan t'i përgjigjen forcave të reja, si lëvizja e grave për të drejtë vote, lëvizja e laburistëve dhe nacionalizmi irlandez. 100 vite më vonë, kriza e Evropës liberale është kryesisht rezultat i forcave që ka krijuar vetë liberalizmin. Liberalizmi, evropianizmi dhe globalizimi kanë prodhuar ndryshime të shpejta e të dukshme në shoqëritë evropiane. Shumë veta e kanë parë këtë si një ndryshim për keq. Duke shfrytëzuar këto pakënaqësi, populistët tregojnë një histori të thjeshtëzuar, se si duke mbyllur kufijtë e duke "marrë kontrollin", do të rikthejnë një të shkuar imagjinare me më shumë punësim, me familje të lumtura e me komunitete kombëtare tradicionale. Ndërkohë, revolucioni dixhital, që tani po përparon me inteligjencën artificiale, do të sjellë më shumë ndryshim e pasiguri, sidomos në vendet e punës.

Liberalët kanë një listë të gjatë me detyra, nëse duan të reagojnë në Evropë. Do të jetë e vështirë të gjesh përgjigje racionale e praktike ndaj problemeve të vërteta të barazisë dhe pasigurisë. Jemi ende në fazën e fillimit për gjetjen e përgjigjeve dhe shënjestra jonë është duke lëvizur shumë shpejt, për shkak të revolucionit dixhital. Politikat radikale si të ardhurat bazë universale apo garancia bazë e vendit të punës do të jetë një prej kërkesave. Edhe po të kemi një Xhon Mejnard Kejns të ri, duhet kohë të shkosh nga puna intelektuale e Kejnsit te një program zgjedhor që të fitojë votimet për një parti laburiste të drejtuar nga Clement Attlee. Përtej kësaj, Evropa Liberale duhet të gjejë mënyra të reja për t'iu adresuar nevojave të thella emocionale për bashkësi e identitet që po shfrytëzojnë populistët. Siç mund të shihni në çdo Botëror, identiteti kombëtar mbetet një burim i pakrahasueshëm pasioni dhe përkatësie. Për të ardhmen e afërt, është iluzion të besosh se mund të konkurrohet me identitete transkombëtare apo përmbi-kombëtare.

Ndërkohë që përpiqemi të forcojmë një identitet Evropian të ndarë midis shumë shteteve, një identitet vërtet global (të cilën Botërori i futbollit e përfaqëson, në një farë mënyre), ne nuk mund ta lëmë kombin në dorë të nacionalistëve. Që të plotësojmë evropianizmin dhe ndërkombëtarizmin, na duhet patriotizmi pozitiv dhe qytetar, si ai që po reklamon Makroni në Francë. E gjitha kjo duhet të shkrihet në një program që të fitojë zgjedhjet. Pastaj duhet një parti për t'i fituar zgjedhjet me atë program. Por as parti të tilla nuk kemi shumë. Makroni, me lëvizjen e tij "Republika po përparon", është përjashtimi që vërteton rregullin.

Në çdo vend tjetër, liberalët kanë humbur ndaj tendencave anti-liberale të partive të mëdha të qendrës së majtë e të djathtë, përfshi laburistët dhe konservatorët e Britanisë. Partitë e qendrës së djathtë kanë marrë pushtet vetëm duke kënaqur qasjet antiliberale të partnerëve populistë që kanë në koalicione, si Austria dhe Holanda. E gjitha kjo më shtyn drejt idesë se beteja për Evropën liberale do të zgjasë me vite. Gjërat mund të bëhen më keq para se të nisin të bëhen më mirë, duke krijuar më shumë mundësi për Orbvinin e më shumë pengesa për Merkronin. Jo, nuk besoj se jemi duke dëshmuar vdekjen e çuditshme të një Evrope liberale, por duhet të përgatitemi për një rimëkëmbje të gjatë e të mundimshme.

The post Evropa Liberale nuk ka vdekur akoma appeared first on Telegrafi.

Sulltani i parë i Turqisë moderne

Posted: 10 Jul 2018 10:28 AM PDT

Duran Aram Ekin

Turqia kalon nga sistemi parlamentar, në sistemin presidencial. Të dielën, Erdogani me dekret liroi nga detyra më shumë se 18,600 nëpunës të shtetit, mes tyre 9,000 policë, rreth 6,000 pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe 199 akademikë. Ky është ndoshta dekreti i fundit para heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme që pritet pas ngjitjes së tij në post.

Kanë kaluar 13 vjet që kur AKP dhe themeluesi i saj Erdogan erdhën në pushtet. Fillimisht dukej sikur ishin vitet e demokracisë, lirisë së mendimit dhe paqes shoqërore. Por, tani Turqia po i jep kompetenca të jashtëzakonshme një presidenti autoritar, me tendenca gjithnjë e më shumë islamiste dhe nacionaliste. Me shfuqizimin e funksionit kontrollues të parlamentit ai merr pushtetin e vetëm për të vendosur mbi ekzekutivin. E përmes kompetencës së përcaktimit të anëtarëve më të lartë të aparatit të drejtësisë, ai do mund të kontrollojë kështu edhe drejtësinë.

Ersin Kalaycioglu nga Qendra Politike e Universitetit Sabançi të Stambollit thotë se nuk është ende e qartë, si do të ndryshohet sistemi. "Deri më tani sistemi i ri është diskutuar me ne vetëm në vija të trasha. As opinioni publik dhe as studiuesit nuk i njohin detajet".

Erdogan ka përsëritur shpesh se edhe demokraci të tjera kanë sistem presidencial. Por sistemi presidencial i Turqisë ndryshon nga ai francez apo amerikan. Kështu për shembull në SHBA presidenti nuk e ka kompetencën të shpërbëjë kongresin. Erdogan mund ta bëjë këtë dhe të shpallë zgjedhje të reja. Në Francë i përcakton parlamenti anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, në Turqi përkundrazi i merr presidenti vendimet që prekin këtë gjykatë të rëndësishme.

Studiuesja Ersin Kalaycioglu kujton tiparet autokrate të sistemit presidencial në Turqi. "Si në sistemin amerikan ashtu edhe atë francez kemi një shoqëri të mirëformuar civile. Këtë ne nuk e kemi".

Po ashtu, Erdogani në të ardhmen mund të operojë edhe me dekrete presidenciale. Deri më tani ai lejohej ta bënte këtë vetëm në kuadër të gjendjes së jashtëzakonshme. Por tani Erdogani mund ta minojë në çdo kohë judikativen. Duket e pamundur që të funksionojë një sistem i pavarur dhe jo partiak i drejtësisë. Sipas politologut turk, Dogu Ergil ndarja e pushteteve dhe pavarësia e drejtësisë, kaq të rëndësishme për demokracinë janë faktikisht të shfuqizuara me sistemin e ri.

Ende nuk dihet, nëse aleanca që Erdogani mbylli me partinë nacionaliste, MHP do t'i shtojë tensionet në vend. Shumë vetë mendojnë, se qëndrimi i ashpër i MHP sidomos në çështjen kurde dhe refuzimi i disa vlerave demokratike, do të krijojë një atmosferë edhe më nacionaliste në Turqi. Erdogan ka nevojë për MHP për të siguruar shumicën në parlament. Kjo mund të kthehet në pengesën kryesore për zgjidhjen e problemit kurd dhe afrimin e Turqisë më Bashkimin Europian.

Interes të madh paraqet edhe e ardhmja e zhvillimit të marrëdhënieve me Perëndimin. Në vitin 1999 Turqia ka shtruar zyrtarisht kërkesën për anëtarësim në BE, në 3 tetor 2005 filluan negociatat. Por në 13 vitet e fundit nuk është arritur ndonjë progres për t'u shënuar. Dhe me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme para dy vjetësh, ato faktikisht janë ndalur.

Kati Piri, raportuese e Parlamentit Europian për Turqinë është shprehur për një ndalim zyrtar të negociatave të anëtarësimit. Në një kohë që marrëdhëniet BE-Turqi rrezikojnë të ngrijnë, një krizë tjetër është shfaqur edhe në marrëdhëniet me SHBA. Ka disa pika që i rëndojnë ato: Fetullah Gülen, që bëhet përgjegjës për puçin ushtarak nga Erdogan jeton në SHBA. Uashingtoni punon me krahun e armatosur kurd të Sirisë, YPG, por që nga Turqia shihet si organizatë terroriste. Turqia po ashtu kërkon të blejë raketa S-400 nga Rusia, me gjithë anëtarësinë në NATO. Të gjitha këto çështje i kanë futur në qorrsokak marrëdhëniet SHBA-Turqi.

Politologu Dogu Ersil i referohet edhe një sondazhi të fundit në Turqi: Sipas tij, SHBA është në Turqi më e papëlqyer se në Iran. Në shoqëri po përhapet një qëndrim gjithnjë e më armiqësor ndaj SHBA dhe BE, thotë Ergil, pavarësisht politikës së Erdoganit.

The post Sulltani i parë i Turqisë moderne appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more