Skip to main content

“Rusia zgjat sanksionet ndaj Shqipërisë, ndalon importin e ushqimeve” plus 9 more - Gazeta Dita

“Rusia zgjat sanksionet ndaj Shqipërisë, ndalon importin e ushqimeve” plus 9 more - Gazeta Dita


Rusia zgjat sanksionet ndaj Shqipërisë, ndalon importin e ushqimeve

Posted: 13 Jul 2018 02:12 AM PDT

Presidenti rus Vladimir Putin ka firmosur dje zgjatjen e sanksioneve deri në fund të vitit 2019 si përgjigje reciproke për disa vende që kanë marrë të njëjtën masë kundër Moskës.

Aktualisht janë në fuqi disa sanksione ndaj Rusisë, masa ekonomike, individuale kufizuese dhe sanksione mbi Krimenë për shkak të konfliktit në Ukrainë.

Më 9 korrik, Bashkimi Europian vendosi shtyrjen e sanksioneve kundër Rusisë, ndërsa Putin është përgjigjur menjëherë në mënyrë reciproke duke firmosur dekretin për zgjatjen e kundër-sanksioneve për disa vende, mes tyre edhe Shqipëria.

Prej 2014, Rusia ka vendosur një sërë kundër-sanksionesh, duke ndaluar importimin e disa mallrave nga SHBA, BE, Australia, Kanadaja, Shqipëria, Mali i Zi, Islanda, Lihtenshtajni dhe Ukraina.

Lista e produkteve që janë vendosur në embargo nga Rusia janë; mishi, qumështi, peshku, perimet, etj.

o.j/dita

Kroacia sekuestron anijen e kripës që u arratis nga Durrësi

Posted: 13 Jul 2018 01:56 AM PDT

Kroacia ka sekuestruar anijen siriane "Seascaner" që u largua pa njoftim dhe pa plotësuar asnjë dokument nga Porti i Durrësit një javë më parë.

Anija është e bllokuar në portin e Rijekës, ndërsa me vendim të gjykatës pronarit i janë bllokuar edhe 195 mijë euro si garanci deri në përfundim të procesit të hetimit, të cilat ekzekutohen nëse anija do të largohet si në portin e Durrësit.

Pas bllokimit në datë 10 korrik dhe sekuestrimit sot, veprimet e autoriteteve portuale kroate i janë përcjellë kapitanerisë së Durrësit, pasi ishte kjo e fundit që bëri kërkesë që anija të bllokohet.

Anija, që aktualisht ndodhet në portin e Rijekës, akuzohet se ka shkelur kodin ndërkombëtar detar. Për të zgjidhur çështjen do të bëhet gjyqi në arbitrazhin detar.

Përpos çështjes së largimit pa njoftim nga Durrësi, një tjetër problem që pritet të zgjidhet është ai mes kompanisë shqiptare që humbi mallin dhe anijes.

Anija "Seascaner" me flamur të Sierra Leones kishte sjellë më 26 qershor 6 mijë tonë kripë në Durrës.

o.j/dita

 

Ndahet nga jeta komandanti i parë i nëndetëses së famshme “105”

Posted: 13 Jul 2018 01:55 AM PDT

 

Është ndarë nga jeta një prej komandantëve të parë të nëndetëseve shqiptare, Dr. Aleko Pojani.

Aleko Pojani kreu shkollën ushtarake "Skënderbej" dhe më pas Akademinë e Marinës në Baku të ish Bashkimit Sovjetik në vitet '50.

Aleko Pojani ishte komandant i parë i së famshmes nëndetëse "105" e cila kreu misione shembullore në detin Mesdhe dhe njihet në publik nga filmi “Ballë për Ballë”.

Aleko Pojani ka qenë edhe komandant i Brigadës së Nëndetëseve në Bazën Ushtarako-Detare të Pashalimanit dhe pedagog në Akademinë e Marinës në Vlorë.

Ai është autor i librit historik "Nëndetësja 105, kujtimet e një komandanti" botuar në vitin 2013 dhe mbante gradën Doktor i Shkencave.

a.s/dita

“Vetting” edhe në bregdet, Tatimet: 58% e bizneseve janë me shkelje

Posted: 13 Jul 2018 01:46 AM PDT

 

Drejtoria e Hetimit Tatimor Rajoni Qendror, po ushtron kontrolle të detajuara ndaj subjekteve, që kanë veprimtari ekonomike në zonat turistike të qarkut Durrës dhe Korçë, përkatësisht nga Gjiri i Lalzit në Spille dhe nga Pogradeci, në Dardhë e Voskopojë.

Duke filluar nga data 22 qershor, strukturat e specializuara hetimore të kësaj drejtorie kanë verifikuar në total 680 subjekte.

Nga këto, për 397 subjekte janë marrë masa me një vlerë prej rreth 12.6 milionë lekësh.

Në çdo dhjetë biznese që kanë qenë subjekt kontrolli nga Tatimet, 6 kanë rezultuar me shkelje.

Më konkretisht: "për moslëshim kuponi hera parë" janë konstatuar 101 shkelje; për "moslëshim kuponi hera dytë", janë konstatuar 3 shkelje, për të cilët është marrë edhe masa e bllokimit 30 ditë; për "punonjës të padeklaruar" janë konstatuar 59 shkelje; për "mall pa faturë tatimore" (rivlerësim dhe ndryshim përgjegjësie) janë konstatuar 87 shkelje, ndërsa 33 subjekte kanë rezultuar të paregjistruara në organet tatimore.

Drejtoria e Hetimit Tatimor Rajoni Qendror, ju bën thirrje tatimpaguesve, të ushtrojnë aktivitet ekonomik konform ligjit, për të siguruar më tej mbarëvajtjen e sezonit turistik.

a.s/dita

Nuk ka fund tallja me Neymar, krijohet alfabeti sipas simulimeve të tij

Posted: 13 Jul 2018 01:43 AM PDT

 

Nëse në të gjithë globin, Neymar ka qenë qendra e shumë kritikave, si rezultat i ekzagjerimeve të tij në rënie (simulime) gjatë Kupës së Botës në Rusi, njerëz të tjerë janë "frymëzuar" prej tij.

Braziliani ka paguar shumë për punën e tij të dobët në momente të rëndësishme të Brazilit në turneun e kësaj vere dhe rrjetet sociale nuk janë kursyer.

Imazhi i fundit për të "portretizuar" yllin brazilian të PSG-së është ai, në të cilin alfabeti është treguar sipas disa prej pozicioneve të Neymar, pas marrjes së një faulli.

a.s/dita

Debati në DITA, Arben Duka: Çfarë mendoj unë për 5 vitet e Ramës

Posted: 13 Jul 2018 01:35 AM PDT

 

Nga Arben Duka

Në kohën e komunizmi krahasimet e zhvillimit bëheshin me vitin 1938 dhe natyrisht, në krahasim me këtë vit. Shqipëria kish arritje të paimagjinueshme. Ndryshimi qe si dita me natën dhe për këtë them si shumica e njerëzve normalë janë në një mendje me mua.

Tani, në kohën kur na qeveris qeveria e Partisë Socialiste me Edi Ramën kryeministër, krahasimet bëhen me qeverisjen e fundit të Partisë Demokratike me kryeministër Sali Berishën.

Duke bërë këtë krahasim, avantazhi i qeverisjes socialiste me Ramën kryeministër, është i dukshëm dhe i prekshëm. Mund të themi pa frikë se ndryshimi është si nata me ditën, në të gjitha drejtimet.

Opozitën nuk e fus në zërat kritikë, mbasi disponon vetëm arsenalin e baltosjes dhe nxirjes së gjithçkaje.

Në këtë pikë, për mua kanë interes kritikët e paanshëm, jashtë partive. Këta kanë mundësi të thonë vetëm të vërtetën. Dhe kështu duhet të jenë gazetarët e pavarur.

Nëse sot ka kritika dhe nga njerëz të lidhur shpirtërisht me të majtën, tregon se pritshmëritë e tyre kanë qenë shumë të larta. Komisioni i Europës dhe Këshilli i saj i njohën disa zhvillime të rëndësishme Shqipërisë dhe dhanë një datë konkrete për hapjen e bisedimeve. Më mirë do qe që të qenë hapur që këtë qershor, por një vit kalon shumë shpejt.

Ky vlerësim tregon se qeveria ka punuar mirë, por e mira ashtu si e keqja nuk ka fund. Rama ka një fjali fikse që e thotë në çdo takim me qytetarët: “Kemi bërë shumë, por duhet të kishim bërë shumë më  tepër..”.

Të njëjtën gjë do të thosha dhe unë duke hequr përcaktorin “shumë”. Mendoj se ka ndryshime radikale për mirë në arsim dhe shëndetësi. Për shërbimin cilësor në spitale, për ndryshimin e madh pozitiv të ambienteve të tyre mund të flas me siguri, mbasi i kam parë disa herë me sytë e mi. Dhe opinioni i përgjithshëm për arsimin është pozitiv krahasuar me kohën “qoskë universiteteve”.

Rama dhe qeveria e tij, nuk e mendoi se do të trashëgonin aq shumë probleme nga qeverisja e demokratëve. Një nga arsyet, që nuk po rriten pothuajse fare rrogat dhe pensionet, janë borxhet e mbartura nga paraardhësit.

Janë rreth një miliardë dollarë borxhe që ka shlyer kjo qeveri. Po të mos qenë këto borxhe, këto para mund të kishin përmirësuar në një farë mase nivelin e jetesës së shqiptarëve. Nuk e di si mund të matet niveli i korrupsionit, por opinioni i përgjithshëm është se tani ka më pak korrupsion se në të kaluarën, por prapë ka shumë.

Perfomanca e policisë ka ndryshuar pozitivisht, është rritur fuqia goditëse kundër krimit, por prapë ka goxha kriminalitet. Nëse në sektorin energjetik është bërë një revolucion i vërtetë, nuk do të thosha të njëjtën gjë për kulturën dhe bujqësinë.

Kultura është vërtetë në ditët e saj më të zeza, një fushë ku nuk flet dot për asgjë. Është e pamundur që të flas për të gjitha fushat e qeverisjes, por duket qartazi vullneti i Edi Ramës për të bërë shtet, dhe ne pak a shumë moshatarë, e dimë mirë se si është një shtet i fortë dhe i organizuar si sahat zviceran, se këtu e kemi pasur.

Nuk është problemi vetëm të punosh shumë, por dhe të dish të punosh. Kur di më shumë punon më pak, por ke më shumë rezultate. Kur di pak, puno sa të duash, rezultatet do të jenë të pakta si dituria e paktë.

Një freskim i qeverisë me njerëz më të pjekur, mendoj se do të qe pozitiv. Unë kam rubrikën tim dhe këtu jam përditë. Dëshira ime është që kjo qeveri të mos dështojë, mbasi rikthimi në pushtet i PD-së dhe LSI-së do qe një tragjedi katastrofike.

Për tre vjet, nëse do të ketë vullnetin e duhur, kjo qeveri mund të bëjë gjëra të mira dhe shumë të mira, duke pasur në qendër të vëmendjes rritjen e nivelit të jetesës të popullit, punësimin dhe promovimin e vlerave më të mira kombëtare.

Dhe mirë do të qe që qeveria të bënte një referendum popullor për legalizimin e marijuanës (hashashit), gjë për të cilën kam shkruar disa herë dhe nuk do të zgjatem sot. Por legalizimi do të qe një zhvillim pozitiv në shumë drejtime.

Nëse e ke qëllim në vetvete vetëm të kritikosh një qeveri, mund t’i gjesh të meta pa fund. Po nëse je realist duhet të përdorësh peshoren dhe të shohësh nga anon. Mua më rezulton nga ana e plusit. Për sot po mjaftohem me kaq. Këtu do jemi, e do shkruajmë prapë. Do Zoti të shkruajmë për mirë.

Xherdan Shaqiri transferohet te Liverpooli

Posted: 13 Jul 2018 01:34 AM PDT

 

Liverpool-i ka arritur akordin me Stoke City-n për të siguruar shërbimet e sulmuesit anësor të Zvicrës, kosovarit Xherdan Shaqiri, i cili pritet të kryejë testet mjekësore brenda kësaj jave.

"Të kuqtë" nga "Anfield Road" kanë firmosur deri tani me Naby Keita dhe Fabinhon gjatë kësaj vere, ndërkohë që përpjekjet e tyre për t'i rrëmbyer Lionit, kapitenin Nabil Fekir ngecën gjatë muajit qershor për shkak të shqetësimeve mbi gjendjen fizike të tij.

Edhe pse tentativa për Fekirin mund të rigjallërohet, ekipi i Jurgen Kloppit ka lëvizur duke arritur progres në joshjen e Shaqirit për të veshur fanellën e Liverpoolit.

Sipas "Telegraph", Liverpooli ka rënë dakord të paguajë klauzolën e prishjes së kontratës së 26-vjeçarit, që besohet të jetë diku 13.75 milionë paund.

Këtë të premte do të kryhen edhe vizitat, sipas këtij tabloidi, e duke qenë se nuk pritet të zbulohet ndonjë problem shëndetësor, kosovari zviceran do të jetë blerja e tretë e klubit.

Liverpooli do të jetë një tjetër mundësi e artë për anësorin zviceran për t'u riafirmuar në nivelet më të larta, pasi nuk mundi të shkëlqente me Bayern Munchen dhe Interin.

Por, mediet zbulojnë gjithashtu se Shaqiri nuk pritet të jetë "zgjedhje e parë" e Kloppit, por një zëvendësues i denjë për Sadio Mane apo Mohamed Salah.

a.s/dita

Si mund të dalësh nga NATO-ja?

Posted: 13 Jul 2018 01:18 AM PDT

 

A kërcënoi Presidenti i SHBA Trump me dalje të vendit të tij nga NATO-ja apo jo? Sido që të jetë, një shtet mund të dalë nga NATO dhe mund të dalë çuditërisht lehtë.

Christoph Hasselbach*

Në nenin 13 të Marrëveshjes së NATO-s thuhet: "Pas një vlefshmërie kohore 20-vjeçare të Marrëveshjes çdo shtet që ka lidhur marrëveshjen mund të dalë nga kjo marrëdhënie, dhe kjo mund të ndodhë pikërisht një vit pas deklarimit të ndërprerjes së marrëveshjes përballë qeverisë së SHBA, e cila do t'u njoftojë qeverive të shteteve të tjera që kanë lidhur marrëveshjen dorëzimin e çdo deklarate për ndërprerje të marrëveshjes."

Pra një vit afat për ndërprerje të marrëveshjes, pa nevojë për të dhënë argumentim, pra e gjitha shumë thjesht.

Në dallim nga Bashkimi Evropian, në të cilin deri pak vite më parë as që ishte parashikuar një dalje si Brexiti që kemi përpara, dhe prandaj nuk qe përcaktuar asnjë procedurë, te NATO-ja, që prej themelimit të saj ekziston mundësia që të largohesh prej aleancës.

Megjithatë, në historinë gati 70 vjeçare të NATO-s nuk ka pasur asnjë dalje të vetme nga organizata. Por ka pasur dalje nga struktura e saj ushtarake. Kjo do të thotë që disa shtete vërtet kanë mbetur anëtarë të NATO-s, por për një periudhë kohe nuk kanë dashur që t'i vënë trupat e tyre në shërbim të strukturave komanduese të NATO-s. Të gjitha këto shtete megjithatë e kanë sprapsuar më vonë këtë hap të tyre.

Jo dalje, por largim nga strukturat ushtarake

Shembulli më i njohur është Franca. Presidenti i Francës, Charles de Gaulle e perceptonte NATO-n në vitet 1960 gjithnjë e më shumë si instrument të interesave gjeopolitike amerikane dhe si ngushtim të pavarësisë franceze.

Prandaj forcat e armatosura franceze u larguan në vitin 1966 nga strukturat komanduese të NATO-s.

Kuartieri i ri Qendror i NATO-s

Pasojë e kësaj ishte edhe që kuartieri kryesor i NATO-s, që atëherë ndodhej në Paris, u zhvendos në Bruksel.

Franca u kthye vetëm në vitin 2009, nën Presidentin Sarkozy në strukturat ushtarake të NATO-s. Që në vitet 1990, në kohën e luftërave të Jugosllavisë pati një riafrim të palëve.

Franca nuk mbeti rasti i vetëm. Edhe Greqia nuk ka qenë në vitet 1974 deri 1981, Spanja në vitet 1986-1999 pjesë e strukturës komanduese të NATO-s, por anëtarë të NATO-s ato mbetën.

*DW

a.s/dita

Altin Basha: Aleanca e Teatrit na tradhëtoi, tani drejtohet nga PD

Posted: 13 Jul 2018 01:12 AM PDT

 

Regjisori Altin Basha ka dhënë një intervistë të gjatë për gazetën "Panorama", ku sqaron marrëveshjen e arritur mes artistëve dhe kryebashkiakut Erion Veliaj për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar.

Por, nga ana tjetër ai ka zbuluar se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit është një grupim që drejtohet kryekëput nga Partia Demokratike dhe prezenca e PD aty është absolute.

Basha shton se ai dhe kolegët e tij u tradhëtuan nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, por edhe se ajo drejtohet nga njerëz që nuk e dinë çfarë duan dhe i ndryshojnë qëndrimet e tyre vazhdimisht.

Regjisori Basha është i mendimit se lëvizja Aleanca për Mbrojtjen për Teatrin është kthyer në një lëvizje partiake, ku Partia Demokratike flet me zërin e Aleancës.

"Prezenca e PD ka qenë shumë e fortë gjatë gjithë historisë së protestës, por tani mendoj se prezenca e tyre është absolute. Ne nuk e kemi konsideruar problem këtë… përderisa qëndrimet tona ishin parimore. Mbështetja e partive na interesonte, edhe sepse unë kam deklaruar që nuk duhet ta kthenim lëvizjen në vegël të opozitës në luftën politike, por na intereson zgjidhja e problemit të teatrit. Sigurisht që, kjo nuk ndodhi dhe ajo tanimë është një lëvizje tërësisht politike. Ajo është kthyer në lëvizje partiake. Aty është Partia Demokratike që flet me zërin e Aleancës, nuk ka asgjë të keqe të jetë politike, që flet me zërin e aleancës. Nuk ka asgjë të jetë politike, por jo partiake, pasi tanimë del që ne që kemi një mendim ndryshe, jemi blerë ose jemi të së majtës dhe ata që dalin atje, janë njerëz të ndershëm. Megjithëse për të qenë të ndershëm me publikun, ata duhet t'ua bëjnë të qartë që ajo sallë nuk mban. Njerëzit punojnë atje, e dinë fare mirë se në çfarë gjendje është", deklaroi Basha.

Regjisori shtoi se në dy orë debat me kryebashkiakun Veliaj, është rënë dakord për tre pika:  truallin, dy përfaqësues në negociata dhe është kërkuar konkurs ndërkombëtar. “Kur u takuam për të shkuar në Bashki, Derhemi më thotë që Çeloaliaj nuk vjen, sepse ka vendosur të mos vijë. Kemi ndenjur dy orë tek Erion Veliaj. Kemi negociuar, ramë dakord që të mos cenohej trualli; ramë dakord për dy përfaqësues të komunitetit që do të jenë në komisionin e negociimit për kontratën dhe kemi mbrojtur çështjen e konkursit ndërkombëtar. Kemi pasur debate shumë të forta, me argumente dhe kundërargumente dhe në fund, u gjet si zgjidhje që konkursi të merrej parasysh, por do të vendosej në një dëgjesë të tretë. Parimisht konkursi ndërkombëtar u pranua. Kemi dalë nga takimi me Veliajn dhe kemi takuar Gjergj Bojaxhiun, që na lexoi një deklaratë të Aleancës, e cila shprehej pro konkursit ndërkombëtar. Me atë deklaratë ishte dakordësuar Kastriot Çipi dhe Alert Çeloaliaj. SASE na tradhtoi, na prezantoi para opinionit publik si njerëz që kishim shkuar atje për biseda private, çka nuk është e vërtetë, pasi ne kishim biseduar me përfaqësues të tyre dhe të Aleancës. Kam qenë dhe jam i hapur për çdo lloj ballafaqimi, unë nuk kam asgjë për të fshehur dhe ata e dinë, por ata kanë një problem me të vërtetën e tyre sepse nuk e dinë se çfarë qëndrimi të mbajnë. I kanë ndryshuar ato në mënyrë të vazhdueshme, sepse adoptojnë pjesë të qëndrimeve të paunifikuara", deklaroi Basha.

Sa i përket mendimit të tij personal në lidhje me fatin e teatrit, regjisori Basha thotë se ka ardhur koha që Tirana të ketë një teatër të ri modern, pasi ai aktuali nuk ofron më asgjë mundësi për zhvillimin e krijimtarisë artistike.

"Unë mendoj se duhet një godinë e re. Pjesa muzeale mund të zgjidhet brenda godinës së re. Jam gati të debatoj me këto për këtë pikëpamje. Si regjisor po ju deklaroj me përgjegjësi se ajo godinë nuk ofron mundësinë për zhvillimin e një krijimtarie cilësore teatrore dhe si rrjedhim, një cilësi  të ulët produkti për spektatorët", thotë Basha.

a.s/dita

Projekti i ri: Si do bëhet nyja e Milotit (VIDEO)

Posted: 13 Jul 2018 12:57 AM PDT

 

Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot video projektin për nyjën e re te Milotit, një projekt që sipas tij kishte mbetur rrugëve prej vitit 2011.

Kryeministri thotë projekti do të pasohet nga rruga e re Milot-Balldren, me vlerë 16 milionë dolllarë dhe se do të ketë impakt të madh edhe për integrimin e rrugëve dytësore.

"Mirëmëngjes dhe me këtë projekt të ri që sapo ka nisur të zbatohet për realizimin e nyjes së Milotit, (pjesë e rrugëve të mbetura rrugëve, qysh nga vitit 2011 dhe që do të pasohet së shpejti nga rruga e re Milot-Balldren) me vlerë 16 mln USD dhe impakt të konsiderueshëm jo vetëm në lëvizshmërinë e sigurinë e aksit kryesor, po edhe në integrimin e shumë rrugëve dytësore me infrastrukturën kombëtare, ju uroj një ditë të mbarë 🌹"- shkruan Rama.

a.s/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more