Skip to main content

“Profecitë gjeopolitike si “science fiction”” plus 9 more - Gazeta Dita

“Profecitë gjeopolitike si “science fiction”” plus 9 more - Gazeta Dita


Profecitë gjeopolitike si “science fiction”

Posted: 28 Jul 2018 02:13 AM PDT

Prof. Fatos Tarifa

Kjo ese nuk duhet lexuar si të ishte një profeci. Edhe njerëzit më të talentuar dhe ekspertët më të mirë të shkencave shoqërore e të marrëdhënieve ndërkombëtare gabojnë në prognozat e tyre mbi zhvillimet e ardhshme, madje, shumë herë, janë të paaftë edhe që të dallojnë afrimin e ngjarjeve epokale, siç ishte, fjala vjen, shembja e Bashkimit Sovjetik dhe përmbysja e rendit të socializmit shtetëror në atë vend dhe në Europën Lindore.

Asnjë nga ekspertët sovjetologë, në Perëndim dhe në Lindje, nuk mundi ta parashikonte dot përmbysjen e atij sistemi dhe, sidomos, mënyrën paqësore të shembjes së tij, jo vetëm në fillim të viteve 1980, por as edhe në fund të asaj dekade.

Edhe akademikë nga më të shquarit, si historiani Richard Pipes në Harvard, e quajtën shembjen e komunizmit dhe shpërbërjen e bllokut sovjetik një ngjarje "të papritur".

Martin Malia, një ndër ekspertët amerikanë më të njohur për Bashkimin Sovjetik dhe autor i librit të famshëm Tragjedia sovjetike (1994), e konsideroi "befasinë dhe tërësinë" e shembjes së sistemit sovjetik si "surprizën më të madhe të fundit të shekullit të 20-të".

Në një artikull të botuar disa vite më parë në revistën amerikane Journal of Applied Sociology, kam shkruar se, në qoftë se studiuesit e shkencave shoqërore dhe ata të marrëdhënieve ndërkombëtare, me teoritë në të cilat mbështeten, nuk mundën ta parashikonin dot shembjen e socializmit shtetëror, shpërbërjen e kampit socialist dhe, bashkë me të, shembjen e "Botës së Dytë", si mund të pritet që ata, të "armatosur" me të njëjtat teori dhe metodologji, të jenë në gjendje qëtë parashikojnë ndryshimet në nivel makroshoqëror, ose tendencat e zhvillimeve globale në shoqërinë e sotme apo ato të nesërme?

Karl Popper vinte në dukje se, kur një paradigmë nuk përputhet më me realitetin, kur probleme "anormale" i heqin një teorie aftësinë për t'i shpjeguar ato, do të thotë se ka ardhur koha të adaptohet një këndvështrim i ri.

Për kohën e sotme, nëse huazoj fjalët e Thomas Schelling, nevojitet "një teori mbi antagonizmin e paplotë dhe mbi partneritetin e papërsosur" për një botë që është bërë njëherësh "më shumë asimetrike në pikëpamje të perceptimeve e të pasioneve dhe më pak asimetrike në pikëpamje të fuqisë".

Ashtu sikurse ekspertët më të mirë të futbollit nuk mund ta dinin paraprakisht se cili vend do ta fitonte kupën e Kampionatit Botëror në Rusi këtë vit, ose cili vend do ta fitojë atë në Katar katër vite më vonë, edhe ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare nuk mund të parashikojnë dot se në cilin vend të botës do të shpërthejë një luftë ndëretnike vitin e ardhshëm, ose në pesë apo dhjetë vitet e ardhshëm, apo nëse dy ose më shumë fuqi të mëdha do të konfrontohen ushtarakisht mes tyre për të nisur një luftë të re botërore dhjetë, njëzet apo tridhjetë vite më vonë. Disa autorë marrin guximin të bëjnë prognoza specifike mbi zhvillimete ardhshme.

Një ndër ta, fjala vjen, George Friedman, në librin e tij Njëqind vitet e ardhshëm (The Next Hundred Years: A Forecast for the 21st Century), botuar më2009, parashikon se, në vitin 2020 Kina do të shpërbëhet, se aty rreth vitit 2050 Shtetet e Bashkuara, Turqia, Polonia dhe Japonia do të jenë fuqitë më të mëdha të planetit, të përfshira në një luftë globale mes tyre, dhe se, në fund të shekullit të 21-të, Meksika do ta sfidojë Amerikën. Pa as më të voglin hezitim, profeci të tilla unë i quaj tërësisht science fiction.

* * *

Ajo që mund të thuhet me një farë sigurie është se, sot jetojmë në fillimet e një epoke të re historike, tipari themelor i të cilës ende nuk është definuar.

Shumë intelektualë dhe studiues në Perëndim po bëjnë një karrierë të shkëlqyer duke pretenduar se definicionet që ata ofrojnë, si për shembull "botë pa kufij", "ngritja e gjigandëve të Azisë", "bota postmoderne", "bota pa Perëndimin", "katastrofa ekologjike", "lufta kundër terrorit" etj, janë më të saktët për të shprehur karakterin e epokës së re.

Të njihesh me pretendimet e tyre është diçka e dobishme, sidomos nëse mbajmë parasysh historinë e dështimeve të shumta të intelektualëve gjatë shekullit të 20-të për të parashikuar kursin e zhvillimit shoqëror në plan global.

Vetëm gjatë këtyre njëzetë viteve të fundit, ideja se "shekulli amerikan" ka mbaruar dhe se Kina, Bashkimi Europian ose ndonjë fuqi tjetër e madhe do t'i zërë vendin Amerikës si fuqia hegjemone e globit, është shtjelluar në qindra libra dhe në mijëra artikuj të botuar në revista akademike.

Po kështu, të shumtë janë librat që parashikojnë një botë "post-amerikane", shumëpolare, si rezultat i rënies së fuqisë amerikane. Disa prej titujve të botuar vitet e fundit, madje në vetë Shtetet e Bashkuara, dëshmojnë se ideja mbi shekullin e 21-të "post-amerikan" është përhapur si një epidemi ndër intelektualët e sotëm.

Tituj të tillë janë: Fundi i epokës amerikane, nga Charles Kupchan; Azia, Amerika dhe transformimi i gjeopolitikës, nga William Overholt; Bota post-amerikane, nga Fareed Zakaria; Shtetet e Bashkuara të Europës: Superfuqia e re dhe fundi i supremacisë amerikane, nga T. R. Reid, Hemisfera e re aziatike: zhvendosja e parezistueshme e fuqisë globale drejt Lindjes, nga Kishore Mahbubani; Kufijtë e fuqisë: fundi i eksepcionalizmit amerikan, nga Andrew Bacevich, Pas perandorisë: lindja e një bote shumëpolare, nga Dilip Hiro, Fundi i rendit botëror amerikan, ngaAmitav Acharya, Pse Europa do të sundojë shekullin e 21-të, nga Mark Leonard dhe shumë të tjerë.

Është për t'u habitur se si, në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare e të politikës globale, nisur nga disa zhvillime të ditës, edhe pse të rëndësishme, mund të krijohet kaq lehtë bindja se struktura e këtyre marrëdhënieve dhe prirjet e politikës ndërkombëtare mund të ndryshojnë brenda një periudhe relativisht të shkurtër.

Sidoqoftë, duhet theksuar se pikëpamja e sotme mbi rënien e supremacisë amerikane në politikën globale nuk është diçka e re. Qysh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, kur Amerika u bë fuqia dominuese e globit, pikëpamja se hegjemonia amerikane po merr fund është bërë e modës të paktën katër herë.

Josef Joffe argumenton se profecitë mbi finis Americae janë përsëritur thuajse çdo dhjetë vjet. Për herë të parë, kjo ndodhi në fundin e viteve 1950, kur Bashkimi Sovjetik lëshoi Sputnikun e tij në hapësirën kozmike dhe, me këtë, u besua se ai vend do t'ia kalonte Amerikës në çdo drejtim.

Ajo ngjarje u pasua më vonë nga paniku, mjaft i përhapur në fillimin e viteve 1960, se Bashkimi Sovjetik e kishte lënë pas Amerikën si në teknologjinë e armëve bërthamore, ashtu dhe në numrin e tyre.

Për herë të dytë, kjo ndodhi në vitet 1970, pas rënies së Saigonit dhe stagflacionit në Shtetet e Bashkuara. Në atë periudhë, Richard Nixon dhe Henry Kissinger besuan se sistemit dypolar i kishte ardhur fundi dhe predikuan krijimin e një bote shumëpolare, të drejtuar nga pesë fuqi të mëdha.

Për herë të tretë, pikëpamja se Amerika po e humbiste rolin e saj dominues në botë u bë shumë e përhapur në vitet 1980, kryesisht si rezultat i sfidës ekonomike të Japonisë. Në atë kohë, historiani i njohur amerikan Paul Kennedy predikoi rënien e Shteteve të Bashkuara si pasojë e "tejshtrirjes imperiale" të saj.

Në të gjitha këto raste, ndryshimet që ndodhën në arenën ndërkombëtare ishin reale dhe, pa dyshim, shumë të rëndësishme.Ato sugjeronin se, në një planet, i cili, përveç Amerikës, popullohet edhe nga fuqi të tjera të mëdha, fuqia politike, ekonomike dhe ushtarake e globit mund të rishpërndahej.

Sidoqoftë, asnjë nga episodet e sipërpërmendur – as në vitet 1950, as në vitet 1970, as në vitet 1980 – nuk e transformoi strukturën e sistemit global në një sistem shumëpolar, në të cilin tri apo më shumë fuqi, pak a shumë të barabarta, do të mund të konkuronin me njëra-tjetrën dhe të balanconin peshën politike të globit.

Deri në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe të Traktatit të Varshavës, bota mbeti dypolare.Pas kësaj kohe, pesha e gravitetit të saj politik, ekonomik dhe ushtarak filloi të bjerë – dhe vazhdon të bjerë – mbi Amerikën, e cila mbetet e vetmja superfuqi e globit.

* * *

Në fillimin e viteve 1960, vetëm një dekadë pasi shumë teoricienë, ekspertë dhe analistë të marrëdhënieve ndërkombëtare kishin zhvilluar konceptin e "dypolaritetit", studiues të ndryshëm filluan të argumentojnë se, me rimëkëmbjen ekonomike të Europës dhe të Japonisë, bota po bëhej shumëpolare.

 

Pas rënies së Saigonit në vitin 1975 dhe dështimit të Amerikës në Vietnam ishin të shumtë ata, të cilët shpallën krijimin e një bote shumëpolare. Sidoqoftë, teksti më me influencë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare në atë kohë, Teoria e Politikës Ndërkombëtare (Theory of International Politics, 1979), shkruar nga neorealisti Kenneth Waltz, argumentonte se, pavarësisht perceptimeve gjerësisht të përhapura mbi fundin e sistemit dypolar, një analizë e vëmendshme e strukturës materiale të botës tregonte se sistemi global vazhdonte të ishte, në thelb, dypolar.

Në vitet 1980, shumëkush besonte se Japonia do të bëhej sunduesja ekonomike e globit. Disa blerje spektakolare që bënë kompanitë japoneze në Shtetet e Bashkuara – përfshirë edhe blerjen e qendrës së famshme "Rockefeller Plaza", në zemër të Manhatanit, si dhe "Pebble Beach" në Kaliforni – krijuan paranojën dhe mitin se "Japonia po e blen Amerikën" dhe u bënë, për një kohë, simbol i të ardhmes së Japonisë. Më 1991, Chalmers Johnson formuloi tezën e tij të famshme: "The Cold War is over, and Japan won" (Lufta e Ftohtë ka mbaruar dhe Japonia fitoi), që u bë një ndër sloganet më popullorë në Europë, në Azi dhe në Amerikën Latine. Madje, ish-Senatori amerikan nga shteti Masaçusets, Paul Tsongas, i cili kandidoi në atë kohë për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, e bëri këtë slogan pjesë të fushatës së tij elektorale.

"Paniku" që u krijua në atë kohë, sidoqoftë, mori fund shpejt kur u provua se blerjet prej kompanive japoneze ishin bërë për një vlerë më të madhe sesa vlera reale e industrive të shitura. Në përgjithësi, mund të thuhet se, edhe pse përfundimi i Luftës së Ftohtë nuk e dëmtoi Japoninë, me mbarimin e saj, ky vend filloi të ndihej "më shumë i shqetësuar, sesa i kënaqur dhe më shumë i kërcënuar, sesa i sigurt".

Që nga ajo kohë dhe për shumë vite me radhë – periudhë e cila për Japoninë njihet si "the lost decade" (dekada e humbur) – ekonomia japoneze ka qenë pothuajse në stanjacion, ndërsa ekonomia amerikane, e cila ndërkohë zhvilloi Internetin dhe teknologjinë e informacionit, është rritur më shumë se 40 për qind.

Në fillimin e viteve 1990, kur, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, në tregun e ideve u bë sunduese teza mbi sistemin njëpolar, me Shtetet e Bashkuara si e vetmja superfuqi e këtij sistemi, Kenneth Waltz shpalli se bota shumë shpejt po bëhej përsëri shumëpolare.

Perceptime të tilla mbi ndryshimin e strukturës së sistemit global janë ushqyer nga besimi se, me fuqizimin ekonomik dhe ushtarak të shteteve të tjerë dhe me daljen në skenën botërore të fuqive të reja të mëdha, Amerika do ta humbiste supremacinë e saj dhe influenca e saj në politikën globale do të balancohej nga ajo e fuqive të tjera.

Mite të tilla, shpesh herë ushqehen nga "iluzioni materialist" se fuqia ekonomike krijon domosdo influencë gjeopolitike dhe statusin e një "aktori polar".

Japonia dhe Gjermania – dy fuqitë ekonomike më të mëdha pas Shteteve të Bashkuara dhe Kinës – të cilat, gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë shfrytëzuan ndihmat financiare dhe ombrellën mbrojtëse të Amerikës për të rindërtuar ekonomitë e tyre moderne të industrializuara, janë shembuj të qartë që tregojnë se zhvillimi dhe fuqia ekonomike e një vendi nuk e transformojnë atë domosdoshmërisht edhe në një fuqi politike dhe ushtarake. Me fjalë të tjera, "gjeoekonomia" nuk përkthehet vetvetiu në "gjeopolitikë".

Përveç kësaj, miti tashmë shumë i përhapur se "shekulli amerikan" ka mbaruar dhe shekulli i 21-të do të jetë "shekulli kinez" mbështetet mbi një argument të rëndësishëm – por të njëanshëm – sipas të cilit, ngritja e Kinës si një fuqi e madhe po e transformon peisazhin ekonomik dhe politik të globit, pa i kushtuar vëmendjen e duhur një argumenti tjetër, po kaq të rëndësishëm.

Ky argument ka të bëjë me faktin se vetë ngritja e Kinës është rezultat i ndryshimeve ekonomike, teknologjike dhe politike që po ndodhin në një botë gjithnjë e më të globalizuar, ndryshime këto, të cilat e shtyjnë Kinën jo drejt izolimit dhe autarkisë, si deri tri-katër dekada më parë, por drejt një integrimi dhe njëbashkëpunimi më të madh me aktorë të tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë, në radhë të parë me fuqinë më të madhe politike, ekonomike, ushtarake dhe teknologjike të globit – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

* * *

Shumë autorë, në Perëndim dhe në Lindje, projektojnë dekadat e ardhshme. Ka prej tyre që sinqerisht besojnë se e ardhmja do të njohë standarde morale më të larta në marrëdhëniet mes shteteve dhe se kjo do t'i bëjë konfliktet dhe luftrat më pak të mundshme—më saktë, një përjashtim dhe jo një rregull në marrëdhëniet mes kombeve dhe shteteve.

Një zhvillim i tillë, pa dyshim, do të ishte i mirëpritur. Sokrati do të thoshte se vetëm një i marrë nuk do ta dëshironte këtë. Problemi, sidoqoftë, nuk është nëse shtetet dëshirojnë ose jo që tëaplikojnë standarde më të mira në marrëdhëniet mes tyre, por nëse atamunden realisht që t'i respektojnë standarde të tillë. Autorë të tjerë besojnë se, brendanjë ose dy dekadave, hegjemonia amerikane do të marrë fund për t'u zëvendësuar nga hegjemonia kineze.

Të tjerë akoma parashikojnë rënien e Perëndimit dhe krijimin e një bote pa të, pra një "shekull aziatik", ndërsa ka edhe ndonjëautor euroentuziast qëbeson se shekulli i 21-të do të krijojë një botë sipas shëmbëlltyrës së Bashkimit Europian.

Të parashikosh se ç'do të ndodhë në botë qoftë edhe dhjetë vite më vonë – madje edhe se sa do të ndryshojë vlera e dollarit amerikan në krahasim me monedhat e tjera valutore – është një gjë shumë e vështirë. Përfytyroni se sa më e vështirë është që të parashikosh zhvillimet globale pesëdhjetë apo njëqind vite më vonë. Për të kuptuar se sa e pamundurështë kjo, mendoni për një çast se çfarë mund të dinin njerëzit në fillim të shekullit të 20-të për fundin e atij shekulli.

Kush mund ta kishte imagjinuar në fillim të shekullit të 20-të se Europa do ta tërhiqte botën në dy luftra shkatërrimtare, se Rusia cariste, më vonë Kinadhe pothuajse gjysma e Europës do të bëheshin shtete komuniste, se zbulimi nga Maria Kyri i radiumit, më 1898, do të shpinte në prodhimin e bombës atomike dhe se, pas Hiroshimës dhe Nagasakit, bota do të njihte fillimin e epokës së politikës nukleare, se Amerika do të bëhej superfuqia e vetme e globit apo se vendet europiane do të binin dakord që të krijonin një union politik, një treg dhe një monedhë të përbashkët?

Prognozat për zhvillimet e ardhshme ndërkombëtare i bëjnë të vështira jo vetëm sjelljet – shumë herë të paparashikueshme – të shteteve që janë aktorë të rëndësishëm në politikën globale, por edhe pamundësia për të parashikuar zhvillime të tilla në shkencë dhe në teknologji, të cilat do tëmund të sillnin një përmbysje të realiteteve ekzituese dhe një botë krejtësisht ndryshe nga ajo që mund të imagjinojmë sot.

* * *

"Pllakat tektonike" të rendit global që sundoi shekullin e 20-të po zhvendosen. Drejtimi i lëvizjes së tyre nuk mund të dihet me siguri absolute. Kjo lëvizje nuk diktohet nga ligjet e gjeofizikës, por nga ligjësitë e gjeopolitikës dhe të gjeoekonomisë globale, të cilat sot determinohen gjithnjë e më shumë nga zgjerimi dhe thellimi i proceseve globalizuese e integruese.

Analiza e të dhënave të këtyre të fundit nuk ka të bëjë me strukturën e brendshme të planetit tonë, por me strukturën dhe natyrën e marrëdhënieve mes fuqive të mëdha, të cilat, nga ana e tyre, përcaktojnë sigurinë dhe ardhmërinë e planetit tonë,

Në një intervistë botuar në vitin 2008 në The Wall Street Jounal, Henry Kissinger vinte në dukje se struktura ndërkombëtare që ne kemi njohur për 300 vite – sistemi vestfalian që lindi pas luftrave fetare në Europë dhe që bazohet në shtetin nacional – po shembet.

Efektet transformuese të globalizimit dhe të teknologjisë së informacionit, ngritja e Azisë, rënia relative e influencës së Europës në marrëdhëniet ndërkombëtare, zgjerimi i islamizmit radikal dhe rëndësia më e madhe e aktorëve joshtetërorë – të gjithë këta faktorë, së bashku, po prodhojnë një rend të ri botëror, apo mungesën e një rendi të tillë.

Unë mendoj, sidoqoftë, se Amerika do të vazhdojë t'i ruajë avantazhet e saj si superfuqia e vetme e globit për një periudhë relativisht të gjatë, pa rrezikuar të kundërbalancohet, ose të rivalizohet nga fuqi të tjera, edhe pse përpjekjet për të balancuar fuqinë amerikane nuk kanë munguar dhe nuk do të mungojnë as në të ardhmen.

Rendi botëror i krijuar pas Luftës së Ftohtë ende nuk është transformuar. Ai vazhdon të jetë, në thelb,njëpolar dhe Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbeten e vetmja superfuqi. Megjithatë, sot vemë renjë rikthim të konkurrencës ndërkombëtare mes fuqive të mëdha – Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Kinës, Europës, Japonisë, Indisë – të cilat konkurrojnë për dominim rajonal.

Lufta për influencë rajonale e globale është bërë sërish një tipar i rëndësishëm i politikës së sotme ndërkombëtare.

Nga pikëpamja ideologjike, periudha e sotme ka provuar se teza e Fukuyamës mbi triumfin përfundimtar të liberalizmit pas mbarimit të Luftës së Ftohtë dhe fundin e historisë ishte e gabuar. Koha e sotme karakterizohet jo nga konvergimi ideologjik, por nga divergjenca ideologjike të theksuara, të cilat, ndoshta, mbështesin më shumë tezën e Samuel Huntingtonit mbi "përplasjen e qytetërimeve".

Si studiues të shkencave shoqërore dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare ne nuk kemi në dispozicion teoritë dhe metodologjitë më të mira për diagnostifikimin e problemeve të shoqërisë dhe për parashikimin e zhvillimeve të ardhshme të saj, në nivel kombëtar ose ndërkombëtar.

Por a do të thotë kjo se ne jemi krejtësisht të paaftë që të parashikojmë se si do të jetë rendi ndërkombëtar njëzet ose tridhjetë vite më vonë? Ne mund të themi, me një farë sigurie, se ai do të jetë, pak a shumë, i ngjashëm me realitetin e sotëm: Shtetet e Bashkuara të Amerikës (me ose pa Trumpin) do të vazhdojnë të mbeten fuqia e vetme hegjemone e globit në një sistem, i cili do të akomodojë në mënyrë të arsyeshme interesat edhe të fuqive të tjera të mëdha – në radhë të parë, interesat e Kinës, të Bashkimit Europian, të Indisë dhe të Rusisë – pa lejuar që ato të sfidojnë seriozisht hegjemoninë e saj.

Vetëm kaq. Më shumë nuk mund të dimë.

 

Ndrenika tallet keq me Bashën: Eja t’i vëmë minat kullës që na dha një stadium të ri

Posted: 28 Jul 2018 02:07 AM PDT

Pas deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për teatrin, aktori i njohur Robert Ndrenika është kundërpërgjigjur me një status ne Facebook, duke theksuar se ka marrë besën e shqiptarit se teatri i ri do të bëhet, duke mos cenuar asnjë centimetër katror nga  territori i tij aktual.

Ndrenika është tallur keq me kreun e PD, ku në mënyrë ironike e fton që të minojnë së bashku kullën që është ngritur me PPP te stadiumi kombëtar "Qemal Stafa". Gjithashtu, Ndrenika shprehet i keqardhur që ndonjë artist i ri bie  viktimë e sherreve politike.

"I dashur Zoti Lulzim Basha! Te falenderoj shume qe me hape syte dhe me rrite vigjilencen ne lidhje me bisedimet qe kam bere  me Kryetarin e Bashkise per ndertimin e Teatrit te Ri Kombetar. Sic te kam bere me dije kam shkelur mbi vehten time dhe kam rene dakord qe Teatri te ndertohet me  PPP (ndonse dhe sot jam i bindur se Teatrin e ka per detyre ta ndertoje SHTETI SHQIPTAR) E kam bere kete dakordesi me kushtin qe te mos jepet asnnje centimeter katror per ndertim KULLASH dhe per kete kam marre BESEN e SHQIPTARIT. Ne rast se shkelet kjo BESE(qe nuk eshte e mundur) shpreh gatishmerine per te  marre pjese ne aksionin e vendosjes te minave per te rrezuar KULLAT. Per ta vertetuar qe neser jam i gatshem te minojme kullen qe ka ngritur PPP ja te stadiumi Qemal Stafa. Sa per Piramiden ka me teper se 10 vjet qe shoku Fatos Nano (ish Kryeminister) na e ka rekomanduar per Teater por ajo nuk i ploteson kushtet. Personalisht (pak a shume) i kam kryer detyrat por me vjen keq per te rinjte qe bien  viktima te sherreve politike dhe qe ka shume gjasa ta ngrysin jeten artistike (ndoshta per 70 vjet te tjera) tek i ashtuquajturi “teater Turbina”. Me respekt  Robert Ndrenika", shkruan aktori i njohur në postimin e tij në Facebook.

o.j/dita

“Vrasësi i heshtur”/ Vala e të nxehtit prek të dielën Shqipërinë

Posted: 28 Jul 2018 01:54 AM PDT

Temperaturat në këtë fund korriku dhe fillimin e Gushtit janë premtuese për ata që duan të pushojnë në breg të detit.

Sipas sinoptikanëve, mesdita e të dielës sjell rritje të ndjeshme temperaturash.

MOTI NE FUND-KORRIKU: Fundjava mbetet me kthjellime në gjithë Shqipërinë deri në orët e pasdites kur vranësirat shtohen në zonat malore ku priten rrebeshe të përkohshme shiu ndërsa shira të izoluar rrezikojnë zonat Qendrore.

Dy ditët e fundit të muajit, paraqiten në kushte të ngjashme atmosferike.

Temperaturat janë rritur lehtë dje dhe sot por rritje të ndjeshme sjell mesdita e së dielës, rritje që vijon dhe javën e parë të gushtit.

Sakaq, duke folur për Tv Klan, meteorologia Tanja Porja tha se e diela rikthen te nxehtin afrikan ne Shqipëri pas shiut dhe temperaturave të ulëta të ditëve të fundit. Vapa përvëluese parashikohet të zgjasë më shumë se një javë.

Kjo mund te jetë dhe java me nxehtë e kësaj vere, sipas sinoptikanëve. Deri në fund të tij, Gushti parashikohet të ketë mot të ngrohtë, por nuk përjashtohet mundësia e një valë të nxehti afrikan para ditëve të Shtatorit.

Në një sqarim tjetër në rrjetet sociale, Meteoalb flet edhe për rrezikun e temperaturave të larta, ku ndër të tjera shpjegon:

VALET E NXEHTESISE: Numri, kohëzgjatja dhe ashpërsia e valëve të nxehtësisë janë rritur dukshëm në dekadat e fundit dhe parashikimet afatgjata vlerësojnë shpeshtim e ashpërsim të treguesve të nxehtësisë, në të ardhmen.

Vala e nxehtësisë është ngjarje atmosferike por ndikimi i saj në jetën njerëzore është shumë i madh.

Vala e nxehtësisë është quajtur edhe "vrasësi i heshtur" pasi numri i jetëve të humbura nga valët e të nxehtit, tejkalon dukshëm numrin e fataliteteve për shkak të acarit, rrufeve, uraganëve, përmbytjeve por edhe tërmeteve.

Vala e të nxehtit gjatë vitit 2003 në Europë, shkaktoi në gjithë Europën 70 mijë fatalitete.

Nxehtësia goditi sërisht Europën në vitin 2006 por numri i fataliteteve thuajse u përgjysmua si pasojë e sistemeve të alarmit dhe fushatave sensibilizuese me komunitetin.

Popullsia u informua mbi çfarë DUHET dhe NUK DUHET bërë në ditët kur temperaturat arrijnë mbi 32°C.

 

o.j/dita

 

 

 

Konsumuan sufllaqe në ish-Bllok, 11 persona përfundojnë në spital të helmuar

Posted: 28 Jul 2018 01:42 AM PDT

Konsumuan sufllaqe në një fast-food në zonën e "ish-Bllokut", por më pas përfunduan në spitalin infektiv në QSUT.

Bëhet fjalë për 11 pacientë, të cilët u paraqitën të enjten në mbrëmje në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive me të vjella, diarre dhe temperaturë.

Sipas shefit të SHSI, Pëllumb Pipero, pacientët që i drejtohen infektivit janë të shumtë.

Ai tha se çdo ditë në këtë spital mbërrijnë mbi 100 raste, ndërkohë që helmimet nga ushqimi zënë pjesën më të madhe të pacientëve që paraqiten.

"Në rastin e mbrëmshëm ishin 10-12 qytetarë që kanë ngrënë ushqim në një lokal, kanë konsumuar të gjithë sufllaqe me mish dhe të gjithë kanë patur çrregullime gastrointenstinale, të cilat nënkuptojnë të përziera, të vjella, diarre dhe temperaturë".

Sipas mjekut infeksionist, pacientët kanë qëndruar 3-4 orë nën vëzhgimin e mjekëve dhe pasi kanë marrë shërbimin mjekësor janë larguar.

Drejtoria e Shëndetit Publik të Tiranës për rastin në fjalë ka ngritur grupin e punës për të kryer hetimet si dhe janë bërë analizat e ushqimeve, si dhe të punonjësve.

"Pranë një lokali, ku kemi marrë denoncimin, ka shkuar një grup për të marrë monstrat ushqimore, të ujit dhe kampionët e feçeve për personelin, i cili punon në atë lokal. Mendoj se nga dita e hënë do të dalin edhe rezultatet e para", tregoi shefja e Shërbimit të Epidemiologjisë, Ermelinda Musai.

Nëse do të konfirmohet helmimi nga ushqimi, për subjektin do të merren masat që parashikohen në ligj, që nis me gjobë deri në mbyllje të aktivitetit/ Klan plus

o.j/dita

Zjarri në Athinë/ Konfirmohet vdekja e dy binjakeve, u dogjën bashkë me gjyshërit

Posted: 28 Jul 2018 01:23 AM PDT

Një lajm i hidhur u ka dhënë fund kërkimeve disa ditore në Greqi për dy vajzat binjake të moshës 9-vjeçare. Sofia dhe Vasiliki Philippopoulos rezultonin të zhdukura që prej së hënës, kur shtëpia e gjyshërve ku ato kishin shkuar për pushime, u përfshi nga zjarret katastrofike që kishin rënë në Mati, rajon afër Athinës.

Vdekja e binjakeve, për të cilat i ati i tyre fillimisht pretendoi se i kishte parë në një kronike televizive ku shfaqeshin të mbijetuarit e zjarreve në një varkë, u konfirmua nga miku i familjes, Georgios Tsoukalos.

Sipas raportimeve në median greke, trupat e vogëlusheve u gjeten përqafuar me gjyshin dhe gjyshen e tyre. Greqia dhe e gjithë bota u lutën që binjaket t'i kishin mbijetuar zjarreve, por fatkeqësisht kërkimi disa ditor përfundoi me lajmin e hidhur se ato nuk jetojnë më.

Ditën e Premte, babai i vogëlusheve Yiannis Philippopoulos u paraqit në morgun e Athinës për të dorëzuar disa sende të vajzave të cilat do të përdoreshin për testet e ADN-së, me shpresën tashmë thuajse të shuar se ata mund të jenë ende gjallë.

Të paktën 87 persona kanë humbur jetën në zjarret më vdekjeprurëse në Greqi që pas Luftës së Dytë Botërore.

o.j/dita

Trafikonte armë nga Maqedonia në Elbasan, arrestohet 32-vjeçari

Posted: 28 Jul 2018 01:09 AM PDT

Një i ri nga Maqedonia me banim në Kosovë është arrestuar pasi u kap me dy pistoleta në makinë, të cilat besohet se po i trafikonte.

Policia tha se në kuadër të operacionit të koduar "URAKA 1" ka përfunduar në pranga Ylber Suma, lindur në Shkup, Maqedoni dhe banues në fshatin Dimcë, komuna Hani i Elezit në Kosovë.

Gjatë  kontrollit te automjetit "Alfa Romeo" me targa SK3771AD, të cilin e drejtonte i riu, policia gjeti 2 armë zjarri tip pistoletë, dy krehëra  dhe 5 fishekë.

Suma dyshohet se këto armë i kishte futur nga Maqedonia, me qëllim për t'i shitur ato me pas në qytetin e Elbasanit, kundrejt vlerës 500 Euro copa.

o.j/dita

Alarmi për Hepatitin B/ Mbi 90% e rasteve të reja transmetohen nga nëna tek fëmija

Posted: 28 Jul 2018 01:02 AM PDT

Pranvera Kola

Mungesa e shenjave të dukshme klinike që në stadet më të hershme, si dhe neglizhenca në kryerjen e testimeve mjekësore bën që hepatiti viral të përhapet me ritme të shpejta, ku në listën e të infektuarve gjithnjë e më tepër po shtohen edhe foshnjat.

Të dhënat e raportuara nga strukturat shëndetësore tregojnë se jo pak, por mbi 90 për qind e rasteve të reja me hepatit B ndodhin si shkak i transmetimit të sëmundjes nga nëna tek fëmija, si dhe gjatë fëmijërisë së hershme. Fatkeqësisht pjesa dërrmuese e këtyre rasteve të reja mbeten të padiagnostikuara dhe trajtuara në kohë, duke shtuar edhe riskun për ndërlikime të rënduara në shëndet.

Përballë kësaj situate, autoritetet e Institutit të Shëndetit Publik sot në "Ditën Botërore të Hepatitit", vënë theksin tek domosdoshmëria e kryerjes së testeve të duhura mjekësore nga nënat gjatë shtatzanisë, për të frenuar kalimin e sëmundjes tek foshnjat që do të sjellin në jetë, në të kundërt foshnjat rrezikojnë dëmtime serioze të mëlçisë.

"Testimi i nënave shtatzëna për hepatit dhe menaxhimi i rasteve pozitive, parandalon mbi 90 për qind të infektimit të foshnjave të ekspozuara ndaj infeksionit të nënës. Çdo vit në 28 korrik, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe partnerët e saj zhvillojnë organizime për të rritur informimin dhe ndërgjegjësimin për hepatitin viral dhe për pasojat që ai shkakton. Mesazhi i këtij viti është :"Hepatiti: Koha për t'u testuar, koha për t'u trajtuar, koha për t'u kuruar", vënë në dukje ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik.

Sa rrezikojmë nga hepatitet virale?

Sipas ekspertëve të shëndetit, hepatiti viral është një grup sëmundjesh infektive të mëlçisë (të njohura, si hepatiti A, B, C, D dhe E), që prek qindra miliona njerëz në mbarë botën çdo vit, duke shkaktuar sëmundje akute e kronike të mëlçisë, deri dhe vdekje nëse nuk menaxhohen që në stadet më të hershme. Në veçanti, virusi i hepatitit B dhe C mund të çojë në sëmundje kronike me efekte të mëdha negative, të tilla si: kanceri i mëlçisë dhe cirroza, të cilat mbartin edhe një kosto të lartë në trajtim.

"Hepatiti viral është referuar si një "epidemi e heshtur" sepse shumica e njerëzve nuk e kuptojnë që janë të infektuar, dhe infeksioni përparon ngadalë deri në sëmundje të rënda të mëlçisë. Shumë vende vetëm tani janë duke kuptuar përmasat e barrës së sëmundjes dhe po gjejnë mënyra për t'u përballur me të", sqaron ISHP.

Krahas kategorisë së përmendur më lart, janë edhe një sërë grupesh të tjera të rrezikuara nga kjo sëmundje. Konkretisht, grupe të tjera janë gjithashtu në rrezik të lartë nga hepatiti B dhe C, përfshirë njerëzit që injektojnë drogë, meshkujt që kryejnë seks me meshkuj, njerëzit që bëjnë tatuazhe, partnerët e atyre që janë me hepatit B, si dhe stafi shëndetësor.

"Edhe pse barra e sëmundjeve të shkaktuara nga hepatiti viral është në rritje, ajo mbetet e injoruar në masë të madhe, apo edhe e panjohur për shumë prej politikbërësve, personelit shëndetësor dhe publikut. Pavarësisht nga shifrat tronditëse që hepatiti ka mbi shëndetin, ai mbetet një grup i sëmundjeve që janë kryesisht të panjohura, të nëndiagnostikuara dhe të patrajtuara. Parashikimet janë që hepatiti viral të renditet ndër shkaktarët kryesorë të vdekjeve në dy dekadat në vazhdim.

Në veçanti, llojet B dhe C të hepatitit çojnë në sëmundje kronike qindra miliona njerëz, dhe së bashku janë shkaku më i zakonshëm i cirrozës dhe kancerit të mëlçisë që shpesh përfundojnë në vdekje. Virusi i hepatitit B dhe hepatitit C së bashku shkaktojnë rreth 80 për qind të rasteve të kancerit të mëlçisë në botë", konstaton Organizata Botërore e Shëndetit. Në vijim të shkrimit gjeni udhëzuesin e plotë të përgatitur nga ISHP në lidhje me njohjen e shkaktarëve, simptomave dhe kujdesit që duhet të tregojmë ndaj hepatitit B.

Çfarë është hepatiti B?

Hepatiti B është një infeksion i mëlçisë, potencialisht kërcënues për jetën, që shkaktohet nga virusi i hepatitit B dhe që mund të shkaktojë sëmundje akute dhe kronike. Hepatiti B është një problem madhor global shëndetësor dhe lloji më i rëndë i hepatitit viral.

Ai mund të shkaktojë sëmundje kronike të mëlçisë, dhe i vë njerëzit në rrezik të lartë vdekjeje nga cirroza dhe kanceri i mëlçisë. Kanceri i mëlçisë është pothuaj gjithmonë fatal, dhe shpesh zhvillohet te persona që janë në moshën më produktive dhe që kanë përgjegjësi familjare.

Rrugët e transmetimit të virusit

Virusi i hepatitit B transmetohet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me gjakun, me spermën apo lëngun vaginal të një personi të infektuar. Mënyrat e transmetimit janë të njëjta si për virusin HIV, por virusi i hepatitit B është 50 deri në 100 herë më infektues. Ndryshe nga virusi HIV, virusi i hepatitit B mund të mbijetojë jashtë trupit së paku për 7 ditë.

Gjatë kësaj kohe, virusi mund të shkaktojë infeksion nëse hyn në trupin e një personi i cili nuk është i mbrojtur nga vaksina. Në këto kushte, çdo njeri që bie në kontakt me gjakun, apo lëngje të tjera të trupit të një personi të infektuar me virusin e hepatitit B, është i rrezikuar të infektohet.

Rreziku është më i madh nëse personi: "Shpohet me age të infektuara, injekton drogë me të njëjtën shiringë që ka përdorur një person i infektuar me hepatit B, përdor mjetet personale si furçën e dhëmbëve apo mjetet e rrojës së personit të infektuar, bën seks me një person të infektuar pa përdorur prezervativ, kur ka më shumë se një partner seksual apo i ndërron  shpesh ata, si dhe kur bën tatuazhe apo vendos vathë (piercing) me mjete të ndotura që i ka përdorur më parë një person i infektuar.

Gjithashtu edhe nëna shtatzënë e infektuar me virusin e hepatitit B mund të infektojë fëmijën e saj të porsalindur.Hepatiti B nuk përhapet nëpërmjet kontaktit të përditshëm, si: puthja, përqafimi, kollitja, teshtitja, kapja apo shtrëngimi i duarve, ose përdorimi i përbashkët i enëve të kuzhinës. Virusi i hepatitit B nuk përhapet nga ushqimi apo uji i kontaminuar, dhe nuk mund të përhapet rastësisht në vendin e punës.

Shenjat klinike të sëmundjes

Sipas autoriteteve të shëndetit publik, periudha e inkubacionit të hepatitit B është mesatarisht 75 ditë, por mund të variojë nga 1 deri 6 muaj. Shumica e njerëzve nuk përjetojnë asnjë shenjë gjatë fazës të fshehur të infeksionit. Kur shfaqen shenjat ato përfshijnë: zverdhje të lëkurës dhe syve, urinë të errët, lodhje ekstreme, të përziera, të vjella dhe dhimbje barku.

Virusi i hepatitit B mund të shkaktojë infeksion kronik të mëlçisë, që më vonë mund të kalojë në cirrozë apo kancer të mëlçisë. Gjasat që infeksioni me virusin e hepatitit B të bëhet kronik, varet nga mosha në të cilën një person infektohet. Fëmijët e vegjël të cilët infektohen me virusin e hepatitit B kanë më shumë gjasa për të zhvilluar infeksione kronike

Diagnostikimi dhe trajtimi

Nëse një person është i infektuar, kjo mund të konstatohet vetëm nëpërmjet bërjes së testit të gjakut. Një numër testesh janë në dispozicion për të diagnostikuar personat me hepatit B. Por, për fat të keq, një pjesë e njerëzve nuk e dinë që janë të infektuar sepse nuk kanë shenja të dukshme. Kur ata fillojnë të kenë shenja, dëmtimet kanë përparuar.

Lidhur me trajtimin, autoritetet e shëndetit sqarojnë se nuk trajtim specifik për hepatitin akut B, ndërsa hepatiti B kronik mund të trajtohet me barna, përfshirë interferonin. Trajtimi mund të kushtojë mijëra dollarë në vit, prandaj nuk është në dispozicion për shumicën e njerëzve në vendet në zhvillim.

Këshillat se si mund të parandalohet

Vaksina kundër hepatitit B është në dispozicion që nga viti 1982, duke parandaluar infeksionin dhe pasojat kronike të tij. OBSH-ja rekomandon që të gjithë fëmijët të marrin vaksinën e hepatitit B sa më shpejt të jetë e mundur pas lindjes, brenda 24 orëve.

Doza e lindjes duhet të pasohet nga 2-3 doza të tjera për të përfunduar gjithë skemën e vaksinimit. Përveç vaksinës e cila ka një siguri dhe efektivitet të lartë, zbatimi i strategjive të tjera të sigurisë së gjakut, duke përfshirë sigurimin e testimit të të gjithë gjakut të dhuruar dhe komponentëve të tij të përdorur për transfuzion, mund të parandalojë transmetimin e virusit të hepatitit B.

Praktikat e injeksioneve të sigurta, duke eliminuar injeksionet e panevojshme dhe të pasigurta, mund të jenë strategji efektive për t'u mbrojtur kundër transmetimit të virusit të hepatitit B. Gjithashtu, praktikat më të sigurta seksuale, përfshirë minimizimin e numrit të partnerëve dhe përdorimin e masave mbrojtëse/prezervativë mbrojnë kundër transmetimit të virusit të hepatitit B.

Kujdes!

Edhe pse barra e sëmundjeve të shkaktuara nga hepatiti viral është në rritje, ajo mbetet e injoruar në masë të madhe, apo edhe e panjohur për shumë prej politikbërësve, personelit shëndetësor dhe publikut. Pavarësisht nga shifrat tronditëse që hepatiti ka mbi shëndetin, ai mbetet një grup i sëmundjeve që janë kryesisht të panjohura, të nëndiagnostikuara dhe të patrajtuara.

Parashikimet janë që hepatiti viral të renditet ndër shkaktarët kryesorë të vdekjeve në dy dekadat në vazhdim. Në veçanti, llojet B dhe C të hepatitit çojnë në sëmundje kronike qindra miliona njerëz, dhe së bashku janë shkaku më i zakonshëm i cirrozës dhe kancerit të mëlçisë që shpesh përfundojnë në vdekje.

“Jam komuniste, o idiot”

Posted: 28 Jul 2018 12:53 AM PDT

Nga Owen Jones*

Mediat britanike po përndiqen nga një spektër i ri, një spektër me qëndrime negative ndaj kapitalizmit.

Qëkur shkrimtarja dhe akademikja Ash Sarkar tha në një TV kombëtar: "Jam komuniste, o idiot", e djathta u shtrembërua me tmerr. Zelli me të cilin iu qepën opinionistët komentit të papërgatitur të Sarkar, për të rihapur diskutimet mbi luftën e ftohtë, tregon shumë.

E djathta është tmerruar nga fakti që po humbet betejën e ideve kundër së majtës, pasi vitin e shkuar laburistët e Xheremi Korbinit i lanë konservatorët pa një shu micë parlamentare.

Veçimi i paqëllimshëm që i bëri Sarkari vizionit komunist të Marksit nga sistemi totalitar i Stalinit (një shoqëri pa shtet, pa klasa, ku njerëzimi çlirohet nga puna me rrogë), e bëri revistën "Elle" të deklaronte se "ajo ishte vërtet një komuniste, dhe heroina e tyre". Gazeta "Telegraf" argumentoi: "Komunizmi ka çuar me miliona drejt vdekjes. Pse të duket bukur ta mbash të shkruar në bluzë?" Ndërsa për Douglas Murrayn e "Spectator", Sarkar nuk është më mirë se një fashiste.

Mos më keqkuptoni, regjimet që morën emrin "komuniste", që nga Stalini e deri te Pol Poti, kanë kryer krime të tmerrshme. Por, për të djathtën, rikthimi i interesit te komunizmi para-stalinist i Marksit, është shembulli më ngjethës i rënies së supremacisë ideologjike. Për ata, komunizmi është sinonim i krimeve që lanë me dhjetëra miliona të vdekur dhe asgjë tjetër. Kapitalizmi, në anën tjetër, paraqitet si një motor zhvillimi njerëzor, pa gjakderdhje e pa faje.

Historia e kapitalizmit është më e ndërlikuar se aq. Nëse do të lexosh lavde të shfrenuara për kapitalizmin, do t'i gjesh pikërisht te Manifestoja Komuniste e Marksit dhe Engelsit: "Dinamizmi revolucionar i kapitalistit," shkruajnë ata, "ka krijuar mrekulli që ua kalojnë piramidave egjiptiane, ujësjellësve romakë dhe katedraleve gotike." Por kapitalizmi është një sistem ekonomik i zhytur në gjakun e milionave.

Sigurisht, kjo nuk i shfajëson tmerret e stalinizmit: modeli totalitar që zhvilloi dhe eksportoi regjimi i Stalinit, u hoqi lirinë miliona njerëzve dhe shkaktoi vdekjen e shumë të tjerëve. Po ashtu, milionat që vdiqën nga zia e bukës në Kinën e Maos nuk mund të harrohet kurrë. Megjithatë, numri i lartë i këtyre viktimave nuk i ndihmon mbrojtësit e kapitalizmit aq sa do të dëshironin. Sipas Librit të Zi të Komunizmit, një pikë referimi për të djathtën, rreth 100 milionë njerëz janë zhdukur nga regjimet që vetëquheshin "komuniste", shumica prej tyre nga Mao Ce Duni në Kinë. Ekonomisti nobelist, Amartya Sen, shkruan se në vitet 1950-1960, politika katastrofike e Maos, e quajtur "Hapi i Madh Përpara", ka sjellë vdekjen e 23 deri në 30 milionë njerëzve.

Por, ai vëren gjithashtu në një shkrim të vitit 2006, se në mesin e shekullit të 20-të, si Kina, ashtu dhe India, kishin të njëjtën mesatare jetëgjatësie të popullatës, rreth 40 vjeç. Pas revolucionit kinez u bë një ndryshim i madh. Në vitin 1979, mesatarja e jetëgjatësisë në Kinën e Maos ishte 68 vjeç, 14 vite më shumë se në Indinë kapitaliste. Mesatarja e ulët e jetëgjatësisë në Indi shkaktonte vdekjen e 4 milionë banorëve në vit. Pse nuk shihet kjo si vrasje e shkaktuar nga kapitalizmi?

Kapitalizmi është ndërtuar që në fillim me gjakun e miliona njerëzve. Që nga shekulli i 17-të e më mbrapa, tregtia trans-atlantike e skllevërve u bë një nga shtyllat kryesore të kapitalizmit. Shumica e pasurisë që ka vënë Londra, Bristoli dhe Liverpuli, që ishin portet kryesore për tregtinë e skllevërve në Evropë, vinte nga puna e afrikanëve të skllavëruar. Kapitali i mbledhur nga skllavëria, që nga duhani, pambuku dhe sheqeri, solli revolucionin industrial në Mançester dhe Lankashër. Shumë prej bankave të sotme, madje, e kanë pikënisjen nga kapitali që vunë nëpërmjet skllavërisë.

Edhe kur tregtia ndërkombëtare e skllevërve nisi të binte, kapitalizmin perëndimor po e pasuronin paratë e përgjakura të kolonizatorëve. India kishte kohë që sundohej nga Britania, fuqia kryesore e kapitalizmit në botë: siç shpjegon "Holokausti Viktorian" i Mike Davisit, në Indi kanë vdekur rreth 35 milionë njerëz nga disa zi buke që ishin krijuar në mënyrë të panevojshme, në një kohë kur India eksportonte me miliona tonë grurë në Britani. Kjo ishte një lopë e majme për paratë e kapitalizmin dhe në shekullin e 19-të u bë burimi kryesor i të ardhurave të vendit. Perëndimi është ndërtuar mbi pasuri të vjedhura e të marra nëpërmjet nënshtrimit të popujve, me një çmim shumë të lartë njerëzor.

Evropa kapitaliste nisi t'i importojë vetë tmerret që u kishte shkaktuar të tjerëve, por vetëm në shekullin e 20-të. Depresioni i Madh është kriza më e rëndë e kapitalizmit, e cila krijoi pakënaqësitë popullore që çuan drejt fuqizimit të nazistëve. Në vitet e para të regjimit të Hitlerit, bizneset e mëdha gjermane, të cilat i druheshin fuqisë të së majtës, bënë kompromise të ndyra me nacional-socialistët dhe i panë nazistët si një armë me të cilën do të godisnin komunistët dhe sindikalistët njëherazi. Bizneset gjermane u kishin dhuruar fonde nazistëve, si para se të vinin në pushtet ashtu edhe më pas, që nga korporatat industriale si IG Farben dhe Krupp. Shumë biznese kanë përfituar nga puna skllavëruese e nazizmit dhe nga holokausti, si IBM, BMW, Deutsche Bank dhe Grupi Schaeffler.

Është e mundur të kesh besim me pasion te kapitalizmi e t'i drejtohesh si i vetmi sistem që funksionon, por jo pa pranuar hijet e errëta që ka, si dhe rolin në episodet më vrastare të historisë së njerëzimit. Por, ta shkelësh me këmbë idenë se ka dhe alternative të tjera veç kapitalizmit, ide që bazohen mbi të tjera vlera e parime, kjo i shërben vetëm funksioneve politike.

E majta radikale demokratike ka kohë që e ka pranuar makthin e sistemeve totalitare si dhe ka reflektuar shumë për mënyrën se si ndodhi. Por, mbrojtësit e papenduar të kapitalizmit nuk e kanë shqyrtuar fare të shkuarën e vet. Ka politikanë dhe historianë të respektuar që vazhdojnë të mbrojnë kolonializmin, pavarësisht tmerreve groteske. Nuk është e drejtë që socialistët demokratë të shekullit të 21-të të kundërshtohen duke u sjellë si shembull ditët e errëta të sistemeve totalitare të shekullin të 20-të.

Të shpresosh në krijimin e një bote ku mund të ketë mjaftueshmëri materiale, të çliruar nga shteti e që bazohet në bashkëpunim, nuk e bën dikë vrasës totalitar. Edhe nëse nuk besoni se kjo mund të ndodhë ndonjëherë, kjo s'do të thotë që duhet t'i dorëzohemi fundamentalizmit të tregut, si për shembull ndryshimet klimatike (të shkaktuara nga një rend ekonomik që nuk e ruan mjedisin) gjë që do të sjellë shkatërrim në planetin tonë. Një shoqëri e drejtë e demokratike po pret që të lindë, një shoqëri që do të ndahet nga të gjitha sistemet e dështuara të së shkuarës.

*Marrë nga The Guardian – Titulli është i Dita

 

Kaloi kufirin mes klandestinëve, kapet terroristi sirian në Kapshticë

Posted: 28 Jul 2018 12:46 AM PDT

Një sirian që dyshohet se ka qenë pjesë e grupeve terroriste të ISIS në vendin e tij dhe në Irak është ndaluar nga policia në Kapshticë, pasi po tentonte që të kalonte nga Shqipëria për në vendet e BE.

Ai u kap para dy ditësh së bashku me 15 refugjatë të tjerë, 9 sirianë, 5 palestinezë dhe një libian.

Sipas mediave ky person ka tentuar që të shkojë në vendet e Bashkimit Europian duke fshehur të kaluarën e tij përkrah grupeve terroriste.

Pas ndalimit ai është dërguar në Qendrën e Mbyllur për të Huaj në Kareç të Shijakut, ndërsa po punohet për ta identifikuar.

Ky nuk është rasti i parë që persona të dyshuar si terroristë hyjnë në vendin tonë, ndërsa në rastet e kaluara janë deportuar menjëherë tek agjencitë e huaja.

Autoritetet shqiptare vijojnë hetimet për sirianin. Materialet janë referuar te Krimet e Rënda në Tiranë.

o.j/dita

 

 

Stadiumi Agia Sofia i AEK Athens F.C. e sotmja dhe historia e një ëndrre

Posted: 28 Jul 2018 12:40 AM PDT

Stadiumi Agia Sofia  është një stadium futbolli në ndërtim e sipër në Nea Filadelfia, në periferinë veriperëndimore të Athinës, Greqi.

Stadiumi po  ndërtohet pikërisht në të njëjtin vend ku ishte stadiumi Nikos Goumas i AEK Athens F.C.

Ka qene vetë presidenti i ketij klubi Dimitris Melissanidis, i cili ne vitin 2005  paraqiti nje plan  per ndertimin e një stadiumi në zonën e Nikos G, me emrin Hagia Sophia, ku se fundi eshte bere realitet mbas shume vitesh.

Per hir të së vërtetës ndërtesa e stadiumit të Agia Sofjes ka qenë një ëndërr  per presidentin por  edhe për çdo tifoz AEK për më shumë se një dekadë.

Me kembenguljen e ketij presidenti gjerat jane vene ne  në lëvizje dhe puna ndërtimore është duke u zhvilluar.

Si u zhvilluan ngjarjet para nisjes se ndertimit te stadiumit

Prezantimi i parë i stadiumit u zhvillua më 2 tetor 2013 në sallën “Miltos Kountouras” në Shkollën e Mesme të Nea Filadelfia.

Pikerisht  ne kete salle eshte prezantuar  projekti i ketij  stadiumi , i cili do të përmbush  kriteret për të patur katër yje në kategoritë e stadiumit UEFA.

Stadiumi do te kete nje kapacitet  prej 32,000 – 34,000 shikuesish dhe do të hapen afro  1500-2000 vënde pune gjatë ndërtimit të tij me 250-400 punëtore  të përhershme kur të mbarojne punimet.

Stadiumi është projektuar pas Mureve të Konstandinopojës ku ka origjinën klubi dhe do të ngjajë si një kështjellë nga jashtë.

Ne 6 nentor 2013 eshte bere prezantimi i plote i stadiumit  në Qendrën Kulturore Onassis në Athinë, ku jane paraqitur informacione teknike rreth stadiumit dhe objektet e tij që u ilustruan në një video 20-minutëshe.

Pas disa ankesave  dhe problemeve te tjera u dha leja per planifikim nga Ministria e Mjedisit  me 25 korrik 2017.

Kur nisi ndërtimi i stadiumit, punimet deri sot dhe pak histori

Ndërtimi i stadiumit  te ri, zyrtar  filloi me punimet tokësore më 28 korrik 2017.

U zhvillua në bazat e stadiumit dhe ishin të pranishëm mbi 6.000 tifozë të AEK-ut. Gjate ceremonise  te pranishmit, drejtues prej vitesh te Aek FC   kane deklaruar se ndërtimi i Agia Sofia ishte një shenjë se vitet e vështira të AEK-ut larg nga Nea Filadelfia kishin mbaruar dhe shkëndija e kthimit të ekipit në lavdi u rindez.

Presidenti i klubit ne kete takim , Dimitris Melissanidis, i cili ishte kryetari i përpjekjeve të AEK-ut përgjatë viteve për të realizuar këtë ëndërr, tha se “muret e Agia Sofia nuk do të bien kurrë më” dhe se sjellja e AEK-ut në shtëpi ishte detyrë ndaj atyre që themeluan AEK 90 vjet më parë.

Punimet po vazhdojne sipas parashikimit  me qellim perfundimin ne vitin 2019.

Kristaq Thano

 

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more