Skip to main content

“Padia për “Russiagate”, Putin nxehet keq me gazetarin e Fox News (Video)” plus 9 more Gazeta SHQIP

“Padia për “Russiagate”, Putin nxehet keq me gazetarin e Fox News (Video)” plus 9 more Gazeta SHQIP


Padia për “Russiagate”, Putin nxehet keq me gazetarin e Fox News (Video)

Posted: 17 Jul 2018 02:07 AM PDT

Presidenti rus Vladimir Putin në një intervistë për gazetarin e Fox News, Chris Wallace, është zotuar se vendi i tij “kurrë nuk ka ndërhyrë në punët e brendshme” të SHBA-ve, e lëre më në zgjedhjet e saj.

Për 35 minuta me radhë Presidenti rus mohoi çdo material shantazhi për familjen e Trump dhe mohoi ndërhyrjen në garën presidenciale. Wallace në një moment e prezantoi Putin me aktakuzën e Departamentit të Drejtësisë për 12 rusë të akuzuar për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale, si pjesë e hetimit të posaçëm të prokurorit Robert Mueller.

Gazetari i njohur shkoi edhe më tej duke i zgjatur Putinit aktakuzën, por lideri rus në këtë moment u nervozua tej mase dhe tundi dorën duke i treguar Wallace tavolinën, pasi aty duhet t'i linte ato dokumente fajësuese për të.

 

Wallace ndërpreu udhëheqësin rus dhe e shtyu atë në mënyrë të përsëritur në një përpjekje për të marrë një përgjigje të shkurtër dhe të drejtpërdrejtë prej tij.

“Le ta shohim në këtë mënyrë", tha Putin për akuzën që Rusia ndërhyri në garën presidenciale. “Njerëzit po flasin për ndërhyrjen e supozuar të Rusisë në procesin zgjedhor në Shtetet e Bashkuara. E përmenda këtë në 2016, dhe dua ta them përsëri tani – dhe me të vërtetë dëshiroj që dëgjuesit tuaj amerikanë të dëgjojnë atë që them. Para së gjithash, Rusia, si një shtet, kurrë nuk ka ndërhyrë në punët e brendshme të Shteteve të Bashkuara, e jo në zgjedhjet e saj.

Wallace sërish e ndërpreu atë dhe u përpoq ta pyeste për specifikat, por Putin u tendos dhe iu përgjigj me një kundërpyetje: "A besoni me të vërtetë se dikush që vepron nga territori rus mund të ketë ndikuar në Shtetet e Bashkuara dhe ka ndikuar në zgjedhjen e miliona amerikanëve?".

Presidenti shtoi: ‘Kjo është krejtësisht qesharake’. Wallace nuk u ndal dhe u përpoq përsëri të pyeste nëse Rusia ndërhyri dhe Putin tha: ‘Unë ja u dhashë përgjigjen, këtë bëra".

17 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)

Alarm nga FMN, Trump po i shkurton ekonomisë globale 430 mld dollarë

Posted: 17 Jul 2018 01:48 AM PDT

Rritja e tensioneve tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe pjesës tjetër të botës mund t’i kushtojë ekonomisë globale 430 miliardë dollarë, meqë Amerika pretendon se është “veçanërisht e pambrojtur” në një luftë tarifore të përshkallëzuar, ka paralajmëruar Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Duke dhënë një qortim të ashpër për Donald Trump, organizata me bazë në Uashington tha se kërcënimet aktuale të bëra nga SHBA dhe partnerët e saj tregtarë rrezikuan uljen e rritjes globale deri në 0.5% deri në vitin 2020, ose rreth 430 miliardë dollarë në PBB-në e humbur në mbarë botën.

Edhe pse të gjitha ekonomitë do të vuanin nga përshkallëzimi i mëtejshëm, Shtetet e Bashkuara do të gjejnë veten “si fokusi i hakmarrjes globale”, me një përqindje relativisht më të lartë të eksporteve të tatuara në tregjet globale.”Prandaj është veçanërisht e ndjeshme", njoftoi FMN.

Trump thelloi mosmarrëveshjet e tij me Kinën javën e kaluar duke propozuar 10% tarifa mbi 200 miliardë dollarë të mallrave kineze që hynë në vend, me këtë vendim të ri që i shtohet 34 miliardë dollarëveve për tarifat që u vendosën zyrtarisht ndaj Pekinit në fillim të muajit.

Presidenti amerikan po ashtu tronditi krerët europianë duke etiketuar BE-në një nga “armiqtë” më të mëdhenj mbi tregtinë dhe la pas një gjurmë kaosi politik në Britani nga vizita e tij.

17 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)

Usain Bolt mund të luajë futboll në Ligën A të Australisë

Posted: 17 Jul 2018 01:33 AM PDT

Tetë herë kampioni olimpik, Usain Bolt është në bisedime për të luajtur futboll në Australi. Lajmin e ka bërë të ditur agjenti i tij, duke sqaruar se ish-sprinteri i Xhamajkës, tashmë në moshën 31 vjeç është duke negociuar me Central Coast Mariners, një ekip që konkurron në Ligën A të vendit.

Zyrtarët e klubit thanë se “nëse gjithçka shkon mirë”, Bolt mund të nënshkruajë për një sezon. Agjenti i tij, Tony Rallis, tha se është rënë dakord “në parim” për një marrëveshje. Bolt është stërvitur më parë me klube në Gjermani, Norvegji dhe Afrikën e Jugut.

Mbajtësi i rekordeve botërore në 100 dhe 200 metra, i cili u tërhoq nga atletika vitin e kaluar, ka folur më parë për interesin e tij për t’u bërë futbollist profesionist. Bolt është një tifoz i Manchester United dhe një nga ish-menaxherët e tij ndihmës, Mike Phelan, është tani në Mariners.

Shefi ekzekutiv i Mariners, Shaun Miekomamp tha se klubi kishte kaluar katër muaj duke ndjekur Boltin dhe se përparimi në marrëveshje ishte “duke shkuar vërtet mirë”.

Miekomamp tha se klubi kishte marrë raporte pozitive të performancës së Bolt kur ai u trajnua me klubin gjerman Borussia Dortmund dhe norvegjezët e Stromsgodset.

“Gjëja më e rëndësishme është që të presim për të parë se sa mirë ai mund të luajë si futbollist. Koha do të tregojë se në çfarë niveli ai është dhe nëse i përshtatet A-League”, tha Mielekamp.

Rallis tha se bisedimet vazhdojnë mbi pagën e Bolt. Neës Corp Australia raportoi se një marrëveshje “shumë milion dollarëshe” ishte propozuar. “Pronari i Central Coast Mariners ka futur dorën e tij thellë në xhep dhe ka garantuar 70% të pagës”, tha Rallis për një radio lokale.

Një zëdhënës i Federatës së Futbollit i tha BBC se nuk do të ndihmonte në financimin e marrëveshjes së Bolt.

17 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)

Negociatat sjellin Hahn në Tiranë, shmangen Ruçi dhe Basha

Posted: 17 Jul 2018 01:23 AM PDT

Eurokomisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn çel sot zyrtarisht punën përgatitore në Tiranë për hapjen e negociatave, në një proces që pritet të finalizohet në qershor të vitit të ardhshëm.

Vizita e Hahn vjen pas vendimit të Këshillit të BE-së, për siglimin e afatit kohor për çeljen e bisedimeve.

Aktualisht Hahn ndodhet në Shkup, ndërsa në mesditë do të vizitojë Tiranën. Axhenda e publikuar bën të ditur se në Tiranë eurokomisioneri Hahn do të takohet me presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe përfaqësues të qeverisë së Shqipërisë.

Takimi Hahn-Rama është vendosur për në orën 14:45, ndërsa në 15:30 eurokomisioneri do t'i drejtohet zyrës së Presidentit Ilir Meta.

Gjithashtu pritet një konferencë për shtyp e tij me kreun e ekzekutivit, por bie në sy fakti se Hahn nuk do të takohet me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe atë të PD-së, Lulzim Basha.

17 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)

Uji, a jeni të sigurt që hidratoheni mjaftueshëm?

Posted: 17 Jul 2018 01:15 AM PDT

I nxehti i verës dhe ajri i kondicionuar mund të rrisin nevojën tonë për lëngje. Kur bën shumë nxehtë, sigurisht që djersitim më shumë. Në verë më shumë se në çdo stinë tjetër kemi nevojë të marrim sasinë e duhur të lëngjeve për ta mbajtur organizmin tonë në ekuilibrin e duhur. Efekti i parë i hidratimit joadekuat është një ndjenjë e përgjithshme e lodhjes, e cila shpesh ngatërrohet me lodhjen e periudhës para pushimeve. Edhe pamja e lëkurës vuan nga një furnizim i pamjaftueshëm i lëngjeve: atëherë le të përpiqemi të kuptojmë nëse hidratohemi siç duhet gjatë ditës dhe si ta rregullojmë këtë gjë.

Etja – Është mekanizmi fiziologjik që nëna natyrë ka parashikuar për të sinjalizuar se trupi ynë ka nevojë për ujë. Fatkeqësisht, ne jemi bërë më pak të ndjeshëm ndaj këtyre sinjaleve dhe shpesh nuk e kënaqim etjen tonë në mënyrë adekuate ose me lëngjet e duhura. Përgjigjja më e thjeshtë dhe më e dukshme, kur kemi etje, është të pimë një ose më shumë gota uji. Ideale do të ishte konsumimi i tij në temperaturë dhome, por në ditët e nxehta kur jemi në kërkim të një pije freskuese, ne preferojmë disa gllënjka të freskëta. Gjithashtu, edhe kjo është një nevojë fiziologjike: trupi ynë përpiqet në çdo mënyrë për të ulur temperaturën e brendshme. Le të shkojmë me të, por t’i rezistojmë tundimit për të gëlltitur pije me akull që mund të shkaktojnë ngatërrime të bezdisshme. Në përgjithësi, një person që gëzon shëndet të mirë duhet të marrë dy litra ujë në ditë (rreth 8 gota). Më mirë të pish nga pak dhe shpesh sesa të pish një shishe të plotë dhe pastaj të mos hidratohesh për orë të tëra.

Çfarë të pini – Duhet të shmangen edhe pijet e ëmbla dhe të gazuara: ata nuk e shuajnë etjen dhe për më tepër ato janë një bombë e vërtetë kalorish. Nëse duam një pije që ka "shije", le të zgjedhim një çaj të ftohtë, ose ujë të aromatizuar që ne gjithashtu mund ta përgatisim në shtëpi, duke lënë për katër ose pesë orë në një litër ujë disa fruta që neve na pëlqejnë ose disa gjethe nenexhik. Pija duhet të ruhet në frigorifer dhe të filtrohet përpara se të pihet. Mbahet rreth një ditë. Kur është shumë nxehtë, është më mirë të reduktoni edhe konsumin e pijeve alkoolike.

Ujë duke ngrënë – Mos harroni se frutat dhe perimet janë shumë të pasura me ujë: një sallatë e bukur e gjelbër, një supë perimesh që mund ta konsumojmë të ngrohtë apo të ftohtë, një ekstrakt ose një frut i centrifuguar janë mënyra të shkëlqyera për të kontribuar në balancën tonë të ujit dhe në të njëjtën kohë të rivendosim kripërat minerale që kemi humbur përmes djersitjes.

Mënyra e jetesës – Për të kuptuar se sa ujë kemi nevojë çdo ditë, duhet të marrim parasysh gjithashtu se si i kalojmë ditët tona. Nëse kalojmë shumë kohë jashtë, të ekspozuar ndaj nxehtësisë së klimës, ne natyrisht duhet të hidratohemi më shumë. E njëjta gjë vlen edhe nëse bëjmë ushtrime fizike dhe merremi me sport. Nëse, nga ana tjetër, kalojmë shumë kohë në ambiente të mbyllura, në një mjedis me ajër të kondicionuar, ne kujtojmë se ftohja artificiale dehidraton shtresat sipërfaqësore të epidermës. Nevojitet edhe më shumë kujdes nëse përdorni një ventilator: rrjedha e ajrit e gjeneruar nga pajisja ndihmon për të avulluar djersën, por nuk ul temperaturën e mjedisit: trupi ynë do të vazhdojë të djersitë, të ruajë termoregulimin e duhur dhe djersa do të zhduket përsëri. Prandaj, shpërndarja e lëngjeve është shumë e lartë dhe është e nevojshme të pini me bollëk. Është gjithashtu një masë e mirë për të shmangur drejtimin e fluksit të ajrit direkt te ne.

Ndihma e parë për lëkurën – Epiderma jonë është shumë e ndjeshme ndaj pabarazive të ujit. Për këtë, përveç hidratimit nga brenda, me një dietë të ekuilibruar dhe sasinë e duhur të ujit, ajo duhet të hidratohet me produkte specifike të dizajnuara për verën. Në rutinën e bukurisë tuaj duhet të keni një vëmendje më të madhe ndaj hidratimit, duke aplikuar një krem hidratues me një cilësi të lehtë për fytyrën dhe dekoltenë, për t’u përdorur gjithmonë në mbrëmje dhe në mëngjes, dhe me një krem të mirë për trupin që duhet të përdoret çdo herë që laheni. Duke pasur parasysh se, në të nxehtin e verës, ju bëni dush çdo ditë, mos edhe më shumë, është më mirë të kufizoni përdorimin e sapunëve të shkumëzuar dhe të preferoni vajrat larës, më pak agresivë për lëkurën. Kur ju bëni sport në natyrë, ose shpenzoni shumë orë në të nxehtë jashtë shtëpisë, mund ta freskoni lëkurën, duke e spërkatur atë disa herë në ditë me një sprai të ujit termal. Nëse në mbrëmje vëmë re se lëkura e fytyrës është shumë e thatë, ne mund ta masazhojmë butësisht me disa pika të vajit të arganit, gjithashtu të shkëlqyeshme për të hidratuar edhe flokët e thatë.

17 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)

Vettingu për Admir Thanzën, shkarkohet nga detyra gjyqtari “skifter”

Posted: 17 Jul 2018 01:06 AM PDT

Një tjetër emër i njohur i sistemit të drejtësisë si anëtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, ka ngecur sot në "sitën" e vettingut.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të shkarkojë nga detyra Thanzën, i cili cilësohet edhe si gjyqtari "skifter", për shkak të vjedhjes së kryer në Itali në vitin 1999.

Në seancën dëgjimore për të KPK argumentoi se ka fshehje të pasurisë, mungesë deklarimi dhe të ardhurash të ligjshme dhe kontakte me personazhe të krimit. Relatori, Lulzim Hamitaj, tha se për pasurinë KPK ka administruar raportin e ILDKP, ku konstaton se gjyqtari  ka bërë deklarim të rremë.

"Ka fshehje pasurie dhe nuk ka burime te ligjshme" tha Hamitaj në seancën e parë për Thanzën.

Nisur nga kjo, relatori deklaroi se KPK bëri një hetim te thelluar sipas të cilit gjyqtari Thanza disponon këtë pasuri:

"Pasuritë e Thanzës, një apartament banimi 136 metra katrorë në Shkodër i blerë 1 milion e 200 mijë leke, e paguar e plotë. E deklaruar në 2003 me vlerë 3 milion lekë. Si burim të ardhurash janë deklaruar nga shitja e dy apartamenteve të tjerë në Shkodër, – pohoi Hamitaj. – Apartament banimi 113 metra katrorë në Tiranë, tek rruga Komuna e Parisit. E deklaruar nga bashkëshortja si pasuri e saj  në vlerën e 4 milionë lekëve. Apartament dupleks ne Gjirin e Lalëzit, Durrës, i blerë në 2012 me sipërfaqe 95 metra katrorë. Në Vetting është deklaruar 38 metra katrorë. Mbetet i paqartë shkaku i kësaj kontrate".

Thanza ka qenë pjesë e sistemit të drejtësisë që në vitin 1992, kur përfundoi studimet me titullin jurist në Universitetin e Tiranës. Po në këtë vit Thanza filloi punën si gjyqtar pranë Gjykatës së shkallës së parë të Shkodrës, ku shërbeu deri në vitin 2006. Nga ky vit e deri në vitin 2009, Thanza ishte gjyqtar në gjykatën e shkallës së parë të Tiranës. Më pas karriera e Thanzës u ngrit menjëherë, pasi në vitin 2009 u emërua gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, ku shërbeu deri në vitin 2013.

Më tej karriera e Thanzës si gjyqtar do të vazhdonte si anëtar në Gjykatën e Lartë, ku shërbente deri sot, kur "ngeli në klasë" nga Vettingu.

Karriera e Thanzës duket se është shembur prej dënimit me 40 ditë burg dhe gjobës për vjedhje në Itali, vendim për të cilin instiucionet shqiptare mund të mos kenë pasur dijeni, por që nuk e kanë bërë publike edhe kur Thanza ngjiti shkallët më të larta në sistemin e drejtësisë.

Mes qindra dosjeve që Thanza ka gjykuar gjatë karrierës së tij 26-vjeçare në sitemin e drejtësisë, janë procesi gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit në Gjykatën e Lartë, ku familjarët e vitimave të 15 marsit 2008, opinioni publik dhe politika kanë akuzuar disa herë që ende nuk është dhënë drejtësi. Po ashtu ai ka dhënë vendime në gjykimin e disa deputetëve në Gjykatën e Lartë, si Tom Doshi, Mark Frroku apo Gent Strazimiri.

17 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)

E marta me vranësira e reshje lokale, nesër rikthehen kthjellimet

Posted: 17 Jul 2018 12:58 AM PDT

Vranësirat shtohen këtë të martë, ku priten dhe shira të përkohshëm kryesisht në zonat malore, dhe pjesërisht në qendër.

Por pjesa e dytë e javës do të risjellë dominimin e motit të kthjellët thuajse në të gjithë vendin.

Sipas Meteoalb, temperaturat do të pësojnë rënie të lehta dhe graduale deri të enjten, më e ndjeshme rënia gjatë së mërkurës por sërish fundjava do të sjellë rritje të temperaturave duke bërë që maksimumi të kapërcejë vlerën 36°C.

17 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)

Berat, arrestohen dy kryefamiljarë për dhunë ndaj grave

Posted: 17 Jul 2018 12:56 AM PDT

Dhuna ndaj bashkëshorteve është arsyeja përse Policia e Beratit ka arrestuar dy kryefamiljarë. Mësohet se uniformat blu kanë arrestuar shtetasin Shpëtim K., 41 vjeç.

"Arrestimi i tij u krye pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij shtetases F.K, 39 vjeçe, banuese në Berat", sqaron policia.

Gjithashtu në pranga ka rënë shtetasi Fatmir M., 50 vjeç. Ai akuzohet se në mënyrë të përsëritur ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij me iniciale R.M, 47 vjeçe, banuese në Berat.

Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprën penale, “Dhuna në familje”, parashikuar nga neni 130/a i Kodit Penal.

17 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)

Vettingu “djeg” gjyqtarin e 21 janarit, Tom Ndreca shkarkohet nga detyra

Posted: 17 Jul 2018 12:51 AM PDT

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi paraditen e sotme të shkarkojë nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Tom Ndreca.

Sipas KPK vendimi arsyetohet me rezultatet e hetimit administrativ, pasi Ndreca ka bërë deklarim të rremë të pasurisë. Vettingu "pret" kështu një tjetër "kokë" të rëndësishme të sistemit të drejtësisë, pasi Ndreca njihet si gjyqtari i dosjes së "21 janarit".

"Subjekti ka mungesë të ligjshme financiare për të justifikuar 1.3 milionë lekë", deklaronte relatorja e çështjes në seancën e parë dëgjimore. Në deklaratën e Vettingut, Ndreca nuk kishte deklaruar likuiditetet në 3 llogari të familjes me vlerë 100 mijë lekë.

Për likuiditetin prej 1.3 milionë lekësh, Ndreca ka pretenduar se nuk i janë marrë në konsideratë të ardhurat nga viti 1980 e në vijim. "Për 1.3 milionë lekët që nuk justifikohen, kam të ardhura kam një jetë që punoj. Nuk i keni llogaritur mirë", tha ai.

Avokatja e gjyqtarit, Mine Progonati, u shpreh se llogaritë bankare janë rrjedhëse dhe shuma të vogla. "Anëtarët e familjes janë të gjithë të punësuar dhe ato janë pagat", tha ajo.

Sa i përket pastërtisë së figurës, sipas DSIK gjykatësi ishte në rregull, por KPK tha se nga hetimet e thelluara rezulton se: "Në vitin 2012 është lidhur kontratë për shitje makine mes shtetasit N.GJ dhe K.N, kjo e fundit është bashkëshortja e gjyqtarit. N.GJ, kunati i gjyqtarit, sipas, KPK ka informacione se ishte me precedentë penalë. KPK ka hetuar kunatin e gjyqtarit dhe ka rezultuar se ai është arrestuar në vitin 2011 për prodhim dhe shitje narkotikesh. Më 20.3.2012 , Prokuroria e Shkodrës pushoi hetimet, ku rezulton se sasia prej 0.44 gramë kanabis është për përdorim vetjak. Ndërsa sasia prej 6 kg e gjetur në shtëpinë e N.Gj nuk është e tij". Në raportin e DSIK thuhet që shtetasi N.GJ hyn në rrethin e personave të krimit të organizuar.

Gjyqtari nuk e kishte deklaruar këtë fakt në formularin për figurën, ndërkohë, KPK tha se për këtë shkak ekziston lidhja me persona të papërshtatshëm. Ndërsa gjyqtari shpjegoi në komunikimin elektronik se nuk e mohon që kunati i tij ka qenë i arrestuar për 0.4 gramë hashash, për të cilin u pushuan hetimet.

"Gjatë plotësimit të formularit nuk e kam deklaruar se nuk kisha dijeni për informacionet e policisë, aq më tepër që 0.4 gramë kanabis i kishte rezultuar për përdorim vetja", tha ai.

17 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)

Takimi me Putin, lum kritikash për Trump: Tradhëtar! Rusia është armike

Posted: 17 Jul 2018 12:38 AM PDT

Takimi me Vladimir putin dhe më pas deklaratat si President i SHBA-ve duke mbrojtur Rusinë për pretendimet e ndërhyrjes në zgjedhjet e 2016-ës, e kanë vendosur Donald Tru,mp përballë një breshërie kritikash në Amerikë.

Nga Helsinki, Trump kundërshtoi agjensitë e inteligjencës amerikane, duke thënë se Rusia nuk kishte arsye për të ndërhyrë në zgjedhje.

“Presidenti Putin thotë se Rusia nuk ndërhyri. Unë nuk shoh ndonjë arsye pse kjo duhej të ndodhte”, tha Trump në deklaratën që ka bërë të shpërthejë zemërimi kundër tij. Ai gjithashtu fajësoi administratat e mëparshme amerikane, veçanërisht atë të Obamës, për nxitjen e marrëdhënieve të tensionuara me Rusinë.

Por kreu i republikanëve në Kongres, kryetari i dhomës Paul Ryan, tha se Trump duhet të hapë sytë e të kuptojë se “Rusia nuk është aleate” e SHBA-ve.

“Nuk ka ekuivalencë morale midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, e cila mbetet armiqësore ndaj vlerave dhe idealeve tona më themelore. Nuk ka asnjë diskutim që Moska ka ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016", tha Ryan.

Edhe vetë shefi i inteligjencës së presidentit publikisht shpërtheu kundër deklaratës së tij. "Rusia është përgjegjëse për përpjekjet e vazhdueshme dhe të përhapura për të minuar demokracinë amerikane", tha në një deklaratë Drejtori i Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës Dan Coats.

Ndërkohë senatori John Mçain, një anëtar kyç i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit, tha se samiti Trump-Putin ishte një “shfaqje e turpshme”.

“Asnjë president i mëparshëm kurrë nuk e ka ulur veten kaq keq para një tirani”, tha Mçain në një deklaratë.

Në një seri postimesh, udhëheqësi Demokratik i Senatit, Chuck Schumer, tha se veprimet e  Trump kishin “forcuar kundërshtarët tanë duke dobësuar mbrojtjen tonë dhe ato të aleatëve tanë”.

Ish-drejtori i CIA-s John Brennan tha se konferenca e lajmeve e Trump ishte “tradhëti”. “Jo vetëm që komentet e Trump ishin imbecile, por ai është tërësisht në xhepin e Putinit. Patriotët republikanë: Ku jeni?”, shkroi ai.

Ndërkohë, Zëvendëspresidenti Mike Pence mbrojti samitin dhe vlerësoi Presidentin Trump.

17 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more