Skip to main content

“Ofendimi i Trumpit për Malin e Zi s’do ta cenojë besueshmërinë e NATO-s” plus 3 more Telegrafi Opinione

“Ofendimi i Trumpit për Malin e Zi s’do ta cenojë besueshmërinë e NATO-s” plus 3 more Telegrafi Opinione


Ofendimi i Trumpit për Malin e Zi s’do ta cenojë besueshmërinë e NATO-s

Posted: 21 Jul 2018 09:17 AM PDT

Marcus Tanner

Nuk ka asgjë më të turpshme sesa të të ftojnë në një festë dhe pastaj të të hedhin një gotë me verë në fytyrë në çastin që hyn në derë.

Kështu ndihen krerët e Malit të Zi, pasi sapo morën me të mira bashkatdhetarët e tyre ngurrues për t'u bërë pjesë e NATO-s.

Sapo bëhen pjesë e klubit, ata ofendohen publikisht nga presidenti amerikan si një vend "agresiv" i vogël që nuk ia vlen të mbrohet.

Përkrahësit e NATO-s në Evropë janë të tronditur me të drejtë – pikëpamjet e tyre të përmbledhura nga UK Telegraph, i cili i quajti fjalët e Donald Trump si "muzikë për veshët e Moskës", që do të dëmtonte besueshmërinë e aleancës në të gjithë Evropën Lindore dhe Ballkanin.

The Telegraph ka të drejtë në një drejtim. Paritë opozitare pro-ruse në Mal të Zi sigurisht që janë të lumtura të dëgjojnë presidentin amerikan të thotë se atij s'i bëhet vonë për sigurinë e anëtarit më të ri të NATO-s. Ngrihet pyetja: Pse s'i bashkohemi gjithsesi?

Gafa e Trump ishte e habitshme edhe për shkak se NATO – si shumë klube banka – drejtohet në bazë të një iluzioni ngushëllues për barazinë e të gjithë anëtarëve të tij (ose klientëve). Një shtet, një vend – të gjithë të barabartë përreth tavolinës.

Natyrisht, ky është një pretendim – një akt. Të gjithë e dinë që Shtetet e Bashkuara janë ata që vendosin në NATO. Megjithatë, deri në çastin që foli Trump, Shtetet e Bashkuara e dinin rëndësinë e maskimit të atij fakti dhe të veshjes së nismave të saj me veshjen e vendimmarrjes kolektive.

Megjithatë, nëse gafa e Trump do të shkatërrojë vërtet besueshmërinë e NATO-s në Evropën Lindore apo Juglindore është një çështje tjetër.

Kjo është për shkak se – pavarësisht ofendimit të Trump për Malin e Zi – përfitimet e anëtarësimit tejkalojnë ose kostot ose detyrimet.

Teorikisht, "kostoja" numër një është nënseksion i Nenit 5, i cili detyron secilin anëtar t'i bashkohet mbrojtjet kolektive të çdo anëtari tjetër nën sulm.

Vetë NATO këmbëngul se ky parim i mbrojtjes kolektive "qëndron në zemër të traktatit themeltar të NATO-s".

Megjithatë, në realitet, kjo është shumë më pak e frikshme; parimi nuk është vënë kurrë në zbatim që pasi aleanca nisi punën në vitin 1949.

As, pavarësisht të gjitha bisedave për "vendosmërinë" e re të Rusisë nën drejtimin e Vladimir Putinit, nuk ka ndonjë shenjë se do të ndodhë.

Kremlini ndjek Perëndimin teksa flet hapur për kërcënimin rus, por Putini tashmë ka qenë në pushtet për një kohë të gjatë dhe gjatë gjithë kohës ka qenë i kujdesshëm për të kufizuar veprimet e tij të ngacmimit dhe kanosjes për btë zbutur shënjestrat e ndjeshme në kufijtë e menjëhershëm të Rusisë.

Edhe në Ukrainë, një temë jetësore për shumë rusë – të cilët e shohin atë si vendlindjen e shtetit rus dhe të ortodoksisë ruse – Putini nuk i është nënshtruar nacionalistëve të vijës së ashpër të Rusisë.

Ata do të donin të shihnin Ushtrinë e Rusisë të lëvizte plotësisht drejt Kievit. Në vend të kësaj, ai u ka hedhur atyre kocka të vogla – Krimea dhe qyteti i Donetskut – duke shmangur rrezikun e një konfrontimi të plotë.

Ideja që anëtarësimi në NATO përfshin ndonjë mundësi reale për një përballje me rusinë mbetet shumë e largët.

"Kostoja" tjetër e anëtarësimit në NATO – duke shpenzuar të paktën 2 për qind të GDP-së tënde në mbrojtje – është po aq teorike.

Në praktikë, më pak se gjysma e një duzine prej 29 shtetesh anëtare shpenzojnë rreth 2 për qind të GDP-së së tyre në ushtri.

Do të shohim nëse shpërthimet më të fundit të Trump mbi këtë temë kanë shumë efekt mbi pjesën tjetër. Deri më tani, Rumania është e vetmja anëtare e NATO-s që duket e gatshme të performojë më mirë.

Këto janë kostot kryesore të anëtarësimit në klub dhe nuk janë të vështira. Ndërkohë, përfitimet, janë të prekshme dhe të menjëhershme – një sasi e madhe përvoje, trajnimi dhe teknologjie.

Për më tepër, përtej të gjithë kësaj të mire, është një përfitim tjetër më pak i prekshëm dhe pa kosto nga anëtarësimi në NATO – identiteti i markës.

Anëtarësimi në NATO ende ka një lloj statusi. Është një vulë e rëndësishme dhe e njohur e anëtarësimit në një "botë perëndimore" më të gjerë, e cila – edhe tani, në mes të rritjes së jashtëzakonshme të Kinës – shihet ende si një botë me vlerë të cilës ia vlen t'i përkasësh.

Ajo shpjegon pse vendet si Shqipëria dhe Kroacia – larg dhe pa asnjë rrezik nga Rusia – donin t'i bashkoheshin NATO-s – dhe pse anëtarësimi në të është rritur nga 12 në vitin 1949 në 29 sot.

Anëtarësimi në NATO është pothuajse si një rit kalimi në moshën madhore, një lloj mitzvah bar – vetëm për shtetet.

Për këtë arsye, pavarësisht të gjithë irritimit të ndjerë në Podgoricë, malazezët nuk kanë gjasa t'i kthehen vendimit të tyre, as ndonjë anëtar tjetër i kohëve të fundit.

Duket sikur në qarkullim nuk ka ndonjë klub alternativ sigurie që premton përfitime të njëjta.

Pakti i padashur i Varshavës ka ikur prej kohësh. Kjo lë neutralitetin. Por vetëm një pjesë e vogël e vendeve, si Serbia – që i ka sytë nga Rusia për mbështetje në Kosovë – kanë shumë për të fituar nga kjo.

Neutraliteti është një biznes i vetmuar – shumë mirë për Zvicrën, e cila e ka kthyer lirinë nga angazhimi në një formë arti – por më pak tërheqëse për vendet në Ballkan.

Kërcënimi afatgjatë i vërtetë për NATO-n është një Amerikë që ndalon së shpenzuari para për atë. Kjo do ta shkatërronte vërtet apelin e klubit – në fakt, të gjithë thelbin e tij. Por kjo nuk ka ndodhur ende.

Ndërkohë, malazezët, pavarësisht fjalëve të Trumpit, duhet – siç u thonë anëtarëve të qendrave të bukurive – "të shijojnë të gjitha lehtësirat e klubit". /BIRN/

The post Ofendimi i Trumpit për Malin e Zi s'do ta cenojë besueshmërinë e NATO-s appeared first on Telegrafi.

Përse gëzohet kancelarja Merkel në pushimet e verës?

Posted: 21 Jul 2018 09:13 AM PDT

Jens Thurau

Duhej të ngjiste shkallët për në konferencën e shtypit një njeri i kërrusur me rrathë të zinj poshtë syve, që mezi e gjen fuqinë të ecë? Jo, Angela Merkel kancelarja gjermane vjen me një xhaketë të kuqe të ndezur, me humor. Si çdo vit edhe kësaj here kryetarja e qeverisë gjermane ndodhet përballë gazetarëve që lejohen të shtrojnë pyetje nga më të ndryshmet- Por ky nuk është vit si çdo vit tjetër, këtë e di edhe Merkel.

Gati përditë e godet, gënjen ose e fyen presidenti Trump kancelaren. Edhe në Evropë, të cilën Merkeli do ta shohë të bashkuar, ka më shumë grindje se kurrë më parë. Madje edhe brenda vendit, grindja me CSU-së nga Bavaria për politikën e azilit gati solli dështimin e qeverisë gjermane. Gjatë përshëndetjes Merkel merr vesh se ajo qëndron ulur në këtë sallë për të 23-n herë në karrierën e saj politike. “Mirë që dikush paska numëruar”, thotë ajo

Konferenca vazhdon, me një hyrje të Merkelit për atë që është më e rëndësishme. Në politikën sociale duhet të vendosen piketat ku duhet, në politikën e pensioneve dhe kujdesin shëndetësor ndaj të moshuarve, por edhe tek digjitalizimi. Së shpejti pritet edhe një strategji e qeverisë për inteligjencën artificiale. Tjetra, qeveria po punon në mënyrë serioze. Ka miratuar dy buxhete brenda katër muajve.

Por edhe politika e azilit nuk harrohet. “Në politikën për refugjatët njerëzit presin nga ne siguri dhe kontrollim të situatës.” Asnjë fjalë për ministrin e Brendshëm, Horst Seehofer, që Merkelin e kërcënoi me dorëheqje në grindjen për azilin. Asnjë fjalë për Donald Trumpin, Putinin apo autokratin turk, Erdogan. Por gazetarët vazhdojnë të pyesin…Trump e quan Evropën “armik”… “Po këtë e regjistroj dhe përpiqem të argumentoj të kundërtën”, përgjigjet Merkel. “Kjo ka sigurisht të bëjë edhe me fuqinë tonë ekonomike.” Por Trump nuk i përmbahet asnjë ujdie, këmbëngulin gazetarët. Merkel e kundërshton këtë, dhe thotë këtë fjalë kuptimplote. “Kuadri i rendit, me të cilin ne ishim mësuar për një kohë të gjatë po tronditet thellësisht.”

Po grindja brenda Gjermanisë? Konflikti i hapur mes partisë CDU dhe simotrës, CSU, nëse Gjermania duhet të kthejë në kufi refugjatët që janë regjistruar në vende të tjera, ashtu si dëshirojnë kristiansocialët? Merkel e kundërshtoi këtë. Pyetjet e gazetarëve drejtoheshin rreth grindjes që gati çoi në dështimin e qeverisë pak javë pas krijimit të saj. “Besoj se ne kemi nxitur pakënaqësinë politike.” E më tej: “Toni ishte mjaft i ashpër. Unë personalisht nuk e pranoj erozionin e gjuhës, sepse kjo është shprehje e të menduarit.” Në fund megjithatë kemi gjetur një ujdi, e kjo vlen të merret në konsideratë, sipas Merkelit. A keni menduar ndonjëherë të jepnit dorëheqjen? “Jo!” thotë Merkel.

Duhet të dëgjosh me kujdes për të mos e humbur momentin, kur kancelarja shprehet me tone të qarta. Si e sheh ajo takimin mes Trumpit dhe Putinin në Helsinki, dhe çështjen, nëse Rusia e ka manipuluar fushatën zgjedhore amerikane? “Zhvillimi i luftës hibride është për Rusinë një mënyrë veprimi.” Ky nuk është supozim por përcaktim. Kështu mendon Merkeli saktësisht për Putinin. E nëse kreu i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker në javën e ardhshme nuk arrin sukses në grindjen tregtare në takimet Trump, atëherë sipas Merkelit, Bashkimi Evropian duhet të merret me “kundërmasat”. Por ky do të ishte varianti më i keq.

Gazetarët vazhdojnë të pyesin, se si ndjehet ajo personalisht, se sa e kanë lodhur javët e fundit. Prej vitesh ata përpiqen të zbulojnë diçka më shumë nga jeta shpirtërore e kësaj gruaje 64 vjeçare. A nuk e bren e gjithë grindja e këtyre javëve? “Nuk më bren asgjë, për të gjithë ne dalin sfida” e më tej “gëzohem për pushimet, sepse mund të fle më gjatë.” Edhe njëherë vazhdojnë gazetarët të pyesin. Po nuk e ka lënduar grindja me Seehoferin? Nuk e ka ndryshuar? Jo, në fund ka pasur kompromise. “Dhe kompromiset janë konstrukte, ku në fund avantazhet tejkalojnë disavantazhet”, thekson Merkel. E sikur të mos mjaftojë kjo, Merkel vë në dukje se do të qëndrojë në post gjatë gjithë mandatit të saj. “Sepse në tërësi bëhet fjalë për një kohë interesante dhe intriguese.” /DW/

The post Përse gëzohet kancelarja Merkel në pushimet e verës? appeared first on Telegrafi.

Kapitullimi amerikan

Posted: 20 Jul 2018 02:02 PM PDT

Franco Venturini

I njëjti Donald Trump që kishte trajtuar keq aleatët e NATO-s, i njëjti Donald Trump që kishte këshilluar Theresa Mayn të padiste BE-në, i njëjti Donald Trump që e kishte quajtur "armike" Evropën, dje u kthye në një bashkëbisedues të përkulshëm, ndaj një Vladimir Putini të dalë fitues nga takimi i Helsinkit.

Në të vërtetë, kreu i Kremlinit nuk kishte nevojë t'i shkëpuste lëshime kolegut amerikan: takimi aq shumë i dëshiruar i mjaftonte. Rusia pushonte së qëni një fuqi rajonale dhe vërtetohej në sytë e botës (dhe të televizioneve ruse) një mbifuqi e përgjithshme, që flet me Amerikën në kushte barazie. Ishte ky një synim që Moska e ndiqte, që nga dita e rënies së Bashkimit Sovjetik. Por Trumpi, në mëdyshje se kjo nuk do të mund të mjaftonte, deshi t'i shtojë nga vetja diçka tjetër.

Bashkëbisedim i shkëlqyer, skajshmërisht prodhues. Heshtje mbi Krimenë. Në konferencën përfundimtare të shtypit, një gazetari amerikan, për të marrë vesh diçka, iu desh të pyeste Putinin me përgjigjen e njohur që më parë. Nëse marrëdhëniet ruso-amerikane janë më të këqijat e mundshme, kjo i kushtohet marrëzisë së administratave të mëparshme të SHBA-ve. Duhet guximi i diplomacisë, unë Trumpi jam gati të rrezikoj për paqen dhe të mirën e popullit amerikan. Ndërhyrje ruse në zgjedhjet e 2016-ës? Është një gjueti shtrigash, Putini e ka përjashtuar, unë i besoj e kam ndonjë dyshim për FBI-në. Është qesharake që Amerika dhe Rusia, që zotërojnë 90 për qind të armëve bërthamore, të paralizohen nga këto hetime që janë një katastrofë e vërtetë.

Më pas, në një çast të mirë, një top i kampionatit botëror të sapo mbyllur i dhurohet Trumpit nga Putini (në shkëmbim të dhuratave të tjera). "Tashmë topi është në fushën e Amerikës", një kuptim i dyfishtë jo i denjë për një ish-KGB, të tjera buzëqeshje, të tjera falënderime, të tjera premtime për të punuar së bashku e për t'u takuar sërish shpejt.

Të kuptohemi, i gjithë ky është një lajm i mirë. Nëse Amerika e Rusia i shtrijnë dorën njëra -tjetrës, në vend që të kërcëllijnë dhëmbët siç bëjnë prej më se një viti, nëse konkretizohet një vullnet i përbashkët për të rimarrë udhën e çarmatimit atomik, nëse mendohet të përballohen krizat rajonale me një shpirt bashkëpunimi, sigurisht mund të thuhet se mbas Helsinkit kemi vetëm deklarata qëllimesh (si në Singapor me Kim Jong-unin), por askush nuk mund të mohoj pa keqdashje se bëhet fjalë për një zhvillim pozitiv.

Megjithatë disa pyetje vihen. Përse Trumpi është kaq agresiv me aleatët e aq lëshues, me atë që ai vetë e ka përcaktuar si një kundërshtar? Përse presidenti bie në kundërshtim me vetveten, kaq lehtësisht sa të duket edhe karikatural? Takimi i Helsinkit na ndihmon të kuptojmë, aty ku vërteton se Tramp-ër janë dy. Njëri, ai më i studiuari, i flet bazës së tij zgjedhore n'Amerikë dhe është tashmë në fushatë për t'u rizgjedhur më 2020: ky Trump kërkon me zë të lartë të ndreqë skandalin e harxhimeve për mbrojtjen e Evropës, keqtrajton zonjën Merkel, gjuan me top kundër "soft Brexit-it" të Theresa Mayt (një tjetër grua), përcakton armike edhe se vetëm në tregti Evropën, çirret mbi gjithë ata kapituj që duken se janë në kundërshtim me doktrinën Amerika First. Me përjashtim kur bëhet një tjetër Trump, që ve marrshin mbrapa, përgënjeshtrohet, lëvdon NATO-n dhe Mayn, por me pak bujë mediatike e atëherë kur mesazhi i vërtetë ka shkuar tek ata që duhet t'a dëgjojnë.

Mirë pra, Rusia dhe Putini janë të përsosur për Trumpin e parë dhe nuk ka nevojë më të ndërhyjë më mbrapa tjetri. Të punohet për paqen, a nuk e duan të gjithë zgjedhësit? Nëse gjërat shkojnë keq, i kujt është faji? I Obamas, i demokratëve dhe mediave, përsosur. Hetimet mbi ndërhyrjet e Moskës në zgjedhjet e 2016 janë një komplot, Putin është i besueshëm. E pastaj, duke bashkëpunuar me Moskën, mund të zgjidhen aq probleme, edhe përtej pakteve të çarmatimit. Ndërmjet të tjerave, nëse Koreja e Veriut nuk do të furnizojë pjesën e fortë për të ndihmuar rizgjedhjen më 2020, mund të mendojë Rusia.

Java e Trumpit n'Evropë na ndihmoi për t'a njohur më mirë. Por nëse në Nato evropianët me shumë mund do të arrijnë të harxhojnë për mbrojtjen dy për qind të PPB-së (jo më shumë) ndërmjet 2024 dhe 2030, nëse Theresa May do të vazhdojë të luftojë deri sa t'a lenë, nëse gjurmët e kalimit të Trumpit janë mjaft të dobëta konkretisht (por jo për zgjedhësit e tij), çfarë mbetet nga takimi i Helsinkit?

Sigurisht vazhdimi i përpjekjeve të Putinit, në marrëveshje me Netanyahun më shumë se sa me Trumpin, për të larguar milicitë iraniane nga kufijtë izraelianë e jordanezë. Ndoshta edhe një përpjekje marrëveshjeje mbi traktatin Inf, që ndalon raketat me rreze të mesme veprimi n'Evropë, veç një bashkëbisedimi ruso – amerikan për të zgjatur edhe pesë vjet "Startin e ri", traktatin e firmosur nga Obama e Medvedjev më 2010 e që mbaron më 2021. Në lidhje me të, dje nuk pati njoftime të sakta, por Trump-i dhe Putini disa herë kanë përmendur përgjegjësinë e tyre si mbifuqi bërthamore. Mbi të gjitha, 2020 do të ishte vërtetë i përsosur, për t'i njoftuar zgjedhësve amerikanë këtë marrëveshje. /"Corriere della Sera", 17 korrik 2018/E përktheu nga italishtja: Eugjen Merlika/

The post Kapitullimi amerikan appeared first on Telegrafi.

Mbi përbërjen gjenetike të shqiptarëve dhe serbëve

Posted: 20 Jul 2018 11:32 AM PDT

Alban Lauka

Deklarata e Mustafa Nanos lidhur me "gjakun" e shqiptarëve po nxit reagime të shumta, shpeshherë, po aq pa vend sa edhe deklarata fillestare. Në rastin më flagrant, janë botuar edhe të dhëna gjenetike të linjave atërore, të shoqëruara me interpretime të gabuara, që duket sikur mbështesin idenë e "gjakut serb" ndër shqiptarë.

Nuk është fundi i botës edhe po të kemi elemente te gjakut serb mes nesh, fundja të gjithë njerëz jemi, lindim te ngjashëm, por rritemi ndryshe. Dhe nëse vërtetë ka prejardhje sllave mes nesh, kjo nuk na bën më pak shqiptarë, për sa kohë që rritemi në frymën e identitetit kombëtarë shqiptarë, me gjuhën dhe traditat tona. Por, e vërteta e thjeshtë që del nga të gjitha të dhënat e deritanishme gjenetike tregon se ndër të gjithë popujt e Evropës Lindore e Juglindore, shqiptarët janë populli me influx-in më të kufizuar të linjave atërore sllave.

Testi gjenetik i linjës atërore mbështetet në faktin se kromozomi Y, trashëgohet drejtpërdrejt nga babai tek i biri, pra pa u shartuar me materialin gjenetik të nënës. Si pasojë, të gjithë pasardhësit mashkullorë të çdo burri kanë të njëjtin kromozom Y si ai vetë, përveç ndonjë mutacioni. Duke i grupuar linjat atërore sipas mutacioneve, kemi haplogrupet që janë përmendur këto ditë: R1b, R1a, I1, I2, J1, J2, E1b1b, G, etj, si dhe shumë nëndegë të tyre.

Gabimi në krahasimet që qarkullojnë në rrjet qëndron në përqendrimin në këto grupe të mëdha dhe mospërfilljen e nëndegëve. Secila nëndegë ka histori dhe origjinë të ndryshme nga të tjerat. Për shembull, R1b dhe R1a janë nëndegë të haplogrupit R, por janë ndarë prej rreth 23 mijë vjetësh, kur nuk kishte as shqiptarë as serbë, madje as indoevropianë. Gjithashtu, është gabim t'u vishen etiketat "Evropë Perëndimore" shqiptarëve të grupit R1b apo "Lindje e Mesme" shqiptarëve të grupit E1b1b, pasi nëndegët të cilave u përkasin shqiptarët kanë qenë në Ballkan prej mijëra vitesh. Pra, duhen shikuar nëndegët e këtyre grupeve, për të dalluar ndarjet më të vonshme.

Edhe pse duhen më shumë teste për një pasqyrë sa më të drejtë të të gjithë popullsisë, nga testimet e deritanishme të shqiptarëve përmes kompanive të ndryshme del se shumica dërrmuese e linjave atërore mes nesh u takojnë disa nëndegëve të veçanta: nëngrupit E1b1b, nëndegës E-V13; nëngrupit J, nëndegës J2b2-L283; nëngrupit R1b, nëndegës R1b-Z2103>BY611 dhe R1b-PF7563. Të tri këto nëndegë, ose degë paraardhëse të tyre, gjenden në Ballkan, të paktën prej Epokës së Bronzit (Mathieson et al, 2017).

Sipas Projektit Shqiptar për ADN, këto tri degë paleo-Ballkanike përfaëqsojnë rreth 78% të linjave atërore ndër shqiptarë, kurse ndër shqiptarët e Kosovës dhe Luginës së Preshevës shifra është rreth 83% (Veseli, 2018). Nëndegët që zakonisht gjenden ndër sllavë, I2a1 dhe R1a-M417, përbëjnë vetëm 10-15% të linjave shqiptare, edhe pse kohët e fundit po dalin të dhëna që disa prej këtyre linjave mund të jenë veçuar para etnogjenezës sllave, gjatë Mesjetës së hershme. Studimet shkencore, edhe për shkak të kostos, mbështeten në rezolucion më të ulët testimi dhe numër më të ultët testesh, nxjerrin shifra të përafërta (Boattini et al, 2015; Ferri et al, 2010; Battaglia et al, 2009).

Nga ana tjetër, ndër serbë, nëndegët tipike sllave I2a1 dhe R1a-M417 përfaqësojnë respektivisht rreth 45-47% të linjave atërore, kurse tri nëndegët e lartpërmendura paleo-Ballkanike vetëm 22-28% (Battaglia et al, 2009; Regueiro et al, 2012). Pjesa tjetër përbëhet nga linja me prejardhje nga Evropa Perëndimore e Veriore, si dhe nga Azia, në masë më të kufizuar.

Pra, pjesa më e madhe e linjave atërore serbe vjen nga dyndjet e Mesjetës së hershme, më së shumti nga dyndjet sllave, ndërsa një pakicë e konsiderueshme është pasardhëse e linjave "vendase". Të dhënat flasin për një përqendrim të këtyre linjave të lashta Ballkanike në pjesët jugore e lindore të Malit të Zi, si dhe në jug të Serbisë, pra pikërisht në zonat me prani historike të shqiptarëve. Si përfundim, nëse mund të flitet për ADN të ngjashme mes shqiptarëve dhe serbëve, është pikërisht në sajë të këtij elementi ballkanik të asimiluar nga sllavët, e jo nga "gjaku serb" mes shqiptarëve, aq më tepër mes shqiptarëve të Kosovës.

Si përfundim dua t'u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që mos të mjaftohen me spekulime pa themel si të Nanos, apo me "analiza" sipërfaqësore që qarkullojnë në rrjet, por t'i bashkohen Projektit Shqiptar për ADN (në FTDNA dhe në Facebook) ku mund të merret informacion i saktë e i hollësishëm për të dhënat e deritanishme, si dhe për mundësitë e ndryshme për tu testuar. Sa më shumë teste, aq më pak llafe boshe!

Referenca:
• Mathieson et al. (2017). The Genomic History Of Southeastern Evrope. Marrë nga http://www.biorxiv.org/content/early/2017/05/30/135616
• Veseli (2018). Statistikat. Marrë nga http://www.gjenetika.com/statistikat/
• Ferri, G., Tofanelli, S., Alù, M., Taglioli, L., Radheshi, E., Corradini, B., & … Beduschi, G. (2010). Y-STR variation in Albanian populations: implications on the match probabilities and the genetic legacy of the minority claiming an Egyptian descent. International Journal Of Legal Medicine, 124(5), 363-370. doi:10.1007/s00414-010-0432-x
• Sarno, S., Tofanelli, S., De Fanti, S., Quagliariello, A., Bortolini, E., Ferri, G., & … Pettener, D. (2016). Shared language, diverging genetic histories: high-resolution analysis of Y-chromosome variability in Calabrian and Sicilian Arbereshe. Evropean Journal Of Human Genetics: EJHG, 24(4), 600-606. doi:10.1038/ejhg.2015.138
• Battaglia, V., Fornarino, S., Al-Zahery, N., Olivieri, A., Pala, M., Myres, N. M., & … Semino, O. (2009). Y-chromosomal evidence of the cultural diffusion of agriculture in southeast Evrope. Evropean Journal Of Human Genetics, 17(6), 820. doi:10.1038/ejhg.2008.249
• Regueiro, M., Rivera, L., Damnjanovic, T., Lukovic, L., Milasin, J., & Herrera, R. J. (2012). High levels of Paleolithic Y-chromosome lineages characterize Serbia. Gene, 49859-67. doi:10.1016/j.gene.2012.01.030

The post Mbi përbërjen gjenetike të shqiptarëve dhe serbëve appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more