Skip to main content

“Liderët e vendit shkelën Ligjin për Protokollin Shtetëror” plus 9 more Ekonomia Online

“Liderët e vendit shkelën Ligjin për Protokollin Shtetëror” plus 9 more Ekonomia Online


Liderët e vendit shkelën Ligjin për Protokollin Shtetëror

Posted: 18 Jul 2018 10:22 AM PDT

Liderët shtetërorë kanë shkelur Ligjin për Protokoll shtetëror kur vendosën që të gjithë të largohen në kohën e njëjtë nga shteti, raporton KTV.

Ky ligj ndalon që presidenti, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri të udhëtojnë në kohën e njëjtë jashtë shtetit. Kjo nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë, derisa këtë herë kryetari i Kuvendit, kryeministri e zëvendësi i tij, Fatmir Limaj, kanë udhëtuar me aeroplanin e njëjtë privat të zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli.

Tre liderët më të lartë shtetërorë edhe një herë tjetër kanë dështuar në aspektin e protokollit dhe kanë lëshuar Kosovën në kohën e njëjtë.

Në Bruksel po qëndrojnë Presidenti Hashim Thaçi, Kryeparlamentari Kadri Veseli dhe Kryeministri Ramush Haradinaj, duke shkelur kështu Ligjin për Protokollin e Shtetit, në të cilin thuhet se paraprakisht duhet të koordinohen vizitat e takimet e tyre.

Sipas këtij ligji, vizitat bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit.

Vendimi i krerëve të shtetit për të udhëtuar në të njëjtën kohë është kritikuar nga partitë opozitare.

Vjosa Osmani-Sadriu, deputete e LDK-së, tha se përveç që e kanë shkelur protokollin e shtetit, liderët, sipas saj, edhe kur janë këtu nuk është se bëjnë shumë punë.

Deputetja e Vetëvendosjes Arbërie Nagavci këtë e quan shpërfillje dhe shkelje të radhës të ligjit nga ata që do të duhej të ishin gardianë të tij.

Kjo nuk është hera e parë që liderët institucionalë e shkelin këtë ligj, pasi kështu kanë bërë edhe me rastin e ceremonisë së shenjtërimit të Nënë Terezës në Vatikan, para dy vjetësh.

Ngjashëm ata kanë vepruar edhe në udhëtimin e tyre në SHBA, ku kanë marrë pjesë në "Lutjet e Mëngjesit".

The post Liderët e vendit shkelën Ligjin për Protokollin Shtetëror appeared first on Ekonomia Online.

Avramopoulos: Kosova ishte 1 km larg liberalizimit, tash vetëm 100 m

Posted: 18 Jul 2018 10:20 AM PDT

Pas një dekadë pritjeje, Kosova ka zgjidhur nyjën kryesore për të bërë përpara në procesin e liberalizimit të vizave.

Komisionari i BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, ka thënë se nëse para dy vjetësh Kosova ka qenë 1 kilometër larg liberalizimit, tani është vetëm 100 metra, raporton KTV.

Komisioni Evropian ka dhënë rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.

Komisionari i BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ka kumtuar lajmin e shumëpritur për kosovarët.

Avramopoulos ka thënë se nëse para dy vjetësh, shteti i fundit me regjim vizash, Kosova, ishte 1 kilometër larg liberalizimit, tani është vetëm 100 metra.

"Pas shumë vjetësh e muajsh të përpjekjeve dhe punës së madhe, Komisioni Evropian tashmë konfirmon se Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet për liberalizimin e vizave. Tash, ne inkurajojmë Këshillin dhe Parlamentin Evropian që të lëvizin përpara me propozimin tonë. Unë vërtet shpresoj se jemi shumë pranë një regjimi pa viza për të gjithë rajonin, i cili do të vendoset shumë shpejt".

Avramopoulos tha se tani Kosova mund të llogarisë në ndihmën e tij. Përmendi se nga ky vendim përfitojnë shumë qytetarë të Kosovës por përmendi edhe mekanizmat e suspendimit, të cilat vlejnë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

"Kosova duhet të vazhdojë edhe më tutje që të sigurojë qëndrueshmëri, prandaj puna duhet të ketë vazhdimësi. Ka pasur bashkëpunim shumë të mirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve të BE-së. Liberalizimi vjen me të drejta por edhe me obligime. Politika jonë nuk ka të bëjë vetëm me lejimin e lëvizjes së lirë, kemi një autoritet që është aprovuar së voni që e mbikëqyr lëvizjen e lirë".

Si meritë e punës së lodhshme disavjeçare e jo dhuratë, e ka parë këtë lajm presidenti i

Kosovës, Hashim Thaçi.

Thaçi shpreson për procedim në hapa të radhës në muajt shtator e tetor.

Avramopoulus tha se Bashkimi Evropian nuk është për "kufij të mbyllur".

Procedurat e radhës priten në fund të gushtit dhe fillim të shtatorit për dialogun midis Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit Evropian.

The post Avramopoulos: Kosova ishte 1 km larg liberalizimit, tash vetëm 100 m appeared first on Ekonomia Online.

Gjërat e kota që dëmtojnë produktivitetin në punë

Posted: 18 Jul 2018 10:10 AM PDT

Mos e dorëzoni kontrollin e kohës tuaj në email, njoftime shoqërore dhe zhurma të tjera.

Në kohën digjitale, çdo ditë është e mbushur me hutime potenciale. Kjo është veçanërisht e vërtetë në biznesin e reklamave të teknologjisë. Emailet grumbullohen në inboxet tona, dhe ne pranojmë njoftime nga rrjetet sociale, mesazhet, bisedat dhe nga aplikacione të ndryshme.

Së fundmi, këto hutime duken më të pranishme dhe më demoralizuese se kurrë.

Për të qëndruar i fokusuar dhe produktiv, unë kam përshtatur disa matje të reja për të qëndruar para përçarjes. Disa janë gjërat të cilat i kam bërë gjithmonë për të qëndruar në ofensivë dhe të parandaloj të tjerët nga sabotimi i ditës time për t'iu përshtatur agjendës së tyre. Këtë vit, do të shtoj taktika të reja në arsenalin tim të produktivitetit. Qëllimi i përgjithshëm është të qëndroj i fokusuar dhe të mbaj negativitetin larg nga dita ime.

Së pari, më lejoni të shpjegoj përfitimet e qëndrimit në ofensivë, duke filluar me më të dukshmen: Unë përfundoj më shumë gjëra. Pa hutimin e të gjitha këtyre komunikimeve, unë mund të fokusohem në atë për të cilën vërtetë kam nevojë për përmbushjen e kompanisë dhe vetes time.

Kam zbuluar zvogëlim dramatik të niveleve të mia të stresit, gjithashtu. Pse? Sepse jam kujdesur për punën time prioritare dhe nuk ndihem i detyruar të reagoj ndaj çdo mesazhi ose postimi. Unë mund të bëj edhe komunikime të ndara kur kam një moment të qetë, të përfundoj atë që është më e rëndësishme dhe t'u përgjigjem vetëm atyre në atë kategori.

Mos e ngatërroni këtë qasje me mospërgjigje ose mosangazhim. Nëse ka një urgjencë të vërtetë, njerëzit të cilëve u nevojitem mund të arrijnë te unë shumë lehtë. Në mënyrë tipike, pjesa më e madhe e sendeve në inboxin tim mund të presin disa orë.

Nëse dëshironi të qëndroni në ofensivë dhe të qëndroni në krye çdo ditë, ju mundeni. Ja se si.

1. Rezistoni nxitjes për të kontrolluar mesazhet në mëngjes

Unë nuk shikoj telefonin ose tabletin tim për të paktën një orë pasi të zgjohem. Kjo fillon ditën time në mënyrë kundërshtimi. Unë do t'u përgjigjesha emaileve, postimeve në media sociale ose mesazheve sapo të zgjohesha. Një ditë produktive nuk fillon kështu. Në vend të kësaj, unë shkoj në palestër ose lexoj një libër për t'u përqendruar para se të kontrolloj inboxin tim. Duke qëndruar larg nga emaili dhe duke u fokusuar në mirëqenien time gjatë kësaj kohe mund t'a mbaj ditën nën kontrollin tim. Më ndihmon të qartësoj kokën dhe të fokusohem në qëllimet e mia.

Vendosni kohë mënjanë për veten tuaj në mëngjes, edhe nëse nuk mund të jetë një orë e plotë. Duke i dhënë vëmendjen tuaj të menjëhershme këtyre ngjarjeve vetëm do të pengojë produktivitetin tuaj.

2. Bëni dietë të medieve sociale

Negativiteti i disa nga rrjeteve sociale më të famshme mund jo vetëm të shkatërrojë ditën tuaj, por gjithashtu mund të ju tërheqë në biseda provokative dhe hutuese. Së bashku, këto ju marrin shumë kohë.

Unë kam fshirë aplikacionet e Facebook dhe Twitter nga telefoni dhe tableti im. Duke mbajtur njoftimet larg më bën që të mbaj nën kontroll konsumimin e mediave sociale( Por e kam mbajtur aplikacionin e Instagram. Është më pak urgjent, më argëtues dhe në përgjithësi pozitiv).

Rrjetet sociale mund të jenë hutuese gjatë ditës së punës, edhe për ata të cilët punojnë në mediet digjitale. Nëse nuk jeni gati për një dietë të plotë, sërish do t'iu sugjeroja që të mbani kohën e shpenzuar në rrjetet sociale nën kontroll.

3. Shënoni bllokime të caktuara kohësh për të mirëmbajtur 'qetësinë''

Unë kam rezervuar disa orë çdo ditë për punët më të rëndësishme. Gjatë këtyrë kohëve, unë nuk jam i arritshëm dhe e kam komunikuar këtë gjë te të gjithë ata të cilët duhet t'a dinë. Unë shkyç njoftimet e emailit dhe zilen e telefonit tim. Unë mbaj kokën poshtë dhe qëndroj i fokusuar në punë.

Nëse ka ndonjë urgjencë, njerëzit e rëndësishëm e dinë se si të më arrijnë. Unë u besoj atyre që të më dërgojnë mesazhe ose të vijnë në zyrën time. Por kjo rrallë ndodh.

E kuptoj se nëse nuk jeni ekzekutiv në kompaninë tuaj, duhet të shpjegoni këtë taktikë dhe përfitimet e saj te mbikëqyrësi juaj. Është e rëndësishme të theksohet se qëllimi juaj do të jetë më produktiv. Sigurohuni që udhëheqësit e ekipit e dinë se kur do të kthehesh dhe se si mund të të arrijnë në ndonjë rast urgjent të punës.

Përderisa këto taktika mund të duken të thjeshta, ato kanë pasur ndikim dramatik në produktivitetin tim dhe në mirëqenien time. Po shfrytëzoj këtë kohë për t'u përqendruar, për të zvogëluar hutimet dhe duke i dhënë punës time fokusin që meriton. Është një rrugë e dukshme për t'u bërë anëtar i skuadrës më efikas dhe më i mirë.

Këto teknika kanë nevojë për përkushtim dhe vetë-disiplinë. Mos kontrollimi i emailit tuaj çdo pesë minuta është sjellje e mësuar, por kështu është edhe shprehia e kontrollimit të telefonit.

Këto ndryshime të vogla do të kenë ndikime pozitive në punën tuaj dhe jetën personale. Do të zbuloni se po përmbushni më shumë në më pak kohë. Do të ndiheni më shumë nën kontroll të ditës tuaj, e cila zvogëlon stresin. Kush nuk e dëshiron këtë?

Mos mendoni shumë. Vetëm bëjeni. Bëni këto ndryshime dhe merrni kontrollin e kohës tuaj. (Entrepreneur)

*Eric Franchi është bashkë themelues i Underton ku ai drejton lidhjet e industrisë dhe menaxhon ortakëritë më strategjike të kompanisë. Ai gjithashtu shërben si investitor dhe këshillues për shumë kompani.

The post Gjërat e kota që dëmtojnë produktivitetin në punë appeared first on Ekonomia Online.

Në Indi, 17 burra akuzohen për përdhunimin e një 11-vjeçareje

Posted: 18 Jul 2018 10:10 AM PDT

Shtatëmbëdhjetë burra u akuzuan në Indi për përdhunimin në grup të një vajze 11-vjeçare, në qytetin Çenai.

Policia tha se vajza është përdhunuar vazhdimisht që nga fillimi i vitit.

Sipas autoriteteve, kryesi kryesor ishte operator i ashensorit në bllokun e apartamenteve ku ajo banon.

Ai dyshohet se e ka droguar vajzën dhe ka ftuar burra të tjerë për ta përdhunuar.

India po përjeton rritje të zemërimit publik mbi numrin e sulmeve të dhunshme seksuale në këtë vend.

The post Në Indi, 17 burra akuzohen për përdhunimin e një 11-vjeçareje appeared first on Ekonomia Online.

56% e bizneseve kanë humbur kontrata shkaku i vizave

Posted: 18 Jul 2018 10:03 AM PDT

Mosliberalizimi i vizave për kosovarët, krahas shkeljes së të drejtës për liri të lëvizjes, ka shkaktuar dëme sidomos në sektorin e ekonomisë.

Kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka thënë se 56 për qind të bizneseve kanë humbur kontrata shkaku i mosliberalizimit të vizave.

"56% e bizneseve kane humbur kontrata dhe relacione te rëndësishme biznesore, ndërsa 62% kane pasur ndikime ne eksporte, si pasoje e mosliberalizimit te vizave".

Ai ka thënë se liberalizim i vizave, do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në ndërkombëtarizimin e ndërmarrjeve kosovare.

The post 56% e bizneseve kanë humbur kontrata shkaku i vizave appeared first on Ekonomia Online.

Presidentja kroate: Shqipëria miku ynë, kur miqtë ishin të paktë

Posted: 18 Jul 2018 09:56 AM PDT

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta priti me një ceremoni zyrtare, homologen e tij kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç, e cila ndodhet për një vizitë dy ditore në vendin tonë.

Pas takimit, dy presidentët dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku nënvizuan miqësinë shekullore mes popullit shqiptar dhe atij kroat.

"Kroacia dhe Shqipëria kanë një miqësi mjaft të hershme dhe kjo vërtetohet nga shumë momente të rëndësishme historike. Falënderoj miqtë tanë kroatë, që na kanë mbështetur pa kushte në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE", tha Meta në konferencë për shtyp.

Presidenti Meta nuk ngurroi të komplimentojë homologen e tij kroate, në lidhje me suksesin e Kroacisë në Botërorin "Rusi 2018", evidentoi edhe faktin se kjo vizitë e saj në Tiranë, vjen në vitin e Skënderbeut.

Nga ana tjetër, presidentja kroate evidentoi gjithashtu miqësinë shqiptaro-kroate në fjalën e saj dhe tha se diskutimi i sotëm lidhet me forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

"Shqipëria ishte miku i Kroacisë, atëherë kur miqtë ishin të paktë. Dialogu ynë ka lindur që në vitet e para të pavarësisë tonë dhe ne sot diskutuam për të fuqizuar edhe më tej bashkëpunimin mes dy vendeve. Në 18 mijë shqiptarë që jetojnë në Kroaci, 2500 prej tyre ishin vullnetarë në luftë dhe disa humbën jetën e të tjerë u zhdukën", deklaroi Kitaroviç.

Ndërkohë, gjatë vizitës së saj Presidentja e Kroacisë do të pritet në takime të veçanta nga Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe do të mbajë një fjalë përshëndetëse para deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë.

Gjithashtu Presidentja e Kroacisë gjatë qëndrimit në Tiranë do të takohet edhe me Kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do të pritet edhe nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, dhe do të vizitojë qytetin e Durrësit, portin e tij ku edhe do te lancohet projekti kroat për mbrojtjen e mjedisit, qytetin e Beratit si dhe qytetin e kalanë e Krujës.

The post Presidentja kroate: Shqipëria miku ynë, kur miqtë ishin të paktë appeared first on Ekonomia Online.

“Pushtuan” finalen e Botërorit, jepet dënimi për “Pussy Riot”

Posted: 18 Jul 2018 09:50 AM PDT

Pas protestës në fushën e finales së Kampionatit Botëror në Moskë, të shtunën, katër anëtaret e grupit "Pussy Riot" janë dënuar me 15 ditë burg si dhe me ndalim pjesëmarrje në ngjarje sportive për tre vjet.

Pas dënimit, grupi ka lançuar videoklipin, "Track About Good Cop". I njohur për kritikat ndaj Vladimir Putin dhe qeverisë së tij, "Pussy Riot" është bërë i njohur në vitin 2012, me këngën e tyre protestuese "Punk Prayer", në Katedralen e Moskës, Krishti shpëtimtar.

Grupi së fundi u arrestua pas hyrjes së tyre në fushë gjatë lojës në mes të Francës dhe Kroacisë.

Të veshur si policë rusë, Veronika Nikulshina, Olga Kurachova, Olga Pakhtusova dhe Pyotr Verzilov hynë në fushë për performancën e tyre të titulluar "Policia hynë në lojë" ose "Aksioni i fushës së futbollit", për t'u larguar pastaj nga fusha nga rojet e sigurisë.

Protesta në fushë shënoi 11-vjetorin e vdekjes së artistit dhe poetit rus, Dimitriy Prigov, i cili shkroi konceptin e tij për "policin hyjnor", e që sipas grupit është në kundërshtim me realitetin e forcave policore në Rusi.

Në anën tjetër videoja e re e grupit "Pussy Riot" përmban tre të rinj, të cilëve më vonë iu bashkohet edhe një grua. Ata të veshur me uniforma policore duke kërcyer në dëborë këndojnë "Unë dhe ti, ne kërcejmë, ne jemi policë".

Duke thirrur kështu për reforma në polici, grupi shpërndau edhe një listë kërkesash në faqen e tyre në "Facebook".

The post "Pushtuan" finalen e Botërorit, jepet dënimi për "Pussy Riot" appeared first on Ekonomia Online.

Blair thërret për referendum të ri për BREXIT-in

Posted: 18 Jul 2018 09:45 AM PDT

Ish kryeministri i Britanisë Tony Blair, thotë se ekzistojnë aq shumë probleme që lidhen me daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian sa që referendumi duhet të përsëritet. Ndërsa partitë politike të Britanisë debatojnë për tregtinë dhe mbi hollësitë në procedurat e daljes së vendit nga BE-ja, politikanët që mbështesin qëndrimin në bllok, e kanë vënë në pikëpyetje legjitimitetin e referendumit, pasi komisioni elektoral tha se grupi zyrtar që zhvilloi fushatë për daljen e Britanisë nga BE-ja në referendumin e vitit 2016, kishte thyer ligjet elektorale.

Kryeministrja britanike Theresa May mundi t'i mbijetojë me vështirësi sfidës më të fundit për Brexit-in të martën, kur Parlamenti votoi kundër një propozimi nga ligjvënësit pro-Bashkimit Europian, që do ta kishte dëmtuar së tepërmi strategjinë e saj për Brexit-in.

Fraksioni pro-BE-së kërkon që Britania të bëhet pjesë e një unioni europian të doganave, në se nuk ka një marrëveshje tregtare me bllokun deri në janar.

Por ky nuk është fundi i shqetësimeve të zonjës May. Legjitimiteti i referendumit për daljen nga BE-ja po vihet në pikëpyetje, pasi Komisioni i Zgjedhjeve tha se fushata për Brexit-in po vihet në pikëpyetje, ngaqë kishte thyer rregullat elektorale në referendumin e vitit 2016.

"Anëtarët e Kabinetit qëndruan në një grupim të krijuar si një përçmim për demokracinë tonë. A nuk tregon kjo se është i nevojshëm një hetim për fushatën e largimit, duke patur parasyh vihet në pikëpyetje legjitimiteti i Brexit-i, që është duke e preokupuar Parlamentin?"- tha anëtari i Partisë Laburiste Chuka Umunna.

Parardhësi i zonjës May, Tony Blair, i cili u largua nga posti në vitin 2007, pasi kishte shërbyer për një dekadë, tha në një intervistë për AFP-së, se nuk duket se do të ketë një marrëveshje për këtë çështje.

"Nuk besoj që shumica e njerëzve e duan Brexitin me të gjitha pasojat e tij dhe as ndonjë version tjetër të tij. Unë mendoj se Parlamenti do të paralizohet në një ngërç dhe mënyra e vetme për t'i dhënë fund kësaj situate, është që t'i lihet përsëri popullit të votojë."- tha ish kryeministri Tony Blair.

Blair tha se kryeministrja May duhet të pranojë se Partia e saj Konservatore është "tepër e ndarë". Por kështu është edhe Partia Laburiste e opozitës. Ndërsa shumiica e anëtarëve të saj janë pro-europianë, udhëheqësi socialist, Jeremy Corbyn, ja qenë i lëkundur për këtë çështje.

Blair tha se ai është shumë kundër Brexit-it dhe se ende shpreson që procesi të mund të kthehet mbrapsht. Por ai shtoi se ka ardhur koha që Bashkimi Europian të reformohet.

"Ka probleme të mëdha me imigracionin, kështuqë çështjet që e çuan Britaninë në zgjedhjen e Brexit-it janë po ato që janë duke shkaktuar trazira në mbarë Europën. Pra, Europa do të ishte shumë e ndjeshme për këtë çështje."- tha Blair.

Zonja May i ka hedhur poshtë thirrjet për përsëritjen e referendumit, por ndërsa paqartësitë për Brexitin rriten, janë duke u shtuar edhe zërat që kërkojnë që kjo çështje të zgjidhet përmes votës, qoftë për Brexit-in, apo për një qeveri të re.

The post Blair thërret për referendum të ri për BREXIT-in appeared first on Ekonomia Online.

Lartësohet vepra e Gani Paçarizit në 20-vjetorin e rënies

Posted: 18 Jul 2018 09:31 AM PDT

Në kuadër të shënimit të "Epopesë së Korrikut 1998", organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë mbajtur akademi përkujtimore për komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gani Paçarizi.

Me këtë rast është lartësuar vepra e këtij dëshmori, në 20-vjetorin e rënies. Por, pati edhe kritika se dy dekada nga lufta çlirimtare, nuk po përmbushet kauza për të cilën ata luftuan: arsim e shëndetësi më të mirë, polici dhe ushtri më të fortë etj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në pamundësi të jetë i pranishëm në këtë përkujtim, ka dërguar një telegram. "Duke kujtuar sot 20-vjetorin e ‘Epopesë së Korrikut 1998’, ngjarje me rëndësi, jo vetëm për Zonën Operative të Pashtrikut, por edhe për luftën çlirimtare në përgjithësi, ne nderojmë kontributin dhe sakrificën e të rënëve për liri. Me këtë rast kujtojmë edhe dëshmorët tanë për liri, Gani Paçarizi e Agim Kelmendi, duke mbajtur gjallë kujtimin për ta. Ne krenohemi me lavdinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila është meritore për ditët që po jetojmë së bashku", ka shkruar Haradinaj.

"Si kryeministër i Kosovës do të jem pranë jush gjithmonë që familjet e dëshmorëve dhe luftëtarët të jetojnë me dinjitet dhe mirëqenie të plotë", ka theksuar kryeministri.

Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, u shpreh se historia e popullit shqiptar është e mbushur me heroizma e sakrifica, të cilët e vulosën përfundimisht çlirimin e Kosovës në fund të shekullit të 20-të.

"Ne sot jemi krenarë që i takuam UÇK-së, një ushtri që kishte luftëtar si komandantin legjendar Adem Jashari, Zahir Pajazitin, Luan Haradinajn e Gani Paçarizin, dhe shumë dëshmorë që dhanë shembuj se si duhet luftuar për atdheun", shtoi Gucati.

“Dëshmorët mungojnë fizikisht, por me rënien e tyre kanë shkruar përjetësinë”.

Në emër të familjes Paçarizi, të pranishmit i përshëndeti i biri i dëshmorit, Kastriot Paçarizi.

"Sot pasi kanë kaluar pothuajse dy dekada nga lufta e shenjtë çlirimtare, dëshmorëve u kemi ngritur lapidare, kemi emëruar sheshe, rrugë, shkolla në emër të tyre; por e kemi anashkaluar një gjë shumë të rëndësishme: kauzën e tyre të shenjtë për të cilën ata luftuan dhe ranë”.

“Në vend që t’i emëroni këto institucione në emër të tyre, do të duhej të përkushtoheshim për një arsim të frytshëm, për një sistem shëndetësor të shëndoshë, për një polici dhe ushtri të fortë. Nëse këto do të ishin në nivel të duhur, atëherë ne do të mund të shkonim ballëlartë në varrezat ë tyre dhe të u themi lavdi ju qoftë sepse sot Kosova është ashtu siç ju e deshët", u shpreh Paçarizi.

Porosia e tij për të rinjtë ishte që të arsimohen dhe të punojnë fort për të ardhmen e vendit.

The post Lartësohet vepra e Gani Paçarizit në 20-vjetorin e rënies appeared first on Ekonomia Online.

Ata që nuk e ndërrojnë mjekun jetojnë më gjatë

Posted: 18 Jul 2018 09:29 AM PDT

Një studim tregon se personat të cilët nuk i ndërrojnë mjekët – jetojnë më gjatë.

"I kemi pasur 9 vende të ndryshme në 4 kontinente të ndryshme – dhe atë në sisteme të ndryshme shëndetësore. Prandaj mendojmë se nuk bëhet fjalë për ndikimin e mjedisit apo kulturës, por bëhet fjalë për faktorin njeri", ka thënë dr. Denis Pereira Gray si udhëheqës i hulumtimit të publikuar në revistën BMJ Open.

"Ne besojmë se kjo funksionon në dy mënyra. Pacientët flasin me mjekët të cilët i njohin dhe të cilëve u besojnë edhe kur bëhet fjalë për çështje të pakëndshme. Dhe mjeku gjithashtu ka informacione më të mira dhe mund t'i përshtatë këshillat që ia jep pacientit të caktuar".

Studimet e mëparshme kanë treguar se pacientët janë më të kënaqur kur një kohë të gjatë shkojnë tek i njëjti mjek i përgjithshëm dhe vazhdimësia e tillë e kujdesit shëndetësor çon në gjasat më të mëdha që t'i ndjekin udhëzimet e mjekut dhe gjasat më të vogla që të përfundojnë në spital.

Për të hulumtuar nëse vazhdimësia e kujdesit shëndetësor ndikon në normën e vdekshmërisë shkencëtarët i studiuan 22 studime që i përfshinë mjekët e përgjithshëm dhe specialistët.

Në 18 studime u konstatua se vazhdimësia më e gjatë e kujdesit shëndetësor u shoqërua me vdekshmëri më të ulët, ndërkohë që në 3 studime nuk u gjet asnjë lidhje. Në njërin studim, të bazuar në numrin e kërkesave për pagesë të sigurimit, u konstatua se vazhdimësia më e gjatë shoqërohet me vdekshmëri më të lartë.

Në të njëjtin studim, të dhënat e marra nga pacientët treguan se vazhdimësia më e gjatë ishte e lidhur me një shkallë më të ulët të vdekshmërisë, përcjell Koha.net. Kjo e thekson marrëdhënien e mjekut dhe pacientit, ndërsa llogaritjet e bazuara në kërkesat e paraqitura për dëmshpërblime e japin vetëm raportin e numrit të kontakteve me mjekun dhe vdekshmërisë, ndërkohë që nuk e masin drejtpërdrejt cilësinë e marrëdhënies.

Duke pasur parasysh variacionet e mëdha në studime, nuk ishte e mundur të kombinohen të dhënat për ta kuantifikuar efektin e përgjithshëm të vazhdimësisë së përmendur në vdekshmëri.

Dr. Gray thekson se deri më tani çështja e vazhdimësisë së kujdesit shëndetësor është parë si një çështje e komoditetit dhe jo një çështje shëndetësore. Tani po tregohet se bëhet fjalë për një çështje shëndetësore.

Vizitat tek i njëjti mjek në disa vende janë më të vështira, për shembull në sistemet e nacionalizuara shëndetësore, transmeton Koha.net. Këtu nuk ekziston problemi i qasjes tek mjeku, por problemi tek i cili mjek mund të shkohet.

Rezultatet e këtij hulumtimi sugjerojnë se sistemet shëndetësore të botës duhet t'i japin prioritet sigurimit të vazhdimësisë së kujdesit shëndetësor, theksojnë autorët.

The post Ata që nuk e ndërrojnë mjekun jetojnë më gjatë appeared first on Ekonomia Online.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more