Skip to main content

“Kërcënimi i NATO-s nuk është Trumpi, por një botë që po ndryshon” plus 1 more Telegrafi Opinione

“Kërcënimi i NATO-s nuk është Trumpi, por një botë që po ndryshon” plus 1 more Telegrafi Opinione


Kërcënimi i NATO-s nuk është Trumpi, por një botë që po ndryshon

Posted: 19 Jul 2018 09:30 AM PDT

Vesko Garceviq

Koncerti mbaroi, muzikantët nuk ishin aq melodiozë dhe të akorduar si më parë, por shfaqja vazhdon. Kjo mund të jetë një përmbledhje e takimit të fundit të NATO-s.

Ishte një nga ngjarjet më intriguese dhe provokuese të NATO-s ndonjëherë. Shumë prej tyre do t'ia atribuojnë këtë atmosferë të tendosur të takimit të Brukselit presidentit amerikan Donald Trump.

Ndryshe nga pjesëmarrja e tij e parë në takimet e NATO-s, këtë herë ai ishte figura qendrore – gjë që padyshim ishte muzikë për veshët e tij.

Më e rëndësishmja, Trump vuri çështjen e shpenzimeve të mbrojtjes në krye të të gjitha diskutimeve, duke vënë në dyshim solidaritetin e aleatëve europianë të Amerikës dhe rolin e tyre në aleancë.

Si pjesëmarrësit ashtu edhe ekspertët mbetën me ndjenja të përziera. Komentet variuan nga parashikimet pesimiste, si ajo e Robert Kaganit në Washinton Post, e deri te komentet "e zakonshme të biznesit" të zyrtarëve të lartë të NATO-s.

Sipas Kagan, çështjet brenda NATO-s janë shumë në rregull, edhe pse "qeniet njerëzore shpesh zgjedhin vetë-mashtrimin mbi realitetin e dhimbshëm dhe kështu në ditët dhe javët e ardhshme do të dëgjojmë risigurime se aleanca e NATO-s është në gjendje të mirë".

Ata që morën pjesë në samit morën pikëpamje të ndryshme për atë që ndodhi në Bruksel.

Presidenti francez Emmanuel Macron u citua të thoshte: "Lexova një mesazh me 140 shkronja, por debatet morën një ton ndryshe. Ato ishin të sinqerta, por nuk u ngrit gishti kundër askujt apo mungesë respekti".

Sipas deklaratave nga ish-kolegët e mi, presidenti Trump, as në takimet apo debatet bilaterale, nuk kërcënoi t'i nxirrte Shtetet e Bashkuara nga NATO-ja.

Deklaratat e tyre duket se konfirmojnë parashikimin e Kaganit, se zyrtarët e NATO-s po përpiqen të na risigurojnë se në Aleancë është çdo gjë në rregull.

A ka probleme Aleanca? Për çfarë është? A është diçka e vjetër? A jetojnë aleatët europianë në kurriz të Shteteve të Bashkuara?

Asnjë nga këto pyetje s'është e re. Ato kanë qenë temë debatesh intensive, larg syrit të publikut, në aleancë për vite me radhë.

Gjatë rrugës së tij në Europë, presidenti Trump u shpreh se Shtetet e Bashkuara paguajnë pjesën më të madhe të buxhetit të NATO-s, duke paguar midis 70 dhe 90 për qind të tij, në varësi të mënyrës si e përllogarit.

Por kjo nuk është një çështje e re dhe Trump nuk është i pari që e përmend këtë për të detyruar europianët që të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes.

Në fjalimin e fundit të politikës së tij mbi të ardhmen e NATO-s, në qershor 2011, ish-sekretari i mbrojtjes i SHBA Robert Gates gjithashtu u bëri thirrje aleatëve europianë të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen.

Nuk është sekret as se NATO nuk ishte një përparësi për presidentin amerikan Barak Obama. Ai nuk ishte as mbështetës i një politike të NATO-s me dyer të hapura. Në raste të ndryshme, Obama i paralajmëroi partnerët e tij në Europë se nuk ekzistonte një gjë e tillë si një "rrugë e lirë".

Ndërkohë, është e vërtetë se buxheti ushtarak amerikan është shumë më i lartë se ai i ndonjë tjetri në familjen e NATO-s.

Shpenzimet totale të mbrojtjes të të gjithë anëtarëve të NATO-s në vitin 2017 ishin rreth 957 miliardë dollarë amerikanë. Pjesa e SHBA-së për këtë total ishte rreth 686 miliardë dollarë amerikanë, që është rreth 72 për qind e shpenzimeve totale.

Mbretëria e Bashkuar vinte e dyta me 5.8 për qind, e ndjekur nga Franca dhe Gjermania me 4.8 për qind.

Nuk duhet harruar se, në dekadat e para të NATO-s, pjesa europiane e shpenzimeve totale ishte më shumë se 50 për qind. Prandaj, është e qartë se Shtetet e Bashkuara, me kalimin e kohës, po paguajnë më shumë për sigurinë dhe paqen në Europë.

Megjithatë, përllogaritja nuk është aq e thjeshtë sa duket. SHBA-të shpenzojnë më shumë në mbrojtje sesa vendet europiane, por i gjithë buxheti ushtarak amerikan nuk shkon për NATO-n. Si një fuqi globale, shpenzimet ushtarake të SHBA-së ia kalojnë NATO-s dhe operacioneve të saj.

Pamja duket ndryshe nëse merret parasysh financimi i drejtpërdrejtë i NATO-s. Përsëri, SHBA-ja kryeson me 22 për qind, e ndjekur nga Gjermania me 15 për qind dhe Franca dhe Britania e Madhe me 10 për qind. Megjithatë, nga kjo perspektivë, SHBA-ja vështirë se paguan "pjesën më të madhe" siç pohoi presidenti Trump.

Solidariteti i shteteve anëtare të NATO-s është testuar shumë herë më parë. Këtë herë, po vihet në pikëpyetje nga presidenti i shtetit më të rëndësishëm të NATO-s. Kjo është e paprecedentë në historinë e aleancës.

Megjithatë, realiteti është se SHBA-ja tani është më e angazhuar ushtarakisht në Europë sesa ishte vetëm disa vjet më parë. Duke u bazuar në vendimin e vitit 2016 të Aleancës për vendosjen e grupeve luftarake në krahun e saj lindor, përballë Rusisë, kjo kërkon më shumë angazhim në Europë.

Përbërja e katër grupeve luftarake shumëkombëshe, që arrin në 4,500 trupa, të vendosura në vendet baltike dhe në Poloni, tregon se si solidariteti ende funksionon në praktikë.

Kanadaja kryeson grupin e betejës në Letoni, me kontribute nga Shqipëria, Italia, Polonia, Sllovenia, Spanja dhe Mali i Zi për t'u bashkuar me grupin në muajt e ardhshëm.

Gjermania kryeson grupin e betejës në Lituani, me kontribute nga Belgjika, Luksemburgu, Holanda dhe Norvegjia. Britania udhëheq grupin e betejës në Estoni, me kontribute nga Franca. SHBA-ja udhëheq grupin e betejës në Poloni, me kontribute nga Rumania dhe Britania e Madhe.

Llojet e reja të sfidave të sigurisë kërkojnë mirëkuptim më të mirë dhe bashkëpunim më intensiv midis partnerëve europianë dhe SHBA-së.

SHBA ka një arsye me baza të mira për të kërkuar që Europa të rrisë shpenzimet e saj të mbrojtjes dhe të bëhet më e ndërlidhur dhe të marrë përgjegjësinë e plotë për sigurinë europiane. NATO e ka bërë të mundur BE-në. Ajo krijoi një mjedis të sigurt në Europën e pasluftës në të cilën mund të bëhej integrimi.

Nga ana tjetër, aleatët europianë të Amerikës gëzojnë mbrojtjen e plotë nga NATO-ja dhe nuk kanë shpenzuar mjaftueshëm për mbrojtjen. Ata gjithashtu kanë vështirësi të tjera për të kapërcyer kur vjen puna për t'i bërë efikase sistemet e tyre të sigurisë. Kriza në Ukrainë dhe kriza e emigracionit treguan se sa e vështirë është ende për shtetet anëtare të BE-së të formulojnë një përgjigje të përbashkët dhe efektive për të djegur çështjet e sigurisë në Europë.

Megjithatë, europianët kanë një argument të fortë kundër një qasjeje aktuale amerikane ndaj çështjeve europiane që mund të kenë efekte të qëndrueshme dhe dëmtuese ndaj interesave amerikane dhe europiane.

Të gjitha këto bëhen me rëndësi të veçantë teksa afrohemi me takimin historik SHBA-Rusisë.

Asgjë nuk i shërben interesave të Rusisë më mirë se mosbindja brenda NATO-s dhe BE-së. Moska nuk do të heqë dorë nga strategjia e suksesshme e provuar e shfrytëzimit të divergjencave midis aleatëve perëndimorë të Amerikës, duke zgjeruar boshllëqet ekzistuese dhe duke nxitur mosmarrëveshje të mëtejshme.

Ndërhyrja e fundit e diplomatëve rusë në proceset politike në Greqi, duke inkurajuar tubime kundër marrëveshjes me Maqedoninë dhe duke ofruar ryshfet ndaj kundërshtarëve të marrëveshjes, siguron provë të re të strategjisë së Moskës.

Pyetja për sot nuk është, siç mendonin disa para samitit të Brukselit: a mundet NATO-ja t'i mbijetojë Trumpit?

Po, mundet. Pyetja është: a munden SHBA-ja dhe Europa të gjejnë një formulë për të mbajtur lidhjen euro-atlantike të fortë në një kohë transformimi global? Unë shpresoj se do të mund t'i përgjigjemi me "po" edhe kësaj. /BIRN/

(Autori ishte ambasador malazez në NATO, në OSBE dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Aktualisht është profesor në Shkollën për Studime Globale – "Frederick S. Pardee", në Universitetin e Bostonit)

The post Kërcënimi i NATO-s nuk është Trumpi, por një botë që po ndryshon appeared first on Telegrafi.

Diasporë apo Mërgatë vs “Auslander” apo “Schatz”?!

Posted: 19 Jul 2018 09:11 AM PDT

Premtim Fazliu

Tashmë, në sezonin veror dhe jo vetëm, Kosova vërshohet nga vizitat e pafundme të bashkatdhetarëve tanë, që jetojnë gjetiu nëpër botë.

Në këtë periudhë të përvitshme, konstant me ngritjen e disponimit dhe ç'mallimin ndërnjerëzor dhe familjar, gjithnjë e më shumë vihet në shprehje tendenca 'e pashmangshme' për të bërë diferencime mes nesh.

Diferencimet ndërkulturore i kemi hasur historikisht. Jo vetëm ne si shqiptarë, por globalisht. Raste të ndjeshme, si rasti i bashkatdhetarëve tanë, është mjaftueshëm interesant, dhe jo lehtësisht i kuptueshëm. Është vështirë të qartësohet në aspektin social dhe gjuhësor se pse bëjmë ndasi.

Jo të gjithë e bëjmë diferencimin e terminologjive të cilat i përdorim për ta përshkruar me saktësi emigrimin e bashkatdhetarëve tanë. Sigurisht se dikush mund të thotë se çka ka rëndësi se me çfarë terme i quajmë familjarët tanë, të cilët jetojnë anë e kënd botës.

Patjetër se ndërmjet pikëpyetjeve Diasporë apo Mërgatë dhe "Auslander" apo "Schatz"-i, domosdoshmërisht se kjo e dyta është larg më sensitive.

Të fillojmë nga e para. Fjala Diasporë fillimisht është përdorur si fjalë greke, e që me kalimin e kohës ajo ka kaluar nëpër gjuhë të ndryshme, si dhe në literaturat fetare, specifikisht në kohën kur është bërë shpërngulja masive e hebrenjve nga vendi i tyre (Izraeli). Pas vitit 1909, francezët ishin ata që i dhanë jehonë këtij termi, që përshkruante shpërndarjen e një etnie nga vendi amë i tyre. Kjo fjalë tashmë përdoret edhe në gjuhën e unisuar shqipe të vitit 2006, e cila nënkupton "Shpërngulje e një grupi të një etnie a të një kombi dhe vendosja në një vend tjetër për të jetuar e për të punuar".

E dyta: Fjala,. Mërgatë ose Mërgim në fjalorin e Gjuhës standarde shqipe do të thotë "Njerëzit që kanë emigruar në dhe të huaj", e cila rrjedh nga fjala e vjetër latine "Mergere", që do të thotë me u zhytë, e cila në fjalorin shqip është përshtatur në kuptimin që tashmë të gjithë e dimë.

Në aspektin gjuhësor, konsideroj se fjala e duhur në rastin e kosovarëve që kanë lënë atdheun e tyre për të punuar dhe jetuar në një vend tjetër është fjala Mërgim ose Mërgatë, me vetë faktin se dyndjet e shqiptarëve nuk kanë ndodhur të organizuara në grupe apo stratigjikisht të paramenduara, thjeshtë, ato ngjanin për shkaqe të kushteve të dobëta ekonomike dhe si pasojë e regresionit jugosllav, dhe si të tilla, ato ndodhnin sporadikisht, herë një individ e një ditë tjetër një tjetër individ, dhe tashmë pjesën tjetër të historisë, e dimë që të gjithë.

Ajo çfarë e rëndon më shumë faktin e 'përçarjes' ndërshqiptare, veçanërisht mes atyre që jetojnë në Kosovë/Shqipëri dhe atyre në Mërgatë, është (keq)trajtimi që i bëhet atyre në vënien e emërtimeve nënçmuese, siç janë "Auslander" apo "Schatz".

Fjala Ausländer rrjedh nga gjermanishtja e vjetër që ka kuptimin e "Shtetasve të huaj", njësoj edhe fjala Schatz rrjedh po ashtu nga gjermanishtja që do të thotë "Thesar, i/e dashur etj."

Në aspektin social dhe emocional, "Auslander" dhe "Schatz" në thellësi të vetë fjalës nuk ekziston ndonjë ofendim, përkundrazi tregon një përshkrim të historisë së një X apo Y personi. Mirëpo, avaria tek ne është se këto terme ne i përdorim me idenë e përuljes se bashkatdhetarëve tanë, të cilët pa ndonjë hezitim ose përtesë vijnë e vizitojnë vendin e tyre, ku edhe deponojnë miliona euro, qoftë për të ndihmuar familjarët e tyre, qoftë për nevojat e tyre personale. Sidoqoftë, ato para derdhen në Kosovë, dhe pashmangshëm ndikojnë në ekonominë vendore, me theks të veçantë, në mirëqenien familjare dhe në bizneset e vogla dhe të mesme.

Për ironi të vetë fjalës "Schatz", ne padashje nënkuptojmë se thesari i vertetë i Kosovës është vetë Mërgata, për të cilën, ditë e më shumë jemi mosmirënjohës.

Prandaj, të dashur bashkatdhetarë, kini konsideratën e juaj karshi mënyrës se si ne "venalitë" ju quajmë, vazhdoni të kontribuoni për Kosovën, por, ndaloni pritjet për falënderime dhe mirënjohje nga vetë ne, sepse fundja, kontributi për atdhe është obligim njerëzor dhe moral i gjithsecilit prej nesh, pa marrë parasysh se ku dhe si jetojmë.

Sigurisht se unë personalisht, dhe besoj se edhe shumë të tjerë që po e lexojnë këtë shkrim, të gjithë ju duam dhe ju pranojmë ashtu siç jeni/jemi. Gëzohemi kur ju shohim të vini në Kosovë, dhe patjetër se një ditë shpresojmë se me liberalizimin e vizave do mund të ju vizitojmë dhe ne juve atje ku jetoni, të përjetojmë si qenka të jesh "auslander" apo "schatz", gjë që shumica dërrmuese prej nesh do donim të ishim të tillë, mirëpo në pamundësi të kësaj, do të vazhdojmë që me ironi të ju përqeshim.

Alles gute fur Sie! Ti auguriamo tutto il meglio! Je vous souhaite le meilleur! Wish you all the best! Ju urojmë çdo të mirë!

Shihemi së shpejti.

The post Diasporë apo Mërgatë vs "Auslander" apo "Schatz"?! appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more