Skip to main content

“Itali, gjenden 26 mijë bimë kanabis të organizatës “Ndrangheta”” plus 9 more - Gazeta Dita

“Itali, gjenden 26 mijë bimë kanabis të organizatës “Ndrangheta”” plus 9 more - Gazeta Dita


Itali, gjenden 26 mijë bimë kanabis të organizatës “Ndrangheta”

Posted: 21 Jul 2018 02:26 AM PDT

Tre plantacione, për një total prej 26 mijë bimë kanabis sativa, janë zbuluar nga Policia e Shtetit në Itali gjatë hetimeve që çuan në operacionin "Kopshte Sekrete".

Nëse lënda narkotike do të shitej në treg, vlera e saj do të shkonte rreth 20 milionë euro.

Hetimet që rezultojnë nga konfiskimi dhe që u zhvilluan në Nicotera, Joppolo dhe Capistrano, kanë theksuar aftësinë e organizatës për të siguruar të gjitha fazat e ciklit të prodhimit.

Policia italiane njofton se në kuadër të këtij operacioni, ka goditur një organizatë të rrezikshme kriminale të narko-trafikut, e cila drejtohej nga Emmanuele Mancuso, djali i njërit prej kapove të organizatës famëkeqe kalabreze "Ndrangheta" në Limbadi Pantaleone, i quajtur ndryshe "inxhinieri", raporton shtypi italian.

Tetë persona kanë përfunduar në pranga, ndërsa nëntë të tjerëve u është caktuar masa e sigurisë 'arrest shtëpiak'.

o.j/dita

Sulmi me thikë në Gjermani, policia: S’ka lidhje me terrorizmin

Posted: 21 Jul 2018 02:08 AM PDT

Një sulm me thikë në një autobus në Lubecck të Gjermanisë një ditë më parë la 14 persona të plagosur.

Ndërkohë policia vuri në pranga autorin e ngjarjes së rëndë, e ndërsa ka bërë të ditur se 30-vjeçari nuk ka lidhje me radikalizimin.

Autori i sulmit është identifikuar si një person me origjinë nga Irani.

Megjithatë, policia gjermane nuk ka dhënë detaje të tjera në lidhje me ngjarjen.

o.j/dita

Revolucion në Seria A, kampionati italian tani edhe në teatër e kinema

Posted: 21 Jul 2018 01:53 AM PDT

Revolucion i vërtetë pritet që të ndodhë në Itali në lidhje me të drejtat televizive të Serie A, një risi e aprovuar nga asambleja e Federatës Italiane të Futbollit.

Duke filluar nga ky sezon, ndeshjet e Serie A mund të transmetohet drejtpërsëdrejti edhe në kinema e teatro, të cilat duhet të jenë të pozicionuara rreth 80 kilometra larg stadiumeve.

Kjo nismë ndërmerret për të tërhequr sa më shumë spektatorë, edhe ata që nuk janë të abonuar në Sky e DAZN.

Kinematë do të jenë kryesisht ato të zinxhirëve të mëdhenj, por mund mos të përjashtohen edhe ato më të voglat, nëpër lagje, por edhe teatrot. Do të nevojiten disa karakteristika teknike për të garantuar transmetimin sipas standardeve të parashikuara nga Liga e Futbollit.

o.j/dita

Performanca e shtetit online, OKB: Shqipëria e 74-ta në botë, nivel i lartë

Posted: 21 Jul 2018 01:42 AM PDT

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka publikuar një raport të zgjeruar për qeverisjen elektronike, pra shërbimet publike të qytetarëve të cilat mundësohen elektronikisht, duke shmangur radhët e gjata dhe humbje kohe të pakuptimta.

Raporti përfshin edhe një indeks, ku analizon 192 vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Shqipëria renditet në vendin e 74-të në botë, ndër këto 192 vende,duke u klasifikuar në vendet me një nivel të lartë.

Ndërkohë që në rajon, Serbia dhe Mali i Zi kanë një renditje më të mirë se ne. Maqedonia dhe Bosnje Hercegovina ndërkohë kanë një renditje më të keqe, shkruan scan tv.

Por, në nën-indikatorët që i referohen shërbimit online, Shqipëria është në vend të parë në rajon, me pikë të barabarta me Serbinë, gjithashtu në vend të parë. Vendet e tjera ndërkohë kanë një performancë bindshëm më të dobët në këtë drejtim. Shqipëria dështon kështu në komponentin që i referohet infrastrukturës së telekomunikacionit.

Sa i përket një tjetër indikatori ndërkohë, atij të pjesëmarrjes në këto shërbime, Shqipëria renditet e 59-ta në botë, më keq vetëm se Serbia në rajon.

Raportin e plotë mund ta lexoni KETU

 

o.j/dita

 

Në gjendje të dehur dëmton makinën e policisë, arrestohet 44-vjeçari në Skrapar

Posted: 21 Jul 2018 01:28 AM PDT

Policia e Skraparit ka vënë në pranga një 44-vjeçar, i cili në gjendje të dehur ka dëmtuar një automjet policie.

Policia bën të ditur se personi i arrestuar është shtetasi Hamit Duro.

Sipas policisë, 44-vjeçari ka dëmtuar mjetin e policisë tip "Volkswagen" që ishte i parkuar, ndërsa ka kundërshtuar punonjësit e policisë për të shmangur shoqërimin.

o.j/dita

Letra e Eqrem Çabejit dhe poema e Lasgush Poradecit

Posted: 21 Jul 2018 01:24 AM PDT

Moikom Zeqo

(Nga arkivi i Thoma Kacorrit)

Ne kryeqytetin e Sofias ne Bullgari ne  20 prill 2002 jam takuar me shkrimtarin dhe dijetarin Thoma Kacorri, i cili me ftoi edhe ne shtepine e tij .

Aty me tregoi arkivin e tij shumevjecar, plot materiale te pabotuara,  qe lidhen me histtorine kulturore te shqiptareve te Rilindjes Kombetare ne shekullin e XIX dhe me pas.

Thoma Kacorri me dhuroi edhe faksimilet e dy dokumtave te rendesishem, ate te nje letre qe i kishte derguar gjuhetari i madh Eqrem Cabej  ne 1967, si dhe nje poeme te hereshme, te panjohur te Lasgush Poradecit, te botuar ne 1923.

Po i  bej publike per here te pare, keto dy dokumenta, te arkivit te Thoma Kacorrit, i cili ka vite, qe ka mbyllur syte, por une, nuk  mund te harroj kurre, mikepritjen e tij ,proverbiale, ne Sofie dhe miresine, per te me dhene dokumentet ne fjale.

***

LETRA E EQREM CABEJIT PER THOMA KACORRIN

Tiranë, më 19.2.1967

 I nderuar Koleg, i dashur mik!

Që kur u kthyesh prej Bullgarie, me ato kujtimet e bukura, që mora së andejmi, kam dashur të Ju shkruaj e të Ju falemnderit edhe me shkrim për pritjen miqësore, që Ju personalisht më bëtë gjatë ditvet të Sofjes.

Gjeta atëhere disa punë , që duheshin kryer ngutësisht këtu.

Desha pastaj të Ju shkruaja me rastin e vitit të ri, për të Ju uruar shëndet, suksese në punë e gjithë të mirat, po përsëri erdhën disa punë në mes.

Prandaj së pari Ju lutem për vonesën e përgjegjes letrës Suaj më datë 30.XI., të vitit të kaluar.

Mendimi Juaj qe Urdini jezera, Urdina reka në malet e Riles te kenë të bëjnë me shq.hurdhë, duke marrë parasysh që atje pranë ka dhe një toponim Malovica, duket të jetë afër menç – me gjithë se nuk përjashtohet mundësia që aty të përmbahet rum.urda "djathe" e qe te kemi te bejmë me një stan djatharësh rumunë dikur në ato anë (dihet se Jireceku e të tjerë dijetarë kanë vënë në dukje toponimet rumune në Bullgari).

Sa për shq.hurdhë, Gustav Meyeri në Fjalorin etimologjik 154 e le të pashpjeguar, po e rijep dhe ne Alb.Studien III 32. Jokli, Studien zur alb. Etymologjie und ortbildung 30 v., 89 e 97 e vendon te rrenja indoevropiane uer-,ur – "i laget", sh. Dhe Walde-Pokornyr i 268. Ribezzo, Rivista d'Albania i,II (1940) 124 shën.2 e afron me lituanishten skardua "i repjeta".

Fjala shfaqet në shqipen për herë të parë te Fjalori i Blankut (Bardhit) f.82. dhe vetë nuk kam ardhur në një përfundim për punën e burimit të saj.

Ju lutem të më drejtoheni pa kursim e çdo herë që Ju duhet ndonjë sqarim lidhur me ndonjë çështje të shqipes. Më vjen keq që këtë herë nuk jam në gjendje të Ju jap sqarime të plota, por edhe për këtë çështje jam përsëri në dispozicionin Tuaj.

Zojushes sonë Sokolova.

Mbetem me të falat më të përzemërta për Ju dhe Familjen Tuaj, edhe nga ana e sime shoqeje.

Me rast lutem u jepni të falat e mia shokëve të Ambasadës sonë në Sofje. /Eqrem Çabej

***

LASGUSH PORADECI, POEMA E TIJ

KËNGA E "SHQIPËRISË SË RE"

 (Koh e shkuar në Vllahi)

Koh" e shkuar në Vllahi

Ishte larë me flori

Se luftonin veç për ti,

Veç për famë e madhëri.

Shqipëri moj Shqipëri

 

Mun në qëndren e Vllahisë,

Në qytet të Bukureshtit,

Mbiri zëri i Shqipërisë

Si zëmbak në mes të sheshit.

Mbiu atje ku politika

Nuku dij ç'ësht helm- i gjakut,

Ku shëndriu Elenë Gjika

E Kuvendi i Naço-Plakut,

Ku i mblodhi porsi dhentë

Bijtë e tij Tërpo-Vasili,

Ku këndoi Naim-i shenjtë

Dukë thirrur si bilbili.

 

O! moj kohërat e arta!

O! moj zembërzat e dlira

Me ç'gëzim ju shkruan karta

 

Kur ja sheh nër shoqërira:

Drita-plakë e Diturija

E Bashkimi edhe Shpresa;

Edhe Liria e Shoqërija

E Sofia Mbretëresha…

Cilado sa mund m'ë mirë,

Sa m'e zjarrtë cilado;

E nër to gjith një dëshirë,

Gjith një shpresë nëpër to-

…S'rron-o! jo, njeriu i urtë,

se kështu pat thënë Zoti,

Prandaj vdes me shpirt të gurtë

Edhe humb si pikë loti;

Humbi pra dh'Elenë Gjika,

Humbi fjal e Naço Plakut,

Pa zu prapë politika,

Zu të rrjedhë lumi-i gjakut:

Atëhere i ndolli dhentë

Dh'e bekoj Tërpo Vasili…

Fluturoj Naimi-i shentë

Duke qarë si bilbili.

 

O! moj kohërat e arta

O! moj zembërzat e dlira!

Me ç'të zi ju shkruan karta

Ndaj s'u sheh nër shoqërira.

Ju kaluat porsi hije

Kur shndrriu në terr në shkretë.

 

O! moj zemra shentërijë

Që më s'ini-atje ku qetë

Ah! Q'aherë zu të shtrijet

Rëndë-e keq linçoj i zisë,

Po ka nxirë vetëdijet

Me çdo vend të Rumanisë

Dh'e u helmua Shqipëtari,

E vajtoj prapë prej së qari

Uturiu gjith Bukureshti.

 

O! moj kohërat e arta

O! moj zembërzat e dlira!

Se me ç'mall ju shkruan karta

Nër këto vështirësira.

 

Sepse ja, në dhe të huaj,

Një fletore zu të nisë,

Që të jetë zëri juaj

Edhe zëri i Shqipërisë

Zu të nisë duke dalë

"Shqipërijeza e Re":

Kur bën fjalë me ngadalë…

Kur godet porsi rrufe…

Sepse kjo'sht'-!udh" e mbarë

E ndërgjegjes së kulluar:

Duke ngarë e duke sharë,

Edhe duke përgjëruar

E kështu shkoj mot- i dytë

E si-i treti u pat vdarë

Mot i katërt mbylli sytë

Që sot nis një mot i ri,

As t'u flakeshim o Zot!

Qajmë, o-nënë Shqipëri,

Qajmë., – e derdhim pika lot.

 

Shqipëri! Moj nëna jime:

Më ke rritur me thërime.

 

Shqipëri! Të qofsha falë

Të kam nënë, më ke djalë.

(E botuar  fillimisht në organin "Shqipëria e Re" Konstancë ,Rumani, 29 korrik 1923, e  zgjodhi BAKI YMERI)

 

Arben Derhemi: Dua medoemos një Teatër Kombëtar të rindërtuar nga e para

Posted: 21 Jul 2018 01:04 AM PDT

Aktori Arben Derhemi ka dhënë sot një prononcim për median, duke ripërsëritur atë që gjithmonë ka qenë dëshira e tij: ndërtimin e një teatri të ri kombëtar. Ai ka shprehur nevojën për të pasur dosmosdoshmërisht një godinë të rindërtuar nga e para.

“Do doja një teatër të ri, medoemos edhe Teatër Kombëtar të rindërtuar nga e para”, është shprehur ai për "Koha Jonë".

Të njëjtin mendim ka shprehur edhe aktori Genc Fuga, i cili shkon më tej duke theksuar nevojën e një teatri të ri që do të përmbushte kushtet e domosdoshme për vënien në skenë të shfaqjeve. Fuga thotë se spektatori duhet të ndihet “i përkëdhelur”, kur ndan ato dy orë të jetës së tij me regjisorët e aktorët.

“Ndërtimin e Teatrit të Ri e mendoj të mbështetur në aspektin ligjor në një Kompleks me më shumë salla e kapacitete 800 e 300 vendëshe, duke paraprirë rritjen demografike të popullsisë, me gjithë ambientet ndihmëse e administrative, me restorant e bare, me lozha, e teknikën më të fundit skenike. Pra, spektatori duhet të ndihet “i përkëdhelur”, kur ndan ato 2 orë të jetës së tij me Regjisorët e Aktorët! Çdo mënyrë tjetër, do të cenonte misionin e Teatrit dhe do të na çonte në “bienale” të tjera, larg Memories Kombëtare të Publikut!”, nënvizon Fuga.

o.j/dita

Video/ Kreu i PD në Gramsh kërcënon policët: Mbajeni mend çfarë do ju bëj

Posted: 21 Jul 2018 01:00 AM PDT

Është publikuar video e kërcënimit që kryetari i degës së PD-së në Gramsh, Elmaz Haruni iu ka bërë efektivëve të policisë që e ndaluan dje në gjendje të dehur dhe duke kundërshtuar policinë e Shtetit. Në videon e publikuar nga Report Tv, duket Haruni, në një irritim me policët. Ai ofendon dhe kërcënon uniformat blu. Gjatë konfliktit, nuk kanë munguar shprehjet banale dhe paralajmërimet e herëpashershme se Elmaz Haruni nuk është qytetar i thjeshtë por është kryetar i PD-së në Gramsh.

Ditën e djeshme, Partia Demokratike dhe deputeti Luçiano Boçi ngritën shqetësimin se Policia e Shtetit kishte ndaluar padrejtësisht Elmaz Harunin, për mosvënie të rripit të sigurimit. Deputeti Boçi akuzoi Policinë e Shtetit për një arrestim politik.

“Ditën e zhvillimit të Aktivit të degës së Partisë Demokratike, me pretekstin e mosvënies së rripit të sigurimit, policia private e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt arreston Kryetarin e PD Gramsh Elmas Harunin dhe sekretarin organizativ të kësaj dege. Ky është një arrestim i pastër politik dhe dëshmi e dorëzimit të policisë para krimit dhe trimërimit të saj pa arsye para qytetarit.”-tha Boçi në emër të PD.

Më poshtë mund të lexoni  të zbardhur të plotë momentet kur kreu i PD-së Gramsh, kundërshton policët.

Debati i plotë:

Qytetar: Qetësohu, o qetësohu

Kryetari i PD-së në Gramsh: Me këta by*q*ra je dhe ti?

Polici: Të lutem zotëri me fjalorin

Kryetari i PD-së në Gramsh: Mbaje mend Tomorr Rama, kaq të them, mbaje mend, çkam për të punuar. O by*qi*ra o hashashxhinj.

Sekretari organizativ i PD-së në Gramsh: Më the ndalo, ndalova

Kryetari i PD-së në Gramsh: Hape mo derën se plasa, o ju qi*sha motrën! Hape derën! A ju q*sha motrën! A ro*t!. Mbaje mend ti! Ti, ti o by*q*r…

Qytetari: O xha Elmaz, këtu se po flasim bashkë…

Kryetari i PD-së në Gramsh: Ik ere mbushu

Shoferi: Nuk të takon të mbash çelësin.

Kryetari i PD-së në Gramsh: Ça ke moj zonjë? Hape derën të dal o burrë…Kemi gjë drogë?

Polici: Asgjë

Kryetari i PD-së në Gramsh: Ça kemi brenda? Ndalon kryetarin e PD-së së Gramshit, ça ke?

Polici: Ju lutem qetësohuni. Unë s'di gjë fare, unë duhet të bëj detyrën.

Kryetari i PD-së në Gramsh: Ej, shëno aty! Kryetari i Partisë Demokratike, ndalohet si person…pse qarkullon

Polici: I pirë.

Kryetari i PD-së në Gramsh: Ejjjjjjj…Mos ashtu ti, mbaje mend çdo të të punoj unë ty.

Polici: Po mirë mo dakord.

Kryetari i PD-së në Gramsh: Mbaje mend. As më rruhen le*të. E di ç’je ti për mua? Një këlysh i Fatmir Xhafës.

Dhe po të të dojë tr*pi ty, unë s'vij më. Çfarë kam shkelur?

Polici: Ju lutem dilni.

Kryetari i PD-së në Gramsh: Vetë e kruajte b*thën mo! E di ç’të bëj unë ty

 

o.j/dita

Fundi i WikiLeaks, Ekuadori do t’ia dorëzojë Julian Assange Britanisë

Posted: 21 Jul 2018 12:47 AM PDT

Ekuadori është gati t'i dorëzojë themeluesin e WikiLeaks, Britanisë së Madhe në "javët apo ditët e ardhshme", tha kryeredaktorja e RT, Margarita Simonyan duke cituar burimet e saj.

"Burimet e mia tregojnë se Julian Assange do t'i dorëzohet Britanisë në javët apo edhe ditët e ardhshme", shkroi Simonyan në Twitter.

"Ashtu si kurrë më parë, unë uroj që burimet e mia të jenë të gabuara", vazhdoi ajo.

Mesazhi i Simonyan vjen, pasi spekulimet që Ekuadori është në bisedime me Mbretërinë e Bashkuar për të ardhmen e Assange janë kthyer përsëri në shtypin britanik. Më parë këtë javë, Times raportoi se Britania është e mbyllur në diskutimet e nivelit të lartë me ekuadorianët në një përpjekje për të hequr Assange nga ambasada e tyre në Londër.

Sir Alan Duncan, ministri i Jashtëm, thuhet të jetë drejtues i përpjekjeve diplomatike.

Burimet e afërta me Assange thanë se ai vetë nuk ishte në dijeni të bisedimeve, por besonte se Amerika po bënte "presion të rëndësishëm" në Ekuador, duke përfshirë kërcënimin për të bllokuar një hua nga Fondi Monetar Ndërkombëtar nëse ai vazhdon të qëndrojë në ambasadë.

Raporti i Times vjen vetëm disa javë përpara një vizite në Mbretërinë e Bashkuar nga presidenti i sapozgjedhur i Ekuadorit Lenin Moreno, i cili e ka quajtur Assange një "haker", një "problem të trashëguar" dhe një "gur nën këpucë".

Ka pasur shenja të tjera shqetësuese që tregojnë se Assange po bëhet vazhdimisht një ngatërrestar për Ekuadorin. Në fund të marsit të këtij viti, qeveria ekuadoriane ka pezulluar privilegjet e komunikimit të Assange me botën e jashtme, duke prerë lidhjen e tij me internetin në ambasadë.

Assange është strehuar në ambasadën e Ekuadorit që nga viti 2012, kur ai kërkoi nga shteti i Amerikës Latine azil. 47-vjeçari kërkohet nga Suedia për akuzat për sulme seksuale, por i frikësohet ekstradimit që mund ta çonte në SHBA. SHBA ka thënë se Assange është "i angazhuar në terrorizëm", me prokurorin e përgjithshëm, Jeff Sessions, vitin e kaluar që e quajti arrestimin e tij si një "prioritet".

Gjatë viteve, WikiLeaks ka publikuar qindra mijëra dosje të klasifikuara të SHBA, përfshirë kabllogramet për Luftën e Irakut. Pavarësisht nga hetimi suedez kundër tij, të mbyllur në maj të vitit të kaluar, gazetari australian ende nuk ishte në gjendje të largohej nga ambasada për shkak të një urdhër-arresti të jashtëzakonshëm britanik për shkelje të kushteve të lirimit me kusht.

o.j/dita

Këputja nga vapa dhe goditja nga dielli, shenjat si t’i dalloni

Posted: 21 Jul 2018 12:33 AM PDT

Pranvera Kola – Dita

E ndërsa sinoptikanët lajmërojnë një tjetër rritje temperaturash, veçanërisht gjatë dy ditëve në vijim, bluzat e bardha të shëndetit publik bëjnë thirrje që të tregohet kujdes ndaj ekspozimit në diell dhe temperaturat e larta.

Sipas tyre, ditët e fundit është shtuar ndjeshëm numri i pacientëve të vegjël dhe moshave të treta të paraqitura në urgjencat e spitaleve me ndërlikime të shpeshta shëndetësore të shkaktuara nga i nxehti.

"Goditjet nga i nxehti ndikojnë në keqësimin e gjendjes psikologjike, pakësim të djersitjes, neveri dhe të përziera, skuqje të lëkurës, frymëmarrje të shpejtë dhe të vështirësuar, rrahje të shpejta zemre, si dhe shfaqjen e dhimbjeve të papritura të kokës", sqarojnë ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik.

Dy ndër gjendjet prej të cilave duhet të ruheni më shumë janë këputja nga vapa dhe goditja nga dielli. Kjo e fundit në çdo rast përbën edhe një urgjencë mjekësore, për të cilën me patjetër duhet të kërkoni ndihmën e menjëhershme mjekësore.

Shenjat dalluese

Ndërlikimet në shëndet të shkaktuara nga i nxehti nisin me shfaqjen e shenjave të para të këputjes nga vapa. Referuar kësaj gjendjeje, bluzat e bardha thonë se duhet të dyshoni për mbilodhje nga vapa, në rast trupi juaj fillon tё ndiejë vapën në rritje.

Shqetësimet vijojnë me shtimin e djersitjes masive, si dhe rritjes së temperaturës së trupit. Duhet të jeni të kujdesshëm në rastet kur filloni të ndjeni se frymëmarrja juaj bëhet më e shpejtë dhe vështirë, kur keni lëkurë të lagësht në prekje, vuani nga marrje mendsh.

Po ashtu goja është e thatë, keni këputje, dhimbje koke, zbehje të ngjyrës së lëkurës të përziera, pulsi është i dobët dhe i shpejtë, lëkura në prekje është e lagësht dhe e ftohtë, si dhe ndjeni të vjella të papritura. enja të mbilodhje, këputje dhe të vjella.

"Nëse keni apo shikoni një nga këto shenja të përmendura më lart, largohuni menjëherë nga ekspozimi në diell, apo ambientet që janë të nxehta. Personi i cili shfaq simptomat e përmendura, duhet t'i jepen të pijë shumë lëngje të ftohta dhe t'i fshihen djersët me një peshqir, apo bluzë pambuku. Nëse nuk shihni përmirësim të shpejtë pas kësaj duhet të thërrisni ndihmën mjekësore", sqarojnë ekspertët e shëndetit publik.

  Në rast se këputja nga vapa nuk trajtohet në kohë, ju rrezikoni që të përballeni me shenjat e gjendjes tjetër që njihet ndryshe si goditja nga dielli, e cila mund të shoqërohet edhe me pasoja të rënda për jetën. Shenjat dalluese të goditjes nga dielli janë: "Marrje mendsh, temperaturë e lartë e trupit (mbi 39 gradё celsius), dhimbje koke, mungesë djersitjeje, të përziera, pulsi është i shpejtë dhe i fortë, lëkura e kuqe e skuqur, e cila bëhet e nxehtë dhe e thatë (në të prekur).

"Duhet të bëni shumë kujdes në këto raste, pasi goditja nga dielli gjithmonë kërkon vëmendje nga mjeku. Nëse ju shikoni një nga shenjat e mësipërme, largojeni personin nga ekspozimi i mëtejshëm në të nxehtë dhe dërgojeni në qendrën më të afërt shëndetësore, apo telefonojini urgjencës", vënë në dukje ekspertët e shëndetit publik.

Kategoritë e rriskuara

Sikundër e theksuam edhe më lar, të moshuarit, e veçanërisht ata që vuajnë nga sëmundjet kronike janë ndër kategoritë më të rrezikuara për t'u përballuar me ndërlikimet e vapës. Por nuk mbeten pas as fëmijët apo kategoritë e tjera të pacientëve.

Si masa parandaluese për të moshuarit këshillohet që: "Mjediset e brendshme të banesës të mbahen në një temperaturë konstante rreth 26°, duhet që të moshuarit të mos dalin nga shtëpia nga ora 11:00-18:00. Gjatë gjithë kohës të konsumojnë lëngje jo shumë të ftohta, si dhe të vishen me veshje me ngjyra të hapura prej lini ose pambuku".

Disa këshilla për një ushqim sa më të sigurt gjatë verës

Duke qenë se gjatë stinës së verës mikrobet rriten shpejt, ndaj kujdes maksimal duhet të tregohet edhe ndaj ushqimeve që konsumojmë, në mënyrë që të shmangim sëmundje të ndryshme.

Kjo veçanërisht në drejtim të higjienës. Për të parandaluar këto sëmundje, së pari duhet që të mbani sa më të pastër ushqimin. Higjiena nuk ka të bëjë vetëm me larjen e mirë të produkteve që do konsumoni, por edhe të duarve sa herë që merreni me gatimin e tyre. Së dyti duhet të dini se mishin e marinuar kur e nxirrni nga frigoriferi duhet që ta gatuani menjëherë.

Po ashtu edhe enët në të cilat përgatitet mishi duhet të jenë sa më të pastra dhe lara me kujdes para përdorimit. Gatuajeni mishin plotësisht. Këshillohet që të përdorni një termometër për të përcaktuar kohën kur mishi ka arritur temperaturën e duhur të gatimit.

Për mishin e pulës dhe llojeve të tjera të shpendëve kjo temperaturë arrihet në 75 gradë, për hamburgerët dhe qoftet temperatura duhet të jetë 72 gradë, ndërsa për peshkun dhe llojet e tjera të mishit temperatura e gatimit duhet të arrijë deri në 63 gradë. Po ashtu duhet të bëni kujdes që të mos e lini ushqimin jashtë frigoriferit për më shumë se sa 1, ose dy orë.

Shenjat e këputjes nga vapa janë:

Frymëmarrja është e shpejtë dhe e dobët

Marrje mendsh

Goja është e thatë, keni djersitje të tepërt

Këputje dhe dhimbje koke

Zbehje e ngjyrës së lëkurës

Pulsi është i shpejtë dhe i dobët

Lëkura në prekje është e lagësht dhe e ftohtë

Mbilodhje, të vjella, si dhe të përziera

 

Shenjat e goditjes nga dielli janë:  

Marrje mendsh

Temperaturë e lartë e trupit (mbi 39 gradë celsius)

Dhimbje koke

Mungesë djersitje.

Tё përziera

Pulsi i shpejtë dhe i fortë

Lëkurë e kuqe e skuqur e cila është e nxehtë dhe e thatë (në të prekur).

Debulesë e fortë trupore

ISHP: Disa rregulla që ndihmojnë për të mbrojtur shëndetin e të rinjve:

  • Mos u largoni nga shtëpia gjatë orëve të nxehta dhe mbroni dritaret nga dielli.
  • Pini një deri në dy litra ujë në ditë, lëngje frutash etj.
  • Konsumoni ushqime të lehta të ndara në porcione.
  • Konsumoni fruta të bollshme dhe perime të freskëta.
  • Freskoni dhomat me ventilatorë apo kondicionerë, me temperaturë jo poshtë 25° C.
  • Ajrosni makinën që është për një kohë të gjatë në diell, duke hapur dyert dhe vënë
  • kondicioner para se të lëvizni me të.
  • Përdorni pajisjet e ruajtjes nga dielli dhe mos i lini fëmijët vetëm në makina.
  • Bëni banja dhe dushe, por jo nën temperaturat 25° C.
  • Ruani ilaçet nga burimet e nxehtësisë dhe rrezet e drejtpërdrejta të diellit.
  • Ruani në frigorifer të gjitha ilaçet që kërkojnë temperatura jo më të larta se 25-30° C,
  • dhe të gjitha shishet e shurupeve apo ilaçet me pika, të cilat sapo janë hapur.

 

 Këshilla si duhet të mbrohen moshat mbi 65 vjeç

  • Të moshuarit janë më të rrezikuar se grupmoshat e tjera, sa i ekspozimit në diell.
    Çdo njeri duhet të ndjekë disa rregulla bazë në mënyrë që të mbrohet nga vapa.
    Për të ruajtur shëndetin e të moshuarve duhet të kemi mirë parasysh udhëzimet në vijim.
  • Vizitoni një pjesëtar të moshuar të familjes apo shok dy herë në ditë gjatë muajve më të nxehtë të verës.
  • Këshillojini ata tё jenë në kontakt me komshinjtë apo të kenë telefonin e një të afërmi, pasi izolimi i të moshuarve bën që ata të jenë shumë më tepër të rrezikuar ndaj problemeve shëndetësore, që lidhen me të nxehtin deri me pasojë humbjen e jetës.
  • Informojini ata në lidhje me problemet shëndetësore shkak-pasojë të të nxehtit.
    Gjatë orëve të nxehta të ditës, duhet tё qëndrojnë brenda. Nëse është e mundur të rrinë në ambiente me ajër të kondicionuar. Orët më tё nxehta janë nga 11 e mëngjesit deri në 4 pasdite.
  • Të vishen sa më lehtë, me bluza të lirshme, të pambukta mundësisht.
  • Të pinë sa më shumë lëngje. Nëse temperatura kalon 33 gradë celsius, është mjaft e rëndësishme të pini deri 3 litra lëngje në ditë (uji është më mirë). Për ata të cilët janë mbipeshë apo obezë mund t'u duhet tё pinë dhe më shumë.
  • Evitoni konsumin e alkoolit dhe pijeve të gazuara apo që përmbajnë kafeinë, kur temperaturat janë të larta, pasi ato mund të shkaktojnë dehidratim të organizmit.
  • Mbajini perdet e mbyllura ose mbyllini grilat, nëse keni të tilla nga mëngjesi deri pasdite vonë për të ndalur mbinxehjen e ambienteve në të cilat qëndroni.
  • Kërkoni ndihmë mjekësore menjëherë, nëse ju përzihet, nisni të villni apo keni ngërç muskulor.
  • Përdorni një freskues ajri. Kini parasysh të mos ja drejtoni dritares, pasi kështu ju zhvendosni ajrin e nxehtë të dritares në dhomë, por drejtojeni atë nga dhoma.
  • Mundësisht mos gatuani gjatë orëve të nxehta tava në furrë për të evituar mbinxehjen e ambientit ku jetoni.
loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more