Skip to main content

“Institucioni Adem Demaçi” plus 3 more Telegrafi Opinione

“Institucioni Adem Demaçi” plus 3 more Telegrafi Opinione


Institucioni Adem Demaçi

Posted: 30 Jul 2018 02:44 AM PDT

Baci ka qenë njeri i dashuruar me lirinë. Kësaj dashurie i ka qëndruar besnik deri në fund. Ka qenë i paepur, i pandalshëm, i papërkulur; dhe këtë dashuri ka arritur ta bëjë ngjitëse. Ka bërë që mijëra shqiptarë, të shkelur e të nëpërkëmbur, të frymëzuar nga dashuria e tij për lirinë, të dashurohen edhe ata me lirinë.

1. Çdo komb ka nevojë të ketë figura të tilla që tejkalojnë qenien fizike dhe që shndërrohen në institucione të cilat janë pika referente për të. Ato institucione zhvishen nga përditshmëria, nga gabimet e cenet dhe mbesin pika orientuese për kombin e njerëzimin. Nuk ka dyshim se ata janë dhe mbesin njerëzorë. Duke qenë njerëzorë, ata arrijnë të shndërrohen në institucione. Ashtu siç ndodh edhe me dëshmorët. E veçanta e këtyre njerëzve është se ata me jetën, angazhimin, veprën e mendimin e vet, arrijnë që të frymëzojnë të tjerët, të orientojnë dhe të mobilizojnë. Jo të gjithë i kanë njohur qëndrimet e Mandelës apo të Gandit. Por ata, me veprën e tyre kanë ngritur mijëra njerëz në funksion të arritjes së lirisë. Edhe ne shqiptarët, duhet të jemi krenarë që i kemi dhënë botës një figurë të tillë. Ne duhet të krenohemi që i dhamë botës Adem Demaçin.

2. Adem Demaçi ishte një institucion i kombit shqiptar. Shkrimtar, gazetar, aktivist, i burgosur politik, politikan, humanist, kryengritës e rebel dhe, mbi të gjitha, figurë qendrore e lëvizjes për liri të shqiptarëve në trojet e veta nën Jugosllavi. Lirisht mund të thuhet se ka qenë njeri i dashuruar me lirinë. Kësaj dashurie i ka qëndruar besnik deri në fund. Ka qenë i paepur, i pandalshëm, i papërkulur dhe këtë dashuri ka arritur ta bëjë ngjitëse. Ka bërë që mijëra shqiptarë, të shkelur e të nëpërkëmbur, të frymëzuar nga dashuria e tij për lirinë, të dashurohen edhe ata me lirinë. E dashuria është edhe ëndërr. Është edhe shpresë. Edhe ideal. Por ajo di të bëhet edhe realitet. Ai besonte në dashurinë ndaj lirisë si realitet, edhe pse na vinte në formën e shpresës, ëndrrës dhe idealit. Kishte kohë kur dukej se kjo "sëmundje" nuk përhapej sa kishte ai dëshirë, por ky ishte sekreti i saj. Ajo përhapej fshehtë, mbahej brenda familjeve tona, e sidomos rinia ishte ajo që u bë pasuese e kësaj dashurie. Dhe kur u mbrujt, mirë e ngadalë, pas demonstratave të vitit 1981, pas burgjeve masive, pas rezistencës paqësore e sidomos pas kryengritjes së UÇK-së, dashuria në lirinë u bë jo vetëm publike, por shtylla kurrizore e lëvizjes sonë çlirimtare. Madhështia e frymëzuesit, e institucionit Adem Demaçi, ishte se ai këtë dashuri nuk e kishte të kufizuar vetëm për shqiptarët. Ai besonte në universalitetin e lirisë, dhe ishte i gatshëm të sakrifikonte nga autoriteti i tij, për të luftuar edhe për lirinë e serbëve, romëve, boshnjakëve e të gjithë atyre që jetojnë në Kosovë. Ai besonte në lirinë e njerëzimit.

3. Ai ishte jonkonvencional. E thoshte atë që mendonte. Mendimin e përgjigjet i kishte në majë gjuhe. Herë na pëlqente, herë nuk na pëlqente. Herë ia qëllonte, herë nuk ia qëllonte. Por, një njeriu me mendime për çdo gjë, i lejohej edhe gabimi në vlerësim. Në vlerësimet taktike edhe ka mundur të gabojë, në strategji asnjëherë. I paepur në rrugën e lirisë, të çlirimit dhe të bashkimit. Në momentet vendimtare, çdoherë në vendin dhe në rrugën e duhur. E kjo kulmoi jo vetëm me përkrahjen, por edhe me inkuadrimin në radhët e UÇK-së. Dhe në këtë angazhim të rëndësishëm jetësor përfundoi logjikshëm. Sepse asnjëherë nuk kishte gabuar në një vlerësim: se liria është e domosdoshme. Se për të duhet sakrifikuar, sepse përndryshe do të mbesim nën robëri e nën Serbi. Se për atdheun, për kombin e për njerëzimin të gjithë duhet të jemi ushtarë. Ama ushtarë jo me një shërbim, por tërë jetën. Ai ishte ushtar i përjetshëm i lirisë, i atdheut, i kombit e i njerëzimit. Një luftëtar model i lirisë.

4. Respekti dhe dashuria për të është popullor. Sigurisht ka nga ata që nuk e kanë dashur, apo edhe që e kanë urryer. Sidomos për shkak se ishte i sinqertë dhe e thoshte atë që mendonte në çdo vend. Por ata janë pak. Më shumë mund të jenë ata që nuk janë pajtuar me të, por e kanë respektuar. Sidoqoftë, për Adem Demaçin kishte një dashuri të madhe në atë që mund të quhet krahu i sakrificës i lëvizjes sonë çlirimtare. Duke qenë vetë ndër ata që janë frymëzuar nga vepra e Bacit, e kam mbajtur pishtar lirie edhe atëherë kur nuk jam pajtuar me të. Duke qenë pjesë e lëvizjes ilegale çlirimtare (LKÇK e më vonë UÇK) mund të konstatoj pa hezitim, se ai ka qenë një figurë qendrore morale, për mobilizim, organizim, rezistencë e luftë të armatosur. Jam dëshmitar i kësaj dashurie brenda UÇK-së. Në radhët e ushtarëve dhe komandantëve të UÇK-së, ai ka qenë figura e padiskutueshme e një lideri shpirtëror e politik, pa ndonjë pozitë të fuqishme udhëheqëse. Jam dëshmitar sesi të gjithë ushtarët, shumica e komandantëve më të njohur, që sot i duam e nuk i duam, që në opinion mund të kenë zë për të keq e për të mirë, që ishin apo shiteshin të fortë, para tij përuleshin. Ishin në gjendje të ulnin kokat, të bëheshin si fëmijët para babait, dhe simbolikisht po them, ishin në gjendje të duronin edhe ndonjë shuplakë të këtij "njeriu të vogël", që e konsideronin si figurë të padiskutueshme e të pakontestueshme për ta. Pra, brenda UÇK-së, përveç njërit, asnjëherë nuk ka pasur autoritete të tilla. Ai ishte Baci. Ai ishte Adem Demaçi.

5. Intermexo. Në maj të vitit 1999 ishim shumë keq me furnizime në ushqim në Zonën Operative të Llapit, në pjesën e Malësisë së Gollakut ku vepronte Brigada 153 "Hyzri Talla". Së bashku me djemtë e gueriljes së Prishtinës "BIA", zëvendës komandantin Bahri Gashi, vendosëm të futeshim në Prishtinë, në disa nga bazat e tyre për të krijuar disa kanale furnizimi. Njëkohësisht, vendosëm edhe në koordinim me komandant Remin, Fatmir Humollin, Agim Kuletën etj., të bëjmë përpjekje për të nxjerrë nga Prishtina, Bacin Adem. Me vete mora një tjetër bashkëpunëtor të LKÇK-së dhe të UÇK-së, Driton Hysenin. Pasi u futëm në Prishtinë, Dritoni, i cili mund të lëvizte edhe publikisht nëpër Prishtinë, gjithnjë duke rrezikuar shumë, shkoi aty ku jetonte Baci. Çdo përpjekje e tij për ta nxjerrë Bacin ishte e kotë. Të falat e mija, të Remit e të Fatmirit nuk bënë punë. "Driton, Bacit, unë kam vendosur të vdes" – i kishte thënë ai Dritonit. Çfarë të flitet më me njeriun, i cili ka vendosur të vdesë, që është kufiri i fundit me të cilin mund ta frikësosh dikë. Ai kishte vendosur të vdesë, sepse në panteonin e kombit tashmë kishte hyrë të jetonte përjetësisht.

6. Si do ta trajtojë historia? Çka do të thonë gjeneratat e ardhshme për të? Po ato vija politike që ishin kundërshtare të tij? Në horizontin e kohës ai do të shtrihet sigurisht si një prej figurave qendrore të padiskutueshme në historinë e luftës për liri të popullit shqiptar. Do të trajtohet si shtylla orientuese, si fanar. Një njeri i pandalshëm për të mirën e përgjithshme. Në të ardhmen kundërshtimet dhe konfliktet e tij politike do të shihen si pjesë e një debati normal politik. Do të mbetet vepra e tij madhore. Do të mbetet dashuria e tij për lirinë. Fakti se ia mbajti gjallë tërë një populli shpresën për liri dhe e "infektoi" atë me dashurinë për lirinë. Do të mbahet mend se ishte i aftë të falte, të pajtohej edhe me kundërshtarët politikë, edhe me ata që ishin në anën e atyre që e burgosën. Gjithnjë në funksion të unitetit kombëtar dhe pajtimit të gjeneratave të ardhshme. Do të mbahet mend se ishte i gatshëm të pajtohej edhe me popujt e tjerë, edhe me serbët. Prapë në funksion të lirisë dhe jetës në paqe e liri të gjeneratave të ardhshme. Adem Demaçi do të zërë vend edhe në historinë e njerëzimit, si luftëtar për ta zgjeruar lirinë njerëzore duke e çliruar popullin e vet dhe popullin që e mbante në robëri popullin e tij.

The post Institucioni Adem Demaçi appeared first on Telegrafi.

Ramush Haradinaj! pse nuk e ndalon korrupsionin?

Posted: 30 Jul 2018 12:21 AM PDT

Nëpërmjet dy kujtimeve, do të dal te pyetja.

1. Në pranverën e vitit 2000 filluam bisedimet për krijim të – ti thoshe të partisë, ne thoshim të koalicionit – AAK. U desh që me Sabit Gashin (kryetarin e LKÇK-së) të ta ndërtojmë, vetëm në letër, partinë tënde – AQK-në (Aleanca Qytetare e Kosovës) – që të bëheshe i aftë të hyje në koalicion me LKÇK-në. Pastaj filluam ta ndërtojmë koalicionin – për ty e disa përreth teje, partinë – AAK. AAK-ja u ndërtua mbi 30 degët e LKÇK-së, sesa për disa njerëz që kishe pas vetes, as deri në Gjakovë nuk do të dilte emri i dashur për ty – AAK. Madje edhe në Deçan LKÇK-ja kishte një degë solide. Ti dhe 3-4 njerëz rreth teje shpejtë filluat të shkelni statutin e koalicionit, sipas të cilit, ndër të tjera, kryetari kishte mandat gjashtëmujor, dhe nxorët qëllimin e vërtetë që koalicioni të "shndërrohej" në parti, ku kryetari do të bëhej i përhershëm.

2. Pak para se të dilnim nga "koalicioni" të thirrëm në selinë e LKÇK-së (aty ku sot është selia e LB-së). Ishte mbrëmje e errët dimri (dhjetor 2000), madje edhe pa rrymë. Në seli ishim vetëm katër, ne tre (Sabit Gashi, Fatmir Humolli, unë) dhe ti. Ishim të ulur përreth tavolinës së rrumbullakët. Sabit Gashi filloi duke i kujtuar disa nga shtyllat e idealit për të cilat kishim luftuar. Sabit Gashi i kujtoi aty disa emra të dëshmorëve, përfshirë edhe dy vëllezërit e tu. Pastaj, Sabit Gashi vazhdoi t'i përmend disa nga veprimet e tua të atij gjashtëmujori e, të cilat, sipas nesh, binin ndesh me ato të parat. Pas kësaj, radhën e kishe ti. A të kujtohet Ramush, çka bëre dhe çka the ti? Në fillim qave Ramush! Po nuk qave pak, qave shumë! Jo si "dy lotët" metaforik, por dhjetëra lot të vërtetë lagën tavolinën. Kur u ngope vaj, u përpive dhe the: "Ju keni të drejt! Krejt ashtu është! Por, unë du me u ba një herë kryeministër. E kur të bëhem kryeministër, do ta shihni se kush është Ramushi"! Le të përfundojë këtu kujtimi, se edhe ashtu, takimi ishte i shkurtë.

3. Po sot Ramush! A je kryeministër? Pse nuk e ndalon korrupsionin? A e di se ndalja e korrupsionit është kusht për përparimin e Kosovës, e ndriçon edhe demarkacionin, edhe asociacionin, edhe dialogun? Vetëm një rrugë ke, nëse do ta tregosh veten kryeministër! Krijo program dhe ndërmerr aksion të gjerë kundër korrupsionit. Në fillim anulo vendimin për rritjen e pagave, largo të gjithë zëvendësministrat dhe disa ministra dhe grumbullo njerëzit e dijshëm dhe të pakorruptuar rreth vetes! – Po, por më prishet partia, thua ti. Po le të prishet o Ramush, se nuk të vlen gjë ajo parti që nuk të përkrahë për përparimin e Kosovës. – Po, vazhdon ti, edhe me vendos që mos me ruajt partinë, me punu drejt, ma prishë qeverinë PDK-ja. Po le ta prishë, o Ramush, se nuk të vlen gjë qeveria që miraton demarkacion jo transparent, që bën dhe lejon korrupsion, që bën dialog jo transparent. Ti, tri vjetët në vijim mund t'i përdorësh që të përmendesh edhe 30 të tjera, si njeriu që shënoi epokën dhe filloi erën e Kosovës pa korrupsion dhe zgjidhjen e mbarë për të gjitha problemet. Vetëm kështu do të bëheshe kryeministër. Se, me qeverisjen e këtij viti që shkoj, për mua nuk je kryeministër.

E di, se kjo punë nuk bëhet duke thënë; por më fal, se nuk munda pa të thënë.

The post Ramush Haradinaj! pse nuk e ndalon korrupsionin? appeared first on Telegrafi.

Gjermania në prag të krizës psikike

Posted: 30 Jul 2018 12:21 AM PDT

Në fillim ky problem vetëm të zemëronte, në krahasim me problemet e tjera që preokupojnë botën, me thënë të drejtën një problem shumë i vogël. Mesut Ozil, lojtari i ekipit kombëtar gjerman me rrënjë turke viziton presidentin Erdogan, pozon krah tij, fotoja përhapet në internet. Fillon një debat që mund të zhvillohej me shumë interes. Çfarë roli shoqëror luan një futbollist, që përfaqëson vendin në kampionate të rëndësishme. Sa besnikëri mund të kërkojë ky vend? Ku janë kufijtë mes rolit dhe privatësisë. Dhe sidomos: Pse lejohen të pozojnë politikanët në krah të despotëve, por lojtarët e ekipit kombëtar jo?

Pyetje me interes, para kampionatit të diskutuara në një nivel që i kishte momentet e tij kulmore. Por ndodhi që ekipi gjerman dështoi keqazi në kampionat, si kurrë në një kampionat më parë, dhe Gjermania nxori në dritë gjendjen e saj të vërtetë.

Papritur Mesut Ozil, lojtari i përmendur deklarohet si fajtori për dështimin në sport dhe me këtë lihet vetëm. Diskutimi humbi çdo masë, racizmi i pastër mundi rëndësinë e diskursit. Ndërkohë që hapësira për kritikën me fakte për afrinë e Ozilit me Erdoganin u zvogëlua gjithnjë e më shumë. Papritur pretendimi për mungesën e luajalitetit të njerëzve me "sfond migracioni” sundoi pjesë të mëdha të debatit publik.

Gjermania është në rrugën e humbjes së aftësisë si një shoqëri të kërkojë argumentin më të mirë dhe të grindet për këtë. Me sa duket po humbasim edhe normat e mirësjelljes, që krijojnë kuadrin mbrojtës për debate të guximshme politike, për një shkëmbim të qartë dhe të drejtë të argumenteve.

Jo vetëm në mediat sociale, por edhe nga radhët e qeverisë stilizohen vlerësimet e ndryshme si çështje besimi, pushteti ngrihet në parim, kundërargumenti nuk kuptohet si ofertë, por si sulm. Tingëllon banale, por diskutimi në thelb jeton prej asaj që ta dëgjosh tjetrin. Që shoqëritë të zhvillohen më tej, duhet të ruhen hapësirat, ku pikëpjekja të bëhet me empati, e nxitur nga dëshira, për ta kuptuar tjetrin përballë teje, për të verifikuar qëndrimin tënd. Që një debat të jetë i frytshëm, duhet që në fillim të tij të ketë një ujdi – se çfarë vlen janë argumentat dhe jo mundësia rikonfirmim të bindjeve të thella.

Mënyra se si u zhvillua konflikti për Ozilin, tregon se sa e polarizuar është Gjermania dhe sa i madh rreziku, që edhe këtu, si në vende të tjera, në fund të dominojë dëshira për ardhjen e një „fyhreri”- udhëheqësi të ri, që t'i vendosë gjërat në vend, e t’ua mbyllë gojën, të gjithë atyre që kanë një qëndrim tjetër. Shumë postime në mediat sociale e vërtetojnë këtë kthesë në frymën e kohës. Këtë mund ta ndryshojë në fund vetëm çdonjëri prej nesh – përmes sjelljes së tij dhe reflektimit të vazhdueshëm kritik të qëndrimit në diskutime.

The post Gjermania në prag të krizës psikike appeared first on Telegrafi.

Detyrat imediate të shqiptarëve sot

Posted: 30 Jul 2018 12:06 AM PDT

Spartak Ngjela

Dy janë detyrat imediate të shqiptarëve sot: Të rrëzojnë këta pushtetarë të korruptuar që urrejnë shqiptarët pasi i kanë grabitur; dhe të bashkohen të gjithë e të fillojnë investimin e madh për ngritjen e shkencës së historisë, e cila duhet të rishkruajë historinë mahnitëse të vijës së drejtë: Ilirë – Arbër – Shqiptarë.

Kjo duhet bërë për të goditur mediokritetin dhe frikën nga fqinjët të historianëve shqiptarë pa asnjë vlerë. Historia e Shqipërisë duhet të rishkruhet në dritën e lavdisë së saj, si epokë rezistencë dhe si epokë historikë në një përiudhë tremijëvjeçare.

Këto janë detyrat e domosdoshme që po kanë shqiptarët përballë historisë.

***

Ka pasur një konspiracion të shëmtuar antishqiptar që ka nisur që në shekullin XVll, kundër Arbërisë dhe në favor të sllavëve dhe Rusisë: kundër arbërve në fillim dhe shqiptarëve më pas. Stambolli ka qënë me sllavët dhe Rusinë kundër arbëresho-shqiptarëve, sepse nuk ndihej i sigurt po të mos i osmanizonte shqiptarët. Kurse sllavët me Moskën në veprim, e kërkonin osmanizimin e Shqipërisë, që ta kishin të lehtë pastaj pastrimin etnik nga Sanxhaku e nga Nishi, nga Kosova e nga Ulqin, Tivari e Gruda, e kudo që kishte shqiptarë të fesë islame.

Përpjekja otomane për osmanizimin e shqiptarëve ka qënë një egërsi barbare, por qëndresa shqiptare kundër tyre, kur të shkruhet e plotë, shumë shpejt do të hyjë si simbolikë e Perëndimit në funksion të vlerave të qytetërimit perëndimor.

Pikërisht këtu nis rishkrimi i historisë së Shqipërisë, që si rezistencë mbijetese pas gjithë kësaj mizorie, sikundër që thotë edhe historiani i madh kroat me famë botërore, Milan Shuflaj – ka ardhur si pasojë e heroikës së malësorëve shqiptarë; por edhe si pasojë e substratit shqiptar ku është mbështetur i gjithë qytetërimi perëndimor.

Ka afër 150 vjet që e gjithë historiografia serbe dhe greke është hedhur në një sulm të përbindshëm dhe herë-herë histerik për të "vërtetuar" se shqiptarët janë osmanët e turq. Kështu vijojnë edhe sot, kur gjithçka është shumë e qartë për historiografinë perëndimore.

Por, sot, Beogradi dhe Moska e kanë shpresën te Erdogani dhe te kryeministri shqiptar Edi Rama, që kërkon të shpëtojë veten nga ndëshkimi i drejtësisë për korrupsion, me ndihmën që ky kryeministër mund t'i japë Erdoganit në dëshirën e tij për të rikrijuar Perandorinë Osmane.

Një injorancë dhe ligësi njëherësh, është kjo, në një kohë që vetë Erdogani në këto çaste është në pragun cak që do t'i vendosen sanksionet nga Uashingtoni.

***

Shqiptarët, në historinë e tyre përplasëse me orientin u ndodhën midis dy presioneve të mëdha: presioni turk që donte me çdo kusht të osmanizonte arbëresho-shqiptarët, dhe presioni sllav që donte të sllavizonte të gjithë ortodoksinë shqiptare. Të vetmit që rezistonin realisht kanë qenë katolikët shqiptarë.

Ortodoksët arbëreshë – shqiptarë me shumicë, të detyruar nga presioni i Stambollit, u shkruajtën sllavë, kurse me katolikët arbëreshë kjo ngjau vetëm, nga Mali i Zi e deri në Dalmaci, por edhe sot kroatët me origjinë arbërore e dinë këtë fakt dhe shkruhen si dalmatë e jo sllavë, pavarësisht se janë brenda kontekstit të gjuhës sllave të Kroacisë. Po dhe këtu ka një gjë: antiserbizmi dinjitoz kroat e ka marrë forcën nga tharmi iliro-arbëresh i kroatëve.

Shkenca shqiptare e antropologjisë, që ende nuk ekziston, duhet të fillojë punën njëlloj si çështja e gjuhësisë, paralel me çështjen e madhe të rishkrimit të historisë së Shqipërisë.

Kjo është një kohë shqiptare në Ballkanin Perëndimor, por shqiptarët janë në Shqipëri të uzurpuar nga antishqiptarët e korruptuar që, për të shpëtuar vetën dhe pasurinë e grabitur nga shqiptarët, goditën dhe nuk lejuan që të bëhej një punë akademike në lidhje me historinë dhe antropologjinë shqiptare.

Kjo është arsyeja që asnjëherë shteti shqiptar nuk pagoi në njëzet vjet studentë për të ndjekur studime në Oksford, në Kembrixh, në Harvard, në Jell, e ne universitete të tjerë të mëdhenj të ekselencës në Perëndim.

Kështu si sot, të gjithë e kanë hedhur vështrimin nga fqinjët aneksues dhe pushtues të territoreve shqiptare, me frikë e me datë ndaj tyre, historianë e politikanë – të trembur dhe në shërbim të atyre të cilët kanë 150 vjet që urrejnë gjuhën dhe historinë e Shqipërisë në vijën iloirë-arbër-shqiptarë.

Prandaj: Lufta antikorrupsion që po drejton politika amerikane me forcë në Shqipëri ka si qëllim që të ndihmojë shqiptarët të dalin nga sundimi antishqiptar njëqindvjeçar që i ka ardhur nga renegimi i elitave politike në favor të fqinjëve sllavë e grekë, pushtues dhe aneksues të mëdhenj të territoresh shqiptarë, por që menjëherë do të fillojë seleksionimi i ekselencës studentore shqiptare për të shkuar në universitetet prestigjozë në Angli e në Amerikë, dhe për të studiuar e për të themeluar shkencën e vërtetë e historisë dhe antropologjisë shqiptare. Kjo është domosdoshmëria jonë.

The post Detyrat imediate të shqiptarëve sot appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more