Skip to main content

““Hëna e përgjakshme”: Eklipsi më i gjatë i shekullit do të jetë në fund të korrikut (VIDEO)” plus 9 more - Gazeta Dita

““Hëna e përgjakshme”: Eklipsi më i gjatë i shekullit do të jetë në fund të korrikut (VIDEO)” plus 9 more - Gazeta Dita


“Hëna e përgjakshme”: Eklipsi më i gjatë i shekullit do të jetë në fund të korrikut (VIDEO)

Posted: 12 Jul 2018 02:31 AM PDT

 

Eklipsi i plotë që pritet të ndodhë në fund të korrikut konsiderohet të jetë eklips më i gjatë i këtij shekulli.

Eklipsi, i cila sipas parashikimeve të shkencëtarëve do të zgjasë një orë dhe 43 minuta, do të ndodhë më 27 korrik të premten.

Hëna do të jetë tërësisht e kuqe gjatë këtij segmenti kohor, ndaj dhe fenomen quhet gjithashtu "hëna e përgjakshme".

Mendohet të jetë eklipsi më i gjatë në 82 vitet e fundit, thanë astronomët.

Arsyeja për një kohëzgjatje të tillë është se hëna do të vendoset në njërën nga pikat më të largëta të Tokës, që do të thotë se hija e saj do të jetë më e madhe se gjatë eklipsit normal.

a.s/dita

Vdes në traget 12-vjeçari italian, udhëtonte nga Saranda drejt Korfuzit

Posted: 12 Jul 2018 02:26 AM PDT

Një 12-vjeçar italian ka ndërruar jetë në rrethana të paqarta.

Fillimisht, i mituri ka kaluar në gjendje të fikëti dhe më pas ka ndërruar jetë.

Informacioni paraprak i policisë së Sarandës bën të ditur se ngjarja ka ndodhur në orët e paradites, ku i mituri L.K, do të udhëtonte nga Saranda drejt Korfuzit me tragetin e linjës.

Grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes së 12 vjeçarit.

o.j/dita

Arkitekti i Teatrit të ri Kombëtar projekton komisariatin modern në Nju Jork

Posted: 12 Jul 2018 02:15 AM PDT

Arkitektit të njohur danez, Bjarke Ingels, i cili është edhe autor i projektit të Teatrit të ri Kombëtar, i është besuar projektimi i komisariatit të ri të policisë në Bronks të Nju Jorkut, i cili ka nisur të ndërtohet. Lajmin e ka dhënë revista "Contract Magazine", e cila gjithashtu thekson se e dizenjuar nga arkitekti i njohur me famë botërore, Bjarke Ingels dhe Studio BIG, komisariati i ri në Bronks do të jetë një strukturë e madhe moderne, që do të përfundojë në pranverën e vitit 2021.

Kryebashkiaku Veliaj ka postuar lajmin në Twitter, duke hequr një vijë paralele mes asaj që ndodh në SHBA dhe debatit në Shqipëri për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, dy projekte të realizuara nga i njëjti arkitekt me famë botërore.

"Habi e madhe si nuk u çua me rrokopujë e gjithë Policia e NYC të mos lejonte ndërtimin e komisariatit të ri, siç sillen disa me Teatrin e Ri", shkruan Veliaj në Twitter.

Bjarke Ingels është autor i shumë projekteve të mëdha në gjithë botën, përfshirë edhe një nga kullat binjake në Nju Jork.

o.j/dita

Mandzukiç: Luanët e vërtetë ishim ne, luftëtarë edhe në finale

Posted: 12 Jul 2018 02:14 AM PDT

 

Heroi i ndeshjes, Mario Mandzukiç, thotë se kualifikimi për në finalen e Kupës së Botës ishte një "mrekulli", pasi Kroacia mposhti Anglinë 2-1 në gjysmëfinalen e së mërkurës, në stadiumin Luzhniki.

Kieran Trippier dhe Ivan Perisic shënuan në kohën e rregullt, përpara se sulmuesi i Juventusit të vuloste me golin e tij suksesin e ballkanasve në minutën e 109-të.

Ky ishte goli i tij i dytë në këtë turne.

Fitorja e vendos Kroacinë në finale, kundër Francës, të dielën, teksa Mandzukiç, 32 vjeç, tha se vendi i tij tregoi guxim të madh ndaj "Tre Luanëve": "Kjo është një mrekulli, vetëm ekipe të shkëlqyera mund të jenë aq të guximshme, sa ne, që të bëjë një luftë të tillë kundër Anglisë.

Jam i kënaqur me performancën time në të gjitha ndeshjet, jam këtu për ekipin, më pëlqejnë këto ndeshje. Ishim nën presion ndaj Danimarkës dhe Rusisë, por të gjithë e panë atë që bëmë sot. Ne ishim si luanë dhe do të jemi të njëjtët në finale. Ne e shijuam lojën".

a.s/dita

Modriç këshillon anglezët: Duhet të jeni më të përulur dhe të respektueshëm

Posted: 12 Jul 2018 02:12 AM PDT

 

Luka Modric luajti një rol kyç në pjesën e dytë në gjysmëfinales së Botërorit, pasi ballkanasit ia dolën të përmbysnin disavantazhin e hershëm me golat e Ivan Perisic dhe Mario Mandzukic.

Tashmë, Kroacia do ta diskutojë trofeun e shumëlakmuar në finalen e së dielës, kundër Francës, ndërsa Modric kishte një "këshillë" për anglezët.

"Gazetarët dhe ekspertët anglezë në televizion po bisedonin para kësaj ndeshjeje rreth nesh, duke na quajtur të lodhur, se jemi të vdekur në këmbë, – tha ai për "SPORTE". – Këto fjalë nga ata na dhanë edhe më shumë zell për t'iu provuar se po gabonin. Ata duhet të jenë më të përulur dhe të respektueshëm. Kur ju luani një gjysmëfinale, është e pamundur të jeni të lodhur. Kemi treguar se, përveç kundër Argjentinës, kjo ishte loja jonë më e mirë në këtë Botëror".

Kroacia, gjithashtu, ka luajtur në gjysmëfinalen e vitit 1998, kur humbi me Francën.

Modriçi thotë se ekipi i tij do të japë më të mirën edhe në ndeshjen e së dielës: "Kjo do të thotë gjithçka. Është një ëndërr e vërtetë për ne, për të gjithë Kroacinë. Askush nuk na dha një shans para kësaj Kupe Bote, por me cilësinë tonë, dëshirën, bashkësinë dhe shpirtin e luftës, që kemi treguar gjatë gjithë turneut, ne jemi në finale. Unë mendoj se e meritojmë të jemi atje. Kemi qenë shumë më mirë teknikisht dhe fizikisht se Anglia".

a.s/dita

3.4 milionë eurot në “Toyota”, Krimet e Rënda lënë në burg 4 të ndaluarit

Posted: 12 Jul 2018 01:59 AM PDT

 

Gjykata e Krimeve të Rënda ka rivlerësuar masën e sigurisë "arrest me burg" ndaj katër të arrestuarve për 3.4 mln eurot e sekuestruara në automjetet 'Toyota Yaris' në portin e Durrësit më 23 qershor 2018.

Seanca për rikonfirmimin e masës së sigurisë u zhvillua me dyer të mbyllura.

Avokatët kërkuan praninë e medias në seancë, por gjykatësja pranoi kërkesën e prokurorisë për të mos qenë prezente.

Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm katër të akuzuarit Edi Lika, administrator i kompanisë që solli makinat nga Belgjika për llogari të shtetasit Alfred Vladi, djali i tij Klevis Lika, shoferi i trajlerit tip Bizark Agim Çeka dhe Alban Mollaymeri, pronar servisi.

Prokurorë të çështjes janë Ened Nakuci dhe Doloresa Musabelliu, ndërsa të pandehurit përfaqësohen nga avokatët Sajmir Visha, Isam Shameti dhe Radovan Çela.

a.s/dita

“Basti i fundit”, në pranga pronari një pike llotoje, shiste kokainë në biznes

Posted: 12 Jul 2018 01:54 AM PDT

 

Policia ka arrestuar pronarin e një pike llotoje për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” dhe “Organizim të lotarive të palejuara”.

Gjatë operacionit “Basti i fundit”, uniformat blu kanë vënë në pranga Erti Kadiun, 31 vjeç, banues në Kavajë.

Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

– 4 kompjuterë lojërash fati

– 21 doza lënde narkotike e dyshuar Kokainë

– 45 fishekë model 56

– 15 fishekë model "Parabelium"

– 9 fishekë model 54

– një sasi në lekë dhe dollarë

– peshore elektronike

– 6 aparate celularë

– mjet tip "Ford"

Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe disa dokumente shtetërore të dyshuara të falsifikuara.

“Shërbimet e Policisë Kavajë, ishin në ndjekje të Erti Kadiut, pasi dispononin informacion se ky shtetas në pikën e tij të llotos ushtronte aktivitet të kundraligjshëm të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe gjatë kontrollit të ushtruar ditën e djeshme në pikën e llotos së këtij shtetasi u gjetën doza lënde narkotike të dyshuar e llojit Kokainë, peshore elektronike, municion luftarak dhe kompjuterë për ushtrim lojërash fati pa leje”, raporton policia.

a.s/dita

Moikom Zeqo: Teatri nuk duhet prishur, Rama ngre veten nëse tërhiqet

Posted: 12 Jul 2018 01:49 AM PDT

Akademiku Moikom Zeqo ka vijuar sot debatin kritik në gazetën DITA lidhur me 5 vitet e qeverisjes Rama.

Ndërmjet të tjerave ai ka prekur temën e shembjes së Teatrit Kombëtar në qendër të Tiranës.

Zeqo, bashkëpunëtor dhe anëtar i Kolegjiumit të DITA, shkruan se është kategorikisht kundër prishjes së Teatrit Kombëtar dhe dhënies së hapësirës publike një firmeje private.

Shkruan Zeqo ndër të tjera në analizën e botuar sot si kopertinë e gazetës DITA:

“Çështja e kulturës është një çështje më e madhe, më e ndërlikuar sesa politika. Që do të thotë që politika nuk duhet në asnjë mënyrë ta klonojë kulturën, as të krijojë ide të gatshme si stampime biskotash, as të marrë privilegjin, apo copywriting e kulturës. Çdo ndërhyrje e politikës në kulturë për të gjitha epokat dhe sistemet ka qenë e panatyrshme dhe e dhunshme. Ky është një mësim i shekujve.

Politikanët aq më tepër të votuar dhe që janë mandatorë, pra të përkohshëm, duhet të jenë të kujdesshëm shumë dhe as të mos vendosin veton absolute mbi problemet e kulturës.

Nuk ka përse të merret politika me prishjen apo me ndërtimin e një teatri. Nuk ka përse të merret politika me rikonceptimin e shesheve urbane. Kultura dhe arti i takojnë artistëve, ku ato kanë ekskluzivitetin e tyre të padiskutueshëm, por edhe për veprat urbane është shkenca në disiplina të tejet specializuara të urbanistëve, ku ata kanë përvojë dhe autoritetin e tyre sovran”.

Historiani dhe publicisti i njohur thotë gjithashtu se kur pushteti politik merr vendime pa asnjë kufizim mbi të gjitha gjërat, qoftë ky pushtet i ashtuquajtur i djathtë, qoftë i ashtuquajtur i majtë atëhërë do të kemi përplasje të deformimeve.

Ai citon sociologun Zygmunt Bauman, në kryeveprën e tij "Liquid Modernity" ("Moderniteti i Lëngët") që trajton teknikat panoptike të pushtetit, sidomos në periudhën pas modernitetit.

Shkruan Zeqo në DITA:

Një nga meritat e mëdha të këtij gjeniu të sociologjisë është analiza e tij që lidhet me konceptin "kolonizimet të publikes nga privatja". Kjo tendencë ka një karakter totalitar. Gjithashtu, për të qenë një pikë reference në shoqërinë shqiptare është pikërisht Bauman i cili me përdorimin e formulës PPP, si një lloj llampe të Aladinit, e konsideron edhe si strehën e një xhindi që do të dalë në ndonjë ditë nga llampa për të vendosur pushtetin e tij monstruoz mbi konceptin publik.

Kam heshtur për një kohë të gjatë dhe nuk kam marrë pjesë në çështjen e quajtur tashmë "të Teatrit Kombëtar". Pa dyshim që nuk kam qenë as në vitin 1998 dakord, as tani në 2018-n për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe dhënien e hapësirës publike një firmeje private.

Akademiku shpreh kritika edhe për mënyrës si u veprua nga mazhoranca për të arritur prishjen e godinës së Teatrit:

“Përgjithësisht veprimet qeveritare bëhen me VKM. Vendimet janë urdhra ekzekutive. Është absurde të mendosh që veprime të tilla të bëhen me ligje parlamentare në Kuvend. Është fakt substancial juridik që ligjvenësit bëjnë dhe aprovojnë ligje me karaktere të përgjithshëm, jo thjesht me një subjekt të përcaktuar.

Janë pikërisht VKM-të që kanë funksionin zbatues dhe detyrues për subjekte të veçanta.  Po pse ndodh një gjë e tillë në Kuvendin e Shqipërisë?  Dhe pse duhet të ndodhë?

Si ka mundësi që një firmë private të jetë subjekt i ligjvënësve shqiptarë në një mënyrë të tillë?  Pse ndodh kështu?”

Zeqo përmend në analizën e botuar sot në DITA edhe një letër të studiueses Ana Tostoes, kryetare e "Docomomo International", dërguar Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama ku i bën thirrje që të ruhet arkitektura e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, për arsye të karakterit historik të kësaj arkitekture të konceptuar nga një arkitekt italian shumë i njohur Giuglio Berte.

Ai mendon se Rama duhet të tërhiqet nga kjo ide dhe rikujton debatin për armët kimike:

“Kurrë nuk ma ka marrë mendja që do të kishte një konflikt të artificialtë dhe kaq të pakuptimtë midis qeverisë dhe artistëve, që do të merrte madje dhe formën groteske të antinomisë apo antagonizmit të shumicës me opozitën.

Në të kaluarën Edi Rama ka treguar edhe shenja të mirëkuptimit. Kujtoni ju lutem debatin për armët kimike në Shqipëri, debat që u bë i thekshëm, përvëlues, anatemues por Rama tregoi fleksibilitet dhe tërheqja e tij jo vetëm që nuk e uli por e ngriti në atë moment figurën kryeministrore”.

Shkrimi i plotë i Moikom Zeqos, sot kopertinë e gazetës DITA mund të lexohet duke klikuar KËTU.

b.m. / dita

Intelektualofobët dhe lumpen-intelektualët që dinë veç të shajnë

Posted: 12 Jul 2018 01:44 AM PDT

 

Prof. Fatos Tarifa

Ka vite, qysh kur liria e fjalës dhe e shtypit u bënë liri reale për shqiptarët, që shtypi dhe televizioni ynë janë bërë arenë luftrash ideore mes njerëzve të lexuar e të palexuar, të ditur e të paditur, intelektualë e jo të tillë. Duke e vlerësuar debatin intelektual si shoqërisht të dobishëm, asnjëherë nuk kam ngurruar të debatoj publikisht me askënd, pikëpamjet e të cilit më janë dukur të padrejta, ose të painformuara. Kjo, natyrisht, në një mjedis shoqëror e intelektual të paemancipuar, ka bërë që, ndaj meje, ashtu sikurse edhe ndaj shumë intelektualëve të tjerë, që kanë pasur dhe kanë kurajën të shprehin hapur pikëpamjet e tyre, të bëhen lloj-lloj kritikash dhe sulmesh vulgare, shpesh herë pa asnjë lidhje me çështjet e debatuara, ose me meritën e argumeneteve të dhëna, por thjesht sulme personale.

Pjesa më e madhe e sulmeve të tillë kanë ardhur e vijnë nga njerëz, të cilët unë i kam quajtur "minj të portaleve online", përgjithësisht njerëz të palexuar e të paditur, intelektualofobë, që i tremb dituria e të tjerëve. Këtu nuk e kam fjalën për këtë kategori njerëzish lumpenintelektualë, por për ata që, edhe nëse kanë një mendim racional për të shprehur, këtë e bëjnë si gladiatorë të armatosur, jo si mendimtarë.

Më poshtë dëshiroj të shpreh, pikërisht për këtë kategori njerëzish, disa mendime që kanë të bëjnë me rolin e debatit shkencor dhe intelektual në emancipimin e shoqërisë. Këtë e gjykoj të rëndësishme, pasi jetës intelektuale në Shqipëri përgjithësisht i ka munguar dhe i mungon debati i gjallë në çdo fushë të krijimtarisë intelektuale.

Një shoqëri postkomuniste, si kjo e jona, e cila doli nga periudha komuniste jo vetëm më e varfër se çdo shoqëri tjetër europianolindore, por edhe me një traumë të rëndë shpirtërore dhe intelektuale, është karakterizuar, në këta njëzet e ca vitet e fundit, nga një polarizim ekstrem politik dhe intelektual. Të duket sikur jo vetëm aktorët politikë kryesorë, por edhe njerëzit krijues në fushën e ideve, të shkencës, të letrave e të arteve nuk gjejnë dot një gjuhë të përbashkët për të komunikuar, ose "komunikojnë" në një gjuhë, e cila, duke qenë shqip për këdo, është, megjithatë, semantikisht e ndryshme për të gjithë.

Eksperiencat jetësore—të përjetuara realisht ose thjesht të perceptuara—dhe fatet e ndryshëm të intelektualëve shqiptarë në periudhat para dhe pas rënies së komunizmit, duket se kanë krijuar një mjedis të tillë social dhe intelektual, në të cilin komunikimi dhe, aq më pak debati i mirëfilltë intelektual, janë bërë shumë të vështirë, në mos të pamundur.

Shumë intelektualë, të cilët përpiqen të sjellin në vëmendjen e publikut një shqetësim real, ose të sugjerojnë ndonjë ide, vihen në shënjestër nga intelektualë të tjerë, shumë herë më pak të aftë, ose të cilët vijnë nga fusha që s'kanë të bëjnë fare me idetë e shprehura. Në më të shumtën e rasteve, ata sulmohen dhe, herë-herë, stigmatizohen me një fjalor banal, jo për shkak të ideve që ata shprehin, por për shkak të emrit që kanë dhe të punëve që kanë realizuar. Faqet e shtypit shqiptar janë të mbushura thuajse çdo ditë me shembuj të tillë. Por, a është ky një realitet fatal?

"Fryma", forcat sociale dhe debati

Karl Popper, një ndër filozofët më origjinalë e më të shquar të shekullit të 20-të, vinte në dukje se komunikimi midis individëve, të cilët nuk kanë një "prejardhje kulturore" apo një "gjuhë kulturore" të përbashkët, si edhe komunikimi intelektual mes atyre që janë kundërshtarë ideologjikë, nuk është krejt i pamundur. Ai mund të jetë shumë i vështirë por, nëse arrin të komunikosh me një kundërshtar intelektual, kjo është diçka shumë e frytshme për të dyja palët. Vetë Popper demonstroi se, duke argumentur një pikëpamje të caktuar dhe duke debatuar lidhur me të, ne të gjithë, si individë, mund të përmirësojmë si idetë tona, ashtu dhe njohuritë kolektive të shoqërisë në të cilën jetojmë.Aftësia për të qenë kritikë—dhe sidomos autokritikë—demonstrohet më mirë se kudo gjetkë në procesin e komunikimit e të debatit publik. Por, siç sugjerojnë vështirësitë dhe problemet e përditshme në komunikimet tona në hapësirën publike, nëse eksperiencat tona jetësore dhe formimi ynë kulturor nuk përputhen me ato të individëve të tjerë, me të cilët komunikojmë, mundësia e një dialogu, ose e një komunikimi të vërtetë është e vogël.Ideja se të gjitha problemet njerëzore shkaktohen, në analizë të fundit, nga "forca sociale", është zhvilluar për herë të parë nga Hegeli.

Koncepti i tij Zeitgeist (idetë sunduese në një kohë dhe në një vend të caktuar) u bë, si të thuash, shkopi magjik për shkencën dhe filozofinë, për moralin dhe fenë, për politikën dhe estetikën e shekullit të 19-të, sepse impersonaliteti i këtij koncepti filozofik u duk se, me kalimin e kohës, i transcedenton dallimet kulturore mes individëve. Sidoqoftë, problemi me "forcat sociale", si një idée fixe që sot është bërë dije konvencionale, qëndron në vetë konceptin hegelian të ndryshimit, i cili, te Hegeli, ka për subjekt të njohjes jo mendimin individual të njeriut, me pavarësinë e tij krijuese, por Frymën e përgjithshme, e cila materializohet në sistemet shoqërore dhe në institucionet e tyre, që zhvillohen historikisht. Me këtë transformim, zgjidhjet specifike që u jepen problemeve të veçantë bëhen më pak të rëndësishme sesa "Fryma" e kohës, ose sesa eksperienca kolektive historike dhe sociale që kjo "Frymë" gjeneron, duke zgjidhur në mënyrë impersonale problemet tona si individë të veçantë. Marksi, nga ana e tij, besonte se çdo klasë shoqërore ka ideologjinë e vet dhe se klasat që kanë "interesa ekonomike antagoniste" nuk mund të pajtohen kurrë, por janë vazhdimisht në luftë me njëra-tjetrën.

Relativizmi i dijes dhe kriteri i së vërtetës

Në ditët tona, shumë autorë postmodernistë janë të mendimit se ideologjitë e ndryshme mund të bashkekzistojnë në mënyrë paqësore me njëra-tjetrën, jo duke konkurruar për të provuar secila vërtetësinë ose epërsinë e saj, por duke pranuar diversitetin e tyre. Nga ky pozicion relativist, askush nuk ka të drejtë ta konsiderojë Tjetrin si "të paarsyeshëm" vetëm e vetëm për shkak se pikëpamjet e tij ndryshojnë nga pikëpamjet tona, edhe pse të dyja palët mund të mos bien kurrë dakord për asgjë, pasi nuk kanë të përbashkët asgjë që të shërbente si një standard (ose kriter) i vetëm kulturor.

Fizikanti dhe filozofi i shquar i shkencës, Philipp Frank, argumentonte se "relativizmi" është një metodë, e cila ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në përparimin e dijes njerëzore.[1] Ai shkruante: "Atje ku është bërë beteja e vërtetë për progresin e njohjes…kjo betejë është zhvilluar dhe drejtuar pikërisht nga doktrina e së vërtetës relative".[2]Nuk ka dyshim se mënyra më e lehtë dhe të cilën e ndeshim më shpesh në përcaktimin e të vërtetës është ajo që niset nga standardet tona individuale mbi të vërtetën—e vërtetë është ajo që mendoj unë. Këtë dukuri e ndeshim rëndom në faqet e shtypit dhe në debate të ndryshëm televizivë, të cilat më shumë dominohen prej narcisizmit dhe solipsizmit të të njëjtëve "intelektualë" të kudogjendur, sesa karakterizohen nga një debat i mirëfilltë intelektual.

Në fakt, narcisizmi, solipsizmi dhe besimi i verbër në të vërtetën "tënde" nuk bëjnë tjetër veçse inkurajojnë intolerancën dhe izolimin intelektual.Kushdo nga ne e krahason standardin e vet mbi të vërtetën me standardet e individëve të tjerë dhe, nëse jemi intelektualisht të ndershëm e kurajozë, çdonjëri nga ne mund të kuptojë—dhe të pranojë—se, shumë herë, standardi i së vërtetës nuk është domosdoshmërisht ai që aplikojmë ne vetë. Madje, duke i gjykuar pikëpamjet tona sipas standardeve që s'janë tonat, ne mundet edhe t'i ndryshojmë këto pikëpamje dhe të pranojmë si të vërtetë atë që sugjeron dikush tjetër, i cili është më i informuar se ne dhe gjykon më saktë se ne.Në një shoqëri demokratike, ashtu si në shkencë, ato që ndonjëherë janë më të nevojshmedhe më të dobishme, janë opinionet e ndryshëm apo të kundërt nga dija konvencionale. Astrofizikanti i shquar amerikan Karl Sagan vinte në dukje se: "Në shkencë ndodh shpesh që shkencëtarët të thonë: 'E di çfarë? Argumenti juaj është vërtet bindës, ndërsa qëndrimi im është i gabuar' dhe, pas kësaj, ata ndryshojnë qëndrim dhe s'i dëgjon më të përsërisin të njëjtën pikëpamje të vjetër".[3]Sa ndodh kjo në shkencat shqiptare dhe, përgjithësisht, në debatet intelektualë që zhvillohen në vendin tonë? Shkenca dhe, përgjithësisht, shoqëria njerëzore, ekzistojnë dhe zhvillohen si një proces vetëkorrigjues. Që të pranohen gjerësisht, idetë e reja duhet t'u qëndrojnë standardeve më rigoroze të mbledhjes dhe të ekzaminimit të fakteve.

Diskursi komunikativ dhe format patologjike të përdorimit të gjuhës

Meqënëse kriteri i së vërtetës shumë herë nuk përkon me gjykimet tona, kur angazhohemi në një debat publik kërkohet që në morinë e gjykimeve që shprehen për një çështje të caktuar të vlerësojmë e të zgjedhim atë gjykim që mbështetet në fakte të verifikueshëm dhe që është i argumentuar më mirë. Kjo nuk duhet kuptuar si një dobësi intelektuale, por si një virtyt dhe si ndershmëri intelektuale. Sidoqoftë, një gjë e tillë bëhet praktikisht e mundur vetëm nëse kolektivisht përpiqemi që të ndërveprojmë me njëri-tjetrin në një diskurs komunikativ të civilizuar.Jürgen Habermas, ndryshe nga Michel Foucault,[4] i cili i shihte gjuhën dhe komunikimin si një çështje dominimi, argumenton se komunikimi mes njerëzve nënkupton që, si ata që flasin, ashtu dhe ata që dëgjojnë, janë a priori të interesuar që ta kuptojnë njëri-tjetrin në lidhje me "interesimet e tyre të përbashkëta", duke bërë të mundur mirëkuptimin mes tyre.[5]

Supozimi nga niset Habermas është se, në procesin komunikativ, çdo pjesëmarrës reflekton mbi pozicionin dhe pikëpamjet e veta, çka nënkupton që struktura e gjuhës është esencialisht hermeneutike (interpretative) dhe, si e tillë, ajo bën të nevojshme që pjesëmarrësit në diskutim të angazhohen në interpretime në të gjitha nivelet, duke e rritur kështu shkallën e të vetkuptuarit të çdo individi, çka mundësohet nga vetë ndërveprimi me të tjerët. Ky, sipas Habermas-it, është pikërisht vetë telos-i i gjuhës. Edhe pse gjuha nuk është një medium transparent, ajo mundëson që komunikimi mes individëve—ose mes grupesh individësh—të realizohet. Sa herë që ky komunikim dështon, kjo, sipas tij, do të thotë se kemi të bëjmë me një "formë patologjike të përdorimit të gjuhës".[6]

Argumenti vis-à-vis identitetit

Por le t'i kthehem përsëri çështjes se si mundet të marrim në konsideratë pikëpamjet e Tjetrit dhe larminë e pikëpamjeve që shprehen, kur të tjerët janë kaq të ndryshëm nga ne. Karl Popper ka një përgjigje për këtë. Ai do të thoshte: krahasoni argumentet tuaja, jo identitetet tuaja.[7] Nëse nuk veprojmë kështu, ne s'do të jemi kurrë në gjendje të komunikojmë duke dëshmuar respektin e duhur për ata me të cilët komunikojmë. Zëvendësimi i diskutimit rreth argumenteve të njëri-tjetrit me "analiza" për njëri-tjetrin, sipas Popper-it, s'është veçse "metoda shkencore" që zhvilluan dhe përdorën në analizat e tyre marksistët, frojdistët dhe adleristët. Sipas tij: "Çdo argument kundër kornizës së mendimit të tyre interpretohej nga vetë ata në një mënyrë të tillë, që t'i përshtatej pikëpamjes së tyre. Dhe, nëse kjo ishte e vështirë, atëherë ishte gjithnjë e mundur që ta psikoanalizoje, ose ta socioanalizoje kundërshtarin tënd: kritikat ndaj ideve marksiste kishin gjoja për bazë paragjykimin klasor; kritikat ndaj ideve frojdiste 'shpjegoheshin' me represionin, ndërsa kritikat e ideve adleriste buronin nga pasioni për të provuar superioritetin tënd, pasion që, në të vërtetë, shpjegohet me përpjekjen për të kompensuar inferioritetin tënd".Të trija këto epistemologji "sociologjike"—marksizmi, frojdizmi dhe adlerizmi—të cilat Popper i ka kritikuar, janë në mënyrë inherente relativiste. Ndërsa pajtohej me pikëpamjen se askush nuk është i përsosur dhe se të gjithë njerëzit mund të gabojnë, Popper theksonte se, pikërisht ky fakt përbën atë standard absolut, mbi bazën e të cilit duhen gjykuar të gjitha opinionet tona.Për çdonjërin nga ne, natyrisht, nuk është e lehtë të njohim e të pranojmë gabimet tona. Sidoqoftë, të tjerët mund të na ndihmojnë në këtë drejtim.

T'i lëmë të tjerët të na kritikojnë; kjo, ndoshta, mund të na shpëtojë nga rënia në gabime ose nga përsëritja e tyre. Po kështu, është veçse e logjikshme që ne t'ua shpërblejmë të tjerëve këtë ndihmë në të njëjtën mënyrë, duke u vënë në dukje gabimet e tyre. Në këtë mënyrë bëhet i mundur një komunikim normal në sferën publike. Vetë Popper e konsideronte një ekzagjerim të rrezikshëm të thuash se një diskutim i frytshëm është i pamundur, nëse diskutantët nuk kanë një vizion të përbashkët. Megjithatë, ai pranonte se mungesa e një vizioni të ngjashëm e bën shumë të vështirë komunikimin mes njerëzve.[8]

Algoritmi popperian i komunikimit njerëzor

Është me interes të vëmë në dukje se, për të kapërcyer këtë vështirësi, Popper propozonte një algoritëm të komunikimit njerëzor, duke identifikuar pesë hapa në procesin e komunikimit, të cilat mund t'i bëjnë më të hapur ndaj njëri-tjetrit si individët, ashtu edhe kulturat e ndryshme.(1) Nëse ti përgatitesh vërtet për një diskutim të hapur, atëherë edhe konfrontimi total midis dy pikëpamjeve të papajtueshme, pa ndonjë shenjë kompromisi, ose mirëkuptimi minimal, mund të mos jetë krejt i pafrytshëm, pasi secila palë mund të mësojë diçka të re nga pala tjetër.[9](2) [Sidoqoftë] është më mirë kur "përplasja e opinioneve bën që pjesëmarrësit në komunikim të arrijnë në argumente të reja dhe interesante, edhe pse ato mund të mos jenë përfundimtare. Me përjashtim të çështjeve të vogla e të parëndësishme, përfundimet në mbështetje të një argumenti janë shumë të rralla, edhe pse argumentet kundër një teorie, ose kundër një pikëpamjeje të caktuar mund të jenë shumë të fortë".[10](3) Qëllimi i një debati nuk duhet të jetë kurrë që të fitosh; qëllimi i vërtetë i një diskutimi duhet të jetë progresi intelektual, jo afirmimi social. Afirmimi social duhet të jetë rrjedhojë e suksesit intelektual. Përveç kësaj, kriteri i fitores s'duhet të jetë kurrë i jashtëm (social, ekonomik, politik); ai duhet të jetë thjesht intelektual. Në këtë mënyrë, edhe nëse ti përpiqesh të mbrosh interesat e tua personale, ose ato të komunitetit të cilit i përket, ti duhet të përdorësh vetëm argumente të vlefshëm intelektualisht. Popper theksonte se: "Fitorja në një debat s'është asgjë, ndërsa sqarimi sado i vogël qoftë edhe i një problemi të vetëm, madje edhe kontributi më i vogël për një kuptim më të qartë të pikëpamjes tënde, ose të pikëpamjes së kundërshtarit, është një sukses i madh. Një diskutim, të cilin ti e fiton, por i cili nuk arrin të ndryshojë, ose të sqarojë sado pak mendimin tënd, mund të konsiderohet si humbje".[11]

(4) Në dallim nga postmodernistët, të cilët nuk shohin mënyra racionale drejt lirisë, Popper e konsideron debatin si mjetin më të efektshëm për çlirimin gjuhësor, social dhe kulturor. Sipas tij, "Partnerët në një përplasje [kulturore] mund të çlirohen nga paragjykimet për të cilat ata nuk janë të ndërgjegjshëm…Sidoqoftë, ky rezultat është më pak i mundshëm nëse njerëzit nuk e dëshirojnë një diskutim të hapur".[12]

Nëqoftëse nuk jemi seriozë dhe të sinqertë në përpjekjen tonë intelektuale për të kërkuar të vërtetën, por vetëm bëjmë debat për hir të debatit dhe kryqëzojmë heshtat mbi njëri-tjetrin, atëherë diskutimi që bëjmë humbet rolin e tij epistemologjik dhe nuk i shërben thellimit të njohjes tonë apo verifikimit të gjykimeve tona.

(5) Progresi intelektual konsiston pikërisht në krijimin e urave mes kornizave konceptuale dhe paradigmave të ndryshme. Sado ngushtësisht të lidhur të jemi me pikëpamjet tona të preferuara, idetë më të plota dhe më të argumentuara ushtrojnë një presion të fortë intelektual mbi çdonjërin nga ne për t'i pranuar ato si një shpjegim më i mirë i realitetit në të cilin jetojmë.[13]

 Debati si mjet imancipimi dhe progresi intelektual

Në përfundim dëshiroj të theksoj se qëllimi kryesor i një debati intelektual duhet të jetë mirëqenia dhe prosperiteti intelektual i përbashkët. Ashtu sikurse në plan global lufta në fushën e ideve synon që të gjejë zgjidhje për të parandaluar luftrat reale të armatosura dhe revolucionet e përgjakshëm, po kështu, debatet intelektuale duhet t'i shërbejnë pikërisht evitimit të përplasjeve politike, sociale dhe emocionale. Edhe pse emocionet janë një pjesë e pandarë e jetës së gjithësecilit prej nesh, ne mund t'i përmbajmë ato që të mos zëvendësojmë me emocionet tona idetë që shprehim dhe mbrojmë.

Ndërsa Hegeli dhe Marksi iniciuan traditën e "filozofisë sociologjike" (idealizmi historik dhe materializmi historik, përkatësisht), traditë e cila vazhdon në ditët tona me kredon postmoderniste se njohja është gjithnjë relative, Popper u kthye te Kanti, i cili besonte se vetë dija ka një vlerë të pavarur, njëlloj si edhe vlerat e moralit, të fesë dhe të estetikës, të cilat plotësojnë, por kurrë nuk zëvendësojnë njëra-tjetrën. Për më tepër, siç vinte në dukje Popper, për Kanti-n dija është një instrument i politikës dhe, për këtë arsye, ai besonte në "emancipimin përmes dijes". Për Popper-in, vetëm progresi intelektual mund të sigurojë progres shoqëror të qëndrueshëm, pasi politikat realiste dhe moralisht të justifikueshme kanë nevojë për një vizion të qartë dhe të ndërgjegjshëm, të bazuar në arsyen dhe në dijen.

* * *

Unë nuk besoj se, pas këtyre fjalëve, ata njerëz që deri më sot s'kanë bërë gjë tjetër veçse e kanë kritikuar dhe sharë autorin e këtyre radhëve dhe shumë intelektualë të tjerë, do të veprojnë ndryshe; por, të paktën, u kam thënë se ç'mendoj unë për paditurinë dhe për paaftësinë e tyre për të komunikuar publikisht si intelektualë.

Referencat

[1] Philipp Frank, Relativity–A Richer Truth (London: Jonathan Cape, 1951), f. 20.

[2] Ibid.

[3] Carl Sagan, "The Burden of Skepticism", Skeptical Inquirer (1987), Vol. 12, No. 1, ff. 38-46.

[4] Michel Foucault, Archeology of Knowledge (New York: Pantheon Books, 1972).

[5] Jürgen Habermas, Knowledge and Human Interests (Boston: Beacon Press, 1971), f. 314.

[6] Ibid.

[7] Karl R. Popper, The Myth of the Framework: In Defence of Science and Rationality (New York: Routledge, 1996), f. 53.

[8] Ibid, f. 35.

[9] Ibid, f. 36.

[10] Ibid, f. 37.

[11] Ibid, f. 44.

[12] Ibid, f. 51.

[13] Ibid, f. 54.

Ja e ardhmja e ndritur e politikës shqiptare!

Posted: 12 Jul 2018 01:37 AM PDT

 

Për të vjetrit e çdo ngjyre,

nuk kemi më asnjë fjalë,

sepse shumica e tyre,

të korruptuar kanë dalë!

 

Dhe kur dalin në ekrane,

e dimë se do gënjejnë,

sharlatanë dhe sharlatane,

kokën mbrapa s'dinë ta kthejnë!

 

Thonë të njëjtat gënjeshtra,

servisin të njëjtën gjellë,

se e keqja gjer në eshtra,

u ka hyrë thellë e më thellë!.

 

Pak nga pak po hanë çairin,

që e patën për  "kismet",

mbrapa lanë kujtim qymyrin,

si në fshat e në qytet!

 

Vodhën-vranë dhe mashtruan,

po asnjë nuk ra nga kali,

dhe krenarë u deklaruan,

më të pastër se kristali!

 

Shpifën për këdo sa mundën,

ngritën prita edhe leqe,

po nga Kuvendi s'u tundën,

s'pësoi gjë kjo farë e keqe!

 

Gjithë të ligat që ka Bota,

i bënë mbi Shqipërinë,

u shtuan me kasaforta,

për të fshehur pasurinë!

 

Kujton gjëmat që kanë bërë,

thua-pak e kanë litarin,

vranë Gërdecin të tërë,

bënë Njëzet e Një Janarin!

 

Janë bërë të neveritshëm,

sa që s'shihem më me sy,

po kemi brezin e ndritshëm,

që po vjen në Shqipëri!

 

Brezi i ri i politikës,

do t'i vërë krahët pushtetit,

se janë bërë deputetë,

në moshën e pubertetit!

 

Janë pesë në LSI,

që e kanë gojën çorapkë,

janë formatuar tani,

sipas zonjës Kryetarkë!

 

Ecin në gjurmë të Monikës,

në veprim e në fjalor,

e ardhmja e politikës,

do të jetë ky taborr!

 

Në këtë taborr që kemi,

kemi shpresën e vërtetë,

tek Urë e Qabesë do jemi,

e pakta dhe tridhjet vjet!

 

Kemi tek grupi i SHQUPIT,

trashëgimin e Fariut,

nip i denjë i halldupit,

domethënë i xha Saliut!

 

Po kemi edhe Salanjin,

bir i denjë i Skraparit,

që me Babale azganin,

i bëri kurth Kryetarit!

 

Janë dy qënie malinje,

kësaj presje s'i lëviz,

po u fut në gojë të tyre,

dhe qymyri bëhet pis!

 

Miq të dashur-fiks kjo blozë,

është e ardhme e politikës,

trashëgimtarë dinjitozë,

të Lulit dhe të Monikës!

A. Duka

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more