Skip to main content

“Gjykata e liroi, Prokuroria kërkon rikthimin në burg të ish-kreut të ARRSH Xhika” plus 9 more - Gazeta Dita

“Gjykata e liroi, Prokuroria kërkon rikthimin në burg të ish-kreut të ARRSH Xhika” plus 9 more - Gazeta Dita


Gjykata e liroi, Prokuroria kërkon rikthimin në burg të ish-kreut të ARRSH Xhika

Posted: 27 Jul 2018 02:03 AM PDT

 

Ish-kreu i Autoritetit Rrugor Dashamir Xhika i dyshuar për abuzime me fondet e rrugës Tiranë-Elbasan u lirua ditën e djeshme nga qelia për tu hetuar nën masën e "arrestit shtëpiak".

Vendimi është marrë nga Gjykata e Krimeve të Rënda një ditë më parë e cila ka ndërruar masën e sigurisë nga "arrest me burg" në "arrest shtëpie".

Por, prokuroria ka kërkuar rikthimin e Xhikës në qeli dhe ka apeluar vendimin.

Xhika u arrestua më 2 shkurt, bashkë me dy ish-vartësit e tij Albens Alite dhe Aksel Qorduku.

Prangosja e tyre u bë pas hetimeve të nisura nga Prokuroria e Elbasanit në prill të vitit 2017, lidhur me veprën penale "vjedhje dhe shpërdorim detyre".

Në muajin dhjetor të po atij viti, ministri i Infrastrukturës Damian Gjiknuri paditi në prokurori, Xhikën, për shkelje në zbatimin e kontratave për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.

Nga hetimet e kryera u konstatua se dëmi ekonomik i shkaktuar nga shkeljet kap vlerën e 53 milionë dollarëve.

l.h/ dita

Qeveria miraton vendimet për Qendrat Kulturore dhe Qendrën e Botimeve për Diasporën

Posted: 27 Jul 2018 01:52 AM PDT

 

Këshilli i Ministrave miratoi të enjten, dy vendime të rëndësishme të propozuara nga Ministri i Shtetit për Diasporën; atë “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e qendrës së botimeve për diasporën”, dhe “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin  e qendrave kulturore për diasporën”.

Qendra e Botimeve për Diasporën është përgjegjëse për botimin e teksteve që do t'i shërbejnë diasporës. Këshilli Koordinues i Botimeve për Diasporën do të jetë ai që do të shqyrtojë kërkesat vjetore për botime, do të miratoje programet e botimeve e do të planifikojë shpërndarjen e teksteve të botuara nga qendra.

Këshilli do të përbëhet nga pesë anëtarë, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë përgjegjëse për Diasporën, Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Bibliotekës Kombëtare.

Ndërkaq, vendimi i dytë ka të beje me qendrat kulturore, të cilat kanë si mision ruajtjen, kultivimin e identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor e arsimor të diasporës dhe forcimin e lidhjeve të saj me institucionet e Republikës së Shqipërisë. Ato do të nxisin dhe zhvillojnë njohuri për gjuhën, kulturën dhe trashëgiminë kulturore të Shqipërisë.

l.h/ dita

Ringjallen shpresat për dy vogëlushet e humbura pas zjarreve në Athinë

Posted: 27 Jul 2018 01:38 AM PDT

Historia e dy motrave të vogla është një prej rasteve që i ka prekur të gjithë pas zjarreve në Greqi. Prindërit deklaruan se i panë në varkë në pamjet e transmetuara në televizion por një çift tjetër reagoi dhe tha se janë vajzat e tyre.

Ndërkohë, prindërit vijojnë kërkimet dhe shprehen ende të sigurt se vajzat që panë në pamje janë fëmijët e tyre dhe se mund të jenë rrëmbyer.

Familja Filipoupolos ka pajtuar një hetues privat për të kërkuar vajzat. Ai deklaroi se ka shpresë që ato janë gjallë.

Në një dëshmi, një grua ka thënë se ka parë dy vajza binjake në një varkë shpëtimi që ngjasojnë me motrat Filipopoulos.

"Është në fakt një situata tepër e paqartë, por ne nuk duam që të mendojmë skenarin më të keq. Ka një informacion të fundit nga një zonjë, e cila ishte në det bashkë me një grup, ku ishin edhe dy vajza binjake të vogla. Ne duam të shpresojmë, ndaj dua të jem optimist", tha hetuesi.

l.h/ dita

ANALIZA: Kërcënimi i inskenuar i presidentit serb

Posted: 27 Jul 2018 01:33 AM PDT

 

CIA, kroatët, oligarkët… Mediat në Serbi njoftojnë rregullisht për atentate të planifikuara kundër Presidentit Vuçiç. Përse?

Nga Nemanja Rujevic

Vuçiç qeveris Serbinë prej gjashtë vjetësh. Konkurrencën politike ai ka arritur ta eliminojë dhe fragmentojë në një shkallë të gjerë edhe përmes vënies nën kontroll të mediave. Përveç një kanali kabllor dhe disa gazetash javore me tirazh të ulët, mediat kryesore e mbulojnë presidentin me lëvdata dhe akuzojnë kritikët e tij.

Në këtë sfond gazeta bulevardeske e Beogradit “Informer”, me kryeredaktor një mik të vjetër të Vuçiçit, Dragan Vuçeviçeviqin, po ndërmerr një hap më tej. Në faqet e saj Vuçiçi vazhdon të portretizohet si i gjithëfuqishëm, pa gabime dhe që e duan të gjithë njerëzit, por gjithashtu edhe si shumë në rrezik. Sepse si thuhet, opozita dhe fuqitë e huaja duan ta vrasin. Dhe kjo, megjithëse ai bën gjithçka për popullin e tij, thonë miqtë e kryeministrit në mediat e shkruara dhe televizionet e vendit.

CIA, kroatët, oligarkët…

“Ajo çka mund të duket qesharake, e mjerueshme ose bulevardeske është në fakt një strategji serioze politike dhe mediale e menduar mirë”, thotë gazetarja Tamara Skrozza, anëtare e Këshillit të Shtypit të Serbisë. “Të paktën një herë në javë ka ndonjë artikull që pretendon për ndonjë atentant të planifikuar ndaj presidentit.

Lista e atentateve të përgatitura dhe e konspiratorëve të dyshuar është rritur vazhdimisht. Ndonjëherë janë shërbimet sekrete perëndimor i CIA-s dhe MI6, ndonjëherë oligarkë dhe kriminelë serbë. Tani si komplotistë të mundshëm përfliten edhe ambasadorët e vendeve të BE dhe SHBA, apo shqiptarët e Kosovës ose dhe kroatët. Madje edhe Rusia nuk u ka shpëtuar akuzave si shtrat komplotesh antiserbe.

Por pse Vuçiçi dëshiron të shfaqet vazhdimisht në publik i zhurmshëm dhe me ton udhëzues, kur ai është tërë kohën në rrezik se dikush mund ta vrasë? “Ai përdor arketipin biblik – ai është Davidi në luftë kundër Goliathit”, thotë sociologu Jovo Bakiç nga Universiteti i Beogradit. “Vuçiç paraqitet si objektivisht më i dobët, por guximi i tij është kaq i madh saqë i mposht të gjitha forcat konspirative”.

Melodrama e vazhdueshme

Portali i pavarur  “Istinomer” (“Vërtetëmatësi”) shkuan se 90% e deklaratave të Vuçiçit janë të rreme. Fjala është p.sh. për hapjen e vendeve të reja të punës apo zhvillimin ekonomik. Edhe portale të tjera që merren me analizën e mediave thonë që në to ka shumë lajme të rreme. Portali fakenews.rs ka regjistruar p.sh. vetëm vitin e kaluar 362 genjeshtra vetëm në faqen e parë të bulevardeskes “Informer”.

Edhe Brukseli zyrtar e di si është gjendja e mediave në Serbi. Mungesa e lirisë së shtypit është gjithmonë temë në raportet e progresit të BE, sikurse edhe kontrolli i gjyqësorit dhe shpërndarja e kontratave publike dhe vendeve të punës sipas dëshirës së partisë. Por ndërsa kritikat janë tejet diplomatike, Vuçiçin e marrin me të mirë në Bruksel, Berlin dhe gjetkë.

Sikurse shumica e kritikëve në Serbi, sociologu Bakiç mendon se kjo ka të bëjë me Kosovën. Vuçiçi është gati ta hapë rrugën për njohjen e Kosovës nga OKB-ja, gjë që bllokohet deri tani nga Rusia dhe Kina, nëse ai vazhdon të gëzojë mbështetjen e BE-së për stilin e tij autokratik, mendojnë mjaft në Beograd. Ky vit konsiderohet si vendimtar deri sa Beogradi dhe Prishtina të nënshkruajnë një marrëveshje normalizimi.

Bakiç mendon se mediat synojnë jo vetëm të mohojnë zhvillimet në çështjen e Kosovës dhe autokracinë gjithnjë në rritje, por edhe mjerimin ekonomik dhe emigrimin e dhjetëra mijëra të rinjve çdo vit. Qëllimi i “lajmeve për atentate” është të ushqejnë vazhdimisht psikozën publike. “Këto janë qirinj tymues që njerëzit të merren me lajme se si lideri i patrembur do të sakrifikonte jetën e tij për Serbinë”.

Kohët e fundit, Vuçiçi u tregoi gazetarëve të Financial Times ballkonin e pallatit të ri, selinë e Presidentit në Beograd. Pikërisht nga ky vend, tha ai duke ju referuar historisë, e hodhën nga ballkoni pas grushtit të shtetit në vitin 1903 trupin e pajetë të mbretit serb Aleksandër. Dhe siç e përshkruajnë gazetarët, Aleksander Vuçiçi kishte shtuar me nota tejet melodramatike: “Asnjë Aleksandër nuk e ka mbijetuar pushtetin”./DW

l.h/ dita

Qeveria greke: Kemi të dhëna dhe gjurmë të rëndësishme që zjarret ishin të qëllimshme

Posted: 27 Jul 2018 01:26 AM PDT

 

Kryeministri grek, Alexis Tsipras ka urdhëruar që të hetohen plotësisht shkaqet e zjarreve vdekjeprurëse që kanë shkaktuar vdekjen e dhjetëra njerëzve në periferinë e Athinës.

"Kryeministri urdhëroi që dosja e çështjes t'u dërgohet autoriteteve gjyqësore, si dhe të mbanim këtë konferencë shtypi në mënyrë që t'i paraqesim popullit grek të gjitha dëshmitë qe ka qeveria ne dispozicion", u shpreh Dhimitris Tzanakopoulos, zëdhënësi i qeverisë.

Ndërsa nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, Nikos Toskas, duke shpjeguar video dhe të dhëna nga disa shërbime satelitore të vendit dhe amerikane, ka theksuar se ekzistojnë prova serioze për zjarrvënie të organizuar.

"Sa i përket hetimeve që po bëhen nga grupi hetimor i Departamentit të Zjarrfikësve në bashkëpunim me Policinë Greke, do doja te tregoja me anën e disa imazheve të paraqitura se kemi të dhëna serioze dhe gjurme të rëndësishme për veprimtari kriminale që kanë të bëjnë me zjarrvënie", u shpreh Nikos Toskas Minister i Mbrojtjes së qytetarit.

Në intervistë është theksuar se zjarrvënia e qëllimshme dhe e planifikuar hollësisht, si dhe kushtet ekstreme të motit kanë qenë shkaku kryesor i tragjedisë.

l.h/ dita

Klinika e gruas dentiste, KPK shkarkon prokurorin Elison Sadiku

Posted: 27 Jul 2018 01:22 AM PDT

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur të mos jap rikonfirmimin në detyrë për prokurorin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, Elsion Sadiku.

Nga analiza e provave trupa gjykuese e KPK konstatoi se bashkëshortja e prokurorit ka deklaruar të ardhura nga puna si dentiste në vlerën 1 milion lekë, ndërsa nuk rezulton e provuar që të ketë qenë e punësuar.

KPK ka konstatuar gjithashtu mungesë burimesh të ligjshme për blerjen e pajisjeve tek klinika dentare e bashkëshortes me vlerën 7500 euro dhe njëkohësisht deklarim të pasaktë nga subjekti për kontratën e shit-blerjes së apartamentit duke mos arritur të justifikojë sipas komisionit as burimin e ligjshëm të këtyre të ardhurave.

Prokurori Elsion Sadiku e ka filluar karrierën në vitin 2006 dhe prej vitit 2010 mbante postin e zv.prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Korçë.

Ai u përball të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, si pjesë e listës prioritare të Vettingut për shkak të kandidimit të tij për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

l.h/ dita

Gallup: Singapori, vendi më i sigurt në botë, ja ku renditet Shqipëria

Posted: 27 Jul 2018 01:10 AM PDT

 

Më shumë se dy në çdo tre njerëz në mbarë botën thonë se kanë besim tek policia e tyre lokale (69%) dhe ndihen të sigurt të ecin vetëm gjatë natës në vendet ku jetojnë (68%).

Por, situata nuk është e tillë në të gjithë shtetet. Sipas studimit të fundit të Gallup, me të dhënat e vitit të shkuar, një në tetë njerëz në botë (13%) thonë se u është vjedhur një pasuri atyre vetë ose një anëtari tjetër të familjes gjatë 2015 dhe 5% thanë se ishin sulmuar.

Sipas Indeksit të Ligjit dhe Rendit të Gallup për 2017, Shqipëria renditet e 78 në botë për sigurinë.

Sa më i lartë rezultati, aq më e lartë është përqindja e popullsisë që raporton se ndihet e sigurt. Ne jemi të fundit në Ballkan, me rezultatin më të ulët, në këtë listë kryeson Serbia e 82, Bosnja e Hercegovina e 80-a, Mali i Zi i 79-ti.

Rezultati i indeksit për botën në 2017 ishte 81 nga 100 e mundshme. Tetëdhjetë e gjashtë vende shënuan rezultate më të ulëta se kjo mesatare, sipas raportit.

Vendet që shënuan më të larta apo të ulëta në indeks, mbetën të pandryshuara që nga viti 2016.

Shifrat në mbarë botën tregonin për 97 në Singapor, që kryeson listën si më i sigurti, në më të ulëtën prej 44 në Venezuelë.

Në shumicën e vendeve të zhvilluara ekonomikisht me sundim të fortë të ligjit, shumica e banorëve thonë se ndihen të sigurt duke ecur vetëm gjatë natës. Kjo përgjigje është pothuajse universale në Singapor në 94% dhe në krye të 80% në shumë vende të Evropës Perëndimore. SHBA është shumë më poshtë në listë, në 72%.

Raporti i Ligjit dhe Rendi Global i Gallup-it 2018 u ofron udhëheqësve një përditësim mbi progresin që vendet po bëjnë drejt arritjes së Qëllimit të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara "Për promovimin e shoqërive të drejta, paqësore dhe gjithëpërfshirëse" dhe thekson ato vende që kanë nevojë për ndryshime të menjëhershme në termat e sigurisë.

l.h/ dita

Pas zjarreve që mbërthyen Athinën, ministri grek paraqet dorëheqjen

Posted: 27 Jul 2018 12:58 AM PDT

 

Ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve Nikos Toskas ka paraqitur dorëheqjen nga posti i tij.

Deklarata ka ardhur nga vetë ministri ditën e sotme ku ka thënë ndër të tjera se kryministri Aleksis Tsipras nuk e ka pranuar dorëheqjen.

Në një konferencë për shtyp bashkë me drejtues të tjerë të qeverisë, ai vuri në dukje se kishte vendosur të japë dorëheqjen për arsye morale dhe jo sepse ai kishte bërë gabime në punën e tij.

Toskas mbrojti punën e Brigadës së Zjarrit dhe pjesës tjetër të forcave të sigurisë, duke thënë se nuk kishte ndonjë gabim serioz.

Shkaqet e zjarrit ende nuk janë sqaruar, por Toska ka dyshime se zjarri është i qëllimshëm.

l.h/ dita

Cana feston ditëlindjen, presidenti Meta i bën urimin special

Posted: 27 Jul 2018 12:49 AM PDT

Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare Lorik Cana  feston sot ditëlindjen e tij të 35-të.

Mes shume urimeve në këtë ditë ai ka marrë dhe nje të tillë nga presidenti i vendit ilir Meta.

 "Kam kënaqësinë ta nis ditën me një urim të përzemërt për një njeri të veçantë e të dashur për të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë. Sot në ditëlindjen e tij të 35 i uroj Lorik Canës kapitenit tonë kuq e zi që udhëhoqi kombëtaren tonë drejt arritjes më të madhe historike të kualifikimit në Europianin 2016 edhe të paktën 93 vite të tjera të lumtura e me suksese ashtu si 93 ndeshjet qe ai luajti plot pasion për kombëtaren tonë. Urime edhe familjes së mrekullueshme të Lorikut që e ka mbështetur aq shumë në sakrificat dhe arritjet e tij", shkruan Meta në një postim në "Facebook".

Që prej Europianit të Francës, ku mori pjesë me Shqipërinë, Lorik Cana është tërhequr nga futbolli i luajtur pas probleme shëndetësore.

l.h/ dita

 

“Mandati i një ndryshimi rrënjësor”, Rama nis ditën me një deklaratë të fortë

Posted: 27 Jul 2018 12:38 AM PDT

 

Kryeministri Edi Rama, e ka nisur mëngjesin e kësaj të premteje, me pamje nga zyrat e shërbimeve për qytetarët.

Ai pranon se ka ende llum dhe zullum, por thotë se çdo ditë po bëhet nga një hap.

Rama shton se ky do të jetë mandati i një ndryshimi rrënjësor të shtetit në shërbim të njerëzve.

“Mirëmëngjes, dhe duke ju thënë të gjithëve, po shumë e drejtë, ka ende llum e zullum në zyrat e shërbimeve për qytetarët, ju them po ashtu se është po kaq e vërtetë se po bëhet përditë një hap, në çdo drejtim, që ky të jetë mandati i një ndryshimi rrënjësor të shtetit në shërbim të njerëzve të zakonshëm! Ditë të mbarë“, shkruan Rama.

Në videon më poshtë gjeni pamjet e publikuara nga kreu i qeverisë, ku tregohen ndryshimet në zyrat në shërbim të qytetarëve.

l.h/ dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more