Skip to main content

“Foto: Miqtë e shokët i japin lamtumirën e fundit artistit Fadil Hasa” plus 9 more - Gazeta Dita

“Foto: Miqtë e shokët i japin lamtumirën e fundit artistit Fadil Hasa” plus 9 more - Gazeta Dita


Foto: Miqtë e shokët i japin lamtumirën e fundit artistit Fadil Hasa

Posted: 17 Jul 2018 02:20 AM PDT

Artistë nga i gjithë vendi po i japin sot nderimet e fundit artistit Fadil Hasa në hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Janë parë jo vetëm artistë por edhe përfaqësues të institucioneve, miq e të afërm në homazhet e Hasës, i cili u nda nga jeta një ditë më parë pasi humbi betejën me sëmundjen e rëndë nga e cila po vuante.

s.a/dita

 

Debat në KPM, Vokshi: A turpëroheni që keni mashtruar mijëra fëmijë? Nikolla: Gënjeni!

Posted: 17 Jul 2018 02:03 AM PDT

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ndodhet sot në Komisionin e Medias dhe Edukimit për të raportuar mbi ligjin e Arsimit Universitar, por që në nisje të kësaj seance ka patur një përplasje midis saj dhe kryetares së Komisionit, Albana Vokshit.

Kjo e fundit e pyeti Nikollën nëse ndihej e turpëruar që kishte mashtruar mijëra fëmijë që nuk morën dëftesat në kohë.

Nikolla i është përgjigjur Vokshit duke i thënë se i mungon sensin i etikës në mënyrën e komunikimit. Madje, ministrja shtoi se do t'i drejtohet Prokurorisë për të gjitha shpifjet që janë bërë ndaj saj.

Debati Vokshi-Nikolla

Vokshi: A ndiheni e turpëruar që keni mashtruar për dëftesat e arsimit parauniversitar? Duhet t'i kërkoni ndjesë të gjithë fëmijëve dhe prindërit për mashtrimin e bërë. Keni shpërdoruar detyrën duke mos u siguruar dëftesat në kohë.

Nikolla: Nuk kërcënoj njeri. Nuk është në etikën time. Ju sa herë që flini, keni mungesë etike. Do t'i shkoj deri në fund me organet e drejtësisë të gjitha akuzave ndaj meje. Iu jam përgjigjur të gjithë nxënësve dhe prindërve. Gënjyet kur thatë se dëftesat do shpërndahen në shtator. Ndarja e dëftesave është një proces që ka nisur. Të gjitha përgjegjësitë e mia do t'i zhvilloj në Prokurori. Për ata që duan të studiojnë jashtë shtetit është zgjidhur problemi.

s.a/dita

Rusia lejoi mbi 3 milionë turistë të ndiqnin pa viza Kupën e Botës

Posted: 17 Jul 2018 02:01 AM PDT

Më shumë se 3 milionë turistë të huaj erdhën në Rusi gjatë Kupës së Botës në futboll, tha të hënën, një ditë pas ndeshjes finale të turneut në Moskë, Kryeministri rus Dmitri Medvedev.

"Kjo shifër është rreth dy herë më shumë se gjatë Olimpiadës Dimërore të vitit 2014", tha Medvedev në komentet e dhëna për agjencinë e lajmeve "Interfax".

Rusia u lejoi të huajve që erdhën për të ndjekur turneun më prestigjioz të futbollit të hynin në vend pa viza.

Medvedev shprehu besimin se fluksi i turistëve të huaj do të ndikojë pozitivisht në perceptimin për Rusinë në mbarë botën.

Rusia priti Kupën e Botës 2018, ndeshjet e së cilës u luajtën në 11 qytete në pjesën europiane të vendit, nga 14 qershori deri më 15 korrik.

l.h/ dita

Ekonomia, thembra e Akilit e qeverisjes “Rama” (Replikë me Mero Bazen)

Posted: 17 Jul 2018 01:57 AM PDT

Nga Genc Burimi

Pas një "raundi" të parë vlerësimesh të përgjithshme dhe në të shumtën e rasteve kritike të qeverisjes Rama, dua në këtë analizë t'i kushtohem aspektit themelor, ekonomisë. Një problem politik është në radhë të parë një problem ekonomik që s'ka gjetur zgjidhje. Nuk e mohoj se shtysë për këtë shkrim më dha dhe leximi i intervistës së Mero Bazes në DITA, që e gjeta të goditur në shumë aspekte përveç pjesës ekonomike që rimerr me refren e naivitet pjesë nga diskursi propagandistik i qeverisë aktuale.

Me riskun të habis lexuesin, janë pikërisht "arritjet" me të cilat kjo qeveri mburret në bilancin e saj ekonomik të cilat fshehin në realitet dobësitë e saja më domethënëse.

Rritje ekonomike, por dhe rritje problematike

Arritja që e bën me krenar këtë kryeministër, është padyshim rritja ekonomike. Ai thotë se trashëgoi në 2013 nga Berisha, një rritje nën nivelin 1%, ose më e ulëta historike që nga kriza e 1997 dhe e shpuri këtë rritje vitin e kaluar në 3,8%.

Tre vërejtje: E para, edhe pas pesë vitesh në qeverisje, në një periudhë të artë kushtesh ekonomike tepër të favorshme në vend, në rajon dhe në Europë, qeveritë Rama nuk kanë arritur megjithatë të rigjejnë ritmin galopant të rritjes ekonomike shqiptare të periudhës 2000-2010 që kulmoi me 8%. Ashtu si Kina, një vend i prapambetur në të kaluarën, që i duhen ritme tepër të larta ekonomike për të mbushur hendekun me perëndimin, edhe Shqipërisë i nevojitet një rritje shumë më e lartë. Të paktën 6% në vit. Theksojmë se Rama parashikon të arrijë të paktën 5% me 2021. Pra, tetë vjet në pushtet për të qenë ende nën nivelin më të mirë të rritjes ekonomike që njohu Berisha. Ky është një fakt.

Një tjetër fakt është se Mero Baze gabohet kur përsërit atë që thotë qeveria se Shqipëria është "vendi që ka rritjen ekonomike më të lartë në rajon". Klasifikimi i Bankës Botërore për 2017 e nxjerr Shqipërinë dhe rritjen e saj ekonomike 3.8% në vend të tretë. Para saj janë Mali i Zi me 4,3% rritje ekonomike dhe Kosova me 4,4%.

Dhe është sërish Banka Botërore së bashku me FMN-në, që formulojnë kritikat me të ashpra ndaj asaj që mund të konsiderohet si një rritje ekonomike artificiale që po i ndodh Shqipërisë dhe që nuk do zgjasë shumë. Sipas këtyre dy institucioneve, qeveria ia detyron në masë të madhe dhe thuajse ekskluzive rritjen ekonomike jo reformave të saj, por dy investimeve të huaja madhore të iniciuara gjatë kohës së Berishës. Nëse Shqipëria ka patur rritje të rritjes së saj ekonomike në dy-tre vitet e fundit, kjo është falë projektit të gazsjellësit TAP dhe hidrocentraleve në lumin Devoll.

E meqenëse këtyre kantiereve po u vjen fundi dhe rritja ekonomike rrezikon të tkurret. Në parashikimet që bënte më parë FMN-ja, rritja ekonomike për vitin 2018 shfaqej në masën 4,1%. Por Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka ulur ndjeshëm tani këtë parashikim në 3,7%. Pra Shqipëria rrezikon të këtë këtë vit një rritje më të vogël se vitin e kaluar! Drejtori i BERZH-it për Shqipërinë, Matteo Colangeli shprehet kështu: "3,7% është një arritje e rëndësishme. Por nuk është shumë e dukshme sesa është në fakt rritja neto e ekonomisë shqiptare, pa llogaritur dy investimet e huaja në sektorin e energjisë."

Janë dhe tre tregues të tjerë që dëshmojnë për karakterin "e rremë" të rritjes ekonomike shqiptare.

a) Mungesa e theksuar e investimeve të huaja 

Së pari investimet e huaja. Shqipëria ka arritur të thithë investime të huaja serioze vetëm në energji (TAP, hidrocentrale në lumin Devoll) dhe në miniera. Pa investime të huaja, s'ka rritje ekonomike të qëndrueshme. Mbetet mister dhe për institucionet financiare sesi Shqipëria nuk nxjerr një përfitim maksimal, nga kostoja tepër e lirë e krahut të saj të punës dhe nga një pozitë gjeografike më se optimale për akses në tregjet e BE-së. Shqipëria, po ashtu, është shumë prapa vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Në aspektin e lehtësimit të të bërit biznes dhe tërheqjes së investimeve të huaja Shqipëria lë pas në rajon vetëm Bosnjën. Të gjitha vendet e tjera i dalin para! Banka Botërore ka "vizatuar" një kurbë rënëse të investimeve të huaja në Shqipëri: në 2016 ato ishin në nivelin 8,7% të PBB, në 2017 në 8,3% e PBB, në 2018 ato pritën të zbresin në 7% dhe në 2019, investimet e huaja pritet të zbresin vertikalisht në 5.6 për qind të PBB-së sipas Bankës Botërore.

b) Eksporte anemike

Elementi i dytë që duhet marrë në konsideratë në pritshmëritë pesimiste të rritjes ekonomike shqiptare janë eksportet. Qeveria mburret se janë rritur. Po krahasimet s'bëhen me veten, por me zonën që na rrethon.

Shqipëria është e fundit në Ballkan në peshën e eksporteve në raport me prodhimin e brendshëm bruto. Eksportet zënë më pak se 30% të PBB-së në rastin e Shqipërisë, ndërkohë që të gjithë vendet e tjera të rajonit janë më sipër. Më keq akoma, Shqipëria është ndër vendet e fundit në renditjen botërore për sa i përket fuqisë së eksporteve jashtë hidrokarbureve. Çfarë eksportojmë ne realisht përtej energjisë dhe mineraleve? Vetëm eksporte me vlerë të ulët të shtuar kryesisht në fasone tekstile dhe këpucë, ndërkohë që tek Serbia dhe Maqedonia dominojnë eksporte me vlerë të shtuar të lartë (prodhime industriale, kimikate etj). Pa surpriza, Shqipëria është kështu vendi i fundit në Ballkan për eksporte produktesh të manifakturuara në kategorinë "kimikate dhe plastikë" dhe po e fundit ashtu në kategorinë agro-industriale "ushqime, pije, duhan".

Si rezultat, qeverisja "Rama" e ka thelluar deficitin tregtar vitin e kaluar, me 30% më shumë ose gati 5 miliard euro importe për vetëm 2 miliard euro eksporte.

Si u mburrka kjo qeveri për rritje ekonomike kur kjo nuk shprehet në përmirësimin e balancës tregtare?

Në total, në vitin 2017 Shqipëria ka eksportuar për një vlerë rreth dy miliard euro dhe ka importuar për më shumë se 4,7 miliard euro me një deficit të thellë tregtar që është thelluar mbi 30% në krahasim me një vit më parë.

c) Kreditë në vendnumëro

Dëshmia e tretë negative që nuk të lejon të gëzohesh me këtë lloj rritje ekonomike të Shqipërisë, është niveli kokëfortësisht i ulët i kredive për biznes në vendin tonë. Në rajonin tonë, kreditë për biznesin janë sa gjysma (50%) e aseteve të bankave. Në Shqipëri, jemi shumë më larg këtij niveli, me kredi biznesi vetëm sa 35% e aseteve të sistemit bankar. Që nga ardhja e Ramës në pushtet, kreditë bankare për biznesin janë thuajse stopuar, ndikuar ndjeshëm dhe nga frika e bankave ndaj kredive të këqija që janë akumuluar që nga koha e Berishës dhe që ishin më të lartat në rajon. Por Banka e Shqipërisë, si me shkop magjik ua fshiu nga bilancet gjysmën e kredive të këqija bankave që operojnë në vend. E megjithatë, kreditimi i biznesit nuk po rifillon. Po nuk u investua sot, logjikisht nuk mund të ketë rritje të qëndrueshme në periudhat në vazhdim.

Fabula e borxhit publik 

Pas rritjes së lartë, dogma e dytë e madhe propagandistike e qeverisë është rënia e borxhit publik. Në zellin apo verbimin e tij nga plani komunikues i qeverisë, Mero Baze guxoi në një intervistë për Dita të thotë se Shqipëria ka borxhin më të ulët publik në rajon!

Është fatkeqësisht e kundërta. Shqipëria ka borxhin publik më të lartë në rajon së bashku me Malin e Zi, mbi masën 70% të PBB-së, kur Kosova e ka vetëm 16% ose Maqedonia 45%. Janë tetë miliardë euro borxh që rëndojnë mbi supet e shqiptarëve.

Por, Mero Baze merr në mbrojtje qeverinë, nga Berisha trashëguam një borxh prej 79% të PBB-së. Nuk është e vërtetë, madje as qeveria nuk e pranon një shifër të tillë. Sipas shifrave zyrtare të qeverisë së fundit të Berishës, Shqipëria kishte një borxh prej 59% të PBB-së, shifër të cilën qeveria e parë "Rama" e zyrtarizoi në 69% të PBB-së meqenëse Berisha nuk kishte llogaritur borxhet e pashlyera ndaj biznesit. Veçse e njëjta "hata" po i ndodh tani dhe qeverisë Rama. Fondi Monetar Ndërkombëtar që ka nisur një mision këto ditë në Shqipëri, është i saktë dhe i prerë: qeveria Rama po ashtu ka krijuar borxhe të pashlyera ndaj bizneseve sidomos në TVSH. Ky borxh i "fshehur" llogaritet në gati 1% të PBB-së. Domethënë më shumë se 1 miliard euro! Prandaj lojërat e qeverive me borxhet e pashlyera të qeverive të mëparshme duhet të pushojnë sepse ato bien në të njëjtat gracka. Për të mos folur pastaj për impaktin në borxh që pritet të lerë strategjia PPP e Ramës. Është kjo ndoshta tema qendrore e bisedimeve për të cilat ndodhet këto ditë delegacioni i FMN-së në Tiranë. Askush nuk është në gjendje të llogarisë se çfarë borxhi publik shtesë rrezikon t'u lërë shqiptarëve i famshmi "partneritet publik-privat"

Deri tani qeveria e ka refuzuar me forcë asistencën e FMN-së për t'i bërë një analizë "shkencore" këtij eksperimenti shqiptaro-shqiptar. Një gjë është e sigurt. Të gjithë ne, kritikë apo adoratorë të kësaj qeverie, jemi të bashkuar në një pikë dhe që e rezumon më së miri Mero Baze kur thotë: "PPP, është një ide që po degradon pa nisur. Dhe është më mirë të ndalet nëse vazhdon kështu…"

Po borxhin që kemi akumuluar si do ta ndalim e më pas ta zmbrapsim. Formula është e thjeshtë për t'u kuptuar, por e vështirë për t'u aplikuar. Qeveria në ekzekutimin e buxhetit, jo vetëm që s'duhet të krijojë deficit (minus 2% aktualisht), por duhet të krijojë një suficit primar rreth +1% në vit.

Prandaj qeveria po rrit taksat ku të mundë. Duke rënë kështu në kurthin tjetër, si në atë shprehjen e amerikanit Laffer: "Taksimi i tepërt vret taksat". Me idenë e rreme se po rrit efekshmërinë e taksambledhjes, qeveria po rrit në realitet nivelin e taksave.

Janë shuma që në vend të rrinë në xhepat e qytetarëve dhe bizneseve për konsum a investim, shkojnë për të mbushur arkën e shpuar të shtetit sepse do shërbejnë pikërisht për të shpërblyer fituesit e PPP-ve dhe të koncesioneve në 10-20 vitet në vazhdim kur ky kryeministër s'do të jetë më në fuqi për të marrë përsipër pasojat e minës me sahat që po lë.

Nga 23% raport me PBB-në që ishte niveli i taksave në Shqipëri në kohën e Berishës, drejt rekordit të 30% taksa në raport me PBB-në po rend qeverisja Rama. Janë qindra miliona euro më tepër që do t'u merren qytetarëve nga shteti. Një çmenduri anti-liberale, kur vendet e zhvilluara kanë tendencën e kundërt në kontekstin e garës fiskale midis vendeve. Shembulli irlandez (nën 20% nivel taksimi në raport me PBB-në), po i bën dhe vende me tradita të hershme taksimi të lartë si Franca (mbi 50% e PBB-së), të ndërmarrin një revolucion të vërtetë në këtë drejtim, siç po e bën Makroni duke zhdukur një nga taksat më të rënda në Francë, atë të banesës.

Rama le ta rrisë po të dojë nivelin e mbledhjes së taksave, por të paktën të ketë ndershmërinë intelektuale dhe mos ta paraqesë këtë si fitore në krahasim me epokën e Berishës, por si dështim në krahasim me ekonomitë moderne. Mbase një kthesë në ketë paradigmë të rrezikshme po fillon me pjesëtimin me tre të taksës së fitimit për biznesin që bën xhiro në 14 milionë lekë.

Çfarë mbetet nga reformat?

Dua të polemizoj dhe në një pjesë fundit me intervistën e Mero Bazes në DITA që i njeh qeverisjes "Rama" karakterin reformues në ekonomi duke marrë si shembullin më të spikatur reformën e pensioneve. Jam i detyruar të them se e ka sërish gabim dhe në këtë pikë.

Nëse ka një reformë që u mendua pa u menduar është ajo e pensioneve.

Ajo nisi më 2014 me idenë për të përforcuar kontributet sociale të pensioneve në mënyrë që skema të vetëfinancohet nga shtetasit (ata që punojnë për ata që janë në pension) dhe mos të financohej më me deficite nga shteti. Por me 2015 (ri)filloi emigracioni i madh shqiptar dhe automatikisht vendi humbi dhe po humbet kontribuues aktivë për skemën e pensioneve. Këtë është i detyruar ta pranojë dhe vetë drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, kur thotë në një intervistë me tone "prekëse" nga naiviteti se "projeksionet e bëra nga ne kanë parashikuar shumë parametra, por ajo që nuk është parashikuar, është niveli i emigracionit që këto vite ka qenë i lartë".

Dhe faktet janë tani kokëfortë. Numri i kontribuuesve në pensione që duhet të jetë gjithmonë më i lartë se 50% në totalin e forcave të punës, ishte më shumë se 58% në 2012 dhe ka rënë ndjeshëm për shkak të emigracionit në rreth 52% sot. Me këto ritme katastrofike të boshatisjes së Shqipërisë, të rinjtë e sotëm nuk e kanë të sigurt se do të marrin pension në pleqëri. Bravo për reformën e pensioneve…

Mero Baze e mbylli analizën e tij të shkurtër ekonomike në DITA, me një ide origjinale, "Shqipëria duhet të zhvillohet vetëm si vend turistik".

Sërish gabim për mendimin tim. Madje, është një non-sens ekonomik. Dhe në vendet me industri turistike shumë të zhvilluar si Greqia, Spanja, apo Franca, të ardhurat nga turizmi nuk zënë më shumë se 10-15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Turizmi është jo vetëm sezonal, por me rritjen e rrezikut terrorist ka filluar të bëhet ndjeshëm i pasigurt dhe ciklik. Vende si Tunizia që investuan gjithçka në turizëm, po vuajnë jashtëzakonisht sot për "faj" të një atentati terrorist në plazh që ka larguar për një kohë të gjatë turistët. Shqipëria duhet të ketë një zhvillim të ekuilibruar e normal, ku turizmi të jetë një degë e ekonomisë krah industrisë, bujqësisë dhe shërbimeve. Shqipërisë i nevojitën eksporte. Dhe për këtë duhet prodhuar mirë, me sa më pak taksa dhe mirë, me teknologji bashkëkohore që vetëm kreditë për biznesin apo investimet e huaja e sjellin. Sa për turizmin, mjafton t'i vëmë objektiv vetes që të mbajmë për pushime në Shqipëri ata mijëra shqiptarë që shpenzojnë 1 miliard euro për turizëm jashtë (kundrejt 1,3 miliard që na sjellin turistët e huaj në Shqipëri). Është goxha objektiv tashmë.

Ndërsa për të tjerat, e pres këtë qeveri që të krijojë më në fund një bankë publike për investime, se po pritëm kreditë për biznesin nga bankat e huaja në Shqipëri do rrezikojmë të presim ende gjatë.

****

Botuar sot në DITA, pjesë e forumit me bashkëpunëtorë të gazetës, analistë të jashtëm dhe lexues mbi analizën e 5 viteve qeverisje të Rilindjes. Intervista e Bazes mund të lexohet KËTU

Itali, 24-vjeçarja humb jetën pas darkës në restorant

Posted: 17 Jul 2018 01:50 AM PDT

 

Chiara Ribechini, 24-vjeçarja nga Pisa humbi jetën menjëherë pas një darke në restorant me të fejuarin.

Atë restorant ajo e kishte frekuentuar edhe më parë ku u sëmurë menjëherë për shkak të një reaksioni alergjik vdekjeprurës.

Nuk i kanë hyrë aspak në punë as ilaçet që mbante gjithmonë me vete pasi e dinte se ishte alergjike prej shumë vitesh.

Karabinierët kanë mbyllur kuzhinën e restorantit dhe nesër do të kryhet autopsia ne trupin e të resë.

Të dyshuarit kryesorë janë brusketat që ajo kishte ngrënë. Do të jetë autopsia ajo që të hedhë dritë mbi arsyen që shkaktoi vdekjen e të resë.

l.h/ dita

Hahn nis “screening”në Shkup: Dera e BE-së e hapur, qytetarët vendosin

Posted: 17 Jul 2018 01:42 AM PDT

Komisioneri për Zgjerim në BE, Johanes Hahn ka mbërritur sot në Shkup për nisjen e procesit të “screening” për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Hahn mori fillimisht pjesë në mbledhjen e qeverisë dhe më pas realizoi një takim me kryeministrin e vendit Zoran Zaev.

Ai tha gjatë konferencës së përbashkët për shtyp se Këshilli i Evropës ka pranuar përparimin e Maqedonisë, ndërsa tani duhet që vendi të përgatitet për bisedimet me BE-në.

"Kam kënaqësinë që jam përsëri në Shkup, asnjëherë nuk do të harroj atë që kam kaluar këtu. Sot mund të jap disa lajme të mira për vendin tuaj për integrimet euroatlantike. Dua t'ju uroj për ftesën që morët nga NATO. Është hap i madh, pasi qytetarët do të jenë më të sigurt dhe me më shumë perspektivë. Populli i këtij vendi ka treguar durim dhe tani jeni shembull për gjithë rajonin. Ju falënderoj për vendosmërinë tuaj. Unë do të angazhohem edhe më tej dhe do t'ju ndihmoj në çdo hap të ardhshëm.

Tani ju mbetet juve, qytetarëve që të vendosni për të ardhmen tuaj. Dera e BE-së është e hapur, juve ju mbetet ta shfrytëzoni këtë mundësi duke marrë pjesë në referendum, sidomos të rinjtë. Është e rëndësishme të merret pjesë në referendum dhe të shfrytëzohet e drejta e votës. Bëhet fjalë për vendin tuaj dhe të ardhmen tuaj. Përparimin e Maqedonisë e ka pranuar edhe Këshilli i Evropës. Sot jam këtu që të fillojmë zyrtarisht procesin e përgatitjes për bisedimet me BE-në. Këto aktivitete zbatohen me gjitha vendet-kandidate, do të thotë nuk janë vetëm për Maqedoninë".

Ndërsa kryeministri Zoran Zaev shtoi se pas reformave që realizoi vendi gjatë periudhës së kaluar, është koha që Maqedonia të përgatitet për bisedimet me Bashkimin Evropian.

“Maqedonia ka arsye të festojë, pasi do të fillojë bisedimet me NATO-n dhe BE-në. Më herët me Hahn dhe Mogherinin jemi marrë vesh që të fillojmë të përmbushim kushtet për anëtarësim në BE. Maqedonia përmes planit 3-6-9 ka arritur reforma në gjyqësor, administratë. Vitin e kaluar kemi shënuar dy suksese në fushën e fqinjësisë së mirë: marrëveshjen me Greqinë dhe Bullgarinë.

Siç kemi njoftuar sot me Hahn kemi definuar hapat e ardhshëm për procesin e “screening”-ut për bisedimet me BE-në. Sot në seancë qeveritare Hahn na njoftoi për procesin, ndërsa ne kemi sjellur disa përfundime: Bujar Osmani do të jetë shef i delegacionit që do të bisedojë me BE-në, Zoran Mariçiq do të jetë këshilltar i veçantë. Bisedimet me BE-në janë detyrë historike për gjitha institucionet".

Sa i takon ditës së nesërme, eurokomisioneri do të udhëtojë drejt Tiranës ku do të takohet me presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama si dhe me përfaqësues të tjerë të qeverisë.

s.a/dita

George Clooney më i pasuri i showbizit

Posted: 17 Jul 2018 01:40 AM PDT

 

George Clooney di si të bëjë histori në botën e "showbiz"-it dhe të mbetet sërish në krye. 57-vjeçari është renditur nga revista "Forbes" si aktori me fitimet më të mëdha brenda një viti.

Për periudhën qershor 2017-qershor 2018, aktori Clooney ka fituar plot 239 milionë dollarë, jo vetëm nga puna e tij si aktor, por edhe nga kompania e tij e tekilës, në të cilën është bashkëthemelues.

Gjithsesi, në listën e prestigjiozes amerikane ai renditet në vend të dytë, pas boksierit Floyd Mayweather me 285 milionë dollarë fitime përgjatë një viti. Vetëm nga ndeshja e gushtit të shkuar kundër Conor McGregor, pasuria e tij u shtua me më shumë se 200 milionë dollarë. "Forbes" ka publikuar listën me 100 personazhet me më shumë fitime të këtij viti, ku në 10 më të pasurit, pas Mayweather dhe Clooney renditet 20-vjeçarja Kylie Jenner, e cila ka shtuar pasurinë e saj brenda vitit me 166.5 milionë dollarë.

Më tej lista vijon me U2, Coldplay dhe Ed Sheeran, të cilët kanë siguruar miliona dollar nga albumet dhe koncertet. Ndër 10 më pasuruarit e 12 muajve të fundit janë edhe yjet e futbollit botëror, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, që i kanë shtuar fitimet e tyre me 111 dhe 108 milionë dollarë.

Lista e 100 personazheve më të paguar të botës së "showbiz"-it hartohet nga "Forbes" pas një skanimi të pasurisë së tyre në periudhën 1 qershor 2017 deri më 1 qershor 2018. Nga 100 personazhe VIP, vetëm 15 janë femra.

Për këta yje, kjo është një epokë e artë, pasi të gjithë bashkë kanë arritur fitime 6.3 miliardë dollarë, një rritje me 22% nga një vit më parë. Pas Clooney, aktori tjetër në 10 më të pasurit është Dwayne Johnson, me fitime 124 milionë dollarë, duke mbetur një nga më të kërkuarit e Hollivudit, kryesisht për filmat aksion.

l.h/ dita

Shkarkohet gjyqtari Thanza, fshehu dënimin në Itali

Posted: 17 Jul 2018 01:19 AM PDT

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur shkarkimin e anëtarit të Gjykatës së Lartë Admir Thanza.

Pas verifikimeve të thelluara, u zbulua dënimi i tij në Itali për grabitje, dënim i dhënë në vitin 1999 i cili nuk ishte deklaruar nga gjyqtari.

Po ashtu, rezultoi se Thanza kishte kontakte me persona të papërshtatshëm sipas KPK. Gjatë dhënies së vendimit ai nuk ishte i pranishëm në seancë.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, ka fshehur një dënim në Itali në vitin 1999, që e ka dënuar me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta gjobë për vjedhje në bashkëpunim. Për rastin në fjalë, gjyqtari tha se kishte marrë përsipër veprimin e ish-kunatës së tij, për të shpëtuar jetën e nipit, që kurohej në Itali nga një sëmundje e rëndë. Ai u zotua se nuk e ka kryer veprën penale, për të cilën ka marrë dënimin.

Megjithatë, mosdeklarimi i saj në formularët e dekriminalizimit përbën vepër penale sipas ligjit në fuqi. Karriera e gjyqtarit Thanza ka pësuar një goditje të fortë par dy ditësh, pasi edhe DSIK-u e nxori të papërshtatshëm për vazhdimin e detyrës. Sipas DSIK-ut, Thanza ka pasur kontakte me persona të botës së krimit. Gjithashtu, gjyqtari Thanza kishte probleme edhe me pasurinë e tij.

Ai ka deklaruar se një apartament në Shkodër e ka blerë me burime financiare nga shitja e dy apartamenteve të tjera. Mirëpo, datat janë shumë konfuze. Gjyqtari Thanza ka deklaruar se apartamentin e tretë e ka blerë në prill të vitit 2000, ndërsa dy apartamentet e para i ka shitur në shtator të vitit 2000.

DËNIMI

Dënimi në Itali është zbuluar nga përfaqësuesit e ONM-së, pasi gjyqtari Thanza nuk e kishte deklaruar në formularët e dekriminalizimit. Ai kështu bëhet gjyqtari i parë që fsheh një dënim.

"Z. Thanza ka mohuar të jetë ndaluar, hetuar apo të jetë marrë ndonjë masë shtrënguese ndaj tij. Këto përgjigje ai i ka dhënë edhe në formularin e vëtëdeklarimit, ku mohohet të ketë qenë ndonjëherë i arrestuar, ndaluar, i dënuar me vendimi të formës së prerë qoftë brenda vendit dhe qoftë jashtë vendit. Nga dokumentet e siguruara nga KPK-ja me ndihmën e ONM-së, rezulton se, zoti Thanza, lindur në Shkodër, ka qenë i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Pizës në Itali, me vendim të shpallur më 21 qershor të vitit 1999. Ai është dënuar me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta italiane gjobë për veprën penale vjedhje në bashkëpunim", tha relatori Lulëzim Hamitaj në seancën dëgjimore në KPK dy ditë më parë.

Vetë Thanza dha shpjegime në fund të seancës, duke thënë se ka marrë përsipër veprimin e paligjshëm të ish-kunatës së tij për të shpëtuar jetën e nipit, që kurohej në Spitalin e Pizës nga një sëmundje e rëndë.

"Kam tentuar me sinqeritet maksimal që të shpjegoj edhe në e-maile edhe në materialet që kam paraqitur ekzistencën e dënimit. Kurrë në jetën time unë nuk mund ta bëja një gjë të tillë. Mora përsipër diçka për të mbrojtur një fëmijë të mitur. Ai është gjaku im, djali i vëllait tim. Fillimisht kurrë nuk e dija, sepse ajo ishte një marrëveshje mes avokatit dhe prokurorit dhe që më është thënë që nuk cilësohet si dënim", tha Thanza i përlotur.

"Kështu, nëse kujdestarja, ish-kunata ime, do të arrestohej për vjedhjen, atëherë për fëmijën nuk kishte kush kujdesej dhe ai mund të kthehej në Tiranë pa u kuruar", shtoi ai.

l.h/ dita

E marta vjen me vranësira

Posted: 17 Jul 2018 01:05 AM PDT

Dita e martë ka qenë surprizuese duke nisur me vranësira që mbizotëronin në të gjithë vendin.

Në zonat malore dhe pjesërisht në qendër priten edhe shira të përkohshëm.

Por pjesa e dytë e javës do të risjellë dominimin e motit të kthjellët thuajse në të gjithë vendin.

Sipas Meteoalb, temperaturat do të pësojnë rënie të lehta dhe graduale deri të enjten, më e ndjeshme rënia gjatë së mërkurës por sërish fundjava do të sjellë rritje të temperaturave duke bërë që maksimumi të kapërcejë vlerën 36°C.

l.h/ dita

Ndërroi jetë në Francë, mbërrin sot në Shqipëri trupi i mjeshtrit të kinemasë Ilia Tërpini

Posted: 17 Jul 2018 01:04 AM PDT

Një nga personazhet e rëndësishëm të historisë së kamerës e fotografisë shqiptare, Ilia Tërpini është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare në datë 13 korrik.

Ai vdiq nga një sëmundje e papritur në Saint Julien të Francës.

Trupi i Tërpinit pritet të mbërrijë ditën e sotme në Shqipëri, ndërsa homazhet në nderim të tij do të mbahen nesër në orën 10:00 tek Muzeu Kombëtar.

Operatori i filmave e ka nisur punën pikërisht nga Kinostudio “Shqipëria e re”.

Ai ishte 'Artist i merituar', dhe gëzonte 'Medaljen e punës', 'Çmimin e Republikës', si dhe ka mbajtur urdhrin ‘Mjeshtër i madh’.

Ilia Terpini njihet për realizimin e filmave të njohur si “Dimri i fundit”, “Ballë për ballë”, “I teti në bronx”, “Mësonjëtorja”, “Flutura në kabinën time”.

s.a/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more