Skip to main content

“Video: Ekzekutohet në mes të njerëzve politikani” plus 9 more - Gazeta Dita

“Video: Ekzekutohet në mes të njerëzve politikani” plus 9 more - Gazeta Dita


Video: Ekzekutohet në mes të njerëzve politikani

Posted: 13 Jun 2018 03:03 AM PDT

Një politikan meksikan aktiv në çmontimin e krimit të organizuar u qëllua për vdekje, ndërsa ai po bënte një selfie me një nga mbështetësit e tij.

Fernando Purón, ish-kryebashkiaku i Piedras Negras, kishte marrë pjesë në një debat në Kongres të premten, kur u vra.

Vrasja tronditëse e Purón, kapur nga kamerat e sigurisë, tregojnë një burrë me mjekër me kapele që ecën mbrapa 43-vjeçarit dhe e gjuan atë në pjesën e pasme të kokës.

Purón vdiq rrugës për në spital.

Kandidati politik u bë i njohur për punën e tij duke luftuar kundër aleancës Los Zetas.

Gjatë debatit të tij në Piedras Negras, Purón i cili ishte babai i një fëmijë, foli për punën e tij duke luftuar bandën ndërsa kishte funksionin e kryebashkiakut nga 2014 në 2017.

Vdekja e Purón e bën atë kandidatin e 112-të politik të vrarë në Meksikë që nga shtatori i vitit të kaluar.

o.j/dita

Aktivistja amerikane: Gjykatësja që shpëtoi Valbonën, një engjëll

Posted: 13 Jun 2018 02:53 AM PDT

Entela Resuli

Vendimi i gjykatëses Rilinda Selimi, pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë ka bërë të lumtur qindra aktivistë dhe banorë të cilët dy vitet e fundit janë angazhuar në mbrojtjen e Luginës së Valbonës duke kundërshtuar ndërtimin e HECE-ve atje.

"Kur më dërgove lajmin në gazetën Dita i cili thoshte se Gjykata Administrative e Apelit ka merituar kërkesën tonë mbi pezullimin e  punës për ndërtimin e disa HECE-ve në Luginën e  Valbonës,  për turpin time, nuk e kam besuar!  As unë e as avokati ynë nuk ishim informuar që gjykata ka zhvilluar seancën gjyqësore.

Kontaktova me avokatin dhe e pyeta se çfarë ishte ky lajm?  Në mëngjes ai shkon personalisht në gjykatë ku edhe i konfirmojnë se zhvilluar një "seancë të mbyllur"  dhe  është miratuar kërkesa e 27 banorëve edhe OJF-së TOKA për pezullimin e punës nga firmat që po bëjnë ndërtime në luginë"- na thotë Catherine Bohne, amerikania që prej vitesh është vendosur në ballë të "përplasjes" me firmën që është duke ndërtuar 11 HECE në këtë lugine, e cila konsiderohet më shumë se sa pasuri kombëtare.

Për të qenë më të qartë:

Me datën 6 qershor Gjykata Administrative e Apelit Tiranë i jep të drejtë padisë së banorëve të Tropojës dhe shoqatës "Toka", për të mbrojtur luginën e Valbonës, ku kishte nisur ndërtimi i HEC-ve.

Ka qenë vendimi i trupës gjykuese me kryesuese Rilinda Selimi, që  një javë më parë mori parasysh kërkesë-padinë e 27 banorëve të Njësisë Margegaj, përfaqësues të disa fshatrave të kësaj zone dhe shoqatës "Toka", duke vendosur pezullimin e punimeve në këtë zonë.

Padia ishte depozituar që prej fillimit të muajit mars të këtij viti.

Ky është ndër rastet e rralla kur togat e zeza dalin në krah të qytetarëve dhe shoqërisë civile, për mbrojtjen e zonave të cilësuara pasuri natyrore, siç është edhe lumi Valbona dhe rrethinat e tij.

Valbona hyn në zonat e mbrojtura në Shqipëri, por banorët publikisht, juridikisht dhe me protesta të shumta, kanë denoncuar ndërtimet e HEC-ve nga kompanitë "Dragobia Energy" dhe "Gener 2".

Për momentin shoqata "Toka" drejtuar nga Catherine Bohne dhe banorët e Tropojës janë njoftuar për pezullimin e  punimeve mbi HECE-t që po ndërtohen nga kompania "Gener2" dhe  "Dragobia Energy".

Fitorja e (pa) pritur

"TOKA" është një shoqatë joqeveritare që ka si fokus mbrojtjen e Alpeve Shqiptare. Sipas vetëpërshkrimit, NGO-ja e Bohne nëpërmjet projekteve dëshiron të mbrojë mirëqenien mjedisore, sociale dhe ekonomike.

"Dje paradite, kur e mora informacionin në rrugë zyrtare, dhe pasi avokati ma konfirmoi atë që më dërguat ju, me ranë lotët nga sytë. Ishte e pamundur të nxirrja fjalë nga goja në ato momente"- na tregon Catherine për emocionet e këtij vendimi.

Për shtetasen e huaj, e cila prej vitit 2009 ka vendosur të jetoi në Shqipëri kjo ishte një fitore e rëndësishme  mes betejave gjyqësore që e presin në vazhdim.

"Për ne të gjithë, jo vetëm për mua, kjo është një fitore e rëndësishme edhe e  fuqishme, sepse ky është një precedent që d të thotë që gjykata ka verifikuar që në Parkun Kombëtar të Valbonës ka dëmtime.

Është një fitore pasi, për herë  të parë mbas një viti e gjysmë, banorët mund të flenë të qetë, pa zhurmën e minave.  Fëmijët dhe bagëtitë tani mund të lëvizin lirshëm rreth  luginës pa frikën se ndonjë gurë i ardhur nga shpërthimet mund t'i dëmtojë ata.

Catherine Bohne

   Është një fitore edhe për grupin e njerëzve që i është bashkuar kësaj kauze dhe që rritet  çdo ditë e më tepër. Këta njerëz vazhdojnë të luftojnë për këtë tokë, pasi kanë dhënë besën që nuk do të tërhiqen asnjëherë dhe të gjithë bashkë do të luftojmë deri në fund në mbrojtje të Valbonës, në mbrojtje të të drejtave tona dhe në mbrojtje të Shqipërisë.

Çdo fitore për Valbonën, për Shqipërinë  është një shpresë që tregon se në këtë vend mund të bëhet drejtësi, mund të ketë demokraci dhe banorët mund të kenë një jetë të qëndrueshme. Mbi të gjitha ata duhet të mbrojnë bukuritë e rralla natyrën të këtij vendi, për t'ia lënë trashëgimi brezave të ardhshëm.

Kjo fitore e stome është një fitore për çdo njeri që ka një ëndërr  për një Shqipëri më të mirë. Këtu dua të falënderoj të gjithë ata që punojnë për të arritur këtë gjë. Lufta vazhdon!"-i tha gazetës Dita, Catherine, e cila prej 9 vitesh është martuar me një djalë Tropoje, ku dashuria për të dhe vendlindjen e tij e kanë bërë që të vendos të jetojë pikërisht në veri të vendit.

Dihet që beteja tashmë është ligjore dhe është zhvendosur në dyert e gjykatave, por në këtë rast, trupi gjykues kryesuar nga gjyqtarja Rilinda Selimi pezulloi punimet në Valbonë, çfarë mendon amerikania e Valbonës për gjyqtaren Selimi?

"Për mua ajo është një engjëll! Ka marrë një vendim të drejtë. I vetmi interes i yni është të mbrojmë natyrën, të ruajmë Valbonën, këtë perlë të Shqipërisë dhe jam e lumtur që gjyqtarja vendosi pikërisht pezullimin e punimeve.

 Me logjikë, që nga fillimi e besoja se do të fitonim sepse HEC-et në Valbonë nuk kanë asnjë justifikim,  as mjedisor, as ekonomik e as ligjore.  Por nga ana tjetër nuk është sekret që jemi në një vend ku sistemi i drejtësisë është shumë i prishur. Edhe pse ende nuk e kam lexuar vendimin e shkruar, për mua  një tjetër lajm i madh është që ka filluar të funksionoi ky sistem. Dhe patjetër falenderojmë gjyqtaren me gjithë shpirti, që e ka parë  me kujdes këtë çështje".

Catherine Bohne

-E prisnit këtë vendim?

"Po, me tru dhe logjikë, e prisja,  por më dukej një rrugë e gjatë dhe shumë e lodhshme. Jemi nisur në këtë drejtim vetëm e vetëm me besimin se një ditë  do të fitojmë, por nuk e kishim imagjinuar se kjo ditë do të ishte sot".

Catherine është një zonjë amerikane që lufton më shumë se çdo shqiptare në mbrojtje të natyrës së  këtij vendi. Dhe në një moment, teksa shohim që është duke i futur sa në një sallë gjyqi në tjetrën, për të mbrojtur Luginën e Valbonës, të bën të ndihesh në faj për mungesën e angazhimit, duke ngritur zërin, në mbrojtje të natyrës, të cilën aq shumë na e duan të huajt, por sa pak e vlerësojmë ne që jetojmë këtu!

Reagimi i kompanisë

Në krahun tjetër avokatja e kompanisë 'Gener 2' Mine Progonati, tha se vendimi është "marrë në shkelje flagrante të procedurave ligjore", ndërsa thotë se "nuk mendon që (vendimi) ka efekt mbi vijimin e ndërtimi të HEC" pasi sipas saj bëhet fjalë për një padi objekti i të cilës ka pushuar në maj të këtij viti.  Të dyja palët janë në pritje të zbardhjes së vendimit. Avokatja e kompanisë "Gener 2" tha se vendimin e gjykatës ishte marrë në shkelje të ligjit pasi palët duhej të ishin njoftuar 15 ditë para dhe çështja duhej të ishte njoftuar në kalendarin e gjykatës në faqen e internetit, ndërsa po ashtu pretendoi se vendimi ishte marrë me shumicë të thjeshtë 2 me 1. Ajo po ashtu tha se mendonte që vendimi realisht nuk kishte efekt mbi punimet, pasi objekti në gjykim ishte shtyrja e lejes së ndërtimit nga KKT të cilës ndërkohë sipas saj i kishte mbaruar afati. "është një vendim për një çështje që nhuk egziston", tha Mine Progonati.  Avokatja u ankua se ndërsa një padi më e vjetër nuk ishte shqyrtuar ende, për padinë e re gjykata kishte marrë vendim shumë shpejt. "Kemi dy çështje për masë sigurimi, njëra ka më shumë se një vit dhe akoma nuk është marrë vendim, ndërsa në këtë rast merret vendimi për 2 muaj", tha Progonati e cila akuzoi gjykatën për vendim të paligjshëm.

 

1 në 12 fëmijë dëgjon zëra

Posted: 13 Jun 2018 02:47 AM PDT

 

Një në 12 fëmijë mendohet se dëgjon vazhdimisht zëra që në fakt nuk janë aty.

Ndonjëherë këto zëra iu thonë atyre që ata janë të pavlefshëm. Tashmë kërkimet e reja sugjerojnë se reagimi i të rriturve mund të ndikojë në zërat që fëmijët dëgjojnë në të ardhmen.

"Është si të jesh në një dhomë të mbushur me njerëz. E gjithë ajo çfarë dëgjoni janë zërat të ndryshëm që depërtojnë në veshët tuaj", shkruan BBC.

Studimet kanë arritur në përfundimin se 1 në 12 fëmijë ka halucinacione zanore të vazhdueshme.

Studiuesit në Manchester Metropolitan University dhe Universiteti i Mançesterit, në studimin e parë në Mbretërinë e Bashkuar për fëmijët që kanë halucinacione të tilla dhe prindërit e tyre, kanë rënë në përfundimin se mënyra se si njerëzit reagojnë ndaj përvojave të fëmijës mund të ndikojë në zërat që ata dëgjojnë në të ardhmen.

Dr Sarah Parry nga Universiteti Metropolitan i Manchesterit thotë se studimi i ekipit të saj ka të dhëna se si duhet të trajtohen të rinjtë që dëgjojnë zërat.

"Fëmijët i shohin zërat si pjesë të vetvetes, duke u thënë atyre se zërat janë një problem mund të shtojë stresin e një fëmije, gjë që mund të bëjë që zërat të bëhen më të pakëndshëm".

Dr Parry sugjeron se fëmijët mund të trajtohen në grup me bashkëmoshatarët e tyre.

a.s/dita

NASA përgatit rikthimin e njeriut në Hënë

Posted: 13 Jun 2018 02:36 AM PDT

Po përgatitet rikthimi i njeriut në Hënë për 10-vjeçarin e ardhshëm, por ky mision do të paraprihet nga ato robotike, që do të jenë gati në vitin 2019, bëri të ditur agjencia hapësinore, NASA.

"Do të duhen të dërgohen instrumente dhe teknologji në sipërfaqen e Hënës për të përgatitur hapat e reja te njeriut", tha ajo.

Këto misione do të mundësojnë veprimet e para robotike në Hënë.

NASA tha se i ka besuar Steve Clarke rolin e zëvendësadministratorit për eksplorimet në divizionin e kërkimeve shkencore.

Klarke hyri në NASA në vitin 2000 si përgjegjës i inxhinierisë robotike, pas një periudhe në Shtëpinë e Bardhë në Departamentin e Politikës Shkencore dhe Teknologjike.

Në pozicionin e ri në NASA, ai do të shërbejë si drejtues i ekspeditave, i komunitetit shkencor si dhe i marrëdhënieve me kompanitë e interesuara për zhvillimin e strategjisë së zbulimeve robotike.

a.s/dita

Ronaldo “injoron” Messin, flet për “Topin e Artë”

Posted: 13 Jun 2018 02:31 AM PDT

Vetëm një ditë na ndan nga nisja e Botërorit Rusi 2018, në prag të tij ka folur ylli portugez Cristiano Ronaldo.

Sulmuesi i Realit të Madridit është ndalur te konkurrenca për "Topin e Artë" këtë vit, e cila me shumë mundësi do të jetë mes tij dhe egjiptianit Mohamed Salah, i cili mori një goditje në finalen e Champions pasi u detyrua të largohej pa lënë gjurmë pas dëmtimit.

Ronaldo është shprehur se Salah mund të fitojë "Topin e Artë", por vetëm nëse ai do të arrijë të rikuperohet në kohë dhe të lërë gjurmë në Rusi, ku shanset janë të mëdha që të ketë edhe një duel mes Portugalisë dhe Egjiptit në fazën e 1 të 16-tave.

Në fjalën e tij Ronaldo ka anashkaluar edhe Lionel Messin në garë për "Topin e Artë", duke thënë se nuk është vetëm Messi rival i tij, por ka edhe lojtarë të tjerë.

"Mohamed Salah ka qenë një ndër rivalët e mi këtë vit. Shpresoj se lëndimi i tij në finale në Kiev nuk do ta mbajë atë jashtë Kupës së Botës. Shumë njerëz flasin për betejën mes Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit, por ka lojtarë të tjerë që kanë shanse për të hyrë në garën për Topin e Artë. Salah është një prej tyre", tha Ronaldo.

o.j/dita

Aktorët, letër Metës: Nëse nuk ka reagim do uzurpojmë Teatrin Kombëtar

Posted: 13 Jun 2018 02:13 AM PDT

Një përfaqësi e komunitetit të artistëve të Teatrit Kombëtar deklaruan nga Komisioni i Medias se i kanë dërguar një letër Presidentit dhe kryetarit të Kuvendit duke kërkuar që të anulohet vendimi për prishjen e godinës. Ata paralajmërojnë se nëse deri ditën e premte nuk do të kthehet një përgjigje, do të uzurpojnë godinën e Teatrit Kombëtar.

I kemi përgatitur një letër drejtuar Presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera. Shprehim indinjatën për projektligjin e Ministrisë së Kulturës për të shkatërruar goditën e Teatrit. Projektligji është propozuar pa marrë në konsideratë opinionin tonë. Prezantohet në formën e një kontrate të mbyllur. Parlamenti zhvendoset nga detyra për të hartuar projektligje, kthehet në noter. Vendimi mund të krijojë një kolaps në vend. Nëse deri të premten nuk do të kemi reagim, atëherë do të uzurpojmë godinën e Teatrit Kombëtar, si e vetmja formë që zëri jonë të dëgjohet“, u shpreh një prej përfaqësuesve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

I pranishëm në komision aktori i njohur Robert Ndrenika, i cili u shpreh se mungesa e shumicës tregon se këtu duhet të fillojë ‘lufta'. Ndrenika theksoi se aktorët janë përbuzur dhe braktisur, ndërsa projektin e ri e cilësoi si vjedhje.

Mirë se iu gjetëm. Faleminderit që na thirrët dhe po na dëgjoni, do të doja të ishte pala tjetër këtu, deputetët e PS. Bojkoti i tyre tregon se këtu duhet të fillojë lufta, jo me Korenë e Veriut, por… nuk e kuptoj këtë gjë. Erdha me mendjen që të hyja në debat të arsyetoja me ata, nuk di se çfarë të them. Di t'u them që, PPP në këtë rast me teatrin, është shqeto vjedhje, grabitje dhe për këtë le të analizojnë të tërë, ka 20 vite që ka filluar kjo histori, pa pyetur aktorët. Arbitraritet. Me keqardhje, por këtu fillon lufta, nuk na dëgjon kush, na përbuzin, na braktisin. Jo vetëm neve, por edhe juve po u poshtërojnë. Kjo është grabitje me veprim. Ka 20 vite kjo tentativë për grabitje. Ajo tokë vërtetë quhet e shtetit, por është e komunitetit teatror, por të vijë një fusha, male apo kodra, këtu më vete mendja se duan të vjedhin të gjithë. Më falni për tonin, por këto i kam nga mendja dhe nga shpirti.  Gjatë këtyre 20 viteve si nuk u tha njëherë, që teatrin duhet ta bëjë shteti. Privati le të shkojë te Kodra e Priftit që të bëjë një teatër. Edhe shqiptarëve të Maqedonisë ua ka bërë shteti. Ne planin francez, që u paraqit para disa vitesh, nuk ekziston fare teatri, por disa kulla”, u shpreh Robert Ndrenika. 

o.j/dita

Teatër me teatrin…

Posted: 13 Jun 2018 01:59 AM PDT

Fatbardh Rustemi

BunkArti dhe Teatri, thuajse ngjitur me njëri-tjetrin, i bashkon një e shkuar, sa e nëndheshme dhe qiellore, ku: çka luhej në skenë ishte krejt tjetër nga ajo që zhvillohej në prapaskenë dhe, si shpërblim një "breshëri duartrokitjesh" dhe për aktorin dhe për atë që dënohej me vdekje. Siç dihet "Teatri partizan" lindi në një kohë me "Gjyqin partizan", sikurse dhe sot rrezikohen njëherësh të dy palët për shembje, si Pallati i Drejtësisë i kthyer në kazino dhe Teatri, një pjesë e të cilit dikur u përdorur për bingo. Përfytyroni për një çast, Heroin e Popullit, Rahman Perllakun të dalë nga BunkArti dhe Artistin e Popullit, Robert Ndrenikën nga teatri.

Dhe ti shtron pyetjen: si s`ndodhi njëherë që artisti të luante heroin real? I pari, i arrestuar dikur në "emër të popullit", ndërsa i dyti i dekoruar në emër të tij. (Nga 146 figura të artit, që u persekutuan në diktaturë si "figura të krimit" me: varje, pushkatim, burgim, internim, i gjen në radhën e poetëve, shkrimtarëve, këngëtarëve, piktorëve, muzikantëve, përkthyesve, arkitektëve, regjisorëve, dramaturgëve, dhe asnjë për atë zot nga radhët e aktorëve. Dhe pikërisht këta pretendojnë tempullin e kujtesës, të asaj kohe, ku mëkatarët na hiqen si heretikë?!) Siç dihet, bunkeri atomik shërbente për të ruajtur "kokat e mëdha", ndërsa teatri për të shplarë trutë e publikut, po ata palo heronj, të cilët vlenin më pak nga tabelat e qitjes. Nëse kishte një vend ku skematizmi qe ulur këmbëkryq, heroi pozitiv i realizmit socialist bënte ligjin, ishte pikërisht teatri, i cili gjeneronte një mediokritet ulëritës dhe tash, po kërkon nderim. Mendoni, afro 10 teatro në të gjithë Shqipërinë Socialiste dhe drama shqipe u asfiksua, kur ajo kishte në dispozicion një hapësirë interpretimi të jashtëzakonshme, sa të gjithë artet e tjera të marrë së bashku, ku arti qe i përjashtuar.

Dhe ç`doli nga e gjithë kjo: konsolidimi i skematizmit bajat dhe njëherësh brutal i mendjeve të zbathura, që, për çudi i mbajnë me gajret. Kemi 40 vite të Teatrit Popullor monist dhe 30 vite të Teatrit Kombëtar pluralist, por, fati i dramës shqipe shkoi keq dhe më keq. Ja që mitingashët, sikurse dhe organet eprore, s`duan t`ia dijnë për këtë dëm. Kur flasin për kujtesë të teatrit, për tempull të memories: i referohen vetëm Teatrit Popullor të kohës së Mihal Popit dhe të Kadri Roshit, ndërsa Teatrin Kombëtar nuk e zënë me gojë, 30 vite nuk janë pak për t`i fshirë nga kujtesa, sepse u vjen zor të thonë se në Teatrin Kombëtar, repertori ka qenë dhe vazhdon të jetë krejt i huaj. Tallje e hapur me të qënit kombëtar. E cila qenka kujtesa e teatrit? Veçse aktorët, që së fundi: po luajnë teatër me teatrin. Është pak t`i thuash marrëzi. Mos i përdorni të mëdhenjtë, për interesa klienteliste!

(Nuk kishte poshtërim më telendisës, flas për ata që luanin plot krenari "heroin pozitiv" në drama dhe filma, po marr si shembull vetëm Heronjtë e Vigut të degdisur tek plehërat dhe, cili prej aktorëve që predikonin heroizmin ndër shekuj, e ngritën zërin në mbrojtje të personazheve të tyre, që njëherë e një kohë u ktheheshin në benefice? Punë e madhe: heronjtë në plehëra, ndërsa aktorët në stratosfera! S`mund të priten akte kalorsiake, aty ku skematizmi ka bastionin e vet, duke e kthyer sfidantin në një mjeran. Rrënohet shtëpia muze e Migjenit, Pashko Vasës, Mjedës e me radhë, Ali Asllani, që e recitojnë plot patetizma aktorët e Tetarit Kombëtar, as duan t`ia dinë se ç`bëhet për të, veçse recitojnë vargjet e tij, sikur t`i kenë të vetat. Sulmohet Heroi Kombëtar, poeti kombëtar, pasuria kombëtare, punë e madhe, mjafton që Teatri Kombëtar të mos preket?! Për një karikatinë janë gati të flijohen, sikur me qenë kalaja e Rozafës, sepse fle brenda tyre "shtëpi prej balte e Partisë"!

Pozë, sikundër rolet që luajtën në kohën e heroit pozitiv, i cili, sipas ish-kryeministrit Shehu, nuk duhej të kishte të meta! Kështu që  trashëgimia e heronjve të panjollosur na rishfaqet, në mënyrë krejt groteske, në kërkim të tempullit! Përherë, dogmat tentojnë të kenë një tempull, thotë Hygoi. "Të shtunën e fundit të prillit, Teatri Kombëtar (Popullor) shfaqi një premierë të një dramaturgu shqiptar, i cili kishte fituar mjaft çmime gjatë jetës së tij… Regjisor i shfaqjes ishte një burrë i vjetër, i cili gjatë dy orëve u mbyt në djersë nga emocioni. Ai kishte fituar plot tituj e dekorata, që nga "Artist i Popullit" e deri tek "Heroi i Punës Socialiste".

Sipas subjektit, ngjarja zhvillohej në një mjedis montatorësh dhe aty gruas së një punëtori, infermiere në një qendër shëndetësore, i kishte hipur në kokë të bëhej shofere. Por i shoqi e pengonte. Siç ndodhte në dramat e Realizmit Socialist, më në fund çifti bindet dhe betohet për besnikëri ndaj njeri-tjetrit, por më parë ata betohen për besnikëri ndaj partisë. Madje, gjatë dramës autori kishte vënë në gojën e personazhit femër edhe një frazë të huazuar nga një poet-partizan, i cili atëherë i shkruante të fejuarës së tij nga burgu: "Unë e dua partinë time. Të dua ty, po të duash partinë." Reminishencat e kësaj parti dashjeje po i shohin në këtë lojë teatrale. Sikur po inskenohet drama "Më shënoni dhe mua", sa herë bëhet thirrje për mbështetje të protestës. (Citimi i mësipërm është marrë nga libri i Nuri Dragoit "Trebeshina një jetë para gjyqit". Shkrimtari një jetë para "gjyqit partizan", edhe pse autor i 77-të dramave të dënuara prej ofiqarëve të Teatrit Kombëtar, duke mos u vënë në skenë ato. Kjo është drama e teatrit dhe jo katramaja e tij! po kujt ia thua?)

Kur shihni tubimin para teatrit, i bashkëngjisni dhe këtë skenë, o zot sa shpejt harrohen vuajtjet dhe viktimat në këtë vend: "Më 18 dhjetor të vitit 1953, kur akrepat e kohës shënonin orën 9.30 minuta dy Kapitenë të Parë dhe një Toger, trokitën me tërsëllimë në portën prej hekuri të Teatrit Popullor, për të shndërruar arrestimin e tij (Kasem Trebeshinës) në një shfaqje publike… Shumica e artistëve apo njerëzve që merreshin me kulturën në atë kohë, firmosnin dhe në borderonë e Ministrisë së Brendëshme, ku paguheshin si spiunë të shokëve të tyre."-Po nga libri i Nuri Dragojt "Trebeshina, një jetë para gjyqit", ku do të gjeni dhe këtë pasazh: "Në vitin 1993, ndodhi diçka tepër e çuditshme, e cila mund të ndodh vetëm në Shqipëri.

Ministria e Kulturës Franceze në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme të atij vendi akorduan një fond prej një milion e gjysëm franga, ose rreth 250 mijë dollarë për të vënë në skenë kryeveprat e katër autorëve, midis të cilëve tre shqiptarë dhe i katërti i huaj. Autorët ishin: Sartri, Trebeshina, Çajupi dhe De Rada. Por, Ministria e Kulturës Shqiptare, bëri çdo gjë për ta penguar këtë projekt. Dhe më në fund projekti dështoi… Ndaj dhe Kasëmi e sheh veten larg teatrit shqiptar. "Teatri nuk është shtëpia ime",-thotë ai dramaturgu i indinjuar. Në të gjitha ligjerimet përdoren emra aktorësh, autorët kanë zor t`i përmendin, tek-tuk ndonjë, sepse u ngecen në dorë. Ndaj Teatri, padrejtësisht, është shpallur, si shtëpia e aktorëve. E gjithë kjo nostalgji për godinën e rrënuar nuk është gjë tjetër, veçse po ajo histori pengimi projektesh, sikundër ai i Ministrisë së Kulturës Franceze. (Populiti po merr përmasat e një populizmi, pavarësisht se ngrehina të kujton trenin qesharak që endet nëpër Shqipëri më dy vagona gërdallë.)

Ajo që po ndodh me teatrin, në fakt duhej të kishte ndodhur me kinostudion. Fama e aktorëve i dedikohet së pari kinostudios "Shqipëria e Re", së cilës i ruajtën karabinanë, duke e lënë të plaçkitej barbarisht, si mall pa zot. Sikurse dihet, ca të shoqërisë civile, nuk di a bëjnë pjesë edhe këtu, e ndezën keq debatin duke kërkuar heqjen nga qarkullimi të filmave të kohës së diktaturës, ku luante Robert Ndrenika me shokë. Pra, filmat në kosh dhe aktorët në llozhë?! Kinostudioja, krahasuar me teatrin, ishte e tëra kombëtare dhe filmaxhinjtë po bëjnë namin për teatrin, si kujtesë e vlerave tona. Nuk shkon. Monumenti i kujtesës na qënkish godina e degraduar e teatrit dhe jo kinostudios gjithë hijeshi, tashmë e tjetërsuar?! Do më thonë: kije parasysh, teatrin e bënë italianët, ndërsa kinostudion sovjetikët. Me sa duket mëkatarët kanë nevojë për alibira. Një bunker i stilizuar nga një arkitekt i huaj, italian më duket, u bë shkak, që të sulmohej BunkArti dhe, t`i vihej flaka nga demonstruesit e irrituar, kur kohë më parë një bunker me tamam i kohës së babaqemos, u vu në anë të bulevardit të madh dhe, u quajt një risi e artfaktit?!

Pra, i vërteti nderohet, ai me gjasme blasfemohet?! Kësaj i thonë të luash teatër! Filmi mallkohet dhe teatri bekohet, kur aktorët e mëdhenj duhet t`i jenë mirënjohës së pari filmit?! Nën trysninë e këtij paradoksi m`u kujtua ky pasazh nga libri i Ilir Ikonomit "Esat Pashë Toptani, njeriu, lufta, pushteti": "Një natë, në teatrin e Virpazarit, kur po shfaqej premiera e dramës "Rrethimi i Shkodrës", e shkruar nga vetë mbreti Nikollë, ndodhi diçka e çuditshme. Gjatë aktit të dytë, në skenë hyri aktori që luante Esatin dhe sallën e pushtoi zemërimi. Një djalë i ri u ngrit, nxori revolverin dhe ia drejtoi aktorit, i cili thirri: "Mos qëllo se nuk jam Esati i vërtetë!" (Atë të vërtetin e vrau, shqiptari, Avni Rustemi. Nëse do të kishte bërë vaki, të ndodhte e kundërta, të ishe vrarë aktori, kështu siç po torolisen gjërat, ekzekutimi i pashait do quhej i mirëqenë. Sepse për skematizmin ishte ligj: po u vrave në skenë i merr të gjitha nderet. Nëse të ndodh si Rahman Perllaku është muhabet tjetër.)

Gjithsesi BunkArti vazhdon të xhirojë para dhe, dufet opozitare janë çvendosur pak hapa më tej: tek Teatri Popullor, Kombëtar i thonë sot, ku luheshin dramat dhe skenarët sipas midesë së diktatorit Hoxha, që, pavarësisht se nuk i shkruante si knjazi Nikollë, dora e tij ishte kudo. (Një dramë, si "Njollat e murme", e nënvizoj i Teatrit të Korçës u bë kurban në Tiranë, sepse doli nga rruga e Babazotit dhe, çoi në skëterrë autorin e saj, Minush Jero dhe regjisorin, Mihal Luarasi. Për fat të mirë, vala goditëse nuk i përfshiu aktorët. Të mos harrojmë se dhe vetë Diktatori ishte një aktor i madh. "Enver Hoxha nuk tha asgjë për nënën tonë, (të vdekur), por e filloi dhe e mbaroi fjalën e tij me Titon dhe Jugosllavinë… Unë që tërë jetën kam qënë i përmbajtur në biseda me këdo, në atë rast se ç`më hipi në kokë dhe i them avash Nexhmijes që e kisha në krah: "Më duket se komandanti duhet të ketë qenë aktor teatri". Enver Hoxha që i kishte veshët pipëz e dëgjoi, zgjati dorën e gjatë dhe pyeti Nexhmijen: Çfarë thotë Durua? Nexhmija ia tha Enverit dhe ai me zë bariton duke m`u drejtuar mua me dorë, tha:

-Po, Duro, ke të drejtë. Unë kam luajtur në teatër kur kam qenë në Liceun e Korçës."-nga libri me kujtime i Duro Shehut "Mehmet Shehu, im vëlla.")

Kur duhej një emër për teatrin e ri, siç është rasti i teatrit eksperimental, mori emrin e regjisorit "Kujtim Spahivogli" nisur nga tradita botërore: "Teatri i Stanislavskit", "Teatri i Bertolt Brecht", qoftë dhe brenda vendit: teatri "Andon Zako Çajupi" apo "Migjeni". (Njeriu që nxori nga bodrumi gijotinën e ndryshkur dhe preu në Lion të Francës me mijëra koka, ishte një aktor, i cili ishte fërshëllyer nga publiku i Lionit.) Çfarë s`u tha në mortin e Vaçe Zelës së papërsëritshme dhe Driteroit emërmirë, prej dalëzotësve, vetëm e vetëm pse i nderoi kryeministri i Shqipërisë?! Ndërsa orvateshin t`ia nxinin zinë, Dreteroit të dramave satirë, president Nishani dekoroi në masë: shkrimtarë, aktorë, skenaristë, të cilët e morën famën: veç prej asaj kohe që telendisen kolegë të tyre? Si është e mundur: e njëjta shëmti njërit i njihet për nder dhe tjetrit për turp?!

Nuk di, në e kanë lexuar librin e kolegut të tyre,  regjisorit Viktor Gjika, "Vit pas viti", të cilin, Rikard Larja e cilëson korçarin shpirtnjeriu si: "Njeriun tmerrsisht të bardhë"? Në vitin 1991, Gjika shkruante: "Pozicioni i dritares sime më lejonte të shihja qartë dhe me hollësi të gjithë shtjellimin e ngjarjes së madhe të asaj dite. Mua personalisht nuk më pëlqeu rrëzimi dhe copëtimi i monumentit. Shkatërrimi i çdo vepre arti, krijon një ndjenjë barbarizmi. Do të kishte qenë më njerëzore heqja natën e monumentit nga piedestali, ashtu si vepruan rusët me monumentet e liderëve të tyre që i hoqën natën dhe i grumbulluan të përmbysura në një park të qytetit. Aty kush do i tall e i denigron, kush do i puth dhe i fotografon." Pra, është arti që shpallet i shenjtë, kur fetishi i udhëheqësit megalloman kishte marrë rrokopjekthin e tij. Duke iu dhëmbur shkatërrimi i artit, jo se po i dhimbset diktatori, por, i gjithë meraku i tij mos po lëmë shteg të paragjykohemi, si popull i prapambetur. Pra, i vetmi shpëtim mbetet arti.

Se ç`art u bë në Teatrin Popullor e thamë. Po i referohem përsëri regjisorit Gjika: "Si do t`i vinte filli jetës sonë, krijimtarisë sime, në këtë situatë të re që dukej tunduese, por që ishte njëkohësisht aq kaotike? (I njëjti shqetësim: a kishte bërë art në karierën e tij? F.R) Në kinostudio vazhdonte "plaçkitja"…Kur më kanë pyetur se çfarë pengu më ka mbetur në jetë, përsëri atë e gjeta tek puna: "Një film për Sandër Prosin", thashë. E çmoj mbi të gjithë këtë aktor dhe njeri të madh." E pra, një film për Sandër Prosin, do u thosha filmaxhinjve. Lëreni mo gërmadhat dhe merruni me statujat! "Kot e ke, më tha ndërgjegjia,/Njerëzit s`janë përherë miq,/Ti pandeh se ata të duan,/Por, në fakt, i ke "armiq"!/I them vetes, pse, s`kanë shkak,/S`kam pushtet, as ofiq…/S`ka të bëjë, ata s`të duan,/ Afërmendsh i ke "miq".-shkruan aktori Timo Flloko, ndoshta i një linje me parashtrimet e mija. Në se ka një godinë të nëmur, që mund t`i viheshin minat, fillimisht prej komunistëve, meqë në të ishin zogistët, kolaboracionistët, dhe në demokraci: meqë ishte e instaluar egërsia e diktaturës, kjo është godina e ministrisë së brendshme, dy hapa larg teatrit. Askujt nuk i shkon në mend, ta hedhë në tokë atë, sepse godina i ka qendruar kohërave, gjë që s`ndodhi me ata që ushtruan pushtet në to. Krejt e kundërta ndodh me teatrin, meqë të dyja janë projektuar nga italianët…

Kamp refugjatësh në Shqipëri? Rama: Është thjesht fantazi

Posted: 13 Jun 2018 01:44 AM PDT

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë ekskluzive për agjencinë turke të lajmeve Anadolu Agency (AA) ka folur për herë të parë lidhur me raportimet e fundit mediatike për mundësinë e ngritjes së një kampi refugjatësh apo qendre për trajtimin e luftëtarëve të huaj në Shqipëri.

"Kjo është një fantazi", tha Rama duke hedhur poshtë të gjitha raportimet mbi këto tema. Kryeministri tha se këto pretendime nuk reflektojnë të vërtetën dhe tha se Shqipëria ka ngritur një qendër e cila është një qendër studimore, programesh, analizash, ndërveprimesh kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe që është propozuar që të zgjerohet në një qendër rajonale, qendër ekselence që ka të bëjë me fenomenin e ekstremizmit të dhunshëm dhe që trajton në rrugë të ndryshme këtë fenomen.

Sipas tij kjo nuk ka të bëjë asgjëkund me ndonjë koncept të një qendre në kuptimin e një qendre grumbullimi njerëzish dhe aq më pak pastaj me "konceptin krejtësisht të pavend dhe madje qesharak të mbledhjes së gjithë ish-ushtarëve të ISIS-it (DEASH) në këtë qendër".

"Pra është thjeshtë një fantazi. Ndërkohë sa i përket një kampi refugjatësh në funksion të Bashkimit Evropian këtu në Shqipëri dhe kjo është një fantazi. Unë as nuk e kam dëgjuar ndonjëherë të artikuluar dhe as nuk e kam menduar ndonjëherë se mund të ndodhë, ndërkohë që Shqipëria ka qenë dhe mbetet gjithmonë e një bindjeje që vendet e Bashkimit Evropian nuk mund të ja hedhin topi njëri-tjetrit dhe ta lënë barrën e detyrimeve morale që ka Evropa ndaj njerëzve që ikin nga vendet e tyre për shkak të kërcënimit të jetës. Secili duhet të marrë përgjegjësitë e veta dhe Shqipëria ka qenë e gatshme të marrë përgjegjësitë e veta, për aq sa i takon. Ne nuk kemi pasur asnjë propozim për të bërë diçka të tillë dhe as nuk e kemi konsideruar një mundësi të tillë. Jemi të gatshëm të bëjmë çdo gjë bashkë me tjerët dhe të marrim pjesën që na takon, por nuk jemi të gatshëm që të bëjmë atë që të tjerët nuk duan ta bëjnë, duke qenë shumë më të pasur, duke qenë shumë më të fuqishëm se ne", tha Rama.

Duke folur mbi perspektivën evropiane të Shqipërisë, kryeministri Rama theksoi se është një proces i afirmuar më shumë sesa me dekada në kuptimin sipas tij që prirja e Shqipërisë ka qenë një prirje natyrale drejt Evropës.

"Nga ana tjetër nëse flasim konkretisht sot duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk varet vetëm nga ne, se procesi i integrimit evropian është gjithmonë e më i ndërlikuar dhe njëkohësisht më i paparashikueshëm për shkak të vetë turbullirave të brendshme në vendet e Bashkimit Evropian dhe të erërave kundër zgjerimit dhe kundër vetë Bashkimit Evropian brenda disa vendeve të rëndësishme anëtare. Kështu që përsa na takon do të vazhdojmë punën tonë, pasi për ne procesi i integrimit evropian nuk është një udhëtim për t'u spostuar nga Tirana në Bruksel, por është një udhëtim brenda vetes për t'u modernizuar dhe për të pasur një shtet funksional të standardeve evropiane", tha Rama për AA

Ndërkohë mes Shqipërisë dhe Greqisë janë mbajtur disa raunde të bisedimeve për kufizimin e zonave detare dhe për çështjet e hapura mes dy vendeve, ndërsa Rama shprehet se është optimist që më në fund do t'i japin drejtim disa proceseve të bartura prej 70 vjetësh mes dy vendeve dhe njëkohësisht disa problemeve që herë pas herë sipas tij i gjejnë në rrugën e vendit për shkaqe të brendshme në Shqipëri apo Greqi.

"Ka patur një proces të vështirë për të arritur deri në uljen në tryezë, por besoj që ulja në tryezë do të dalë me një zhvillim pozitiv në marrëdhëniet mes vendeve tona dhe në respekt të dinjitetit të njëri-tjetrit", u shpreh kryeministri i Shqipërisë në lidhje me bisedimet Shqipëri-Greqi për çështjet e hapura mes dy vendeve.

– "Ne jemi të përkushtuar që influenca negative e FETO-s të mos cenojë misionin që ka arsimi në Shqipëri"

I pyetur për strukturat e organizatës terroriste FETO, që veprojnë në Shqipëri, kryeministri Rama ka pohuar se ka një numër të caktuar shkollash të ndërtuara në të shkuarën që kanë qenë një pikë referimi për prindërit dhe nxënësit.

Siç thotë kryeministri shqiptar, shkollat e FETO-s në të kaluarën kanë ofruar mundësira që Shqipëria nuk është se i ka pasur në të gjithë sistemin në territorin e vet, por se aktualisht qeveria shqiptare është e përkushtuar që "influenca negative e këtyre shkollave" të mos ndikojë në arsimin në Shqipëri.

"Është me shumë rëndësi të kuptohet se ne jemi të përkushtuar për të ofruar një shërbim sa më të mirë arsimor në të gjithë territorin dhe paralelisht patjetër për të mos lejuar që influenca negative të natyrës që ju përmendet (kërcënimit të FETO-s) të kenë hapësirë dhe të cenojnë pikërisht misionin që ka arsimi në Shqipëri", deklaron kryeministri Rama për AA.

I pyetur më tej për bashkëpunimin dhe përpjekjet midis Shqipërisë dhe Turqisë për të eliminuar kërcënimin e FETO-s, Rama duke iu referuar grusht shtetit të dështuar të FETO-s në Turqi, tha se ajo ngjarje i bën vigjilent dhe shumë të vëmendshëm pasi siguria kombëtare dhe stabiliteti demokratik i vendit është prioritet i prioriteteve.

"Ne jemi shumë të vëmendshëm. Kemi të gjitha arsyet të mbetemi shumë të vendosur në qëndrimin e shprehur që në minutat e para të grusht shtetit se bëhej fjalë dhe bëhet fjalë për një kërcënim serioz, që ne nuk do të donim në asnjë mënyrë ta shikonim, në asnjë formë sado margjinale në vendin tonë", tha kryeministri shqiptar.

– "Aeroporti i Vlorës synohet të jetë gati në vitin 2020"

Sipas kryeministrit Rama, investimet turke në Shqipëri nuk janë të mjaftueshme. Ai duke theksuar se rritja që kanë konstatuar është e pamjaftueshme, shpreh besim se ka shumë më tepër mundësi për investime turke në Shqipëri.

"Këtë gjë e kam ndarë edhe me presidentin, edhe me kryeministrin, edhe me aktorët e tjerë të politikës apo biznesit në Turqi, duke besuar se vullneti për ta zhvilluar më tutje këtë potencial është i plotë dhe njëkohësisht shumë çka që Turqia ka bërë në 15-20 vitet e fundit është një arsye e fortë për të pasur më shumë bashkëpunim në ekonomi dhe në tregti, pasi janë eksperienca të fituara, transformuese, për të cilat ne kemi realisht shumë nevojë", deklaron Rama.

Ndërkaq, duke folur për investimet turke në Shqipëri, kryeministri Rama foli edhe mbi ndërtimin e aeroportit të ri ndërkombëtar të Vlorës, investim turk në vend, që pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2020.

"Për sa i përket aeroportit të ri ndërkombëtar në Vlorë, ne jemi në një fazë të avancuar negociatash bazuar në legjislacionin e Republikës së Shqipërisë dhe synimi është që aeroporti të jetë gati përpara fundit të vitit 2020. Shpresoj që aspektet proceduriale dhe procesi i negociatave të mos zgjaten, në mënyrë që ne të kemi gjithë mundësi që të realizojmë këtë objektiv", bëri të ditur ai.

Shpallja e Turqisë "partner strategjik" në vitin 2013, siç thotë Rama, ka qenë në programin e Partisë Socialiste (PS) që drejton ai, edhe atë para zgjedhjeve të vitit 2013. Rama shpjegon se synimi ka qenë që Turqia të përfshihej në një trekëndësh të partneritetit strategjik, ku tradicionalisht sipas tij kanë qenë Italia dhe Greqia.

"Me të fituar zgjedhjet, bëmë këtë pjesë të programit tonë qeverisës, me bindjen se tradita e marrëdhënieve dhe njëkohësisht edhe miqësia mes popujve, përfshirë faktin që Turqia është një vend anëtar i NATO-s dhe një vend me një rol të rëndësishëm në shumë aspekte, përbëjnë padyshim një bazë të plotë për këtë hap, një hap që është shoqëruar me një thellim të marrëdhënieve dhe patjetër që do të materializohet ndër të tjera edhe me deklaratën e partnerit strategjik", thotë Rama.

– "Marrëdhënia me presidentin Erdoğan e ngritur mbi respektin reciprok"

Në lidhje me qëndrimet dhe komentet për marrëdhënien e tij me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, por edhe marrëdhëniet Shqipëri-Turqi, Rama tha: "Në politikë nuk ngelet gjë pa u komentuar dhe nëse merresh me politikë duhet të jesh i përgatitur që të gjendesh edhe përballë komentesh apo akuzash të cilat bazohen tek axhendet e atyre që komentojnë dhe akuzojnë, dhe jo te e vërteta. Marrëdhënia ime me presidentin (Erdoğan) është një marrëdhënie që ka nisur pa u njohur unë me të, pasi e kam admiruar për së largu punën e tij të jashtëzakonshme si kryetar i Bashkisë së Stambollit dhe rolin transformues që ai ka pasur dhe ka qenë një ndër shembujt që më kanë frymëzuar për atë që kam bërë për Tiranën. Pastaj kam pasur fatin të njihem me të ta vlerësoj së afërmi, një marrëdhënie që është e ngritur mbi respektin reciprok që nuk ka absolutisht asnjë nga ato shenja që shumëkush merr përsipër të ngrejë akuza dhe teori konspiracioni. Mbi të gjitha është një marrëdhënie e veçantë pasi bazohet tek një parim që nuk e gjen shpesh në marrëdhëniet politike dhe diplomatike që 'po' është 'po' dhe 'jo' është 'jo’".

– "Zgjidhja Maqedoni-Greqi nuk mund të përjashtojë dakordësinë e faktorit shqiptar"

I pyetur për mosmarrëveshjen rreth emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe nëse Shqipëria qëndron e heshtur në këtë drejtim, kryeministri shqiptar u shpreh se qeveria e tij është akuzuar për të kundërtën, siç tha ai, "për qëndrim invaziv në çështjet e brendshme të Maqedonisë".

"E vërtetë është se ne në aspektin e emrit inkurajojmë çdo zgjidhje të dakordësuar dhe kemi shumë besim tek qeveria e re maqedonase, e cila ka demonstruar vizion, kurajë dhe vullnet për një zgjidhje. E natyrisht, zgjidhja nuk mund të përjashtojë dakordësinë e faktorit shqiptar dhe jam i bindur se nuk do ta përjashtojë atë", tha kryeministri Rama, duke iu referuar ndikimit të faktorit shqiptar në mosmarrëveshjen e emrit.

– "Politika e BE-së ndaj Kosovës është një turp i madh"

Duke folur për zhvillimet në rajon, si dhe ndikimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve si një ndër faktorët kyç në Ballkan, kryeministri shqiptar foli edhe për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe për politikën e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, në veçanti lëvizjen e lirë të cilën e quajti "turp të madh të Bashkimit Evropian".

"Dua të them që është një turp i madh i Bashkimit Evropian dhe këtë e kam thënë dhe publikisht, dhe e them gjithmonë që akoma sot populli i Kosovës mbetet i izoluar dhe i vetmi popull në të gjithë kontinentin që nuk ka të drejtë të lëviz lirisht", thekson Rama.

"Është e vështirë t'ua shpjegosh, në fakt njerëzve në Kosovë, atë që është e pashpjegueshme… si ka mundësi që kur ishin nën një diktaturë nga e cila bën luftë dhe paguan me shumë sakrifica dhe humbje jetësh lirinë e tyre, lëviznin lirisht dhe sot që janë në shtetin e tyre sovran dhe të njohur nga pjesa e madhe e vendeve evropiane dhe nga të gjitha fuqitë e mëdha, ata janë i vetmi popull që nuk ka të drejtë të lëvizjes. Ky është një turp", shton Rama për AA.

Sa i përket qëndrimeve të Bashkimit Evropian në raport me pavarësinë e Kosovës dhe në raport me dialogun, Rama shpreh mendimin se qëndrimet janë të duhura dhe beson se u takon udhëheqësve të Kosovës që të udhëheqin këtë proces.

"Shqipëria ka ndihmuar dhe vazhdon të ndihmojë pa folur asnjëherë në emër të Kosovës, por duke folur në çdo rast për Kosovës", shprehet Rama.

– "Islamofobia, mallkim i kësaj kohe të re"

I pyetur për turkofobinë dhe islamofobinë në rajon, kryeministri i Shqipërisë tha se islamofobia është një mallkim i kësaj kohe të re.

"Edhe në vendet më të zhvilluara të Bashkimit Evropian forca apo individë të caktuar i fryjnë këtij zjarri shumë të rrezikshëm duke bërë një padrejtësi të madhe, jo vetëm ndaj fesë islame, por ndaj njerëzve, ndaj popujve, ndaj komuniteteve, familjeve që besojnë tek Islami dhe përfaqësojnë të gjithë gjerësinë dhe butësinë e Islamit. Shprehjet e islamofobisë apo turkofobisë janë shprehje të një padije dhe të një arrogance që buron në radhë të parë nga padija. Të godasësh fenë islame dhe të mbash qëndrime islamofobe do të thotë në fakt të godasësh një rrënjë të rëndësishme të pemës së shqiptarisë dhe të vetë burimit, burimit të ekzistencës së kombit tonë", shprehet Rama./AA

o.j/dita

Foto-lajm/ Zbulohen prapaskenat e takimit të Bashës me artistët “e pavarur”

Posted: 13 Jun 2018 01:39 AM PDT

Zbulohet arsyeja e takimit të Sindikatës së Artistëve me kryetarin e PD, Lulzim Basha, dy ditë më parë. Drejtuesit e sindikatës, Kastriot Çipi dhe Alert Çeloaliaj janë thirrur sot në Komisionin Parlamentar të Kulturës dhe Medias për çështjen e Teatrit Kombëtar.

Me sa duket, Çipi dhe Çeloaliaj pasi morën porositë nga kryetari i PD, Basha, sot po hyjnë në rol për të aktruar para deputetëve si artistë-sindikalistë të pavarur.

Një lëvizje e mirëmenduar kjo nga PD, që po shfrytëzojnë artistët për kauzën e tyre.

“Të fortët” e vegjël pushtojnë Parkun e Liqenit, shihni çfarë ndodh

Posted: 13 Jun 2018 01:29 AM PDT

Gati për Taekwondo? Mos u trembni! Nuk është ndeshje e vërtetë, por dyluftime Taekwondo nga fëmijët e mrekullueshëm te Fushat Multisportive, në Parkun e Madh.

Të konceptuara si një hapësirë sportive dhe rekreative, fushat e ndërtuara nga Bashkia e Tiranës përdoren për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme si aerbi, crossfit, joga, kampionate futbolli, rregbi dhe mbi të gjitha për ndeshje për këdo që organizohet në skuadra dhe ka dëshirë të zgjedhë parkun e liqenit dhe jo fushat private për të zhvilluar një ndeshje mes miqsh.

Si promotore e jetesës së gjelbër dhe aktive, Bashkia Tiranë menaxhon dhe mirëmban këtë ambient, jo vetëm për të rriturit, por edhe për argëtimin e fëmijëve, të cilët mund të luajnë të lirë çdo pasdite, duke i afruar gjithnjë e më shumë me natyrën dhe aktivitetet sportive.

Rezervimi i fushave: http://aprtirana.al/rezervo- fushat-ne-pmlat/

o.j/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more