Skip to main content

“SHBA largohen nga Këshilli i OKB për të drejtat e njeriut” plus 9 more - Gazeta Dita

“SHBA largohen nga Këshilli i OKB për të drejtat e njeriut” plus 9 more - Gazeta Dita


SHBA largohen nga Këshilli i OKB për të drejtat e njeriut

Posted: 20 Jun 2018 01:37 AM PDT

Shtetet e Bashkuara janë larguar nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut, duke e cilësuar të njëjtin si "pellg të paragjykimeve politike".

Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, ka thënë se ky trup përbën "tallje" për të drejtat e njeriut.

I formuar më 2006, Këshilli me bazë në Gjenevë është kritikuar për lejimin e disa shteteve për të qenë anëtare, në të cilat janë vënë në pikëpyetje të drejtat e njeriut.

Mirëpo aktivistët kanë thënë se vendimi amerikan mund të dëmtojë përpjekjet për të vëzhguar dhe adresuar abuzimet e të drejtave të njeriut në botë.

Haley ka njoftuar për largimin e shtetit të saj nga Këshilli, në një konferencë të përbashkët me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

Ky i fundit e ka quajtur Këshillin, "mbrojtës të dobët të të drejtave të njeriut".

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka njoftuar përmes një deklarate se ai do të "kishte preferuar më shumë" që SHBA-ja të mbetej pjesë e Këshillit.

Komisioneri i OKB-së për të drejta të njeriut, Zeid Ra'ad Al Hussein, e ka cilësuar tërheqjen e SHBA-së "dëshpëruese, ndonëse lajm jo shumë befasues". Izraeli në anën tjetër ka përshëndetur vendimin amerikan./ Rel

l.h/ dita

Vettingu, shkarkohet nga detyra prokurori Gentian Trenova

Posted: 20 Jun 2018 01:34 AM PDT

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra Prokurorin e Apelit Gentian Trenova, i cili është njëkohësisht edhe një nga anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Trupa gjykuese e përbërë nga Lulzim Hamitaj, Brunilda Bekteshi dhe Olsi Komici lexuan vendimin dhe sipas hetimeve të KPK, Trenova nuk rezulton i pastër në tre kriteret e përcaktuara; në ligj, figurë dhe aftësimin profesional.

Avokati Saimir Lami e quajti të padrejtë vendimin e KPK-së, duke vijuar së thënuri se do ta ankimojnë.

“Shqipëria nuk e ka luksin të humbasë njerëz të përgatitur”, tha ai në një prononcim për median jashtë KPK-së.

Po përse u shkarkua Gentian Trenova?

Prokurorit Gentian Trenovës iu kërkua llogari për mbi një orë ndaj blerjes së apartamentit 50 metra katrorë, që më pas rezulton se ia ka dhuruar vjehrrit.

Ai ka deklaruar fillimisht se e ka blerë 40 mijë euro, ndërsa në kontratën e dytë deklarohet se e ka blerë 1 milionë e 900 mijë lekë me ndihmën e kredisë së marrë prej 28 mijë eurosh.

Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Trenova nuk ka arritur dot ta justifikojë pasurinë dhe është gjetur me shkelje edhe në ushtrimin e detyrës në dy raste.

s.a/dita

Nis puna për rindërtimin e Urës së Drojës, u prish nga përmbytjet

Posted: 20 Jun 2018 01:28 AM PDT

Ura e Drojës e cila lidh Mamurrasin me Thumanën dhe Fushë Krujën do të rindërtohet.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri pa nga afër fillimin e punës për rikonstruksionin e urës së shkatërruar gjatë përmbytjeve të pak muajve më parë.

"Në bashkëpunim me kompaninë Titan, pra me grupin Antea dhe me Autoritetin Rrugor Shqiptar, ne po bëjmë të mundur riparimin e kësaj ure dhe kthimin e saj në parametrat që duhet. Këtu do të kemi një rikonstruksion të plotë të të gjithë urës, një investim që do të kapë vlerën e 1 milion eurove. Një investim që brenda disa muajsh do të bëjë të mundur që kjo urë të rikthehet siç duhet dhe të jetë në ndihmë të gjithë komunitetit dhe bizneseve të lidhura me këtë rrugë. Realisht ne jemi duke punuar me shumë investitorë që projekte të tilla të mund ti zbatojmë edhe në pjesë të tjera të Shqipërisë", u shpreh ministri Gjiknuri.

Investimi për rikonstruksionin e urës është financuar nga kompania Titan në kuadër të programeve sociale për komunitetet e zonës ku ushtron aktivitetin. Ura parashikohet të ndërtohet me gjerësinë 10.5 metra; me dy vija kalimi nga 3.5 metra dhe trotuare. Faza e investimit do të realizohet për një periudhë 3-4 mujore.

l.h/ dita

Mbytet në rezervuar një 47-vjeçar

Posted: 20 Jun 2018 01:19 AM PDT

Një 47-vjeçar me shtetësi iraniane,e inicialet M.Sh 47 vjeç, banues në Manëz është mbytur aksidentalisht dje në rezervuarin e fshatit Rrotull.

47 vjeçari është futur për tu larë dhe është mbytur.

Deri në mbrëmjen e djeshme kanë vijuar kontrollet për gjetjen e tij nga ana e Polumbarëve të Portit dhe Forcat Renea.

Sot që në orët e para të mëngjesit kanë vijuar përsëri kontrollet dhe po punohet për gjetjen e trupit.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

l.h/ dita

Arrestohet në flagrancë, 43-vjeçari kanosi me armë kushëririn

Posted: 20 Jun 2018 01:17 AM PDT

Një 43-vjeçar është arrestuar në flagrancë, pasi ka kanosur me armë zjarri kushëririn e tij.

Shtetasi është identifikuar si Ardit Ruko, banues në Strum, Roskovec.

Arrestimi i Rukos është bërë në fshatin Strum, pasi dyshohet se ka kërcënuar me pistoletë 41-vjeçarin me inicialet G.R.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar pistoleta, si dhe dy gëzhoja.

Materialet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Kanosje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

s.a/dita

Restoranti italian vlerësohet për herë të dytë si më i miri në botë

Posted: 20 Jun 2018 01:07 AM PDT

Restoranti Osteria Francescana e shefit italian Massimo Bottura është kurorëzuar për herë të dytë si restoranti më i mirë në botë.

Restoranti i pozicionuar në Modena të Italisë që e ka marrë fillimisht këtë çmim edhe në “The World’s 50 Best” në vitin 2016, ka mundur fituesin e vitit të kaluar, restorantin Eleven Madison Park.

Bottura është shprehur në ceremoninë e dhënies së çmimit, e cila është zhvilluar në Bilboa të Spanjës, se “është e pabesueshme, është diçka që e kemi ndërtuar të gjithë bashkë”.

Organizatorët e listës së 50 restoranteve më të mirë në botë janë shprehur se çmimi është një testament që imponon vazhdimësinë e impenjimit të Bottura-s në promovimin e Osteria Francescana.

Restoranti në fjalë servir kuzhinë kontenporane duke sfiduar dhe ribërë kuzhinën tradicionale italiane, si dhe përdor të gjitha produktet e zonës Emilia Romagna.

 

s.a/dita

Xhafaj në Bruksel me Komisionerin Avramopoulos: Policia shqiptare, rezultate mbresëlënëse

Posted: 20 Jun 2018 01:05 AM PDT

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ndodhet në Bruksel, për një vizitë dy ditore.

Xhafaj zhvilloi një takim me Komisionerin për Migracionin, Punët e Brendshme dhe Shtetësinë të Bashkimit Evropian, Dimitris Avramopoulos.

Lajmi është konfirmuar nga MPB e cila shprehet se Avramopoulos vlerësoi pozitivisht rezultatet mbresëlënëse të arritura gjatë këtij viti nga Policia shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar, menaxhimit të kufijve dhe në çështjet që lidhen me azil kërkimin dhe migracionin e parregullt.

"Këto rezultate kanë mbështetjen e përkrahjen e fortë të vendeve anëtare të BE-së" – u shpreh Dimitris Avramopoulos.

Komisioneri rikonfirmoi mbështetjen për aderimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar se me anë të pozicionit të tij si Komisioner, do të mbështesë deri në fund aspiratat e Shqipërisë drejt familjes evropiane.

Ministri Xhafaj çmoi punën e deritanishme që Komisioneri ka bërë në lidhje me adresimin e sfidave të Ballkanit Perëndimor, por veçanërisht për mbështetjen e pakursyer që ai ka dhënë për vendin tonë.

Nga ana tjetër Xhafaj theksoi nevojën për krijimin e Qendrës Rajonale të Përbashkët për Bashkëpunimin Policor, si një instrument për t'iu bërë ballë sfidave të përbashkëta.

Shqipëria ka pasur sukses me masat për uljen e azil kërkimit dhe emëruesi i tyre i përbashkët, është ulja e numrit të azil kërkuesve me rreth 30%, fakt ky që u vlerësua edhe nga Komisioneri.

"Në lidhje me migracionin e parregullt, autoritetet shqiptare kanë një marrëdhënie shumë bashkëpunuese me homologët grekë, si vendi me prurjet më të mëdha të flukseve migratore gjatë muajve të fundit, por në këtë fushë nevojitet një vëmendje më e madhe e Brukselit për rritjen e kapaciteteve të strukturave tona kufitare", theksoi Ministri Xhafaj.

"Biseda gjithashtu u ndal edhe tek Ministeriali i ardhshëm BE – Ballkani Perëndimor, që do të zhvillohet në 4-5 tetor në Tiranë, për të konkretizuar më tej hapat që duhet të ndërmerren bashkarisht në kuadër të sfidave rajonale" – njofton MPB.

l.h/ dita

Ekskluzive/ Robert Ndrenika: Fusha e Teatrit u takon artistëve

Posted: 20 Jun 2018 12:58 AM PDT

Unë flas edhe në emër të atyre artistëve të mëdhenj që nuk jetojnë më por që kanë bërë historinë e këtij teatri, si Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Kadri Roshi, Prokop Mima, Violeta Manushi e sa e sa të tjerëve që të më falni që nuk po i përmend dot të gjithë këtu. Kur dal të protestoj pikërisht ata artistë të mëdhenj kam në mendje

Intervistoi Xhevdet Shehu

Artisti i madh i skenës dhe ekranit, Robert Ndrenika është parë këta muajt e fundit në krye të atyre që kanë protestuar e vazhdojnë të protestojnë (një pjesë konsiderueshme e të cilëve nuk i përkasin komunitetit të artistëve) kundër prishjes së teatrit të vjetër dhe ndërtimit të një të riu. Nuk janë të paktë ata që e kanë keqkuptuar ose që e kanë akuzuar se ai po përdoret politikisht. Po cila është e vërteta? Unë bisedova me mikun tim të vjetër dhe në këtë bisedë ekskluzive për 'DITA' ai sqaron pozicionin e tij në këtë protestë, duke hedhur poshtë çdo keqkuptim. Ja biseda që bëra mbrëmë me Robert Ndrenikën:

– I nderuar Berti, emri yt është lakuar shumë kohët e fundit lidhur me pozicionimin tënd kundër prishjes së Teatrit Kombëtar. Pse jeni pozicionuar kështu?

– Miku im, ka një keqkuptim të madh në gjithë këtë histori. E vërteta është se Robert Ndrenika nuk ka qenë asnjëherë kundër ndërtimit të një teatri të ri dhe dinjitoz. Ajo që unë kundërshtoj është tjetër gjë: është përvetësimi i asaj toke nga kushdoqoftë. Ajo hapësirë, le ta quajmë fushë, (sepse fushë do të bëhet kur të ndërtohet godina e re) u përket artistëve dhe nuk duhet ta prekë askush… Le ta marrin vesh të gjithë thelbin e shqetësimit tim në këtë protestë…

– Po atë duket se po bën qeveria të ndërtojë një godinë të re…

– Mirëpo kush do ta ndërtojë? Kjo është çështja. Ka shumë dyshime, nuk ka transparencën e nevojshme kur bëhet një ndërmarrje e tillë e madhe që ka edhe ndjeshmëri të lartë shoqërore, përtej komunitetit të artistëve…  Ajo që ne kundërshtojmë është dhënia e kësaj sipërfaqeje dikujt, një ndërtuesi privat le ta themi, dhe më këtë mendohet se është gjetur zgjidhja. Jo, kjo nuk është zgjidhja. Unë jam që të ndërtohet godina e re që t'i përkasë vetëm teatrit dhe artistëve dhe jo të përdoret për qëllime biznesi. Unë flas në emër të artistëve, të atyre që kanë shkuar dhe atyre që do të vijnë. Flas pra edhe në emër të atyre artistëve të mëdhenj që nuk jetojnë më por që kanë bërë historinë e këtij teatri, si Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Kadri Roshi, Prokop Mima, Violeta Manushi e sa e sa të tjerëve që të më falni që nuk po i përmend dot të gjithë këtu. Kur dal të protestoj pikërisht ata artistë të mëdhenj kam në mendje. Ndaj dhe pyes veten para se t'u drejtohem të tjerëve: Si do të silleshin ata përpara një akti të tillë? Unë po bëj atë që mendoj se do të bënin edhe ata.

– Ka që mendojnë se ju po përdoreni politikisht në gjithë këtë histori…

– E kanë gabim. Unë nuk mund të përdorem nga asnjë krah i politikës, kushdoqoftë. Jam kundër pazareve politike që po bëhen për këtë çështje që mendoj se është me interes të lartë kombëtar.

– Çfarë do t'u këshillonit politikanëve në këtë rast?

– Të qëndrojnë sa më larg kësaj çështjeje dhe të mos e shfrytëzojnë atë për interesa të tyre, qoftë politike dhe qoftë biznesi. Në fund të fundit, pavarësisht nga postet që mbajnë aktualisht, ata janë thjeshtë spektatorë kur vijnë të shikojnë shfaqjet tona. Meraku i tyre duhet të qëndrojë tjetërkund…

– Ku?

– Ja e bëmë godinën qoftë dhe më të bukurën në botë. Po pastaj? Një politikan apo qeveritar i përgjegjshëm që mendon për sot e për nesër duhet të shtrojë pyetjen: Pasi e bëmë godinën, cilët janë ata që do të ngjiten në skenë për të vazhduar traditën e mirë që kemi krijuar? Cilat do të jenë pjesët që do të vihen në skenë? Cili do të jetë raporti midis pjesëve shqiptare dhe atyre të huaja? Çfarë mesazhesh do të përcjellim nëpërmjet asaj skene? Ja për këto duhet të mendojnë e të shqetësohen pushtetarët tanë, pra të shikojnë përtej së sotmes, por për perspektivën qoftë të afërt, qoftë të largët. Këto shqetësime unë i ngre edhe në një letër që u drejtohet krerëve aktualë të shtetit…

 

 

 

Kërkesat për azil, shqiptarët të parët në botë sipas numrit të popullsisë

Posted: 20 Jun 2018 12:58 AM PDT

 

Shqiptarët, që jetojnë në një vend që aspiron të hyjë në Bashkimin Europian, duan të largohen nga shteti amë, më shumë sesa banorët e vendeve që janë në luftë, si Siria apo Iraku, në raport me popullsinë e tyre.

Monitor ka përpunuar të dhënat e Raportit vjetor të situatës së azilantëve, të publikuar nga Bashkimi Europian për kërkesat për azil nga e gjithë bota, në raport me popullsinë përkatëse për vitin 2017. Nga këto të dhëna, rezulton se Shqipëria vitin e kaluar renditej e shtata për numrin e azilkërkuesve në vlerë absolute, me 26,060 kërkesa për azil. Por, shifrat janë më alarmante kur bëjmë krahasimin në raport me popullsinë e secilit vend. Sipas llogarive të Monitor për numrin e azilkërkuesve për herë të parë për 1000 banorë për secilin nga 20 shtetet që kryesojnë listën në vlerë absolute, Shqipëria renditet e para në botë, duke tejkaluar edhe azilkërkuesit që po ikin nga lufta dhe konfliktet, për shkak të popullsisë relativisht të vogël që ajo ka, prej 2.87 milionë banorësh.

Për çdo 1000 banorë në Shqipëri, numri i azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Europian ishte 9, duke kryesuar kështu top-listën. Të dytët renditen shtetasit nga Gambia, me 6.5 kërkesa për azil në çdo 1000 banorë, duke u pasuar sirianët, të cilët po i ikin njërit nga konflikteve më të përgjakshëm që ka njohur bota, me 5.9 kërkesa për 1000 banorë, të renditur të tretët.

Afganistani, i cili për sa i përket numrit të azilkërkuesve, së bashku me Irakun, përbëjnë tre shtetet kryesore të origjinës së azilkërkuesve, sipas llogarive për 1000 banorë, renditen përkatësisht në vendin e 7 dhe 8.

Në dhjetë vendet e para për numrin më të lartë për 1000 banorë kryesojnë kryesisht shtete nga lindja e mesme (ku ka konflikte) dhe Afrika.

Edhe pse numri i aplikimeve nga Shqipëria ka ardhur në rënie, përsëri renditemi ndër vendet me numër të lartë të tyre. Raporti vjetor mbi azilantët gjithashtu thekson se përqindjen më të ulët të pranimeve të këtyre kërkesave e kanë vendet nga Ballkani Perëndimor, si Shqipëria, Kosova dhe Serbia.

Edhe të dhënat për tremujorin e parë të 2018-s tregojnë se Shqipëria renditet ndër vendet me numrin më të lartë. Rreth 3% e azil kërkuesve për herë të parë në BE ishin me origjinë nga Shqipëria, apo afërsisht 4000 aplikime.

Sipas Raportit vjetor të situatës së azilantëve, të publikuar nga Bashkimi Europian, Shqipëria renditet e shtata në botë për numrin e azilkërkuesve në Bashkimin Europian në vitin 2017, pas shteteve që i ikin luftës, si Siria, Iraku, Afganistani, Pakistani dhe Eritrea, me 26 mijë aplikime. Që nga viti 2013, rreth 157 mijë qytetarë shqiptarë kanë bërë kërkesë për azil, ku numri më i lartë ishte në 2015-n, me rreth 69 mijë persona, për të zbritur më pas në 33 mijë persona në 2016-n.

4000 Shqiptarë kërkojnë azil për herë të parë në BE në janar-mars 2018

Shqiptarët vijuan të kryesojnë kërkesat për azil në BE ndër shtetet europiane edhe në tremujorin e parë të këtij viti. Eurostat publikoi të dhënat e tremujorit te pare 2018 për azilkërkuesit që aplikuan për herë të parë në vendet e BE.

Në 28 -të vendet e BE numërohen rreth 131 mijë azilkërkues të rinj për tremujorin e parë prej të cilëve 3 për qind ose rreth 4000 prej tyre ishin shqiptarë. Fluksi i shqiptarëve që kërkojnë azil ka rënë në krahasim me vitet e kaluara, por Shqipëria kryeson shtetet europiane jashtë BE-së, por që kërkojnë azil në BE.

Eurostat raportoi se gjatë tremujorit të parë të vitit 2018, 131 000 azilkërkues për herë të parë kanë aplikuar për mbrojtje ndërkombëtare në Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian (BE). Numri i azilkërkuesve u ul me 15% krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2017, kur u regjistruan 154 000 aplikantë për herë të parë.

Shumica e aplikimeve ishin nga sirianët, irakianët, afganët dhe nigerianët. Sirianët mbetën grupi më i madh i personave që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare në vendet anëtare të BE. Sirianët ishin përpara irakianëve (9 200), afganëve (7 700 aplikantë për herë të parë) dhe nigerianëve (6 400).

Aplikantët nga këto shtete përbënin 30 për qind të të totalit të azilanteve rishtarë në BE

Shumica e kërkesave për azil në Gjermani, Francë dhe Itali. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2018, numri më i madh i aplikantëve u regjistrua në Gjermani (me 34 400 aplikantë ose 26% të aplikantëve, në Francë (25 300 ose 19%), pasuar nga italia (17 800, ose 14%) dhe Greqia (13 000, ose 10%).

Numri i azilkërkuesve për herë të parë u ul në krahasim me tremujorin e mëparshëm në Austri (-30%), Gjermani (-25% 24%) dhe itali (-22%). Në të kundërt, rritjet u regjistruan në Belgjikë dhe Spanjë (si + 9%) dhe Holandë (+ 7%).

Krahasuar me popullsinë në Qipro u regjistrua shkalla më e lartë e aplikantëve të regjistruar për herë të parë gjatë tremujorit të parë 2018 (1 551 aplikantë për 1 milion banorë), pasuar nga Greqia ( me 1 204 azilante për 1 milionë banorë, Malta (856 aplikantë për 1 milionë banorë) dhe Luksemburgut. Në tremujorin e parë 2018, në total ishin 257 aplikantë për 1 milion banorë në në BE në tërësi.

Në fund të marsit 2018, mbi 892 000 kërkesa për azil në Shtetet Anëtare të BE ishin në shqyrtim nga autoritetet kombëtare, një rënie prej 10% krahasuar me marsin 2017 dhe 4% krahasuar me dhjetor 2017./ Monitor

l.h/ dita

Ku ndodhet Lëpusha?

Posted: 20 Jun 2018 12:56 AM PDT

Sipas Enciklopedisë Shqiptare, botim i akademisë së Shkencave të vitit 1984, së cilës i referohemi shpesh në rubrikën tonë, Lëpusha është fshat në rrethin e Shkodrës, në pjesën verilindore të zonës së Kelmendit.

Bën pjesë në fshatin e bashkuar Tamarë. Banesat e para janë ngritur rreth viteve 1900.

Është fshat me bukuri të rrallë natyrore. Ndodhet në lartësinë Bjeshkët e Namuna.

Përshkohet nga një lumë i vogël i quajtur Sheu i Lëpushës, që dikur shfrytëzohej për ujitje dhe për sharrat e drurit.

Përpara viteve '90 ka pasur si drejtim kryesor blegtorinë.

b.m. / dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more