Skip to main content

“Sezoni turistik, nis kufizimi për lëvizjen e mjeteve të rënda” plus 9 more - Gazeta Dita

“Sezoni turistik, nis kufizimi për lëvizjen e mjeteve të rënda” plus 9 more - Gazeta Dita


Sezoni turistik, nis kufizimi për lëvizjen e mjeteve të rënda

Posted: 15 Jun 2018 02:27 AM PDT

Mjetet e tonazhit të rëndë nga kjo e premte do të qarkullojnë me orare të reduktuara në akset kryesore të vendit dhe kryesisht ato turistike.

Udhëzimi i përbashkët i ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj dhe atij të transporteve Damian Gjiknuri ka hyrë në fuqi prej 15 qershor dhe do t’i shtrijë efektet e tij deri më 15 shtator dhe mjetet që kufizohen janë ato me tonazh mbi 7.5 tonë, mjete me gjatësi 12 m dhe ngarkesë të pandalshme si dhe makina bujqësore, teknologjike dhe traktor me shpejtësi nën 40 km në orë.

Sipas këtij udhëzimi kufizimet shtrihen përgjatë fundjavës duke nisur nga dita e premte deri të dielave ora 24:00 dhe për këdo shkelës penalitetet do të jenë ekstreme me gjobë dhe bllokim mjeti.

Të premteve kufizimi për të përdorur akset rrugore nga mjetet e sipërcituara nis në ora 15:00 deri në orën 22:00.

Të shtunën kufizimi nis prej orës 08:00 deri në 12:00 duke lejuar një hapësirë prej 4 orësh dhe rikthehet sërish në ora 16:00 deri në ora 22 të mbrëmjes.

Për ditët e diela ky kufizim është edhe më i gjatë duke nisur në ora 07:00 deri në ora 22:00.

Akset që nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë janë nga ato të pikave kufitare e deri në zonat bregdetare si Hani Hotit, Muriqan, Qafthanë, Morinë, Kapshticë, Kakavijë.

Po ashtu akset që do të kufizohet prekin dhe plazhet në qarkun e Shkodrës, Lezhës, Durrësit, Kavajës, Fierit, Vlorës, Sarandës, Pogradecit.

Patrullimet e policisë kanë nisur nga kjo e premte të zbatojnë këto masa edhe në Tiranë-Durrës me drejtim Gjirin e Lalzit.

Në këto kufizime është përfshirë dhe Tepelena dhe Bajram Curri për shkak të lidhjes së tyre me turizmin kulturor.

o.j/dita

Papandreu kundër Demokracisë së Re: Shumë forca po përpiqen të bjerrin bashkëjetesën në Ballkan

Posted: 15 Jun 2018 02:20 AM PDT

 

Ish-kryeministri socialist i Greqisë, George Papandreu lëshoi kritika të ashpra ndaj qëndrimit që po mban opozita greke për marrëveshjen e emrit me Maqedoninë.

Pa mohuar vetkënaqësinë e qeverisë së Aleksis Cipras dhe mungesën e një fryme  të pajtimit kombëtar, Papandreu thotë se marrëveshja e propozuar është një pikënisje dhe një mundësi reale për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit, duke nënvizuar faktin se “qeveria pro-evropiane e Shkupit e kupton se pa kompromis të ndërsjelltë nuk mund të ketë zgjidhje.”

"Konteksti i këtij vendimi i dha një dimension të ri përpjekjeve të nisura në vitin 1995 nga qeveria e Andreas Papandreu.

Një çështje që tani, më shumë se kurrë është në interesin tonë për t’u zgjidhur, me një zgjidhje që është e qëndrueshme dhe reciprokisht e pranueshme. Në historinë tonë të re, çështjet kryesore kombëtare kanë provokuar shpesh ndarje që kanë sjellë rezultate negative, madje edhe katastrofike.

Prandaj, si qeveria dhe opozita, duhet t’i trajtojë seriozisht dhe me përgjegjësi, duke u fokusuar në interesin e madh patriotik dhe jo në përfitime të vogla. Ndarja në patriotë dhe tradhëtarë është jashtëzakonisht e rrezikshme.

Ajo i jep hapësirë ​​për manovrim të të gjitha llojeve të interesave. Në një këndvështrim të tillë kritik, cili është qëndrimi i opozitës kryesore? Ajo përpiqet të shmangë kostot politike madje duke mos qenë në përputhje me kontekstin specifik kombëtar që kemi rënë dakord. Ajo madje ankohet për vendimet e saj duke u përpjekur të mos ndryshojë asgjë. Pra, kur gjërat bëhen të vështira ajo vetëm rrit kritikat sterile dhe retorikën. Ne i themi JO refuzimit të Demokracisë së Re, pasi nuk rezulton një qëndrimi i vërtetë patriotik, por një oportunizëm i dëmshëm.

Kjo është një kohë e dominuar nga paqëndrueshmëri ndërkombëtare, ku Turqia bën përpjekje për të margjinalizuar Greqinë, ndërsa shumë forca po përpiqen me çdo mjet të bjerrin hapësirën e bashkëjetesës në Ballkan", ka deklaruar Papandreu, sipas Respublica-s.

a.s/dita

Mihailis Pieris, poeti i mrekullueshëm nga Qiproja

Posted: 15 Jun 2018 02:11 AM PDT

Moikom Zeqo

Kam nderin të përshëndes, – nga një qytet i pashkruar ende , dmth nga Tirana e Shqiperise, -(ende e pa futur në gjeografinë e tij planetare dhe poetike të qyteteve të shkruara,) – poetin e madh grek , Mihailis Pieris, nga Qiproja.

Kam rastin, sot, të flas, për librin e tij "Metamorfoze qytetesh ", te perkthyer ne shume gjuhe te botes.

Mihali, i cili, kuptohet vetvetiu, ndodhet në një vëllazëri poetike, me takimin  tone te  pare,ketu ne Tirane, ka  bërë intimisht , që Koha dhe Hapësira të na duket dhe  te  jenë thjeshte  konvencionale.

Eshtë meritë e Shtëpisë Botuese NEREIDA dhe e  mikut tim , botuesit Jani Malo, i cili ka botuar disa libra, me interes per publikun shqiptar, kryesisht perkethime nga letersia moderne greke. Po  permend ,në mënyrë të veçantë, librat e fundit, siç është libri i Mihalis Pieris, përkthyer nga Petro Çerkezi, poet e përkthyes i shquar, si dhe libri poetik  i Jorgos Molesqit, përkthyer nga Niko Kacalidha ,  gjithashtu poet dhe përkthyes i shquar.

***

Unë do të flas për librin "Metamorfoze qytetesh " te Mihalit.

Jam  njeri skeptik, përgjithësisht, ne rrafshin e librave, si dhe nuk entuziasmohem shumë, sidomos nga poetët, se poezia është zhanri më elitar, por dhe zhanri, më i spekulluar.

Miliona njerëz shkruajnë poezi, miliona epigoniste shkruajnë, madje, epigonët marrin edhe çmime.

E kam të vështirë të habitem nga cdo lloj   poeti.

Por poezia e Mihalit ishte  per mua, një gjë e papritur.

Në konstelacionin e poezisë greke të shekujve  e kam një  njohjeje,- se jam marrë një jetë të tërë.

Që të flas për poezinë e Mihalit do përmend atë që quhet  mjedisi, ose si të thuash klima e poezisë greke modern, që nga fundi i shekullit të 19 dhe sidomos në shekullin e 20-të.

Në krye të vendit do të vija Kostandin Kavafin, i cili shumë më përpara Kafkës , Beketit dhe Borhesit projektoi një gjeometri të Absurdit.

Eshtë një poet që ka ndryshuar poezinë Evropiane, siç thuhet për simetrinë dhe Kafka ka ndryshuar prozën.

Një poet tjetër Siqelianosi, i cili kundër tjetërsimit të shoqërive teknologjike, vuri një hermetikë abstrakte dhe një limit universal. Fatkeqësisht, ky poet nuk është shumë i njohur. Poezitë që shkroi në moshën 23 vjeç Siqelianosi nën hijen dhe shkretëtirën e Libisë ishin një çudi e sinkretizmit, paganizmit dhe të krishtërimit dhe të dilemave të kohës moderne.

Poeti më i preferuar  per mua ka qenë gjithmonë Odisea Elitis, për shkak të ndikimit të simbolizmit freng, europian si dhe të krijimit të një bote  poetike ,  elitare, imagjinative, ndonese më hermetike.

Libri i tij, "Klepsidrat e të panjohurës" (Οι κλεψιδρες του αγνώστου)  për mua ka qënë një çudi.

Poeti  tjeter Nobelist, Jorgo Seferi, qe ka jetuar si diplomat ne vitet 30 te shekullit XX ne Korcen e Shqiperise eshte patjeter nje monade poetike.Librin e tij poetik "Ditari i Anijes " ja kushton botes  qipriote.

Nuk duhet harruar as poeti i jashtezakonshem Jani Ricos, nga me te cuditeshmit dhe figurativet.

Nga letërsia Qipriote mund të përmend pararendësit Vasilis Mihailidhis, Dhimitris Libertis Nikos Nikolaidhis, Lluqis Akritas, Theodhosis Pieridhis etj.

Mendoj që poeti më i shquar i kësaj treve, i një ishulli marramendës siç është ishulli i Qipros, një nga ishujt më të rëndësishëm dhe të kulturave më të lashta mesdhetare për mua është Mihalis Pieris.

Mihali ka lindur më 1952.

Eshtë një njeri që u sinkretizua midis dijes, shkencës dhe poezisë.

Eshtë një traditë e vjetër kjo,por sui generis per Mihalin.

Ka studjuar në në Sidnei , ne Australine e larget, dhe paraqitet nga kjo pike optike edhe me këtë libër, që ka një subjekt të shumëfishtë,  konceptualisht është një lloj mozaiku, që ka gurë të shumëngjyrtë, për të treguar një Koleksion Qytetesh.

Kjo vepër poetike të kujton veprën gjeniale në prozë "Qytetet e Padukshëm" të Italo Kalvinos.

Kalvino ka qytete fantazmagorikë, që egzistojnë në art, pra , qytete onirike, kurse përgjithësisht qytetet që përshkruan Mihali janë qytete që egzistojnë. Te vertete, -jo te shpikur !

Unë pothuajse në të gjitha qytetet që ai ka përshkruar kam qënë, në të gjitha vendet që lidhen me Europën ,përveç Australisë , që nuk kam pasur mundësi të udhëtoj.

Bile edhe lagjet dhe rrugët e shumices e qyteteve te ketij libri marramendes, që përshkruan poeti i njoh.

Vepra e Mihalit: "Metamorfozë qytetesh" është një vepër e shquar që e pasuron bibliotekën e letërsisë ,  në shqip.

Shkrimtari i vërtetë, madje  e sfidon gjuhën native , te lindjes , e "mohon" shkrimin e tij etnik per shkak te univeralitetit, se ka" shkrimin mbietnik te  mendjes", që përkthen gjithë gjuhët e botës.

Ky "rrefuzim i gjuhes" eshte krejt i sakte ,-ndryshe Shekspiri do të lexohej detyrimisht  vetëm  ne anglisht, dhe jo ne qindra gjuhe te kultivuara te njerezimit.

Nga kjo pikepamje unë mendoj, se Pieris ka bërë një libër që është kulturalisht universal, global, sepse lidhet me të gjitha nocione dhe  makinen kozmike te mendimit, përtej gjuhëve, përtej gjuhës së origjinës, po me kredencialet  e pazhbeshme dot te origjines, padyshim.

Emri i tij i vërtetë është Mihal Eftagonia, emri i vendit ku ka lindur, ku ka lindur dhe nëna e tij, te ciles i ka kushtuar nje poezi  monumentale.

Ka studjuar filozofi, teatër, ka jetuar në Selanik, ku , në një varg thotë, se" i ka ngrënë 10 vjetët e trupit të tij më të mirë."

Ka qënë per studime te larta  në Sidnei. Ka themeluar Greek Theatrical Workshop në Universitetin e Sidneit  dhe Studion Teatrore në Qipro që janë qendra të rëndësishme mesdhetare të Kulturës Europiane.

Mendoj se poezia e këtij poeti ka një poetike dhe strategji mendore.

Ai mendon se morali poetik duhet të stimulojë moralin shoqëror, duhet të jetë kundër mekanizmit të tjetërsimit.

Ai shkruan në dialektin qipriot dhe dhimotikinë dhe është përkthyer në shumë gjuhë të botës.

Eshtë poet bashkekohor, thellesisht  modern. Ndihet tek ai për mendimin tim narativa dialektike e Kavafit.

Poeti më i vështirë për t'u kuptuar dhe  dukshem  më i njohuri në botë, nga kultura moderne greke,  është sigurisht, Kostandin  Kavafi.

Kjo ndihet sidomos në Amerikë, se të gjithë poetët e shquar amerikane  kanë shkruar ese dhe studime  për të.

Ai është një poet me  "stil te bardhe ", nuk është si parnasianët, por ai ka logjikën konceptuale të tjetërsimit, niset nga kultura e madhe, ekumenike, e helenizmit dhe krijon ndoshta, paradigmat më të çuditëshme të kulturës së sotme moderne edhe të dekadente, madje dhe post-moderniste , edhe të dilemave, edhe të pasigurisë së botës se brishte , njerëzore, po pa humbur asnjehere Shpresen, ose Utopine Pozitiviste Njerezore.

Në një pikpamje të përgjithëshme poezia e  Mihail Pieris ka diçka nga argonautët, nga udhëtimi i infinitshme , i pafund.

Do dalim te koncepti universal i poetit, që udhëton, poeti që është Odise, poeti që është kërkimtar, poeti që kërkon diçka që nuk e gjen dhe ku udhëtimi nis nga fshati i tij ku ka lindur deri në Had.

Sepse libri përfundon me një poezi në Had, si qytet i vdekjes, qytet final.

Shpesh të kujton vargjet e famëshme të vitit 1922 të Tomas Eliotit tek "Toka e shkretë" për thënien e qytetit ireal, një concept që është shumë  ndikues tek poetët e shek. të 20-të, madje dhe tek poetët modernë greke.

Dihet dhe miqësia e Seferisit me Eliotin ka qënë proverbiale.

Ky udhëtim argonautik, ose Anabas Shpirteror, është pothuajse  planetare përfshi Greqinë, Amerikën, Europën, Austrlinë, ndoshta përveç  pertej Atllantikut.

***

Eshtë intersante që ky njeri është nga njerëzit më të ditur të kulturës greke sot.

Ai ka studjuar kronikën mesjetare të Qipros të një njeriu shumë të veçantë, të paharruar, sic quhet dhe  është Leontios Maheras dhe më pas ka shkruar për të një vepër të shquar dhe për veprën "Erotokritos" të Viçenco Kornaros.

Si dijetar Mihalis Pieris është një dijetar me fame ndërkombëtare.

Ai ka botuar vepra studimore, eseistike për Kavafin dhe Seferin dhe me librin e tij  emblematik "Metamorfozë qytetesh" ai paraqitet me dinjitet.

Jo të gjithë poetët kanë fat që me librin e pare ne perkethimin e nje gjuhe tjeter, konkretisht tani , ne shqip, të paraqiten me kaq sukses te denje,  kështu.

Ne jemi shpesh lojë e rastësive. Mirëpo në rastin konkret rastësitë qenë fatlume, sepse e përktheu këtë libër një nga poetët më të mirë shqiptarë që e njeh jashtëzakonisht mire shqipen, miku im i shtrënjtë dhe i paharruar gjithmonë, -që kisha vite pa e takuar- Petro Çerkezi.

Libri fillon me një  " Letër nga Rethimno" dhe ka një shprehje të çuditëshme që thotë: dua një qytet që të më fshehë!

Diçka del nga ëndërra dhe në ëndërra zhduket. Sigurisht ka diçka onirike gjithnjë në përshkrimin e qyteteve.

Poezia "Dhoma në Mets", është një poezi tipike se si shkruan Mihali.

Një narrativë me një pjesë të fshehtë metafore dhe natyrisht me dhimbje, sepse dhimbja është në natyrën e poetëve të mëdhenj.

Qyteti si metaforë është përshkruar nga poetët botërorë, po edhe nga poetët grekë.

Një poezi të tillë për shëmbull e ka edhe Ricosi: një poezi të famëshme për qytetin.

Qyteti është gjithmonë stimulus, qyteti është një kurm gruaje pjellore, i krijuar me art dhe fat, ose një boshësi, një humbje.

Në ciklin e dytë poeti ka poezi për Sidnein. Në këtë cikël bën një ngatërim gjeografik, flet për Netët e Lublanës, që s'di ku futen ne baze te rendit gjoografik , apo imagjinativ.

Por të rëndësishme janë poezitë "Odiseu i lidhur", që të kujton pak a shumë titullin e veprës së famëshme të Eskilit "Prometheu i lidhur". Odiseu lidhet te direku i anijes, mbushte veshët me dyll, sepse s'donte të dëgjonte këngën e Sirenave. E bëjnë këtë poetët, por sirenat janë më dinake dhe i hanë nganjëherë poetët para kohe.

Aty citon Herman Hessen, poet dhe shkrimtar i jashtëzakonshëm, gjerman ,dhe thotë: "Dashuri dhe vetmi, dashuri dhe dëshirë e paplotësuar, këto janë mëmat e artit."

Në këtë poezi Mihali thekson: "lotin unë nuk e shes, për çdo lloj arti, për ty sharlatan që më pret me ankth dhe për ty lexues dinak,"-ne kete rast poeti i mrekullueshem i Qipros,- gati sa nuk përmend vargun e famshëm të Bodlerit "Lecter hipocrit", ("Lexues hipokrit") ,se nganjëherë nuk është lexuesi që ne presim, ndoshta lexuesit e vërtetë janë ata që do vine në kohë.

Tek "Odiseu i lidhur" flet për njohjen monstruoze të botës, por dhe për tredhjen e truve të shokëve. Bashkohem me kete ide!

Të gjithë janë të vetedijshëm për kohën.

Nje  pjese  e madhe e njerezve  jane  jetuese, por jo përjetuese te jetës.

Shpesh jemi në  mekanizmin  e  jetës, por jo në vetëdijën e saj.

Në këtë vepër te Mihalit, qartesisht dhe poetikisht, e sidomos në këtë poezi, e thotë shumë ne menyrë te eperme, estetike.

Ky është stili i skalitur, praksitelian  i poetit, kjo e shpalos filozofine e tij shpirterore.

Vdekja gjithmonë është  Mbritja  e Mijevjecareve në Itakë.

Në ciklin e tretë janë poezi për Selanikun, qytetin e rinisë së tij, që siç thashë, më ka tronditur shumë vargu, që" më ka ngrënë 10 vjet të jetës sime më të mire." Në një fare mënyre poetët janë "kanibalë", por edhe qytetet janë "kanibalë " se hanë , ushqehen dhe keshtu mbijetojne mbi vete Vdekjen asgjesuese me "mishin" e historive,kulturave, fjaleve, dhe epokave, por jo në kuptimin makabër, po në kuptimin e rimishërimit, ose në kuptimin e totemit, që kishin njerëzit e vjetër.

Flet për Palermon, Katanjën, Monpeljenë, Amstardamin, Kajron, për Ravenën ku përmend të diturin Leontios Maheras qe e kërkon të jetë bashkëkohës i rrojtjes, i shkrimit me të dhe thotë pastaj le të jetë një idhull i rëndësishëm, i përmendur nga  Kujtesa e Harrimit, kudo ne hapesira, në Romë, në Paris, në Vuçernë të Palermos, në Ferrara.

Poeti kujton Helenën, çuditërisht Mbretëreshën e Fundit të Qipros, e cila ka qënë ne Venedik, pak  para, se ishulli i Qipros t'i dorëzohej Venedikut,ndja pikerisht kjo Mbretereshe Vetmirare , si hije shekspiriane e koherave e ka  tani varrin monumental në Venedik.

Unë e përshëndes vellazerisht dhe me nderim poetin e shquar Mihalin në këtë tubim, në një qendër, ne Book Hause, te Tiranes  ku gjithmonë janë bërë diskutime poetësh dhe shkrimtarësh dhe ka krijuar një traditë.

Shpresoj që ky takim i pare në Tiranë me poetin Mihal, të jetë nisma  edhe për takime të tjera.

Si arkeolog mund të them se pasuria arkeologjike dhe në mënyrë të veçantë  forma sinkretike e arkeologjisë , që ka Qiproja  eshtë nga çuditë e mëdha të kohërave.

Ishulli i Qipros eshtë një qendër kaq e madhe dhe ndoshta jo rastësisht edhe miti grek ka bërë që atje të jetë vendlindja mitike e perëndeshës së bukurisë, Afërditës.

Ose, ndoshta, ne nuk e dimë mirë këtë ekuacion, se ekuacionet etimologjike janë bërë shpesh edhe  spekullim. Ky është një ishull i madh, është pjesë e vetvetes, është pjesë e kulturës së botës dhe eshte padyshim i Aferdites.

Eshtë një gjë e shkëlqyer që në koherat e sotme te   demonizuara nga politika,- poetët të jenë të ndryshëm nga politikanët.

Por ka një ligjesi,  ne lloj rendi  simetrik, poetik, se triumfon perhere një e  Vërtetë Ekumenike, në këtë mes.

Njeriu më i formuar për kulturën përgjithësisht ka një prirje të mire, jo se është më i zgjuar apo  edhe më dinak, por se  humanizon mrekullisht per tere njerezit dhe popujt  dmth  gjithcka.

Shkrimtarët shqiptarë, jo të gjithë, natyrisht kanë një prirje  jetike per t'u  informuar për kulturën dhe veçanarisht për kulturën greke, që nga antikiteti deri në kohrat moderne.

Unë mendoj që njohja e kulturës moderne shqiptare  nga popujt fqinje habiterisht është shumë e mangët.

Unë kam njohur disa shkrimtarë të njohur , greke, i kam  miq të mi.

Antonis Samaraqis ka qënë një nga miqtë e mi personale. Kam dhe letërkëmbim me të.

Ose shkrimtarin Nasos Vajenas.

Ja përmënda Mihalit, i cili e njihte gjithashtu.

Mua  më ka habitur universaliteti dhe humanizmi i shkrimtarëve grekë-.

Por e theksoj perseri por shumë pak shkrimtarë grekë njohin shkrimtarët shqiptarë.

Nuk e di çfarë arsyesh egzistojnë, por përkthimet e ndersjellta do të ishin një zgjidhje.

Këto përkthime nuk do të ishin humbje kohe, por një vlerësim, parimi i universalitetit human  eshte njohja e Tjetrit.

I dashur Mihal të uroj gjithë të mirat.

Petrua ka bërë një punë të shkëlqyer, një përkthim dinjitoz.

Dihet ,se përkthimi shpesh të shkatëron. Shumë përkthime që botojnë shtëpitë botuese në përgjithësi, janë shkatëruese, sidomos perkethimet dilettante dhe pa pergjegjesi  per  klasikët e mëdhenj.

Kurse ky përkthim është një përkthim i gjuhës moderne, i gjuhës që ka tendencat e kuptimshmërive, të thellësive të mendimit dhe të metaforës.

Vetëm Petrua, me ndjeshmerin kulturen linguistike dhe talentin e tij, mund ta arrinte këtë sukses.

Faleminderit për vëmendjen !

 

 

 

Vrau para 27 vjetësh për tokën, arrestohet në moshën 79-vjeçare

Posted: 15 Jun 2018 02:05 AM PDT

 

Kadri Rustemi në vitin 1991, kur ishte 52 vjeç, vrau për konflikt prone bashkëfshatarin e tij Xh. H, dhe tentoi të vriste dhe një tjetër person.

Pesë vite më pas gjykata e dënoi me 25 vjet heqje lirie, ndërsa Rustemi është vënë në pranga 27 vite më pas, në moshën 79 vjeç.

"Me vendim Gjykate Nr.38 datë 26.12.1996, ky shtetas është dënuar me 25 vjet burgim për veprat penale "Vrasje me dashje" dhe "Vrasje me dashje e mbetur në tentativë" parashikuar nga Nenet 76 dhe 76/22 të Kodit Penal.

Shtetasi Kadri Rustemi, në datën 26.07.1991 ka vrarë me armë gjahu shtetasin Xh.H dhe ka tentuar të vrasë shtetasin A.H, banues në Mallakastër", njofton policia e Fierit.

a.s/dita

Veliaj dhe Manjola Nallbani shërbejnë iftar për njerëzit në nevojë

Posted: 15 Jun 2018 02:00 AM PDT

Në të gjitha mensat e saj sociale, Bashkia e Tiranës zgjodhi që ditët e bekuara të muajit të Ramazanit të shërbejë iftarin për njerëzit në nevojë, të moshuarit, të pamundurit dhe grupet e ndryshme sociale, duke krijuar edhe për ta një mjedis të ngrohtë familjar. Qendra Sociale e Bashkisë së Tiranës në Bulevardin "Zogu I" shërbeu iftarin e radhës për njerëzit e pamundur, së bashku me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, këngëtaren e njohur, Manjola Nallbani dhe avokaten Eni Çobani.

Kryetari Veliaj tha se synimi i Bashkisë së Tiranës është që ky lloj solidariteti me njerëzit në nevojë të jetë gjatë gjithë vitit, ndërsa bëri thirrje që kushdo që ka mundësi, të kontribuojë duke ndihmuar të pamundurit. "Motivi dhe motoja e bashkisë është: A mundet që fryma e këtij muaji, ky lloj solidariteti, të na shoqërojë në çdo muaj të vitit? Ndaj thirrja jonë është që për këdo që i ka mundësitë të ndihmojë e shërbejë dikë që është në nevojë", tha Veliaj, teksa shtoi se kjo nismë nuk mund të jetë monopol vetëm i institucioneve shtetërore.

Ai vlerësoi solidaritetin e treguar nga artisja e njohur e muzikës shqiptare, Manjola Nallbani dhe avokatja Eni Çobani, që lanë impenjimet e tyre për t'iu përkushtuar për disa orë njerëzve në nevojë. Veliaj theksoi që para se dikush të jetë një profesionist i mirë, duhet të jetë edhe qytetar i mirë. "Nuk mjafton të jesh një avokate shumë e njohur, nëse nuk je fillimisht një qytetar i mirë. Nuk mjafton të jesh një këngëtare, një artiste shumë e njohur, nëse nuk je një qytetar i mirë. Ndaj, sot janë këtu se janë fillimisht qytetare të mirë të Tiranës sonë", u shpreh ai.

Bashkia e Tiranës ka hapur në të gjithë territorin e saj disa qendra sociale, ku krahas një vakti të ngrohtë, njerëzit në nevojë marrin edhe përkujdes mjekësor dhe shërbime të tjera utilitare. Veliaj theksoi se synimi i bashkisë është largimi i fëmijëve nga rruga dhe garantimi i arsimimit të tyre për të qenë qytetarë më të mirë për shoqërinë. "Kur dikush është mbi të gjitha qytetar, dhe ka vlerat dhe normat e qytetarisë, mund të bëhet gjithçka në jetë. Ndaj, qëllimi ynë për fëmijët e Tiranës është fillimisht t'i arsimojmë, t'i rrisim mirë, edhe në këtë qendër sociale ku synojmë të heqim fëmijë nga rruga dhe gjatë paradites janë ata që marrin kurse, janë ata që ushqehen, janë ata që kanë këshillues dhe psikolog, se po t'i bëjmë qytetarë të mirë, nesër mund të bëhen edhe avokatë, edhe artistë të shkëlqyer", tha Veliaj.

Artistja e njohur e muzikës shqiptare, Manjola Nallbani u shpreh e emocionuar që u bë pjesë e kësaj nisme, teksa përgëzoi Veliajn për punën e bërë. "Si vajzë Tirane, nuk jam e politizuar dhe më vjen shumë keq që çdo gjë që themi, keqinterpretohet dhe merr nuanca që nuk e ka në fakt ajo çfarë do të them. Çdo gjë, çdo pëllëmbë toke që shoh më të bukur sot nga dje, dhe më të vlefshme për fëmijën tim, për mua, nga dje, sot, unë i them: Bravo i qoftë, kushdo që e bën", tha këngëtarja Nallbani. Avokatja e njohur Eni Çobani, u shpreh e vlerësuar që iu bashkua iftarit dhe vlerësoi kryebashkiakun Veliaj për ndryshimet që kanë ndodhur në Tiranë.

 

o.j/dita

 

 

Lu uron Bajramin: Shqipëria përballet me sfida të reja

Posted: 15 Jun 2018 01:58 AM PDT

 

Në urimin e tij për festën e Bajramit, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu thotë se Shqipëria përballet me sfida të reja brenda dhe jashtë vendit.

"Udhëheqja juaj është e rëndësishme për komunitetet tuaja, por edhe për Shqipërinë, ndërsa përballet me sfida të reja brenda dhe jashtë vendit. Viti i ardhshëm ju sjelltë gëzim, begati dhe paqe! Gëzuar Bajramin!", uron Lu.

a.s/dita

“Takimi i shekullit”? Not really

Posted: 15 Jun 2018 01:52 AM PDT

Takimi "epokal" mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit koreano-verior Kim Jong-un në optikën e diplomatit dhe studiuesit të njohur të politikës amerikane e të marrëdhënieve ndërkombëtare. Prof. Fatos Tarifa, Rektor i University of New York Tirana. Çfarë ka ndodhur? Cilat ishin rezultatet e atij takimi historik? Çfarë pritej të arrihej dhe çfarë u arrit? Çfarë pritet të ndryshojë pas kësaj. A do të jetojmë në një botë më të sigurt pas deklaratës së përbashkët Trump-Kim? Fatos Tarifa u jep këtyre pyetjeve përgjigjet e tij.

Intervistoi Xhevdet Shehu

– Profesor Tarifa, vetëm 3 ditë më parë, më 12 qershor, u bëmë dëshmitarë të një prej ngjarjeve më të papritura e më të rëndësishme në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare në këto dekadat e fundit, siç ishte takimi mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit koreano-verior Kim Jong-un. A mund të krahasohet kjo ngjarje, për nga rëndësia e saj, me takimin mes Presidentit amerikan Richard Nixon dhe Kryetarit Mao, udhëheqësit më të lartë kinez, në vitin 1972, si dhe me takimin mes Presidentit amerikan Ronald Reagan dhe liderit sovjetik Mikhail Gorbachev, në Gjenevë, në vitin 1985. A qëndron kjo analogji?

– Të gjitha analogjitë çalojnë. Ju krahasoni tri ngjarje të ngjashme për nga forma (takime të nivelit më të lartë mes tre presidentëve të fuqisë më të madhe të globit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me liderët e tre vendeve komuniste), por ajo që ka rëndësi dhe që i dallon e i diferencon këto ngjarje për nga rëndësia e tyre është konteksti historik, pesha e tyre në gjeopolitikën globale dhe, sidomos, rrjedhojat që shkaktuan ato në nivel rajonal e global.

Nuk ka dyshim se ngjarja më e rëndësishme ndër këto të treja që përmendet ju ka qenë takimi Nixon-Mao, veçanërisht nëse mbajmë parasysh se, në vitin 1972, Kina ishte në një marrëdhënie shumë të vështirë me Bashkimin Sovjetik dhe, tre vite më parë, më 1969, ishte ndeshur me atë shtet në një konflikt të armatosur për çështje të kufijve mes tyre, që mund të ishte shndërruar në një luftë të tretë botërore. Me takimin Nixon-Mao u rivendosën marrëdhëniet normale mes superfuqisë më të madhe të planetit dhe shtetit më të populluar të tij. Me atë takim Kina komuniste (Republika Popullore e Kinës), e cila, vetëm një vit më parë, më 1971, ishte bërë anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së (duke zëvendësuar Republikën e Kinës—Taivanin) në atë organ të rëndësishëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, u bë edhe më shumë një aktor kryesor në politikën globale. Afrimi me Shtetet e Bashkuara pas takimit Nixon-Mao, bëri të mundur, duke filluar nga viti 1978, reformimin e ekonomisë kineze (reformimin e bujqësisë, 1978-1984; të industrisë,1984-1992; dhe të tregtisë së jashtme, nga viti 1992 e këtej).

Më lejoni të shtjelloj disi më gjerë rëndësinë e kësaj çfarë thashë më sipër. Afrimi me Shtetet e Bashkuara dhe ndërvarësia me atë vend bënë të mundur një dinamizëm ekonomik e social të jashtëzakonshëm në Kinë. Amerika, siç shprehet eksperti i njohur i marrëdhënieve ndërkombëtare, Kishore Mahbubani, ishte i vetmi vend që mund të ofronte "lidershipin e duhur për ta integruar, modernizuar dhe përmbajtur Kinën". Reformat në ekonominë kineze që inicioi Deng Xiapiong – ky "reformator i madh i ekonomisë", siç e ka cilësuar atë Alan Greenspan – me thëniet e tij të famshme se "të bëhesh i pasur është një gjë e mrekullueshme" dhe se "nuk ka rëndësi nëse macja është e zezë apo e bardhë, sa kohë që ajo zë minj", e nxorrën Kinën "nga epoka e biçikletës në atë të automobilit dhe të gjithçkaje që lidhet me të". Ato reforma u hapën rrugë transformimeve të mëdha ekonomike dhe investimeve kapitale të huaja në Kinë. Rezultati logjik i këtyre zhvillimeve, të cilat, siç vura në dukje më sipër, kishin si premisë afrimin me Shtetet e Bashkuara, ishte anëtarësimi i Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), në vitin 2001. Kjo ngjarje e fundit, e cila do të kish qenë e pamundur pa pëlqimin e Shteteve të Bashkuara, e lehtësoi dhe e shpejtoi mjaft integrimin e Kinës në sistemin tregtar botëror dhe në ekonominë globale, duke i kontribuar në mënyrë substanciale rritjes ekonomike globale. Anëtarësimi në OBT e shndërroi Kinën nga një aktor me një peshë të vogël ose të mesme në tregtinë ndërkombëtare, në një ndër aktorët kryesorë të saj. Si rrjedhojë e rivendosjes së marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara në vitin 1972 dhe anëtarësimit të saj në OBT, Kina ka sot ekonominë e dytë më të madhe (pas Amerikës) dhe një ndër ekonomitë më të hapura në botë. Ekonomia e saj është modernizuar e zhvilluar në atë masë, sa që ka bërë të mundur daljen e qindra milionë kinezëve nga gjendja e varfërisë absolute dhe krijimin e një klase të mesme gjysëmiliardshme, pothuaj aq sa popullsia e të gjitha vendeve të Bashkimit Europian, të marra së bashku. Me pak fjalë, takimi Nixon-Mao, në vitin 1972, ishte vërtet një ngjarje "epokale", sepse afrimi mes Uashingtonit dhe Pekinit dhe zhvillimet që rodhën pas asaj ngjarjeje ndryshuan rrënjësisht gjeopolitikën dhe gjeoekonominë e globit.

– Kjo është e vërtetë, por a nuk ishte një ngjarje po aq e rëndësishme për fatet e globit edhe takimi mes Presidentit amerikan Ronald Reagan dhe liderit sovjetik Mikhail Gorbachev, 13 vite më pas, më 1985? A nuk shënoi ai takim fillimin e fundit të Luftës së Ftohtë?

– Nuk ka dyshim që edhe ai takim ishte "epokal", në një kuptim të caktuar të fjalës, por analogjia mes takimeve Nixon-Mao (1972) dhe Regan-Gorbachev (1985) përsëri çalon. Axhenda e Samitit të Gjenevës (19 nëntor 1985), në të cilin liderët e dy superfuqive të globit u takuan për herë të parë, kishte të bënte kryesisht me dy çështje: marrëdhëniet diplomatike ndërkombëtare dhe gara e armatimeve. Shprehja e famshme e Presidentit Regan, "Mr. Gorbachev, tear down this wall", erdhi më vonë, në qershor të vitit 1987, kur Regani vizitoi Berlinin Perëndimor. Edhe pse shembja e Murit të Berlinit, rënia e regjimeve komuniste në Europën Qendrore e Lindore dhe vetë shpërbërja e Bashkimit Sovjetik nuk mund të shpjegohen thjesht si rezultat i takimit Reagan-Gorbachev, ose thjesht si rezultat i asaj çfarë inspiruan te qytetarët gjermano-lindorë dhe qytetarët e Europës Lindore fjalët e Reagan-it, nuk mund të mohohet se ajo që ndodhi në Europën Qendrore e Lindore më 1989 do të kishte qenë e vështirë, në mos e pamundur të përfytyrohej, nëse "Doktrina Sinatra" e Gorbachev-it nuk do të kishte hequr frikën se ngjarjet e viteve 1956 dhe 1968 nuk do të përsëriteshin. Megjithëse politika sovjetike e mosndërhyrjes ende nuk ishte testuar se deri në ç'masë mund të toleronte, mund të thuhet se sinjalet që kishte dhënë Gorbachev për reformat e mirëpritura në Europën Lindore dhe mosndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të atij rajoni ishin faktorë kritikë që çuan në lëvizjet demokratike të vitit 1989 dhe në përmbysjen e sistemit të socializmit shtetëror. Në këtë kuptim, po, takimi mes krerëve të dy superfuqive kishte një rëndësi "epokale", pasi ai u parapriu ngjarjeve që shënuan fundin e  Luftës së Ftohtë dhe shndërrimin e një sistemi botëror dypolar në një botë njëpolare.

– Pse mendoni se takimi mes Presidentit Trump dhe liderit koreano-verior Kim Jong-un nuk ka të njëjtën rëndësi historike si dy të parët?

Sigurisht që nuk ka të njëjtën rëndësi historike, dhe aq më tepër nuk përbën një ngjarje "epokale", siç është shprehur ndokush. Të trija këto ngjarje kanë elementë të përbashkët. Për shembull: Në secilin rast, një president i Shteteve të Bashkuara (Nixon, Reagan, Trump), që përfaqëson fuqinë më të madhe të globit dhe lideren e botës së lirë, është takuar me liderin e një shteti komunist. Po kështu, si Nixon, ashtu edhe Reagan dhe Trump (si edhe Presidenti Eisenhower para tyre, në takimin e tij me liderin sovjetik Nikita Khrushchev, në Camp David, më 1959), besonin se një marrëdhënie personale mes liderëve është e rëndësishme si një hap i parë për rrëzimin e barrierave dhe uljen e tensioneve mes Amerikës dhe shteteve kundërshtarë të saj. Trump, madje, pas takimit me Kim Jong-un, u shpreh se, të dy liderët krijuan "një lidhje shumë të veçantë" mes tyre. Një lidhje shumë e veçantë mes z. Trump dhe diktatorit brutal të Koresë së Veriut!

Sidoqoftë këto tri ngjarje dallojnë shumë nga njëra-tjetra për nga konteksti, rrethanat, personalitetet e përfshira në to, përmbajtja e çështjeve të diskutuara, rëndësia dhe, sidomos, rezultatet e tyre. Nixon dhe Mao u takuan në pikun e Luftës së Ftoftë, edhe pse në Azi, me luftrat në Kore dhe në Vietnam, ajo ishte, në fakt, një luftë shumë e nxehtë, që shkaktoi mbi 4 milion viktima. Reagan dhe Gorgachev u takun në një kohë kur Lufta e Ftohtë po i afrohej fundit logjik të saj, ndërsa Trump dhe Kim u takuan afro tri dekada pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Nixon dhe Mao u takuan në një kohë kur Kina kishe mbetur një vend thuajse i izoluar në arenën ndërkombëtare dhe, po kështu, thuajse tërësisht e izoluar është edhe Korea e Veriut sot. Për liderët e të këtyre dy vendeve dalja nga izolimi ishte një çështje jetike. Bashkimi Sovjetik, nga ana tjetër, në kohën e Khrushchev-it, as në kohën e të Gorbachev-it, nuk ishte një fuqi e izoluar në arenën ndërkombëtare, por një ndër dy superfuqitë e botës, që dominonte gjysmën e Europës dhe tërë Azinë Qendrore.

Mao dhe Gorbachev përfaqësonin dy ndër fuqitë e mëdha të planetit dhe ishin edhe vetë personalitete të fuqishëm në vendet e tyre dhe në politikën botërore, ndërsa Kim, të cilin vetë Donald Trump e kishte cilësuar me sarkazëm si një "little rocket man", përfaqëson një vend të vogël, edhe pse të rrezikshëm në atë rajon. Me fjalë të tjera, Trump nuk është as Nixon dhe as Reagan, ashtu siç Korea e Veriut nuk është as Kina dhe as Bashkimi Sovjetik (ose Rusia sot).

Takimet e presidentëve Nixon dhe Reagan me liderin sovjetik dhe atë kinez, më 1972 dhe 1985, përkatësisht, kishin një rëndësi strategjike dhe ekonomike globale shumë më të madhe për palët sesa takimi Trump-Kim, rëndësia e të cilit është e përmasave më të vogla, kryesisht rajonale, sidomos nëse mbajmë parasysh se Korea e Veriut, edhe pas këtij takimi, do të vazhdojë të mbetet një shtet klientelist i Kinës, nga e cila importon 90 për qind të lëndëve të para, të makinerive dhe të produkteve të konsumit.

Ndërsa Regan dhe Trump kishin në axhendat e bisedimeve të tyre me liderët komunistë si çështje themelore garën e armatimeve (Bashkimi Sovjetik) dhe denuklearizimin e gadishullit Koran (Korea e Veriut), Nixon kishte një tjetër axhendë në takimin e tij me Kryetarin Mao. Po kështu, ndërsa me Gorbachev-in Presidenti Regan ngriti edhe çështjen e heqjes së kufizimeve për emigrantët sovjetikë, si një e drejtë humane, me Maon dhe Kimin nuk u zu në goja çështja e të drejtave të njeriut në vendet e tyre komuniste.

Mund të përmend edhe shumë dallime të tjera, por edhe vetëm këto besoj se mjaftojnë.

– Arritjet kryesore të takimit Trump-Kim ishin dy: premtimi i të dytit për denuklearizimin e vendit të tij dhe premtimi i të parit për të garantuar sigurinë e Koresë së Veriut dhe për të larguar përfundimisht trupat amerikane nga gadishulli korean. A nuk janë këto dy arritje të rëndësishme?

– Këto janë dy premtime të rëndësishme, por përmbushja e tyre nuk garantohet nga një deklaratë e përbashkët. Një traktat i përbashkët do të ishte një garanci më e mirë, por, në Singapor, as nuk u bë fjalë për nënshkrimin e një traktati të tillë. Koha dhe vendosmëria e të dyja palëve do të tregojnë se sa qeveritë e këtyre dy vendeve do të duan, ose do të mundin të përmbushin premtimet e dhënë njëra-tjetrës në Singapor.

– Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, e ka cilësuar takimin mes presidetit amerikan Donald Trump dhe liderit koreano-verior Kim Jong-un si "takimin e shekullit". Nga sa kuptoj prej vlerësimeve tuaja, ju nuk prisni që ai takim të sjellë ndonjë ndryshim rrënjësor në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në gjeopolitikën globale?

– Kjo mbetet për t'u parë. Një takim i vetëm, i cili, në pjesën më të madhe të tij, u zhvillua kokë më kokë, një konferencë për shtypin, një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë dhe një deklaratë e përbashkët e presidentit Trump dhe Kim Jong-un nuk thonë shumë. Ato janë fjalë dhe, si të tilla, nuk kanë asnjë peshë nëse pas tyre nuk shohim veprime konkrete për të ndryshuar ato realitete që e provokuan atë takim.

Vetë Kim Jong-un e cilësoi takimin me Presidentin Trump si një "takim historik" dhe se pas kësaj, "bota do të shohë një ndryshim të madh". A mund ta besojmë këtë symbyllazi, thjesht sepse këto fjalë i tha ky "little rocket man"?

Ndryshim do të ishte nëse regjimi i Koresë së Veriut heq dorë përfundimisht nga strategjia e tij e armatimit bërthamor dhe e shkatërron të gjithë arsenalin e saj bërthamor, çka do të kërkojë (mekanikisht dhe fizikisht) vite të tëra për t'u realizuar, gjithnjë nëse Kim u përmbahet premtimeve të tij.

Ndryshim do të ishte nëse denuklearizimi i Koresë së Veriut do e paqëtonte përfundimisht gadishullin korean dhe do i normalizonte marrëdhëniet mes dy shteteve koreanë dhe fqinjëve të tyre aziatikë.

Ndryshim do të ishte nëse denuklearizimi i Koresë së Veriut do e shndërronte këtë shtet në një vend normal, anëtar të shoqërisë ndërkombëtare dhe nëse siguria dhe paqja në Lindjen e Largme dhe në Azinë Lindore do të bëheshin një fakt real.

– Sipas mendimit tuaj, cila palë doli më e fituar nga ai takim: Amerika apo Korea e Veriut?

Kina J Siç shprehej një analist i huaj këto ditë, largimi i trupave amerikane nga gadishulli Korean është "muzikë në veshët e president kinez Xi Jinping". Edhe pse, si Trump, ashtu dhe Kim, e kanë konsideruar secili një triumf të vetin atë takim, fituesit e vërtetë të atij samiti ende nuk mund të dihet se cilët janë. Madje as nuk mund të dimë nëse ai samit nxorri ndonjë fitues.

Botërori, Shteti Islamik kërcënon me atentate

Posted: 15 Jun 2018 01:36 AM PDT

ISIS ka kërcënuar se do të sjellë vdekje dhe shkatërrim në Kupën e Botës duke përdorur bomba me dron. Videoja e fundit e propagandës së grupit terrorist tregon dronë që hedhin në erë stadiumet e futbollit në Rusi.

Videoja e animuar shoqërohet me një zë që këndon: "Ne po të shohim ty. Ne kemi dronë, ne do të zbulojmë vendet dhe do t'ju sulmojmë".

Eksperti i ISIS Raphael Gluck, nga grupi i monitorimit të xhihadoskopit (monitorimi i aktivitetit xhihadist në internet), tha se propaganda ishte një "fantazi", megjithatë kërcënimi duhet të merret seriozisht.

Kjo nuk është hera e parë që luftëtarët e ISIS kanë kërcënuar se do të përdorin dronë për të sulmuar civilët dhe ata kanë përdorur tashmë teknikën për të sulmuar forcat irakiane dhe siriane.

Këtë javë, një shkencëtar britanik dhe eksperti kryesor i avionëve parashikonin se një sulm i një lloji të tillë është i pashmangshëm.

Kupa e Botës, ngjarja më e madhe sportive në botë, filloi dje me një milion tifozë që priten vetëm në Moskë gjatë muajit të ardhshëm, duke e bërë atë objektivin kryesor të terroristëve.

o.j/dita

Ekskluzive/ Luftar Paja: Pse jam për teatrin e ri Kombëtar

Posted: 15 Jun 2018 01:23 AM PDT

Artisti i Popullit, aktori i njohur i humorit Luftar Paja, flet ekskluzivisht për 'DITA' për një nga çështjet më të mprehta dhe shumë të diskutueshme të ditëve të fundit. Artisti që ka luajtur qindra role në skenë dhe ekran, shprehet pa mëdyshje në mbështetje të një teatri të ri kombëtar me një godinë moderne. Në bashkëbisedimin e artistëve me Veliajn, Luftar Paja tha se teatri i ri i përket të gjithë shqiptarëve.

Intervistoi Erion Habilaj

– Zoti Luftar, pse jeni aq i vendosur në mbështetje të ndërtimit të teatrit të ri Kombëtar?

– Nuk jam lëkundur asnjëherë nga ky qëndrim, qëkurse është hedhur kjo ide. Jam për teatër të ri kombëtar me të gjitha përmasat që i takon një teatri nacional shqiptar. Pse do thoni ju? Fare thjesht: Ky teatër ka bërë histori me aktorë të mëdhenj. Këtë histori artistët e mëdhenj të Shqipërisë e bënë në kushte të vështira dhe në një godinë të mjerueshme. Spektatori shikon lojën në skenë por nuk e përfytyron dot prapaskenën. Aktorët e mëdhenj të atij teatri duhen nderuare respektuar për heroizmin që kanë treguar duke luajtur në një skenë të degraduar,në një godinë që nuk ka asnjë parametër bashkëkohor. E, kështu nuk mund të ecet pambarimisht…

– Gjithsesi Luftar, ajo godinë ekzistuese ruan kujtime të paharrueshme…

– Nuk jam kundër kësaj që thoni ju. Mirëpo një gjë është më e rëndësishme edhe se kjo. Është e ardhmja. Ne nuk duhet të mbetemi rob të së kaluarës. Veprat janë luajtur në skenë dhe skena do të jetë njëlloj edhe në teatrin e ri. Ne jemi njerëz dhe ecim me kohën. Na teket një ditë të bukur të ndërtojmë një shtëpi të re, sepse familja është zmadhuar, kanë lindur nipër e mbesa. Shtëpia e vjetër nuk na nxë. Si t'ia bëjmë? Për hir të kujtinmeve të së kaluarës të vazhdojmë e të vuajmë ngushticën, të sakrifikojmë të ardhmen për hir të së shkuarës? Jo. Unë jam për shtëpi të re, moderne. Natyrisht që na dhimbset koha e shkuar, por ne duhet të shikojmë nga e ardhmja. Kështu dhe puna me teatrin…

– Pra këtu e kishit llafin kur folët për llaçin e tullat dje…?

– Po, aty e kisha llafin. Ne artistët, por edhe shoqëria duhet të na shqetësojë fakti se çfarë do të vëmë në skenë dhe me çfarë cilësie do të jenë artistët që do të ngjiten atje. Kjo është shumë e rëndësishme. Sepse në gjithë këtë debat që po zhvillohet,ne nuk po merremi me thelbin, por me fasadën. Pra po merremi me llaçin e tullat dhe jo me artin që duhet të bëjmë. Por që të kemi këtë teatër mua nuk më vjen mirë që ne si artistë harrojmë gjënë kryesore dhe merremi me llaçin dhe tullat. Këto janë të ndara, ka kush përgjigjet për llaçin dhe tullat, për betonin e për të tjera. Ne si artistë duhet të shtojmë forcat për 'betonin e llaçin" artistik sepse ja, e bëmë teatrin me përmasat moderne a kemi një Romeo dhe Zhuljetë që të demonstrojë atje? Kur e them këtë, kjo është e thellë, fillon nga universitetit i arteve, kush jep mësim atje dhe çfarë bëjnë dhe për të ardhur këtu te llaçi e tullat. Më vjen keq që lokalizohet, teatri kombëtar e ka teatër kombëtar dhe nuk duhet të vijnë vetëm ata që jetojnë në Tiranë.

– Pse i jepni kaq rëndësi kësaj ideje, kur teatri do të bëhet në Tiranë dhe do të jetë për kryeqytetasit?

– Nuk jam hiç dakord me këtë. Teatri është edhe i fierakëve, korçarëve, vlonjatëve edhe i gjithë Shqipërisë. Me këtë rast unë u drejtohem kolegëve të mi të nderuar që, duke mos ofenduar njëri-tjetrin, por duke respektuar njëri-tjetrin duhet që gjithsecili të shikojë punën e tij dhe mos merremi me ato metrot jo kaq po aq. Unë nuk merrem me metrot e gllabëruara. Kush ka gllabëruar metrot t'i gllabërojë dhe drejtësia. Le të bëhet veting edhe në fushën e artit…

 

Edhe sot mot me shi, por në bregdet ka diell

Posted: 15 Jun 2018 01:19 AM PDT

Dita nis me kthjellime dhe vranësira të shpeshta të cilat fuqizohen në mesditë kur priten shira të përkohshëm thuajse në të gjithë vendin, përjashtuar bregdetin jugperëndimor, ku vijojnë kthjellimet.

Orët e pasdite dhe mbrëmjen lokalizojnë shira të izoluar në zonat e ulëta.

Temperaturat e ajrit mbeten konstante në mëngjes por një rënie me 1-2 gradë Celcius sjell mesdita kur pritet maksimumi 30 gradë Celcius.

o.j/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more