Skip to main content

“Poeti Bledar Koçi drejt një profiliteti poetik” plus 9 more - Gazeta Dita

“Poeti Bledar Koçi drejt një profiliteti poetik” plus 9 more - Gazeta Dita


Poeti Bledar Koçi drejt një profiliteti poetik

Posted: 24 Jun 2018 02:10 AM PDT

 

Prof. dr. Bardhosh Gaçe

Bledar Koçi është një poet i ri, i cili ka kurajën për t'u shfaqur dhe për t'i kërkuar lexuesit njohjen e poezisë së tij, e cila është ngjizur, është shkruar dhe është botuar në një kohë të çuditshme për letërsinë dhe poezinë në veçanti. Në situata të tilla dilemash, "të botosh, apo mos të botosh" lidhet historia dhe fati i shumë poetëve në botë. Dikush është përfshirë në këtë "luftë", dikush nuk është përfshirë, se njëri ka mbijetuar dhe tjetri jo. Në këtë "kompleks fati" është shfaqur Bledar Koçi. Libri poetik "Stina e qershive" është vëllimi i dytë poetik i autorit, me anë të të cilit ai po përpiqet të krijojë një profilitet të vetin në poezinë shqipe.

Vëllimi "Në stinën e qershive", pa dyshim metafora e tij ka të bëjë me një paralele të stinës me shpirtin njerëzor, me një përndritje të brendshme të poetit, me një idilitet, që buron nga natyra dhe marrëdhënia që poeti ka me të. Një poet ngjan me një arkitekt, me një stilist dhe një piktor, i cili në nevojën e tij ka të rëndësishme aftësinë për të ekspozuar. Duke ngjarë me një krijesë të bukur, me një krijesë e cila gjykohet me anë të kodeve estetike, veças të të bukurës, poeti e ka këtë strategji, ka këtë organizim të brendshëm, që për fatin e mirë, tek poeti i "Stinës së qershive" e gjejmë qartësisht. Pra, poeti Bledar Koçi arrin t'i ekspozojë mirë "hiret" e krijimeve të tij.  Vëllimi "Stina e qershive" është organizuar mjaft mirë. Në tri kaptina, që mund t'i quash kapituj, cikle apo pjesë, libri ka një lloj funksionaliteti komunikues mbi një marrëdhënie që poeti ka me mjedisin, njerëzit, kohën, personazhet e tij të brendshëm dhe jo të brendshëm, me atë nga ai vjen vetë, pra me kontekstin gjithësor në të cilin gjendet.

Tri ciklet plotësojnë një lloj konteksti, që gjithësohet në një moment interesant, rreth të cilit sillet poeti, atë të stinës së qershive. Një stinë e bukur, në të cilën gjithëçka është e bukur, toka, qielli, ajri, mëngjesi, njerëzit, deti dhe malet, shpirti dhe trupi njerëzor. Është një nga stinët më të bukura të motit, në të cilën ka një kompleks motivues për njeriun.

Në ciklin e parë "Viset e vjeshtës" poezia "Nëna" është ndër në të mirat, e cila ka një marrëdhënie të brendshme e të ndjerë, që nis me një metaforë jashtëzakonisht interesante. Nga kjo metaforë sintagmatike, "Trazonte nëna…/ Me sytë gjysëm të mbyllur,/ Trazonte lodhjen e duarve…", ka një vështrim gati depërtues në çdo gjë që është e pranishme dhe që e rrethon poetin.

Poezia "Nëna" ka një paplotëni të qëllimshme, ajo ngjan me një lloj kujtese, një lloj vëmendje, pra, është një lloj "etydi" që mund dhe duhet ta plotësojë cilido që e lexon nga raporti i tij që ka me nënën e vet. Poezia është një strukturë e hapur, me një profilitet të mirë të poetit Bledar Koçi, i cili e ka kapërcyer me kohë maninë e figurës, maninë e patetikës dhe të steriotipit, siç ndodh zakonisht me poetët e rinj. Poezia "Nëna" është një nga reflektimet poetike të poetit, në të cilën mund të besohet se poeti ka aftësi të qarta praktike për të sjellë poezi me karakter psikologjik, në të cilën shkrihen bashkë subjekti, detaji dhe kronologjia kohore. Figurë është brenda kënd-pamjes psikologjike që ka poezia, duke pasur në thelbin e saj një figurë emblematike, siç është nëna.

Duke qenë brenda raportit dialektik të jetës, brenda kredos së tij poetike, cikli i dytë i vëllimit "Stina e qershive", vazhdon ta shpërshfaqë poetikisht këtë marrëdhënie dhe komunikim kompleks. Poeti Bledar Koçi përgjithësisht ka një prirje për të qenë një poet lirik. Lirizmi i tij, sa ç'duket tradicional, për shkakun e një ndjeshmërie me botën që e rrethon, me perceptime për njeriun dhe shoqërinë, ndjenjën e theksuar të një humaniteti të thellë, ka një natyrë depërtuese në kohezionin me të cilin ai jeton dhe ka kontributet e tij.

Poezitë e kësaj natyre, në të cilat është shmangur një lloj tradicionalizmi kohor, por dhe të një epoke të re poetike, afrojnë bindshëm me poezinë moderne, e cila fondamentet i shikon përmes këndeve, përmes detajeve dhe qendërsive, që në jetën e zakonshme duken si tangjente, si pika graviteti anës së "sferës". Në thelb, poezitë e organizuara përmes një marrëdhënieje dhe komunikimi metaforik, të detajit për kontekstin (më së shumti kështu) kërkojnë një aftësi poetike përgjithësuese të stilizuar mirë me mjetet poetike- gjuhësore.

Poezia "Shtatores së Adem Jasharit"është shkruar mbi dyvargësha ritmik, që ngjajnë me "marshin" si perceptim, mbi karakteristikat e një luftëtari dhe mbi shenjat e luftës dhe të luftëtarit. Poezia përshkruan shtatoren e luftëtarit të njohur të kohëve moderne Adem Jashari, i cili bëri qëndresën e pashëmbullt ndaj pushtuesit në tokën dardane. Si i tillë poezia është ngritur mbi një simbol. Luftëtari përshkruhet përmes një fjalori të zgjedhur, por jo patetik, siç ndodh në të shumtën e rasteve si ky, pavarësisht se në poezi ka një llojë personifikimi të luftëtarit. Përmes një lloj "dialogu" të brendshëm, të vargut të parë me vargun e dytë, të çdo dy vargshit strofor, poeti i ri arrin të realizojë një komunikim interesant, ku tiparet apo cilësitë e luftëtarit reflektohen në një simbol apo metaforë të zhvillueshme e valorizuese, në saj të kësaj lidhjeje të luftëtarit me tiparet historike të luftëtarëve apo luftëtarit shqiptar.

Po të shihet me kujdes çdo strofë ka një vënie përballë të tiparit të luftëtarit me një simbol të njohur të natyrës së luftës. P,sh në strofën e parë ka një zhvillim interesant,  kur poeti shkruan:"Ç'i ngrin një nur,/ Madhështorit në gur.", shikohet se ç'moment kap poeti. Ai luan bukur me kohën, e cila përbën një lloj "hapësire" e nëpër të cilën fluturon një shpend luftëtar. Fjala "nur" (një nur burri), hyn në korrelacion me fjalën "gur" (gur si përjetësim, si fiksim i kohës dhe legjendës Adem Jashari). Pastaj korrelacionet e tjera në strofat:"Mbi supe ndez sharku,/ Rënduar prej gjaku", korrelacionet e "sharkut" si armë lufte dhe "gjaku", si "armë" burrërie dhe trimërie; "Gjokspleksur gjerdani,/ Në gjalm xhamadani.", në korrelacionet "gjerdani", pjesë e armaturës së luftëtarit dhe "xhamadani', një rrobë e njohur burrash, por në këtë rast e unifikuar me metaforën e përjetshmërisë, në luftën për liri; pastaj në strofën:"Nxirë mjekra barotit,/ Shkund predhat e mortit.", në korrelacionet "mjekra barotit", vizatim i tiparit qenësor të një luftëtari, me sintagmën sifiduese të vdekjes "predhat e mortit", për t'u përmbushur mjaft mirë në strofën tjetër: "Në ç'sy fle rrufeja,/ Të të çojë ndër beteja?", ku shikohet një dendësim simbolesh në vargun e parë në "sy", "rrufeja" për t'u përthyer në mungesën e mortit (vdekjes), e nëntekstuar në fjalën "beteja".

Siç  shihet, poezia kushtuar luftëtarit të njohur Adem Jashari nuk është një poezi patetike, por e ndërtuar mbi detaje interesante dhe të imta, pavarësisht përdorimit të dendur jo vetëm si fjalë të fjalorit poetik, por të përditshmërisë njerëzore.

Një poezi mjaft e mirë, për mënyrën se si është organizuar në raportin e detajit poetik me strukturën poetike të komunikimit, të shqisës së poetit me arsyen për të përgjithësuar është poezia "Humbe nëpër shi", e cila i takon ciklit të tretë të librit, titulluar "Ti e di…", që në kumtin e parë duket një cikël gati i personalizuar. Poezia ka një lirizëm të brendshëm, një komunikim të poetit me ndjenjën e tij, shkruar me një lirshmëri të jashtëzakonshme. Poezia është ngritur mbi një moment, mbi një perceptim, mbi një meditim dhe duket plazmatike, duket si një grahmë interesante, e thellë, e ndjeshme, e cila nuk kërkon të përjetohet shoqërisht, përveçse vetëm nga poeti. Ai shkruan:"Bie shi…/I lagur kujtimesh, eci, vrapoj./Pellgjesh të hirta./Çudi!/ Herë-herë më shfaqej imazhi/ I yti imazh/ Tek dridhej mbi to/ Malluar,/ se di.?Të ndoqa i çmendur/ Deri sa humbe/ Nën pikëla rrebeshesh/ Ujësirash gri./ …Bie shi!". Pra është ai dhe ajo (imazhi i saj) në një kohë pa kohë, në një kohë as për atë dhe as për tjetrin, bie shi, dhe poeti luan me imazhet. Në një botë të hirtë kështu ndodh gjithmonë me kujtesën. Të gjithë poetët e botës kështu e kanë përshkruar botën e imazheve, poetika e imazheve është perceptim, i cili anon më së shumti drejt ekzistencializmit.

Poeti i ri Bledar Koçi duket se reflekton në poezinë e tij një shpirt poetik të natyrshëm, të cilit ai nuk i krijon ngarkesa dhe artifice, as në detaje, as në mënyrën e komunikimit, as në gjuhën poetike, as në figura dhe as në lirshmërinë e vargut dhe figurës. Kjo ngjan me një tokë që është mbjellë mirë dhe që mbin e do të mbijë vazhdimisht.

 

 

Botërori, sot përmbyllet raundi i dytë në grupe: Cilat skuadra rrezikojnë eliminimin

Posted: 24 Jun 2018 02:03 AM PDT

 

E diela e sotme mbyll përfundimisht raundin e dytë të ndeshjeve në fazën e grupeve të Botërorit të Rusisë.

Vëmendja do të jetë padyshim te sfida mes Polonisë dhe Kolumbisë, që në prag të kompeticionit shiheshin si pretendentet kryesore për të kaluar në raundin tjetër, por që në realitet janë në pozita të vështira.

Të dyja këto skuadra janë befasuar në ndeshjet e tyre të para, pasi janë mundur nga Senegali dhe Japonia, e tani secila prej tyre do të kërkojë të fitojë me çdo kusht, pasi barazimi nuk do t'u bënte shumë punë.

Polonia luan për herë të 9 kundër një ekipi amerikano-latin në një Botëror, me një bilanc jo pozitiv: 3 fitore e 5 humbje. Edhe më negativ është bilanci i Kolumbisë në 8 ndeshjet e fundit me ekipet europiane, me vetëm 2 fitore, 1 barazim e 5 humbje.

Sfida Poloni-Kolumbi do të luhet pas asaj mes Japonisë e Senegalit, që askush nuk i priste t'i bënin një fillim të tillë Botërorit, duke fituar ndeshjet e tyre respektive me të njëjtin rezultat: 2-1 ndaj Kolumbisë e Polonisë.

Edhe në këtë ndeshje, në lojë janë 3 pikë me shumë peshë, pasi do të thoshte kualifikim për në raundin tjetër të Kupës së Botës.

Për Japoninë mund të jetë hera e tretë që kualifikohet në 1/8-at e finaleve, pas Botërorëve të viteve 2002 dhe 2010, ndërsa Senegali do të kërkojë të arrijë kualifikimin e dytë mes 16 më të mirave të një Kupe Bote, në dy pjesëmarrje.

Vlen të theksohet se në vitin 2002, Senegali arriti deri në çerekfinale.

Me shumë rëndësi është edhe sfida mes Anglisë e Panamasë. "Tre Luanët", pas fitores së vuajtur me Tunizinë, kanë mundësinë të marrin 3 pikë të tjera për t'iu bashkuar Belgjikës në 1/8-at e finaleve, një objektiv që kombëtarja e Mbretërisë së Bashkuar dështoi ta arrinte 4 vite më parë.

Anglia do të kërkojë të fitojë ndaj Panamasë edhe për të diskutuar vendin e parë në grup me Belgjikën, por "Tre Luanëve" u duhet që të fitojnë me goleadë këtë ndeshje, për të pasur këtë mundësi, pasi Belgjika ka një golavarazh +7 kundrejt atij +1 të britanikëve.

a.s/dita

“Punon për presidentin Trump? Dil jashtë nga restoranti!”

Posted: 24 Jun 2018 01:52 AM PDT

 

Sekretarja për Shtypin në Shtëpinë e Bardhë, Sarah Sanders është dëbuar nga një restorant mesnatën e së premtes, për shkakun e thjeshtë se punon për presidentin Donald Trump!

Bashkëpronarja e "Red Hen" në Lexington të Virginias u kishte kërkuar Sandersit dhe familjes së saj të largoheshin, në shenjë proteste kundër administratës "Trump".

Sipas postimit të Sanders në "Twitter", "veprimet e bashkëpronares flasin më shumë për të, sesa për mua".

Stephanie Wilkinson e ka argumentuar veprimin e saj me besimin se Sanders punon për një administratë "çnjerëzore dhe joetike".

Duke folur për "Washington Post", ajo thotë se i kërkoi zëdhënëses së presidentit Trump të largohej nga tryeza e rrumbullakët me 26 karrige në restorantin e saj, pasi e kishte konsultuar më parë me stafin këtë vendim.

"Më thoni se çfarë dëshironi që të bëj me të. Mundem t'i kërkoj edhe të largohet", iu është drejtuar pronarja pjesëtarëve të stafit, të cilët menjëherë i kanë thënë "po", sipas rrëfimit të saj.

Incidenti vjen vetëm pak ditë pasi Sekretarja e Brendshme, Kirstjen Nielsen u prit me vërshëllima e thirrje kundër në një restorant meksikan në Washington DC.

Të dyja rastet vijnë mes presionit gjithnjë e më të shtuar ndaj qeverisë amerikane, për shkak të politikës kontroverse të saj me ndarjen e fëmijëve emigrantë nga prindërit në kufirin meksikan.

Vendimi i administratës për të ndjekur penalisht cilindo prej emigrantëve pa dokumente që kalojnë kufirin për të shkelur në tokën amerikane solli për pasojë ndarjen e rreth 2.300 fëmijëve nga prindërit e tyre gjatë periudhës maj-qershor, e nxiti irritim masiv jo vetëm amerikan por global.

Presidenti Trump e ka ndalur tashmë me dekret ndarjen e fëmijëve nga prindërit, por mbetet ende i vendosur për zbatimin e politikës së "tolerancës zero".

a.s/dita

“Bota po kthehet në vitet 1930”

Posted: 24 Jun 2018 01:39 AM PDT

 

Jonathan Freedland*

Presidenti amerikan ndan fëmijët nga prindërit, ndërkohë që të ngjashmit e tij në Europë dehumanizojnë emigrantët. Ne e dimë se ku të çon kjo urrejtje.

Ligji i Goduinit është që sa më gjatë të vazhdojnë debatet në internet, aq më shumë gjasa ka që dikush të përmendë Hitlerin dhe nazistët. Ky ishte një vëzhgim argëtues e që i shërbente një qëllimi të dobishëm, mbrojtjes ndaj hiperbolave dhe krahasimeve të tepruara. Por gushtin e shkuar, kur e djathta ekstreme në Amerikë organizoi një paradë me pishtarë në Charlottesville, Majk Goduin "e pezulloi" ligjin e vet. "Mund t'i krahasoni pa problem këta plehra me nazistët", shkroi ai në Twitter. "Do të jem gjithnjë me ju".

Pavarësisht këtij përjashtimi, unë vendosa t'i bindem versionit tim të ligjit të Goduinit. Përpiqem t'i shmang krahasimet me nazistët, kryesisht sepse janë pothuajse gjithnjë gabim, por gjithashtu, edhe pse nuk duan të dramatizojnë tmerret, zakonisht shërbejnë për të minimizuar vrasjen e milionave në vitet 1940. Megjithatë, kjo lloj vetëpërmbajtjeje ka një çmim. Nëse e quajmë epokën e nazizmit si diçka që nuk duhet përmendur, si diçka që është aq e largët në përvojën e njerëzve normalë sa mund të ketë ndodhur edhe në ndonjë planet tjetër, në planetin Aushvic, atëherë rrezikojmë të mos e marrim mësimin nga kjo ngjarje. Do të na bënte të çonim dëm përfitimin thelbësor që ofron studimi i Rajhut të Tretë: një sistem parandalues sa nuk është vonë.

Prandaj, po: kur Donald Trump urdhëroi autoritetet amerikane të ndanin fëmijët e emigrantëve nga prindërit, të shkulnin nga etërit të vegjlit duke qarë, të hiqnin bebe nga gjiri i nënave, ai vërtet që nuk po rikrijonte Holokaustin. Ai nuk po urdhëronte shfarosjen e një populli të tërë dhe as nuk po dërgonte miliona drejt vdekjes. Por këto ishin jehona nga e shkuara dhe duhet t'i dëgjojmë.

Në radhë të parë, është vetë akti i ndarjes. Nëse i merr në intervistë të mbijetuarit e Holokaustit, një gjë që vëren është se edhe ata që janë mësuar të përshkruajnë ngjarje nga më mizoret, që dinë ta mbajnë veten, shpesh janë gati të derdhin lot kur kujtojnë pikërisht çastin e ndarjes nga prindërit. Shumica sot janë mbi të tetëdhjetat, por po u kthehen kujtimet te ai çasti i tmerrshëm i fëmijërisë, një tmerr që nuk i lë kurrë.

Prindërit e që u ndanë nga 2300 fëmijë në kufirin midis Meksikës dhe SHBA-ve vërtet që nuk u morën për t'u vrarë. Por në ato çaste ata nisin të besojnë se mund të mos i shohin më kurrë bijtë e bijat e tyre, pasi disa ishin ndarë me mijëra kilometra larg njëri-tjetrit. Nuk ka asnjë sistem që t'i ribashkojë. Fëmijët nuk ishin regjistruar siç duhet. Si mund të shpjegojë një dy-vjeçar që s'di anglisht se cili është e se nga vjen? Ndoshta pas 80 vitesh, burra e gra të moshuar do të përloten kur të kujtojnë se si nëna e tyre u mor nga agjentë me uniforma të qeverisë amerikane dhe nuk u panë më kurrë.

Por jehona që kujton të shkuarën nuk mbaron me kaq. Aty pati kafaze. Rojat u thoshin fëmijëve që qanin që nuk u lejohej të përqafonin njëri-tjetrin. Dhe pastaj detaji ngjethës, i raportuar nga "Texas Monthly". Rojat kufitare amerikane nuk ua thonë gjithnjë prindërve që po u marrin fëmijët për t'i çuar diku larg. U thonë që po i marrin  për t'u bërë dush. Fëmija largohet dhe pas 20 minutash, pas një ore, kur prindërit pyesin: "Ku është pesë-vjeçari im?" "Ku është shtatë-vjeçari im?" "Pse po zgjat kaq shumë ky dushi". Dhe aty oficeri u thotë se nuk do ta shohin më fëmijën. Është e njëjta gjë që u thoshin hebrenjve: "Do të bëni një dush", e pastaj i ekzekutonin. Por përdorimi i kësaj gënjeshtre është jehonë nga e shkuara, e madje me zë shumë të lartë.

Dhe nëse mekanika e këtij operacioni kujton diçka, po ashtu kujton edhe propaganda dhe retorika e atyre që i mbrojnë këto ngjarjes. Nuk keni pse të ktheheni në Gjermaninë e viteve 1930 për të ditur se hapi i parë drejt katastrofës është dehumanizimi i një grupi që fyhet. Kjo ndodhi në Ruandë e në Ballkan në vitet 1990, dhe tani po ndodh në SHBA. "Nuk janë njerëz, por kafshë", tha presidenti amerikan muajin e shkuar. "Duan të mësyjnë vendin tonë", shkroi këtë javë në Twitter. "Mësyjnë", është fjalë që përdoret për minjtë dhe insektet. Kjo është gjuha e atyre që duan të ulin simpatinë njerëzore për një grup, duke sugjeruar se ata që po vuajnë nuk janë njerëz.

Mbrojtësit e Trumpit e përforcojnë këtë mesazh. Ishte tronditëse të shihje se si zgërdhihej Steve Hilton (i cili ka qenë dikur "guru pa këpucë" i "Downing Street" të David Cameron, tani i kthyer papritur në drejtues lajmesh për Fox News) kur Ann Coulter i quante fëmijët që qanin "aktorë". Mesazhi i saj u përsërit edhe nga Nigel Farage po në Fox, i cili e nxiti Trumpin që të mos lëkundej nga "çjerrjet e medias liberale, por të qëndronte e fortë".

Farage të kujton se kjo dukuri nuk po ndodh vetëm brenda SHBA-ve. Ministri i Brendshëm i Italisë, Mateo Salvini, ka bërë thirrje për një pastrim (ose spastrim) të vendit nga refugjatët, "rrugë më rrugë e lagje më lagje". Plani i tij është të regjistrojë romët që jetojnë në Itali. "Ata me nënshtetësi italiane, për fat të keq duhet t'i mbajmë", tha ai.

Shenjat janë aty, nëse duroni t'i shihni. Në botën tonë po ndodh diçka. Të tjerë kanë vënë re se si po nis të shkërmoqet arkitektura botërore e ndërtuar pas-vitit-1945, teksa Trump minon aleancat me perëndimin dhe favorizon tiranitë autoritare. Por rendi botëror i pas-luftës është duke u shkërmoqur në një mënyrë tjetër, edhe më të shëmtuar.

Normat dhe tabutë që u vendosën pasi bota dëshmoi Holokaustin janë duke u shkelur para syve tanë. Për 70 vite, sa jetëgjatësia e një njeriu, bota i vuri kapak impulseve të errëta që kemi parë të vërviten brenda secilit prej nesh. Po nis të bëhet tabu të ngresh zërin kundër racizmit dhe ksenofobisë. Frika e neveria ndaj të huajit nuk ishte larguar kurrë, sigurisht. Por e kishim mbajtur nën kontroll, pjesërisht nga fakti se dihej ku të çonte urrejtja e shfrenuar.

Në këto çaste, në SHBA, Itali, Hungari, Poloni e vende të tjera, këto kapakë janë hequr. Madje, heqja e tabuve duket sikur u ngjall një emocion mashkulli agresiv, duke u bërë jehonë fjalëve dhe ngjarjeve të epokës më të errët të historisë njerëzore. Duket sikur kufijtë që u shkruan pas viteve 1945, për të shënuar se cila pjesë e sjelljes njerëzore ishte e pranueshme, ishin thjesht viza në rërë dhe tani ka nisur batica.

Kjo nuk ndodh sa hap e mbyll sytë. Kjo ndodh pak e nga pak, fjalë pas fjale, dhe çdo hap që hedhim në këtë drejtim na zbret gjithnjë e më thellë në gropë. Kjo është arsyeja se pse secili nga ne duhet ta luftojë tmerrin e sotëm. Nëse nuk luftojmë, kushedi se çfarë tmerresh na presin.

*The Guardian

Festa e Rrunës në Malzi të Kukësit, një traditë që vazhdon

Posted: 24 Jun 2018 01:26 AM PDT

 

Ali Hasani

Tradicionalisht, në Malzi të Kuksit me 1 korrik të çdo viti është kremtuar " Festa e Rrunës". Por duhet theksuar se fillimet e kësaj feste datojnë shumë herët dhe se Rruna është një festë pagane, parakristiane, që vazhdon të festohet sot e kësaj dite në fshatrat e Malziut. Në rrugëtimin e saj të gjatë e qindravjeçarë, banorët e këtyre anëve motivin e kësaj feste e kanë krishtëruar apo muslimaniazuar pse jo edhe pasuruar apo ndryshuar në shenjë respekti për një nga shenjtorët që mendohej se paska qenë vendosur në majën e malit të Rrunës. Thuhet se që në kohët më të hershme "Rruna" është festuar njëkohësisht nga banorët e fshatrave të dy anëve të malit, si nga ato të Malziut në veri po ashtu edhe nga ato të Fanit në pjesën jugore.

Por edhe në periudhën e krishterimit, kjo festë edhe pse pagane, është festuar më 1 Korrik të çdo viti. Ditën e festës, një numër i madh besimtarësh mirditorë, ngjiteshin herët në majën e malit të Rrunës dhe aty bëheshin lutjet e rastit. Besimtarëve u printe një prift që kryente ceremoninë fetare në kujtim të një shenjti që ata e kanë pagëzuar "Shejti i Rrunës". Në këtë majë mali besimtarët kristianë faleshin apo luteshin, që të kishin një verë me shumë shira, që të siguronin prodhime të bollshme dhe për rrjedhojë të zhvillonin edhe blegtorinë.

Me pushtimin osman, malziasit u konvertuan në besimin islam, por ato asnjëherë nuk hoqën dorë nga "Rruna e tyre", asnjëherë nuk pranuan edhe nuk lejuan, që festën e tyre ta drejtonte një prift. Kjo mosdakortësi, sigurisht solli edhe mosmarrëveshjet e para midis dy komuniteteve fetare, të krishterëve dhe muslimanëve: Pra u vu në diskutim fakti se kush do të drejtonte ceremoninë e festës së Rrunës, prifti apo hoxha ? Për këtë qëllim u vendos dhe u kërkua, që qështja të zgjidhej me mirëkuptim nga besimtarët e të dy feve të kryesuar nga prifti i Fanit dhe nga sheh Tahiri. Prifti dhe shehu, që në takimin e tyre të parë, vendosën që ndjekësit e tyre nga secili komunitet, nga dy anët e malit të niseshin në të njëjtën kohë dhe pala që do të arrinte e para në majën e Rrunës, do të fitonte të drejtën e organizimit të ceremonialit të festës.

Gojdhëna na thotë se që në orët e para të ditës së Rrunës moti u "tërbua" shum vetëm në anën e Fanit saqë aty u bë shum ftohtë dhe u shoqërua me shi e furtunë të madhe. Në një mot të tillë të ashpër, prifti nga të ftohtit e madh u sëmur rëndë dhe gjatë rrugës, pa mbërritur në majën e malit vdiq. Ndërkohë në anën veriore të malit ku jetonin malziasit, sheh Tahiri me pasuesit e vet, arriti të ngjitet shëndosh e mirë në majën e Rrunës, kështu që sipas vendimmarrjes së fillimit, shehu e fitoi të drejtën që të drejtonte ceremonialin e lutjeve në malin e shejtë të Rrunës. Këtë detyrë ai e ka kryer deri sa ishte gjallë dhe pas vdekjes, ajo u takoi pasardhësve të tij. Në mungesë të shehlerëve ceremoninë e ka kryer hoxha i fshatit Dukagjin. Sigurisht që ka edhe gojdhëna të tjera të përafërta për këtë histori, por e përbashkëta e gjihtë varianteve që janë thënë, është fakti se malziasit festën e Rrunës e kanë festuar çdo vit më 1 korrik dhe kanë drejtuar ata ceremonialin e kësaj feste tradicionale deri në fillim të vitit 1967.

Por më 6 shkurt 1967 partia-shtet i shpalli luftë frontale fesë dhe ndaloi me ligj ushtrimin e saj në Shqipëri. U mbyllën të gjitha kishat, xhamitë, teqetë, tyrbet dhe objektet e tjera të kultit si dhe u pushuan nga puna të gjithë predikuesit e fesë: priftërinjtë, hoxhallarët e shehlerët. Shumë prej tyre u burgosën, u internuan si edhe u demaskuan përpara popullit. Popullit ju ndalua që të predikonte apo ushtronte ritet fetare. Kjo ndodhi me të gjitha vendet që populli i quante " të shejta ". Kështu ndodhi edhe me "Rrunën" !. Megjithëkëtë, është fakt interesant që edhe në kushte represioni, populli i Malziut e ka festuar "Rrunën" vazhdimisht edhe në atë kohë, por me një "ndryshim" të vogël që i bënë datës. Kështu me "marrëveshje" malziasit ranë dakord që " Rrunën " ta festonin jo më 1 korrik datën e vërtetë të saj, por më 10 korrik, ditën e festës së ushtrisë. Dhe vërtetë kështu ka ndodhur për 25 vite me radhë, që nga 6 shkurti i vitit 1967 e deri në vitin 1991, dita e Rrunës është festuar më 10 korrik.

Por pas rënies së komunizmit gjërat ndryshuan përsëri, kësaj radhe për të mirë sepse ranë në traditën e hershme. Në vitin 1992, një grup i nderuar shokësh nga fshatrat e Malziut, mbas 25 vjetësh, organizuan të parën "Festë Rrune" të lirë. Nismëtarët e parë të kësaj veprimtarie kanë qenë drejtuesit e stacionit të mbrojtjes dhe shtimit të pyjeve për zonën e Shemrisë (e më gjërë) Xhelal Shuti e Hasan Alija (dajë e nip), farmacisti Daut Ahmeti (sot me banim në SHBA., shoferët Qamil Picari, Skënder Brija e Besnik Picari, Agim Ahmeti etj. Ishte ftuar dhe mori pjesë edhe Maxhun Dida, ish drejtor i ndërmarrjes pyjore Kukës, që më vonë u bë drejtor i përgjithshëm i pyjores për Republikën.

Me atë rast, në majën e Rrunës ata organizuan një drekë të mirë me ushqime bio të krahinës, si dhe u argëtuan, duke kënduar këngë e hedhur valle popullore si dhe duke treguar histori, anekdota, humor si dhe u zhvilluan lojëra me top.

Na thanë se kishin organizuar një festë që pjesëmarrësit e kujtojnë edhe sot me nostalgji. Për koincidencë ata na thanë se po atë ditë, rastësisht kishin takuar edhe "dy banorë" nga Thirra e Fanit, të cilët i kishin pritur me nderime. Ata kujtojnë se kanë shkruar edhe shënime të shkurtra emocionale për festën dhe disa prej atyre shënimeve i kishin futur në shishe boshe dhe këto të fundit i kishin mbuluar me gurë në majë të Rrunës. Dhe tradita vazhdon!…

Ndoshta është koincidencë, por tashmë është fakt se me iniciativën e biznesmenit zotni

Kadri Morina më 1 korrik 2018 mbas 25 vitesh nga takimi i vitit 1992, malziasit do t'i rikthehen traditës së tyre të kahershme dhe do të festojnë të bashkuar edhe këtë vit "Ditën e Rrunës".

Këtë nismë do ta mbështesë edhe "Shoqata Atdhetare Kulturore Malziu" e themeluar në Tiranë në vitin 1996 dhe e riorganizuar në 25 maji të këtij viti. Kryesia e re e sapozgjedhur e kësaj shoqate ka obligimin dhe është e vendosur që të kontribuojë në organizimin dhe sigurimin e pjesëmarrjes në këtë festë, si edhe të konsolidimit të traditës, që kjo festë të kalojë sa më mirë.

Gëzuar 1 korrikun, Festën e Rrunës!.

Dasmë reale në “Game of Thrones” (FOTO)

Posted: 24 Jun 2018 01:13 AM PDT

 

Yjet e serialit "Game of Thrones", Kit Harington dhe Rosie Leslie kanë kurorëzuar me martesë historinë e tyre të dashurisë.

Ata u takuan së bashku në vitin 2012 kur po filmonin në Islandë për serialin e famshëm, ku interpretojnë Jon Snow dhe Yrditte.

Menjëherë sapo u bë publik lajmi i romancës së tyre, u bë e ditur se ata ishin fejuar dhe kishin nisur bashkëjetesën.

Mirëpo tetorin e vitit që lamë pas aktori i njohur e surprizoi partneren tij me një propozim martese.

"Kisha bërë disa plane për këtë ditë, do të vendosja disa drita në pemë dhe të bëja gjithçka në një mënyrë sa më romantike. Por, në minutën e fundit hoqa dorë nga plani. Ne ishim në një fshat, një mbrëmje nën një qiell të mrekullueshëm, kishim ndezur zjarr, verë të kuqe dhe unë e bëra propozimin pak më herët. E di që është një veprim i keq, unë kisha qëllim ta bëja më pas me dritat, por ja që e bëra pyetjen pak më herët", tha Kit asokohe.

Mirëpo mesa duket dita e madhe erdhi dhe dy aktorët e dashur të Hollivudit kurorëzuan sot me martesë historinë e tyre të dashurisë.

Dasma e tyre u zhvillua në Scotland dhe të pranishëm ishin edhe anëtarët e stafit të serialit "Game of Thrones".

Në fotot e publikuara në Instagram nga ceremonia e dasmës ata shfaqen më të lumtur se kurrë përkrah njëri-tjetrit.

a.s/dita

Udhëtonte me 6 mina me telekomandë në “Peugeot:, arrestohet 46-vjeçari (VIDEO)

Posted: 24 Jun 2018 01:01 AM PDT

 

Policia e Lezhës ka finalizuar me sukses një operacion të koduar "udhëtimi", gjatë së shtunës, si pasojë e të cilit është goditur një tjetër rast përpjekjeje për tregtimin e minave me telekomandë.

I arrestuar në flagrancë ka përfunduar 40-vjeçari nga Tirana, Eduard Sinanaj, i cili rezulton një person me precedentë penalë, i dënuar më herët edhe për "dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit".

Ndalimi i tij është bërë në aksin rrugor Milot-Lezhë, në vendin e quajtur "Ishull Lezhë", teksa udhëtonte me automjetin tip Peugeot, në bagazhin e të cilit u gjet një rrotë karroce ku ishin fshehur 6 mina me telekomandë, të sekuestruara tashmë në cilësinë e provës materiale nga policia.

Materialet proceduriale hetimore i kanë kaluar tashmë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, ndërsa i arrestuari akuzohet për "trafikim të armëve dhe municioneve".

a.s/dita

Njihuni me 6 kandidatët presidencialë turq

Posted: 24 Jun 2018 12:49 AM PDT

 

Gjashtë kandidatë janë në listë për zgjedhjet presidenciale që po zhvillohen sot në Turqi, fituesi i të cilave do të ketë pushtete të shtuara, në përfundim të një rishikimi kushtetues të miratuar nga referendumi në muajin prill 2017.

Pjesa më e madhe e kandidatëve të opozitës konfirmuan se në rast fitoreje, ata do të mbanin sistemin parlamentar aktual.

Nëse asnjë kandidat nuk merr më shumë se 50% të votave që prej turit të parë një i dytë do të zhvillohet më 8 korrik:

Rexhep Taip Erdogan

Presidenti aktual, Rexhep Taip Erdogan, i lindur më 26 shkurt 1954 në Stamboll kandidon të dielën për një mandat të ri.

Ky baba i katër fëmijëve është në krye të vendit që prej vitit 2003, si kryeministër dhe tashmë si president që prej vitit 2014.

Ai e filloi karrierën politike si kryetar i Bashkisë së Stambollit në vitin 2014 dhe krijoi në vitin 2001 Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), një makinë e vërtetë që ka fituar zgjedhjet dhe që ka dominuar skenën politike që prej zgjedhjeve të vitit 2002.

Muharrem Ince

I lindur më 4 maj 1964 në Yalova (veriperëndim), Muharrem Ince, një ish-profesor i fizikës, ka krijuar të papritura gjatë kësaj fushate në sajë të stilit të tij luftarak.

Ai u zgjodh për të përfaqësuar Partinë Republikane të Popullit (CHP), edhe pse ai ka dështuar dy herë në marrjen e kryesimit të partisë në të kaluarën.

Meral Aksener

Meral Aksener, e lindur më 18 korrik 1956 në Izmit (veriperëndim)nord-ouest), ka qenë e para nga opozita që ka njoftuar kandidaturën, nën flamurin e Bon Parti (Iyi Parti) që e themeloi në muajin tetor.

Kjo nacionaliste konservatore, nënë e një djali, ka qenë ministre e Brendshme në vitet 1990 dhe për një kohë të gjatë ka qenë anëtare e MHP-së, një parti ultranacionaliste, tashmë aleate e Erdoganit.

Selahattin Demirtas

Selahattin Demirtas, i lindur më 10 prill 1973 në Diyarbakir (juglindje), u zgjodh si kandidat i Partisë Demokratike të Popullit (HDP), edhe pse është i ndaluar që prej nëntorit 2016.

Temel Karamollaoglu

I lindur më 7 qershor 1941 në Kahramanmaras (jug), Temel Karamollaoglu i Partisë së Lumturisë (SP), ka qenë tre herë deputet, veçanërisht për Partinë për Prosperitet (Refah).

Sipas biografisë së publikuar në faqen e partisë së tij, ai ka qenë gjithashtu një bashkëpunëtor i afërt i Necmettin Erbakan, mentori në politikë i Erdogan.

Dogu Perinçek

I lindur më 17 qershor 1942 në Gaziantep (jug), Dogu Perinçek drejton Partinë Patriote (Vatan).

Ky njeri i ligjit, baba i katër fëmijëve, është burgosur disa herë, veçanërisht pas grushtit të shtetit në vitin 1980.

a.s/dita

Turqia voton sot për Presidentin dhe Parlamentin

Posted: 24 Jun 2018 12:26 AM PDT

 

Shtetasit turq u janë drejtuar kutive të votimit që prej orës 8 të mëngjesit, me orën lokale, të kësaj të diele, në një palë zgjedhjesh presidenciale e parlamentare njëkohësisht, për të vendosur nëse do t'i japin presidentit Rexhep Taip Erdogan një mandat të dytë 5-vjeçar, në ato që shihen si zgjedhjet më të luftuara prej vitesh në vend.

Rreth 60 milionë turq janë me të drejtë vote në këto zgjedhje, nga ku do të zgjidhet presidenti i ri dhe legjislatura e re.

Plot 6 kandidatë po garojnë për Presidencën, e nëse njëri prej tyre fiton më shumë se 50% të votave, ai zgjidhet menjëherë. Nëse nuk e kalon këtë prag, atëherë dy kandidatët më të votuar do të përballen me balotazhin më 8 korrik.

Në zgjedhjet parlamentare, presidenti i AKP-së do të përballet me një sfidë të vështirë për të ruajtur shumicën në Asamblenë 600 anëtarëshe. Gara vë përballë koalicionin qeverisës përballë aleancës së partive opozitare.

Nëse Erdogani do të fitojë, ai pritet të adoptojë fuqitë e reja politike, të cilat sipas kritikëve do të dobësojnë regjimin demokratik të vendit. Por, ai përballet me një sfidë tejet të fortë nga kandidati i qendrës së majtë, Muharrem Ince, pjesëtar i Partisë Popullore Republikane (CHP).

Turqia vijon të mbetet nën gjendje emergjence, të vendosur që prej përpjekjes së dështuar për grusht shteti në korrik të vitit 2016. Këto zgjedhje ishin parashikuar të mbaheshin në nëntor të vitit 2019, por u afruan në kohë nga vet Erdogani.

Kreu i shtetit turk dhe rivali i tij kryesor, Muharrem Ince, zhvilluan mitingje të mëdha gjatë së shtunës, në ditën e fundit të fushatës zgjedhore për ta, teksa secili prej tyre e quajti rivalin si "të papërshtatshëm" për të drejtuar Turqinë.

Ince, fushata e ashpër e të cilit ka rigjallëruar opozitën e demoralizuar turke, premton të zmbrapsë atë që ai e karakterizoi si rënie e vendit drejt regjimit autoritar nën drejtimin e Erdoganit.

"Nëse Erdogan fiton, telefonat tuaj do të përgjohen sërish… Frika do të vazhdojë të mbizotërojë", tha ai përpara të paktën një milion njerëzve të mbledhur në Stamboll. "Nëse Ince fiton, gjykatat do të jetë të pavarura".

Ince tha gjithashtu se, nëse zgjidhet, ai do ta heqë gjendjen e emergjencës brenda 48 orëve. Kjo gjendje i lejon qeverisë të anashkalojë Parlamentin për vendimmarrje të ndryshme.

Ndërsa në mitingun e tij, presidenti Erdogan – i cili ka qenë kryeministër për 11 vite përpara se të merrte postin e kreut të shtetit në vitin 2014, – përdori një metaforë të dhunshme për të përkufizuar shpresat e tij për fitore, teksa pyeti mbështetësit: "A do t'u japim atyre një shuplakë otomane, nesër?"

Ai akuzoi rivalin Ince, një ish-mësues dhe deputet prej 16 vitesh, se i mungon aftësia për të drejtuar. "Është gjë tjetër të jesh mësues fizike dhe komplet tjetër gjë të drejtosh një vend, – tha Erdogan. – Të jesh president kërkon një eksperiencë të jashtëzakonshme".

a.s/dita

FIFA hap hetim për “shqiponjën”, por edhe për Serbinë

Posted: 24 Jun 2018 12:14 AM PDT

 

Ishin heronjtë e ndeshjes duke përmbysur rezultatin dhe duke i dhënë fitoren kombëtares së Zvicrës ndaj Serbisë.

Por Xhaka e Shaqiri përveç fushës së lojës, "pushtuan" edhe mediat dhe rrjetet sociale me veprimin e tyre gjatë festimit të golave.

Dy futbollistët me origjinë shqiptare festuan duke bërë me duar shqiponjën.

Për këtë gjest ata do të jenë subjekt i një hetimi të hapur nga trupi disiplinor i FIFA-s.

Në një deklaratë të nxjerrë nga FIFA mbrëmjen e së shtunës, thuhet:

"Komisioni Disiplinori i FIFA-s ka hapur një procedurë disiplinore ndaj lojtarëve të Zvicrës, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri për festimet e tyre të golave kundër Serbisë.

Në lidhje me të njëjtën ndeshje, janë hapur edhe procedura disiplinore ndaj Federatës së Serbisë, për shfaqje të mesazheve politikë nga ana e tifozëve serbë, si dhe për rrëmuja tifozësh.

Gjithashtu, një hetim është hapur edhe kundër trajnerit të Serbisë, Mladen Krstajiç për deklaratat e bëra në përfundim të ndeshjes."

Hetimi ndaj Krstajiç është hapur për komentet e bëra pas ndeshjes, ku ai thotë: "Për fat të keq, vetëm serbët dënohen nga një drejtësi selektive. Më përpara Gjykata e Hagës, ndërsa tani Var".

Por krahasimi me Gjykatën e Hagës, ku gjeneralët serbë janë dënuar për krime ndaj njerëzimit duket se do ti kushtojë shtrenjtë trajnerit serb.  

Sipas mediave ndërkombëtare, Shaqiri dhe Xhaka rrezikojnë të gjobiten, por nuk përjashtohet të pezullohen dhe për një ndeshje.

Pas ndeshjes, që ekipi i tij e fitoi 2-1, trajneri boshnjako-zviceran Vladimir Petkoviç është pyetur në lidhje me festimet e lojtarëve të tij, duke thënë se "kurrë nuk duhet të ngatërrohet futbolli me politikën. E rëndësishme është të jesh tifoz dhe të respektosh të tjerët. Ishte një atmosferë e mrekullueshme dhe kjo është ajo që duhet të bëjnë tifozët".

a.s/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more