Skip to main content

“Krimi “vrasje – vetëvrasje”, mes psikologjisë dhe kulturës” plus 2 more Telegrafi Opinione

“Krimi “vrasje – vetëvrasje”, mes psikologjisë dhe kulturës” plus 2 more Telegrafi Opinione


Krimi “vrasje – vetëvrasje”, mes psikologjisë dhe kulturës

Posted: 21 Jun 2018 01:49 AM PDT

Çapajev Gjokutaj

1. Ditët e fundit një 31-vjeçar vrau në Tiranë një gjimnaziste 18-vjeçare. Arsyeja: vajza refuzonte vazhdimin e një lidhjeje dashurie. Brenda pak orësh lajmi u bë viral, e hasje kudo në televizione, radio, gazeta, portale, rrjete sociale. Lexuesi a shikuesi kanë interes të shtuar për lajme të tilla. Dhe është e kuptueshme. Këto lloj ngjarjesh kanë fuqi ngashënjyese, përmbajnë dramë, mëdyshje, përplasje, gjak e vetëmohim. Nga antikiteti deri në ditët tona, përbërës të tillë kanë ngjizur kryevepra dhe kanë tërhequr dete lexuesish e spektatorësh në çdo kohë.

Shënimet në vijim nuk synojnë të përshkruajnë rastin në fjalë, aq më pak ta gjykojnë atë nën prizmin: cilat ishin fajet e djalit e cilat të vajzës. Përtej rastit konkret, synohet kryesisht dukuria, sepse kur ndjekim sensacione të kësaj natyre, mbase na bën mirë t'i ikim sadokudo kërshërisë dhe të kujtojmë edhe disa gjëra të tjera.

2. Krimi "vrasje – vetëvrasje" nuk është dukuri thjesht shqiptare. Haset gjithandej. Statistikat thonë se në vendet e vogla të Evropës si Zvicra, Holanda, Finlanda etj. ndodhin 5-6 krime të tipit "vrasje – vetëvrasje" në vit. Në Britani shifra ngjitet në 29, kurse në Gjermani arrin 63. Në çdo rast, gati gjysma e këtyre e krimeve gjallojnë në skemën "ai – ajo", d.m.th. burri vret gruan, partneri partneren a ish-partneren dhe pastaj ia heq dhe vetes. Përtej përshtypjes së parë, mashkulli i rasteve të tilla nuk dëshmon forcë e burrëri, përkundrazi. Psikologët e përcaktojnë profilin e tij si karakter i dobët dhe i paqëndrueshëm.

Të vrasësh tjetrën pastaj edhe veten, përbën spektakël shpërthyes, sepse bashkon dy ngarkesa të kundërta, njëra shfaqet në dukje, tjetra gjallon në thelb. Ngjan si demonstrim i një force të pazakontë, vrasësi ngre dorë kundër jetës. Jo vetëm kundër jetës së tjetrit, por edhe kundër jetës së vet. Në thelb, është pafuqi bërtitëse: vrasësi nuk e përballon dot jetën, por nuk përballon dot as vdekjen. Ndaj kërkon ta shoqërojë edhe dikush tjetër. Si rregull, karaktere të tilla janë të paaftë të përballen me stresin dhe me opinionin.

Nuk gjejnë dot identitetin e tyre ndaj atashohen me tjetrën. Ndarja prej saj u ngjan si fund i ekzistencës vetjake, si zhbërje identitare. Krimineli që kryen vrasje pastaj ia heq edhe vetes, konkludojnë kërkimet psikologjike, ka përgjithësisht person alitet narcistik, nuk i reziston stresit, bie në depresion. Për të gjetur pak dritë në këtë tunel të errët jo rrallë përdor lëndë narkotike ose alkool dhe priret t'i ikë vetëkontrollit. Me një fjalë, karakter i dobët.

3. Duket se edhe ekzekutuesit shqiptarë të krimit "vrasje – vetëvrasje" kanë po këtë profil psikologjik. Nëse duam të gjejmë diçka mirëfilli shqiptare, duhet t'i ikim rrafshit të psikologjisë e të vijmë në rrafshin e kulturës. Te ne mungojnë kërkimet për këtë lloj krimi, megjithatë, mund të thuash se vrasjet në përgjithësi i kemi disi të favorizura. Shpesh vret vëllai vëllanë për një copë tokë, fqinji fqinjin për një gardh, burri gruan pse nuk i hapi dritaren, babai vajzën pse i ktheu fjalën etj., etj..

Vrasje ndodhin kudo, por motivet vështirë se mund të jenë kaq banale. Ia marrim jetën tjetrit për hiçmosgjë. Kjo lehtësi për të vrarë duket se është favorizuar nga dobësia e shtetit dhe fuqizimi i vetëgjyqësisë, kriza e vlerave, ndikimi sipërfaqësor i feve etj.. Vetëkuptohet që kjo klimë favorizon edhe krimin "vrasje – vetëvrasje". Maskilizmi është një dukuri tjetër kulturore që favorizon krimin "vrasje – vetëvrasje", madje e favorizon drejtpërdrejt. Ndihesh keq kur në "Facebook"-un e 31-vjeçarit që vrau gjimnazisten këtë javë, gjen jo një, por disa komente të tipit: të lumtë dora, mirë ia bëre, por s'kishe pse vrisje veten.

Para dy vjetësh, një biznesmen fierak vrau një vajzë që kërkonte të ndërpriste një lidhje dashurie dhe pastaj vrau edhe veten. Kufomën e vajzës e përcollën vetëm familjarët, kurse atë të biznesmenit e përcollën qindra vetë. Mentaliteti maskilist dënoi vajzën e gjorë, por favorizoi biznesmenin, megjithëse ishte ai personi që mbartte thuajse të gjitha fajet: e konceptonte vajzën si pronë, ishte i martuar e mbante lidhje jashtëmartesore, kishte kryer krimin e dyfishtë etj..

Kjo frymë e theksuar maskiliste të sjell ndër mend se segmente të tëra të shoqërisë sonë kanë një strukturim skizofrenik: mënyrën e jetesës, veshjet, makinat etj. i kanë bashkëkohore, por thellë vetes ruajnë patriarkalin e dikurshëm me mustaqe, qeleshe e mendje të mykur. Vetëkuptohet se strukturime të tilla skizofrenike kanë sjellë e do vazhdojnë të sjellin akte të çekuilibruara dhe vështirë të shpjegueshme, siç është dhe krimi "vrasje – vetëvrasje", që po shfaqet pak si dendur.

The post Krimi "vrasje – vetëvrasje", mes psikologjisë dhe kulturës appeared first on Telegrafi.

Despoti dhe diplomati

Posted: 20 Jun 2018 11:54 PM PDT

Në vitin 2005, kur isha kryenegociator-ve i SHBA në bisedimet gjashtëpalëshe mbi programin bërthamor të Koresë së Veriut, pashë instruksionet për takimin tim të parë, një banket i organizuar nga kinezët që përfshinte një delegacion koreanoverior. Nëse do të kishte dolli (jo të padëgjuara në banketet kineze), nuk duhej t'i bashkohesha. Mesa duket pritej që unë të rrija ulur, pa prekur gotën, duke parë i ngrysur me duart e kryqëzuara duke pritur që të tjerët të ulnin gotat. Më vonë, kur vizitova Korenë e Veriut për herë të parë, u udhëzova të mos i buzëqeshja mikpritësve të mi. Mesa duket pritej që unë të ofroja vetëm shikime të zemëruara.

Donald Trump qartazi i ka modifikuar ato udhëzime. Në fakt, me vlerësimet e tij të pafundme për lidershipin e Kim Jong-unit, përshëndetjen e tij të improvizuar dhe të ngathët ndaj një prej gjeneralëve të Kimit dhe përqafimit të tij ndaj gjërave që koreanoveriorët bëjnë (veçanërisht potenciali për ndërtime në plazh), Trumpi ka hequr dorë nga çdo pretendim se SHBA promovon një grup vlerash më të gjera. Por, ndërsa Trumpi mund ta ketë tepruar, ideja që delegacioni amerikan duhet të rrijë i ulur me gotat e paprekura gjatë një dollie gjithashtu paraqet një ton të gabuar.

Në shtator 1995, gjatë muajit të fundit të luftës së Bosnjës, delegacioni amerikan për bisedimet e paqes, kryesuar nga ndihmëssekretari i Shtetit, Richard Holbrooke, mbërriti në Beograd për bisedime me diktatorin e Serbisë, Sllobodan Milosheviq. Sipas Millosheviit, ai nuk mund t'i detyronte serbët e Bosnjës të tërhiqnin armatimet e rënda dhe të braktisnin rrethimin e përgjakshëm katërvjeçar të Sarajevës. Ai kërkoi nga Holbrooke të takohej me liderët serbë të Bosnjës, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq, të dy më pas të dënuar për krime lufte. Holbrooke e pyeti atë ku ishin. "Atje në atë vilë", u përgjigj Millosheviq. "T'i thërras?"

Holbrooke na mblodhi të gjithëve me ngut për ta diskutuar. "Duhet t'i takojmë?" më pyeti ai. "Nëse po, a duhet t'u jap dorën?" Duke menduar për qindra mijëra qytetarët e Sarajevës – shumë prej të cilëve të vrarë dhe ata që përballeshin me urinë si rezultat i rrethimit – iu përgjigja, "Jepja dorën dhe ta mbyllim këtë gjë e të shkojmë në shtëpi". Kështu bëmë. Rrethimi i Sarajevës u hoq të nesërmen.

Sado të ndihmojë ose jo, dhënia e dorës, nga ana tjetër negocimi duke i treguar dikujt grushtin ka rezultuar jo shumë i suksesshëm. Gjatë Lojërave Olimpike Dimërore në Pyeongchang në Korenë e Jugut, zëvendëspresidenti Mike Pence pritej të takohej me delegacionin koreanoverior. Ndoshta për të mbuluar kurrizin në atdhe, Pence foli disi ashpër para takimit. Koreanoveriorët e anuluan, si për të thënë se ç'kuptim do të kishte takimi?

Gjatë periudhës që jam marrë me bisedimet gjashtëpalëshe, kam shmangur përfshirjen në kritikat ndaj Koresë së Veriut. E dija se së shpejti – çdo javë – do të më duhej t'i takoja sërish dhe ndërsa një shfaqje kritike do të më ndihmonte në Uashington, në terren nuk do të ofronte aspak bashkëpunim, duke rrezikuar kështu punën për të negociuar fundin e programit bërthamor të Koresë së Veriut. Ka një dallim të madh mes të folurit ashpër në televizion dhe takimit përballë me koreanoveriorët. Diplomacia direkte është një mjet serioz për një qëllim serioz. Mbajtja e pozicionit nga distanca nuk është pjesë e tij.

Ndonjëherë gjuha e trupit është e vështirë për t'u kuptuar. Si ambasador i SHBA-ve në Irak, udhëzimet që merrja nga Uashingtoni rrallë vinin me ndonjë kuptim paraprak të përgjegjësisë për rezultatin. Më ishte thënë se puna ime përfshinte ndihmën për opozitën irakiane që të hiqnin kryeministrin e atëhershëm Nuri al-Maliki. Zyrtarët amerikanë në takimet në Uashington silleshin ashpër, si atletët e gjimnazit në dhomat e zhveshjes që i binin dollapëve përpara një ndeshje të madhe. Por, kur vinin në terren dhe takoheshin me Malikin, ata nuk i jepnin atij arsye për të besuar se ia donin të keqen.

Rrija në takime të tilla duke parë Malikin që më shihte, duke pyetur përse më parë e kisha paralajmëruar për uljen e durimit të qeverisë së SHBA me sundimin e tij autokratik dhe për pasoja të ashpra. Ndërkohë, vizitorët nga Uashingtoni mbanin një qëndrim delikat, nuancat e të cili Maliki do t'i kuptonte vetëm përmes ndonjë pajisje ç'kodimi.

Çdo diplomat duhet të ketë qëllime në një negociatë në emër të vendit të tij apo saj, që do të thotë se duhet të jetë i qartë rreth rezultatit përfundimtar dhe mënyrës më të mirë për ta arritur atë. Në Singapor, çështja ishte programi bërthamor i Koresë së Veriut. Asgjë tjetër nuk kishte rëndësi.

Koha do ta tregojë nëse koreanoveriorët kanë të njëjtin afeksion për Trumpin si ai ndaj tyre. Kimi dha shumë pak dhe me gjasa ishte i shtangur kur, për herë të parë, një president amerikan mori për të mirëqenë ankthin e supozuar të Koresë së Veriut rreth stërvitjeve të përbashkëta ushtarake SHBA-Kore e Jugut (që koreanoveriorët dinë të mbrohen). Ishte një lëshim shumë i madh që në një mënyrë apo në një tjetër duhej marrë me rezervë. Më gjerësisht, një kornizë për paqen dhe sigurinë që përfshin të gjitha palët e prekura direkt – Korenë e Jugut, Japoninë, Rusinë dhe Kinën – duhet projektuar.

Ngjashmërisht, historia e të drejtave të njeriut të Koresë së Veriut, një nga më të këqijat, duhet të trajtohet në të ardhmen – mbase, siç sinjalizova dhe unë në bisedimet gjashtë-palëshe, si një përbërës i marrëdhënieve diplomatike në vazhdimësi. Por, për tani, programi bërthamor i Koresë së Veriut duhet të jenë në krye të agjendës.

Nëse qasja e Trumpit do të funksionojë me Korenë e Veriut kjo do të varet nga diplomacia që pason samitin e Singaporit. Topi është i yti, sekretari i shtetit Mike Pompeo. /Project Syndicate/BIRN/

The post Despoti dhe diplomati appeared first on Telegrafi.

“Bon, bon, edhe nëse s’bon, s’bon…”

Posted: 20 Jun 2018 02:49 PM PDT

Tifozët e futbollit janë në trans. Jo vetëm bastoret, por edhe mediat po përfitojnë shumë nga kjo histeri. Politika po ashtu. Politika veçanërisht. Përfitimet e politikës kanë të bëjnë me vëmendjen e larguar nga ajo. Qytetarët në vend se të shfryjnë inatin mbi presidentët, qeveritarët , ministrat, zëvendësministrat (të cilët, meqë ra fjala, përbëjnë popullatën më të gjerë në politikën tonë), këtë muaj do të shajnë gjyqtarët, apo trajnerët, e shpesh edhe komentuesit e futbollit nëpër televizionet tona.

Shpëtuan zyrtarët e tjerë të cilët do të duhej të ishin në shërbim të qytetarëve, 24/7, por nuk janë. Me një fjalë, politikën, fal futbollit, në qershor, e ndoshta edhe në korrik, shumë më pak do ta kap lemza, e shumë më rrallë do t'u përmenden prindërit apo familja e ngushtë dhe e gjerë.

Kështu, opiumi i quajtur sport, nëse nuk është politikë gjithsesi është biznes. Pa të nuk bëjnë dot as biznesmenët tanë më të mëdhenj, politikanët të cilët, falë votës tonë, menaxhojnë fondet më të mëdha, me një fjalë e përfaqësojnë biznesin më të madh. Shteti është biznesi më i madh, jo vetëm te ne, por përgjithësisht në Ballkan.

Pra, edhe politika po merret me futboll. Ai që nuk është rreshtuar dika në futboll, nuk ka çfarë të kërkojë as në politikë. Më kot kërkova të di se me kë janë politikanët kryesorë. Ende është faza eliminuese.

Për shqiptarët, e veçanërisht ata të Kosovës, gëzim i madh, që në fillim. Kombëtarja "jonë" barazoi me Brazilin. Kjo ishte befasi e madhe e cila e theu mitin për kombet e mëdha në futboll. "Tradhtarët" që na bëjnë krenarë, ky mund të ishte një titull atraktiv për portalet të cilat dikur i shanin ata, sepse nuk po e linin Zvicrën për të mbrojtur ngjyrat kuqezi. Po të kishin lindur në Kosovë, në Shqipëri ata me gjasë do të ishin më shumë patriotë e më pak futbollistë të mirë si janë tani.

Pastaj deshëm të gëzohemi edhe për kombëtaren tonë tjetër, me të cilën identifikoheshim shumë nga ne, pra me Belgjikën. Por, Januzaj na e bëri me dije se nuk kemi përse gëzohemi. Me një fjalë, na bëri dush të ftohtë. "Le ta dijë, pra bota mbarë, se Januzaj nuk është (më) shqiptar", kështu do të përshtatej me situatën, thënia e moçme, e cila i atribuohet Fishtës, edhe pse ka të bëjë me kohë tjera e mbase me rrethana krejt të tjera.

"Jam lindur në Belgjik, jam belg dhe ndihem belg", tha ai, dhe asnjë nga këto tri pohime nuk mund të kontestohen nga askush, as të argumentohet me to diçka tjetër. Ai e di më së miri se cili është identiteti i tij sportiv, kulturor e kombëtar.

Por, ne kemi edhe kombëtaret tjera rezervë, nëse kombëtaret mund të zgjidhen në bazë të elementeve identitare. Për shembull shumëkush këto ditë bëri tifo për Arabinë Saudite apo për Egjiptin. Dikush madje edhe për Rusinë, sidomos për inat të sauditëve, por edhe për ndonjë arsye tjetër të panjohur apo ndonjë sentimenti nga e kaluara e tyre apo paraardhësve. Është futboll, s'ka nevojë për arsyetime politike.

"Unë jam me Serbinë", tha këto ditë një komentator shqiptar i sportit, dhe u bë i njohur edhe në Kosovë. Ka mënyra nga më të ndryshme për të marrë vëmendjen. Për shembull Bleona zhvishet, e Linda vishet me flamur kombëtar, Rama vë kollare e mbath atlete nëpër takime zyrtare, ndërsa Thaçi hiqet si burrë shteti modern.

Nejse, kjo deklaratë (jo)sportive u konsiderua si provokim politik në Kosovë. Edhe pse komentatori i (pa)njohur nuk po fliste për politikë. Kush e di ku fillon e ku mbyllet politika ndër ne. Që nga fëmijëria kishte bërë tifo për "Zvezdën" dhe ende ndien lidhje emocionale me futbollin serb e jugosllav. E çfarë ka të keqe këtu? Mund të thoshte se ndihet serb! Dhe, çfarë?

Gjithsesi, kjo në Tiranë kapërdihet më lehtë. Mbase çelësat e Prishtinës ende nuk ju kanë dhuruar asnjë serbi të famshëm, nga kryebashkiaku i saj. Anash se Prishtina ka vetëm kryetar, s'ka bashki, e ndoshta as çelës!

Ky muaj pra do të shkojë kështu, me futboll. Pastaj në korrik vapa e përfshin Kosovën dhe tifozët kanë me ikë në bregdet, Rrugës se Kombit teposhtë, dhe tema kryesore, qoftë rrugës, qoftë nën çadra, prap se prapë ka me qenë futbolli, dhe tarifat e suspenduara për të shfrytëzuar autostradën, edhe për kuksianët "patriotë" që e mundësuan këtë me sakrificën e tyre…! Kushedi për çka, tjetër do të llafosin ata të Kosovës nëpër plazhet e Atdheut.

Çfarë mund të llafosin "kosovarët" e traumatizuar nga dështimi për të shkuar në Rusi, dhe a është mjaft ngushëlluese performanca e paralajmëruar e Era Istrefit në finale? Edhe… kështu deri në gusht . Dua këndoi në finalen e UEFA-së. Më mirë këndojmë sesa luajmë futboll. Përpos nëse femrat provojnë me futboll.

Sido që të jetë për adhuruesit e futbollit, shqiptarë në përgjithësi, ky vit nuk ishte pa suksese në futboll. Sukseset ishin kulmore. Në fakt dy ngjarjet më të mëdha të futbollit, me publikë globale, u kënduan nga këngëtaret nga Kosova. Për dallim prej futbollistit Januzaj i cili ndihet belg, sepse është i lindur në Belgjikë dhe këtë me gjasë e kuptoi pasi bëri llogaritë e tij sportive e financiare. Fal Zotit, Kosova ka mbet në çika. Mbase Rita, Dua, Era, apo ndonjëra nga ato të cilat na bënë promovim global, do të duhej të kandidohen për presidente të Kosovës, për të zëvendësuar "burrat e nderit" të politikës… po flisnim për futboll.

Por, futbolli, as politika jonë, nuk i përcjell dot ato.

Futbolli zyrtarisht nuk ka të bëjë asgjë me politikë. Por, ka të bëjë me kombin, kombëtaren, identitetin dhe si i tillë, ngjarjet e mëdha sportive bahen arenë për afirmim të identiteteve. Identifikimi bëhet fenomen global…!

A bon kështu, do të pyesin patriotët lokalë?

"Bon, bon, edhe nëse s'bon, s'bon…"

The post "Bon, bon, edhe nëse s'bon, s'bon…" appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more