Skip to main content

“Edhe një emër pa/për shqiptarët në IRJM” plus 3 more Telegrafi Opinione

“Edhe një emër pa/për shqiptarët në IRJM” plus 3 more Telegrafi Opinione


Edhe një emër pa/për shqiptarët në IRJM

Posted: 19 Jun 2018 09:34 AM PDT

Zeqir Vica

Nuk habitem aspak me partitë “politike” shqiptare në IRJM që nuk kanë asnjë qëndrim serioz politik karshi ndërrimit të emrit të shtetit. Këta parti e kanë dëshmuar që shumë herët se nuk janë aspak politike, përkundrazi janë klane për pazar e biznes.

Por, është shqetësuese fakti se me sa humor dhe joseriozitet e trajton pjesa më e madhe e popullit shqiptar në IRJM çështjen e emrit të shtetit ku do vazhdojmë të jetojmë. Është shqetësuese se sa të cekëta i kemi kërkesat dhe pritshmëritë tona politike në IRJM. Sa të pavetëdijshëm dhe të paorganizuar jemi në momente të këtilla politike. Fakti që partitë shqiptare nuk kanë qëndrim politik karshi emrit të shtetit nuk duhet të na ndalojë neve të ngrisim zërin dhe të insistojmë në emër të pranueshëm edhe për ne shqiptarët që jetojmë në atë shtet. Emër ndaj të cilit nuk do kemi ndjenjën e mospërfilljes.

Duhet t'ua bëjmë të qartë të gjithëve se emri duhet të ndërrohet më shumë për shkak të shqiptarëve të papërfillur, pa përfaqësuar e të shtypur, sesa për qejfin e shtetit grek.

Por, për të arritur gjëra të tilla ne shqiptarët duhet të bëhemi popull i organizuar politikisht veçanërisht atëherë kur “partitë” nuk janë politike.

Ta kemi të qartë e vetmja mundësi që referendumi në shtator të kalojë pro ndërrimit të emrit duke pasur parasysh që pjesa më e madhe e popullsisë sllavomaqedonase është kundër, është që shqiptarët në mënyrë masovike të mobilizohen dhe të votojnë pro. Dhe, nëse kjo ndodh (që unë dyshoj se do ketë mobilizim aq të madh tek shqiptarët për këtë emër) do të krijohet problem edhe më i madh. Tek sllavomaqedonasit do thellohet edhe më shumë ndjenja se ne jemi armikun kryesor i tyre. Kjo do të thellojë edhe më shumë konfliktin ndëretnik në IRJM që do rezultojë me mbështetje edhe më të madhe se sa ndaj Gruevskit për antishqiptarin tjetër në radhë për të ardhur në krye të qeverisë në zgjedhjet e ardhshme që nuk do jenë shumë larg.

Zaevi dhe qeveria e tij janë duke i përdorur shqiptarët për të ruajtur pushtetin. Pushtet të cilin e fituan me votat e shqiptarëve. Zaevi sërish llogarit në shqiptarët për të kaluar referendumin. Shqiptarët duhet të ndalojnë së qënuri objekt për interesat e Zaevit. Ne shqiptarët duhet patjetër të bëhemi subjekt i organizuar mirë politik karshi këtyre politikanëve pazarxhinj.

Shpesh jam pyetur se përderisa i kundërshtoj të gjitha variantet e përfolura më herët për emrin si e shoh zgjidhjen e këtij problemi. Për mua si aktivist politik që angazhohem për barazi të plotë kushtetuese në mes shqiptarëve dhe të tjerëve në atë shtet, duke pasur parasysh se nuk është e mundur të kemi një emër që përfaqëson të gjitha kombet (sllavomaqedonasit, shqiptarët, bullgarët, vllahët, torbeshët, romët, turqit, boshnjakët, serbët …) e vetmja zgjidhje ngel që të kemi një emër të paanshëm "neutral" karshi të gjitha kombeve. Emër si shembull Republika e Vardarit, ose mund të bëhemi edhe më kreativ, por me rëndësi të jetë emër që nuk privilegjon asnjë kombësi e në të njëjtën kohë nuk diskriminon akënd. Vetëm një emër i tillë do të zgjidhte problemin e vërtetë politik në IRJM. Vetëm një emër i tillë do të krijonte mundësi për bashkëjetesë si të barabartë në këtë shtet. Çdo zgjidhje tjetër është e përkohshme.

The post Edhe një emër pa/për shqiptarët në IRJM appeared first on Telegrafi.

Revolucioni ynë i informacionit

Posted: 19 Jun 2018 02:42 AM PDT

Shpesh thuhet se po përjetojmë një revolucion informacioni. Por çfarë do të thotë kjo dhe ku po na çon revolucioni?

Revolucionet e informacionit nuk janë diçka e re. Në vitin 1439, shtypshkronja e Johannes Gutenberg nisi epokën e komunikimit masiv. Revolucioni ynë aktual, i cili filloi në Silikon Vallei në vitet 1960, lidhet me Ligjin e Moore: numri i transistorëve në një çip kompjuteri dyfishohet çdo dy vjet.

Në fillim të shekullit njëzet e një, fuqia informatike kushton sa një e njëmijta e asaj që kushtonte në fillim të viteve 1970. Tani interneti lidh pothuajse gjithçka. Në mesin e vitit 1993, në botë kishte rreth 130 faqe interneti. Në vitin 2000, ky numër i kishte tejkaluar 15 milionë. Sot, më shumë se 3.5 miliard njerëz janë onlain; ekspertët parashikojnë që deri në vitin 2020, "Interneti i Gjërave" do të lidhë 20 miliardë pajisje. Revolucioni ynë informatikë është ende në fillimet e tij.

Karakteristika kryesore e revolucionit të tanishëm nuk është shpejtësia e komunikimit. Komunikimi i menjëhershëm me telegraf daton në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ndryshimi kryesor është ulja e madhe e kostos së transmetimit dhe ruajtjes së informacionit. Nëse çmimi i një automjeti do të kishte rënë aq shpejt sa çmimi i fuqisë informatike, sot një makinë do të mund të blihej me të njëjtin çmim sa një drekë e lirë. Kur çmimi i teknologjisë bie kaq shpejt, ajo bëhet e aksesueshme gjerësisht dhe pengesat bien. Për të gjitha qëllimet praktike, sasia e informacionit që mund të transmetohet në mbarë botën është virtualisht e pafund.

Kostoja e ruajtjes së informacionit ka rënë gjithashtu në mënyrë dramatike, duke i mundësuar epokës tonë të tanishme të dhëna të mëdha. Informacione që dikur do të mbushnin një depo, tani mund t'i fusni në xhepin tuaj të këmishës.

Në mesin e shekullit të njëzetë, njerëzit druheshin se revolucioni në kompjuterë dhe komunikime do të çonin në një lloj kontrolli të centralizuar të përshkruar në romanin dystopian të George Orwell 1984. Vëllai i Madh do të na vëzhgonte nga një kompjuter qendror, duke e bërë autonominë individuale të pakuptimtë.

Në vend të kësaj, meqë kostoja e fuqisë informatike ka rënë dhe kompjuterët janë zvogëluar dhe janë bërë sa smartfonët, orët e dorës dhe pajisje të tjera portative, efektet e tyre decentralizuese kanë plotësuar efektet e tyre centralizuese, duke mundësuar komunikimin midis tyre dhe mobilizimin e grupeve të reja. Megjithatë, për ironi, ky trend teknologjik ka decentralizuar gjithashtu mbikëqyrjen: miliarda njerëz në ditët e sotme vullnetarisht mbajnë një pajisje gjurmuese që vazhdon të shkelë privatësinë e tyre ndërsa kërkon antena celularësh. Ne e kemi futur në xhep Vëllain e Madh.

Në mënyrë të ngjashme, rrjetet sociale krijojnë grupe të reja transnacionale, por gjithashtu krijojnë mundësi për manipulim nga qeveritë dhe të tjerët. Facebook lidh më shumë se dy miliardë njerëz dhe, siç u tregua nga ndërhyrja ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA, këto lidhje dhe grupe mund të shfrytëzohen për qëllime politike. Europa është përpjekur të krijojë rregulla për mbrojtjen e privatësisë me Rregulloren e saj të Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave, por suksesi i saj nuk është ende i sigurt. Ndërkohë, Kina po kombinon mbikëqyrjen me zhvillimin e renditjes së krediteve sociale që do të kufizojnë liritë personale siç është udhëtimi.

Informacioni siguron pushtet dhe më shumë njerëz kanë qasje në më shumë informacione se kurrë më parë, për mirë dhe për keq. Ky pushtet mund të përdoret jo vetëm nga qeveritë, por edhe nga aktorë jo-shtetërorë që variojnë nga korporatat e mëdha dhe organizatat jofitimprurëse deri te kriminelët, terroristët dhe grupet informale ad hoc

Kjo nuk do të thotë fundi i shtetit komb. Qeveritë mbeten aktorët më të fuqishëm në skenën globale, por skena është mbushur gjithnjë e më shumë dhe shumë prej lojtarëve të rinj mund të konkurrojnë në mënyrë efikase në fushën e pushtetit të butë. Një marinë e fuqishme është e rëndësishme për të kontrolluar detin, por nuk ofron shumë ndihmë në internet. Në Europën e shekullit të nëntëmbëdhjetë, shenja e një pushteti të madh ishte aftësia e saj për të mbizotëruar në luftë, por, siç ka theksuar analisti amerikan John Arquilla, në epokën e sotme globale të informacionit, fitorja shpesh nuk varet nga ushtria e kujt fiton, por historia e kujt fiton.

Diplomacia publike dhe pushteti për të joshur dhe bindur bëhen gjithnjë e më të rëndësishme, por diplomacia publike po ndryshon. Ikën ditët kur oficerët e shërbimit të huaj vendosnin projektorë në zona të thella për të shfaqur filma për audienca të izoluara ose njerëzit pas Perdes së Hekurt mblidheshin rreth valëve të shkurtra të radios për të dëgjuar BBC-në. Progresi teknologjik ka çuar në një shpërthim informacioni dhe kjo ka prodhuar një "paradoks bollëku", një bollëk informacioni çon në mungesë vëmendjeje.

Kur njerëzit janë të mbingarkuar nga vëllimi i informacionit me të cilin përballen, është e vështirë të dish se ku të përqendrohesh. Vëmendja, jo informacioni, bëhet burimi i pakët. Pushteti i butë i joshjes bëhet një burim edhe më vta pushteti sesa në të kaluarën, por po ashtu edhe pushteti i fortë dhe i mprehtë i luftës së informacionit. Dhe, ndërsa reputacioni bëhet gjithnjë e më jetësor, përpjekjet politike për krijimin dhe shkatërrimin e besueshmërisë shumëfishohen. Informacioni që ngjan si propagandë jo vetëm që mund të përçmohet, por mund të jetë edhe kundërproduktiv nëse dëmton reputacionin e një vendi për besueshmëri.

Për shembull, gjatë luftës në Irak trajtimi i të burgosurve në Abu Ghraib dhe Gjirin e Guantanamos në një mënyrë që nuk përputhej me vlerat e deklaruara të Amerikës, çoi në perceptime të hipokrizisë që nuk mund të ndryshoheshin duke transmetuar imazhe të myslimanëve që jetonin mirë në Amerikë. Në mënyrë të ngjashme, postimet në Twitter të presidentit Donald Trump që rezultojnë se s'janë të vërteta ulin besueshmërinë amerikane dhe reduktojnë pushtetin e saj të butë.

Efikasiteti i diplomacisë publike gjykohet nga numri i mendjeve të ndryshuara (siç matet nga intervistat apo sondazhet), jo nga dollarët e shpenzuar. Është interesante të theksohet se sondazhet dhe indeksi Portlendit Soft Power 30 tregojnë një rënie në pushtetin e butë amerikan që nga fillimi i administratës Trump. Postimet në Twitter mund të ndihmojnë për të përcaktuar axhendën globale, por ato nuk prodhojnë pushtet të butë nëse nuk janë të besueshme.

Tani teknologjia e inteligjencës artificiale, që po avancon gjithnjë e me më shumë shpejtësi, apo mësimi i makinës po i përshpejton të gjitha këto procese. Mesazhet robotike shpesh janë të vështira për t'u zbuluar. Por mbetet për t'u parë nëse besueshmëria dhe një narrativë bindëse mund të automatizohen plotësisht. /Project Syndicate/BIRN/

The post Revolucioni ynë i informacionit appeared first on Telegrafi.

Vdekja jote, jeta ime?

Posted: 19 Jun 2018 02:42 AM PDT

Dritan Shano

Retorika e denoncimit si komunikimi më i përdorur në politikën shqiptare të këtyre 27 vjetëve, tregon se lufta civile, lufta mes shqiptarëve, jo vetëm nuk është shkulur nga mendja e shqiptarëve, por mbetet mjeti i preferuar, dhe ndoshta i vetmi që njohin dhe që u prodhon sukses politikanëve shqiptarë, nga më të pëlqyerit deri tek ata më lëtyrat, dhe apo ashtu i militantëve politikë sot e kësaj dite.

Kjo retorikë e denoncimit, përbaltjes, akuzës pa prova, skërmitjes për futjen në dhe të gjallë të kundërshtarit politik është shumë më e lehtë dhe nuk ka lodhje mendore, nuk u "kushton" asgjë atyre që "bubullijnë" nga foltoret me mikrofon dhe megafon, asgjë përveçse fjalëve që nxjerrin nga goja, kundrejt mundimit të kryerjes së veprave më të mira se ato fjalë, dhe dëshmon një tundim, një kënaqësi, një dëshirë dhe miratim dhe besim popullor në nivel demence. Besimin se kjo është rruga më e shkurtër, ku shumica ecën të gjejë suksesin. Në fakt, deri tani ka gjetur, komplet tjetër gjë.

Rezultat i gjithë kësaj retorike " vdekja jote, jeta ime" ose akoma edhe më efikase, pasi është më populiste: "vdekja e atyre, jeta jonë" është, nga njëra anë niveli tribal i zhvillimit që kemi në tërësi, dhe nga ana tjetër i pasurisë së secilit prej këtyre politikanëve. 27 vjet sipas maksimës: "ujku, ujku por çakalli bëri kërdinë!". Ajo që na hyn në vesh prej politikanëve dhe sponsorëve të tyre, është: "ujku, ujku!" Ajo që na mbetet në xhep pastaj është: "kërdia që na ka bërë çakalli".

Ruajtja e simetrisë së përhershme të kësaj retorike është kujdesi i vetëm i politikanëve, proporcionalisht sa më të suksesshëm janë ata në imagjinatën tonë; është "truku magjik" që ka bërë të avullojnë miliarda euro nga jeta jonë dhe nga ardhmja jonë. Mbajtja në acarim të përhershëm psikologjik dhe shoqëror të shqiptarëve përmes kësaj retorike është thelbi i pasurimit përmes pushtetit për shumicën e elitës politike të këtyre 27 vjetëve pa përjashtim. Mënyrat individuale dhe sesi kjo ka ndodhur janë detaje të parëndësishme, me të cilat mund të merret një ditë Gjykata e Llogarive.

Dhe njerëzit që kënaqen, kur dëgjojnë retorikën e denoncimit, se duan ta shohin të përbaltur, kokëulur, të vdekur tjetrin; dhe pastaj kur bie heshtja, po të njëjtët njerëz që thuajse fshehurazi duan një të ardhme më të mirë për fëmijën e vet, fusin dorë në xhep dhe kur si përhera e gjejnë bosh rrinë si mut dhe nuk flasin dot se e shohin që pasurinë e ka vënë politikani i vet i preferuar. Dhe që mos të bëjë figurën e idiotit para fëmijëve që sot i kuptojnë gjërat më shpejt se dje, i vërsulen me tërbim edhe më të madh kujtdo që guxon ndryshe; duke i mësuar dhe fëmijët që kur t'u vijë radha të sillen dhe ata po njësoj… Duke mos e zhvleftësuar asnjëherë premtimin se "kur të vijmë ne në pushtet do hamë me lugë floriri".

Asgjë nuk do ndryshojë derisa të vendosni vetë me dëshirën dhe vullnetin tuaj, se "vdekja jote, jeta ime" nuk funksionon, se duhet ta refuzoni dhe ta prishni simetrinë. Zoti i braktisur na mëson "të hyjmë përmes portës së ngushtë, sepse e lartë është porta dhe e gjerë është rruga që çon në shkatërrim dhe shumë veta hyjnë nëpër të. Por, e vogël është porta dhe e ngushtë rrugën që të çon tek jeta, dhe vetëm pak e gjejnë atë". Prandaj, mendoj se ka adhur koha për të ndyrshuar zakonet e vjetra, sepse "është shumë më mirë të ndizni një qiri, sesa të mallkoni errësirën".

Dhe për këtë, mos prisni t'ua thotë njeri, dhe as mos prisni siç e keni zakon, që dikush tjetër të ndezë qiriun për hesapin tuaj.

The post Vdekja jote, jeta ime? appeared first on Telegrafi.

Pirateria digjitale, sprova jonë e radhës

Posted: 19 Jun 2018 02:37 AM PDT

Pirateria digjitale është një fenomen prej kohësh problematik në tregun jo vetëm online. Shifrat në humbje të kompanive të mëdha dhe serioze, të cilat kanë hyrë në treg bazuar mbi disa parime etike biznesi kanë vënë alarmin prej kohësh për këtë situatë që sot në Shqipëri është kthyer në një fenomen të pandalshëm vjedhjeje. Evropa dhe shtete të saj kanë vite që mbështeten në publikime dhe gjetje studimore shumë interesante mbi të dhënat që jep tregu. Por shifrat që ata japin nuk mbesin në letër. Autoritetet duken se janë treguar të vëmendshme prej vitesh duke marrë masat përkatëse në bashkëpunim me institucionet përkatëse duke i rregulluar mekanizmat ligjorë në dëm të piraterisë. Po si është gjendja e këtij fenomeni në një prej shteteve evropiane që vetëm pak vite më parë kapte shifra të çmendura në piraterinë digjitale duke i shkaktuar vendit humbje të mëdha në buxhetin e vet? Spanja prej vitesh bën studimin e këtij tregu dhe kërkimet duken se kanë dhënë rezultatet e para.

Në vitin 2017, vlera financiare e aksesit të paligjshëm në përmbajtjet të ndryshme që ofrojnë shërbimet audiovizive dhe online në Spanjë kapën shifrën e 21. 899 miliardë eurove, duke paraqitur kështu një rënie prej 6 për qind, krahasuar me vitin 2016 dhe një rënie të akumuluar prej 9 për qind, krahasuar me vitin 2015.

Pirateria digjitale ka pësuar një rënie në Spanjë për të dytin vit radhazi në aspektin e shifrave absolute, edhe pse për qindja e individëve që kanë akses në përmbajtjet që u vidhet e drejta e autorit mbetet e njëjtë. Kështu, në vitin 2017 u regjistruan rreth 4.005 miliardë euro prej aksesit të paligjshëm në përmbajtje që kapin një vlerë tregu prej 21.899 miliardë euro. Humbja e pësuar në këtë sektor u rrit në 4.1 për qind, duke kapur shifrën e 1.857 miliardë eurove.

Këto janë disa nga rezultatet kryesore të grumbulluara nga "Observatori për piraterinë dhe konsumin e përmbajtjeve digjitale 2017", i kryer nga një institut i pavarur kërkimesh dhe analizash i quajtur GFK (Growth from Knowledge). Publikimi i këtij raporti u krye nga Aleanca e Krijuesve, Industrive të Përmbajtjes dhe LaLiga (http://www.laliga.es/).

Carlota Navarrete, drejtoreshë e Aleancës, pat shpjeguar në një dalje publike se trendi që ka nisur që prej vitit 2016 për të ulur piraterinë në përmbajtje, po e ruan vlerën e saj dhe megjithëse ata shprehen se janë ende larg nga numri i website-ve pirate të bllokuara si p.sh., Portugalia ku janë bllokuar më shumë se 800, ose Italia (rreth 450 ), ata besojnë se rezultatet duken të jenë pasqyrë e një angazhimi të drejtë. Kërkesat e tyre për të forcuar dhe përshpejtuar zbatimin e masave legjislative, si dhe për të rritur stafin dhe burimet teknike të Administratës Publike, gjatë kryerjes së fushatave ndërgjegjësuese, dukej që mbetet një vendim shumë i mirë. Kjo nismë tregon se përpjekja e vazhdueshme e ndërmarrë nga industria për të luftuar piraterinë në të gjitha nivelet dhe rritja pothuajse e 90% e kërkesave të paraqitura përmes procedurës administrative, bënë që vitin e kaluar këto autoritete të korrnin suksese të rëndësishme në procedurat civile dhe penale. Megjithëse problemi vazhdon të mbetet ende serioz, ky përparim i lehtë në luftën kundër piraterisë është një inkurajim për të vazhduar punën duke kërkuar nga të gjithë aktorët privatë dhe publikë që të bëjnë përpjekje më të mëdha për ta luftuar atë. LaLiga nga ana tjetër, anëtare e këtij koalicioni që mbështet gjetjet e këtij studimi duket e kënaqur të vazhdojë ky lloj trendi, ai i uljes së numrit të individëve që ndjekin futbollin në faqe ilegale. Të dhënat tregojnë gjithsesi se numri i tyre është zvogëluar me 5 pikë përqindje që nga viti 2015; nga 21 për qind në 2015 në 16 për qind në vitin 2017. Pas krijimit në LaLiga të një departamenti posaçërisht për luftën kundër piraterisë audiovizive dhe mbrojtjen e të drejtave audiovizive, LaLiga ka bllokuar 12 website në internet.

AKSESI I PALIGJSHËM, TË ARDHURAT DHE QËNDRIMET

Përqindjet e individëve që kanë akses të paligjshëm në përmbajtje ndahen në ata që ndjekin muzikë (22%), filma (33%), video lojëra (11%), libra (24%), seriale televizivë (30%) dhe futboll (10%). 1.857 miliardë euro lëvizin të ardhurat prej piraterisë si p.sh.; muzika 507 milionë euro, filma 453 milionë euro, seriale televizive 167 milionë euro, libra 203 milionë euro, videogame 242 milionë euro dhe futboll 285 milionë euro. 51 për qind e konsumatorëve që kanë qasje në përmbajtjet e paligjshme argumentojnë se përmbajtja origjinale është shumë e shtrenjtë ndërsa 43 për qind e tyre thonë se aksesi tek këto përmbajtje është shumë i shpejtë dhe i lehtë. Sipas studimit të gjitha këto përqindje janë më të larta në krahasim me ato të vitit 2016. Ndërsa 25 për qind e tyre mendojnë se nuk po bëjnë kurrfarë dëmi ose mendojnë se nuk ka pasoja ligjore për ata që piratojnë, dhe që këndej asgjë nuk ndodh.

Edhe pse këto gjetje kanë dalë nga një institut serioz kërkimesh dhe analizash dhe ky nuk është viti i parë që realizohet ky lloj studimi me temë mbi piraterinë, kjo gjë dëshmon se ende lind nevoja prej autoriteteve për të dërguar mesazhe të qarta për këtë çështje. Përveç kësaj, sipas rezultateve të studimit të mësipërm prej Observatorit, 15% e konsumatorëve pranojnë se kanë vështirësi të mëdha për të diferencuar faqet e ligjshme nga ato të paligjshme ndërsa një tjetër grup prej 44 për qind pranon se mund ta dallojë origjinalin me atë që bën piratin, pra që vjedh autorësinë. 68% e përdoruesve që bëjnë një lidhje interneti marrin parasysh kryesisht shpejtësinë, që mundëson qasje më të shpejtë në përmbajtje. Kjo përqindje është e njëjtë me atë të vitit 2016. Megjithatë, për qindja e përdoruesve që vlerësojnë veçanërisht ofertën e kombinuar (shpejtësi të lartë ose fibre plus content) me ofrues të zgjedhur në internet, është rritur deri në 56% krahasuar me 51% në vitin 2016.

SI TË KEMI AKSES DHE BURIMI I TË ARDHURAVE

Sa i përket mënyrës si të kemi akses në faqet pirate, theksojmë se janë motorët e kërkimit ata, të cilët vazhdojnë të kenë peshën kryesore në kërkimin e përmbajtjeve të paligjshme, me 75%, dhe google është përdorur për të aksesuar në përmbajtjet pirate. Sa i përket rrjeteve sociale, 'Facebook', gjithashtu, ka pasur një akses të padiskutueshëm në të tilla website (83%), e ndjekur nga 'Tweeter' me (42%) dhe 'Istagram' me (34%). 'Facebook' ka arritur të nënshkruajë marrëveshje të rëndësishme sa i përket industrive të ndryshme për t'u bërë burim i ligjshëm dhe për të rregulluar aksesin në përmbajtje. Për qindja e website-ve tek të cilat u aksesuan përmbajtje ilegale të financuara nga reklamat u rrit deri në 95% (67% në vitin 2016). Nga një publicitet i tillë, 68% korrespondon me lojërat në internet dhe faqet e basteve, 58% përcakton vendin dhe më shumë se 55% ka një përmbajtje të rriturish.

Burimi i të ardhurave i këtyre website-ve sigurohet në forma të ndryshme. Duhet theksuar se 8 nga 10 të tilla regjistrohen fillimisht si përdorues, duke i deklaruar dhe të dhënat personale të cilat piratët i mbledhin në një program të dhënash, të cilat më pas i përdorin gjatë fushatave të marketingut elektronik, duke arritur çmime shumë të larta në treg. Faqet pirate marrin të dhëna shumë më të vlefshme sesa mund të përfytyrohet duke u mundësuar atyre të zotërojnë përfitime të rëndësishme ekonomike, si p.sh., lundrimi në internet, preferencat, pëlqimet apo dhe blerjet online.

Mjetet e pagesës, gjithashtu, kanë një rol të rëndësishëm në drejtimin e faqeve pirate, veçanërisht në rastet kur këto vende komercializojnë llogaritë premium, marrin donacione ose standardizojnë një sistem për të dërguar mesazhe nëpërmjet celularit tek përdoruesit e regjistruar, për të informuar mbi nxjerrjen në shitje të përmbajtjeve të reja në vend, etj. Konsumatorët e piraterisë së librave janë ata të cilët janë më të gatshëm të paguajnë për të shmangur reklamat (43%), ata që përdorin videogame dhe filma (39%), seriale televizive (37%) dhe konsumatorët e piraterisë, të cilët janë më pak të gatshëm të paguajnë për të shmangur reklamimin e muzikës përbëjnë (35% ) ndërsa futbolli (34%). Për qindja e konsumatorëve, të cilët vendosin të pranojnë fushatat e komunikimit kundër piraterisë, është dukshëm në rritje krahasuar me vitin e kaluar, gjë që është një fakt shumë pozitiv që konfirmon se autoritetet në Spanjë duhet të vazhdojë të ndjekë një linjë të tillë.

Gjithsesi, pothuajse të gjithë përdoruesit e internetit e dinë ekzistencën e ofertës së përmbajtjes ligjore në platformat e abonimit dhe modaliteteve të tjera, si Netflix (91%), Spotify (81%), Movistar + (80%) ose HBO (68%), e cila i bën nul arsyet e dhëna nga përdoruesit piratë, të cilët thanë se vazhdojnë të shkelin të drejtën e autorit për shkak të mungesës së një oferte të mirë ligjore dhe me çmime të volitshme. Në këtë drejtim, vlen të përmendet se përdoruesit e internetit që janë piratë dhe gjenden të regjistruar në internet në këto platforma nuk e ndalojnë piraterinë, megjithëse piratojnë më pak në disa sektorë, si muzika.

NDIKIMI NË PUNËSIM DHE TË ARDHURAT SHTETËRORE

Ndikimi i piraterisë në punësim siguron shifra shqetësuese për krijuesit dhe industritë e përmbajtjes. Këto të fundit sot punësojnë rreth 69,861 njerëz nga 99,095 punonjës që punojnë për sektorin e kulturës digjitale, sipas të dhënave të qeverisë spanjolle. Fondi publik në vend duket se ka dështuar në thithjen e fondeve (gati 372 milionë euro për shkak të piraterisë). Kjo do të thotë, se shteti spanjoll ka ndaluar marrjen në vitin 2017, 575 milionë euro për shkak të qasjeve të paligjshme në përmbajtje, me një shumë të akumuluar që nga viti 2012 të 3.347 miliardë eurove.

AKSESI I PALIGJSHËM NË PËRMBAJTJET MUZIKORE

Ka një rritje të lehtë të numrit të individëve që duan të kontribuojnë në zvogëlimin e konsumit të muzikës ligjërisht edhe pse pirateria në këtë fushë përfaqësohet me 23%. Vlen të përmendet rritja e raportit të konvertimit në muzikë nga 7% në vitin 2016, në 10% në vitin 2017, kështu që pavarësisht uljes së piraterisë, humbja në fitime vazhdon të rritet. Numri i konsumatorëve që kanë akses në përmbajtjet e paligjshme është ulur nga 26% në 2016 në 22% në vitin 2017.

FILMAT

Përkundër rritjes së konsiderueshme të ruajtjes së të drejtës së autorit në përdorim të filmave, për qindja e piraterisë në internet, vazhdon të jetë mesatarisht deri në 34%. Kapaciteti i filmave që u aksesua në mënyrë të paligjshme gjatë vitit 2017 ishte 726 milionë, me një vlerë tregu prej 5.725 miliardë euro, krahasuar me 6.935 miliardë eu në vitin 2016. 35% e qasjeve ndodhën ndërkohë që filmi ishte ende në ekranet në kinematë kinema, ndërkohë që kjo përqindje ishte 33 % në vitin 2016.

SERIALET TELEVIZIVE

30% e përdoruesve kanë akses të paligjshëm në serialet televizive, duke përmbledhur 945 milionë episode që luhen ilegalisht ose janë shkarkuar gjatë vitit 2017. Vlera e tyre e tregut është 1.405 miliardë euro. 46% e aksesueshmërisë ka ndodhur gjatë periudhës që episodet ende shfaqeshin në ekranet e televizioneve (39% në vitin 2016).

LIBRA

24% e përdoruesve të internetit shkarkojnë libra në formatin digjital nga platformat e paligjshme, prandaj në vitin 2017 u llogaritën 419 milionë ndërhyrje të paligjshme digjitale në libra me një vlerë tregu prej 3.609 miliardë euro. Më shumë se 41% e aksesueshmërisë materializohen në përmbajtje të botuar në më pak se një vit më parë.

FUTBOLL

16% e përdoruesve të internetit i ndjekin ndeshjet e futbollit në kanale të paligjshme. Prandaj, gjatë 2017, 113 milion ndeshje futbolli janë parë ilegalisht në 10% të familjeve spanjolle, si dhe në 2016.

MASAT QË PRITEN TË MERREN

Masat më efikase kundër piraterisë do të ishin; bllokimi i aksesit në përmbajtjen e faqes dhe penalizimi i ofruesve të internetit. Pas këtyre dy masave, më e mira për të reduktuar shkeljet do të ishte promovimi i fushatave ndërgjegjësuese sociale kundër piraterisë; kjo sugjeron që rritja e bashkëpunimit midis sektorit të përmbajtjes dhe ofruesit të shërbimeve të internetit (ISP) të mund të gjejë mbështetje tek konsumatorët, natyrisht së bashku me një vlerësim pozitiv.

The post Pirateria digjitale, sprova jonë e radhës appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more